«Jeni blerë me një çmim»
«Jeni blerë me një çmim. Jepini, medoemos, lavdi Perëndisë.»—1 KORINTASVE 6:20.
1, 2. (a) Si duheshin trajtuar skllevërit izraelitë, sipas Ligjit të Moisiut? (b) Çfarë zgjedhjeje mund të bënte një skllav që e donte zotërinë e tij?
«NË BOTËN e lashtë, skllavëria ishte shumë e përhapur dhe e pranuar nga të gjithë»,—thuhet në Fjalorin biblik me ilustrime të Holmanit (anglisht). Pastaj, shtohet: «Ekonomia e Egjiptit, Greqisë dhe e Romës bazohej në punën e skllevërve. Në shekullin e parë të erës sonë, një në tre veta në Itali, dhe një në pesë veta në vende të tjera, ishte skllav.»
2 Ndonëse skllavëria ekzistonte edhe në Izraelin e lashtë, në Ligjin e Moisiut kishte rregulla për t’i mbrojtur skllevërit izraelitë. Për shembull, sipas Ligjit, një izraelit mund të shërbente si skllav jo më shumë se gjashtë vjet. Vitin e shtatë duhej ‘të shkonte i lirë, pa paguar asgjë’. Mirëpo, rregullat se si duheshin trajtuar skllevërit ishin kaq të drejta e të njerëzishme, saqë në Ligjin e Moisiut kishte edhe një masë tjetër: «Në qoftë se skllavi thotë haptazi: ‘Unë e dua zotërinë tim, gruan time dhe fëmijët e mi dhe nuk dua të shkoj i lirë’, atëherë pronari i tij do t’ia afrojë Perëndisë dhe do ta avitë te dera ose te shtalka; pastaj pronari do t’i shpojë veshin me një fëndyell; dhe ai do t’i shërbejë për gjithnjë.»—Eksodi (Dalja) 21:2-6; Levitiku 25:42, 43; Ligji i përtërirë 15:12-18.
3. (a) Ç’lloj skllavërie pranuan të krishterët e shekullit të parë? (b) Çfarë na shtyn t’i shërbejmë Perëndisë?
3 Kjo masë, sipas së cilës një skllav mund të bëhej i tillë vullnetarisht, tipizonte llojin e skllavërisë në të cilën janë të krishterët e vërtetë. Për shembull, disa shkrimtarë të Biblës, si Pavli, Jakovi, Pjetri dhe Juda e quajtën veten skllevër të Perëndisë dhe të Krishtit. (Titit 1:1; Jakovi 1:1; 2 Pjetrit 1:1; Juda 1) Pavli u kujtoi të krishterëve selanikas se ishin ‘kthyer nga idhujt e tyre te Perëndia, për të shërbyer si skllevër të një Perëndie të gjallë e të vërtetë’. (1 Selanikasve 1:9) Çfarë i shtyu këta të krishterë që, vullnetarisht, të bëheshin skllevër të Perëndisë? Po ta mendojmë, çfarë e shtynte skllavin izraelit të hiqte dorë nga liria e tij? A nuk ishte dashuria për zotërinë e tij? Pra, është dashuria për Perëndinë që i shtyn të krishterët t’i shërbejnë atij si skllevër. Kur e njohim dhe fillojmë ta duam Perëndinë e vërtetë e të gjallë, ndihemi të nxitur t’i shërbejmë «me gjithë zemër e me gjithë shpirt». (Ligji i përtërirë 10:12, 13) Por, çfarë përfshin të bëhemi skllevër të Perëndisë e të Krishtit? Si ndikon kjo në jetën tonë të përditshme?
«Gjithçka bëjeni për lavdi të Perëndisë»
4. Si bëhemi skllevër të Perëndisë dhe të Krishtit?
4 Skllavi përkufizohet si «njeri që është pronë e plotë e një pronari, që u nënshtrohet dëshirave dhe vullnetit të dikujt». Kur ia kushtojmë jetën Jehovait dhe pagëzohemi, bëhemi ligjërisht pronë e plotë e tij. «Ju nuk i përkitni vetes suaj, pasi jeni blerë me një çmim»,—shpjegon apostulli Pavël. (1 Korintasve 6:19, 20) Natyrisht, ky çmim me të cilin jemi blerë është flijimi shpërblyes i Jezu Krishtit, sepse në bazë të këtij flijimi Perëndia na pranon si shërbëtorë të tij, qofshim të krishterë të mirosur ose shokët e tyre me shpresë tokësore. (Efesianëve 1:7; 2:13; Zbulesa 5:9) Pra, që nga çasti i pagëzimit, «i përkasim Jehovait». (Romakëve 14:8) Meqë jemi blerë me gjakun e çmuar të Jezu Krishtit, bëhemi edhe skllevër të tij, dhe jemi nën detyrimin që të zbatojmë urdhërimet e tij.—1 Pjetrit 1:18, 19.
5. Cili është detyrimi ynë kryesor si skllevër të Jehovait. Si mund ta përmbushim këtë detyrim?
5 Skllevërit duhet t’i binden zotërisë së tyre. Ne i shërbejmë vullnetarisht si skllevër Zotërisë, ngaqë kemi dashuri për të. Te 1 Gjonit 5:3 thuhet: «Kjo do të thotë dashuri për Perëndinë: të zbatojmë urdhërimet e tij; dhe megjithatë urdhërimet e tij nuk janë të rënda.» Pra, për ne, bindja është provë e dashurisë që kemi, si edhe e nënshtrimit. Kjo bindje është e dukshme në çdo gjë që bëjmë. Pavli tha: «Nëse jeni duke ngrënë ose duke pirë, apo nëse jeni duke bërë diçka tjetër, gjithçka bëjeni për lavdi të Perëndisë.» (1 Korintasve 10:31) Në jetën tonë të përditshme, edhe në gjëra të vogla, duam të tregojmë se ‘i shërbejmë Jehovait si skllevër’.—Romakëve 12:11.
6. Si ndikon në vendimet që marrim në jetë fakti që jemi skllevër të Perëndisë? Ilustrojeni me një përvojë.
6 Për shembull, kur marrim vendime, duhet të tregojmë kujdes që të mbajmë parasysh vullnetin e Zotërisë tonë në qiell, Jehovait. (Malakia 1:6) Vendimet e vështira mund të na vënë në provë bindjen ndaj Perëndisë. Në të tilla raste, a do t’ia vëmë veshin këshillave të tij, në vend që të ndjekim prirjet e zemrës sonë «tradhtare» dhe ‘të rrezikshme’? (Jeremia 17:9, BR) Melisa, një e krishterë beqare, s’kishte shumë kohë që ishte pagëzuar, kur një djalë filloi të interesohej për të. Ai dukej njeri i mirë, dhe tashmë po studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Gjithsesi, një plak foli me Melisën dhe i tregoi se sa e mençur është të ndiqet urdhri i Jehovait për t’u martuar «vetëm në Zotërinë». (1 Korintasve 7:39; 2 Korintasve 6:14) «S’e pata të lehtë ta zbatoja këtë këshillë.—pranon Melisa.—Por arsyetova se, meqë i isha kushtuar Perëndisë për të bërë vullnetin e tij, do t’u bindesha udhëzimeve të tij të qarta.» Tani, duke menduar për atë që ndodhi, ajo thotë: «Sa e lumtur jam që e ndoqa atë këshillë! S’kaloi shumë kohë dhe ai djalë e ndërpreu studimin. Sikur ta kisha vazhduar atë lidhje, tani do të isha e martuar me një jobesimtar.»
7, 8. (a) Pse s’duhet të jemi tepër në merak për t’u pëlqyer njerëzve? (b) Ilustroni se si mund të kapërcehet frika nga njeriu.
7 Meqë jemi skllevër të Perëndisë, s’duhet të bëhemi skllevër të njerëzve. (1 Korintasve 7:23) Vërtet, askush nga ne nuk do të donte që të tjerët të mos e pëlqenin, por s’duhet të harrojmë se të krishterët kanë norma të ndryshme nga bota. Pavli pyeti: «[A] po kërkoj t’u pëlqej njerëzve?» Përfundimi që nxori ishte: «Po t’u pëlqeja ende njerëzve, nuk do të isha skllav i Krishtit.» (Galatasve 1:10) Thjesht, ne nuk mund të dorëzohemi para presionit të moshatarëve për t’u pëlqyer njerëzve. Atëherë, ç’të bëjmë kur jemi përballë presionit për të vepruar si të tjerët?
8 Të shqyrtojmë shembullin e Elenës, një vajze të krishterë nga Spanja. Në klasën e saj, disa nxënës dhuronin gjak. Ata e dinin se Elena, si Dëshmitare e Jehovait, nuk do të dhuronte kurrë gjak dhe as nuk do të pranonte transfuzione gjaku. Kur iu krijua mundësia për të shpjeguar pikëpamjet e saj para klasës, Elena doli vullnetare që të bënte një prezantim. «Sinqerisht, isha shumë nervoze për këtë,—shpjegon Elena.—Por, u përgatita mirë, dhe rezultatet ishin të mrekullueshme. Fitova respektin e shumë shokëve dhe shoqeve të klasës, kurse mësuesi më tha se e admironte veprën që po kryeja. Por mbi të gjitha, u ndjeva e kënaqur që kisha mbrojtur emrin e Jehovait dhe kisha arritur të shpjegoja qartë arsyet për pikëpamjet e mia biblike.» (Zanafilla 9:3, 4; Veprat 15:28, 29) Po, si skllevër të Perëndisë e të Krishtit, ne dallohemi si të ndryshëm nga të tjerët. Megjithatë, në shumë raste do të fitojmë respektin e njerëzve, në qoftë se jemi të përgatitur për t’i mbrojtur me respekt bindjet tona.—1 Pjetrit 3:15.
9. Çfarë mësojmë nga fjalët e engjëllit që iu shfaq apostullit Gjon?
9 Kur mbajmë në mendje se jemi skllevër të Perëndisë, kjo na ndihmon për të qenë gjithnjë të përulur. Në një rast, apostulli Gjon u mahnit kaq shumë nga një vegim madhështor i Jerusalemit qiellor, saqë ra përmbys për të adhuruar engjëllin që kishte shërbyer si zëdhënës i Perëndisë. Por engjëlli i tha: «Kujdes! Mos e bëj! Unë s’jam gjë tjetër, veçse një shok skllavërie me ty dhe me vëllezërit e tu që janë profetë, si dhe me ata që po zbatojnë fjalët e kësaj rrotulle. Perëndinë adhuro.» (Zbulesa 22:8, 9) Sa shembull të shkëlqyer la ky engjëll për të gjithë skllevërit e Perëndisë! Vërtet që disa të krishterë mund të kenë pozita të veçanta përgjegjësie në kongregacion. Por, Jezui tha: «Kushdo që dëshiron të bëhet i madh mes jush, duhet të jetë shërbëtori juaj dhe kushdo që dëshiron të jetë i pari mes jush, duhet të jetë skllavi juaj.» (Mateu 20:26, 27) Si ithtarë të Jezuit, që të gjithë jemi skllevër.
«Ajo që kemi bërë, është ajo që duhej të kishim bërë»
10. Jepni shembuj nga Bibla që tregojnë se edhe shërbëtorët besnikë të Perëndisë nuk e kishin gjithnjë të lehtë të bënin vullnetin e tij.
10 Njerëzit e papërsosur s’e kanë gjithnjë të lehtë të bëjnë vullnetin e Perëndisë. Kur Jehovai i kërkoi Moisiut të shkonte dhe të çlironte bijtë e Izraelit nga skllavëria egjiptiane, profeti ngurroi t’i bindej. (Eksodi 3:10, 11; 4:1, 10) Kur mori caktimin që të shpallte mesazhin e gjykimit për popullin e Ninevisë, Jonai «u ngrit për të ikur në Tarshish, larg pranisë së Zotit». (Jonai 1:2, 3) Baruku, sekretari dhe shkruesi i profetit Jeremia, u ankua se ishte i lodhur e i mërzitur. (Jeremia 45:2, 3) Po ne ç’duhet të bëjmë kur dëshirat ose parapëlqimet tona janë në kundërshtim me vullnetin e Perëndisë? Një ilustrim që dha Jezui, na jep përgjigje.
11, 12. (a) Tregoni me pak fjalë ilustrimin e Jezuit që gjejmë te Luka 17:7-10. (b) Ç’mësim nxjerrim nga ilustrimi i Jezuit?
11 Jezui tregoi për një skllav, i cili kishte gjithë ditën që kujdesej në ara për kopetë e pronarit. Kur skllavi mbërriti në shtëpi, pas 12 orësh pune të rëndë, pronari nuk e ftoi të ulej me të dhe të hanin darkë së bashku. Përkundrazi, i tha skllavit: «Më përgatit diçka që të ha darkë, vër përparësen dhe më shërbe derisa të kem mbaruar së ngrëni e së piri dhe pastaj mund të hash e të pish ti.» Vetëm pasi t’i kishte shërbyer zotërisë, skllavi mund të mendonte për nevojat e veta. Jezui e përfundoi ilustrimin me fjalët: «Kështu edhe ju, kur t’i keni bërë të gjitha gjërat e caktuara, thoni: ‘Jemi skllevër që s’vlejnë për asgjë. Ajo që kemi bërë, është ajo që duhej të kishim bërë.’»—Luka 17:7-10.
12 Me këtë ilustrim, Jezui s’donte të tregonte se Jehovai nuk e vlerëson atë që bëjmë në shërbim të tij. Bibla thotë qartë: «Perëndia nuk është i padrejtë, që të harrojë veprën tuaj dhe dashurinë që treguat për emrin e tij.» (Hebrenjve 6:10) Pika që donte të theksonte Jezui në këtë shëmbëlltyrë është se një skllav nuk mund të bëjë si t’i dojë qejfi ose të përqendrohet në rehatinë vetjake. Kur iu kushtuam Perëndisë dhe vendosëm të ishim skllevër të tij, pranuam që të vinim në radhë të parë vullnetin e tij, jo dëshirat tona. Duhet t’ia nënshtrojmë vullnetin tonë vullnetit të Perëndisë.
13, 14. (a) Në cilat rrethana mund të na duhet të shkojmë kundër prirjeve tona? (b) Pse duhet të lëmë që të fitojë vullneti i Perëndisë?
13 Mund të na duhen shumë përpjekje për ta studiuar rregullisht Fjalën e Perëndisë dhe botimet e ‘skllavit të besueshëm e të matur’. (Mateu 24:45) Këtu bëhet fjalë sidomos kur e kemi pasur gjithnjë të vështirë leximin ose kur në një botim mund të trajtohen «gjërat e thella të Perëndisë». (1 Korintasve 2:10) Megjithatë, është e domosdoshme të programojmë kohë për të bërë studimin personal. Ndoshta do të na duhet ta disiplinojmë veten që të ulemi dhe ta studiojmë me nge materialin e studimit. Por, nëse nuk veprojmë kështu, si do të arrijmë të zhvillojmë dëshirën për ‘ushqimin e fortë që u përket njerëzve të pjekur’?—Hebrenjve 5:14.
14 Nganjëherë vijmë në shtëpi të lodhur, pasi kemi punuar gjithë ditën e ditës. Në raste të tilla, ndoshta do të na duhet ta detyrojmë veten për të shkuar në mbledhjet e krishtere. Ose mund të mos na vijë natyrshëm t’u predikojmë të panjohurve. Edhe vetë Pavli e pranoi se mund të ketë raste kur lajmin e mirë e shpallim ‘kundër vullnetit tonë’. (1 Korintasve 9:17) Megjithatë, këto gjëra i bëjmë sepse Jehovai, Zotëria ynë në qiell, të cilin e duam, na thotë se duhet të veprojmë kështu. Dhe, a nuk ndihemi gjithnjë të kënaqur e të freskuar pasi kemi bërë përpjekje për të studiuar, për të ndjekur mbledhjet dhe për të predikuar?!—Psalmi 1:1, 2; 122:1; 145:10-13.
Mos shikoni «gjërat që janë prapa»
15. Çfarë shembulli la Jezui për sa i përket nënshtrimit ndaj Perëndisë?
15 Jezu Krishti e tregoi nënshtrimin ndaj Atit të tij qiellor në mënyrë të përkryer. «Kam zbritur nga qielli, jo për të bërë vullnetin tim, por vullnetin e atij që më dërgoi»,—iu tha ai dishepujve. (Gjoni 6:38) Kur ishte në ankth, në kopshtin e Getsemanisë, ai u lut: «Ati im, nëse është e mundur, le të kalojë prej meje kjo kupë. Megjithatë, jo si dëshiroj unë, por si dëshiron ti.»—Mateu 26:39.
16, 17. (a) Si duhet t’i shohim gjërat që kemi lënë prapa? (b) Tregoni pse Pavli ishte realist kur i quajti mundësitë që i ofronte bota si «shumë plehra».
16 Jezu Krishti dëshiron që t’i qëndrojmë besnikë vendimit tonë për të qenë skllevër të Perëndisë. Ai tha: «Asnjë njeri që ka vënë dorën në parmendë dhe shikon gjërat që janë prapa, nuk është i përshtatshëm për mbretërinë e Perëndisë.» (Luka 9:62) Të rrimë e të bluajmë në mendje atë që kemi lënë prapa, nuk është aspak e përshtatshme për ne si skllevër të Perëndisë. Në vend të kësaj, duhet ta ruajmë si thesar atë që kemi fituar duke zgjedhur të jemi skllevër të Perëndisë. Pavli u shkroi filipianëve: «E konsideroj çdo gjë si një humbje për shkak të vlerës së pashoqe të njohurisë së Krishtit Jezu, Zotërisë tim. Për shkak të tij kam pranuar humbjen e çdo gjëje dhe i konsideroj ato si shumë plehra, që të fitoj Krishtin.»—Filipianëve 3:8.
17 Të mendojmë për gjërat që Pavli i konsideronte si shumë plehra dhe i braktisi për të marrë shpërblimet frymore si skllav i Perëndisë. Ai hoqi dorë jo vetëm nga rehatitë që i ofronte bota, por edhe nga mundësia për t’u bërë një udhëheqës i ardhshëm i judaizmit. Sikur Pavli të kishte vazhduar të ndiqte judaizmin, fare mirë mund të ishte ngritur në një pozitë të ngjashme me Simeonin, birin e Gamalielit, mësuesit të tij. (Veprat 22:3; Galatasve 1:14) Simeoni u bë udhëheqës i farisenjve dhe luajti një rol të rëndësishëm (ndonëse me disa rezerva nga ana e tij), në rebelimin judaik kundër Romës, në vitet 66-70 të e.s. Vdiq në këtë konflikt ose nga ekstremistët judenj, ose nga ushtria romake.
18. Jepni një shembull që tregon se si mund të sjellin shpërblime arritjet frymore.
18 Shumë Dëshmitarë të Jehovait kanë ndjekur shembullin e Pavlit. Xhini thotë: «Pak vjet pasi mbarova shkollën, zura punë si sekretare te një avokat i famshëm në Londër. Më pëlqente puna që bëja dhe fitoja mirë, por thellë në zemër e dija se mund të jepja më shumë në shërbim të Jehovait. Si përfundim, dhashë dorëheqjen dhe fillova shërbimin si pioniere. Jam shumë e lumtur që, rreth 20 vjet më parë, mora këtë vendim! Shërbimi në kohë të plotë ma ka pasuruar jetën shumë më tepër se ç’do ta bënte puna si sekretare. Asgjë s’mund të të japë më shumë kënaqësi sesa të shohësh si mund t’ia ndryshojë jetën një njeriu Fjala e Jehovait. Është një privilegj i mrekullueshëm të kemi një pjesë në këtë vepër. Ajo që i japim Jehovait s’është asgjë në krahasim me atë që marrim prej tij.»
19. Për çfarë duhet të jemi të vendosur dhe përse?
19 Me kalimin e kohës, rrethanat tona mund të ndryshojnë. Por, kushtimi që i kemi bërë Perëndisë mbetet i njëjti. Jemi ende skllevër të Jehovait dhe ai na lejon të vendosim se si ta përdorim sa më mirë kohën, energjitë, talentet dhe gjërat e tjera me vlerë që kemi. Prandaj, vendimet që marrim në këtë drejtim, mund të tregojnë sa e duam Perëndinë. Ato tregojnë edhe deri në ç’pikë jemi gati të bëjmë disa sakrifica personale. (Mateu 6:33) A nuk duhet të jemi të vendosur që t’i japim më të mirën Jehovait, pavarësisht nga rrethanat tona? Pavli shkroi: «Nëse ekziston së pari gatishmëria, kjo është veçanërisht e pranueshme sipas asaj që një njeri ka, jo sipas asaj që nuk ka.»—2 Korintasve 8:12.
‘E keni frytin tuaj’
20, 21. (a) Çfarë fryti japin skllevërit e Perëndisë? (b) Si i shpërblen Jehovai ata që i japin më të mirën?
20 Të jesh skllav i Perëndisë nuk është diçka shtypëse. Përkundrazi, na lehtëson nga një formë skllavërie që është vërtet shtypëse dhe që na heq lumturinë. «Ngaqë u liruat nga mëkati, por u bëtë skllevër të Perëndisë, frytin tuaj e keni në udhën e shenjtërisë, dhe fundi: jeta e përhershme»,—shkroi Pavli. (Romakëve 6:22) Shërbimi që i bëjmë Perëndisë si skllevër, jep fryt në udhën e shenjtërisë në kuptimin që kemi dobi kur mbajmë një sjellje të shenjtë ose të pastër morale. Për më tepër, do të na çojë në jetën e përhershme në të ardhmen.
21 Jehovai është bujar me ata që i shërbejnë si skllevër. Kur i japim më të mirën në shërbim, ai hap për ne «pragjet e qiellit» dhe na jep ‘aq shumë bekim, sa nuk kemi vend të mjaftueshëm ku ta shtijmë’. (Malakia 3:10) Sa kënaqësi do të jetë të vazhdojmë të shërbejmë si skllevër të Jehovait për gjithë përjetësinë!
A ju kujtohet?
• Pse bëhemi skllevër të Perëndisë?
• Si tregojmë nënshtrim ndaj vullnetit të Perëndisë?
• Pse duhet të jemi të përgatitur që të vëmë vullnetin e Jehovait para vullnetit tonë?
• Pse nuk duhet ‘të shohim gjërat që janë prapa’?
[Figura në faqet 16, 17]
Skllavëria e vullnetshme në Izrael tipizonte skllavërinë e krishterë
[Figura në faqen 17]
Bëhemi skllevër të Perëndisë kur pagëzohemi
[Figurat në faqen 17]
Të krishterët vënë në vend të parë vullnetin e Perëndisë
[Figura në faqen 18]
Moisiu ngurroi ta pranonte caktimin e tij