Të ruajmë frymën pozitive të kongregacionit
«Dashamirësia e pamerituar e Zotërisë Jezu Krisht qoftë me frymën që tregoni!»—FILIP. 4:23.
SI MUND TË NXITIM NJË FRYMË TË SHËNDETSHME NË KONGREGACION . . .
ndërsa shoqërohemi me vëllezërit?
me anë të zellit në shërbim?
duke raportuar keqbërjet e rënda?
1. Për çfarë u lavdëruan kongregacionet në Filipi dhe Tiatirë?
TË KRISHTERËT e shekullit të parë në Filipi ishin të varfër nga ana materiale. Megjithatë, ishin bujarë dhe tregonin shumë dashuri për bashkëbesimtarët. (Filip. 1:3-5, 9; 4:15, 16) Prandaj, apostulli Pavël, letrën e frymëzuar që u drejtoi, e mbylli me fjalët: «Dashamirësia e pamerituar e Zotërisë Jezu Krisht qoftë me frymën që tregoni!» (Filip. 4:23) Ngaqë një frymë të ngjashme shfaqën edhe të krishterët në Tiatirë, Jezu Krishti në pozitën e tij të lartësuar i tha atij kongregacioni: «I njoh veprat e tua, dashurinë, besimin, shërbimin dhe qëndrueshmërinë tënde, dhe e di që veprat e tua të fundit janë më shumë se të mëparshmet.»—Zbul. 2:19.
2. Ç’rol luajmë për të kultivuar frymën që shfaq kongregacioni ynë?
2 Po kështu edhe sot, çdo kongregacion i Dëshmitarëve të Jehovait shfaq një frymë ose qëndrim të caktuar. Disa kongregacione njihen në veçanti për frymën e ngrohtë e të dashur që shfaqin. Të tjera dallohen për zellin me të cilin mbështetin veprën e predikimit për Mbretërinë dhe për vlerësimin e lartë që tregojnë për shërbimin në kohë të plotë. Kur individualisht kultivojmë një frymë pozitive, i kontribuojmë unitetit të kongregacionit dhe përparimit të tij frymor në përgjithësi. (1 Kor. 1:10) Nga ana tjetër, po të kemi një frymë negative, mund t’i kontribuojmë përgjumjes frymore, një qëndrimi të vakët dhe madje tolerimit të keqbërjeve në kongregacion. (1 Kor. 5:1; Zbul. 3:15, 16) Ç’frymë ka kongregacioni yt? Si mund të ndihmosh ti vetë për të nxitur një frymë pozitive në kongregacion?
TË NXITIM NJË FRYMË POZITIVE
3, 4. Si mund ‘ta përlëvdojmë Jehovain në kongregacionin e madh’?
3 Psalmisti këndoi: «Unë do të të përlëvdoj [o Jehova] në kongregacionin e madh, do të të thur lavde mes shumë njerëzve.» (Psal. 35:18) Psalmisti nuk stepej t’i thurte lavde Jehovait kur ishte me shërbëtorë të tjerë të Tij. Mbledhjet e përjavshme të kongregacionit, përfshirë Studimin e Kullës së Rojës, janë mundësi të shkëlqyera për të treguar zellin dhe besimin me anë të komenteve. Të gjithë mund të pyesim veten: «A po përfitoj plotësisht nga privilegji për të komentuar në mbledhje? A përgatitem mirë për mbledhjet dhe a bëj komente domethënëse? Si kryefamiljar, a i ndihmoj fëmijët të përgatitin komente që më përpara dhe a i mësoj të përgjigjen me fjalët e veta?»
4 Psalmisti David e lidhi palëkundshmërinë e zemrës me të kënduarit. Ai tha: «Zemra ime është e palëkundur, o Perëndi, zemra ime është e palëkundur. Unë do të këndoj dhe do të luaj melodi.» (Psal. 57:7) Këngët që përdoren në mbledhjet e krishtere janë një mundësi e shkëlqyer ‘që të këndojmë dhe të luajmë melodi’ për Jehovain me një zemër të palëkundur. Nëse nuk i dimë mirë disa këngë, pse të mos i praktikojmë gjatë Adhurimit Familjar? Qofshim të vendosur ‘t’i këndojmë Jehovait gjithë jetën dhe të luajmë melodi për të sa të jemi gjallë’!—Psal. 104:33.
5, 6. Si mund t’u tregojmë mikpritje e bujari të tjerëve dhe ç’frymë ushqen kjo në kongregacion?
5 Gjithashtu, mund ta ushqejmë frymën e dashurisë në kongregacion duke u treguar mikpritje vëllezërve dhe motrave. Në kapitullin e fundit të Letrës drejtuar Hebrenjve, Pavli përfshin këtë nxitje: «Dashuria juaj vëllazërore le të vazhdojë. Mos harroni mikpritjen.» (Hebr. 13:1, 2) Një mënyrë e shkëlqyer se si mund të tregojmë mikpritje është duke u siguruar një vakt mbikëqyrësve udhëtues dhe grave të tyre ose shërbëtorëve të plotkohorë. Të mendojmë edhe për vejushat, familjet me një prind ose individët e tjerë që mund të nxjerrin dobi po t’i ftojmë herë pas here për një vakt ose gjatë adhurimit familjar.
6 Pavli i tha Timoteut t’i këshillonte të tjerët ‘të punonin për të mirën, të ishin të pasur në vepra të shkëlqyera, të ishin dorëgjerë, gati për të ndarë me të tjerët, që të vinin si thesar të sigurt një themel të shkëlqyer për të ardhmen, që të rroknin jetën e vërtetë’. (1 Tim. 6:17-19) Pavli po i nxiste bashkadhuruesit të kultivonin frymën e bujarisë. Edhe në kohë të vështira nga ana ekonomike, mund të nxitim frymën e bujarisë. Një mënyrë e shkëlqyer për këtë është t’u sigurojmë transportin për në shërbim dhe për në mbledhje atyre që kanë nevojë. Ç’të themi për ata që nxjerrin dobi nga këto vepra dashamirësie? Nxitin një frymë pozitive në kongregacion nëse tregojnë vlerësim, mbase duke ofruar sa munden për të mbuluar koston gjithnjë e më të lartë të karburantit. Për më tepër, po të kalojmë më shumë kohë me vëllezërit e motrat, do të ndiejnë se kemi nevojë për ta dhe i duam. Kur nuk i kursejmë veprat e mira «ndaj atyre që janë të lidhur me ne në besim» dhe kur jemi të gatshëm të ndajmë me ta kohën dhe gjërat tona, jo vetëm thellojmë dashurinë për ta, por edhe ndihmojmë të zhvillohet një frymë e ngrohtë dhe pozitive në kongregacion.—Gal. 6:10.
7. Si ndihmojmë që të ruhet një frymë e mirë në kongregacion duke mos i zbuluar gjërat personale të të tjerëve të thëna në mirëbesim?
7 Të shqyrtojmë edhe faktorë të tjerë që forcojnë lidhjen e dashurisë me bashkëbesimtarët: miqësia dhe mirëbesimi. (Lexo Proverbat 18:24.) Miqtë e vërtetë nuk i zbulojnë çështjet personale të thëna në mirëbesim. Kur vëllezërit na shprehin mendimet e ndjenjat më të thella dhe janë të sigurt se nuk do t’ia themi gjithkujt, lidhja e dashurisë që mund të ekzistojë tashmë, do të bëhet më e fortë. Le të nxitim në kongregacion një frymë dashurie si në një familje duke qenë miq të besueshëm që i ruajnë gjërat e thëna në mirëbesim!—Prov. 20:19.
TË JEMI TË ZELLSHËM NË SHËRBIM
8. Ç’këshillë morën laodiceasit dhe pse?
8 Jezui i tha kongregacionit në Laodice: «I njoh veprat e tua dhe e di që nuk je as i ftohtë, as i ngrohtë. Do të desha të ishe ose i ftohtë, ose i ngrohtë. Prandaj, meqë je i vakët, pra, as i ftohtë, as i ngrohtë, do të të vjell nga goja.» (Zbul. 3:15, 16) Laodiceasve u mungonte zelli për shërbimin e krishterë. Ndoshta ky qëndrim ndikonte edhe në marrëdhëniet mes tyre. Ja pse Jezui i këshilloi me dashuri: «Të gjithë ata që i kam për zemër, unë i qortoj dhe i disiplinoj. Prandaj, ji i zellshëm dhe pendohu.»—Zbul. 3:19.
9. Si ndikon te fryma e kongregacionit qëndrimi ynë ndaj shërbimit?
9 Që të nxitim një frymë pozitive e të shëndetshme në kongregacion, duhet t’i kushtojmë vëmendje zellit tonë për shërbimin. Një nga qëllimet pse ekziston kongregacioni është të kërkojmë në territor individët si dele dhe t’u mësojmë të vërtetën. Ndaj duhet të marrim pjesë me entuziazëm në veprën e bërjes së dishepujve, ashtu si Jezui. (Mat. 28:19, 20; Luka 4:43) Sa më të zellshëm të jemi në shërbim, aq më të bashkuar do të jemi si «bashkëpunëtorë të Perëndisë». (1 Kor. 3:9) Ndërsa i vërejmë të tjerët në shërbim tek mbrojnë besimin e tyre dhe shprehin çmueshmërinë për gjërat frymore, nxitemi t’i duam e t’i respektojmë më shumë. Gjithashtu, kur i shërbejmë Jehovait «sup më sup» duke predikuar, krijohet një frymë uniteti në kongregacion.—Lexo Sofoninë 3:9.
10. Ç’ndikim ka përmirësimi i cilësisë sonë të shërbimit te fryma e të tjerëve në kongregacion?
10 Edhe përpjekjet tona për të përmirësuar cilësinë e shërbimit ndikojnë mirë te të tjerët. Ndërsa tregojmë më shumë merak për njerëzit që takojmë dhe ndërsa përpiqemi të përmirësojmë efektshmërinë tonë për t’u prekur zemrën dëgjuesve, na rritet entuziazmi për shërbimin. (Mat. 9:36, 37) Entuziazmi zakonisht është ngjitës. Jezui i dërgoi dishepujt të predikonin jo tek e tek, por dy e nga dy. (Luka 10:1) Kjo jo vetëm u jepte zemër dhe i stërviste, por edhe ua shtonte zellin për shërbimin. A nuk e çmojmë predikimin me lajmëtarë të zellshëm të Mbretërisë? Fryma e tyre entuziaste na jep zemër e na nxit në veprën e predikimit.—Rom. 1:12.
TË RUHEMI NGA MURMURITJET E KEQBËRJET
11. Ç’frymë zhvilluan disa izraelitë në kohën e Moisiut dhe si ndikoi kjo tek ata?
11 Vetëm brenda disa javëve që ekzistonin si komb i ri, izraelitët zhvilluan një frymë pakënaqësie dhe murmuritjeje. Nga kjo u rebeluan kundër Jehovait dhe përfaqësuesve të tij. (Dal. 16:1, 2) Veç një numër i vogël i izraelitëve që dolën nga Egjipti u lejuan të hynin në Tokën e Premtuar. Madje, as Moisiu nuk u lejua të hynte në atë vend për shkak të mënyrës si reagoi ndaj frymës së keqe të kongregacionit të Izraelit. (Ligj. 32:48-52) Ç’mund të bëjmë sot që të mos biem pre e një fryme negative?
12. Si mund të ruhemi që të mos zhvillojmë një frymë ankese?
12 Duhet të ruhemi që të mos zhvillojmë frymën e murmuritjes. Megjithëse kultivimi i përulësisë dhe i respektit për autoritetin do të na ndihmojë, duhet të tregojmë kujdes me shoqëritë. Po të mos zgjedhim llojin e duhur të zbavitjes ose po të kalojmë shumë kohë me kolegët a shokët e shkollës që nuk i përfillin fare parimet e drejta, do të kemi pasoja. Tregohemi të mençur nëse shoqërohemi sa më pak të jetë e mundur me njerëz që janë negativë ose që nxitin një qëndrim të pavarur.—Prov. 13:20.
13. Çfarë dëmesh të tjera frymore mund të sjellë në kongregacion ndikimi korruptues i murmuritjeve?
13 Ndikimi korruptues i murmuritjeve mund të sjellë dëme të tjera frymore. Për shembull, murmuritjet mund të prishin paqen dhe unitetin e kongregacionit. Për më tepër, ankesat që shprehim kundër bashkëbesimtarëve, jo vetëm që mund t’u sjellin dhembje atyre, por mund të keqësohen e të kthehen në shpifje e sharje, që janë mëkate. (Lev. 19:16; 1 Kor. 5:11) Disa murmuritës në kongregacionin e shekullit të parë ‘shpërfillnin autoritetin sundues dhe shanin të lavdishmit’. (Jud. 8, 16) Këto murmuritje kundër burrave me përgjegjësi në kongregacion, sigurisht që nuk kishin miratimin e Perëndisë.
14, 15. (a) Si mund të ndikohet i tërë kongregacioni nëse lejohet të vazhdojë një keqbërje? (b) Ç’duhet të bëjmë nëse marrim vesh që dikush është përfshirë në një mëkat të fshehtë?
14 Po sikur të marrim vesh se dikush është përfshirë në një mëkat të fshehtë, ndoshta abuzon me alkoolin, sheh pornografi ose bën një jetë imorale? (Efes. 5:11, 12) Nëse bëjmë një sy qorr ndaj një keqbërjeje të rëndë, mund të pengojmë vërshimin e lirshëm të frymës së shenjtë të Jehovait dhe të kërcënojmë paqen e tërë kongregacionit. (Gal. 5:19-23) Ashtu si të krishterët e hershëm në Korint duhej të hiqnin ligësinë, edhe sot nuk duhet të lejojmë asnjë ndikim korruptues në kongregacion, që të ruhet fryma e tij e shëndetshme dhe pozitive. Ç’mund të bësh për t’i kontribuar paqes së kongregacionit?
15 Siç u përmend më parë, është e rëndësishme të mos zbulojmë gjëra të thëna në mirëbesim, sidomos kur të tjerët na shprehin ndjenjat dhe mendimet e tyre. Sa e gabuar dhe e dëmshme është të përhapim informacione konfidenciale për dikë! Megjithatë, kur kryhet një mëkat i rëndë, duhen vënë në dijeni ata që sipas Shkrimeve kanë detyrimin të merren me çështjen, pra pleqtë në kongregacion. (Lexo Levitikun 5:1.) Prandaj, nëse e dimë se një vëlla ose një motër ka kryer një keqbërje të tillë, duhet ta inkurajojmë të flasë me pleqtë e t’u kërkojë ndihmë. (Jak. 5:13-15) Por, në qoftë se ai ose ajo nuk e bën këtë brenda një periudhe kohe të arsyeshme, duhet t’ua raportojmë keqbërjen pleqve.
16. Si ndihmon raportimi i keqbërjeve të rënda që të ruhet fryma e kongregacionit?
16 Kongregacioni i krishterë është një parajsë frymore dhe duhet të bëjmë pjesën tonë për ta mbrojtur duke raportuar keqbërjet e rënda. Nëse pleqtë e sjellin në vete keqbërësin dhe ai pendohet dhe i pranon qortimin e ndreqjen, fryma e kongregacionit nuk është më në rrezik. Po sikur dikush që praktikon një mëkat të rëndë të mos pendohet dhe të mos i pranojë këshillat e dashura të pleqve? Me përjashtimin e tij nga kongregacioni ‘do të shkatërrohet’ ose do të hiqet ndikimi korruptues mes nesh dhe do të ruhet fryma e kongregacionit. (Lexo 1 Korintasve 5:5.) Po, që të ruhet fryma e kongregacionit, secili nga ne duhet të ndërmarrë veprimin e duhur, të bashkëpunojë me trupin e pleqve dhe të mbrojë mirëqenien e bashkëbesimtarëve.
TË NXITIM «NJËJËSINË E FRYMËS»
17, 18. Çfarë do të na ndihmojë ‘të ruajmë njëjësinë e frymës’?
17 Duke ‘iu kushtuar mësimit të apostujve’, dishepujt e hershëm të Jezuit ndihmuan të zhvillohej një frymë uniteti brenda kongregacionit. (Vep. 2:42) Ata i vlerësonin këshillat dhe drejtimin që u jepnin pleqtë me anë të Shkrimeve. Ngaqë pleqtë e sotëm bashkëpunojnë me klasën e skllavit të besueshëm e të matur, të gjithë në kongregacion nxiten dhe ndihmohen të qëndrojnë të bashkuar. (1 Kor. 1:10) Kur u bindemi udhëzimeve të bazuara në Bibël që na jep organizata e Jehovait dhe kur ndjekim drejtimin e pleqve, tregojmë se ‘po përpiqemi me zell që të ruajmë njëjësinë e frymës në lidhjen e paqes’.—Efes. 4:3.
18 Prandaj, me çdo kusht le të përpiqemi të ruajmë një frymë pozitive dhe të shëndetshme në kongregacion. Nëse bëjmë kështu, jemi të sigurt se ‘dashamirësia e pamerituar e Zotërisë Jezu Krisht do të jetë me frymën që tregojmë’.—Filip. 4:23.
[Figura në faqen 19]
A i kontribuon një fryme pozitive duke përgatitur komente domethënëse?
[Figura në faqen 20]
I kontribuojmë një fryme pozitive duke i mësuar mirë këngët tona