Familja e Jehovait gëzon një unitet të çmuar
«Ja, sa e mirë dhe e kënaqshme është që vëllezërit të banojnë bashkë në unitet!»—PSALMI 133:1.
1. Cila është gjendja e shumë familjeve sot?
SOT, familja është në krizë. Në shumë familje, lidhjet martesore janë në buzë të thyerjes. Divorci është bërë i zakonshëm në një masë gjithnjë e më të madhe dhe shumë fëmijë të çifteve të divorcuara po provojnë një trishtim të madh. Miliona familjeve u mungon lumturia dhe uniteti. Megjithatë, ekziston një familje që ka gëzim të vërtetë dhe unitet të sinqertë. Ajo është familja universale e Perëndisë Jehova. Brenda saj, miliarda engjëj të padukshëm kryejnë punët që u janë caktuar në harmoni me vullnetin hyjnor. (Psalmi 103:20, 21) Por, a ka ndonjë familje mbi tokë që gëzon një unitet të tillë?
2, 3. (a) Cilët janë tani pjesë e familjes universale të Perëndisë dhe me cilët mund t’i krahasojmë sot të gjithë Dëshmitarët e Jehovait? (b) Cilat pyetje do të trajtojmë?
2 Apostulli Pavël shkroi: «Unë po i ul gjunjët e mi përpara Atit . . . nga i cili merr emër çdo familje në qiejt dhe mbi tokë.» (Efesianëve 3:14, 15) Çdo familje mbi tokë i detyrohet për emrin e saj Perëndisë, pasi ai është Krijuesi. Edhe pse në qiej nuk ka asnjë familje njerëzore, duke folur në mënyrë figurative, Perëndia është martuar me organizatën e tij qiellore, ndërsa Jezui do të ketë një nuse frymore, e cila do të bashkohet me të në qiej. (Isaia 54:5; Luka 20:34, 35; 1. Korintasve 15:50; 2. Korintasve 11:2) Të mirosurit e besueshëm mbi tokë janë tashmë pjesë e familjes universale të Perëndisë, ndërsa «delet e tjera» të Jezuit, me shpresë tokësore, janë pjesëtarë të ardhshëm të saj. (Gjoni 10:16; Romakëve 8:14-17; Kulla e Rojës, 15 janar 1996, faqe 31) Megjithatë, të gjithë Dëshmitarët e Jehovait mund të krahasohen me një familje ndërkombëtare të bashkuar.
3 A bën pjesë në familjen e mrekullueshme ndërkombëtare të shërbëtorëve të Perëndisë? Nëse po, gëzon një nga bekimet më të mëdha që mund të ketë ndonjë person. Miliona vetë do të provojnë se familja globale e Perëndisë, organizata e tij e dukshme, është një oaz paqeje dhe uniteti në shkretëtirën botërore të grindjeve dhe përçarjes. Si mund të përshkruhet uniteti i familjes ndërkombëtare të Jehovait? Cilët faktorë e nxitin këtë unitet?
Sa e mirë dhe e kënaqshme!
4. Si do ta shprehje me fjalët e tua, atë që thotë Psalmi 133 në lidhje me unitetin vëllazëror?
4 Psalmisti David e vlerësoi thellësisht unitetin vëllazëror. Madje, ai u frymëzua të këndonte për të! Përfytyrojeni me harpën e tij, duke kënduar: «Ja, sa e mirë dhe e kënaqshme është që vëllezërit të banojnë bashkë në unitet! Është si vaji i çmuar i shpërndarë mbi krye, që zbret mbi mjekrën e Aaronit, që zbret deri në cep të rrobave të tij. Është si vesa e Hermonit, që zbret mbi malet e Sionit, sepse atje Zoti ka vënë bekimin, jetën në përjetësi.»—Psalmi 133:1-3.
5. Në bazë të Psalmit 133:1, 2, çfarë krahasimi mund të bëhet ndërmjet izraelitëve dhe shërbëtorëve të sotëm të Perëndisë?
5 Këto fjalë gjenin zbatim në unitetin vëllazëror që gëzonte populli i lashtë i Perëndisë, Izraeli. Kur shkonin në Jerusalem për tri festivalet e tyre vjetore, izraelitët banonin së bashku në unitet. Edhe pse vinin nga fise të ndryshme, ata ishin një familje. Qëndrimi së bashku kishte një ndikim të shëndetshëm mbi ta, si vaji freskues i mirosjes me një aromë të pëlqyeshme. Kur ky lloj vaji u hodh mbi kokën e Aaronit, zbriti poshtë në mjekrën e tij dhe rrodhi në jakën e veshjes së tij. Për izraelitët, qëndrimi së bashku pati një ndikim të mirë, i cili depërtoi në popullin e mbledhur në tërësi. Keqkuptimet sqaroheshin dhe nxitej uniteti. Një unitet i ngjashëm ekziston sot në familjen globale të Jehovait. Shoqërimi i rregullt ka një ndikim të shëndetshëm mbi pjesëtarët e saj. Çdo keqkuptim ose vështirësi zgjidhet, ndërkohë që zbatohen këshillat e Fjalës së Perëndisë. (Mateu 5:23, 24; 18:15-17) Shërbëtorët e Jehovait e vlerësojnë shumë inkurajimin reciprok që vjen si rezultat i unitetit të tyre vëllazëror.
6, 7. Në ç’mënyrë uniteti i Izraelit ishte si vesa e malit Hermon dhe ku mund të gjendet sot bekimi i Perëndisë?
6 Në ç’mënyrë banimi së bashku në unitet i izraelitëve, ishte ngjashëm vesës së malit Hermon? E pra, meqë ky mal ka një lartësi mbi 2.800 m mbi nivelin e detit, maja e tij është e mbuluar me borë pothuajse gjatë gjithë vitit. Maja me borë e Hermonit shkakton gjatë natës kondesimin e avujve, duke prodhuar kështu vesën e bollshme, e cila ruan vegjetacionin gjatë sezonit të gjatë me thatësirë. Korrentet e ftohta ajrore nga vargmali i Hermonit, mund t’i kenë çuar këto avuj larg në jug, deri në zonën e Jerusalemit, ku janë kondensuar në vesë. Prandaj, psalmisti foli me të drejtë për ‘vesën e Hermonit, që zbret mbi malin Sion’. Sa përkujtues i shkëlqyer për ndikimin freskues që nxit uniteti i familjes së adhuruesve të Jehovait!
7 Përpara se të formohej kongregacioni i krishterë, Sioni, apo Jerusalemi, ishte qendra e adhurimit të vërtetë. Prandaj, pikërisht aty Perëndia urdhëroi që të kishte bekim. Pasi Burimi i të gjitha bekimeve gjendej i përfaqësuar në shenjtëroren e Jerusalemit, bekimet do të dilnin prej andej. Megjithatë, për shkak se adhurimi i vërtetë nuk përfaqësohet më nga ndonjë vend i caktuar, bekimi, dashuria dhe uniteti i shërbëtorëve të Perëndisë mund të gjenden sot anembanë tokës. (Gjoni 13:34, 35) Cilët janë disa faktorë që e nxitin këtë unitet?
Faktorë që nxitin unitetin
8. Çfarë mësojmë për unitetin në Gjonin 17:20, 21?
8 Uniteti i adhuruesve të Jehovait bazohet në bindjen ndaj kuptueshmërisë së saktë të Fjalës së Perëndisë, duke përfshirë mësimet e Jezu Krishtit. Duke dërguar Birin e tij në botë, për të dhënë dëshmi për të vërtetën dhe për të vdekur si sakrificë, Jehovai hapi rrugën për formimin e kongregacionit të bashkuar të krishterë. (Gjoni 3:16; 18:37) Që ndërmjet pjesëtarëve të tij do të kishte unitet të sinqertë, kjo u bë e qartë nga lutja e Jezuit: «Tani unë nuk lutem vetëm për ta, por edhe për ata që do të besojnë në mua me anë të fjalës së tyre, që të gjithë të jenë një, ashtu si ti, o Atë, je në mua dhe unë në ty; edhe ata të jenë një në ne, që bota të besojë se ti më ke dërguar.» (Gjoni 17:20, 21) Ithtarët e Jezuit mbajtën një unitet të ngjashëm me atë ndërmjet Perëndisë dhe Birit të tij. Kjo ndodhi ngaqë ata ishin në përputhje me Fjalën e Perëndisë dhe me mësimet e Jezuit. I njëjti qëndrim është një faktor i madh në unitetin e familjes së sotme ndërkombëtare të Jehovait.
9. Çfarë roli luan fryma e shenjtë në unitetin e popullit të Jehovait?
9 Një faktor tjetër që bashkon popullin e Jehovait është fryma e shenjtë apo forca aktive e Perëndisë që kemi ne. Ajo na mundëson të kuptojmë të vërtetën e zbuluar të Fjalës së Jehovait e më pas t’i shërbejmë atij të bashkuar. (Gjoni 16:12, 13) Fryma na ndihmon të shmangim vepra të tilla përçarëse të mishit, si grindjet, xhelozitë, shpërthimet e zemërimit dhe zënkat. Përkundrazi, fryma e Perëndisë sjell tek ne frytin bashkues të dashurisë, gëzimit, paqes, shpirtmadhësisë, dashamirësisë, mirësisë, besimit, butësisë dhe vetëkontrollit.—Galatasve 5:19-23.
10. (a) Çfarë paralele mund të vendosim ndërmjet dashurisë që ekziston në një familje të bashkuar njerëzore dhe dashurisë që është e dukshme mes të devotshmëve të Jehovait? (b) Si i shprehu një anëtar i Trupit Udhëheqës ndjenjat e tij në lidhje me takimet me vëllezërit e tij frymorë?
10 Pjesëtarët e një familjeje të bashkuar e duan njëri-tjetrin dhe ndihen të lumtur kur janë bashkë. Po kështu, edhe pjesëtarët e familjes së bashkuar të adhuruesve të Jehovait e duan atë, Birin e tij dhe bashkëbesimtarët. (Marku 12:30; Gjoni 21:15-17; 1. Gjonit 4:21) Ashtu si pjesëtarët e një familjeje natyrale gëzojnë kur hanë së bashku, të devotshmit e Perëndisë kënaqen kur janë të pranishëm në mbledhjet e krishtere, në asambletë dhe në kongreset, për të përfituar nga shoqëria e shkëlqyer dhe nga ushqimi i mrekullueshëm frymor. (Mateu 24:45-47; Hebrenjve 10:24, 25) Një pjesëtar i Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait, njëherë tha: «Për mua, takimi me vëllezërit është një nga kënaqësitë më të mëdha në jetë dhe një burim inkurajimi. Më pëlqen të shkoj ndër të parët në Sallën e Mbretërisë dhe të dal ndër të fundit, nëse është e mundur. Ndiej një gëzim të brendshëm kur flas me popullin e Perëndisë. Kur gjendem mes tyre, më duket sikur jam në shtëpi me familjen time.» A ndihesh edhe ti kështu?—Psalmi 27:4.
11. Në çfarë vepre gjejnë veçanërisht lumturi Dëshmitarët e Jehovait dhe cilat do të jenë rezultatet nëse shërbimi i Perëndisë bëhet qendra e jetës sonë?
11 Një familje e bashkuar gjen lumturi kur i bën punët së bashku. Ngjashëm, pjesëtarët e familjes së adhuruesve të Jehovait gjejnë gëzim kur bëjnë të bashkuar veprën e tyre të predikimit të Mbretërisë e të bërjes së dishepujve. (Mateu 24:14; 28:19, 20) Pjesëmarrja e rregullt në këtë vepër, na afron më pranë me Dëshmitarët e tjerë të Jehovait. Fryma familjare mes nesh merr nxitje edhe duke e bërë shërbimin e Perëndisë qendrën e jetës sonë dhe duke mbështetur të gjitha aktivitetet e popullit të tij.
Rregulli teokratik është thelbësor
12. Cilat janë karakteristikat e një familjeje të lumtur e të bashkuar dhe cili rregullim nxiti unitetin në kongregacionet e krishtere të shekullit të parë?
12 Një familje që ka udhëheqje të fortë, por të dashur dhe që është e rregullt, ka mundësi të jetë e bashkuar dhe e lumtur. (Efesianëve 5:22, 33; 6:1) Jehovai është një Perëndi i rregullit paqësor dhe të gjithë pjesëtarët e familjes së tij e konsiderojnë atë si «Më të Lartin». (Danieli 7:18, 22, 25, 27; 1. Korintasve 14:33) Ata pranojnë, gjithashtu, se ai ka caktuar Birin e tij, Jezu Krishtin, trashëgimtar të të gjitha gjërave dhe i ka dhënë atij çdo autoritet në qiell dhe mbi tokë. (Mateu 28:18; Hebrenjve 1:1, 2) Me Krishtin si Krye, kongregacioni i krishterë është një organizatë e rregullt dhe me unitet. (Efesianëve 5:23) Për të mbikëqyrur aktivitetet e kongregacioneve në shekullin e parë, ekzistonte një trup udhëheqës, i cili përbëhej nga apostujt dhe nga «pleq» të tjerë të pjekur frymësisht. Kongregacionet e veçanta kishin mbikëqyrës të emëruar apo pleq dhe shërbëtorë ndihmës. (Veprat 15:6; Filipianëve 1:1) Bindja ndaj atyre që merrnin drejtimin nxiste unitetin.—Hebrenjve 13:17.
13. Si i tërheq Jehovai njerëzit dhe cili është rezultati i kësaj?
13 Por, a do të thotë gjithë ky rregull se uniteti i adhuruesve të Jehovait mund t’i atribuohet një udhëheqjeje të fortë e të ftohtë? Sigurisht që jo. S’ka asgjë të padashur në lidhje me Perëndinë apo organizatën e tij. Jehovai i tërheq njerëzit, duke treguar dashuri dhe çdo vit qindra e mijëra persona bëhen pjesë e organizatës së Jehovait vullnetarisht dhe me gëzim, duke u pagëzuar në simbol të dedikimit të tyre me gjithë zemër ndaj Jehovait. Qëndrimi i tyre mendor është njësoj me atë të Josiut, i cili i nxiti izraelitët: «Zgjidhni sot për veten tuaj kujt doni t’i shërbeni . . . Por sa për mua dhe për shtëpinë time, ne do t’i shërbejmë Jehovait.»—Josiu 24:15, BR.
14. Përse mund të themi se organizata e Jehovait është teokratike?
14 Si pjesë e familjes së Jehovait, ne s’jemi vetëm të gëzuar, por edhe të sigurt. Ndodh kështu, ngaqë organizata e tij është teokratike. Mbretëria e Perëndisë është një teokraci (nga greqishtja the·osʹ, perëndi dhe kraʹtos, sundim). Ajo është sundim nga Perëndia, e organizuar dhe e vendosur prej tij. «Kombi i shenjtë» i emëruar nga Jehovai, është i nënshtruar ndaj sundimit të tij e prandaj është edhe teokratik. (1. Pjetrit 2:9) Me Teokratin e Madh, Jehovain, si Gjykatësin, Ligjdhënësin dhe Mbretin tonë, ne kemi çdo arsye për t’u ndier të sigurt. (Isaia 33:22) Por, ç’duhet bërë nëse lind ndonjë mosmarrëveshje që kërcënon gëzimin, sigurinë dhe unitetin tonë?
Trupi udhëheqës vepron
15, 16. Cila mosmarrëveshje lindi në shekullin e parë dhe përse?
15 Për të ruajtur unitetin në një familje, ndonjëherë duhet zgjidhur ndonjë mosmarrëveshje. Tani, le ta zëmë se duhej zgjidhur ndonjë problem për të ruajtur unitetin e familjes së adhuruesve të Perëndisë në shekullin e parë të e.s. Ç’duhej bërë? Trupi udhëheqës ndërmerrte veprime, duke vendosur për çështje frymore. Një veprim të tillë e kemi të dokumentuar në Shkrime.
16 Aty nga viti 49 i e.s., trupi udhëheqës u mblodh në Jerusalem për të zgjidhur një problem serioz e në këtë mënyrë të ruante unitetin e ‘pjesëtarëve të familjes së Perëndisë’. (Efesianëve 2:19) Gati 13 vjet më parë, apostulli Pjetër i kishte predikuar Kornelit dhe paganët e parë, ose njerëzit e kombeve, u bënë besimtarë të pagëzuar. (Veprat, kreu 10) Gjatë udhëtimit të parë misionar të Pavlit, shumë paganë përqafuan krishterimin. (Veprat 13:1–14:28) Në fakt, një kongregacion me të krishterë johebrenj ishte formuar në Antioki, Siri. Disa të krishterë hebrenj besonin se paganët e kthyer duheshin rrethprerë dhe duhej të mbanin Ligjin e Moisiut, kurse të tjerët nuk ishin dakort. (Veprat 15:1-5) Kjo mosmarrëveshje mund të ketë sjellë një përçarje të plotë, deri në formimin e kongregacioneve të ndara me hebrenj dhe paganë. Prandaj, trupi udhëheqës ndërmori veprime të menjëhershme për të ruajtur unitetin e krishterë.
17. Cila procedurë e harmonishme teokratike është përshkruar në kreun 15 të Veprave?
17 Sipas Veprave 15:6-22, «apostujt dhe pleqtë u mblodhën për ta shqyrtuar këtë problem». Të pranishëm ishin, gjithashtu, edhe disa të tjerë, mes të cilëve edhe një delegacion nga Antiokia. Së pari, Pjetri shpjegoi se ‘me anë të gojës së tij johebrenjtë dëgjuan fjalën e ungjillit dhe besuan’. Më pas, «e gjithë turma» dëgjoi, ndërsa Barnaba dhe Pavli tregonin «ç’shenja e mrekulli kishte bërë Perëndia me anë të tyre ndër johebrenjtë» apo paganët. Më tej, Jakovi sugjeroi se si mund të zgjidhej çështja. Pasi trupi udhëheqës mori një vendim, na thuhet: «Apostujt dhe pleqtë me gjithë kongregacionin dërguan në Antioki, me Palin dhe Barnabën, disa njerëz të zgjedhur nga ata.» Këta «njerëz të zgjedhur», Juda dhe Sila, morën një letër inkurajuese për t’ua çuar bashkëbesimtarëve.
18. Çfarë vendimi mori trupi udhëheqës në lidhje me Ligjin e Moisiut dhe si ndikoi ai mbi të krishterët hebrenj dhe paganë?
18 Letra që jepte vendimin e trupit udhëheqës fillonte me këto fjalë: «Apostujt, pleqtë dhe vëllezërit, vëllezërve nga johebrenjtë që janë në Antioki, Siri dhe Kiliki, përshëndetje.» Në atë mbledhje historike morën pjesë edhe vëllezër të tjerë, por me sa duket trupi udhëheqës përbëhej nga «apostujt dhe pleqtë». Fryma e Perëndisë i udhëhoqi ata, sepse letra thotë: «Na u duk mirë Frymës së Shenjtë dhe neve që të mos ju ngarkojmë asnjë barrë tjetër përveç këtyre gjërave të nevojshme: që ju të hiqni dorë nga gjërat e flijuara idhujve, nga gjaku, nga gjërat e mbytura dhe nga kurvëria.» (Veprat 15:23-29) Të krishterëve nuk iu kërkua të rrethpriteshin e të mbanin Ligjin e Moisiut. Vendimi i ndihmoi të krishterët hebrenj dhe paganë që të vepronin e të flitnin në unitet. Kongregacionet u gëzuan dhe uniteti i çmuar vazhdoi, ashtu si edhe sot në familjen mbarëbotërore të Perëndisë, nën drejtimin frymor të Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait.—Veprat 15:30-35.
Shërbejnë në unitet teokratik
19. Përse ka lulëzuar uniteti në familjen e adhuruesve të Jehovait?
19 Uniteti lulëzon kur pjesëtarët e një familjeje bashkëpunojnë me njëri-tjetrin. E njëta gjë është e vërtetë në familjen e adhuruesve të Jehovait. Duke qenë teokratikë, pleqtë dhe të tjerët në kongregacionin e shekullit të parë i shërbyen Perëndisë në bashkëpunim të plotë me trupin udhëheqës dhe pranuan vendimet e tij. Me ndihmën e trupit udhëheqës, pleqtë ‘predikuan fjalën’ dhe pjesëtarët e kongregacionit në përgjithësi ‘flitnin të njëjtën gjë’. (2. Timoteut 4:1, 2; 1. Korintasve 1:10) Në këtë mënyrë, në shërbim dhe në mbledhjet e kongregacionit paraqiteshin të njëjtat të vërteta shkrimore, si në Jerusalem, Antioki, Romë apo kudo gjetkë. Ky unitet teokratik ekziston edhe sot.
20. Çfarë duhet të bëjmë për të ruajtur unitetin tonë të krishterë?
20 Për të ruajtur unitetin tonë, të gjithë ne që jemi pjesë e familjes globale të Jehovait, duhet të përpiqemi që të shfaqim dashuri teokratike. (1. Gjonit 4:16) Duhet t’i nënshtrohemi vullnetit të Perëndisë dhe të tregojmë respekt të thellë për ‘skllavin e besueshëm’ dhe për Trupin Udhëheqës. Si edhe dedikimi ndaj Perëndisë, bindja jonë është natyrisht e vullnetshme dhe e gëzuar. (1. Gjonit 5:3) Sa me vend e lidhi psalmisti gëzimin me bindjen! Ai këndoi: «Lavdëroni Jah, ju njerëz! I lumtur është njeriu në frikën e Jehovait, në urdhërimet e të cilit ka gjetur shumë kënaqësi.»—Psalmi 112:1, BR.
21. Si mund të provojmë se jemi teokratikë?
21 Jezui, Kreu i kongregacionit, është plotësisht teokratik dhe gjithmonë kryen vullnetin e Atit të tij. (Gjoni 5:30) Prandaj, le të ndjekim Shembullin tonë, duke kryer në mënyrë teokratike dhe të bashkuar vullnetin e Jehovait, në bashkëpunim të plotë me organizatën e Tij. Kështu, me gëzim dhe me mirënjohje nga zemra, mund të bashkohemi me këngën e psalmistit: «Ja, sa e mirë dhe e kënaqshme është që vëllezërit të banojnë bashkë në unitet!»
Si do të përgjigjeshe?
◻ Si mund të lidhet uniteti ynë i krishterë me Psalmin 133?
◻ Cilët janë disa faktorë që nxitin unitetin?
◻ Përse rregulli teokratik është thelbësor për unitetin e popullit të Jehovait?
◻ Si veproi trupi udhëheqës i shekullit të parë për të ruajtur unitetin?
◻ Ç’do të thotë për ty, të shërbesh në unitet teokratik?
[Figura në faqe 13]
Trupi udhëheqës veproi për të ruajtur unitetin