«Jehovai, Perëndia ynë, është një Jehova»
«Dëgjo, o Izrael: Jehovai, Perëndia ynë, është një Jehova.»—LIGJ. 6:4.
1, 2. (a) Pse janë të mirënjohura fjalët e Ligjit të përtërirë 6:4? (b) Pse i tha ato fjalë Moisiu?
PËR shekuj të tërë, besimtarët e judaizmit i kanë përdorur gjashtë fjalët e tekstit hebraik te Ligji i përtërirë 6:4 si pjesë të një lutjeje plot devocion. Këtë lutje që quhet Shema, sipas fjalës së parë të vargut, e bëjnë çdo ditë, në mëngjes e në mbrëmje. Me anë të saj, judenjtë e devotshëm deklarojnë se i janë përkushtuar vetëm Perëndisë.
2 Këto fjalë janë pjesë e fjalimit të lamtumirës që mbajti Moisiu para Izraelit të mbledhur në rrafshinat e Moabit më 1473 p.e.s. Pas pak, kombi do të kalonte lumin Jordan për të shtënë në dorë Tokën e Premtuar. (Ligj. 6:1) Moisiu, që u kishte prirë për 40 vjet, donte që populli të ishte i guximshëm përballë sfidave që e prisnin. Duhej të mbështeteshin plot besim te Jehovai dhe t’i qëndronin besnikë si Perëndia i tyre. Pa dyshim që fjalët e fundit të Moisiut duhet t’i kenë lënë mbresa të thella popullit. Pasi përmendi Dhjetë Urdhërimet dhe rregulla të tjera që i kishte dhënë Jehovai kombit, Moisiu bëri deklaratën e fuqishme që gjendet te Ligji i përtërirë 6:4, 5. (Lexoje.)
3. Cilat pyetje do të shqyrtojmë në këtë artikull?
3 Mos vallë izraelitët e mbledhur atje me Moisiun nuk e dinin se Jehovai, Perëndia i tyre, është «një Jehova»? Doemos që e dinin. Izraelitët besnikë njihnin dhe adhuronin vetëm një Perëndi—Perëndinë e paraardhësve të tyre, Abrahamit, Isakut dhe Jakobit. Po atëherë, pse u theksoi Moisiu se Jehovai, Perëndia i tyre, është «një Jehova»? A ka lidhje kjo e vërtetë me dashurinë me gjithë zemër, me gjithë shpirt e me gjithë forcë për të, siç thotë vargu 5? Ç’domethënie kanë për ne sot fjalët e Ligjit të përtërirë 6:4, 5?
PERËNDIA YNË ËSHTË «NJË JEHOVA»
4, 5. (a) Cili është një kuptim i shprehjes «një Jehova»? (b) Si ndryshon Jehovai nga perënditë e kombeve?
4 Unik. Fjala «një» në hebraisht e në mjaft gjuhë të tjera mund të nënkuptojë shumë më tepër se thjesht një numër. Ajo mund të përcjellë kuptimin të jesh unik, i vetmi. Me sa duket, këtu Moisiu nuk po hidhte poshtë mësimet e rreme fetare për trinitetin. Jehovai është Krijuesi i qiellit e i tokës, Sovrani i universit. Nuk ekziston asnjë Perëndi i vërtetë veç tij; nuk ka perëndi tjetër si ai. (2 Sam. 7:22) Pra, Moisiu po u kujtonte izraelitëve se duhej të adhuronin vetëm Jehovain. Nuk duhej të imitonin popujt rreth e qark, që adhuronin lloj-lloj perëndish e perëndeshash. Ata besonin se disa nga ato perëndi të rreme kishin nën sundim pjesë të ndryshme të natyrës, kurse të tjera ishin pjesë të një perëndie të caktuar.
5 Për shembull, egjiptianët adhuronin Ranë, perëndinë e diellit, Nutin, perëndeshën e qiellit, Gebin, perëndinë e tokës, Hapin, perëndinë e Nilit dhe sa e sa kafshë të shenjta. Me anë të Dhjetë Plagëve, Jehovai u dha goditje dërrmuese shumë prej atyre perëndive të rreme. Perëndia kryesor i Kanaanit ishte Baali, perëndia i pjellorisë, që shfaqej edhe si perëndia i qiellit, i shiut dhe i stuhisë. Në shumë vende, Baali ishte edhe hyjnia mbrojtës. (Num. 25:3) Izraelitët nuk duhej të harronin se Perëndia i tyre, «Perëndia i vërtetë», është «një Jehova».—Ligj. 4:35, 39.
6, 7. Cili është një kuptim tjetër i fjalës «një», dhe si tregoi Jehovai se është «një»?
6 I pandryshueshëm dhe besnik. Fjala «një» nënkupton edhe të mos luhatesh e të jesh i besueshëm në qëllim e në veprime. Perëndia Jehova nuk është i paqëndrueshëm ose i paparashikueshëm. Përkundrazi, është gjithnjë i besueshëm, i pandryshueshëm, besnik dhe e mban fjalën. Ai i premtoi Abrahamit se pasardhësit e tij do të trashëgonin Tokën e Premtuar, dhe kreu bëma të fuqishme për ta plotësuar atë premtim. Edhe pasi kaluan 430 vjet, Jehovai ishte po aq i vendosur që ta bënte këtë.—Zan. 12:1, 2, 7; Dal. 12:40, 41.
7 Shekuj më vonë, kur i quajti izraelitët dëshmitarët e tij, Jehovai u tha: «Unë jam po Ai që kam qenë. Përpara meje nuk u formua asnjë Perëndi dhe pas meje prapë nuk kishte asnjë.» Pastaj, duke theksuar se qëllimi i tij nuk ndryshon kurrë, shtoi: «Unë mbetem po Ai.» (Isa. 43:10, 13; 44:6; 48:12) Çfarë privilegji të pashoq patën izraelitët, e sot edhe ne—të jemi shërbëtorë të Jehovait, të Perëndisë që mbetet i pandryshueshëm dhe besnik në gjithë udhët e tij!—Mal. 3:6; Jak. 1:17.
8, 9. (a) Çfarë kërkon Jehovai nga adhuruesit e tij? (b) Si e theksoi Jezui domethënien e fjalëve të Moisiut?
8 E pra, Moisiu i kujtoi popullit se meraku dhe dashuria e Jehovait për ta nuk luhatej e nuk ndryshonte. Ja pse ishte logjike që duhej t’i përkushtoheshin vetëm atij dhe ta donin pa rezerva, me gjithë zemrën, shpirtin dhe forcën e tyre. Edhe të vegjlit duhej t’i përkushtoheshin plotësisht Jehovait, pasi prindërit duhej të shfrytëzonin çdo rast që t’i mësonin.—Ligj. 6:6-9.
9 Kur është fjala për vullnetin dhe qëllimin e tij, Jehovai nuk ndryshon e është i besueshëm. Prandaj, patjetër që edhe kërkesat e tij themelore për adhuruesit e vërtetë mbeten të njëjtat sot e kësaj dite. Nëse duam që Jehovai ta pranojë adhurimin tonë, edhe ne duhet t’i përkushtohemi vetëm atij dhe ta duam me tërë zemrën, mendjen e forcën tonë. Tamam këtë i tha Jezu Krishti dikujt që e pyeti për urdhërimin më të madh. (Lexo Markun 12:28-31.) Le të shohim, pra, si mund ta tregojmë me vepra se e kuptojmë vërtet që «Jehovai, Perëndia ynë, është një Jehova».
T’I PËRKUSHTOHEMI VETËM JEHOVAIT
10, 11. (a) Çfarë nënkupton të adhurojmë vetëm Jehovain? (b) Si e treguan të rinjtë hebrenj në Babiloni se i ishin përkushtuar vetëm Jehovait?
10 Që Jehovai të jetë Perëndia ynë i vetëm, duhet të jemi të përkushtuar vetëm ndaj tij. Nuk mund ta përziejmë adhurimin e tij me atë të perëndive të tjera, e as ta njollosim me ide ose praktika nga forma të tjera adhurimi. Duhet të mbajmë ndër mend se Jehovai nuk është veç një nga perënditë e shumta, e as thjesht më i larti e më i fuqishmi ndër to. Jehovai është i vetmi që duhet adhuruar.—Lexo Zbulesën 4:11.
11 Në librin e Danielit, lexojmë për të rinjtë hebrenj Daniel, Hananiah, Mishael dhe Azariah. Ata treguan se i ishin përkushtuar veç Jehovait jo vetëm kur nuk hëngrën ushqime të papastra, por edhe kur nuk pranuan të përkuleshin para shëmbëlltyrës së artë që ngriti Nabukodonosori. E kishin të qartë cila ishte gjëja më e rëndësishme; në adhurimin e tyre nuk kishte vend për kompromis.—Dan. 2:1–3:30.
12. Nga çfarë duhet të ruhemi që të mbetemi të përkushtuar vetëm ndaj Jehovait?
12 Vendin e parë në jetën tonë duhet ta ketë vetëm Jehovai. Prandaj, që të jemi të përkushtuar vetëm ndaj tij, duhet të bëjmë kujdes që të mos lejojmë asgjë të zërë vendin e tij, e madje as të ketë të njëjtin vend si Jehovai në jetën tonë. Cilat mund të jenë disa nga këto gjëra? Te Dhjetë Urdhërimet, Jehovai e bëri të qartë se populli i tij s’duhej të kishte asnjë perëndi tjetër përveç tij dhe se nuk duhej të praktikonte asnjë formë idhujtarie. (Ligj. 5:6-10) Sot idhujtaria mund të marrë lloj-lloj formash, e ndoshta disa prej tyre nuk dallohen kollaj. Megjithatë, kërkesat e Jehovait nuk kanë ndryshuar—ai është akoma «një Jehova». Le të shohim ç’domethënie duhet të ketë kjo për ne sot.
13. Cilat gjëra mund të fillojmë t’i duam më shumë se Jehovain?
13 Te Kolosianëve 3:5 (lexoje), na jepet një këshillë e fortë për gjërat që mund të na rrënojnë marrëdhënien unike e të vyer që kemi me Jehovain. Të bie në sy se në këtë varg lakmia lidhet me idhujtarinë. Kjo sepse diçka që e dëshirojmë me zjarr, si për shembull pasuria ose gjërat luksoze, dalëngadalë mund të ketë aq shumë pushtet në jetën tonë, sa të luajë rolin e një perëndie të fuqishëm. Por, kur shohim krejt vargun, s’është vështirë ta kuptojmë se gjithë praktikat e tjera mëkatare që përmenden kanë njëfarë lidhjeje me lakminë, pra edhe me idhujtarinë. Dëshira e fortë për gjëra të tilla fare lehtë mund t’i zërë vendin dashurisë tonë për Perëndinë. A mund të rrezikojmë duke lejuar që ndonjë nga këto gjëra të ketë pushtet mbi ne, e kështu Jehovai të mos jetë më për ne «një Jehova»? Në asnjë mënyrë!
14. Çfarë paralajmërimi dha apostulli Gjon?
14 Apostulli Gjon theksoi pak a shumë të njëjtën pikë. Ai paralajmëroi që nëse ndokush do gjërat e botës—‘dëshirat e mishit, dëshirat e syve dhe kapardisjen për t’u dukur me të mirat materiale’—atëherë «dashuria e Atit nuk është në të». (1 Gjon. 2:15, 16) Kjo do të thotë se duhet ta shqyrtojmë vazhdimisht zemrën tonë për të parë nëse po joshet nga zbavitjet, shoqëria dhe paraqitja e stili i veshjes së botës. Dashuria për botën mund të përfshijë edhe përpjekjet që të arrijmë «gjëra të mëdha», si për shembull duke synuar arsimimin e lartë. (Jer. 45:4, 5) Ndodhemi në prag të botës së re që ka premtuar Perëndia. Sa e rëndësishme është, pra, t’i ngulitim mirë në mendje fjalët e fuqishme të Moisiut! Nëse e kuptojmë qartë dhe jemi plotësisht të bindur se «Jehovai, Perëndia ynë, është një Jehova», do të bëjmë çmos të jemi të përkushtuar vetëm ndaj tij, t’i shërbejmë në mënyrën që miraton ai.—Hebr. 12:28, 29.
TË RUAJMË UNITETIN E KRISHTERË
15. Pse u kujtoi Pavli të krishterëve se Perëndia është «një Jehova»?
15 Fakti që Perëndia ynë është «një Jehova» tregon edhe se ai punon besnikërisht për një qëllim të vetëm. Si adhuruesit e tij duhet ta pasqyrojmë këtë tek uniteti që kemi mes nesh ndërsa i shërbejmë. Kongregacioni i shekullit të parë përbëhej nga judenj, grekë, romakë dhe njerëz nga kombe të tjera. Prejardhja, ndjeshmëria dhe traditat fetare ndryshonin nga njëri te tjetri. Prandaj, disa e kishin të vështirë të pranonin mënyrën e re të adhurimit ose të hiqnin dorë plotësisht nga praktikat e mëparshme. Apostulli Pavël e pa të udhës t’u kujtonte se të krishterët kanë një Perëndi të vetëm, Jehovain.—Lexo 1 Korintasve 8:5, 6.
16, 17. (a) Cila profeci po përmbushet sot, dhe cili është rezultati? (b) Çfarë mund ta gërryejë unitetin mes nesh?
16 Po sot, si është kongregacioni i krishterë? Profeti Isaia paratha se «në ditët e fundit», njerëz nga të gjitha kombet do të vërshonin drejt vendit të lartë të adhurimit të vërtetë të Jehovait dhe do të thoshin: «[Jehovai] do të na mësojë udhët e tij, dhe ne do të ecim në shtigjet e tij.» (Isa. 2:2, 3) Sa na gufon zemra tek shohim me sytë tanë plotësimin e kësaj profecie! Si rrjedhojë, tani mjaft kongregacione kanë pjesëtarë nga shumë raca, kultura e gjuhë, që i japin lavdi së bashku Jehovait. Sidoqoftë, nga kjo larmi mund të lindin disa vështirësi për të cilat ia vlen të mendojmë seriozisht.
17 Për shembull, si i sheh bashkëbesimtarët që kanë një kulturë krejt ndryshe nga jotja? Gjuha amtare, stili i veshjes, mënyra si sillen dhe ushqimet e tyre mbase janë gjëra me të cilat nuk je mësuar. A ke prirjen t’i shmangësh dhe të shoqërohesh kryesisht me ata që kanë prejardhje të ngjashme me tënden? Apo ç’të themi nëse në kongregacionin, ose edhe në qarkun a në degën ku je, pleqtë e emëruar janë më të rinj ose vijnë nga një kulturë a racë tjetër? A lejon që gjëra të tilla të minojnë bashkëpunimin për një qëllim të vetëm dhe të gërryejnë unitetin që duhet të ekzistojë mes popullit të Jehovait?
18, 19. (a) Çfarë këshille jepet tek Efesianëve 4:1-3? (b) Si mund të ndihmojmë që të ruhet uniteti në kongregacion?
18 Ç’mund të na ndihmojë t’i shmangim gracka të tilla? Pavli u dha një këshillë praktike të krishterëve në Efes, një qytet i begatë dhe i larmishëm. (Lexo Efesianëve 4:1-3.) Vër re se në fillim Pavli përmendi cilësi të tilla si përulësia, butësia, durimi dhe dashuria. Këto mund të krahasohen me shtyllat që e mbajnë në këmbë një shtëpi. Po përveç shtyllave të forta, një shtëpi ka nevojë për mirëmbajtje. E kjo duhet bërë rregullisht, përndryshe mund të rrënohet avash-avash. Pavli iu përgjërua të krishterëve në Efes të përpiqeshin me zell që ‘të ruanin njëjësinë e frymës’.
19 Duhet ta pranojmë se është përgjegjësia e secilit nga ne të ndihmojë që të ruhet uniteti në kongregacion. Ç’mund të bëjmë? Së pari, të kultivojmë dhe të shfaqim cilësitë që përmendi Pavli: përulësinë, butësinë, durimin dhe dashurinë. Pastaj, të përpiqemi me zell të nxitim «lidhjen e paqes». Duhet të punojmë që, si të thuash, të mbyllim çdo të çarë që mund të krijohet nga ndonjë dobësi. Kështu, bëjmë pjesën tonë për të ruajtur paqen dhe unitetin e vyer mes nesh.
20. Si mund ta tregojmë se e kuptojmë që «Jehovai, Perëndia ynë, është një Jehova»?
20 «Jehovai, Perëndia ynë, është një Jehova.» Çfarë pohimi i fuqishëm! Ky përkujtues u dha forcë izraelitëve t’u bënin ballë sfidave që hasën kur hynë në Tokën e Premtuar dhe e pushtuan. Nëse i mbajmë vath në vesh këto fjalë, edhe ne do të marrim forcë të përballojmë shtrëngimin e madh që është në prag dhe do të ndikojmë për mirë te paqja dhe uniteti në Parajsë. Le të vazhdojmë t’i përkushtohemi vetëm Jehovait. Ta tregojmë këtë me anë të dashurisë e shërbimit me gjithë shpirt për të, si edhe me përpjekjet e zellshme që të ruajmë unitetin në vëllazërinë tonë. Po të vazhdojmë ta bëjmë këtë, mund të presim të sigurt ditën kur të shohim plotësimin e këtyre fjalëve të Jezuit për ata që do t’i gjykojë si dele: «Ejani, ju që u bekuat nga Ati im, trashëgoni mbretërinë e përgatitur për ju që nga themelimi i botës.»—Mat. 25:34.