Të çmojmë mbledhjet e krishtere
«Le të interesohemi për njëri-tjetrin, që të nxitemi në dashuri dhe në vepra të shkëlqyera, duke mos braktisur të mbledhurin tonë së bashku.»—HEBRENJVE 10:24, 25, BR.
1, 2. (a) Pse është privilegj të marrësh pjesë në një mbledhje të të krishterëve të vërtetë? (b) Në ç’kuptim është i pranishëm Jezui në mbledhjet e ithtarëve të tij?
ÇFARË privilegji është të marrësh pjesë në një mbledhje të krishterë, qoftë ajo e përbërë nga më pak se dhjetë ose qoftë nga disa mijëra adhurues të Jehovait, sepse Jezui tha që «atje ku janë dy ose tre të mbledhur së bashku në emrin tim, atje, në mes tyre, jam unë»! (Mateu 18:20, BR) Vërtet, kur bëri këtë premtim, Jezui po fliste për çështje gjyqësore, që duheshin trajtuar në mënyrë korrekte nga ata që marrin drejtimin në kongregacion. (Mateu 18:15-19) Por, a mund të aplikohen në parim fjalët e Jezuit edhe për të gjitha mbledhjet e krishtere, që hapen dhe mbyllen me lutje në emër të tij? Po. Kujto se kur Jezui i ngarkoi ithtarët e tij të kryenin veprën e bërjes së dishepujve, premtoi: «Ja! Unë jam me ju gjithë ditët, deri në përfundim të sistemit të gjërave.»—Mateu 28:20, BR.
2 Nuk mund të ketë asnjë dyshim se Kreu i kongregacionit të krishterë, Zotëria Jezu Krisht, interesohet shumë për të gjitha mbledhjet e ithtarëve të tij besimplotë. Për më tepër, mund të jemi të sigurt se ai është i pranishëm në to, me anë të frymës së shenjtë të Perëndisë. (Veprat 2:33; Zbulesa 5:6) Edhe Perëndia Jehova interesohet për të mbledhurin tonë së bashku. Qëllimi parësor i mbledhjeve të tilla është që Perëndisë t’i thuren lavde «mes turmave të mbledhura». (Psalmi 26:12, BR) Pjesëmarrja jonë në mbledhjet e kongregacionit është një dëshmi e dashurisë sonë për të.
3. Cilat janë arsyet e rëndësishme, për të cilat i çmojmë mbledhjet e krishtere?
3 Ekzistojnë arsye të tjera të vlefshme për të cilat ne çmojmë mbledhjet e krishtere. Përpara se të linte tokën, Jezu Krishti i emëroi dishepujt e tij të mirosur të vepronin si një «skllav i besueshëm dhe i matur», për furnizimin e shtëpisë së besimit me ushqim frymor në kohën e duhur. (Mateu 24:45, BR) Një mënyrë e rëndësishme, në të cilën bëhet një i ushqyer i tillë frymor, është me anë të mbledhjeve të kongregacionit, si dhe me anë të mbledhjeve më të mëdha, asambleve dhe kongreseve. Zotëria Jezu Krisht e udhëheq këtë skllav të besueshëm që të sigurojë në mbledhje të tilla, informacion jetësor për të gjithë ata që dëshirojnë ta mbijetojnë fundin e këtij sistemi të lig dhe të fitojnë jetën në botën e re të drejtë të Perëndisë.
4. Cili «zakon» i rrezikshëm është përmendur në Bibël dhe ç’gjë do të na ndihmojë ta shmangim atë?
4 Pra, asnjë i krishterë nuk duhet të rrezikojë zhvillimin e zakonit të dëmshëm të vërejtur nga apostulli Pavël, i cili shkroi: «Le të interesohemi për njëri-tjetrin, që të nxitemi në dashuri dhe në vepra të shkëlqyera, duke mos braktisur të mbledhurin tonë së bashku, siç e kanë zakon disa, por duke inkurajuar njëri-tjetrin, për më tepër ndërsa shihni ditën që po afrohet.» (Hebrenjve 10:24, 25, BR) Meditimi mbi privilegjin dhe dobitë që vijnë nga ndjekja e mbledhjeve të krishtere, do të na ndihmojë që mbledhje të tilla t’i mbështetim me besnikëri dhe me gjithë zemër.
Mbledhje që ndërtojnë
5. (a) Çfarë efekti duhet të ketë i foluri ynë në mbledhje? (b) Pse nuk duhet të vonojmë t’i ftojmë personat e interesuar që të marrin pjesë në mbledhje?
5 Përderisa të krishterët luten që fryma e shenjtë e Perëndisë të jetë aktive nëpër mbledhjet e krishtere, çdo individ pjesëmarrës duhet të bëjë çmos për të vepruar në harmoni me këtë frymë dhe për të ‘mos hidhëruar frymën e shenjtë të Perëndisë’. (Efesianëve 4:30, BR) Kur apostulli Pavël shkroi këto fjalë të frymëzuara, po trajtonte përdorimin e duhur të të folurit. Ajo që themi, duhet përdorur gjithmonë «për ndërtim, sipas nevojës që mund të ekzistojë, që të mund t’u japë dëgjuesve atë që është e favorshme». (Efesianëve 4:29, BR) Kjo është e rëndësishme sidomos në mbledhjet e krishtere. Në letrën e tij drejtuar korintasve, Pavli theksoi nevojën që mbledhjet të ishin ndërtuese, që të mësonin dhe të inkurajonin. (1. Korintasve 14:5, 12, 19, 26, 31) Të gjithë ata që marrin pjesë nxjerrin dobi nga mbledhje të tilla, përfshirë edhe pjesëmarrësit e rinj, që fare mirë mund të nxjerrin përfundimin: «Perëndia është me të vërtetë mes jush.» (1. Korintasve 14:25, BR) Për këtë arsye, nuk duhet të vonojmë t’i ftojmë personat e sapointeresuar që të mblidhen me ne, sepse duke vepruar kështu përshpejtohet progresi i tyre frymor.
6. Cilët janë disa faktorë që ndihmojnë për ta bërë ndërtuese një mbledhje?
6 Të gjithë ata, të cilëve u janë caktuar fjalime, intervista ose demonstrime në një mbledhje të krishterë, duhet të sigurohen se i foluri i tyre është si ndërtues, ashtu edhe në harmoni me Fjalën e shkruar të Perëndisë, Biblën. Përveç shqiptimit të një të foluri të saktë, ne duhet të shprehim ndjenja dhe emocione që janë në harmoni me personalitetin e dashur të Perëndisë dhe të Krishtit. Nëse të gjithë ata që paraqesin pjesët e tyre në një program mbledhjeje, janë të ndërgjegjshëm se po pasqyrojnë ‘frytet e frymës së Perëndisë’, të tilla, si: gëzimi, shpirtmadhësia dhe besimi, atëherë të gjithë ata që janë të pranishëm, do të ndihen me siguri të ndërtuar.—Galatasve 5:22, 23, BR.
7. Si mund t’i kontribuojnë të gjithë pjesëmarrësit një mbledhjeje ndërtuese?
7 Megjithëse ata që kanë pjesë në programin e mbledhjeve të kongregacionit mund të jenë të paktë, të gjithë mund t’i kontribuojnë një mbledhjeje ndërtuese. Shpesh, ekzistojnë mundësitë që auditori t’u përgjigjet pyetjeve. Këto janë raste për ta deklaruar publikisht besimin tonë. (Romakëve 10:9) Ato nuk duhen përdorur kurrë si një mundësi për të reklamuar idetë tona personale, për t’u mburrur për arritjet tona personale ose për të kritikuar një bashkëbesimtar. A nuk do ta hidhëronte kjo frymën e Perëndisë? Mosmarrëveshjet me bashkëbesimtarët trajtohen më së miri privatisht, me një frymë dashurie. Bibla thotë: «Bëhuni dashamirës ndaj njëri-tjetrit, me dhembshuri të butë, duke falur lirisht njëri-tjetrin, ashtu si edhe Perëndia me anë të Krishtit ju fali lirisht.» (Efesianëve 4:32, BR) Ç’mundësi të shkëlqyer na japin mbledhjet e krishtere, për të aplikuar këtë këshillë shumë të mirë! Për këtë qëllim, shumë persona vijnë herët në mbledhje dhe qëndrojnë pasi ajo ka mbaruar. Kjo ndihmon, gjithashtu, të sapointeresuarit, që kanë një nevojë të veçantë për t’u ndjerë të mirëpritur. Pra, të gjithë të krishterët e dedikuar kanë një rol për të luajtur, që t’i bëjnë ndërtuese mbledhjet, duke ‘u interesuar për njëri-tjetrin dhe duke e nxitur njëri-tjetrin në dashuri dhe në vepra të shkëlqyera’.
Përgatitu mirë
8. (a) Çfarë sakrificash të lavdërueshme bëjnë disa për të marrë pjesë në mbledhje? (b) Çfarë shembulli lë Jehovai si bari?
8 Ndërsa për disa mund të jetë relativisht e lehtë të ndjekin mbledhjet e krishtere, për të tjerët kjo kërkon një sakrificë të vazhdueshme. Për shembull, një nënë e krishterë, e cila duhet të punojë në botë që të sigurojë gjërat e domosdoshme për familjen e saj, zakonisht kthehet e lodhur nga puna. Ndoshta, i duhet që atëherë të përgatitë për të ngrënë dhe t’i ndihmojë fëmijët të bëhen gati për në mbledhje. Të krishterëve të tjerë mund t’u duhet të përshkojnë largësi të mëdha për të shkuar në mbledhje ose mund të jenë të kufizuar nga sëmundjet apo mosha e shkuar. Sigurisht, Perëndia Jehova e kupton situatën e çdo pjesëmarrësi besimplotë në mbledhje, ashtu si një bari i dashur kupton nevojën e veçantë të secilës dele në kopenë e tij. «Si një bari,—thotë Bibla,—[Jehovai] do të kullotë kopenë e vet. Me krahun e tij ai do t’i mbledhë së bashku qengjat dhe do t’i mbajë në kraharorin e vet. Ata që kanë të vegjëlit në gji, do t’i drejtojë me kujdes.»—Isaia 40:11, BR.
9, 10. Si mund të nxjerrim dobinë më të madhe nga mbledhjet?
9 Ata, të cilëve u duhet të bëjnë sakrifica të mëdha për të qenë të rregullt në mbledhje, mund të jenë të kufizuar në lidhje me sasinë e kohës që mund të shpenzojnë për përgatitjen e materialit që do të shqyrtohet. Ecja në një hap me programin javor të leximit të Biblës, e bën më shpërblyese pjesëmarrjen në Shkollën e Shërbimit Teokratik. Ngjashëm, përgatitja më parë për mbledhjet e tjera, të tilla si Studimi i Kullës së Rojës dhe Studimi i Librit të Kongregacionit, i bën këto mbledhje më dobiprurëse. Duke e lexuar më parë materialin e studimit dhe duke shqyrtuar të paktën disa prej shkrimeve biblike të paraqitura në të, ata që në familjen e tyre kanë situata të veçanta, të cilat u hanë shumë kohë, do të jenë më gati për të pasur një pjesëmarrje domethënëse në këto biseda të rëndësishme biblike.
10 Të tjerët, rrethanat e të cilëve janë më pak kufizuese, mund të kalojnë më shumë kohë me përgatitjen për mbledhje. Për shembull, ata mund të kërkojnë shkrimet që janë paraqitur, por nuk janë cituar. Kështu, të gjithë mund të jenë të përgatitur për të nxjerrë dobinë më të madhe nga mbledhjet, si dhe të kenë një pjesëmarrje shumë të mirë në ndërtimin e kongregacionit, me anë të fjalimeve dhe të komenteve të tyre. Duke qenë të përgatitur mirë, pleqtë dhe shërbëtorët ndihmës do të lënë një shembull të shkëlqyer në dhënien e përgjigjeve të shkurtra dhe të përmbledhura. Nga respekti për sigurimet e Jehovait, ata që marrin pjesë do të shmangin çdo zakon shpërqendrues gjatë kohës që mbahen mbledhjet.—1. Pjetrit 5:3.
11. Pse për të qenë të përgatitur në mbledhje nevojitet vetëdisiplinim?
11 Aktivitetet dhe zbavitjet që nuk janë jetësore për shëndetin tonë frymor, mund të konsumojnë një pjesë tepër të madhe të kohës sonë. Nëse është kështu, duhet të shqyrtojmë veten dhe «të pushojmë së u bëri të paarsyeshëm» në lidhje me përdorimin e kohës. (Efesianëve 5:17, BR) Synimi ynë duhet të jetë të ‘blejmë kohën’ nga gjërat më pak të rëndësishme, që të kalojmë më shumë kohë me studimin personal të Biblës dhe me përgatitjen për mbledhje, si dhe në shërbimin e Mbretërisë. (Efesianëve 5:16, BR) Duhet pranuar se kjo gjë nuk është gjithmonë e lehtë dhe kërkon vetëdisiplinim. Të rinjtë që i kushtojnë vëmendje kësaj gjëje, janë duke hedhur një themel të shkëlqyer për progres në të ardhmen. Pavli i shkroi shokut të tij më të ri se ai në moshë, Timoteut: «Përsiatu mbi këto gjëra [këshillat e Pavlit dhënë Timoteut], zhytu në to, që përparimi yt të jetë i dukshëm për të gjithë personat.»—1. Timoteut 4:15, BR.
Shembuj nga Fjala e Perëndisë
12. Çfarë shembulli i jashtëzakonshëm u la nga familja e Samuelit?
12 Shqyrto shembullin e shkëlqyer të lënë nga familja e Samuelit, e cila merrte pjesë rregullisht në organizimet për t’u mbledhur me bashkadhuruesit, kur tabernakulli i Perëndisë ndodhej në Shiloh. Bërja e vizitave vjetore në kremtimet e festave u kërkohej vetëm meshkujve. Por babai i Samuelit, Elkana, merrte me vete gjithë familjen e tij, ndërsa «vit pas viti ngjitej nga qyteti i vet, për të rënë përmbys dhe për t’i bërë flijime Jehovait të ushtrive në Shiloh». (1. Samuelit 1:3-5, BR) Vendlindja e Samuelit, Ramathaim-Zofim, ka të ngjarë të ndodhej pranë bregut të Rentisit të ditëve të sotme, në pjesën kodrinore të «rajonit malor të Efraimit». (1. Samuelit 1:1, BR) Pra, udhëtimi për në Shiloh do të ketë përfshirë një rrugë rreth 30 kilometra, një udhëtim rraskapitës në ato kohë. Këtë gjë familja e Elkanës e bënte «vit pas viti, sa herë që ngjitej në shtëpinë e Jehovait».—1. Samuelit 1:7, BR.
13. Çfarë shembulli u la nga hebrenjtë besimplotë gjatë kohës që Jezui ishte në tokë?
13 Edhe Jezui u rrit si pjesë e një familjeje të madhe. Çdo vit, familja e tij bënte 100 kilometra nga Nazareti për në jug, që të merrte pjesë në festën e Pashkëve në Jerusalem. Dy janë rrugët e mundshme që ndoshta kanë ndjekur ata. Rruga më e drejtpërdrejtë përfshinte një zbritje për në Luginën e Megidos e më pas një ngjitje prej 600 metrash përmes territorit samaritan dhe vazhdonte për në Jerusalem. Rruga tjetër e rrahur ishte ajo që bëri Jezui gjatë udhëtimit të tij të fundit për në Jerusalem, në vitin 33 të e.s. Kjo përfshinte zbritjen më këmbë të Luginës së Jordanit deri nën nivelin e detit, derisa arriti «kufijtë e Judesë . . . përmes Jordanit». (Marku 10:1, BR) Nga kjo pikë, «rruga që ngjitej për në Jerusalem», është një largësi prej 30 kilometrash, e cila përfshin një ngjitje prej më shumë se 1.100 metrash. (Marku 10:32, BR) Rregullisht, turma kremtuesish besimplotë të festës e bënin këtë udhëtim të mundimshëm nga Galileja për në Jerusalem. (Luka 2:44) Çfarë shembulli i shkëlqyer për shërbëtorët e Perëndisë në vendet e pasura sot, shumë prej të cilëve mund të marrin pjesë në mbledhjet e krishtere relativisht me lehtësi, në saje të mënyrave moderne të transportit!
14, 15. (a) Çfarë shembulli la Ana? (b) Çfarë mund të mësojmë nga qëndrimi i shkëlqyer i shfaqur nga disa pjesëmarrës të rinj në mbledhje?
14 Një shembull tjetër është ai i vejushës 84-vjeçare, Ana. Bibla thotë se ajo «nuk mungonte kurrë në tempull». (Luka 2:37, BR) Për më tepër, Ana tregoi një interesim të dashur për të tjerët. Çfarë bëri ajo, kur pa Jezuin foshnjë dhe mori vesh se qe Mesia i premtuar? Ajo falënderoi Perëndinë dhe filloi «t’u fliste për fëmijën të gjithë atyre që pritnin çlirimin e Jerusalemit». (Luka 2:38, BR) Ç’qëndrim i shkëlqyer, një model për të krishterët sot!
15 Po, ndjekja dhe pjesëmarrja në mbledhjet tona duhet të jetë një kënaqësi e tillë saqë, ashtu si Ana, nuk dëshirojmë të mungojmë kurrë. Shumë persona të rinj në të vërtetën nuk mund të mos ndihen në këtë mënyrë. Duke qenë se kanë dalë nga terri dhe kanë hyrë në dritën e mrekullueshme të Perëndisë, ata dëshirojnë të mësojnë gjithçka munden dhe shumë shprehin një entuziazëm të madh për mbledhjet e krishtere. Nga ana tjetër, ata që kanë më shumë kohë në të vërtetën, duhet të ruhen nga ‘lënia e dashurisë që kishin në fillim’. (Zbulesa 2:4, BR) Probleme serioze shëndeti ose faktorë të tjerë jashtë kontrollit të një personi, mund ta kufizojnë ndonjëherë pjesëmarrjen në mbledhje. Por ne nuk duhet të lejojmë kurrë që materializmi, çlodhja ose mungesa e interesit të na bëjnë të jemi pjesëmarrës të papërgatitur, pasivë ose të parregullt në mbledhje.—Luka 8:14.
Shembulli më i shkëlqyer
16, 17. (a) Cili qe qëndrimi i Jezuit kundrejt mbledhjeve frymore? (b) Cilin zakon të mirë duhet të përpiqen të ndjekin të gjithë të krishterët?
16 Jezui la një shembull të shkëlqyer në shfaqjen e çmueshmërisë për mbledhjet e krishtere. Në moshën e re 12-vjeçare, ai demonstroi dashurinë e tij për shtëpinë e Perëndisë në Jerusalem. Prindërit e tij nuk po arrinin ta përcaktonin se ku ndodhej, por më në fund e gjetën duke folur mbi Fjalën e Perëndisë me mësuesit në tempull. Në përgjigje të merakut të prindërve, Jezui u përgjigj me respekt: «A nuk e dini se unë duhet të jem në shtëpinë e Atit tim?» (Luka 2:49, BR) Në mënyrë të nënshtruar, djaloshi Jezu u kthye me prindërit e tij në Nazaret. Atje, ai vazhdoi të tregonte dashurinë e tij për mbledhjet e adhurimit, duke marrë pjesë rregullisht në sinagogë. Kështu, kur filloi shërbimin e tij, Bibla thotë: «Ai erdhi në Nazaret, ku ishte rritur dhe sipas zakonit të tij ditën e sabatit, hyri në sinagogë dhe u ngrit të lexonte.» Pasi Jezui lexoi dhe shpjegoi Isainë 61:1, 2, auditori filloi ‘të mrekullohej nga fjalët tërheqëse që dilnin nga goja e tij’.—Luka 4:16, 22, BR.
17 Sot, mbledhjet e krishtere ndjekin të njëjtin model bazë. Pasi mbledhja hapet me një këngë lavdie dhe me një lutje, lexohen dhe shpjegohen vargje nga Bibla (ose vargje të cituara në materialin për studimin e Biblës). Të krishterët e vërtetë janë nën detyrimin për të imituar zakonin e mirë të Jezu Krishtit. Për aq sa ua lejojnë rrethanat, ata gjejnë kënaqësi në të qenët të rregullt në lidhje me ndjekjen e mbledhjeve të krishtere.
Shembuj të ditëve të sotme
18, 19. Çfarë shembujsh të shkëlqyer kanë lënë vëllezërit në vendet më pak të pasura, në lidhje me mbledhjet, asambletë dhe kongreset?
18 Në vendet më pak të pasura të botës, shumë prej vëllezërve tanë dhe motrave tona lënë një shembull të shkëlqyer çmueshmërie për mbledhjet e krishtere. Në Mozambik, Orlandos, një mbikëqyrës krahinor, dhe gruas së tij, Amelia, iu desh të ecnin 45 orë për të bërë 90 kilometra në një mal të lartë, për të mbikëqyrur një asamble. Më pas iu desh të bënin të njëjtën rrugë, për të mbikëqyrur asamblenë vijuese. Me modesti, Orlando thotë: «Kur u takuam me vëllezërit nga kongregacioni Baua, ndjemë se s’kishim bërë asgjë. Për të marrë pjesë në asamble dhe për t’u kthyer në shtëpi atyre u duhej një udhëtim gjashtëditor prej rreth 400 kilometrash në këmbë dhe mes tyre ndodhej një vëlla 60-vjeçar.»
19 Ç’të themi në lidhje me çmueshmërinë për mbledhjet javore të kongregacionit? Kashuashua Njamba është një motër me shëndet të dobët në të 70-at. Ajo jeton në Kaisososi, një fshat i vogël rreth pesë kilometra larg Sallës së Mbretërisë në Rundu të Namibisë. Për të marrë pjesë nëpër mbledhje, ajo bën një rrugë vajtje-ardhje prej 10 kilometrash, përmes një pyllnaje. Përgjatë kësaj rruge kanë plaçkitur shumë veta, por Kashuashua vazhdon të vijë rregullisht në mbledhje. Shumica e mbledhjeve drejtohen në gjuhë që ajo nuk i kupton. Pra, si nxjerr dobi ajo nga pjesëmarrja? «Duke ndjekur shkrimet,—thotë Kashuashua,—përpiqem të nxjerr se për çfarë bëhet fjalë.» Por ajo është analfabete; si, pra, i ndjek shkrimet? «Dëgjoj, për të kapur ato shkrime që i di përmendësh»—përgjigjet. Gjatë viteve, ajo ka akumuluar një numër të madh shkrimesh në kujtesë. Për të përmirësuar aftësinë e saj në përdorimin e Biblës, ajo ndjek një kurs për shkrim e këndim, të organizuar nga kongregacioni. «Më pëlqen shumë të marr pjesë në mbledhje,—thotë ajo.—Në to ka gjithmonë gjëra të reja për të mësuar. Më pëlqen shumë të jem në shoqëri me vëllezërit dhe motrat. Megjithëse nuk mund t’u flas të gjithëve, ata vijnë gjithmonë dhe më përshëndetin. Dhe ç’është më e rëndësishmja, e di se duke ndjekur mbledhjet bëj që të gëzojë zemra e Jehovait.»
20. Pse nuk duhet t’i braktisim mbledhjet tona të krishtere?
20 Ashtu si Kashuashua, me miliona adhurues të Jehovait në mbarë tokën, tregojnë çmueshmëri të lavdërueshme për mbledhjet e krishtere. Ndërsa bota e Satanait shkon përpara drejt shkatërrimit të saj, ne nuk mund të rrezikojmë braktisjen e të mbledhurit tonë së bashku. Përkundrazi, le të qëndrojmë zgjuar frymësisht dhe të tregojmë çmueshmëri të thellë për mbledhjet, asambletë dhe kongreset. Kjo jo vetëm që do të bëjë të gëzojë zemra e Jehovait, por do të na sjellë dobi në mënyrë të pasur, ndërsa marrim mësimin hyjnor, që çon në jetë të përhershme.—Proverbat [Fjalët e urta] 27:11; Isaia 48:17, 18; Marku 13:35-37.
Pyetje për rishikim
◻ Pse është një privilegj të marrësh pjesë në mbledhjet e krishtere?
◻ Si mund t’i kontribuojnë të gjithë pjesëmarrësit një mbledhjeje ndërtuese?
◻ Çfarë shembulli të shkëlqyer la Jezui?
◻ Çfarë mësimi mund të nxirret nga vëllezërit në vendet më pak të pasura?
[Kutia në faqen 17]
Çmojnë mbledhjet javore
Me miliona njerëz jetojnë në qytete të pllakosura nga varfëria dhe krimi. Megjithë rrethanat e tilla, të krishterët e vërtetë mes tyre tregojnë çmueshmëri të lavdërueshme për mbledhjet e krishtere. Një plak që shërben në një prej kongregacioneve Soveto të Gautengut në Afrikën Jugore, tregon: «Në një kongregacion me 60 Dëshmitarë dhe lajmëtarë të papagëzuar, të pranishëm në mbledhjet tona janë 70 deri në 80 veta e herë-herë edhe më shumë. Megjithëse vëllezërit dhe motrat nuk udhëtojnë shumë për të marrë pjesë në to, kjo pjesë e Sovetos karakterizohet nga dhuna. Ndërsa vinte në mbledhje, një vëlla e goditën me thikë pas shpine. Të paktën dy motra i grabitën, kur u përpoqën t’i rrëmbenin. Por kjo gjë nuk i ndalon të vijnë. Ditëve të diela, pasi e mbyllim mbledhjen me një lutje, ne bëjmë 15 minuta prova për të kënduar këngët e Mbretërisë. Të paktën 95 për qind qëndrojnë rregullisht dhe këndojnë të gjitha këngët që do të përdoren në mbledhjet e javës tjetër. Kjo gjë i ndihmon personat e sapointeresuar të mësojnë këngët dhe t’i këndojnë bashkë me ne.»
Ata që banojnë në fshatra kanë pengesa të tjera, të tilla si largësitë e mëdha që duhet të përshkojnë për të marrë pjesë në mbledhje tri herë në javë. Një çift i interesuar jeton pesëmbëdhjetë kilometra larg Sallës së Mbretërisë në Lobatse, Botsuana. Gjatë vitit të kaluar, kanë marrë pjesë në mbledhje rregullisht, bashkë me dy fëmijët e tyre. Burri rregullon këpucë, për të mbajtur familjen. Gruaja shet artikuj të vegjël, për të shtuar të ardhurat e familjes, kështu që mund ta paguajnë transportin për të shkuar dhe për t’u kthyer nga mbledhja.
Në një mbrëmje vere të kohëve të fundit, pas një mbledhjeje me mbikëqyrësin qarkor, kjo familje mbeti mes katër rrugëve në një stacion autobusi në orën 9.00 të darkës. Autobusët kishin lënë herët punën për shkak të motit të keq. Një polic ndali furgonin e tij dhe i pyeti se ç’po bënin. Pasi dëgjoi se ç’hall kishin, i erdhi keq dhe i çoi me makinë në shtëpinë e tyre, 15 kilometra larg. Gruaja, e cila është një lajmëtare e papagëzuar, i tha të shoqit: «E shikon, nëse vëmë në radhë të parë mbledhjet, Jehovai merr gjithmonë masa.» Tani, i shoqi ka shprehur dëshirën që edhe ai të bëhet një predikues i lajmit të mirë.
[Figura në faqen 18]
Dëshmitarë si këta në Rumani, lënë një shembull të shkëlqyer çmueshmërie për mbledhjet e krishtere