Të gjejmë thesaret ‘e fshehura me kujdes tek Ai’
«Tek ai janë fshehur me kujdes të gjitha thesaret e mençurisë e të njohurisë.»—KOLOS. 2:3.
1, 2. (a) Cilat objekte u zbuluan në vitin 1922 dhe ku përfunduan? (b) Cilën ftesë i bën kujtdo Fjala e Perëndisë?
ZBULIMI i thesareve të fshehura shpesh është konsideruar lajm shumë i rëndësishëm. Për shembull, në vitin 1922, pas dekadash pune të kujdesshme në kushte të vështira, arkeologu britanik Hauard Karter, bëri një zbulim të jashtëzakonshëm. Gjeti pothuajse të paprekur varrin mbretëror të faraonit Tutankhamen, e brenda tij rreth 5.000 objekte.
2 Sado i jashtëzakonshëm që ishte zbulimi i Karterit, shumica e objekteve që gjeti, përfunduan në muze ose koleksione private. Ato mund të kenë vlera historike ose artistike, por ndikojnë pak ose aspak në jetën tonë të përditshme. Kurse Fjala e Perëndisë na fton të kërkojmë thesare që ndikojnë vërtet te ne. Ftesa është për të gjithë dhe shpërblimi vlen më shumë se çdo thesar material.—Lexo Proverbat 2:1-6.
3. Në cilat mënyra janë dobiprurëse thesaret që Jehovai i nxit adhuruesit e tij të kërkojnë?
3 Të shqyrtojmë vlerën e thesareve që Jehovai i nxit adhuruesit e tij të kërkojnë. Ndër këto thesare është «frika nga Jehovai», e cila mund të na mbrojë e të na ruajë në këto kohë të rrezikshme. (Psal. 19:9) Nëse gjejmë «njohurinë e Perëndisë», do të kemi nderin më të madh që mund të ketë çdo njeri—një marrëdhënie personale të ngushtë me Më të Lartin. Dhe me thesaret e mençurisë, njohurisë dhe aftësisë dalluese që jep Perëndia, do të jemi në gjendje të përballojmë me sukses problemet dhe shqetësimet e përditshme të jetës. (Prov. 9:10, 11) Si mund t’i gjejmë këto thesare të çmuara?
Gjetja e thesareve frymore
4. Si mund t’i gjejmë thesaret frymore?
4 Ndryshe nga arkeologët dhe eksplorues të tjerë që shpesh duhet t’i bien kryq e tërthor botës për thesare, ne e dimë saktësisht ku mund të gjenden thesare frymore. Fjala e Perëndisë, si një hartë thesari, tregon vendin e saktë ku mund të gjejmë thesaret që ka premtuar Perëndia. Në lidhje me Krishtin, apostulli Pavël shkroi: «Tek ai janë fshehur me kujdes të gjitha thesaret e mençurisë e të njohurisë.» (Kolos. 2:3) Kur lexojmë këto fjalë, mund të pyesim: «Pse duhet t’i kërkojmë këto thesare? Në ç’kuptim ‘janë fshehur te’ Krishti? Si t’i gjejmë?» Për të marrë përgjigje, le të shqyrtojmë më mirë fjalët e apostullit.
5. Pse Pavli po shkruante për thesaret frymore?
5 Pavli ua shkroi këto fjalë të bashkëkrishterëve në Kolose. Ai u tha se po bënte një betejë të madhe për ta, që ‘zemrat e tyre të ngushëlloheshin e të ishin të bashkuar në dashuri’. (Lexo Kolosianëve 2:1, 2.) Pse ishte kaq i shqetësuar? Me sa duket, e dinte se vëllezërit atje mund të ishin ndikuar nga disa individë mes tyre që po përhapnin filozofi greke ose po përkrahnin rikthimin nën Ligjin e Moisiut. Ai i paralajmëroi me forcë vëllezërit: «Ruhuni që të mos ju bëjë ndokush prenë e vet nëpërmjet filozofisë dhe mashtrimeve boshe, sipas traditës së njerëzve, sipas gjërave elementare të botës, e jo në përputhje me mësimet e Krishtit.»—Kolos. 2:8.
6. Pse duhet të na interesojë këshilla e Pavlit?
6 Sot kemi ndikime të ngjashme nga Satanai dhe sistemi i tij i lig. Filozofitë botërore—ku përfshihen humanizmi shekullar (i cili përjashton fenë nga jeta e njeriut) dhe teoria e evolucionit—modelojnë mendimet, moralin, synimet dhe mënyrën e jetesës së njerëzve. Feja e rreme luan rol kryesor në shumë festa të njohura. Industria e zbavitjes kënaq prirjet e degjeneruara mishore dhe pjesa më e madhe e materialeve në Internet përbën një rrezik real si për të rinjtë, edhe për të moshuarit. Nëse jemi vazhdimisht nën ndikimin e këtyre dhe të prirjeve të tjera të botës, kjo mund të ndikojë kollaj te ndjenjat dhe te qëndrimi ynë ndaj drejtimit të Jehovait e të na shtyjë të mos kapemi më aq fort pas jetës së vërtetë. (Lexo 1 Timoteut 6:17-19.) Është e qartë, pra, se kemi nevojë të kapim kuptimin e fjalëve që Pavli u shkroi kolosianëve dhe të marrim për zemër këshillën e tij, nëse nuk duam të biem në grackat e Satanait.
7. Cilat ishin dy gjërat që Pavli tha se do t’i ndihmonin kolosianët?
7 Duke u kthyer te fjalët që Pavli u shkroi kolosianëve, vërejmë se, pasi përmendi shqetësimin e tij, theksoi dy gjëra që lidheshin ngushtë me ngushëllimin dhe bashkimin e tyre në dashuri. Së pari, përmendi sigurinë e ‘kuptueshmërisë’. Ata duhej të vazhdonin të ishin të bindur ose të sigurt se kuptueshmëria e tyre për Shkrimet ishte e saktë, në mënyrë që besimi i tyre të bazohej në një themel të sigurt. (Hebr. 11:1) Më pas, ai përmendi «njohurinë e saktë të sekretit të shenjtë të Perëndisë». Duhej të përparonin përtej njohurisë bazë për të vërtetën dhe të kishin një kuptueshmëri të qartë për gjërat më të thella të Perëndisë. (Hebr. 5:13, 14) Vërtet një këshillë e shëndoshë për kolosianët dhe për ne sot! Por, si mund ta fitojmë këtë siguri dhe njohuri të saktë? Pavli na e dha përgjigjen me anë të kësaj deklarate domethënëse për Jezu Krishtin: «Tek ai janë fshehur me kujdes të gjitha thesaret e mençurisë e të njohurisë.»
Thesare ‘të fshehura’ te Krishti
8. Shpjegoni kuptimin e shprehjes ‘janë fshehur te’ Krishti.
8 Të thuash se të gjitha thesaret e mençurisë dhe të njohurisë ‘janë fshehur te’ Krishti, nuk do të thotë se janë kyçur dhe është e pamundur të gjenden. Përkundrazi, thjesht do të thotë se për t’i gjetur, duhet të bëjmë përpjekje të fuqishme dhe vëmendja jonë duhet të drejtohet te Jezu Krishti. Kjo është në përputhje me atë që tha Jezui për veten: «Unë jam udha, e vërteta dhe jeta. Askush nuk vjen tek Ati, përveçse nëpërmjet meje.» (Gjoni 14:6) Po, për të gjetur njohurinë e Perëndisë, duhet të përfitojmë nga ndihma dhe drejtimi që siguron Jezui.
9. Cilat role i janë dhënë Jezuit?
9 Përveçse «udha», Jezui tha se është edhe «e vërteta dhe jeta». Kjo tregon se roli i tij është shumë më tepër sesa ai i mjetit për t’iu afruar Atit. Jezui ka edhe role që janë jetësore për të kuptuar të vërtetën biblike dhe për të fituar jetën e përhershme. Po, te Jezui janë fshehur margaritarë frymorë me vlerë të pakrahasueshme, të cilët presin të zbulohen nga studentët e kujdesshëm të Biblës. Le të shqyrtojmë disa margaritarë që ndikojnë drejtpërdrejt te shpresa jonë për të ardhmen dhe te marrëdhënia jonë me Perëndinë.
10. Çfarë mund të mësojmë për Jezuin nga Kolosianëve 1:19 dhe 2:9?
10 «Tek ai banon trupërisht gjithë plotësia e cilësive hyjnore.» (Kolos. 1:19; 2:9) Ngaqë ka qenë me Atin e tij qiellor për epoka të panumërta, Jezui e njeh më mirë se kushdo tjetër personalitetin dhe vullnetin e Perëndisë. Gjatë gjithë shërbimit në tokë, Jezui u mësoi të tjerëve ato që i kishte mësuar Ati dhe pasqyroi në veprimet e tij cilësitë që Ati e kishte ndihmuar të kultivonte. Ja pse Jezui mundi të thoshte: «Ai që më ka parë mua, ka parë edhe Atin.» (Gjoni 14:9) Gjithë mençuria dhe njohuria e Perëndisë janë fshehur ose banojnë te Krishti, dhe s’ka mënyrë më të mirë për të mësuar për Jehovain sesa duke mësuar me kujdes gjithçka që mundemi për Jezuin.
11. Ç’lidhje ka mes Jezuit dhe profecive biblike?
11 «Qëllimi i profecive është të japin dëshmi për Jezuin.» (Zbul. 19:10) Këto fjalë tregojnë se Jezui është figura qendrore në plotësimin e shumë profecive biblike. Që nga deklarata e parë profetike e Jehovait, e dokumentuar te Zanafilla 3:15, e deri te vegimet e lavdishme të librit të Zbulesës, profecitë biblike mund të kuptohen saktë vetëm kur merret parasysh roli i Jezuit në lidhje me Mbretërinë mesianike. Kjo shpjegon pse shumë profeci në Shkrimet Hebraike janë të pakuptueshme për ata që nuk e pranojnë Jezuin si Mesinë e premtuar. Gjithashtu, shpjegon pse ata që nuk i vlerësojnë Shkrimet Hebraike, të cilat përmbajnë shumë profeci mesianike, e konsiderojnë Jezuin vetëm një njeri të madh e asgjë më tepër. Njohuria për Jezuin i jep popullit të Perëndisë çelësin për të kuptuar domethënien e profecive biblike që presim të përmbushen.—2 Kor. 1:20.
12, 13. (a) Në ç’kuptim Jezui është «drita e botës»? (b) Nën cilin detyrim janë dishepujt e Krishtit, meqë janë çliruar nga errësira fetare?
12 «Unë jam drita e botës.» (Lexo Gjonin 8:12; 9:5.) Shumë kohë para lindjes së Jezuit në tokë, profeti Isaia paratha: «Njerëzit që ecnin në errësirë, panë një dritë të madhe. Mbi ata që banonin në vendin e territ, ndriçoi vetë drita.» (Isa. 9:2) Apostulli Mate shpjegoi se Jezui e përmbushi këtë profeci kur nisi të predikonte e të thoshte: «Pendohuni, sepse mbretëria e qiejve është afruar.» (Mat. 4:16, 17) Shërbimi i Jezuit u solli njerëzve ndriçim frymor dhe liri nga skllavëria e mësimeve të rreme fetare. Jezui tha: «Unë erdha si një dritë në botë, që, kushdo që tregon besim tek unë, të mos mbetet në errësirë.»—Gjoni 1:3-5; 12:46.
13 Shumë vjet më vonë, apostulli Pavël u tha të bashkëkrishterëve: «Ishit dikur errësirë, por tani jeni dritë, sepse i përkitni Zotërisë. Vazhdoni të ecni si fëmijë të dritës.» (Efes. 5:8) Meqë janë çliruar nga robëria e errësirës fetare, të krishterët janë nën detyrimin që të ecin si fëmijë të dritës. Kjo është në përputhje me atë që u tha Jezui dishepujve në Predikimin në Mal: «Le të ndriçojë drita juaj para njerëzve, që të shohin veprat tuaja të shkëlqyera dhe t’i japin lavdi Atit tuaj që është në qiej.» (Mat. 5:16) A i çmoni aq shumë thesaret frymore që keni gjetur te Jezui, sa t’ua rekomandoni edhe të tjerëve qoftë me fjalë, qoftë me sjelljen tuaj të shkëlqyer si të krishterë?
14, 15. (a) Si përdoreshin delet dhe kafshë të tjera në adhurimin e vërtetë në kohët biblike? (b) Pse Jezui është një thesar i pakrahasueshëm në rolin e tij si «Qengji i Perëndisë»?
14 Jezui është «Qengji i Perëndisë». (Gjoni 1:29, 36) Në kohët biblike, delet përdoreshin për faljen e mëkateve dhe për t’iu afruar Perëndisë. Për shembull, pasi Abrahami kishte treguar se ishte i gatshëm të ofronte birin e tij, Isakun, iu tha të mos e prekte të birin dhe iu sigurua një dash në vend të tij. (Zan. 22:12, 13) Kur izraelitët u çliruan nga Egjipti, sërish delet kishin një rol të rëndësishëm, këtë herë si pjesë e ‘pashkës së Jehovait’. (Dal. 12:1-13) Më tej, në Ligjin e Moisiut përcaktoheshin flijimet e kafshëve të ndryshme, përfshirë delet dhe cjeptë.—Dal. 29:38-42; Lev. 5:6, 7.
15 Asnjë nga këto flijime—në fakt, asnjë flijim i paraqitur nga njerëzit—nuk mund të sillte çlirim të përhershëm nga mëkati dhe vdekja. (Hebr. 10:1-4) Por, Jezui është «Qengji i Perëndisë që heq mëkatin e botës». Vetëm ky fakt bën që Jezui të jetë një thesar që ia kalon çdo thesari material të gjetur ndonjëherë. Prandaj, është mirë të lëmë kohë që ta studiojmë me kujdes temën e shpërblesës dhe të tregojmë besim te kjo masë e mrekullueshme. Duke bërë kështu, kemi shpresën të marrim një bekim dhe shpërblim të madh: lavdi dhe nder me Krishtin në qiell për ‘kopenë e vogël’ dhe jetë të përhershme në Parajsën në tokë për ‘delet e tjera’.—Luka 12:32; Gjoni 6:40, 47; 10:16.
16, 17. Pse është shumë e rëndësishme të kuptojmë rolin e Jezuit si «Kryepërfaqësuesi dhe Përsosësi i besimit tonë»?
16 Jezui është «Kryepërfaqësuesi dhe Përsosësi i besimit tonë». (Lexo Hebrenjve 12:1, 2.) Te kapitulli 11 i Hebrenjve gjejmë fjalimin mjeshtëror të Pavlit për besimin. Në të përfshihet një përkufizim i përmbledhur i besimit dhe një listë me burra e gra që na lanë shembullin me besimin e tyre, si Noeja, Abrahami, Sara dhe Rahaba. Me tërë këto në mendje, Pavli i nxiti të bashkëkrishterët që ‘ta mbanin shikimin të ngulur te Kryepërfaqësuesi dhe Përsosësi i besimit tonë, Jezui’. Pse?
17 Megjithëse ata burra dhe gra besnikë të renditur në kapitullin 11 të Hebrenjve kishin besim të fortë te premtimi i Perëndisë, nuk i dinin të gjitha hollësitë se si do ta përmbushte Perëndia këtë premtim nëpërmjet Mesisë dhe Mbretërisë. Në këtë kuptim, besimi i tyre ishte i paplotë. Në fakt, edhe ata që Jehovai i përdori për të shkruar profecitë e shumta mesianike, nuk e kuptuan plotësisht domethënien e asaj që shkruan. (1 Pjet. 1:10-12) Vetëm nëpërmjet Jezuit besimi mund të përsoset ose të bëhet i plotë. Sa thelbësore është të kuptojmë dhe të dallojmë qartë rolin e Jezuit si «Kryepërfaqësuesi dhe Përsosësi i besimit tonë»!
Të vazhdojmë të kërkojmë
18, 19. (a) Përmendni disa margaritarë të tjerë frymorë që janë fshehur te Krishti. (b) Pse duhet të vazhdojmë të kërkojmë te Krishti për thesare frymore?
18 Kemi shqyrtuar vetëm disa nga rolet e çmuara të Jezuit në qëllimin e Perëndisë për shpëtimin e njerëzimit. Ka ende margaritarë të tjerë frymorë të fshehur te Krishti. Nëse i gjejmë, do të provojmë kënaqësi dhe do të nxjerrim dobi. Për shembull, apostulli Pjetër e quajti Jezuin ‘Kryepërfaqësuesi i jetës’ dhe «ylli i mëngjesit» që ngrihet. (Vep. 3:15; 5:31; 2 Pjet. 1:19) Gjithashtu, Bibla e përdori për Jezuin termin «Amini». (Zbul. 3:14) A e dini kuptimin dhe domethënien e këtyre roleve? Siç tha Jezui: «Vazhdoni të kërkoni dhe do të gjeni.»—Mat. 7:7.
19 Gjatë gjithë historisë, askush nuk ka pasur një jetë kaq domethënëse e kaq të lidhur me mirëqenien tonë të përhershme, sa Jezui. Tek ai gjenden thesaret frymore që mund t’i gjejë lehtë kushdo që i kërkon me gjithë zemër. Urojmë të provoni gëzimin dhe bekimin e gjetjes së thesareve që ‘janë fshehur me kujdes tek ai’!
A ju kujtohet?
• Cilat thesare nxiten të kërkojnë të krishterët?
• Pse këshilla që u dha Pavli kolosianëve është ende e përshtatshme për ne sot?
• Përmendni dhe shpjegoni disa nga thesaret frymore që ‘janë fshehur te’ Krishti.
[Figurat në faqen 5]
Bibla është si një hartë thesari që na drejton te pasuritë që ‘janë fshehur me kujdes’ te Krishti