Studimi 19
Përparimi yt le të bëhet i dukshëm
1 Pasi ke studiuar dhe aplikuar me kujdes të gjitha mësimet e kësaj broshure, a je tani gati për t’u diplomuar në Shkollën e Shërbimit Teokratik? Jo, sepse ky është një program i vazhdueshëm stërvitjeje për shërbim. Kur është fjala për të marrë njohuri hyjnore dhe për ta praktikuar atë që ke mësuar, nuk ka diplomim. Përkundrazi, si një student i zellshëm mund të vazhdosh të bësh një përparim që është i vëzhgueshëm për ata që të njohin.
2 Apostulli Pavël e nxiti bashkadhuruesin e tij të ri, Timoteun, ‘të vazhdonte të jepej pas leximit publik, nxitjes, mësimdhënies, përsiatjes mbi gjërat që kishte mësuar, të zhytej në to, që përparimi i tij të mund të ishte i dukshëm për të gjithë personat’. (1. Tim. 4:13, 15) Edhe ti, si adhurues i të njëjtit Perëndi, mund ta bësh përparimin tënd të dukshëm për të tjerët. Mund të vazhdosh ta bësh këtë, pa e arritur ndonjëherë pikën ku nuk ka më mundësi për të përparuar. Jehovai është burimi i të gjithë njohurisë së vërtetë dhe ky burim është si një pus i pamatshëm uji freskues. Ndonëse kurrë nuk mund t’ia matim plotësisht thellësinë, mund të vazhdojmë të nxjerrim jetë dhe freski prej tij, deri në kohë të pacaktuar. (Rom. 11:33, 34; Isa. 55:8, 9) Pra, si mund të bëhet përparimi yt i dukshëm për ata që të vëzhgojnë?
3 Mënyra në të cilat bëhet i dukshëm përparimi. Një mënyrë në të cilën është i dukshëm përparimi yt, janë fjalimet e tua në shkollën e shërbimit. Ti mund të mendosh se nuk ke bërë ndonjë përparim të madh, por të tjerët mund ta vërejnë përparimin tënd, madje më shumë se ç’mund ta vësh re ti. Në lidhje me këtë, ne jemi të gjithë si ai fëmijë që uron të mos duhet kaq shumë kohë për t’u rritur, por kur shkojnë të afërmit për vizitë, thërrasin me habi: «Oh, sa qenke rritur!» Mendo për fjalimin e parë fare që ke mbajtur në shkollë. A të kujtohet? Krahasoje me fjalimet që ke mbajtur kohët e fundit? Që atëherë, ke mësuar shumë dhe ke fituar një përvojë me vlerë, apo jo? Vazhdo, pra, të ecësh përpara.
4 Përparimi nuk është i dukshëm vetëm në fjalimet e shkollës së shërbimit. Ai vërehet edhe në mbledhjet e kongregacionit. A merr pjesë rregullisht në mbledhje? Nëse po, kjo tregon se po përparon dhe se i çmon sigurimet e Jehovait për mirëqënien tonë frymore. Përveç kësaj, cilësia e komenteve të bëra në mbledhje, mund të dëshmojë për përparimin. Ata që bëjnë komente me fjalët e tyre, në vend se thjesht t’i lexojnë, tregojnë përparimin e tyre. Ngjashëm, ata që komentojnë mbi domethënien dhe vlerën e informacionit të studiuar në jetën tonë, tregojnë se janë duke zhvilluar aftësinë shquese. Pra, pjesëmarrja e rregullt në mbledhje dhe cilësia e pjesëmarrjes personale në to, meritojnë të vërehen, kur merret në shqyrtim përparimi i bërë.
5 Ç’të themi për përparimin që ke bërë në shërbimin në fushë? A të kujtohet se si u ndjeve kur iu afrove derës së parë, ndërsa filloje kështu shërbimin? Krahasoje atë me aftësinë që ke tani, kur ndodhesh tek dera. Ke pasur përmirësime, apo jo? Megjithatë, pa dyshim që e pranon se për sa i përket efektshmërisë në predikim e mësimdhënie, ka vend për përmirësim. Gjithashtu, a mund të marrësh pjesë në mënyrë më të plotë në të gjitha aspektet e shërbimit që janë të mundshme për ty? Apostulli Pavël nxiti: «Ashtu siç morët prej nesh udhëzimin mbi mënyrën se si duhet të ecni dhe t’i pëlqeni Perëndisë, siç dhe po ecni në fakt, . . . vazhdoni ta bëni këtë në mënyrë më të plotë.» (1. Sel. 4:1) Ndërsa vazhdon të përparosh, duke pasur një pjesëmarrje më të plotë në shërbimin e Jehovait, jo vetëm që predikimi dhe mësimdhënia jote do të bëhen më të efektshëm, por do të thellohet edhe çmueshmëria jote për privilegjin e shërbimit ndaj Jehovait. Madje edhe kur përgjigjja e pronarit të shtëpisë nuk është e mirë, ti, megjithatë, do ta konsiderosh një privilegj që je përdorur nga Jehovai për t’u çuar mesazhin e tij njerëzve.
6 Përparimi i një personi është i dukshëm edhe në bisedë. Jezui tha se «goja e një personi flet nga bollëku i zemrës». (Luka 6:45) Kur biseda e një personi përqendrohet tek Jehovai dhe qëllimet e tij, në një shkallë që sa vjen e rritet, është e dukshme se është bërë përparim. Kjo tregon se ai person po rritet në çmueshmërinë për Jehovain, se po i afrohet më shumë Perëndisë dhe sa më shumë t’i afrohemi atij, aq më shumë do të na shërbejë si një mbrojtje.
7 Përparimi është i dukshëm edhe në aplikimin e parimeve të Biblës në jetën e përditshme. A nuk është e vërtetë që e vëren se tani po i bën gjërat në një mënyrë të ndryshme nga ajo që i bëje përpara se të njihje Fjalën e Perëndisë? Ka të ngjarë që ky përparim në kryerjen e gjërave sipas mënyrës së Jehovait, të pasqyrohet në aktivitetin tënd kudo. Ai tregohet në shtëpinë tënde, në mënyrën se si i trajton anëtarët e tjerë të familjes tënde. Ai pasqyrohet në mënyrën se si i mban mbi supe përgjegjësitë e tua. Në punën në botë, je më i kujdesshëm për të aplikuar parimet biblike. E gjithë kjo është një tregues se ke bërë njëfarë progresi. Por edhe në këtë aspekt, të gjithë mund të punojmë për t’u përmirësuar, duke kërkuar t’i aplikojmë në mënyrë më të plotë parimet biblike.
8 Vihu në dispozicion. Një mënyrë tjetër për ta bërë të dukshëm përparimin, është vënia e vetes në dispozicion për shërbimin e Jehovait në një masë më të madhe. Psalmi 110:3 thotë: «Populli yt do të ofrohet vullnetarisht ditën e forcës sate ushtarake.» A është e vërtetë për ty kjo? A mund të jetë e vërtetë për ty, në një masë edhe më të madhe në të ardhmen?
9 Ti mund ta tregosh gatishmërinë me anë të vënies së vetes në dispozicion për të ndihmuar të tjerët, duke treguar kështu një interesim të sinqertë për ta. Pleqtë e kongregacionit mund të të kërkojnë të ndihmosh vëllezërit ose motrat në ndonjë mënyrë. Këta mund të kenë nevojë për ndihmë që të vijnë në mbledhje. A je në dispozicion për t’i ndihmuar? Nuk duhet të presësh derisa dikush tjetër të të kërkojë ndihmë. Përse të mos dalësh vullnetar, duke u ofruar ndihmë atyre që duket se kanë nevojë për të? A është ndonjë i sëmurë apo i shtruar në spital? Nuk ka nevojë të presim derisa pleqtë të na e tërheqin vëmendjen mbi këtë, por ti mund të marrësh iniciativën dhe t’i vizitosh apo t’i ndihmosh në ndonjë mënyrë tjetër, nëse je në dijeni të nevojës së tyre. A ke një studim të rregullt familjar në shtëpinë tënde? A mund ta ndihmojë ky studim një familje që sapo ka filluar të shoqërohet me kongregacionin, e cila nuk ka një studim të tillë, nëse do t’i ftoje herë pas here të bashkoheshin me familjen tënde për këtë studim? Ose, nëse shkon vetëm në shërbimin në fushë, a ka të tjerë që do të vinin po t’u ofroje mundësinë për të shkuar bashkë? Përse të mos e planifikosh më përpara që të ftosh një lajmëtar tjetër për të dalë me ty? Po, shërbëtorët e Jehovait janë shumë të zënë në këto ditë, por gatishmëria jonë për t’u ofruar ndihmë vëllezërve të tjerë dhe motrave të tjera është një matëse e përparimit tonë. «Pra, me të vërtetë, derisa të kemi kohë të favorshme për të, le të bëjmë atë që është e mirë ndaj të gjithëve, por veçanërisht ndaj atyre që janë të lidhur me ne në besim.»—Gal. 6:10.
10 Nëse je një vëlla, mund ta vësh veten në dispozicion duke punuar për t’u përputhur me cilësitë e paraqitura në fjalën e Perëndisë për ata që marrin drejtimin në kongregacion. Në letrën e parë të 1 Timoteut 3:1, lavdërohen ata që synojnë pozitën e mbikëqyrësit. Këtu nuk është fjala për t’u shtyrë përpara që të bien në sy, apo për t’u vënë në garë me të tjerët. Është fjala për të punuar, që të tregohet një i krishterë i pjekur, një «plak», i kualifikuar dhe i gatshëm për të shërbyer në çfarëdo detyre që nevojitet. Në çdo kongregacion ka nevojë për shumë «pleq» dhe «shërbëtorë ndihmës», që të marrin drejtimin në mësimdhënie, predikim dhe në përkujdesjen për përgjegjësitë e kongregacionit.
11 Vullnetarët mund të gëzojnë shumë privilegje në kongregacion. Mund t’u kërkohet të bëjnë demonstrime në mbledhjet e shërbimit ose të ndihmojnë pleqtë apo shërbëtorët ndihmës, sepse kanë treguar gatishmëri dhe janë treguar të përgjegjshëm në përkujdesjen për çfarëdo detyre që u është dhënë. Kur lind nevoja, gatishmëria dhe përparimi i tyre mund t’i dallojnë si vëllezër që mund të rekomandohen si shërbëtorë. Përse emërohen ata? Sepse kanë treguar gatishmëri dhe kanë përparuar, duke qenë tani në përputhje me cilësitë që Jehovai ka përcaktuar në Fjalën e tij. Ata që janë emëruar si shërbëtorë, janë të ftuar në Shkollat periodike të Shërbimit të Mbretërisë, për një stërvitje të mëtejshme në lidhje me përkujdesjen për çështjet e kongregacionit.
12 Ka edhe privilegje të tjera që mund t’i gëzojnë të gjithë, nëse janë të gatshëm dhe nëse ua lejon situata. A mund ta ofrosh periodikisht veten si pionier ndihmës, ashtu si kanë bërë me dhjetëra mijëra të tjerë? Ndoshta mund të bëhesh pionier i rregullt dhe t’i bashkohesh numrit të tyre në rritje. A janë rrethanat e tua personale dhe pikëpamja jote ndaj shërbimit të Jehovait, të tilla që ti do të ishe madje i gatshëm të transferoheshe në një vend tjetër për të shërbyer, nëse kjo është ajo që nevojitet? Shumë e kanë bërë këtë si pionierë specialë ose duke shkuar në Shkollën e Galaadit dhe në veprën misionare, apo si lajmëtarë që janë transferuar për të shërbyer atje ku nevoja është më e madhe. Disa kanë ndërmarrë shërbimin në shtëpitë e ndryshme Bethel anembanë botës. Ata janë bekuar në një masë të madhe, sepse i janë ofruar vullnetarisht Jehovait.
13 Këto kohë janë drithëruese për t’u jetuar. Jehovai po bën që në këto «ditë të fundit», mbi tokë të kryhet një vepër e mrekullueshme predikimi dhe mësimi. Kur Jehovai, me anë të organizatës së tij, bën një ftesë për ndonjë aspekt të shërbimit, pyete veten: «A është kjo, diçka që Jehovai po ma thotë mua?» Shqyrto rrethanat e tua, zemrën tënde. Ka shumë të ngjarë që ti të kesh bërë tashmë njëfarë përparimi e të kesh treguar njëfarë gatishmërie dhe kjo është diçka e shkëlqyeshme. Por a ka mënyra të tjera në të cilat përparimi yt mund të bëhet i dukshëm, duke e vënë veten në dispozicion në një masë më të madhe? Ndërsa rritesh në reagimin e përshtatshëm ndaj drejtimit të Jehovait dhe i nënshtrohesh udhëheqjes së tij, do të bekohesh në mënyrë të pasur. Shërbëtorët vullnetarë të Jehovait në mbarë botën mund ta vërtetojnë se është kështu. Në të vërtetë, nga përparimi ynë varet bekimi më i madh nga të gjithë, jeta e përhershme në botën e re të Perëndisë. Ja sepse Fjala e Perëndisë jep nxitjen: «Përsiatu mbi këto gjëra; zhytu në to, që përparimi yt të jetë i dukshëm për të gjithë personat. Kushtoji vëmendje të vazhdueshme vetes dhe mësimdhënies sate. Përmbaju këtyre gjërave, sepse duke bërë kështu do të shpëtosh veten dhe ata që të dëgjojnë.»—1. Tim. 4:15, 16.
[Pyetjet]
1, 2. Përse të gjithë ne duhet të mendojmë në lidhje me bërjen e përparimit?
3, 4. Si tregohet përparimi në shkollën e shërbimit dhe në mbledhjet e tjera të kongregacionit?
5. Ç’gjë dëshmon për përparim në shërbimin në fushë të një personi?
6. Si mund ta pasqyrojë biseda e një personi rritjen e tij frymore?
7. Ku do të ishte i dukshëm përparimi në aplikimin e parimeve biblike?
8, 9. Nëse e vëmë veten në dispozicion për të ndihmuar lajmëtarët e tjerë, çfarë tregon kjo dhe çfarë mundësish ekzistojnë për këtë?
10, 11. Në harmoni me 1. Timoteut 3:1, si mund ta vënë veten në dispozicion vëllezërit?
12, 13. Çfarë privilegjesh të tjera janë të hapura për shumë persona që janë të gatshëm dhe kanë mundësi për ta vënë veten në dispozicion?