Një libër prej Perëndisë
«Profecia nuk u soll asnjëherë nga vullneti i njeriut, por njerëzit folën prej Perëndisë, ndërsa ishin të shtyrë nga fryma e shenjtë.»—2. PJETRIT 1:21, BR.
1, 2. (a) Pse disa pyesin nëse Bibla ka të bëjë me jetën moderne? (b) Cilat janë tri linjat e provave që mund të përdorim, për të treguar se Bibla është prej Perëndisë?
A KA të bëjë Bibla me njerëzit që jetojnë në prag të shekullit të 21-të? Disa mendojnë se jo. «Askush nuk do ta mbështeste përdorimin e një libri mësimor kimie të botuar më 1924, në një klasë moderne kimie; që atëherë janë mësuar tepër gjëra në lidhje me kiminë»,—shkroi dr. Eli S. Çezën, duke shpjeguar se përse mendonte që Bibla është e dalë mode. Në pamje të parë, ky argumentim duket se ka kuptim. Në fund të fundit, që prej kohëve biblike njeriu ka mësuar shumë në lidhje me shkencën, shëndetin mendor dhe sjelljen njerëzore. Prandaj, disa mund të pyesin veten: ‘Si mundet që një libër i tillë i lashtë të mos ketë pasaktësi shkencore? Si mund të përmbajë ai këshilla që janë praktike për jetën moderne?’
2 Vetë Bibla jep përgjigjen. Në 2. Pjetrit 1:21, na thuhet se profetët e Biblës «folën prej Perëndisë, ndërsa ishin të shtyrë nga fryma e shenjtë». Në këtë mënyrë, Bibla tregon se është një libër prej Perëndisë. Por, si mund t’i bindim të tjerët se është kështu? Le të marrim në shqyrtim tri prova, që tregojnë se Bibla është Fjala e Perëndisë: (1) Është e saktë shkencërisht; (2) përmban parime që nuk njohin kohë, të cilat janë praktike për jetën moderne dhe (3) përmban profeci specifike që janë përmbushur, siç është provuar nga faktet historike.
Një libër që pajtohet me shkencën
3. Pse Bibla nuk është kërcënuar nga zbulimet shkencore?
3 Bibla nuk është një libër mësimor i shkencës. Megjithatë, ajo është një libër i së vërtetës dhe e vërteta mund t’i qëndrojë provës së kohës. (Gjoni 17:17) Bibla nuk është kërcënuar nga zbulimet shkencore. Kur ajo prek çështje që kanë lidhje me shkencën, është krejtësisht e lirë nga teoritë e lashta «shkencore», që dolën se ishin thjesht mite. Në fakt, ajo përmban pohime që jo vetëm janë shkencërisht korrekte, por edhe kategorikisht në kundërshtim me opinionet e pranuara në atë kohë. Shqyrto, për shembull, pajtimin mes Biblës dhe shkencës së mjekësisë.
4, 5. (a) Çfarë nuk kuptonin mjekët e lashtë në lidhje me sëmundjet? (b) Pse Moisiu i njihte pa dyshim shumë mirë praktikat mjekësore të mjekëve egjiptianë?
4 Mjekët e lashtësisë nuk e kuptonin plotësisht se si përhapeshin sëmundjet dhe as nuk arrinin ta kuptonin rëndësinë e higjienës në parandalimin e sëmundjeve. Shumë praktika të lashta mjekësore do të dukeshin barbare në krahasim me standardet moderne. Një prej teksteve më të vjetra mjekësore në dispozicion është Papirusi i Eberit, një përmbledhje e njohurisë mjekësore egjiptiane, që daton përafërsisht në vitin 1550 p.e.s. Ai përmban 700 ilaçe për sëmundje të ndryshme, «që radhiten nga kafshimi i krokodilit deri te dhimbjet e thonjve të gishtave të këmbës». Shumica e ilaçeve ishin thjesht të paefektshme, por disa prej tyre ishin jashtëzakonisht të rrezikshme. Për mjekimin e një plage, një prej recetave rekomandonte përdorimin e një përzierjeje të jashtëqitjes së njeriut me substanca të tjera.
5 Ky tekst i ilaçeve mjekësore egjiptiane ishte shkruar rreth së njëjtës kohë me librat e parë të Biblës, të cilët përfshinin Ligjin e Moisiut. Moisiu, i cili lindi në vitin 1593 p.e.s., u rrit në Egjipt. (Dalja [Eksodi] 2:1-10) I rritur në shtëpinë e Faraonit, Moisiu ishte «mësuar në gjithë mençurinë e egjiptianëve». (Veprat 7:22, BR) Ai i njihte shumë mirë «mjekët» e Egjiptit. (Zanafilla 50:1-3) A ndikuan praktikat e paefektshme ose të rrezikshme mjekësore të tyre, në ato që shkroi ai?
6. Cili rregull sanitar në Ligjin e Moisiut do të konsiderohej i arsyeshëm nga shkenca mjekësore moderne?
6 Përkundrazi, Ligji i Moisiut përfshinte rregulla sanitare, që nga shkenca moderne mjekësore do të konsideroheshin të arsyeshme. Për shembull, një ligj në lidhje me fushimet ushtarake kërkonte që jashtëqitjet të groposeshin jashtë kampit. (Ligji i përtërirë 23:13) Kjo ishte një masë parandaluese tejet e përparuar. Ajo ndihmonte për t’i mbajtur të pandotura burimet e ujit, si edhe siguronte mbrojtje prej shigelozës së bartur nga mizat dhe prej sëmundjeve të tjera diarreike, që ende marrin miliona jetë çdo vit, kryesisht në vendet në zhvillim.
7. Cilat rregulla sanitare në Ligjin e Moisiut ndihmuan në parandalimin e përhapjes së sëmundjeve infektive?
7 Ligji i Moisiut përmbante rregulla të tjera sanitare, që ndihmonin në parandalimin e përhapjes së sëmundjeve infektive. Një person që kishte ose dyshohej se kishte një sëmundje ngjitëse, vihej në karantinë. (Levitiku 13:1-5) Veshjet ose vazot, të cilat binin në kontakt me një kafshë që kishte ngordhur vetë (ndoshta nga ndonjë sëmundje), duhej që përpara se të përdoreshin sërish, të laheshin ose të shkatërroheshin. (Levitiku 11:27, 28, 32, 33) Çdo person që prekte një kufomë konsiderohej i papastër dhe duhej t’i nënshtrohej një procedure pastrimi, e cila përfshinte larjen e tij dhe të rrobave të tij. Gjatë periudhës shtatëditore të papastërtisë, ai duhej të shmangte kontaktin fizik me të tjerët.—Numrat 19:1-13.
8, 9. Pse mund të thuhet se kodi sanitar në Ligjin e Moisiut ishte shumë i përparuar për kohën e tij?
8 Ky kod sanitar zbulon një mençuri që ishte shumë e përparuar për atë kohë. Shkenca e mjekësisë moderne ka mësuar shumë në lidhje me përhapjen dhe parandalimin e sëmundjeve. Për shembull, përparimet në mjekësi në shekullin e 19-të çuan në futjen e antiseptikëve: pastërti për të ulur infeksionet. Rezultati ishte një ulje domethënëse në infeksionet dhe në vdekjet e parakohshme. Në vitin 1900, jetëgjatësia në shumë vende të Evropës dhe në Shtetet e Bashkuara ishte më pak se 50 vjeç. Që prej asaj kohe, ajo është rritur në mënyrë dramatike jo vetëm falë përparimit mjekësor në kontrollimin e sëmundjeve, por edhe për shkak të kushteve më të mira sanitare dhe të jetesës.
9 Por megjithatë, mijëra vjet përpara se shkenca mjekësore të mësonte se si përhapeshin sëmundjet, Bibla jepte masa të arsyeshme parandaluese si një mbrojtje kundër sëmundjeve. S’është për t’u habitur që Moisiu mundi të thoshte se në ditët e tij, izraelitët jetonin në përgjithësi 70 apo 80 vjet. (Psalmi 90:10) Si mund të ketë pasur dijeni Moisiu për rregulla të tilla sanitare? Vetë Bibla shpjegon: Kodi i Ligjit «u transmetua nëpërmjet engjëjve». (Galatasve 3:19, BR) Po, Bibla nuk është një libër i mençurisë njerëzore; ajo është një libër prej Perëndisë.
Një libër praktik për jetën moderne
10. Megjithëse Bibla është përfunduar pothuajse 2.000 vjet më parë, ç’gjë është e vërtetë në lidhje me këshillat e saj?
10 Librat që ofrojnë këshilla kanë prirjen të dalin jashtë mode dhe shpejt rishikohen ose zëvendësohen. Por Bibla është vërtet unike. «Përkujtuesit e tu kanë dalë shumë të denjë për besim»,—thotë Psalmi 93:5. (BR) Megjithëse Bibla u përfundua pothuajse 2.000 vjet më parë, fjalët e saj janë ende të aplikueshme. Gjithashtu, ato aplikohen me efekt të njëjtë, pavarësisht nga ngjyra e lëkurës sonë apo nga vendi ku jetojmë. Shqyrto disa shembuj të këshillave biblike që s’njohin kohë, ‘shumë të denja për besim’.
11. Çfarë i kishin bërë të mendonin disa dekada më parë prindërit, në lidhje me disiplinimin e fëmijëve?
11 Disa dekada më parë, të nxitur nga «ide novatore» mbi rritjen e fëmijëve, shumë prindër mendonin se ishte «e ndaluar të ndaloje». Ata druheshin se mos vendosja e kufizimeve për fëmijët, do të shkaktonte trauma dhe zhgënjime. Të nisur nga qëllime të mira, këshilltarët këmbëngulnin që prindërit të përmbaheshin nga çdo gjë më tepër sesa korrigjimi më i butë i fëmijëve të tyre. Tani, shumë ekspertë të tillë po i «nxitin prindërit të jenë pak më strikt, të marrin përsëri kontrollin», thotë The New York Times.
12. Çfarë do të thotë emri grek i përkthyer «disiplinë» dhe pse kanë nevojë për një disiplinë të tillë fëmijët?
12 Por, gjatë gjithë kohës, Bibla ka ofruar këshilla specifike dhe të drejtpeshuara në lidhje me stërvitjen e fëmijëve. Ajo këshillon: «Etër, mos i acaroni fëmijët tuaj, por vazhdoni t’i edukoni në disiplinën dhe në rregullin mendor të Jehovait.» (Efesianëve 6:4, BR) Emri grek i përkthyer «disiplinë», do të thotë «rritje, stërvitje, udhëzim». Bibla thotë se disiplina ose udhëzimi, është dëshmi e dashurisë prindërore. (Proverbat [Fjalët e urta] 13:24) Fëmijët ecin mbarë nën drejtimin e udhëzimeve më se të qarta morale, që i ndihmojnë të zhvillojnë një kuptim të së drejtës dhe të së gabuarës. Disiplina e administruar siç duhet i ndihmon të ndihen të sigurt; ajo u tregon se prindërit e tyre kujdesen për ta dhe për llojin e personit që ata janë duke u bërë.—Krahaso Proverbat 4:10-13.
13. (a) Kur është fjala për disiplinën, cilin paralajmërim u jep Bibla prindërve? (b) Çfarë lloj disipline rekomandon Bibla?
13 Por Bibla i paralajmëron prindërit në lidhje me çështjen e disiplinës. Autoriteti prindëror nuk duhet të jetë asnjëherë abuziv. (Proverbat 22:15, BR) Asnjë fëmijë nuk duhet t’i nënshtrohet kurrë ndëshkimit mizor. Dhuna fizike nuk ka vend në familjen që jeton sipas Biblës. (Psalmi 11:5) Nuk ka vend as dhuna emocionale: fjalët e ashpra, kritikimi i vazhdueshëm dhe sarkazma therëse, të cilat mund ta dërrmojnë frymën e një fëmije. (Krahaso Proverbat 12:18, BR.) Me mençuri, Bibla i paralajmëron prindërit: «Ju baballarë, mos i ngacmoni fëmijët tuaj, që të mos i lëshojë zemra [ose, «do t’ua hiqni gjithë kurajën», Philips].» (Kolosianëve 3:21, BR) Bibla rekomandon masa parandaluese. Në Ligjin e përtërirë 11:19, prindërit janë të nxitur që të shfrytëzojnë momentet e kohës së lirë, për të futur vlera morale dhe frymore në fëmijët e tyre. Këshilla të tilla të qarta dhe të arsyeshme mbi rritjen e fëmijëve, janë po aq praktike sot, sa dhe në kohët biblike.
14, 15. (a) Në ç’mënyrë siguron Bibla më shumë sesa thjesht këshilla të mençura? (b) Cilat mësime biblike mund t’i ndihmojnë burrat dhe gratë e racave dhe kombeve të ndryshme, që ta konsiderojnë njëri-tjetrin si të barabartë?
14 Bibla siguron më shumë sesa thjesht këshilla të mençura. Mesazhi i saj i bën thirrje zemrës. Hebrenjve 4:12 thotë: «Fjala e Perëndisë është e gjallë dhe ushtron fuqi e është më e mprehtë se çdo shpatë me dy tehe dhe depërton madje deri në ndarjen e shpirtit dhe të frymës, të nyjeve dhe të palcës së tyre dhe është në gjendje të shquajë mendimet dhe qëllimet e zemrës.» (BR) Të marrim një shembull të fuqisë motivuese të Biblës.
15 Sot, njerëzit janë të ndarë nga pengesa raciale, kombëtare dhe etnike. Mure të tilla artificiale, kanë kontribuar në masakrimin pa dallim të njerëzve të pafajshëm nëpër luftërat anembanë botës. Bibla, nga ana tjetër, përmban mësime që i ndihmojnë burrat dhe gratë e racave dhe kombeve të ndryshme ta konsiderojnë njëri-tjetrin si të barabartë. Për shembull, në Veprat 17:26 thuhet se Perëndia «bëri nga një njeri çdo komb njerëzish». (BR) Kjo tregon se ekziston në të vërtetë vetëm një racë: raca njerëzore! Më tej, Bibla na inkurajon të ‘bëhemi imitues të Perëndisë’, për të cilin ajo thotë: «Perëndia nuk është i anshëm, por në çdo komb, ai që e ka frikë dhe që praktikon drejtësinë, është i pranueshëm për të.» (BR) (Efesianëve 5:1; Veprat 10:34, 35, BR) Tek ata që kërkojnë me të vërtetë të jetojnë sipas mësimeve të Biblës, kjo njohuri ka një ndikim bashkues. Ajo vepron në nivelin më të thellë, në zemër, duke prishur pengesat e bëra nga njeriu, të cilat i ndajnë njerëzit. A vepron ajo me të vërtetë në botën e sotme?
16. Thuaj një përvojë që tregon se Dëshmitarët e Jehovait janë një vëllazëri e vërtetë ndërkombëtare.
16 Patjetër që po! Dëshmitarët e Jehovait janë të mirënjohur për vëllazërinë e tyre ndërkombëtare, e cila bashkon njerëz me prejardhje të ndryshme, të cilët zakonisht nuk do të ishin në paqe me njëri-tjetrin. Gjatë konflikteve në Ruanda, për shembull, Dëshmitarët e Jehovait të çdo fisi mbrojtën vëllezërit e tyre dhe motrat e tyre të krishtere të fisit tjetër, duke vënë në rrezik kokën e tyre për këtë. Në një rast, një Dëshmitar hutu fshehu në shtëpinë e vet një familje tutsi prej gjashtë pjesëtarësh, të kongregacionit të tij. Mjerisht, familja tutsi së fundi u zbulua dhe u vra. Vëllai hutu dhe familja e tij u gjendën përballë zemërimit të vrasësve dhe iu desh të iknin për në Tanzani. Janë treguar shumë shembuj të ngjashëm. Dëshmitarët e Jehovait e pranojnë menjëherë se një unitet i tillë është i mundur, sepse zemrat e tyre janë prekur thellë nga fuqia motivuese e mesazhit të Biblës. Fakti që Bibla mund t’i bashkojë njerëzit në këtë botë të mbushur me urrejtje, është një provë e fuqishme se ajo është prej Perëndisë.
Një libër i profecive të vërteta
17. Në ç’mënyrë profecitë e Biblës ndryshojnë nga parashikimet e bëra prej njeriut?
17 «Asnjë profeci e shkrimit nuk buron prej ndonjë interpretimi privat»,—thotë 2. Pjetrit 1:20, BR. Profetët e Biblës nuk analizuan prirjet e problemeve të botës ekzistuese dhe pastaj të bënin supozime të besueshme të mbështetura në njohurinë e tyre, bazuar në interpretimin e tyre personal të këtyre zhvillimeve. As nuk thanë parashikime të vagëta, që mund t’i përshtateshin ndonjë ngjarjeje të ardhme. Le të shqyrtojmë si shembull një profeci të Biblës, e cila ishte jashtëzakonisht specifike dhe që paratha tamam të kundërtën e asaj që mund të pritnin njerëzit që jetonin në atë kohë.
18. Pse banorët e Babilonisë së lashtë ndiheshin pa dyshim shumë të sigurt, por megjithatë, çfarë kishte parathënë Isaia në lidhje me Babiloninë?
18 Aty nga shekulli i shtatë p.e.s., Babilonia ishte kryeqyteti në dukje i pamposhtur i Perandorisë Babilonase. Qyteti gjendej mes dy brigjeve të lumit Eufrat dhe ujërat e lumit ishin përdorur për të formuar një hendek të gjerë e të thellë me ujë, si dhe një rrjet me kanale. Gjithashtu, qyteti mbrohej nga një sistem masiv me mure të dyfishta, i mbështetur nga kulla mbrojtëse. Pa dyshim që banorët e Babilonisë ndiheshin shumë të sigurt. Por megjithatë, në shekullin e tetë p.e.s., madje përpara se Babilonia të ngrihej në majat më të larta të lavdisë së saj, profeti Isaia paratha: «Babilonia . . . duhet të bëhet si atëherë kur Perëndia përmbysi Sodomën dhe Gomorrën. Ajo as nuk do të banohet kurrë dhe as nuk do të qëndrojë brez pas brezi. Atje arabi nuk do të ngrerë tendën e tij dhe asnjë bari nuk do t’i lërë kopetë e tij të shtrihen atje.» (Isaia 13:19, 20, BR) Vëre se profecia paratha që Babilonia jo vetëm do të shkatërrohej, por edhe se do të bëhej përgjithmonë e pabanuar. Ç’parashikim i guximshëm për t’u bërë! A mund ta ketë shkruar Isaia profecinë e tij, pasi e pa të shkretuar Babiloninë? Historia përgjigjet jo!
19. Pse profecia e Isaisë nuk u përmbush plotësisht më 5 tetor të vitit 539 p.e.s.?
19 Natën e 5 tetorit të vitit 539 p.e.s., Babilonia ra në duart e ushtrive të Medo-Persisë nën Kirin e Madh. Megjithatë, në atë kohë profecia e Isaisë nuk u përmbush plotësisht. Pas pushtimit nga Kiri, një Babiloni e banuar, edhe pse më e dobët, vazhdoi për shekuj. Në shekullin e dytë p.e.s., afërsisht në kohën kur u kopjuan Rrotullat e Detit të Vdekur të Isaisë, partët morën kontrollin mbi Babiloninë, e cila atëherë konsiderohej si një çmim, për të cilin luftonin kombet përreth. Historiani jude, Jozefi, raportonte se në shekullin e parë p.e.s. atje jetonin «një numër i madh» judenjsh. Sipas një libri, në vitin 24 të e.s., tregtarët palmirianë themeluan një koloni të lulëzuar tregtie në Babiloni. (The Cambridge Ancient History) Pra, deri në shekullin e parë të e.s., Babilonia nuk ishte shkretuar ende plotësisht, por libri i Isaisë kishte mbaruar shumë kohë më parë.—1. Pjetrit 5:13.
20. Çfarë dëshmie ekziston se së fundi Babilonia u bë thjesht «grumbuj gurësh»?
20 Isaia s’jetoi aq sa për të parë Babiloninë e pabanuar. Por, në vërtetim të profecisë, Babilonia u bë së fundi thjesht «grumbuj gurësh». (Jeremia 51:37, BR) Sipas studiuesit hebre Jerom, të lindur në shekullin e katërt të e.s., në kohën e tij Babilonia ishte një truall gjuetie, në të cilin bridhnin «bishat e çdo lloji» dhe ajo qëndron e shkretë edhe sot e kësaj dite. Ndonjë ristrukturim i Babilonisë si tërheqje për turistët mund t’i joshë vizitorët, por «pasardhësit dhe brezat e ardhshëm» të Babilonisë janë shuar përgjithmonë, siç paratha Isaia.—Isaia 14:22, BR.
21. Pse profetët e besueshëm qenë në gjendje ta parathonë të ardhmen me një saktësi të padështueshme?
21 Profeti Isaia nuk bëri supozime të besueshme të mbështetura në njohuri. Ai as nuk e rishkroi historinë, për ta bërë që të dukej si profeci. Isaia ishte një profet i vërtetë. Kështu ishin të gjithë profetët e tjerë të besueshëm të Biblës. Pse këta njerëz ishin në gjendje të bënin atë që nuk mund ta bëjë asnjë njeri tjetër: të parathonë të ardhmen me një saktësi të padështueshme? Përgjigjja është e qartë. Profecitë e kishin origjinën nga Perëndia i profecisë, Jehovai, «Ai që tregon përfundimin që në fillim».—Isaia 46:10, BR.
22. Pse duhet të bëjmë çmos për t’i nxitur njerëzit me zemër të ndershme ta shqyrtojnë vetë Biblën?
22 Pra, a ia vlen të shqyrtohet Bibla? Ne e dimë se po! Por shumë njerëz nuk janë të bindur. Ata kanë formuar opinione rreth Biblës, megjithëse mund të mos e kenë lexuar kurrë. Kujto profesorin e përmendur në fillim të artikullit të mëparshëm. Ai ra dakord për një studim biblik dhe pas një shqyrtimi të vëmendshëm të Biblës, arriti në përfundimin se është një libër prej Perëndisë. Së fundi, ai u pagëzua si Dëshmitar i Jehovait dhe sot shërben si plak. Le të bëjmë çmos për t’i nxitur njerëzit me zemër të ndershme që ta shqyrtojnë vetë Biblën dhe pastaj të formojnë një opinion për të. Jemi të sigurt se nëse bëjnë një shqyrtim të ndershëm për veten e tyre, do të arrijnë të kuptojnë se ky libër unik, Bibla, është në fakt një libër për të gjithë njerëzit!
A mund të shpjegosh?
◻ Si mund ta përdorësh Ligjin e Moisiut, për të treguar se Bibla nuk ka origjinë njerëzore?
◻ Cilat parime që s’njohin kohë janë praktike për jetën moderne?
◻ Pse profecia në Isainë 13:19, 20 nuk mund të jetë shkruar pasi kishte ndodhur fakti?
◻ Çfarë duhet t’i inkurajojmë të bëjnë njerëzit me zemër të ndershme dhe pse?
[Kutia në faqen 19]
Ç’të themi për të paprovueshmen?
Bibla përmban pohime të ndryshme, për të cilat mungon një dëshmi fizike më vete. Për shembull, ajo që thotë për një mbretëri të padukshme të banuar nga krijesa frymore, nuk mund të provohet ose të hidhet poshtë shkencërisht. A e vënë në konflikt këto referime të paprovueshme, Biblën me shkencën?
Kjo ishte pyetja që hasi një gjeolog planetesh, i cili disa vjet më parë filloi të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. «Duhet të pohoj se në fillim për mua ishte e vështirë ta pranoja Biblën, sepse nuk mund të provoja shkencërisht disa pohime të saj»,—kujton ai. Ky njeri i sinqertë vazhdoi ta studionte Biblën dhe më në fund u bind se dëshmitë në dispozicion tregojnë që ajo është Fjala e Perëndisë. «Kjo e pakësoi dëshirën time të fortë për ta pasur të provuar më vete çdo fakt,—shpjegon ai.—Një person me prirje shkencore duhet të jetë i gatshëm ta shqyrtojë Biblën nga një këndvështrim frymor, përndryshe nuk do ta pranojë kurrë të vërtetën. Nuk mund të pritet që shkenca të demonstrojë vërtetësinë e çdo pohimi të Biblës. Por vetëm se disa pohime janë të paprovueshme, nuk do të thotë se nuk janë të vërteta. E rëndësishme është se sa herë që është e provueshme, saktësia e Biblës vërtetohet.»
[Figura në faqen 17]
Moisiu shkroi rregulla sanitare që ishin shumë të përparuara për kohën e tyre