-
Kushtojuni fëmijëve vëmendjen e duhurZgjohuni!—2005 | 8 Shkurt
-
-
Mësojini fëmijët pa i acaruar
Një herë dr. Robert Kolsi, mësues dhe psikiatër i shquar, tha: «Te fëmija ekziston një ndjesi morale e cila është në zhvillim. Mendoj se këtë ndjesi e ka vënë Perëndia dhe do të thotë që fëmijët kanë një dëshirë të zjarrtë për udhëheqje morale.» Kush duhet t’ua plotësojë këtë dëshirë të zjarrtë për udhëheqje morale?
Tek Efesianëve 6:4, Shkrimet këshillojnë: «Ju, etër, mos i acaroni fëmijët tuaj, por vazhdoni t’i rritni në disiplinën dhe normën mendore të Jehovait.» A e vutë re se shkrimi ngarkon sidomos babanë me përgjegjësinë për t’u ngulitur fëmijëve dashuri për Perëndinë dhe vlerësim të thellë për normat e Tij? Në vargun 1 te kapitulli i 6-të i Efesianëve, apostulli Pavël flet si për babanë, ashtu edhe për nënën, kur u thotë fëmijëve që ‘t’u binden prindërve’.a
Sigurisht, nëse mungon babai, atëherë këtë përgjegjësi duhet ta marrë përsipër nëna. Shumë nëna të vetme ia kanë dalë mbanë t’i rritin fëmijët në disiplinën dhe normën mendore të Perëndisë Jehova. Megjithatë, në qoftë se nëna martohet, drejtimin duhet ta marrë bashkëshorti i krishterë. Nëna pastaj, duhet ta ndjekë me gatishmëri këtë drejtim, kur mëson dhe disiplinon fëmijët.
Si mund t’i disiplinoni ose t’i mësoni fëmijët pa ‘i acaruar’? Nuk ka ndonjë formulë sekrete, sidomos meqë çdo fëmijë është i ndryshëm nga të tjerët. Por prindërit duhet të mendojnë mirë për mënyrën se si i disiplinojnë fëmijët, duke treguar gjithnjë dashuri dhe respekt për fëmijët e tyre. Është interesante se udhëzimi për të mos i acaruar fëmijët përsëritet në Shkrime, te Kolosianëve 3:21. Këtu etërit këshillohen përsëri: «Mos i pezmatoni fëmijët tuaj, që të mos i lëshojë zemra.»
Disa prindër u bërtasin dhe u ulërasin fëmijëve. Pa dyshim kjo i mërzit të vegjlit. Por Bibla nxit: «Le të hiqet prej jush çdo vrer shpirtlig, zemërim, furi, e bërtitur dhe sharje bashkë me çdo të keqe.» (Efesianëve 4:31) Gjithashtu Bibla thotë se «skllavi i Zotërisë nuk duhet të luftojë, por duhet të jetë zemërbutë me të gjithë».—2 Timoteut 2:24.
-
-
Kushtojuni fëmijëve vëmendjen e duhurZgjohuni!—2005 | 8 Shkurt
-
-
a Këtu Pavli përdori fjalën greke goneusin, e cila vjen nga fjala goneus që do të thotë «prind». Por në vargun 4, ai përdori fjalën greke pateres, që do të thotë «etër».
-