Kapitulli 5
Ç’të bëj kur njëri nga prindërit martohet përsëri?
«Dita kur babi u martua me Ritën, ishte dita më e zymtë e jetës sime,—kujton Shein.—Isha i inatosur. I inatosur me babin që kishte tradhtuar mamin. I inatosur me mamin që kishte vendosur të ndiqte studimet për drejtësi dhe na kishte lënë vetëm. I inatosur me dy mistrecat, fëmijët e Ritës, të cilët do të jetonin në shtëpi me ne . . . Por më shumë ia kisha inatin Ritës . . . E urreja. Dhe meqë besoja se të urresh nuk është e drejtë, isha i inatosur edhe me veten.»—Stepfamilies—New Patterns in Harmony, nga Linda Kraven.
MARTESA e dytë e një prindi ia shkatërron shpresën fëmijës që një ditë ata të bashkohen përsëri. Ndoshta të bën të ndihesh i pasigurt, i tradhtuar dhe xheloz.
Martesa e dytë mund të jetë veçanërisht e dhimbshme, nëse bëhet pak pas vdekjes së njërit nga prindërit e dashur. «Vdekja e mamit më hidhëroi shumë,—thotë Mira 16 vjeçare.—Më dukej sikur e fejuara e babit po zinte vendin e mamit, prandaj sillesha shumë keq me të.» Për besnikëri ndaj prindërve të vërtetë, mund të ndihesh edhe fajtor, nëse fillon të kesh dashuri për njerkun ose njerkën.
Prandaj, nuk është për t’u habitur që shumë të rinj e shfrejnë dhimbjen e tyre emocionale në mënyra të dëmshme. Disa madje bëjnë plane ta prishin martesën e re të prindit. Por mos harro se prindi yt i vërtetë dhe njerku apo njerka janë betuar para Perëndisë. «Prandaj, atë që ka bashkuar Perëndia, njeriu të mos e ndajë.» (Mateu 19:6) Edhe sikur të arrije t’i ndaje ata, kjo nuk do t’i bashkonte përsëri prindërit e tu.
Gjithashtu, nuk ka kuptim të shkosh gjithmonë si macja me miun me njerkun apo me njerkën. Proverbat 11:29 paralajmëron «ai që bën rrëmujë në shtëpinë e vet do të trashëgojë erën», d.m.th., del fare pa gjë. Inati i Gertës 15-vjeçare për njerkën e saj, më në fund përfundoi në një kacafytje të hidhur me fjalë. E çfarë fitoi? Njerka e detyroi të atin e saj të zgjidhte mes saj dhe së bijës. Përfundimisht, Gertës iu desh të kthehej të jetonte me nënën e vërtetë, e cila ishte martuar me një tjetër.
Dashuria të ndihmon të përballosh situatën
Ku qëndron sekreti për të përballuar me sukses martesën e dytë të një prindi? Te shfaqja e dashurisë së bazuar në parime, siç përshkruhet në përkthimin Bota e Re në 1. Korintasve 13:4-8:
Dashuria «nuk kërkon interesin e vet». Kjo do të thotë ‘të mos kërkojmë interesin tonë, por atë të tjetrit’. (1. Korintasve 10:24) Nëse një prind ka vendosur se ai apo ajo ka përsëri nevojë për shoqërinë e një bashkëshorti, a duhet të zemërohesh për këtë?
«Dashuria nuk është xheloze.» Shpesh, të rinjtë nuk duan ta ndajnë dashurinë e prindërve të tyre të vërtetë me dikë tjetër. Sidoqoftë, nuk ke pse frikësohesh se dashuria e prindit për ty shteron, sepse dashuria mund të zgjerohet. (Krahaso 2. Korintasve 6:11-13.) Prindi yt i vërtetë mund ta zgjerojë dashurinë e tij apo të saj, duke përfshirë edhe një bashkëshort, pa e humbur dashurinë e përzemërt që ka për ty. Po ti, a do t’i bësh vend në zemrën tënde një njerku apo njerke? Nuk është e thënë se të bësh kështu, nuk je treguar besnik ndaj prindit të humbur.
Dashuria «nuk sillet në mënyrë të pahijshme». Duke jetuar me vëllezër e motra të rinj e të seksit të kundërt, mund të krijohen presione morale. Nga raportet del që në 25 për qind të familjeve me fëmijë të gjetur, ndodhin marrëdhënie seksuale të paligjshme mes anëtarëve të familjes.
Danieli, nëna e të cilit u martua përsëri dhe solli në shtëpi katër vajza adoleshente të burrit, thotë: «M’u desh ta stakoja mendjen nga ndjenjat seksuale.» Edhe ti me siguri që dëshiron të tregohesh i kujdesshëm për të shmangur familjaritetin e tepërt, duke u siguruar se as veshja dhe as sjellja nuk provokojnë dëshira seksuale.—Kolosianëve 3:5.
Dashuria «mbulon gjithçka . . . duron gjithçka». Nganjëherë, duket se asgjë nuk mund t’i largojë ndjenjat e tua të dhimbshme. Mirela thotë: «Më dukej sikur nuk kishte më vend për mua në shtëpi. Bile i thashë edhe mamit se do të doja më mirë të mos kisha lindur.» Mirela nuk u bind dhe madje ia mbathi nga shtëpia. Megjithatë, tani ajo thotë: «Gjëja më e mirë është të durosh.» Nëse duron edhe ti, me kalimin e kohës do të shuhet edhe hidhërimi, hutimi dhe dhimbja që të mundonin në fillim.
«Ti nuk je mami (babi) im i vërtetë!»
Të disiplinohesh nga një prind i ri nuk është e lehtë dhe kur njerku apo njerka të kërkon të bësh diçka, mund të tundohesh të thuash rrëmbimthi: «Ti nuk je mami (babi) im i vërtetë!» Por, sill pak në mend parimin e përshkruar në 1. Korintasve 14:20: «Rrituni në mënyrën tuaj të të arsyetuarit.»—BR.
Të pranosh autoritetin e njerkut apo njerkës për të të disiplinuar, është një mënyrë për të treguar se je ‘rritur në mënyrën tënde të të arsyetuarit’. Ai apo ajo plotëson detyrat e prindit të vërtetë dhe meriton respekt nga ana jote. (Proverbat 1:8; Efesianëve 6:1-4) Në kohët biblike, pas vdekjes së prindërve, Estera u rrit nga një baba i adoptuar, ose «kujdestar». Mardokeo, edhe pse nuk ishte ati i saj i vërtetë,‘i jepte urdhra’, të cilëve ajo u bindej sikur të ishte e rritur! (Estera 2:7, 15, 17, 20, BR) Vërtet, zakonisht disiplina e njerkut apo e njerkës është një shprehje e dashurisë dhe e kujdesit të tij apo të saj për ty.—Proverbat 13:24.
Megjithatë, do të ndodhë që me të drejtë të mbetesh ndonjëherë i pakënaqur. Nëse ndodh kështu, tregohu si ‘i rritur’, duke vepruar sipas nxitjes së Kolosianëve 3:13: «Vazhdoni të duroni njëri-tjetrin dhe të falni njëri-tjetrin lirisht, nëse njëri ka shkak për t’u ankuar kundër një tjetri.»—BR.
Mëso të ndash, mëso të bësh lëshime
Kur Xheni 15-vjeçare jetonte vetëm me të ëmën, ajo kishte dhomën e vet dhe veshje shumë të shtrenjta. Më pas, e ëma u martua përsëri. Xheni u gjend në një familje me katër fëmijë dhe gjërat ndryshuan. «Tani nuk kam më as dhomën time,—psherëtin ajo.—Më duhet që çdo gjë ta ndaj.»
Gjithashtu, mund të të duhet të heqësh dorë nga pozita jote si më i madhi apo fëmija i vetëm. Nëse je djalë, mund të kesh shërbyer për një kohë të gjatë si burri i shtëpisë, një pozitë që tani zihet nga njerku. Nëse je vajzë, ndoshta ti dhe mami keni qenë si motra dhe flinit në një dhomë, por tani vendin ta ka zënë njerku.
«Arsyetueshmëria juaj le të njihet nga të gjithë»,—këshillon Bibla. (Filipianëve 4:5, BR) Fjala origjinale e përdorur këtu do të thotë «i epshëm» dhe përçon frymën e dikujt që nuk ngul këmbë si mushka për të gjitha të drejtat ligjore të tij. Prandaj, përpiqu të hapësh rrugë, të bësh lëshime. Nxirr më të mirën nga situata jote e re dhe mos bluaj në mendje të kaluarën. (Eklisiastiu 7:10) Tregohu i gatshëm të ndash gjithçka me fëmijët e njerkut apo njerkës dhe mos i trajto si të huaj. (1. Timoteut 6:18) Sa më shpejt që të filloni ta trajtoni njëri-tjetrin si motra e vëllezër të vërtetë, aq më shpejt do të rriten ndjenjat për njëri-tjetrin. Dhe për sa i përket burrit të ri të shtëpisë, mos e merr inat. Të jesh i kënaqur që ai mund të ndihmojë në mbajtjen e barrës së përgjegjësive familjare.
Si të përballosh dallimet
Një vajzë, pasi pranoi se njerku tregonte dashuri, tha: «Por ka një ndryshim. Ai kërkon më shumë nga ne, na disiplinon më shumë dhe na kupton më pak . . . sesa fëmijët e vet në të njëjtën moshë. Pikërisht këtu vret samari.»
Mundohu të kuptosh se njerku apo njerka zakonisht nuk mund të ketë të njëjtat ndjenja kundrejt fëmijëve të bashkëshortit, ashtu si për fëmijët e vet. Nuk është shumë për shkak të lidhjeve të gjakut, sesa për përvojën e jetës që kanë kaluar bashkë. Në fund të fundit, edhe me fëmijët e vet, një prind mund të dojë njërin më shumë se tjetrin. (Zanafilla 37:3) Megjithatë, ka një ndryshim të rëndësishëm ndërmjet barazisë dhe së drejtës. Njerëzit kanë personalitete të veçanta dhe nevoja të ndryshme. Prandaj, mos u përqendro tepër mbi faktin se të trajtojnë në mënyrë të barabartë apo jo, por mundohu të shohësh nëse njerku apo njerka përpiqet për t’i plotësuar nevojat e tua. Nëse je i mendimit se ato nuk të janë plotësuar, atëherë ke shkak të bisedosh mbi çështjen me njerkun apo njerkën.
Mund të ndodhë, gjithashtu, që të grindesh me fëmijët e njerkut apo njerkës. Asnjëherë mos harro se edhe ata mund të jenë në një periudhë të vështirë, duke iu përshtatur situatës së re të familjes. Ndoshta edhe ata të kanë inat se ke hyrë në familjen e tyre. Prandaj, përpiqu sa të jetë e mundur të jesh i sjellshëm me ta. Nëse të rrinë hundëpërpjetë, përpiqu ‘ta mundësh të keqen me të mirën’! (Romakëve 12:21) Përveç kësaj, nuk është e pazakontë që edhe vëllezërit dhe motrat në gjak të përplasen herë pas here.—Shiko kapitullin 6.
Durimi shpërblehet!
«Më mirë fundi i një gjëje se fillimi i saj dhe më mirë ai që ka frymë të durueshme se ai që ka frymë krenare.» (Eklisiastiu 7:8) Normalisht, në familjet ku një prind është martuar përsëri, duhen vite që të zhvillohet një besim i tillë që anëtarët e familjes të ndihen si në shtëpinë e tyre edhe në lidhje me njëri-tjetrin. Vetëm atëherë zakonet dhe vlerat e ndryshme mund të rrjedhin në një rutinë të harmonishme. Prandaj, ki durim! Mos pretendo të të tregohet dashuri që të nesërmen apo që brenda një çasti të shfaqet një familje.
Kur nëna e Tonit u martua përsëri, për të mos thënë më shumë, ai e humbi fare. E ëma kishte katër fëmijë, kurse burri me të cilin ajo u martua kishte tre. «Kacafyteshim, grindeshim, zemëroheshim dhe kishim sforcime të tmerrshme emocionale»,—shkroi Toni. Ç’gjë solli sukses? «Duke zbatuar parimet biblike, gjërat u vunë në vend; jo gjithmonë në çast, por me kalimin e kohës dhe me zbatimin e fryteve të frymës së Perëndisë, situata më në fund qetësohej.»—Galatasve 5:22, 23.
Zbatimi i parimeve biblike në një familje me njerk apo njerkë, me të vërtetë ka sjellë sukses. Këtë e tregojnë edhe përvojat e të rinjve që janë intervistuar më poshtë:
Të rinj të kënaqur në familje me një njerk apo njerkë
Intervistuesi: Si arrije të mos zemëroheshe kur njerku apo njerka të disiplinonte?
Leonardi: Nëna dhe njerku gjithmonë ishin të një mendimi lidhur me disiplinën që duhet të më jepnin. Kur ndodhte diçka, ata të dy vendosnin bashkë, prandaj kur haja ndonjë shpullë, e dija se e kisha prej të dyve.
Linda: Në fillim ishte shumë e vështirë, sepse thosha: «Me ç’të drejtë më flet kështu?» Por më pas më binte në mendje se Bibla thoshte: ‘Nderoje nënën dhe babanë.’ Edhe pse nuk ishte babai im i vërtetë, në sytë e Perëndisë ishte i tillë.
Renato: E dija se do ta lëndoja thellë nënën, po të zemëroja njeriun që ajo donte.
Intervistuesi: Ç’gjë të ka ndihmuar për të pasur një komunikim të mirë?
Leonardi: Duhet të tregosh interes për atë që bën njerku apo njerka. Unë e ndihmoja në punë. Gjatë punës s’bënim gjë tjetër veç flisnim. Kjo gjë më ndihmoi të kuptoja çfarë mendonte. Herë të tjera, uleshim bashkë dhe flisnim për çfarë të na vinte në mendje.
Valentina: Unë dhe njerka kalonim shumë kohë së bashku. Në këtë mënyrë, fillova ta kuptoja me të vërtetë. U bëmë shoqet më të ngushta.
Renato: Babi më vdiq një vit para se mami të martohej përsëri. Nuk më pëlqente të isha i afërt me njerkun, sepse nuk doja që ai të zinte vendin e babit. Lutesha që Perëndia të më ndihmonte të përballoja vdekjen e babit dhe të afrohesha më shumë me njerkun. Lutesha e lutesha dhe Jehovai i dëgjoi me të vërtetë ato lutje.
Intervistuesi: Çfarë ke bërë për të qenë më i afërt?
Valentina: Shpeshherë, i kërkoja njerkës të shkonim në kinema ne të dyja, vetëm për vetëm. Ose kur isha jashtë, i bleja disa lule ose një vazo, diçka për t’i treguar se mendoja për të. Ajo e çmonte shumë këtë.
Eriku: Duhet kërkuar diçka e përbashkët mes të dyja palëve. E vetmja gjë e përbashkët që kisha me njerkun ishte fakti se ishte martuar me mamin dhe jetonim në një shtëpi. Ndihma më e madhe më erdhi kur fillova të kisha të njëjtin interes për Biblën si ai. Sa më shumë që i afrohesha Perëndisë, aq më shumë afrohesha me njerkun. Tani, me të vërtetë kemi diçka të përbashkët.
Intervistuesi: Si ke përfituar personalisht?
Renato: Kur jetoja vetëm me mamin, isha i pabindur dhe i llastuar. O të bëhej siç më pëlqente mua, o s’ka. Tani kam mësuar të kem parasysh të tjerët dhe të mos jem aq egoist.
Leonardi: Njerku më ndihmoi të arsyetoja si burrë. Më stërviti në disa zanate dhe më mësoi të vija duart në punë. Në momente të vështira kur kisha nevojë për dikë, ai më qëndronte pranë. Po, ai është babai më i mirë që dikush mund të ketë pasur ndonjëherë.
Pyetje për t’u trajtuar
◻ Si ndihen shumë të rinj, kur njëri nga prindërit martohet përsëri? Përse?
◻ Në ç’mënyrë shfaqja e dashurisë së krishterë e ndihmon një të ri të përballojë këtë fakt?
◻ A duhet t’i nënshtrohesh disiplinës së njerkut apo njerkës?
◻ Përse është e rëndësishme të bësh lëshime dhe të dish të ndash?
◻ A duhet të pretendosh trajtim të njëjtë me fëmijët e njerkut apo njerkës? Ç’mund të themi nëse mendon se trajtohesh padrejtësisht?
◻ Çfarë mund të bësh që të shkosh më mirë me njerkun apo me njerkën?
[Diçitura në faqen 45]
«Më dukej sikur e fejuara e babit po zinte vendin e mamit, prandaj sillesha shumë keq me të.»
[Figura në faqen 43]
Kur një prind martohet përsëri, shpesh ngjallen ndjenja zemërimi, pasigurie dhe xhelozie
[Figura në faqen 46]
Shpesh të mbetet qejfi kur njerku apo njerka të disiplinon