Bindja hyjnore në një familje të ndarë në kuptim fetar
«PLAGOS më shumë se çdo goditje fizike. . . . Më duket sikur gjithë trupi më është mbushur me xhunga dhe askush nuk mund t’i shohë.» «Nganjëherë ndihem sikur dua t’i jap fund jetës . . . ose të iki nga shtëpia e të mos kthehem më kurrë.» «Nganjëherë është e vështirë të mendosh me kthjelltësi.»
Këto fjalë plot emocion zbulojnë ndjenja dëshpërimi dhe vetmie. Ato vijnë nga viktima të abuzimit në të folur: akuzave, kërcënimeve, sharjeve dhe armiqësisë së heshtur, madje edhe keqtrajtimit fizik nga bashkëshortët dhe anëtarët e familjes. Përse këta njerëz trajtohen kaq keqas? Thjesht, për shkak të ndryshimit të bindjeve fetare. Në këto rrethana, të jetosh në një familje të përçarë në kuptim fetar, e bën adhurimin e Jehovait një sfidë të vërtetë. Megjithatë, shumë viktima të tilla të krishtere shfaqin me sukses bindje hyjnore.
Lumturisht, një ankth dhe stres i tillë nuk gjendet në të gjitha familjet e përçara në kuptim fetar. Megjithatë, ekziston. A i përngjan shtëpia jote këtij përshkrimi? Atëherë, mund të të duket e vështirë të ruash respektin për bashkëshortin apo për prindërit e tu. Nëse je një bashkëshorte në këtë situatë apo një fëmijë në një mjedis të tillë, si mund t’ia dalësh mbanë për të shfaqur bindje hyjnore në një shtëpi të përçarë në kuptim fetar? Ç’mbështetje mund të japin të tjerët? Si e shikon Perëndia këtë gjë?
Përse është kaq e vështirë të jesh i bindur?
Egoizmi dhe mosmirënjohja e botës ushtrojnë një ndikim bashkë me prirjet e tua të papërsosura dhe e bëjnë bindjen hyjnore një betejë të vazhdueshme. Satanai e di këtë dhe qëllimi i tij është që të thyejë vendosmërinë tënde për të qenë i krishterë. Ai shpesh përdor anëtarët e familjes që kanë pak ose aspak çmueshmëri dhe respekt për normat hyjnore. Vlerat e tua të larta morale e frymore shpesh janë krejt të ndryshme nga ato të familjarëve të tu jobesimtarë. Kjo do të thotë se do të ketë pikëpamje të kundërta mbi sjelljen dhe aktivitetin tënd. (1. Pjetrit 4:4) Presioni për të të bërë të thyesh normat e krishtere mund të jetë i madh, pasi ti i je bindur urdhrit: «Mos merrni pjesë në punët e pafrytshme të errësirës.» (Efesianëve 5:11) Në sytë e tyre, çdo gjë që bën nuk është më e drejtë. E gjithë kjo për shkak të fesë. Një nënë, kur rëndohej nga fëmijët e sëmurë, i kërkonte të shoqit ndihmë dhe merrte prej tij një përgjigje sarkastike: «Epo, për fenë ke kohë ti. Nuk ke nevojë për ndihmë.» Edhe komente të tilla i shtohen sfidës për të qenë të bindur.
Pastaj, ka raste kur mund të mos pajtohesh me çështje që nuk i shkelin drejtpërdrejt Shkrimet. Megjithatë, e kupton se je pjesë e familjes dhe deri në njëfarë mase ke disa detyrime. «Ndihem e tronditur kur mendoj se si na trajton babai, sepse e kuptoj se ai ndihet i vetëm,—thotë Koni.—Herë pas here duhet t’i kujtoj vetes të mos prekem nga kundërshtimi i babait. Duhet t’i tregoj vetes se ka një arsye të fortë përse ai reagon në mënyrë armiqësore dhe e hedh poshtë qëndrimin tonë. Satanai është sundimtari i këtij sistemi gjërash.» Suzana që është martuar me një jobesimtar, pranon: «Në fillim, mendoja se duhej të ndahesha, por tani jo më. E di se Satanai e përdorte atë për të më sprovuar mua.»
Përpjekjet e Satanait për të të bërë të ndihesh i pavlerë mund të duken gati të pafundme. Mund të kalojnë ditë pa komunikuar me bashkëshortin. Jeta mund të bëhet e vetmuar. Kjo rrënon bindjen e respektin për veten dhe sprovon bindjen tënde hyjnore. Edhe fëmijët ndihen bosh emocionalisht dhe fizikisht. Në një rast, edhe pse prindërit kundërshtonin, tre shërbëtorë të rinj të Perëndisë merrnin pjesë me besnikëri në mbledhjet e krishtere. Një prej tyre, tani shërbëtor në kohë të plotë, pranon: «Ndiheshim të mpirë dhe të rraskapitur, nuk mund të flinim; na ishte thyer zemra.»
Çfarë pret Perëndia nga ti?
Bindja ndaj Perëndisë vjen gjithmonë e para dhe bindja relative ndaj drejtimit të burrit gjithmonë duhet të jetë sipas normave të Jehovait. (Veprat 5:29) Kjo mund të jetë e vështirë, megjithatë është e mundur. Vazhdo të besosh në ndihmën e Perëndisë. Ai dëshiron që ta adhurosh «në frymë dhe në të vërtetë», të dëgjosh dhe ti nënshtrohesh urdhrave të tij. (Gjoni 4:24) Njohuria nga Fjala e Perëndisë, ndërsa mbush një zemër të gatshme, mbështet bindjen e vullnetshme. Megjithëse rrethanat e tua personale mund të ndryshojnë, Jehovai dhe Fjala e tij nuk ndryshojnë. (Malakia 3:6; Jakovit 1:17) Jehovai ia ka caktuar autoritetin burrit. Kjo qëndron nëse ai e pranon ose jo autoritetin e Krishtit. (1. Korintasve 11:3) Megjithëse mund të jetë e vështirë të pranohet dhe të durohet, kur përballon abuzim dhe poshtërim të vazhdueshëm, dishepulli Jakov tha: «Mençuria nga lart është . . . e gatshme për t’u bindur.» (Jakovit 3:17) Për ta njohur këtë autoritet në mënyrë sa më të qartë dhe për ta pranuar atë, kërkohet fryma e Perëndisë, veçanërisht fryti i saj i dashurisë.—Galatasve 5:22, 23.
Kur dikë e do, është më e lehtë të tregosh bindje hyjnore ndaj autoritetit të vendosur në mënyrë hyjnore. Efesianëve 5:33 këshillon: «Secili nga ju kështu ta dojë gruan e vet sikurse e do veten e vet; dhe po kështu gruaja ta respektojë burrin.»
Merr rastin e Jezuit. Me të u abuzua gojarisht dhe fizikisht, por prapëseprapë ai kurrë nuk shau asnjeri me fjalë të rënda. Ai mbeti i panjollë. (1. Pjetrit 2:22, 23) Për të përballuar ato poshtërime, Jezuit i nevojitej kurajo e tmerrshme dhe dashuri e patundur për Atin e tij, Jehovain. Në fakt, dashuria «i duron të gjitha».—1. Korintasve 13:4-8.
Pavli e kujtoi bashkëpunëtorin e tij, Timoteun dhe ai na kujton neve sot: «Perëndia nuk na ka dhënë frymë frike, por force, dashurie dhe urtësie.» (2. Timoteut 1:7) Dashuria e thellë për Jehovain dhe për Jezu Krishtin mund të të nxisë të kesh bindje hyjnore, edhe kur situatat duken të pamundura për t’u përballuar. Një mendje e shëndoshë do të të ndihmojë të kesh një pikëpamje të ekuilibruar dhe të jesh i përqendruar në marrëdhënien tënde me Jehovain dhe Jezu Krishtin.—Krahaso Filipianëve 3:8-11.
Bashkëshorte që kanë sukses në shfaqjen e bindjes hyjnore
Shpeshherë duhet të presësh një kohë të gjatë derisa të shohësh se si Jehovai kujdeset për problemet e tua. Megjithatë, dora e tij kurrë nuk është shkurtuar. Një motër që arrin të tregojë bindje hyjnore, jep këtë këshillë: «Bëj gjithmonë gjërat për të cilat Jehovai të jep të drejtën dhe privilegjin për t’i bërë: adhuroje nëpër mbledhje dhe asamble, studio, shko në shërbim dhe lutu.» Jehovai bekon përpjekjet dhe jo thjesht arritjet. Në 2. Korintasve 4:17, apostulli Pavël tha se ‘mjerimi është kalimtar, por kryen për ne një lavdi që është e përhershme’. (BR) Medito mbi këtë. Do të jetë një element stabilizues për ty. Një bashkëshorte thotë: «Jeta ime familjare nuk përmirësohet dhe nganjëherë pyes veten nëse Jehovai është i kënaqur me mua. Por gjëja që në fakt e marr si bekimin e tij është se unë dal nga këto situata të vështira më mirë se im shoq. Fakti që veprimet tona i pëlqejnë Jehovait, i jep një kuptim betejës sonë.»
Jehovai premton se nuk do të lejojë që të gjendesh në situata të vështira përtej asaj që mund të përballosh. Beso në të! Ai e di më mirë se ti dhe të njeh më mirë sesa njeh ti veten. (Romakëve 8:35-39; 11:33; 1. Korintasve 10:13) T’i drejtosh lutje Jehovait në kohë të vështira të ndihmon. Lutu që fryma e tij të të drejtojë, veçanërisht kur nuk e di çfarë rruge të marrësh ose se si të përballosh një situatë. (Proverbat 3:5; 1. Pjetrit 3:12) Lutju atij vazhdimisht për durim, vetëkontroll dhe përulësi për t’iu bindur autoritetit në jetën tënde. Psalmisti tha: «Jehovai është shkëmbi im, fortesa ime dhe Ai që më siguron shpëtim.» (Psalmi 18:2, BR) Mbajtja në mend e kësaj është një ndihmë që u jep forcë atyre që jetojnë me familjarë të përçarë në kuptim fetar.
Mbi të gjitha, bëj çdo përpjekje për ta bërë martesën tënde të lumtur. Po, Jezui parashikoi se lajmi i mirë do të shkaktonte ndarje. Megjithatë, lutu që çdo ndarje të mos shkaktohet nga qëndrimi apo sjellja jote. (Mateu 10:35, 36) Me këtë synim në mendje, bashkëpunimi i minimizon problemet materiale. Edhe kur vetëm ti e shfaq këtë qëndrim të drejtë, mund të bëjë shumë për parandalimin e problemeve që të mos arrijnë në pikën e grindjeve dhe mosmarrëveshjeve të tepërta. Durimi dhe dashuria janë shumë të rëndësishme. «Ji i butë» dhe «i përmbajtur në të keqe».—2. Timoteut 2:24.
Apostulli Pavël u bë «gjithçka për të gjithë». (1. Korintasve 9:22) Ngjashëm, duke mos i kompromentuar detyrat e krishtere, nganjëherë mund të jetë e nevojshme të ndryshosh programin tënd për të kaluar më shumë kohë me bashkëshortin dhe familjen tënde. Kushtoji sa më shumë kohë që të jetë e mundur atij me të cilin ke vendosur të ndash jetën. Trego konsideratë të krishtere. Kjo është një shprehje e bindjes hyjnore.
Një bashkëshorte me frikë perëndie dhe e nënshtruar që është elastike dhe simpatike e ka më të lehtë të shfaqë bindje hyjnore. (Efesianëve 5:22, 23) Fjalët e buta, ‘të ndrequra me kripë’, ndihmojnë për të minimizuar shpeshtësinë e përplasjeve të forta.—Kolosianëve 4:6; Proverbat 15:1.
Mençuria hyjnore këshillon që të zgjidhen shpejt mosmarrëveshjet dhe të vendoset paqja me fjalë të mira që ndërtojnë dhe jo të shkohet në krevat në një «gjendje të irrituar». (Efesianëve 4:26, 29, 31) Kjo kërkon përulësi. Beso plotësisht në Jehovain për të pasur forcë. Një grua e krishterë pranoi me përulësi: «Pas një lutjeje të zjarrtë, u ndieva e nxitur nga fryma e Jehovait të ngrija krahun e të përqafoja tim shoq.» Fjala e Perëndisë këshillon: «Mos ia ktheni kurrkujt të keqen me të keqe, . . . munde të keqen me të mirën.» (Romakëve 12:17-21) Kjo është një këshillë e mençur dhe ndihmon në shfaqjen e bindjes hyjnore.
Fëmijë që tregojnë bindje hyjnore
Këshilla e Jehovait për ju fëmijë që jetoni në familje të përçara në kuptim fetar është: «Binduni prindërve në çdo gjë, sepse kjo është e pranueshme për Zotin.» (Kolosianëve 3:20) Vëre se Zoti Jezu Krisht është përmendur për t’u pasur parasysh. Prandaj, bindja ndaj prindërve nuk është absolute. Në njëfarë kuptimi, këshilla e Veprave 5:29 për «t’iu bindur Perëndisë si sundimtar në vend se njerëzve», ka të bëjë edhe me të rinjtë e krishterë. (BR) Do të ketë raste kur do të të duhet të vendosësh se çfarë të bësh në bazë të asaj që di se është e drejtë sipas Shkrimeve. Mund të rezultojë në disa forma ndëshkimi për faktin se nuk pranon të marrësh pjesë në ndonjë akt adhurimi të rremë. Edhe pse është një shpresë e pakëndshme, mund të gjesh ngushëllim e madje të gëzosh për faktin se po vuan për të bërë atë që është e drejtë në sytë e Perëndisë.—1. Pjetrit 2:19, 20.
Meqenëse mendimet e tua udhëhiqen nga parime biblike, mund të ndryshosh nga prindërit në disa çështje. Kjo nuk i bën ata armiq për ty. Edhe pse nuk janë shërbëtorë të dedikuar të Jehovait, ata meritojnë nderimin e duhur. (Efesianëve 6:2) Solomoni ka thënë: «Dëgjo atin tënd që të ka pjellë dhe mos e përçmo nënën tënde.» (Proverbat 23:22) Mundohu të kuptosh dhimbjen që ata ndiejnë, kur ti ndjek një besim që atyre u duket i çuditshëm. Komuniko me ta dhe «lëre arsyetueshmërinë tënde të bëhet e njohur». (Filipianëve 4:5) Ndaji me ta ndjenjat dhe shqetësimet. Ji i vendosur për të ndjekur parimet hyjnore, megjithatë «po të jetë e mundur dhe aq sa varet prej jush, jetoni në paqe me gjithë njerëzit». (Romakëve 12:18) Fakti që u bindesh urdhrave të prindërve tani i tregon Jehovait se dëshiron të vazhdosh të jesh i bindur si nënshtetas i Mbretërisë.
Çfarë mund të bëjnë të tjerët
Të krishterët që jetojnë në familje të përçara në kuptim fetar kanë nevojë për mbështetje dhe kuptueshmëri nga bashkadhuruesit. Kjo duket nga fjalët e një personi që tha: «Ndihem absolutisht i pashpresë dhe i pandihmë, sepse askush nuk mund të bëjë asgjë dhe s’ka asgjë që mund të bëj për të ndryshuar gjendjen. Besoj në Jehovain që në familjen time të bëhet vullneti i tij, cilido qoftë ai.»
Shoqërimi me motra dhe vëllezër frymorë në mbledhjet e krishtere është një strehim. Po ky person e përshkroi jetën e tij «të ngjashme me dy botë të ndryshme. Njëra në të cilën duhet të jem dhe tjetra në të cilën dua të jem». Dashuria për vëllazërinë është ajo që u jep mundësi këtyre të brengosurve për të qëndruar e për të shërbyer në të gjitha rrethanat. Përfshiji ata në lutjet e tua. (Efesianëve 1:16) Rregullisht, në çdo rast thuaju atyre fjalë inkurajuese, pozitive dhe ngushëlluese. (1. Selanikasve 5:14) Kur është praktike dhe e përshtatshme përfshiji ata në aktivitetet e tua teokratike dhe shoqërore.
Bekimet dhe dobitë e bindjes hyjnore
Medito çdo ditë mbi bekimet dhe dobitë e shfaqjes së bindjes hyjnore në një shtëpi të përçarë në kuptim fetar. Përpiqu të jesh i bindur. «Mos u lodh.» (Galatasve 6:9, BR) Qëndrueshmëria në rrethana të pafavorshme dhe padrejtësi «për ndërgjegje ndaj Perëndisë . . . është hir para Perëndisë». (1. Pjetrit 2:19, 20) Ji i bindur deri në masën që parimet dhe ligjet e drejta të Jehovait nuk kompromentohen. Kjo tregon besnikëri ndaj rregullimit të Jehovait. Sjellja jote hyjnore mund të shpëtojë edhe jetën e bashkëshortit, fëmijëve apo prindërve të tu.—1. Korintasve 7:16; 1. Pjetrit 3:1.
Ndërsa lufton me kërkesat dhe pretendimet e një familjeje të përçarë në kuptim fetar, mbaj në mend rëndësinë e mbajtjes së integritetit ndaj Perëndisë Jehova dhe Jezu Krishtit. Mund të heqësh dorë nga shumë konflikte, por të heqësh dorë nga integriteti do të thotë të heqësh dorë nga gjithçka, duke përfshirë jetën vetë. Apostulli Pavël tha: «Perëndia . . . së fundi, këto ditë na ka folur me anë të Birit, të cilin e bëri trashëgimtar të të gjitha gjërave, me anë të të cilit e krijoi dhe gjithësinë.» Pranimi i këtij «shpëtimi kaq të madh» do të të forcojë e do të të ndihmojë të jesh i bindur.—Hebrenjve 1:1, 2; 2:3.
Bindja jote e pakompromentuar dhe vendosmëria për vlerat e drejta morale është një mbrojtje e shëndoshë për ty dhe bashkëshortin tënd jobesimtar. Besnikëria ndërton lidhje të forta familjare. Proverbat 31:11 thotë për një grua të aftë dhe besnike: «Zemra e burrit të saj ka besim tek ajo.» Sjellja jote e dëlirë dhe respekti i thellë mund t’ia hapë sytë burrit jobesimtar. Mund ta bëjë atë të pranojë të vërtetën e Perëndisë.
Bindja hyjnore është vërtet e çmuar dhe jetëshpëtuese. Lutu për të në jetën tënde familjare. Ajo do të rezultojë në paqe mendore dhe do t’i sjellë lavdi Jehovait.