Jini butësisht të dhembshur!
«Vishuni me dashuri të butë dhembshurie, mirësie.»—KOLOSIANËVE 3:12, BR.
1. Përse sot ka shumë nevojë për dhembshuri?
KURRË më parë në histori njerëzit nuk kanë pasur kaq shumë nevojë për ndihmë të dhembshur. Përballë sëmundjes, urisë, papunësisë, krimeve, luftërave, anarkisë dhe katastrofave natyrore miliona njerëz kanë nevojë për ndihmë. Por ka një problem akoma më serioz, që është gjendja e dëshpëruar frymore e njerëzimit. Satanai, që e di se i ka mbetur shumë pak kohë, «mashtron gjithë dheun». (Zbulesa 12:9, 12) Prandaj, veçanërisht ata që janë jashtë kongregacionit të vërtetë të krishterë rrezikojnë të humbin jetën dhe Bibla përjashton çdo shpresë ringjalljeje për ata që ekzekutohen në ditën e afërt të gjykimit nga Perëndia.—Mateu 25:31-33, 41, 46; 2. Selanikasve 1:6-9.
2. Përse Jehovai përmbahet nga shkatërrimi i të ligjve?
2 Megjithatë, deri në këtë orë të fundit, Perëndia Jehova vazhdon të tregojë durim dhe dhembshuri ndaj mosmirënjohësve dhe të ligjve. (Mateu 5:45; Luka 6:35, 36) E bën këtë për të njëjtën arsye që vonoi edhe ndëshkimin e kombit jobesnik të Izraelit. «Ashtu siç është e vërtetë që unë rroj,—thotë Zoti, Zoti,—unë nuk kënaqem me vdekjen e të pabesit, por që i pabesi të ndryshojë rrugën e tij dhe të jetojë; konvertohuni, konvertohuni nga rrugët tuaja të këqija. Pse vallë duhet të vdisni, o shtëpi e Izraelit?»—Ezekieli 33:11.
3. Çfarë shembulli kemi se Jehovai tregon dhembshuri edhe për ata që nuk bëjnë pjesë në popullin e tij dhe çfarë mësojmë nga kjo?
3 Dhembshuria e Jehovait u shpalos edhe ndaj ninevitëve të ligj. Jehovai dërgoi profetin e tij, Jonain, që t’i paralajmëronte ata për shkatërrimin që u kanosej. Ata reaguan pozitivisht ndaj predikimit të Jonës dhe u penduan. Kjo gjë e nxiti Perëndinë e dhembshur, Jehovain, që të mos e shkatërronte qytetin në atë kohë. (Jonai 3:10; 4:11) Kur Perëndia ndjeu keqardhje për ninevitët, që e kishin mundësinë për t’u ringjallur, sa më shumë keqardhje do të ndiejë për njerëzit që sot përballojnë një shkatërrim të përhershëm!—Luka 11:32.
Një vepër e pakrahasueshme dhembshurie
4. Si po tregon Jehovai dhembshuri për njerëzit sot?
4 Duke qenë i dhembshur, Jehovai u ka dhënë Dëshmitarëve të tij detyrën që të vazhdojnë të vizitojnë të afërmit e tyre me «lajmin e mirë të Mbretërisë». (Mateu 24:14, BR) Kur njerëzit i përgjigjen me çmueshmëri kësaj vepre jetëshpëtuese, Jehovai u hap zemrën për të rrokur mesazhin e Mbretërisë. (Mateu 11:25; Veprat 16:14) Duke imituar Perëndinë e tyre, të krishterët e vërtetë tregojnë dhembshuri të butë, duke u kthyer për të rivizituar të interesuarit, duke i ndihmuar ata kur është e mundur me anë të studimit biblik. Kështu, në vitin 1993, më shumë se katër milionë e gjysmë Dëshmitarë të Jehovait në 231 vende, harxhuan më shumë se një miliardë orë në predikimin nga shtëpia në shtëpi dhe në studimin e Biblës me fqinjët e tyre. Nga ana e tyre, këta të interesuar të rinj kanë mundësinë për t’ia dedikuar jetën e tyre Jehovait dhe për t’u bashkuar me radhët e Dëshmitarëve të tij të pagëzuar. Kështu, edhe ata marrin përgjegjësinë për të kryer këtë vepër të pakrahasueshme dhembshurie ndaj dishepujve të mundshëm që janë akoma robër të kësaj bote që vlon nën pushtetin e Satanait.—Mateu 28:19, 20; Gjoni 14:12.
5. Kur dhembshuria hyjnore të arrijë kulmin, çfarë do të ndodhë me fetë që e kanë përfaqësuar në mënyrë të padenjë Perëndinë?
5 Së shpejti Jehovai do të veprojë si «një luftëtar». (Të Dalët 15:3) Nga dhembshuria për emrin dhe popullin e tij, ai do të shfarosë ligësinë dhe do të vendosë një botë të re e të drejtë. (2. Pjetrit 3:13) Të parat që do të përjetojnë ditën e zemërimit të Perëndisë do të jenë kishat e të ashtuquajturit krishterim. Ashtu siç nuk kurseu tempullin e vet në Jeruzalem nga dora e mbretit të Babilonisë, kështu Perëndia nuk do të kursejë organizatat fetare që nuk e kanë përfaqësuar denjësisht atë. Perëndia do të fusë në zemrat e anëtarëve të Kombeve të Bashkuara shkatërrimin e të ashtuquajturit krishterim dhe të të gjitha formave të tjera të fesë së rreme. (Zbulesa 17:16, 17) Jehovai deklaron: «Prandaj edhe syrit tim nuk do t’i vijë keq dhe nuk do të kem aspak mëshirë, por do të bëj që t’u bjerë mbi kokë sjellja e tyre.»—Ezekieli 9:5, 10.
6. Në cilat mënyra janë të nxitur Dëshmitarët e Jehovait për të treguar dhembshuri?
6 Meqenëse ka akoma kohë, Dëshmitarët e Jehovait vazhdojnë të tregojnë dhembshuri për të afërmit e tyre, duke predikuar me zell mesazhin e Perëndisë për shpëtim. Dhe natyrisht, aty ku është e mundur, ata edhe i ndihmojnë njerëzit që kanë nevoja materiale. Megjithatë, në lidhje me këtë, përgjegjësia e parë e tyre është të kujdesen për nevojat e anëtarëve të afërt të familjes dhe të atyre që lidhen me ta me anë të besimit. (Galatasve 6:10; 1. Timoteut 5:4, 8) Shumë misione për përkrahje materiale nga Dëshmitarët e Jehovait për shokët e tyre të krishterë që kanë vuajtur katastrofa të ndryshme, kanë qenë shembuj të dukshëm dhembshurie. Megjithatë, të krishterët nuk kanë pse të presin një krizë për të treguar dhembshuri të butë. Ata e shfaqin me gatishmëri këtë cilësi në trajtimin e çështjeve të jetës së përditshme.
Pjesë e personalitetit të ri
7. (a) Në Kolosianëve 3:8-13, si lidhet dhembshuria me personalitetin e ri? (b) Duke pasur dashuri të butë, çfarë do të jetë më e lehtë për të krishterët?
7 Është e vërtetë se natyra jonë mëkatare dhe ndikimi i keq i botës së Satanait na pengojnë për të treguar dhembshuri të butë. Ja, përse Bibla na nxit që të largojmë «zemërimin, inatin, ligësinë, sharjet dhe të folurin e pahijshëm». Në vend të kësaj, na këshillohet të ‘veshim personalitetin e ri’—një personalitet që i përshtatet shëmbëlltyrës së Perëndisë. Para së gjithash, na urdhërohet të vishemi «me dashuri të butë dhembshurie, mirësie, përulësie të mendjes, butësie dhe dashamirësie». Kështu, Bibla na tregon një mënyrë praktike për t’i shfaqur këto cilësi. «Vazhdoni të duroni njëri-tjetrin dhe të falni njëri-tjetrin lirisht, nëse dikush ka shkak për t’u ankuar kundër një tjetri. Ashtu si Jehovai ju fali lirisht, kështu bëni edhe ju.» Është shumë më e lehtë të falim, nëse kultivojmë ‘dashurinë e butë të dhembshurisë’ për vëllezërit tanë.—Kolosianëve 3:8-13, BR.
8. Përse është e rëndësishme të kemi një frymë faljeje?
8 Nga ana tjetër, nëse nuk falim me dhembshuri, rrezikojmë marrëdhënien tonë me Jehovain. Kjo gjë u tregua fuqishëm nga Jezui në ilustrimin e tij për skllavin që nuk fali dhe u fut në burg nga pronari i vet «deri sa të paguante gjithë detyrimin». Skllavi e meritonte këtë ndëshkim, sepse nga marrëzia ai dështoi në shfaqjen e dhembshurisë ndaj shokut të tij të skllavërisë, i cili i lutej për mëshirë. Jezui e përfundoi ilustrimin duke thënë: «Kështu do të veprojë me ju edhe Ati im qiellor, në qoftë se secili prej jush nuk e fal me gjithë zemër vëllanë e vet për fajet e tij.»—Mateu 18:34, 35.
9. Si lidhet dhembshuria e butë me aspektin më të rëndësishëm të personalitetit të ri?
9 Dhembshuria e butë është një aspekt i rëndësishëm i dashurisë, e cila është shenja dalluese e krishterimit të vërtetë. (Gjoni 13:35) Prandaj, përshkrimi i Biblës për personalitetin e ri, përfundon kështu: «Përmbi të gjitha këto gjëra, vishni dashurinë, që është lidhja e përsosmërisë.»—Kolosianëve 3:14.
Zilia—Një pengesë për dhembshurinë
10. (a) Ç’gjë mund të shkaktojë që xhelozia të zërë rrënjë në zemrat tona? (b) Cilat rezultate të këqija mund të vijnë nga xhelozia?
10 Për shkak të natyrës sonë mëkatare si njerëz, zilia mund të hedhë rrënjë lehtë në zemrat tona. Një vëlla apo një motër mund të bekohen me aftësi natyrore ose me përparësi materiale që ne nuk i kemi. Ose ndoshta dikush ka marrë bekime dhe privilegje të veçanta frymore. Nëse kemi zili për ta, a do të mund t’i trajtojmë me dhembshuri të butë? Ndoshta jo. Përkundrazi, xhelozia mund të shfaqet me kritika apo veprime të pahijshme, sepse Jezui tha: «Goja e njërit flet nga mbushullia e zemrës.» (Luka 6:45) Kritika të tilla mund t’i mbështesin edhe të tjerët. Kështu, paqja në familje apo në kongregacionin e popullit të Perëndisë mund të përçahet.
11. Në ç’mënyrë dhjetë vëllezërit e Jozefit nuk lanë vend për dhembshuri në zemrat e tyre dhe me çfarë rezultati?
11 Shiko se çfarë ndodhi në një familje të madhe. Dhjetë bijtë më të mëdhenj të Jakobit kishin xhelozi për vëllain më të vogël, Jozefin, sepse ai ishte më i preferuari i babait të tyre. Si rezultat, «nuk mund t’i flisnin në mënyrë miqësore». Më vonë, Jozefi u bekua me ëndrra hyjnore, duke treguar se kishte favorin e Jehovait. Kjo u dha arsye vëllezërve të Jozefit ‘për ta urryer edhe më tepër’. Për shkak se ata nuk e çrrënjosën xhelozinë nga zemra e tyre, ajo nuk la më vend për dhembshurinë, gjë që i çoi në mëkat serioz.—Zanafilla 37:4, 5, 11.
12, 13. Çfarë duhet të bëjmë kur xhelozia na hyn në zemër?
12 U treguan kaq mizorë, sa e shitën Jozefin në skllavëri. Në përpjekje për ta fshehur gabimin e tyre, ata e mashtruan të atin që të besonte se Jozefi ishte vrarë nga një kafshë e egër. Mëkati i tyre u zbulua vite më vonë, kur ata u detyruan nga uria të shkonin në Egjipt për të blerë ushqim. Administratori i ushqimit, të cilin ata nuk e njohën se ishte Jozefi, i akuzoi ata si spiunë dhe u tha të mos kërkonin përsëri ndihmë prej tij, vetëm nëse do të sillnin vëllanë e tyre më të vogël, Beniaminin. Në atë kohë, Beniamini ishte bërë biri i preferuar i babait të tyre dhe ata e dinin se Jakobi nuk do ta linte të shkonte.
13 Kështu, ndërsa qëndronin përpara Jozefit, ndërgjegjja i nxiti të pranonin: «Ne jemi me të vërtetë fajtorë ndaj vëllait tonë, sepse e pamë ankthin e shpirtit të tij kur ai na lutej, por nuk ia vumë veshin! Ja pse na ra kjo fatkeqësi.» (Zanafilla 42:21) Duke i trajtuar me dhembshuri, por megjithatë me vendosmëri, Jozefi i ndihmoi vëllezërit e tij të tregonin sinqeritetin e pendimit të tyre. Kështu, ai u zbuloi se kush ishte dhe i fali ata me bujari. Bashkimi familjar u vendos përsëri. (Zanafilla 45:4-8) Si të krishterë, duhet të nxjerrim një mësim nga kjo. Duke pasur parasysh pasojat e këqija të zilisë, duhet t’i lutemi Jehovait që ta zëvendësojmë xhelozinë me ‘dashurinë e butë të dhembshurisë’.
Pengesa të tjera ndaj dhembshurisë
14. Përse duhet të shmangim ekspozimin e panevojshëm ndaj dhunës?
14 Një pengesë tjetër për të qenë të dhembshur, mund të vijë nga ekspozimi i panevojshëm i vetes ndaj dhunës. Sportet dhe zbavitjet që karakterizohen nga dhuna, nxisin etjen për gjak. Në kohët biblike, paganët shikonin rregullisht ndeshje gladiatorësh dhe forma të tjera të torturës njerëzore në arenat e perandorisë romake. Sipas një historiani, këto zbavitje «shkatërronin ndjenjat e dhembshurisë ndaj atij që vuante, gjë që i dallonte njerëzit nga kafshët». Pjesa më e madhe e zbavitjes në botën e sotme moderne ka të njëjtin ndikim. Të krishterët që përqiqen të kenë dhembshuri të butë, duhet të kenë shumë kujdes në zgjedhjen e literaturës, të filmave dhe programeve televizive. Me mençuri, ata mbajnë në mendje fjalët e Psalmit 11:5: «Këdo që do dhunën, [Jehovai] me siguri e urren.»—BR.
15. (a) Si mund të zbulohet mungesa e madhe e dhembshurisë? (b) Si i përgjigjen të krishterët nevojave të bashkëbesimtarëve dhe të të afërmve?
15 Edhe një njeri egocentrik mund të mos ketë dhembshuri. Kjo gjë është serioze, sepse apostulli Gjon shpjegon: «Nëse njëri ka të mirat e kësaj bote dhe sheh të vëllanë që është në nevojë dhe e mbyll zemrën e tij, si qëndron në të dashuria e Perëndisë?» (1. Gjonit 3:17) Një mungesë e tillë dhembshurie u tregua nga priftërinjtë e vetëquajtur të drejtë dhe leviti në ilustrimin e Jezuit mbi samaritanin e mirë. Duke parë gjendjen e mjerë të vëllait të tyre hebre gjysmë të vdekur, ata ndërruan rrugë dhe vazhduan në drejtimin e tyre. (Luka 10:31, 32) Përkundrazi, të krishterët e dhembshur i përgjigjen me gatishmëri nevojave materiale dhe frymore të vëllezërve të tyre. Ashtu si samaritani në ilustrimin e Jezuit, ata shqetësohen gjithashtu edhe për nevojat e të huajve. Kështu, me gëzim ata japin kohën, energjinë dhe burimet e tyre materiale për të mbështetur veprën e bërjes së dishepujve. Në këtë mënyrë, ata i kontribuojnë shpëtimit të miliona njerëzve.—1. Timoteut 4:16.
Dhembshuri për të sëmurin
16. Çfarë kufizimesh kemi për sa i përket sëmundjeve?
16 Sëmundjet janë një lloj i papërsosmërisë së njerëzimit të vdekshëm. Të krishterët nuk bëjnë përjashtim dhe pjesa më e madhe e tyre nuk janë profesionistë në fushën e mjekësisë e as nuk kanë kryer mrekulli siç bënë disa të krishterë të hershëm, që e morën këtë fuqi nga Krishti dhe apostujt e tij. Me vdekjen e apostujve të Krishtit dhe të atyre që shoqëroheshin nga afër me ta, këto fuqi të mrekullueshme mbaruan. Prandaj, aftësia jonë për të ndihmuar ata që vuajnë nga sëmundjet fizike, duke përfshirë çrregullimet mendore dhe kllapitë, është e kufizuar.—Veprat 8:13, 18; 1. Korintasve 13:8.
17. Çfarë mësimi nxjerrim nga mënyra se si u trajtua Jobi i sëmurë dhe i privuar nga të dashurit e tij?
17 Sëmundjet shoqërohen shpesh me depresion. Për shembull, Jobi me frikë Perëndie, ishte në një gjendje të rëndë depresioni, për shkak të sëmundjes së rëndë dhe fatkeqësive që Satanai kishte hedhur mbi të. (Jobi 1:18, 19; 2:7; 3:3, 11-13) Ai kishte nevojë për miq që ta trajtonin me dhembshuri të butë dhe që ta ‘ngushëllonin’. (1. Selanikasve 5:14) Në vend të kësaj, tre të ashtuquajturit ngushëllues që e vizituan, nxorën përfundime të gabuara. Ata e keqësuan gjendjen depresive të Jobit, duke i thënë se fatkeqësitë i kishin ardhur nga ndonjë gabim i veti. Duke pasur dhembshuri të butë, të krishterët duhet të shmangin rënien në të njëjtin gabim, kur bashkëbesimtarët janë të sëmurë ose në gjendje depresioni. Nganjëherë, gjëja kryesore që nevojitet në këtë rast, janë vizitat e dashura nga pleqtë dhe nga të krishterët e tjerë të pjekur, të cilët dëgjojnë me dhembshuri, tregojnë kuptueshmëri dhe sigurojnë këshilla të dashura nga Shkrimet.—Romakëve 12:15; Jakovit 1:19.
Dhembshuri për të dobëtin
18, 19. (a) Si duhet t’i trajtojnë pleqtë të dobëtit dhe ata që gabojnë? (b) Edhe kur është e nevojshme të formohet një komitet gjyqësor, përse është e rëndësishme që pleqtë t’i trajtojnë shkelësit me dhembshuri të butë?
18 Pleqtë në veçanti duhet të kenë dhembshuri të butë. (Veprat 20:29, 35) Bibla urdhëron: «Ne, që jemi të fortë, duhet të mbajmë dobësitë e atyre që janë të dobët.» (Romakëve 15:1) Duke qenë të papërsosur, të gjithë ne gabojmë. (Jakovit 3:2) Nevojitet butësi në marrëdhëniet me një që «bie në faj». (Galatasve 6:1) Pleqtë nuk do të donin kurrë të ishin si farisenjtë e vetëquajtur të drejtë, të cilët nuk ishin të arsyeshëm në zbatimin që i bënin Ligjit të Perëndisë.
19 Në ndryshim me ta, pleqtë ndjekin shembullin e dhembshurisë së butë të Perëndisë Jehova dhe Jezu Krishtit. Vepra e tyre kryesore është të ushqejnë, të inkurajojnë dhe të rifreskojnë delet e Perëndisë. (Isaia 32:1, 2) Në vend që të përpiqen t’i kontrollojnë çështjet me shumë rregulla, ata u drejtohen parimeve të shkëlqyera që gjenden në Fjalën e Perëndisë. Kështu, roli i pleqve duhet të jetë për të ndërtuar dhe për të ngjallur në zemrën e vëllezërve dhe motrave gëzim e çmueshmëri për mirësinë e Jehovait. Nëse një bashkëbesimtar bën disa gabime të vogla, një plak zakonisht nuk e korrigjon atë në sy të të tjerëve. Nëse është patjetër e nevojshme për të folur, dhembshuria e butë do ta nxisë plakun ta marrë atë mënjanë dhe ta diskutojnë problemin jo në praninë e të tjerëve. (Krahaso Mateun 18:15.) Edhe nëse bëhet fjalë për dikë me të cilin është e vështirë të kesh raporte të mira, plaku duhet të flasë me durim dhe në mënyrë që të ndihmojë. Ai kurrë nuk duhet të kërkojë justifikime për ta përjashtuar atë nga kongregacioni. Edhe kur nevojitet të formohet një komitet gjyqësor, pleqtë duhet të tregojnë dhembshuri të butë në marrëdhëniet me atë që ka gabuar rëndë. Butësia e tyre mund ta ndihmojë të pendohet.—2. Timoteut 2:24-26.
20. Kur janë të papërshtatshme shprehjet emocionale të dhembshurisë dhe përse?
20 Megjithatë, ka kohë kur një shërbëtor i Jehovait e ka të vështirë të tregojë dhembshuri. (Krahaso Ligjin e përtërirë 13:6-9.) «Të mos përzihemi» në shoqëri me një mik të ngushtë apo me një të afërm që është përjashtuar, mund të jetë një provë e rëndë për një të krishterë. Në këtë rast, është e rëndësishme të mos lëshohemi në ndjenjat e mëshirës. (1. Korintasve 5:11-13) Kjo vendosmëri mund t’i inkurajojë që të pendohen ata që kanë gabuar. Përveç kësaj, në marrëdhëniet me seksin e kundërt, të krishterët duhet të shmangin shfaqjet e papërshtatshme të dhembshurisë që mund të çojnë në imoralitet seksual.
21. Në cilat fusha të tjera duhet të tregojmë dhembshuri të butë dhe cilat janë dobitë?
21 Vendi nuk na lejon që të trajtojmë të gjitha fushat në të cilat nevojitet dhembshuri e butë—në marrëdhëniet me të moshuarit, me ata që kanë humbur një person të dashur dhe me ata që persekutohen nga një bashkëshort jobesimtar. Në mënyrë të ngjashme, edhe pleqtë e palodhur duhet të trajtohen me dhembshuri të butë. (1. Timoteut 5:17) Respektojini dhe sigurojuni atyre mbështetje! (Hebrenjve 13:7, 17) «Secili prej jush të jetë . . . butësisht i dhembshur»,—shkroi apostulli Pjetër. (1. Pjetrit 3:8, BR) Duke vepruar në këtë mënyrë në çdo situatë që kërkohet, ne përkrahim unitetin e lumturinë në kongregacion dhe tërheqim të tjerët drejt së vërtetës. Para së gjithash, kështu ne nderojmë Atin tonë me dhembshuri të butë, Jehovain.
Pyetje për t’u rishikuar
◻ Si tregon Jehovai dhembshuri për njerëzimin mëkatar?
◻ Pëse është e rëndësishme të kemi dhembshuri të butë?
◻ Cilat gjëra na pengojnë për të qenë butësisht të dhembshur?
◻ Si duhet t’i trajtojmë të sëmurët dhe ata me gjendje depresioni?
◻ Cilët veçanërisht duhet të jenë butësisht të dhembshur dhe përse?
[Kutia në faqen 19]
FARISENJTË E PADHEMBSHUR
DITA e pushimit të sabatit ishte vënë si një bekim frymor dhe fizik për popullin e Perëndisë. Megjithatë, udhëheqësit fetarë judenj vunë shumë rregulla që e çnderuan ligjin e Perëndisë mbi sabatin dhe e bënë atë të rëndë për njerëzit. Për shembull, nëse dikush aksidentohej ose sëmurej, ai nuk mund të merrte ndihmë të shtunën, vetëm në qoftë se jeta e tij do të ishte në rrezik.
Një rrymë farisenjsh ishte kaq strikte në interpretimin e ligjit të sabatit, saqë tha: «Të shtunën, askush nuk duhet të ngushëllojë të hidhëruarit dhe as të vizitojë të sëmurët.» Udhëheqës të tjerë fetarë i lejuan këto vizita të shtunave, por vunë këtë kusht: «Lotët janë të ndaluar.»
Prandaj, Jezui i dënoi me të drejtë udhëheqësit fetarë judenj, sepse kapërcenin pa ua vënë veshin kërkesave më të rëndësishme të Ligjit, të tilla si drejtësia, dashuria dhe mëshira. Nuk është e çuditshme që ai u tha farisenjve: «Duke lënë pas dore, pra, urdhërimin e Perëndisë, ju i përmbaheni traditës së njerëzve.»—Marku 7:8, 13; Mateu 23:23; Luka 11:42.
[Figurat në faqen 17]
Në 231 vende Dëshmitarët e Jehovait po kryejnë një vepër të pakrahasueshme dhembshurie në shtëpitë e njerëzve, në rrugë e madje nëpër burgje
[Figura në faqen 18]
Ekspozimi ndaj dhunës, si për shembull në TV, minon dhembshurinë e butë