Ruaj veten në dashurinë e Perëndisë!
«Të dashur, . . . ruani veten në dashurinë e Perëndisë, . . . me sytë nga jeta e përhershme.»—JUDA 20, 21.
1, 2. Si mund të qëndrosh në dashurinë e Perëndisë?
JEHOVAI e do aq shumë njerëzimin, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, me qëllim që ata që tregojnë besim tek ai të kenë jetë të përhershme. (Gjoni 3:16) Sa e mrekullueshme është të përjetosh këtë dashuri! Nëse je shërbëtor i Jehovait, me siguri që dëshiron ta përjetosh këtë dashuri përgjithmonë.
2 Dishepulli Judë tregoi se si mund të qëndrosh në dashurinë e Perëndisë. Ai shkroi: «Duke u forcuar mbi themelin e besimit tuaj shumë të shenjtë dhe duke u lutur me frymë të shenjtë, ruani veten në dashurinë e Perëndisë, ndërsa pritni mëshirën e Zotërisë tonë Jezu Krisht, me sytë nga jeta e përhershme.» (Juda 20, 21) Studimi i Fjalës së Perëndisë dhe predikimi i lajmit të mirë të ndihmon të forcohesh mbi ‘themelin e besimit shumë të shenjtë’—mbi mësimet e krishtere. Që të qëndrosh në dashurinë e Perëndisë duhet të lutesh «me frymë të shenjtë» ose nën ndikimin e saj. Që të bekohesh me jetën e përhershme, duhet edhe të tregosh besim te flijimi shpërblyes i Jezu Krishtit.—1 Gjonit 4:10.
3. Pse disa nuk janë më Dëshmitarë të Jehovait?
3 Disa, që dikur kishin besim, nuk kanë qëndruar në dashurinë e Perëndisë. Ngaqë kanë zgjedhur të ndjekin një udhë mëkatare, nuk janë më Dëshmitarë të Jehovait. Si mund ta shmangësh një përvojë të tillë? Meditimi për pikat vijuese mund të të ndihmojë që t’i rrish larg mëkatit dhe të ruash veten në dashurinë e Perëndisë.
Tregoje dashurinë për Perëndinë
4. Sa e rëndësishme është bindja ndaj Perëndisë?
4 Tregoje dashurinë tënde për Perëndinë duke iu bindur atij. (Mateu 22:37) Apostulli Gjon shkroi: «Kjo është dashuria për Perëndinë: të zbatojmë urdhërimet e tij, e megjithatë, urdhërimet e tij nuk janë të rënda.» (1 Gjonit 5:3) Nëse e bën zakon t’i bindesh Perëndisë, kjo mund të të forcojë që t’u rezistosh tundimeve dhe mund të të bëjë të lumtur. Psalmisti tha: «Lum njeriu që nuk ndjek këshillat e të ligjve, . . . por që gjen kënaqësi në ligjin e Jehovait.»—Psalmi 1:1, 2.
5. Çfarë nuk do të të lejojë të bësh dashuria për Jehovain?
5 Dashuria për Jehovain nuk do të të lejojë të kryesh ndonjë mëkat të rëndë që do t’i sillte sharje emrit të tij. Aguri u lut: «Mos më jep as varfëri, as pasuri. Më lër të ha aq sa më nevojitet, që të mos ngopem e pastaj të të mohoj dhe të them: ‘Kush është Jehovai?’ e të mos bie në varfëri dhe pastaj të vjedh e të përdhos emrin e Perëndisë tim.» (Proverbat 30:1, 8, 9) Ji i vendosur të mos ‘përdhosësh emrin e Perëndisë’, duke i sjellë kështu sharje Atij. Përkundrazi, përpiqu gjithnjë të bësh gjëra të drejta që i japin lavdi Perëndisë.—Psalmi 86:12.
6. Çfarë mund të ndodhte nëse do të mëkatoje me dashje?
6 Lutju rregullisht Atit tënd të dashur qiellor për ndihmë që t’i rezistosh tundimit për të kryer mëkat. (Mateu 6:13; Romakëve 12:12) Vazhdo të ndjekësh këshillat e Perëndisë, që të mos pengohen lutjet e tua. (1 Pjetrit 3:7) Nëse do të mëkatoje me dashje, pasojat mund të ishin tragjike, sepse në kuptimin e figurshëm Jehovai ua bllokon hyrjen rebelëve si me një masë resh, që lutjet e tyre të mos kalojnë dot tek ai. (Vajtimet 3:42-44) Prandaj trego një frymë të përulur dhe lutu që të mos bësh asgjë që do të të pengonte t’i afroheshe Perëndisë në lutje.—2 Korintasve 13:7.
Trego dashuri për Birin e Perëndisë
7, 8. Si mund të shmangim udhën mëkatare nëse ua vëmë veshin fjalëve të Jezuit?
7 Trego dashuri për Jezu Krishtin duke iu bindur urdhërimeve të tij, sepse kjo do të të ndihmojë të shmangësh udhën mëkatare. Jezui tha: «Po të zbatoni urdhërimet e mia, do të qëndroni në dashurinë time, ashtu si unë kam zbatuar urdhërimet e Atit dhe qëndroj në dashurinë e tij.» (Gjoni 15:10) Si mund të të ndihmojë zbatimi i fjalëve të Jezuit që të qëndrosh në dashurinë e Perëndisë?
8 Në rast se u vë veshin fjalëve të Jezuit, kjo mund të të ndihmojë që t’u përmbahesh normave morale. Në Ligjin që Perëndia i dha Izraelit thuhej: «Mos kryej kurorëshkelje.» (Dalja 20:14) Por Jezui zbuloi një parim që qëndronte pas këtij urdhri, duke thënë: «Kushdo që vazhdon ta shikojë një grua aq sa ta dëshirojë, tashmë ka kryer kurorëshkelje me të në zemrën e vet.» (Mateu 5:27, 28) Apostulli Pjetër tha se në kongregacionin e shekullit të parë disa kishin «sy plot kurorëshkelje» dhe ‘ndillnin shpirtrat e paqëndrueshëm’. (2 Pjetrit 2:14) Megjithatë, ndryshe nga ata, ti mund t’i shmangësh mëkatet seksuale, në qoftë se e do dhe i bindesh Perëndisë dhe Krishtit e je i vendosur të ruash marrëdhënien tënde me ta.
Lejoje frymën e Jehovait që të të drejtojë
9. Çfarë mund të ndodhë për sa i përket frymës së shenjtë nëse dikush nuk heq dorë nga mëkati?
9 Lutu për frymën e shenjtë të Perëndisë dhe lejo që të të drejtojë. (Luka 11:13; Galatasve 5:19-25) Po të mos heqësh dorë nga mëkati, Perëndia mund të largojë frymën e tij prej teje. Pasi mëkatoi me Betshebën, Davidi iu përgjërua Perëndisë: «Mos më flak larg fytyrës sate dhe mos e hiq prej meje frymën tënde të shenjtë!» (Psalmi 51:11) Mbreti Saul e humbi frymën e Perëndisë ngaqë ishte një mëkatar i papenduar. Sauli mëkatoi duke paraqitur një flijim të djegur dhe duke mos vrarë tërë gjedhët, dhentë dhe mbretin e amalekitëve. Për pasojë, Jehovai e hoqi frymën e shenjtë nga Sauli.—1 Samuelit 13:1-14; 15:1-35; 16:14-23.
10. Pse duhet të hedhësh poshtë madje edhe vetë mendimin për të praktikuar mëkatin?
10 Hidh poshtë madje edhe vetë mendimin për të praktikuar mëkatin. Apostulli Pavël shkroi: «Po të praktikojmë me dashje mëkatin, pasi të kemi marrë njohurinë e saktë të së vërtetës, nuk ka më asnjë flijim për mëkatet.» (Hebrenjve 10:26-31) Sa tragjike do të ishte po të praktikoje mëkatin deri në këtë pikë!
Trego dashuri të vërtetë për të tjerët
11, 12. Në cilat mënyra dashuria dhe respekti do të na pengojnë të përfshihemi në një sjellje të gabuar seksuale?
11 Dashuria për të tjerët do të të pengojë që të përfshihesh në sjellje të gabuar seksuale. (Mateu 22:39) Kjo dashuri do të të shtyjë ta ruash zemrën, që të mos të joshë e t’i vjedhësh zemrën bashkëshortes së një tjetri. Kjo mund të të çonte në mëkatin e kurorëshkeljes. (Proverbat 4:23; Jeremia 4:14; 17:9, 10) Ji si Jobi i drejtë, i cili nuk ia lejonte vetes që t’i ndalte sytë te ndonjë grua që nuk ishte bashkëshortja e tij.—Jobi 31:1.
12 Respekti për shenjtërinë e martesës mund të të ndihmojë të shmangësh mëkate të rënda. Perëndia kishte si qëllim që një martesë e nderuar bashkë me marrëdhëniet seksuale të ishin mjeti për riprodhimin e jetës. (Zanafilla 1:26-28) Mos harro se organet seksuale janë për riprodhimin e jetës, e cila është e shenjtë. Kurvarët dhe kurorëshkelësit tregojnë mosbindje ndaj Perëndisë, e përdhosin aktin seksual, nuk kanë respekt për shenjtërinë e martesës dhe mëkatojnë kundër trupit të tyre. (1 Korintasve 6:18) Por dashuria për Perëndinë dhe për të afërmin, bashkë me bindjen ndaj Perëndisë, do të na frenojnë të përfshihemi në një sjellje që mund të sjellë përjashtimin nga kongregacioni i krishterë.
13. Në ç’mënyrë një person imoral «prish gjëra me vlerë»?
13 Duhet t’i shtypim mendimet mëkatare që të mos u sjellim dhembje njerëzve tanë të dashur. Te Proverbat 29:3 (Përkthimi Bota e Re me referime, anglisht) thuhet: «Kush shkon me prostitutat, prish gjëra me vlerë.» Një kurorëshkelës i papenduar prish marrëdhënien e tij me Perëndinë dhe lidhjet familjare. Gruaja e tij ka një bazë për t’u divorcuar. (Mateu 19:9) Pavarësisht se kush ka kryer keqbërje, burri apo gruaja, prishja e martesës mund t’i sjellë shumë dhembje bashkëshortit të pafajshëm, fëmijëve dhe të tjerëve. A nuk je dakord se kur i dimë pasojat shkatërrimtare të sjelljes imorale, kjo duhet të na nxitë t’i rezistojmë tundimit për t’u përfshirë në të?
14. Cili mësim për keqbërjen mund të nxirret nga Proverbat 6:30-35?
14 Meqë nuk ka asnjë mënyrë për të dëmshpërblyer kurorëshkeljen, duhet të jemi të nxitur ta shmangim këtë akt të rëndë egoist. Te Proverbat 6:30-35 tregohet se, edhe pse njerëzve mund t’u vijë keq për një hajdut që vjedh sepse është i uritur, ata e përbuzin një kurorëshkelës sepse ka një motiv të keq. Ai «e çon shpirtin [ose jetën] e vet në rrënim». Nën Ligjin e Moisiut, atë do ta kishin vrarë. (Levitiku 20:10) Dikush që kryen kurorëshkelje u shkakton dhembje të tjerëve vetëm e vetëm që të kënaqë epshin e tij, dhe një kurorëshkelës i papenduar nuk qëndron në dashurinë e Perëndisë, por dëbohet nga kongregacioni i pastër i krishterë.
Mbaj një ndërgjegje të pastër
15. Në ç’gjendje është një ndërgjegje e damkosur «si me hekur të nxehtë»?
15 Që të qëndrojmë në dashurinë e Perëndisë, nuk mund ta lejojmë ndërgjegjen të bëhet e pandjeshme ndaj mëkatit. Patjetër që nuk duhet të pranojmë normat e ulëta morale të botës dhe duhet të tregojmë kujdes në gjëra të tilla, si: zgjedhja e shoqërive, materialet që lexojmë dhe zbavitja. Pavli paralajmëroi: «Në të ardhmen do të ketë periudha kur disa do të bien nga besimi dhe do t’u kushtojnë vëmendje shprehjeve të frymëzuara mashtruese e mësimeve të demonëve. Do të bien për shkak të hipokrizisë së njerëzve që thonë gënjeshtra, të damkosur në ndërgjegjen e tyre si me hekur të nxehtë.» (1 Timoteut 4:1, 2) Një ndërgjegje e damkosur «si me hekur të nxehtë», është si mishi i djegur që është mbuluar nga vraga dhe s’ka ndjesi. Një ndërgjegje e tillë nuk do të na paralajmërojë më t’u qëndrojmë larg apostatëve dhe rrethanave që mund të na bëjnë të biem nga besimi.
16. Pse është kaq e rëndësishme të kemi një ndërgjegje të pastër?
16 Shpëtimi ynë varet nëse kemi një ndërgjegje të pastër. (1 Pjetrit 3:21) Nëpërmjet besimit te gjaku i derdhur i Jezuit, ndërgjegjja jonë është pastruar nga veprat e vdekura, «që t’i bëjmë shërbim të shenjtë Perëndisë së gjallë». (Hebrenjve 9:13, 14) Në rast se do të mëkatonim me dashje, ndërgjegjja do të ndotej dhe nuk do të ishim më njerëz të pastër, të denjë për t’i shërbyer Perëndisë. (Titit 1:15) Por me ndihmën e Jehovait mund të kemi një ndërgjegje të pastër.
Mënyra të tjera për të shmangur një sjellje të gabuar
17. Ç’dobi ka kur ‘i bindesh Jehovait në çdo gjë’?
17 ‘Bindju Jehovait në çdo gjë’, siç bëri Kalebi në Izraelin e lashtë. (Ligji i përtërirë 1:34-36) Bëj atë që kërkon Perëndia nga ty dhe kurrë mos mendo të marrësh pjesë në «tryezën e demonëve». (1 Korintasve 10:21) Hidh poshtë apostazinë. Merr me mirënjohje ushqimin frymor që gjendet vetëm në tryezën e Jehovait, dhe kështu nuk do të mashtrohesh nga mësuesit e rremë ose nga forcat e liga frymore. (Efesianëve 6:12; Juda 3, 4) Përqendrohu te gjërat frymore, si studimi i Biblës, ndjekja e mbledhjeve dhe pjesëmarrja në shërbim. Patjetër që do të jesh i lumtur nëse i bindesh Jehovait në çdo gjë dhe ke shumë për të bërë në veprën e Zotërisë.—1 Korintasve 15:58.
18. Si do të ndikojë frika ndaj Jehovait në sjelljen tënde?
18 Ji i vendosur ‘t’i bësh Perëndisë shërbim të shenjtë, me frikë Perëndie dhe nderim të thellë’. (Hebrenjve 12:28) Frika me respekt ndaj Jehovait nuk do të të lejojë të ndjekësh një udhë rebele. Ajo do të të ndihmojë të sillesh në harmoni me këshillën që u dha Pjetri të mirosurve si ai: «Nëse i thërritni Atit që gjykon me paanësi sipas veprës së gjithsecilit, silluni me frikë gjatë kohës që banoni në dhé të huaj.»—1 Pjetrit 1:17.
19. Pse duhet të vësh vazhdimisht në praktikë gjërat që po mëson nga Fjala e Perëndisë?
19 Vër vazhdimisht në praktikë gjërat që po mëson nga Fjala e Perëndisë. Kjo do të të ndihmojë të shmangësh mëkate të rënda, sepse do të jesh ndër ‘ata që nëpërmjet përdorimit i kanë aftësitë perceptuese të stërvitura për të shquar si të drejtën, ashtu edhe të gabuarën’. (Hebrenjve 5:14) Në vend që të kesh një të folur dhe sjellje të shkujdesur, ji syçelë që të ecësh si një i mençur, «duke blerë kohën e duhur» në këto ditë të liga. ‘Vazhdo të dallosh se cili është vullneti i Jehovait’ dhe ta zbatosh atë.—Efesianëve 5:15-17; 2 Pjetrit 3:17.
20. Pse nuk duhet t’i lëmë vend lakmisë?
20 Mos i lër vend lakmisë, pra, dëshirës së pangopur për të pasur gjërat që u përkasin të tjerëve. Një nga Dhjetë Urdhërimet thotë: «Mos dëshiro [«lakmo», Simon Filipaj] shtëpinë e tjetrit. Mos dëshiro gruan e tjetrit, as skllavin e as skllaven e tij, as demin e as gomarin e tij, as gjithçka që i përket atij.» (Dalja 20:17) Ky ligj mbronte shtëpinë, gruan, shërbëtorët, kafshët dhe gjëra të tjera që i përkitnin një individi. Por më e rëndësishme është ajo që tha Jezui se lakmia e ndot njeriun.—Marku 7:20-23.
21, 22. Çfarë masash parandaluese mund të marrë një i krishterë për të mos mëkatuar?
21 Merr masa parandaluese që dëshira të mos të çojë në mëkat. Dishepulli Jakov shkroi: «Secili sprovohet, i tërhequr dhe i joshur nga dëshira e vet. Pastaj dëshira, si bëhet pjellore, lind mëkatin, dhe mëkati, pasi kryhet, sjell vdekjen.» (Jakovi 1:14, 15) Për shembull, nëse dikush në të kaluarën ka pasur problemin e alkoolit, ai mund të vendosë që të mos mbajë fare pije alkoolike në shtëpi. Për të shmangur tundimet në lidhje me një person të seksit tjetër, një të krishteri mund t’i duhet t’i rregullojë gjërat që të mos punojë afër atij personi ose të ndryshojë punën.—Proverbat 6:23-28.
22 Mos bëj as hapin e parë drejt mëkatit. Flirtimi dhe mbajtja në mendje e mendimeve imorale mund të çojnë në kurvëri ose kurorëshkelje. Po të thuash gënjeshtra të vogla, mund të nxitesh të thuash gënjeshtra të mëdha dhe mund ta bësh zakon mëkatin e gënjeshtrës. Po të vjedhësh gjëra të vogla, ndërgjegjja mund të të mpihet aq sa të fillosh të vjedhësh gjëra më të mëdha. Edhe po t’i tolerosh fare pak mendimet apostate, mund të futesh në udhën që të çon tërësisht në apostazi.—Proverbat 11:9; Zbulesa 21:8.
Po sikur të kesh mëkatuar?
23, 24. Ç’ngushëllim mund të nxjerrim nga 2 Kronikave 6:29, 30 dhe Proverbat 28:13?
23 Të gjithë njerëzit janë të papërsosur. (Eklisiastiu 7:20) Por, nëse ke mëkatuar rëndë, mund të marrësh ngushëllim nga lutja që bëri mbreti Solomon në përurimin e tempullit të Jehovait. Ai iu lut Perëndisë: «Çfarëdo lutjeje e kërkese për hir që të bëjë ndonjëri ose i gjithë populli yt, Izraeli—sepse gjithsecili e njeh plagën dhe dhembjen e vet—kur të shtrijë duart e tij drejt kësaj shtëpie, dëgjo nga qiejt, nga vendbanimi yt, fal dhe jepi secilit sipas gjithë udhëve të tij, sepse ti e njeh zemrën e tij (sepse vetëm ti e njeh mirë zemrën e bijve të njerëzve).»—2 Kronikave 6:29, 30.
24 Po, Perëndia e njeh zemrën dhe është i gatshëm të falë. Te Proverbat 28:13 thuhet: «Kush i mbulon shkeljet, nuk do t’ia dalë mbanë, por atij që i rrëfen dhe i lë ato, do t’i tregohet mëshirë.» Duke u penduar e duke ia rrëfyer mëkatin Perëndisë, si edhe duke e braktisur mëkatin, mund të marrim mëshirën e Perëndisë. Por, nëse je i dobët frymësisht, ç’gjë tjetër mund të të ndihmojë që të qëndrosh në dashurinë e Perëndisë?
Si do të përgjigjeshe?
• Si mund ta ruajmë veten në dashurinë e Perëndisë?
• Si na ndihmon dashuria për Perëndinë dhe Krishtin që të mos ndjekim një udhë mëkatare?
• Pse dashuria e vërtetë për të tjerët na pengon të përfshihemi në sjellje të gabuar seksuale?
• Cilat janë disa mënyra për të shmangur sjelljen e gabuar?
[Figura në faqen 21]
Juda na tregon se si të ruajmë veten në dashurinë e Perëndisë
[Figura në faqen 23]
Prishja e martesës mund t’i sjellë shumë dhembje bashkëshortit të pafajshëm dhe fëmijëve
[Figura në faqen 24]
A je si Kalebi, i vendosur ‘t’i bindesh Jehovait në çdo gjë’?
[Figura në faqen 25]
Lutju rregullisht Perëndisë për ndihmë që t’u rezistosh tundimeve