4 Hiqni dyshimet
«Besëpak, përse të mposhti dyshimi?!»—Mateu 14:31.
CILA ËSHTË SFIDA? Edhe dishepujt e Jezuit ndonjëherë kishin dyshime. (Mateu 14:30; Luka 24:36-39; Gjoni 20:24, 25) Në fakt, Bibla e përshkruan mungesën e besimit si ‘mëkati në të cilin ngecim lehtësisht’. (Hebrenjve 12:1) Apostulli Pavël shkroi: «Besimi nuk zotërohet nga të gjithë.» (2 Selanikasve 3:2) Kjo nuk do të thotë se disa nuk janë të aftë të kenë besim. Përkundrazi, shumë nuk përpiqen të fitojnë besim. Perëndia do të bekojë ata që bëjnë përpjekje.
SI MUND TA KAPËRCENI KËTË SFIDË? Identifikoni gjërat që ju bëjnë të dyshoni. Për shembull, dishepulli Thoma dyshonte nëse Jezui ishte ringjallur, edhe pse dishepujt e tjerë thanë se e kishin parë Atë. Thomai donte prova. Cili ishte rezultati? Jezui i dha provën që i duhej për të pasur një besim të fortë.—Gjoni 20:24-29.
Nëpërmjet Biblës, Perëndia Jehova jep përgjigjet që na nevojiten për të hequr dyshimet. Për shembull, shumë e humbin besimin te Perëndia sepse, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, e fajësojnë atë për luftërat, dhunën dhe mjerimet që mundojnë njerëzimin. Po çfarë thotë Bibla për këtë çështje?
Perëndia nuk sundon me anë të qeverive njerëzore. Jezui tha për krijesën e padukshme frymore të quajtur Satana se është «sundimtari i kësaj bote». (Gjoni 14:30) Satanai i ofroi Jezuit autoritet mbi të gjitha mbretëritë e tokës në këmbim të një akti adhurimi, duke i thënë: «Unë do të të jap autoritet mbi të gjitha këto dhe lavdinë e tyre, sepse më është dhënë, dhe unë ia jap kujtdo që dua.» Jezui nuk e mohoi se Satanai kishte një autoritet të tillë. Përkundrazi, Ai tha: «Është shkruar: ‘Jehovain, Perëndinë tënd, adhuro dhe vetëm atij bëji shërbim të shenjtë.’» (Luka 4:5-8) Është pikërisht Satanai dhe qeveritë njerëzore që duhen fajësuar për vuajtjet në botë, e jo Perëndia.—Zbulesa 12:9, 12.
Së shpejti, Perëndia Jehova do të zhdukë të gjitha shkaqet e vuajtjeve. Tashmë ai ka marrë masa që një Mbretëri ose qeveri nën udhëheqjen e Birit të tij, Jezu Krishtit, të sundojë mbi njerëzimin. (Mateu 6:9, 10; 1 Korintasve 15:20-28) Në përmbushje të profecisë biblike, lajmi i mirë për Mbretërinë tani po predikohet anembanë tokës. (Mateu 24:14) Së shpejti, kjo Mbretëri do të zhdukë të gjithë ata që i kundërvihen dhe do të eliminojë shkaqet e vuajtjeve njerëzore.—Danieli 2:44; Mateu 25:31-33, 46; Zbulesa 21:3, 4.
CILI ËSHTË SHPËRBLIMI? Ata që kanë dyshime janë si dallgët e detit që lëkunden «nga çdo erë mësimi, nga dredhia e njerëzve». (Efesianëve 4:14; 2 Pjetrit 2:1) Përkundrazi, ata që gjejnë përgjigje të kënaqshme për pyetjet e tyre janë në gjendje ‘të qëndrojnë të patundur në besim’.—1 Korintasve 16:13.
Dëshmitarët e Jehovait, botuesit e kësaj reviste, dëshirojnë t’ju ndihmojnë të gjeni përgjigjet e pyetjeve që mund t’ju bëjnë të keni dyshime. Ata ju ftojnë të shoqërohemi me ta dhe t’i shqyrtoni vetë mësimet e tyre. Duke bërë kështu do ta forconi tej mase besimin te Perëndia.
Për më shumë informacion, shih kapitullin 8, «Çfarë është Mbretëria e Perëndisë?» dhe kapitullin 11, «Pse i lejon Perëndia vuajtjet?», që gjenden te libri Çfarë mëson vërtet Bibla?a
[Shënimi]
a Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
[Figura në faqen 9]
Ata që gjejnë përgjigje të kënaqshme për pyetjet e tyre, kanë një bazë të fortë për besimin