Kur lindin mosmarrëveshje në martesë
ASNJË burrë ose grua me mend nuk dëshiron të ketë grindje në martesë, por ja që kjo ndodh rëndom. Gjithçka fillon kur njëri bashkëshort thotë ndonjë gjë që e acaron tjetrin. Ngrihet zëri, nxehen gjakrat dhe shpërthen një grindje me komente therëse. Pastaj vjen një heshtje e akullt dhe dy bashkëshortët me kokëfortësi refuzojnë t’i flasin njëri-tjetrit. Pas njëfarë kohe, u bie inati dhe kërkojnë falje. Rivendoset paqja—të paktën deri në mosmarrëveshjen tjetër.
Mosmarrëveshjet në martesë janë në qendër të sa e sa barcaletave dhe diskutimeve në programe televizive, por realiteti s’është aspak për të qeshur. Madje, një proverb biblik thotë: «Kush flet pa peshuar, ther me shpatë.» (Fjalët e urta 12:18, DSF) Po, të folurit me ashpërsi mund të lërë vraga emocionale, që mbeten edhe shumë kohë pasi ka përfunduar grindja. Madje grindja mund të përfundojë edhe me dhunë.—Eksodi 21:18.
Natyrisht, për shkak të papërsosmërisë njerëzore, nganjëherë problemet në martesë janë të pashmangshme. (Zanafilla 3:16; 1 Korintasve 7:28) Megjithatë, nëse ndodhin shpesh debate të zjarrta, kjo nuk duhet marrë si diçka normale. Specialistët kanë parë se grindjet e shpeshta mes bashkëshortëve e shtojnë mundësinë që çifti si përfundim të divorcohet. Prandaj, është e domosdoshme që ti dhe bashkëshorti të mësoni t’i zgjidhni në mënyrë paqësore mosmarrëveshjet.a
Analizo situatën
Po të jetë që në martesën tënde ka shpesh debate, përpiqu të kuptosh nëse këto debate përsëriten po njësoj. Çfarë ndodh në përgjithësi, kur ti dhe bashkëshorti nuk jeni dakord për diçka? A del shpejt jashtë kontrollit biseda, e pastaj keqësohet duke u kthyer në një lumë sharjesh dhe akuzash? Nëse ndodh kështu, ç’mund të bësh?
Së pari, analizo me ndershmëri gjendjen për të parë se si po ndikon ndoshta ti vetë, që të krijohet ky problem. A acarohesh me lehtësi? A ke prirje për t’u grindur? Ç’do të thoshte bashkëshorti për ty në lidhje me këtë? Pyetja e fundit është e rëndësishme, sepse ti dhe bashkëshorti mund ta konceptoni krejt ndryshe se ç’do të thotë të jesh grindavec.
Për shembull, ta zëmë se bashkëshorti yt nga natyra është disi i rezervuar, kurse ti i thua gjërat troç dhe shprehesh me shumë zjarr. Ndoshta thua: «Që kur isha fëmijë, të gjithë në familjen time kështu flitnin. Kjo nuk do të thotë të grindesh.» E mbase për ty nuk është ashtu. Por, ka mundësi që, ajo që ty të duket si një bisedë e shpenguar dhe e hapur, bashkëshortit tënd i duket një debat i ashpër që lëndon. Keqkuptimet mund të shmangen edhe thjesht duke mbajtur parasysh se ti dhe bashkëshorti keni mënyra të ndryshme komunikimi.
Ki parasysh edhe se jo gjithnjë grindjet përfshijnë të bërtitura. Pavli u shkroi të krishterëve: «Le të hiqet prej jush çdo . . . e bërtitur dhe sharje.» (Efesianëve 4:31) ‘E bërtitura’ nënkupton të ngresh zërin, kurse ‘sharjet’ kanë të bëjnë me përmbajtjen e fjalëve që thua. Po të shihet me këtë sy, fjalët mund të ndezin grindje edhe sikur vetëm t’i pëshpëritësh, nëse janë acaruese ose përçmuese.
Duke mbajtur në mend sa u tha më sipër, shqyrto edhe një herë si vepron kur ke mosmarrëveshje me bashkëshortin. A ke prirje për t’u grindur? Siç e kemi parë, përgjigjja e vërtetë e kësaj pyetjeje varet shumë nga pikëpamja që ka bashkëshorti yt. Në vend që të thuash se bashkëshorti është tepër i ndjeshëm, prandaj ka atë pikëpamje, përpiqu ta shohësh veten siç të sheh ai, dhe bëj ndryshime aty ku duhet. Pavli shkroi: «Secili le të vazhdojë të kërkojë jo përfitimin e vet, por atë të tjetrit.»—1 Korintasve 10:24.
‘Kushtoji vëmendje mënyrës si dëgjon’
Një aspekt tjetër se si të trajtohen mosmarrëveshjet, gjendet në fjalët e Jezuit: «Kushtojini vëmendje mënyrës se si dëgjoni.» (Luka 8:18) Qartë, Jezui nuk po fliste për komunikimin brenda martesës. Megjithatë, parimi zbatohet njësoj. Me sa vëmendje e dëgjon bashkëshortin? Para së gjithash, a e dëgjon? Apo e ndërpret duke dhënë zgjidhje shabllon për probleme që as i ke kuptuar plotësisht? Bibla thotë: «Kush jep përgjigje për një çështje para se ta ketë dëgjuar, tregon marrëzinë e tij për turp të vet.» (Fjalët e urta 18:13) Prandaj, kur lind një mosmarrëveshje, ti dhe bashkëshorti duhet ta shkoqitni mirë çështjen dhe ta dëgjoni vërtet njëri-tjetrin.
Në vend që të nënvlerësosh pikëpamjen e bashkëshortit, përpiqu të tregosh «ndjenja të përbashkëta». (1 Pjetrit 3:8) Kjo shprehje, në greqishten e lashtë, në thelb, do të thotë të vuash bashkë me tjetrin. Nëse bashkëshortin e shqetëson diçka, edhe ti duhet të provosh të njëjtën ndjenjë. Përpiqu ta shohësh çështjen nga këndvështrimi i tij ose i saj.
Me sa duket, Isaku, një burrë me frikë Perëndie, veproi kështu. Bibla na thotë se gruaja e tij, Rebeka, ishte shumë e shqetësuar për një çështje familjare, që kishte të bënte me djalin e tyre, Jakobin. «Jam neveritur nga jeta për shkak të bijave të Hethit,—i tha ajo Isakut. —Në rast se Jakobi merr për grua një nga bijat e Hethit, një grua si ato të vendit, ç’më duhet jeta?»—Zanafilla 27:46.
Kuptohet, ndoshta Rebeka po i zmadhonte ca gjërat, për shkak të ankthit që ndiente. Në fund të fundit, a i ishte neveritur vërtet jeta? Vallë vërtet do të donte më mirë të vdiste, sikur i biri të martohej me ndonjë nga bijat e Hethit? Ka shumë mundësi që jo. Megjithatë, Isaku nuk i nënvlerësoi ndjenjat e Rebekës. Jo, ai kuptoi që meraku i saj ishte me vend, dhe veproi duke mbajtur parasysh këtë. (Zanafilla 28:1) Bëj edhe ti kështu, herën tjetër që bashkëshorti do të jetë në ankth për ndonjë gjë. Në vend që ta kalosh si diçka të parëndësishme, dëgjoje bashkëshortin, respekto pikëpamjen e tij a të saj dhe përgjigjju me dhembshuri.
Dëgjimi dhe gjykimi i thellë
Një proverb biblik thotë: «Mençuria [gjykimi i thellë, BR] e bën njeriun të mos rrëmbehet shpejt nga zemërimi.» (Fjalët e urta 19:11) Kur jemi të nxehur dhe në kulmin e një debati, është shumë e lehtë të reagojmë rrëmbyeshëm ndaj çdo fjale therëse që thotë bashkëshorti. Por zakonisht kjo vetëm sa i fryn më shumë zjarrit. Prandaj, kur e dëgjon bashkëshortin, ngulmo që të mos dëgjosh vetëm fjalët që thotë, por të kuptosh edhe ndjenjat që e shtyjnë të thotë ato fjalë. Kjo do të të ndihmojë të mos përqendrohesh te gjërat që të acarojnë ty, por të dallosh cila është rrënja e problemit.
Për shembull, ta zëmë se gruaja të thotë: «Ti nuk rri kurrë me mua!» Ndoshta prirja jote është që të acarohesh dhe ta mohosh këtë akuzë, duke i përmendur fakte konkrete. Mbase i përgjigjesh: «Muajin e kaluar, ndenja një ditë të tërë me ty!» Por, në qoftë se e dëgjon me vëmendje, do të kuptosh se, në fakt, gruaja nuk po të kërkon që të kalosh me të disa minuta a disa orë më tepër. Mbase ajo po kërkon që t’i japësh siguri, po të thotë se ndihet e lënë pas dore dhe që ti s’e do.
Ta zëmë se je grua dhe burri të shpreh shqetësimin e tij për diçka që ke blerë kohët e fundit. «Po si i harxhove tërë ato para, xhanëm?!»—të pyet me mosbesim. Vetvetiu të vjen ta mbrosh veten duke i përmendur fakte për gjendjen financiare të familjes ose duke e krahasuar këtë gjë që ke blerë, me shpenzimet që bën ai vetë. Megjithatë, gjykimi do të të ndihmojë të kuptosh se burri nuk po të flet për lekët e për qindarkat. Jo, ai mund të jetë i shqetësuar sepse, kur bëhej fjalë për një blerje të madhe, ti nuk e përfille në vendimin që more.
Sigurisht, çdo çift mund të ketë një mënyrë të vetën për të përcaktuar se sa kohë kalojnë me njëri-tjetrin ose si i marrin vendimet për të blerë gjëra. Pika është që, kur lind ndonjë mosmarrëveshje, gjykimi do të të bëjë të mos zemërohesh shpejt, por të dallosh ku qëndron vërtet problemi. Në vend që të reagosh me rrëmbim, ndiq këshillën e Jakovit, shkrimtarit të Biblës, duke qenë «i shpejtë për të dëgjuar, i ngadalshëm për të folur, i ngadalshëm për t’u zemëruar».—Jakovi 1:19.
Kur flet, mos harro që është e rëndësishme mënyra se si i flet bashkëshortit. Bibla thotë se «gjuha e të urtëve sjell shërim». (Fjalët e urta 12:18) Kur ti dhe bashkëshorti keni një mosmarrëveshje, fjalët e tua lëndojnë apo shërojnë? A ngrenë mure për t’ju ndarë apo shtrojnë rrugën për t’u pajtuar? Siç e pamë më lart, përgjigjet tërë zemërim ose me rrëmbim, nuk shkaktojnë gjë tjetër veçse grindje.—Fjalët e urta 29:22.
Në qoftë se një mosmarrëveshje keqësohet derisa kthehet në një luftë me fjalë, bëj më shumë përpjekje për t’iu përmbajtur çështjes kryesore që po diskutonit. Përqendrohu te shkaku, jo te individi. Interesohu më shumë se çfarë është e drejtë, jo se kush ka të drejtë. Bëj kujdes që fjalët e tua të mos u fryjnë flakëve të debatit. Bibla thotë: «Fjala therëse e nxit zemërimin.» (Fjalët e urta 15:1) Po, ajo që thua dhe mënyra se si e thua, mund të jenë vendimtare për të pasur ose jo bashkëpunimin e bashkëshortit.
Syno të zgjidhësh mosmarrëveshjen, jo të dalësh fitimtar
Kur kemi ndonjë mosmarrëveshje, synimi është të gjejmë një zgjidhje, jo të korrim një fitore. Si ta gjeni një zgjidhje? Mënyra më e sigurt është të kërkoni dhe të zbatoni këshillat e Biblës. Sidomos burrat duhet të marrin iniciativën për të vepruar kështu. Në vend që të shprehësh menjëherë mendime të prera për çështjet ose problemet që po diskutoni, pse të mos i shikosh nga pikëpamja e Jehovait? Lutju atij dhe kërko paqen e Perëndisë, që do të ruajë zemrat tuaja dhe fuqitë tuaja mendore. (Efesianëve 6:18; Filipianëve 4:6, 7) Bëj përpjekje të zellshme për të mos parë vetëm interesin tënd, por edhe të tjetrit.—Filipianëve 2:4.
Ajo që shpesh e rëndon një situatë tashmë të keqësuar, është t’i lësh ndjenjat e lënduara dhe emocionet e pakontrolluara të drejtojnë mendimet dhe veprimet e tua. Nga ana tjetër, kur një njeri është i gatshëm të ndreqet me anë të këshillave të Fjalës së Perëndisë, kjo sjell paqe, harmoni dhe bekimin e Jehovait. (2 Korintasve 13:11) Prandaj, udhëhiqu prej ‘mençurisë nga lart’, shfaq cilësitë që i pëlqejnë Perëndisë dhe nxirr dobi duke qenë një prej ‘atyre që bëjnë paqe’.—Jakovi 3:17, 18.
Në fakt, të gjithë duhet të mësojnë t’i zgjidhin në mënyrë paqësore mosmarrëveshjet, edhe sikur kjo të nënkuptojë që të sakrifikojnë preferencat e tyre. (1 Korintasve 6:7) Po, duhet të zbatojmë këshillën e Pavlit që të flakim tej ‘furinë, zemërimin, të keqen, sharjen dhe të folurin e ndyrë, të zhveshim personalitetin e vjetër me praktikat e tij dhe të veshim personalitetin e ri’.—Kolosianëve 3:8-10.
Natyrisht, do të ketë raste kur do të thuash gjëra për të cilat pastaj do të pendohesh. (Jakovi 3:8) Kur të ndodhë kështu, kërkoji falje bashkëshortit. Vazhdo të bësh përpjekje dhe me kalimin e kohës, ti dhe bashkëshorti do të shikoni shumë përmirësime në mënyrën se si i zgjidhni mosmarrëveshjet.
[Shënimi]
a Këshillat në këtë artikull janë si për burrat, edhe për gratë.
[Kutia dhe figura në faqen 22]
Tre hapa për të shuar një grindje
• Dëgjoje bashkëshortin.—Fjalët e urta 10:19
• Respekto pikëpamjen e tij a të saj.—Filipianëve 2:4
• Përgjigjju me dashuri.—1 Korintasve 13:4-7
[Kutia dhe figura në faqen 23]
Ç’mund të bësh tani?
Bëji bashkëshortit pyetjet e mëposhtme dhe dëgjoji përgjigjet pa e ndërprerë. Më pas, bashkëshorti mund të t’i bëjë ty këto pyetje.
• A kam prirje për t’u grindur?
• A të dëgjoj me të vërtetë kur shprehesh apo përgjigjem rrëmbyeshëm, para se të kesh mbaruar së foluri?
• A të duken fjalët e mia sikur i them pa takt dhe me ton të acaruar?
• Ç’mund të bëjmë që të dy për të përmirësuar komunikimin, sidomos kur nuk jemi dakord për diçka?
[Figura në faqen 21]
A dëgjon kur tjetri flet?
[Figura në faqen 22]
«E ndiej veten të lënë pas dore dhe sikur ai s’më do»
[Figura në faqen 22]
«Ti nuk rri kurrë me mua!»
[Figura në faqen 22]
«Muajin e kaluar, ndenja një ditë të tërë me ty!»