A po ndiqni virtytin?
«Nëse ka në to ndonjë virtyt a ndonjë gjë të denjë për lavdërim, këto gjëra vazhdoni të mbani parasysh.»—FILIPIANËVE 4:8, BR.
1. Çfarë është vesi dhe përse nuk e ka korruptuar ai adhurimin e Jehovait?
VESI është korruptim moral ose korrupsion. Ai përshkon tejpërtej botën, në të cilën jetojmë. (Efesianëve 2:1-3) Sidoqoftë, Perëndia Jehova nuk do të lejojë që adhurimi i tij i pastër të molepset. Botimet e krishtere, mbledhjet, asambletë dhe kongreset na japin paralajmërime në kohën e duhur kundër sjelljes së padrejtë. Ne marrim ndihmë të shëndetshme biblike, për t’u «kapur pas asaj që është e mirë» në sy të Perëndisë. (Romakëve 12:9, BR) Prandaj, si një organizatë, Dëshmitarët e Jehovait përpiqen të jenë të pastër, të virtytshëm. Por, ç’mund të thuhet për ne individualisht? Vërtet, ti a po ndjek virtytin?
2. Çfarë është virtyti dhe përse kërkohen përpjekje për të qëndruar të virtytshëm?
2 Virtyti është shkëlqesi morale, mirësi, veprim dhe mendim i drejtë. Ai nuk është një cilësi pasive, por aktive dhe pozitive. Virtyti përfshin më shumë sesa shmangien e mëkatit; ai do të thotë të ndjekësh atë që është e mirë. (1. Timoteut 6:11) Apostulli Pjetër u bëri thirrje bashkë të krishterëve: «Shtojini besimit tuaj virtytin.» Në ç’mënyrë? Duke «kontribuar në përgjigje [të premtimeve të çmuara të Perëndisë] me çdo përpjekje të zellshme». (2. Pjetrit 1:5, BR) Për shkak të natyrës sonë mëkatare, kërkohen përpjekje të vërteta për të qëndruar të virtytshëm. Megjithatë, individët me frikë Perëndie të së kaluarës kanë bërë kështu, edhe përballë pengesash të pafundme.
Ai ndoqi virtytin
3. Për cilat vepra të liga ishte fajtor mbreti Akaz?
3 Shkrimet përmbajnë shumë tregime të atyre që ndoqën virtytin. Për shembull, le të shohim Ezekinë e virtytshëm. I ati, Akazi, mbret i Judës, me sa duket adhuronte Molekun. «Akazi ishte njëzet vjeç kur filloi të mbretëronte dhe ai mbretëroi për gjashtëdhjetë vjet në Jerusalem; ai nuk bëri atë që ishte e drejtë në sy të Jehovait, Perëndisë së tij, ashtu si Davidi, paraardhësi i tij. Dhe ai ecte në rrugën e mbretërve të Izraelit dhe madje kaloi nëpër zjarr vetë birin e tij, sipas gjërave të neveritshme të kombeve, të cilat Jehovai i kishte përzënë, për shkak të bijve të Izraelit. Ai vazhdonte të sakrifikonte e bënte tym sakrifice në vende të larta, mbi kodra dhe nën çdo pemë të harlisur.» (2. Mbretërve 16:2-4, BR) Disa pohojnë se ‘kalimi nëpër zjarr’ nënkuptonte ndonjë lloj të pastrimit ritual dhe jo sakrificën njerëzore. Por një libër vëren: «Ekzistojnë dëshmi në burimet klasike dhe ato punike [kartagjenase], si edhe dëshmi arkeologjike për ekzistencën e sakrificës njerëzore . . . në botën kananite, prandaj nuk ka asnjë arsye për të dyshuar në aluzionet e Besëlidhjes së Vjetër [për sakrificën njerëzore].» (Molech—A God of Human Sacrifice in the Old Testament, nga Xhon Dei) Për më tepër, 2. Kronikave 28:3 (BR) thotë në mënyrë specifike se Akazi «vazhdonte të digjte në zjarr bijtë e tij». (Krahaso Ligjin e përtërirë 12:31; Psalmi 106:37, 38.) Ç’vepra të liga!
4. Si u soll Ezekia në një ambient të mbushur me vese?
4 Si ia çonte Ezekia në këtë ambient të mbushur me vese? Është me interes kapitulli 119 i Psalmeve, pasi disa besojnë se ai u kompozua nga Ezekia, gjatë kohës kur ishte ende princ. (Psalmi 119:46, 99, 100) Në këtë mënyrë, rrethanat e tij mund të tregohen nga fjalët: «Edhe princat janë ulur; kanë folur me njëri-tjetrin kundër meje. Sa për shërbëtorin tënd, ai shqetësohet për rregullimet e tua. Shpirti im ka qenë i pagjumë nga hidhërimi.» (Psalmi 119:23, 28, BR) I rrethuar nga praktikuesit e fesë së rreme, Ezekia mund të jetë bërë një objekt përqeshjesh mes anëtarëve të oborrit mbretëror, kaq shumë saqë e kishte të vështirë të flinte. Megjithatë, ai ndoqi virtytin, në kohën e vet u bë mbret dhe «vazhdoi të bënte atë që ishte e drejtë në sy të Jehovait . . . Në Jehovain, Perëndinë e Izraelit, ai besoi».—2. Mbretërve 18:1-5, BR.
Ata qëndruan të virtytshëm
5. Cilat sprova përballuan Danieli dhe tre shokët e tij?
5 Shembullorë në lidhje me virtytin ishin edhe Danieli dhe tre shokët e tij hebrenj, të quajtur Anania, Mishael dhe Azaria. Ata u morën me forcë nga atdheu i tyre dhe mërguan në Babiloni. Katër të rinjve u ishin dhënë emra babilonas: Belteshazar, Sadrak, Meshak dhe Abedneg. Atyre iu ofruan «ushqimet e shijshme të mbretit», ku përfshiheshin ushqime të ndaluara nga Ligji i Perëndisë. Përveç kësaj, ata u detyruan t’i nënshtroheshin një kursi trevjeçar stërvitjeje për «shkrimin dhe gjuhën e kaldeasve». Këtu përfshihej më shumë se thjesht përvetësimi i një gjuhe tjetër, pasi ka të ngjarë që termi «kaldeas» të përshkruante këtu klasat e mësuara. Kështu, pra, këta të rinj hebrenj ishin ekspozuar ndaj mësimeve të shtrembëra babilonase.—Danieli 1:1-7, BR.
6. Përse mund të themi se Danieli ndoqi virtytin?
6 Pavarësisht nga presionet shumë të mëdha për t’u përputhur, Danieli dhe tre shokët e tij zgjodhën virtytin në vend të vesit. Danieli 1:21 thotë: «Danieli vazhdoi deri në vitin e parë të mbretit Kir.» (BR) Po, Danieli «vazhdoi» si një shërbëtor i virtytshëm i Jehovait për më shumë se 80 vjet, përgjatë ngritjes dhe rënies së disa mbretërve të fuqishëm. Ai qëndroi i besueshëm ndaj Perëndisë, pavarësisht nga intrigat dhe komplotet e zyrtarëve të korruptuar qeveritarë dhe vesit seksual që përshkonte fenë babilonase. Danieli vazhdoi të ndiqte virtytin.
7. Çfarë mund të mësojmë nga drejtimi i ndjekur prej Danielit dhe tre shokëve të tij?
7 Ne mund të mësojmë shumë nga Danieli me frikë Perëndie dhe shokët e tij. Ata ndoqën virtytin dhe nuk pranuan të asimilonin kulturën babilonase. Edhe pse iu dhanë emra babilonas, ata kurrë nuk e humbën identitetin e tyre si shërbëtorë të Jehovait. E pra, rreth 70 vjet më vonë, mbreti i Babilonisë iu drejtua Danielit me emrin e tij hebraik! (Danieli 5:13) Gjatë jetës së tij të gjatë, Danieli nuk pranoi të bënte kompromis edhe për çështje të vogla. Si i ri, ai kishte «vendosur në zemrën e tij se nuk do të ndotej me ushqimet e shijshme të mbretit». (Danieli 1:8, BR) Ky qëndrim i pakompromentueshëm i Danielit dhe i tre shokëve të tij, pa dyshim që i forcoi ata të mbijetonin nga sprovat për jetë a vdekje që ndeshën më vonë.—Danieli, kapitujt 3 dhe 6.
Të ndjekim virtytin sot
8. Si mund t’i bëjnë qëndresë të rinjtë e krishterë asimilimit në botën e Satanait?
8 Ngjashëm Danielit dhe tre shokëve të tij, populli i Perëndisë sot i bën qëndresë asimilimit në botën e ligë të Satanait. (1. Gjonit 5:19) Nëse je një i ri i krishterë, mund të jesh duke përjetuar presione të fuqishme nga bashkëmoshatarët, për të imituar shijet e tyre ekstreme në veshje, krehje dhe muzikë. Por, në vend se të ndjekësh çdo modë që shkon e vjen, qëndro i patundur dhe mos i lejo vetes që «të marrësh formë sipas këtij sistemi gjërash». (Romakëve 12:2, BR) «Të heqim dorë nga paperëndishmëria dhe dëshirat e botës e . . . të jetojmë me mendje të shëndoshë, drejtësi dhe devotshmëri hyjnore.» (Titit 2:11, 12, BR) I rëndësishëm është miratimi nga Jehovai e jo nga bashkëmoshatarët e tu.—Proverbat 12:2.
9. Çfarë presionesh mund të përballojnë të krishterët në botën e biznesit dhe si duhet të sillen ata?
9 Edhe të krishterët e rritur përballojnë presione dhe duhet të jenë të virtytshëm. Biznesmenët e krishterë mund të tundohen të përdorin metoda të dyshimta apo të mospërfillin rregullimet e qeverisë dhe ligjet mbi taksat. Sidoqoftë, pavarësisht se si sillen konkurrentët në biznes apo kolegët, «ne dëshirojmë të sillemi me ndershmëri në të gjitha gjërat». (Hebrenjve 13:18, BR) Nga Shkrimet na kërkohet që të jemi të ndershëm dhe të drejtë me punëdhënësit, nëpunësit, klientët dhe qeveritë e botës. (Ligji i përtërirë 25:13-16; Mateu 5:37; Romakëve 13:1; 1. Timoteut 5:18; Titit 2:9, 10) Le të përpiqemi edhe ne për të qenë të rregullt në çështjet tona të biznesit. Duke mbajtur regjistrime të sakta dhe duke i bërë marrëveshjet me shkrim, shpeshherë mund të parandalojmë keqkuptimet.
Qëndroni vigjilentë!
10. Përse ekziston nevoja për të ‘qëndruar vigjilentë’, kur është fjala për zgjedhjen në muzikë?
10 Psalmi 119:9 nxjerr në pah një tjetër aspekt në lidhje me qëndrimin e virtytshëm në sy të Perëndisë. Psalmisti këndoi: «Si do ta pastrojë një i ri shtegun e tij? Duke qëndruar vigjilent sipas fjalës sate.» (BR) Një nga armët më të efektshme të Satanait është muzika, e cila ka fuqi për të ngjallur ndjenja. Mjerisht, disa të krishterë kanë dështuar ‘të qëndrojnë vigjilentë’, kur është fjala për muzikën dhe e shohin veten të tërhequr drejt formave ekstreme të saj, si muzika rap dhe heavy metal. Disa mund të argumentojnë se një muzikë e tillë nuk i dëmton apo se nuk u kushtojnë vëmendje fjalëve. Të tjerë thonë se thjesht i gëzohen ritmit të fortë apo tingullit të kitarave të zhurmshme. Por për të krishterët, pika nuk është nëse diçka është e këndshme. Shqetësimi i tyre është nëse është «e pranueshme për Zotërinë». (Efesianëve 5:10, BR) Në përgjithësi, muzika rap dhe ajo heavy metal, mbështesin vese të tilla, si të folurin e ndyrë, kurvërinë dhe madje satanizmin, gjëra këto që pa dyshim nuk kanë vend mes popullit të Perëndisë.a (Efesianëve 5:3) Të rinj apo të vjetër, secili prej nesh do të bënte mirë të reflektonte mbi këtë pyetje: Me zgjedhjen time të muzikës, po ndjek virtytin apo vesin?
11. Si mund të qëndrojë vigjilent një i krishterë, për sa u përket programeve televizive, videove dhe filmave?
11 Shumë programe televizive, video dhe filma nxisin vesin. Sipas një eksperti të shquar në fushën e shëndetit mendor, ‘hedonizmi, aktiviteti seksual, dhuna, lakmia dhe egoizmi’ mbizotërojnë në pjesën më të madhe të filmave që nxirren sot. Prandaj, qëndrimi vigjilent përfshin të qenët përzgjedhës lidhur me atë që zgjedhim për të parë. Psalmisti u lut: «Bëji të kalojnë sytë e mi nga shikimi i asaj që është e kotë.» (Psalmi 119:37, BR) Këtë parim zbatoi një i ri i krishterë, i quajtur Jozef. Kur ndonjë film fillonte të përshkruante seks grafik dhe dhunë, ai ikte nga teatri. A zihej ngushtë ai që vepronte kështu? «Jo, aspak,—thotë Jozefi.—Mendoja së pari për Jehovain dhe që t’i pëlqeja atij.»
Roli i studimit dhe i meditimit
12. Përse nevojitet studimi dhe meditimi personal, për të ndjekur virtytin?
12 Nuk mjafton vetëm të shmangim gjërat e këqija. Ndjekja e virtytit përfshin, gjithashtu, studimin dhe meditimin mbi gjërat e mira të regjistruara në Fjalën e Perëndisë, me qëllim që parimet e saj të drejta të mund të zbatohen në jetë. «Sa e dua ligjin tënd!—bërtiti me gëzim psalmisti.—Gjithë ditën ai është meraku im.» (Psalmi 119:97, BR) A është pjesë e programit tënd javor studimi personal i Biblës dhe i botimeve të krishtere? Është e vërtetë se të gjesh kohë për studimin e zellshëm të Fjalës së Perëndisë dhe për meditimin me lutje mbi të, mund të jetë një sfidë. Por, shpesh është e mundur të blesh kohë nga aktivitetet e tjera. (Efesianëve 5:15, 16) Mbase orët e para të mëngjesit do të të shërbenin mirë si një kohë për lutje, studim dhe meditim.—Krahaso Psalmin 119:147.
13, 14. (a) Përse meditimi është një gjë që s’ka të çmuar? (b) Meditimi mbi cilat shkrime mund të na ndihmojë të urrejmë imoralitetin seksual?
13 Meditimi është një gjë që s’ka të çmuar, pasi ai na ndihmon të ruajmë atë që kemi mësuar. Ç’është më e rëndësishme, ai mund të na ndihmojë të nxisim pikëpamje hyjnore. Le ta ilustrojmë kështu: Është një gjë të dish se Perëndia ndalon kurvërinë, por është krejt tjetër të ‘neverisësh atë që është e ligë dhe të kapesh pas asaj që është e mirë’. (Romakëve 12:9) Ne mund të ndiejmë realisht se çfarë ndien Jehovai për imoralitetin seksual, duke medituar mbi vargjet kryesore biblike, si ai i Kolosianëve 3:5, i cili nxit: «Bëni të vdesin, pra, gjymtyrët e trupit tuaj që janë mbi tokë në lidhje me kurvërinë, papastërtinë, urinë seksuale, dëshirat e dëmshme dhe zilinë, që është idhujtari.» (BR) Pyet veten: «Çfarë lloj urie seksuale duhet të bëj të vdesë? Ç’gjë që mund të më ngjallë dëshira të papastra duhet të shmang? A ka nevojë të bëj ndryshime, për sa u përket marrëdhënieve me seksin e kundërt?»—Krahaso 1. Timoteut 5:1, 2.
14 Pavli i nxit të krishterët që të përmbahen nga kurvëria dhe të ushtrojnë vetëkontroll, me qëllim që «askush të mos arrijë në pikën që të dëmtojë dhe të cënojë të drejtat e vëllait të tij». (1. Selanikasve [Thesalonikasve] 4:3-7, BR) Pyet veten: «Përse është e dëmshme kryerja e kurvërisë? Çfarë dëmi do t’i bëja vetes apo dikujt tjetër, nëse do të mëkatoja në këtë aspekt? Si do të ndikohesha frymësisht, emocionalisht dhe fizikisht? Ç’mund të thuhet për ata individë në kongregacion, të cilët kanë shkelur ligjin e Perëndisë dhe janë treguar të papenduar? Si kanë shkuar gjërat për ta?» Ndjekja e asaj që thonë Shkrimet lidhur me një sjellje të tillë, mund të thellojë urrejtjen tonë për atë që është e keqe në sy të Perëndisë. (Dalja [Eksodi] 20:14; 1. Korintasve 5:11-13; 6:9, 10; Galatasve 5:19-21; Zbulesa 21:8) Pavli thotë se kurvari «është duke shpërfillur, jo njeriun, por Perëndinë». (1. Selanikasve 4:8, BR) A do ta shpërfillte, pra, një i krishterë i vërtetë Atin e tij qiellor?
Virtyti dhe shoqëria
15. Çfarë roli luan shoqëria në ndjekjen e virtytit?
15 Një tjetër ndihmë për të qëndruar të virtytshëm është shoqëria e mirë. Psalmisti këndoi: «Jam shok me të gjithë ata që të frikësohen ty [Jehova] dhe me ata që mbajnë urdhrat e tua.» (Psalmi 119:63, BR) Ne kemi nevojë për shoqërinë e shëndoshë që na sigurohet në mbledhjet e krishtere. (Hebrenjve 10:24, 25) Nëse veçohemi, mund të bëhemi egocentrikë në mënyrën tonë të të menduarit dhe vesi mund të na kapë me lehtësi. (Proverbat 18:1) Megjithatë, shoqëria e ngrohtë e krishterë mund ta forcojë vendosmërinë tonë për të qëndruar të virtytshëm. Natyrisht, ne duhet të ruhemi, gjithashtu, edhe nga shoqëritë e këqija. Mund të jemi të sjellshëm me fqinjët, kolegët dhe me nxënësit e tjerë. Por, nëse jemi duke ecur vërtet me mençuri, do të shmangim të qenët tepër miqësorë me ata që nuk ndjekin virtytin e krishterë.—Krahaso Kolosianëve 4:5.
16. Si mund të na ndihmojë zbatimi i 1. Korintasve 15:33 për të ndjekur virtytin sot?
16 Pavli shkroi: «Shoqëritë e këqija prishin zakonet e dobishme.» Me këtë pohim, ai ishte duke i paralajmëruar besimtarët se mund ta humbnin besimin, duke u shoqëruar me të ashtuquajturit të krishterë, të cilët hidhnin poshtë mësimin biblik të ringjalljes. Parimi që gjendet pas paralajmërimit të Pavlit, zbatohet për shoqëritë tona si jashtë, ashtu edhe brenda kongregacionit. (1. Korintasve 15:12, 33, BR) Natyrisht, ne nuk duam të shmangim vëllezërit dhe motrat tona frymore, thjesht për shkak se ata nuk pajtohen me disa pikëpamje krejtësisht personale, të cilave ne u përmbahemi. (Mateu 7:4, 5; Romakëve 14:1-12) Megjithatë, duhet bërë kujdes, nëse disa individë në kongregacion përzihen në sjellje të dyshimtë apo shfaqin një frymë të hidhur ose ankuese. (2. Timoteut 2:20-22) Është e mençur të qëndrojmë afër me ata, me të cilët mund të gëzojmë «një shkëmbim inkurajimi». (Romakëve 1:11, 12, BR) Kjo do të na ndihmojë të ndjekim një drejtim të virtytshëm dhe të qëndrojmë në «shtegun e jetës».—Psalmi 16:11, BR.
Vazhdoni të ndiqni virtytin
17. Sipas kapitullit 25 të Numrave, cilat pasoja shkatërrimtare ranë mbi izraelitët dhe çfarë mësimi siguron kjo gjë për ne?
17 Pak para se izraelitët të merrnin në zotërim Tokën e Premtuar, mijëra ndër ta zgjodhën të ndiqnin vesin dhe vuajtën pasojat shkatërrimtare. (Numrat, kapitulli 25) Sot, populli i Jehovait gjendet në prag të botës së re e të drejtë. Hyrja në të do të jetë privilegj i bekuar i atyre që vazhdojnë të hedhin poshtë veset e kësaj bote. Si njerëz të papërsosur, ne mund të kemi prirje të gabuara, por Perëndia mund të na ndihmojë të ndjekim udhëheqjen e drejtë të frymës së tij të shenjtë. (Galatasve 5:16; 1. Selanikasve 4:3, 4) Le të ndjekim, pra, thirrjen e Josiut drejtuar Izraelit: «Frikësojuni Jehovait dhe shërbejini atij të patëmetë dhe në të vërtetë.» (Josiu 24:14, BR) Frika me nderim të thellë se mos nuk i pëlqejmë Jehovait, do të na ndihmojë të ndjekim një drejtim të virtytshëm.
18. Cila duhet të jetë vendosmëria e të gjithë të krishterëve lidhur me vesin dhe virtytin?
18 Nëse për ty është dëshira e zemrës t’i pëlqesh Perëndisë, qëndro i vendosur për të ndjekur thirrjen e Pavlit: «Gjithçka të vërtetë, gjithçka të hijshme, gjithçka të drejtë, gjithçka të dëlirë, gjithçka të dashur, gjithçka për të cilën flitet mirë, nëse ka në to ndonjë virtyt a ndonjë gjë të denjë për lavdërim, këto gjëra vazhdoni të mbani parasysh.» Cili do të jetë rezultati, nëse e bën këtë? Pavli tha: «Praktikoni këto dhe Perëndia i paqes do të jetë me ju.» (Filipianëve 4:8, 9, BR) Po, me ndihmën e Jehovait ti mund të hedhësh poshtë vesin dhe të ndjekësh virtytin.
[Shënimi]
a Shiko Kullën e Rojës 1 shtator 1993, faqet 24-29 dhe serinë «Të rinjtë pyesin . . . » në Zgjohuni! të 8 shkurtit, 22 shkurtit dhe 22 marsit 1993, si edhe 22 nëntorit 1996, botuar në anglisht.
Pika për rishikim
◻ Çfarë kërkohet për të ndjekur virtytin?
◻ Nën cilat rrethana qëndruan të virtytshëm Ezekia, Danieli dhe tre hebrenjtë?
◻ Si mund të jemi si Danieli lidhur me qëndresën ndaj sajimeve të Satanait?
◻ Përse të krishterët duhet të qëndrojnë vigjilentë lidhur me zbavitjen?
◻ Çfarë roli luan studimi, meditimi dhe shoqëria në ndjekjen e virtytit?
[Figura në faqen 15]
Ezekia i ri ndoqi virtytin, edhe pse ishte i rrethuar nga adhuruesit e Molekut
[Figurat në faqen 17]
Të krishterët duhet të qëndrojnë vigjilentë, kur bëhet fjalë për zbavitjen