T’i shërbejmë Jehovait me plot seriozitet
«Vazhdoni të mendoni për çdo gjë . . . që vlerësohet si serioze.»—FILIP. 4:8.
1, 2. (a) Për ç’arsye shumë veta në këtë botë kanë një pikëpamje të cekët për jetën? (b) Cilat pyetje lindin?
JETOJMË në një botë që po përjeton momentet më të vështira dhe më tragjike në histori. Njerëzit që nuk kanë një themel të fortë frymor, e kanë thuajse të pamundur t’ia dalin mbanë në këto «kohë kritike, të vështira për t’u përballuar». (2 Tim. 3:1-5) Ata çdo ditë përballen të vetëm me problemet, dhe shpesh mezi ia dalin. Në përpjekje për të mos e marrë jetën tepër seriozisht, shumë u drejtohen formave të pafundme të zbavitjeve të botës.
2 Që të përballojnë stresin e jetës, shpesh njerëzit vënë në vend të parë dëshirën për kënaqësi. Po të mos tregojnë kujdes, fare lehtë edhe të krishterët mund të ngecin në këtë mënyrë jetese. Si mund ta shmangim? A kërkon kjo të jemi seriozë gjatë gjithë kohës? Si ta gjejmë ekuilibrin midis kënaqësive dhe përgjegjësive? Cilat parime biblike duhet të na drejtojnë që të mos jemi tepër seriozë, ndërkohë që e përqendrojmë jetën në gjëra serioze?
Të jemi seriozë në një botë kënaqësidashëse
3, 4. Si na ndihmojnë Shkrimet të kuptojmë nevojën për të qenë seriozë?
3 Është e qartë se kjo botë i jep rëndësi të tepërt ‘dashurisë për kënaqësi’. (2 Tim. 3:4) Theksi që i vë argëtimit mund të kërcënojë gjendjen tonë frymore. (Prov. 21:17) Ja pse, me të drejtë, letrat e apostullit Pavël drejtuar Timoteut dhe Titit përmbajnë edhe këshilla për argumentin e seriozitetit. Zbatimi i këtyre këshillave do të na ndihmojë t’i kundërvihemi pikëpamjes së cekët të botës për jetën.—Lexo 1 Timoteut 2:1, 2; Titit 2:2-8.
4 Shekuj më parë, Solomoni shkroi se ndonjëherë ia vlen t’i lëmë kënaqësitë, që ta marrim jetën seriozisht. (Ekl. 3:4; 7:2-4) Po, ngaqë jeta është e shkurtër, duhet ‘të përpiqemi fuqimisht’ që të arrijmë shpëtimin. (Luka 13:24) Për këtë qëllim, duhet të vazhdojmë të mendojmë për çdo gjë që «vlerësohet si serioze». (Filip. 4:8, 9) Kjo do të thotë t’i kushtojmë shumë vëmendje çdo aspekti të jetës së krishterë.
5. Cila është një fushë e jetës që duhet të marrim seriozisht?
5 Për shembull, duke imituar Jehovain dhe Jezuin, të krishterët e marrin seriozisht përgjegjësinë që të punojnë pa u lodhur. (Gjoni 5:17) Si rrjedhim, shpesh i lavdërojnë ngaqë janë punëtorë të përkushtuar dhe të besueshëm. Sidomos kryefamiljarët punojnë pa u lodhur për të mbajtur familjet. Në fund të fundit, të mos sigurosh nevojat materiale të familjes, do të thotë ‘të kesh mohuar besimin’, dhe kjo është njësoj sikur të kesh mohuar Jehovain.—1 Tim. 5:8.
Një pikëpamje serioze, por e gëzueshme për adhurimin
6. Nga e dimë se duhet ta marrim seriozisht adhurimin e Jehovait?
6 Jehovai kurrë nuk e ka marrë lehtë adhurimin e vërtetë. Për shembull, izraelitët patën pasoja të rënda kur u shmangën nga adhurimi i Jehovait. (Jos. 23:12, 13) Në shekullin e parë të e.s., dishepujt e Krishtit duhej të bënin përpjekje të fuqishme që ta ruanin adhurimin e vërtetë të pastër nga mësimet dhe qëndrimet e korruptuara. (2 Gjon. 7-11; Zbul. 2:14-16) Sot, të krishterët e vërtetë vazhdojnë ta marrin seriozisht adhurimin e tyre.—1 Tim. 6:20.
7. Si përgatitej Pavli për shërbimin?
7 Shërbimi ynë është burim gëzimi. Por, që të ruajmë gëzimin në shërbim, kemi nevojë të mendojmë seriozisht për të dhe të përgatitemi më përpara. Pavli shpjegoi se si i merrte parasysh njerëzit që mësonte. Ai shkroi: «Jam bërë çdo gjë për njerëz të çdo lloji, që medoemos të shpëtoj disa. Por çdo gjë e bëj për hir të lajmit të mirë, që të bëhem pjesëmarrës i këtij lajmi bashkë me të tjerët.» (1 Kor. 9:22, 23) Pavli gjente kënaqësi duke i ndihmuar njerëzit nga ana frymore dhe mendonte seriozisht se si t’ua plotësonte nevojat specifike atyre që e dëgjonin. Ja pse ishte në gjendje t’u jepte zemër e t’i nxiste që të adhuronin Jehovain.
8. (a) Ç’qëndrim duhet të kemi ndaj njerëzve që mësojmë në shërbim? (b) Si mund të na ndihmojë drejtimi i një studimi biblik që të gjejmë më shumë gëzim në shërbim?
8 Sa seriozisht e merrte Pavli shërbimin? Ishte i gatshëm ‘të shërbente si skllav’ për Jehovain dhe për ata që do të dëgjonin mesazhin e së vërtetës. (Rom. 12:11; 1 Kor. 9:19) Kur pranojmë përgjegjësinë që t’u mësojmë njerëzve Fjalën e Perëndisë—qoftë gjatë një studimi biblik, një mbledhjeje të krishterë ose Adhurimit Familjar—a e ndiejmë përgjegjësinë që kemi ndaj tyre? Ndoshta mendojmë se drejtimi i një studimi biblik të rregullt është një barrë tepër e rëndë. Kuptohet, zakonisht kërkohet që të marrim kohë nga gjërat personale dhe ta përdorim për të ndihmuar të tjerët. Por, a nuk është kjo fryma e fjalëve të Jezuit se «ka më shumë lumturi të japësh, se të marrësh»? (Vep. 20:35) Kur ne vetë u mësojmë të tjerëve udhën e shpëtimit, ndiejmë atë lumturi që nuk mund të krahasohet me asgjë tjetër.
9, 10. (a) A do të thotë se për të qenë seriozë nuk mund të kalojmë kohë duke u çlodhur e duke u kënaqur me njerëzit? Shpjegoni. (b) Çfarë do ta ndihmojë një plak të jetë inkurajues dhe i afrueshëm?
9 Të jemi seriozë s’do të thotë se nuk mund të kalojmë kohë duke u çlodhur dhe duke u kënaqur me njerëzit. Jezui la shembullin e përsosur duke lënë kohë jo vetëm që t’i mësonte të tjerët, por edhe të çlodhej e të krijonte miqësi të ngushta. (Luka 5:27-29; Gjoni 12:1, 2) Gjithashtu, të jemi seriozë nuk do të thotë se duhet të kemi gjithmonë një pamje të sertë. Nëse Jezui do të kishte qenë i vrazhdë ose tepër serioz, me siguri njerëzit nuk do të ishin tërhequr drejt tij. Por, edhe fëmijët ndiheshin rehat me të. (Mar. 10:13-16) Si mund të imitojmë qëndrimin e ekuilibruar të Jezuit?
10 Një vëlla tha për një plak: «Ai pret shumë nga vetja, por kurrë nuk pret përsosmëri nga të tjerët.» A mund të thuhet kjo për ty? Është e përshtatshme të presësh nga të tjerët në një masë të arsyeshme. Për shembull, fëmijët reagojnë mirë kur prindërit u vënë synime të arsyeshme dhe i ndihmojnë t’i arrijnë. Po kështu, pleqtë mund t’i nxitin pjesëtarët e kongregacionit që të rriten frymësisht dhe t’u japin sugjerime se si ta bëjnë këtë. Për më tepër, kur një plak ka një pikëpamje të ekuilibruar për veten, do të jetë inkurajues dhe i afrueshëm. (Rom. 12:3) Një motër tha: «Nuk dua që një plak ta marrë çdo gjë si shaka. Por, nëse ai është gjithnjë serioz, është e vështirë t’i afrohesh.» Një motër tjetër mendon se disa pleq «të futin frikën, ngaqë janë tejet seriozë». Pleqtë nuk duhet t’ua mpakin kurrë bashkëbesimtarëve gëzimin që duhet të kenë ngaqë adhurojnë Jehovain, ‘Perëndinë e lumtur’.—1 Tim. 1:11.
Të pranojmë përgjegjësi në kongregacion
11. Ç’do të thotë ‘të synosh’ në kongregacion?
11 Kur Pavli i inkurajoi burrat në kongregacion që të përpiqeshin fort për t’u kualifikuar për përgjegjësi më të mëdha, nuk kishte si qëllim të nxiste dikë të kënaqte ambicien personale. Përkundrazi, ai shkroi: «Kush synon detyrën e mbikëqyrësit, dëshiron një punë të shkëlqyer.» (1 Tim. 3:1, 4) ‘Të synosh’, do të thotë se një burrë i krishterë duhet të zhvillojë një dëshirë të fortë për të punuar me zell që të fitojë cilësitë e nevojshme frymore për t’u shërbyer vëllezërve. Në qoftë se një vëlla është i pagëzuar prej të paktën një viti dhe plotëson në një masë të arsyeshme kualifikimet biblike për shërbëtorët ndihmës që theksohen te 1 Timoteut 3:8-13, mund të rekomandohet për t’u emëruar. Vini re se vargu 8 thotë në mënyrë specifike: «Shërbëtorët ndihmës duhet të jenë seriozë.»
12, 13. Përshkruani disa mënyra se si vëllezërit e rinj mund të synojnë përgjegjësi.
12 A je një vëlla i pagëzuar serioz dhe nga fundi i adoleshencës? Ka disa mënyra se si mund të synosh. Një mënyrë është të përmirësosh shërbimin. A të pëlqen të dalësh në shërbim me vëllezër e motra të të gjitha grup-moshave? A po përpiqesh të gjesh një studim biblik? Kur drejton një studim biblik sipas sugjerimeve që jepen në mbledhjet e krishtere, përmirëson aftësinë e mësimdhënies. Për më tepër, mëson të kesh empati për atë që po mëson udhët e Jehovait. Teksa studenti fillon të kuptojë se duhet të bëjë ndryshime, me durim dhe takt do të mësosh ta ndihmosh që të zbatojë parimet biblike.
13 Ju vëllezër të rinj mund të tregoheni të gatshëm për t’i ndihmuar të moshuarit në kongregacion në çdo mënyrë të mundshme. Gjithashtu, mund të interesoheni për Sallën e Mbretërisë, duke ndihmuar për ta mbajtur të pastër e të rregullt. Kur shprehni dëshirën të ndihmoni në çdo mënyrë të mundshme, fryma juaj e gatshme dëshmon se jeni seriozë për shërbimin. Ashtu si Timoteu, mund të mësoni të kujdeseni sinqerisht për nevojat e kongregacionit.—Lexo Filipianëve 2:19-22.
14. Në ç’mënyrë vëllezërit e rinj mund «të provohen më parë nëse janë të aftë» të shërbejnë në kongregacion?
14 Pleq, jini të vëmendshëm për t’i vënë në punë vëllezërit e rinj që po përpiqen ‘të ikin nga dëshirat karakteristike rinore’ dhe po ndjekin «drejtësinë, besimin, dashurinë e paqen», bashkë me karakteristika të tjera serioze. (2 Tim. 2:22) Duke u dhënë punë në kongregacion, ata mund «të provohen më parë nëse janë të aftë» të mbajnë përgjegjësi, në mënyrë që «përparimi [i tyre] të duket qartë për të gjithë».—1 Tim. 3:10; 4:15.
Të tregojmë seriozitet në kongregacion dhe në familje
15. Sipas 1 Timoteut 5:1, 2, si mund të tregojmë seriozitet në mënyrën si i trajtojmë të tjerët?
15 Të jemi serioz do të thotë të sillemi me dinjitet me vëllezërit e motrat. Në këshillën që i dha Timoteut, Pavli theksoi nevojën për t’i trajtuar të tjerët me respekt. (Lexo 1 Timoteut 5:1, 2.) Kjo është veçanërisht e rëndësishme kur kemi të bëjmë me personat e seksit tjetër. Shembulli i Jobit, i cili i trajtonte me dinjitet gratë e sidomos bashkëshorten e vet, vlen të imitohet. Ai bënte përpjekje të ndërgjegjshme që të mos i ngulte sytë me epsh te një grua tjetër. (Jobi 31:1) Nëse i trajtojmë me seriozitet vëllezërit e motrat, nuk do të flirtojmë me ta ose nuk do të bëjmë asgjë që do t’i vinte në siklet në praninë tonë. Trajtimi me dinjitet është veçanërisht i rëndësishëm kur dy veta kanë nisur një marrëdhënie romantike duke pasur në mendje martesën. Një i krishterë serioz nuk do të luante kurrë me ndjenjat e një personi të seksit tjetër.—Prov. 12:22.
16. Tregoni dallimin midis pikëpamjes që kanë disa në botë për rolin e burrave dhe baballarëve, dhe mënyrës si e përshkruan Bibla këtë rol.
16 Gjithashtu, duhet të tregojmë kujdes që të ruajmë një pikëpamje serioze për rolet që na ka dhënë Perëndia në familje. Bota e Satanait tallet me rolin e burrave dhe të baballarëve. Industria e zbavitjes gjen kënaqësi duke i bërë kryefamiljarët të duken sikur meritojnë vetëm tallje e përçmim. Por Shkrimet i japin shumë përgjegjësi burrit, duke e caktuar si ‘kreun e gruas së tij’.—Efes. 5:23; 1 Kor. 11:3.
17. Shpjegoni se si pjesëmarrja në adhurimin familjar mund të tregojë që i marrim seriozisht përgjegjësitë.
17 Një burrë mund të sigurojë gjëra materiale për familjen. Por, nëse nuk siguron drejtim frymor, do të tregonte mungesë maturie dhe mençurie. (Ligj. 6:6, 7) Ja përse te 1 Timoteut 3:4 thuhet që, nëse je kryefamiljar dhe synon privilegje të tjera në kongregacion, duhet të jesh një burrë ‘që e drejton shkëlqyeshëm shtëpinë tënde dhe i ke fëmijët të nënshtruar me plot seriozitet’. Prandaj pyet veten: «A lë kohë rregullisht për adhurimin familjar?» Disa gra të krishtere thuajse duhet t’i përgjërohen burrit që të marrë drejtimin nga ana frymore. Çdo burrë duhet t’i kushtojë vëmendje seriozisht mënyrës si e sheh këtë përgjegjësi. Natyrisht, një grua e krishterë duhet ta mbështetë Adhurimin Familjar dhe të bashkëpunojë me burrin që të nxjerrin sa më shumë dobi nga ky rast.
18. Si mund të mësojnë fëmijët të jenë seriozë?
18 Edhe fëmijët nxiten ta marrin seriozisht jetën. (Ekl. 12:1) S’ka asgjë të keqe që fëmijët të mësojnë të punojnë fort, duke bërë punë shtëpie të arsyeshme për moshën dhe aftësitë e tyre. (Vajt. 3:27) Kur mbreti David ishte djalosh, mësoi të bëhej bari i mirë. Po ashtu, mësoi të bëhej muzikant dhe kompozitor—aftësi që e ndihmuan të shërbente para sundimtarit të Izraelit. (1 Sam. 16:11, 12, 18-21) Pa dyshim, kur ishte i vogël Davidi luante, por fitoi edhe aftësi të vlefshme që i përdori më vonë për të lëvduar Jehovain. Aftësitë si bari e ndihmuan të udhëhiqte kombin e Izraelit me durim. Po ju të rinj, sa aftësi të vlefshme po mësoni—aftësi që do t’ju ndihmojnë t’i shërbeni Krijuesit dhe të përgatiteni për përgjegjësitë e ardhshme?
Të ruajmë një pikëpamje të ekuilibruar
19, 20. Ç’qëndrim të ekuilibruar për veten dhe adhurimin jeni të vendosur të ruani?
19 Të gjithë mund të përpiqemi fort që të ruajmë një pikëpamje të ekuilibruar për veten, duke mos qenë tepër seriozë. Nuk duam të bëhemi ‘të drejtë së tepërmi’. (Ekl. 7:16) Ca ndjenjë humori mund të shtendosë momente të ndera qoftë në shtëpi, në punë ose në marrëdhëniet me vëllezërit e motrat e krishtere. Pjesëtarët e familjes duhet të kenë kujdes të mos jenë tepër kritikë, për të mos prishur paqen që duhet të ketë në një shtëpi. Në kongregacion, të gjithë mund të mësojnë të qeshin e të kënaqen me njëri-tjetrin, duke i bërë bisedat dhe mësimdhënien ndërtuese e pozitive.—2 Kor. 13:10; Efes. 4:29.
20 Jetojmë në një botë që nuk e merr seriozisht Jehovain ose ligjet e tij. Krejt ndryshe, populli i Jehovait e konsideron mjaft të rëndësishme bindjen dhe besnikërinë ndaj Perëndisë. Ç’kënaqësi është të bësh pjesë në një shoqëri të madhe njerëzish që e adhurojnë Jehovain «me plot seriozitet»! Qofshim të vendosur të ruajmë një pikëpamje serioze për jetën dhe adhurimin tonë!
Si do të përgjigjeshit?
• Pse duhet t’i kundërvihemi pikëpamjes së cekët që ka bota për jetën?
• Si mund të jemi të gëzuar, por seriozë në shërbim?
• Si tregon pikëpamja që kemi për pranimin e përgjegjësive nëse jemi apo jo seriozë?
• Shpjegoni pse trajtimi me dinjitet i vëllezërve dhe i pjesëtarëve të familjes është një çështje serioze.
[Figurat në faqen 12]
Burri duhet të plotësojë nevojat materiale dhe frymore të familjes