Çfarë cilësish duhet të ndjekim?
«Ndiq . . . drejtësinë, përkushtimin hyjnor, besimin, dashurinë, qëndrueshmërinë dhe butësinë e karakterit.»—1 TIM. 6:11.
1. Ilustroni çfarë do të thotë fjala «ndjek».
ÇFARË ju vjen ndër mend kur dëgjoni fjalën «ndjek»? Ndoshta mendoni për kohën e Moisiut kur ushtria egjiptiane ‘nisi të ndiqte’ Izraelin, vetëm për t’u shkatërruar më pas në Detin e Kuq. (Dal. 14:23) Mund të kujtoni edhe rrezikun që i kanosej dikujt që kishte kryer një vrasje pa dashje, në Izraelin e lashtë. Ai duhej të shkonte shpejt në një nga gjashtë qytetet e caktuara të strehimit. Përndryshe ‘gjakmarrësi mund ta ndiqte e ta vriste’.—Ligj. 19:6.
2. (a) Cilin çmim i ka ftuar Perëndia disa të krishterë të ndjekin? (b) Çfarë shprese i ofron Jehovai shumicës së të krishterëve sot?
2 Në kontrast me shembujt e mësipërm biblikë, shqyrtoni qëndrimin që kishte apostulli Pavël: «Po sulem drejt qëllimit për të marrë çmimin e thirrjes qiellore të Perëndisë me anë të Krishtit Jezu.» (Filip. 3:14) Bibla tregon se 144.000 të krishterë të mirosur, përfshirë edhe Pavlin, do të marrin çmimin e jetës qiellore. Ata do të sundojnë mbi tokën me Jezu Krishtin gjatë Mbretërimit të tij Mijëvjeçar. Vërtet, sa i mrekullueshëm është qëllimi që i ka ftuar Perëndia të ndjekin! Megjithatë, shumica dërrmuese e të krishterëve të vërtetë në kohën tonë kanë një shpresë ose synim tjetër. Me dashuri Jehovai u ofron atë që humbi Adami dhe Eva, domethënë, shpresën e jetës së përhershme me shëndet të përsosur në një tokë parajsore.—Zbul. 7:4, 9; 21:1-4
3. Si mund ta tregojmë mirënjohjen për dashamirësinë e pamerituar të Perëndisë?
3 Njerëzit mëkatarë nuk mund ta fitojnë jetën e përhershme me anë të përpjekjeve të tyre të papërsosura për të bërë atë që është e drejtë. (Isa. 64:6) Jeta e përhershme mund të fitohet vetëm duke treguar besim te masa e dashur e shpëtimit që ka marrë Perëndia nëpërmjet Jezu Krishtit. Çfarë mund të bëjmë për të treguar mirënjohjen tonë për këtë dashamirësi të pamerituar të Perëndisë? Së pari, mund t’i bindemi këtij urdhri: «Ndiq . . . drejtësinë, përkushtimin hyjnor, besimin, dashurinë, qëndrueshmërinë dhe butësinë e karakterit.» (1 Tim. 6:11) Shqyrtimi i këtyre cilësive mund ta ndihmojë secilin prej nesh që të jetë më i vendosur për t’i ndjekur ato «edhe më shumë».—1 Sel. 4:1.
‘Të ndjekim drejtësinë’
4. Pse jemi të sigurt se ndjekja e ‘drejtësisë’ është e rëndësishme dhe cilët hapa duhet të bëjë dikush që ta ndjekë atë?
4 Në të dyja letrat drejtuar Timoteut, apostulli Pavël renditi cilësitë që duhet të ndjekim dhe, çdo herë, ai përmendi të parën «drejtësinë». (1 Tim. 6:11; 2 Tim. 2:22) Për më tepër, edhe në fragmente të tjera Bibla na nxit në mënyrë të përsëritur që të ndjekim drejtësinë. (Prov. 15:9; 21:21; Isa. 51:1) Hapi i parë për të vepruar kështu është ‘të vazhdojmë të marrim njohuri për të vetmin Perëndi të vërtetë dhe për atë që dërgoi, Jezu Krishtin’. (Gjoni 17:3) Nëse dikush ndjek drejtësinë, do të nxitet të veprojë: do të pendohet për mëkatet e së kaluarës dhe ‘do të kthehet’ për të bërë vullnetin e Perëndisë.—Vep. 3:19.
5. Çfarë duhet të bëjmë për të arritur e për të ruajtur një qëndrim të drejtë para Perëndisë?
5 Miliona veta që po ndjekin vërtet drejtësinë ia kanë kushtuar jetën Jehovait dhe e kanë simbolizuar këtë kushtim duke u pagëzuar në ujë. Nëse je një i krishterë i pagëzuar, a ke menduar se mënyra jote e jetesës duhet të tregojë, siç ndoshta po tregon, se vazhdon të ndjekësh drejtësinë? Një mënyrë si e bën këtë është duke dalluar me anë të Biblës se çfarë është ‘e drejtë dhe e gabuar’ kur duhet të marrësh vendime të rëndësishme në jetë. (Lexo Hebrenjve 5:14.) Për shembull, nëse je një i krishterë beqar në moshë për t’u martuar, a je plotësisht i vendosur të mos nisësh lidhje romantike me dikë që nuk është i krishterë i pagëzuar? Nëse po ndjek drejtësinë, do të jesh.—1 Kor. 7:39.
6. Çfarë përfshin në të vërtetë ndjekja e drejtësisë?
6 Të jesh i drejtë nuk do të thotë të mendosh se je më i drejtë se të tjerët ose «i drejtë së tepërmi». (Ekl. 7:16) Jezui paralajmëroi që të mos hiqemi si të drejtë për t’u dukur më të mirë se të tjerët. (Mat. 6:1) Të ndjekësh vërtet drejtësinë përfshin zemrën—ndreqjen e mendimeve, të qëndrimeve, të motiveve dhe të dëshirave të gabuara. Nëse vazhdojmë të punojmë në këtë drejtim, ka të ngjarë të mos kryejmë mëkate serioze. (Lexo Proverbat 4:23; krahaso Jakovin 1:14, 15.) Për më tepër, Jehovai do të na bekojë dhe do të na ndihmojë ndërsa ndjekim edhe cilësi të tjera të rëndësishme të krishtere.
‘Të ndjekim përkushtimin hyjnor’
7. Çfarë është ‘përkushtimi hyjnor’?
7 Përkushtimi nënkupton të jesh i kushtuar dhe besnik me gjithë zemër. Një fjalor biblik thotë se fjala greke e përkthyer ‘përkushtim hyjnor’ përshkruan «qëndrimin e mirë të dikujt që tregon kujdes të mos i pakësohet frika nga Perëndia». Shpesh izraelitët nuk treguan një përkushtim të tillë, siç kuptohet nga rastet e mosbindjes së tyre, edhe pasi Perëndia i kishte çliruar nga Egjipti.
8. (a) Ç’pyetje lindi për shkak të mëkatit të Adamit? (b) Si u zbulua përgjigjja e këtij ‘sekreti të shenjtë’?
8 Për mijëra vjet pasi mëkatoi njeriu i përsosur, Adami, ende nuk kishte marrë përgjigje pyetja: «A mund të tregojë ndonjë njeri përkushtim hyjnor të përsosur?» Gjatë shekujve asnjë njeri mëkatar nuk mundi të jetonte me përkushtim hyjnor të përsosur. Por, në kohën e tij të duhur, Jehovai zbuloi përgjigjen e këtij ‘sekreti të shenjtë’. Ai e kaloi jetën e Birit të tij të vetëmlindur qiellor në barkun e Marisë, që të lindte si njeri i përsosur. Gjatë gjithë jetës në tokë, si edhe me vdekjen e tij poshtëruese, Jezui tregoi se ç’do të thotë të jesh i kushtuar me gjithë zemër dhe plotësisht besnik ndaj Perëndisë së vërtetë. Lutjet e Jezuit treguan nderimin e tij të thellë për Atin e dashur qiellor. (Mat. 11:25; Gjoni 12:27, 28) Prandaj, Jehovai e frymëzoi Pavlin të fliste për ‘përkushtimin hyjnor’ duke përshkruar jetën shembullore të Jezuit.—Lexo 1 Timoteut 3:16.
9. Si mund të ndjekim përkushtimin hyjnor?
9 Si mëkatarë, ne nuk mund të shfaqim përkushtim hyjnor të përsosur, por mund ta ndjekim atë. Kjo kërkon që të ndjekim modelin e Jezuit sa më me kujdes. (1 Pjet. 2:21) Kështu nuk do të jemi si hipokritët që «kanë një formë të përkushtimit hyjnor, por në jetën e tyre nuk ndikohen nga fuqia e tij». (2 Tim. 3:5) Kjo nuk do të thotë se përkushtimi i vërtetë hyjnor nuk ka të bëjë fare me paraqitjen e jashtme. Përkundrazi. Për shembull, edhe nëse po zgjedhim fustanin e dasmës ose po vendosim ç’të veshim kur bëjmë pazar, paraqitja jonë duhet të jetë gjithnjë në përputhje me atë që pohojmë, pra, se ‘nderojmë thellë Perëndinë’. (1 Tim. 2:9, 10) Po, ndjekja e përkushtimit hyjnor kërkon që t’i marrim parasysh normat e drejta të Perëndisë në jetën tonë të përditshme.
‘Të ndjekim besimin’
10. Çfarë duhet të bëjmë për ta mbajtur besimin të fortë?
10 Lexo Romakëve 10:17. Që të arrijë e të mbajë një besim të fortë, një i krishterë duhet të vazhdojë të meditojë rreth të vërtetave të çmuara që gjenden në Fjalën e Perëndisë. «Skllavi i besueshëm dhe i matur» na ka siguruar shumë botime të shkëlqyera. Tre libra të jashtëzakonshëm janë Njeriu më i madh që ka jetuar ndonjëherë, Të mësojmë nga Mësuesi i Madh dhe «Eja e bëhu ithtari im». Këta libra janë përgatitur që të na ndihmojnë ta njohim më mirë Krishtin dhe kështu të jemi në gjendje ta imitojmë. (Mat. 24:45-47) Gjithashtu, klasa e skllavit organizon mbledhje, asamble dhe kongrese, shumë prej të cilave vënë theksin te «fjala për Krishtin». A shihni ndonjë mënyrë se si mund të përfitoni edhe më shumë nga këto raste, teksa u kushtoni «më shumë vëmendje se zakonisht» gjërave që siguron Perëndia?—Hebr. 2:1.
11. Ç’rol luan lutja dhe bindja që të ndjekim besimin?
11 Edhe lutja është një ndihmë tjetër për të pasur një besim të fortë. Njëherë dishepujt iu përgjëruan Jezuit: «Na jep më shumë besim.» Mund t’i lutemi përulësisht Perëndisë për të njëjtën gjë. (Luka 17:5) Që të kemi më shumë besim, duhet të lutemi për frymën e shenjtë të Perëndisë, sepse «besimi» është një aspekt i ‘frytit të frymës’. (Gal. 5:22) Gjithashtu, na forcon besimin edhe bindja ndaj urdhërimeve të Perëndisë. Për shembull, mund të përpiqemi fort të marrim pjesë më shumë në veprën e predikimit. Kjo mund të na sjellë lumturi të thellë. Dhe, teksa meditojmë rreth bekimeve që vijnë kur ‘kërkojmë në radhë të parë mbretërinë dhe drejtësinë e Perëndisë’, besimi ynë rritet.—Mat. 6:33.
‘Të ndjekim dashurinë’
12, 13. (a) Cili është urdhërimi i ri i Jezuit? (b) Në cilat mënyra të rëndësishme duhet të ndjekim dashurinë si ajo e Krishtit?
12 Lexo 1 Timoteut 5:1, 2. Pavli dha këshilla praktike se si të krishterët mund të tregojnë dashuri për njëri-tjetrin. Përkushtimi ynë hyjnor duhet të përfshijë bindjen ndaj urdhrit të ri të Jezuit ‘ta duam njëri-tjetrin’, siç na deshi ai. (Gjoni 13:34) Apostulli Gjon tha: «Si qëndron dashuria e Perëndisë tek ai që ka zotërimet e kësaj bote, e megjithatë, kur sheh vëllanë e tij në nevojë, e mbyll derën e dhembshurive të tij të buta?» (1 Gjon. 3:17) A ju vijnë në mendje raste kur keni shfaqur dashuri në mënyrë praktike?
13 Një mënyrë tjetër se si e ndjekim dashurinë është duke i falur të tjerët, duke mos mbajtur mëri ndaj vëllezërve. (Lexo 1 Gjonit 4:20.) Përkundrazi, duam të ndjekim këtë këshillë të frymëzuar: «Vazhdoni të duroni dhe të falni bujarisht njëri-tjetrin, edhe nëse ndokush ka shkak për t’u ankuar kundër një tjetri. Ashtu si Jehovai ju fali bujarisht, po kështu bëni edhe ju.» (Kolos. 3:13) A ka ndonjë në kongregacion ndaj të cilit mund ta zbatoni këtë këshillë? A do ta falni?
‘Të ndjekim qëndrueshmërinë’
14. Çfarë mund të mësojmë nga kongregacioni i Filadelfias?
14 Një gjë është të bëjmë çmos për të arritur një synim afatshkurtër, por është krejt ndryshe nëse synimi është i vështirë për t’u arritur ose shumë më larg sesa e pritnim. Patjetër, të ndjekim synimin e jetës së përhershme kërkon qëndrueshmëri. Zotëria Jezu i tha kongregacionit në Filadelfia: «Meqë e ruajte atë që thashë për qëndrueshmërinë, edhe unë do të të ruaj në orën e sprovës.» (Zbul. 3:10; shën. te BR me referime, angl.) Vërtet, Jezui mësoi se kemi nevojë për qëndrueshmëri—cilësi që na ndihmon të mos dorëzohemi kur hasim sprova e tundime. Vëllezërit në kongregacionin e shekullit të parë në Filadelfia duhet të kenë treguar qëndrueshmëri shembullore gjatë shumë sprovave të besimit. Prandaj, Jezui i siguroi se do t’i ndihmonte edhe më tej gjatë një sprove më të madhe që do të vinte.—Luka 16:10.
15. Çfarë na mësoi Jezui për qëndrueshmërinë?
15 Jezui e dinte se dishepujt e tij do të urreheshin nga të afërmit jobesimtarë dhe nga bota në përgjithësi, prandaj të paktën në dy raste i nxiti: «Ai që qëndron deri në fund, do të shpëtojë.» (Mat. 10:22; 24:13) Gjithashtu, Jezui tregoi se si dishepujt e tij mund të merrnin në atë kohë forcën e duhur për të qëndruar. Në një ilustrim ai e krahasoi tokën shkëmbore me njerëzit që «pranojnë [fjalën e Perëndisë] me gëzim», por bien kur hasin sprova besimi. Megjithatë, ai i krahasoi dishepujt e tij besnikë me tokën e mirë, sepse ata «e mbajnë» fjalën e Perëndisë dhe «japin fryt me qëndrueshmëri».—Luka 8:13, 15.
16. Cila masë e dashur i ka ndihmuar miliona veta të qëndrojnë?
16 A e vutë re se cili është sekreti i qëndrueshmërisë? Duhet ‘të mbajmë’ fjalën e Perëndisë, duke e ruajtur të gjallë në zemër e në mendje. Këtë na e bën më të volitshme e të mundur fakti që kemi gjithnjë e në më shumë gjuhë Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re, një përkthim i Biblës i saktë dhe i lehtë për t’u lexuar. Meditimi rreth një pjese të Fjalës së Perëndisë çdo ditë, do të na ndihmojë të gjejmë forcën e duhur që të vazhdojmë të japim fryt «me qëndrueshmëri».—Psal. 1:1, 2.
‘Të ndjekim butësinë e karakterit’ dhe paqen
17. (a) Pse ‘butësia e karakterit’ është kaq e rëndësishme? (b) Si e tregoi Jezui se kishte butësi karakteri?
17 Askujt nuk i pëlqen ta akuzojnë për diçka që nuk ka thënë ose nuk ka bërë. Zakonisht, kur u bëhet një kritikë e padrejtë, njerëzit e mohojnë me zemërim. Por, është shumë më mirë që të tregojmë ‘butësi karakteri’. (Lexo Proverbat 15:1.) Kërkohet forcë e madhe që të jesh i butë kur të kritikojnë padrejtësisht. Jezu Krishti la një shembull të përsosur në këtë drejtim. «Kur e shanin, ai nuk e kthente sharjen. Kur vuante, nuk kërcënonte, por e linte veten në duart e atij që gjykon me drejtësi.» (1 Pjet. 2:23) Ne nuk mund të presim të bëjmë po aq sa Jezui në këtë drejtim, por a mund të përpiqemi të tregojmë më plotësisht butësi karakteri?
18. (a) Ç’të mirë sjell butësia e karakterit? (b) Çfarë cilësie tjetër jemi të nxitur të ndjekim?
18 Ashtu si Jezui, le të jemi ‘gjithnjë gati për të mbrojtur’ bindjet tona, por ‘duke e bërë këtë me frymë butësie dhe me respekt të thellë’. (1 Pjet. 3:15) Po, butësia e karakterit nuk do të lejojë që ndryshimet e opinioneve të shndërrohen në debate të zjarrta, qoftë me njerëzit që takojmë në shërbim, qoftë me bashkëbesimtarët. (2 Tim. 2:24, 25) Butësia na ndihmon të kemi paqe. Ndoshta kjo është arsyeja që Pavli, në letrën e dytë drejtuar Timoteut, e renditi «paqen» ndër cilësitë që duhet të ndjekim. (2 Tim. 2:22; krahaso 1 Timoteut 6:11.) Po, ‘paqja’ është një cilësi tjetër që Shkrimet na nxitin ta ndjekim.—Psal. 34:14; Hebr. 12:14.
19. Çfarë jeni të vendosur të ndiqni pasi keni shqyrtuar këto shtatë cilësi të krishtere dhe pse?
19 Kemi shqyrtuar shkurtimisht shtatë cilësi të krishtere që jemi të nxitur t’i ndjekim: drejtësinë, përkushtimin hyjnor, besimin, dashurinë, qëndrueshmërinë, butësinë e karakterit dhe paqen. Ç’bekim është kur vëllezërit e motrat në çdo kongregacion bëjnë çmos t’i shfaqin në mënyrë edhe më të plotë këto cilësi të çmuara! Kjo i sjell nder Jehovait dhe do të bëjë që ai të modelojë secilin prej nesh në lavdi të tij.
Pyetje për të medituar
• Çfarë përfshin të ndjekësh drejtësinë dhe përkushtimin hyjnor?
• Ç’gjë do të na ndihmojë të ndjekim besimin dhe qëndrueshmërinë?
• Si duhet të ndikojë dashuria në marrëdhëniet me njëri-tjetrin?
• Pse duhet të ndjekim butësinë dhe paqen?
[Figura në faqen 12]
Jezui paralajmëroi që të mos hiqemi si të drejtë vetëm për të rënë në sy të njerëzve
[Figura në faqen 13]
Mund ta ndjekim besimin duke medituar rreth të vërtetave të Fjalës së Perëndisë
[Figura në faqen 15]
Mund të ndjekim dashurinë dhe butësinë e karakterit