Të ankoruar nga shpresa, të shtyrë nga dashuria
«Këto tri gjëra mbeten: besimi, shpresa dhe dashuria, por më e madhja nga këto është dashuria.»—1. KORINTASVE 13:13.
1. Çfarë paralajmërimi na jep apostulli Pavël?
APOSTULLI Pavël na paralajmëron se besimi ynë, ashtu si një anije, mund të fundoset. Ai na thotë që të ‘kemi besim dhe ndërgjegje të mirë, sepse disa, duke e hedhur poshtë, u bënë lundërthyerje [pësuan fundosje, BR] në besim’. (1. Timoteut 1:19) Në shekullin e parë të e.s., anijet që përshkonin detet ndërtoheshin prej druri. Aftësia e tyre lundruese varej nga cilësia e drurit dhe nga mjeshtëria e përdorur në ndërtim.
2. Pse anija e besimit tonë duhet ndërtuar mirë dhe çfarë kërkon kjo prej nesh?
2 Ajo që mund të quhet anija e besimit tonë duhet të mbetet në ujë në mes të deteve të trazuara të njerëzimit. (Isaia 57:20; Zbulesa 17:15) Për këtë qëllim, ajo duhet të jetë e ndërtuar mirë dhe kjo varet nga ne. Kur «detet» e botës judaike dhe asaj romake po bëheshin veçanërisht të trazuara për të krishterët e hershëm, Juda shkroi: «Por ju, shumë të dashur, duke ndërtuar veten tuaj mbi besimin tuaj shumë të shenjtë, duke u lutur në frymën e shenjtë, ruhuni në dashurinë e Perëndisë, duke pritur mëshirën e Zotit tonë Jezu Krisht, për [me sytë nga, BR] jetën e përjetshme.» (Judës 20, 21) Meqenëse Juda tha edhe që të luftojmë për ‘besimin, i cili iu transmetua të shenjtëve’, shprehja «besimin shumë të shenjtë» mund t’i referohet tërësisë së mësimeve të krishtere, duke përfshirë edhe lajmin e mirë të shpëtimit. (Judës 3, BR) Themeli i këtij besimi është Krishti. Na duhet një besim i fortë, nëse duam të kapemi fort pas besimit të vërtetë të krishterë.
T’i qëndrojmë stuhisë së «panikut nga sektet»
3. Si po e përdorin disa veta «panikun nga sektet»?
3 Vitet e fundit ka pasur disa raste të tmerrshme vetëvrasjesh në masë, vrasjesh dhe sulmesh terroriste, të bëra nga sekte të vogla. Kuptohet, shumë individë, duke përfshirë edhe disa udhëheqës të sinqertë politikë, kanë shprehur shqetësimin e tyre për mbrojtjen e njerëzve të pafajshëm dhe veçanërisht të të miturve, nga këto sekte të rrezikshme. Në këtë mënyrë, «perëndia i këtij sistemi gjërash», i cili pa dyshim qëndron pas këtyre krimeve të neveritshme, ka krijuar atë që disa e quajnë panik nga sektet dhe po e përdor këtë kundër popullit të Jehovait. (2. Korintasve 4:4, BR; Zbulesa 12:12) Disa persona e kanë shfrytëzuar këtë situatë për të nxitur kundërshtimin ndaj veprës sonë. Në disa vende, ata kanë sajuar fushata me qëllimin, në dukje, për t’i mbrojtur njerëzit nga «sektet e rrezikshme», por duke quajtur kështu, në mënyrë të gabuar, edhe Dëshmitarët e Jehovait e duke na akuzuar në mënyrë të tërthortë. Kjo e ka vështirësuar dëshminë nga shtëpia në shtëpi në disa vende evropiane dhe i ka bërë disa njerëz që po studionin Biblën me ne, të lënë studimin. Nga ana e vet, kjo ka pasur efekt shkurajues mbi disa vëllezër.
4. Pse nuk duhet të na shkurajojë kundërshtimi?
4 Por, në vend që të na shkurajojë, kundërshtimi duhet ta forcojë bindjen tonë se po praktikojmë krishterimin e vërtetë. (Mateu 5:11, 12) Të krishterët e hershëm i akuzuan se ishin një sekt turbullues dhe për ta u ‘fol kundër’ ngado. (Veprat 24:5; 28:22) Por apostulli Pjetër i qetësoi bashkëbesimtarët e tij, duke shkruar: «Shumë të dashur, mos ju duket çudi për provën e zjarrit që u bë ndër ju për t’ju provokuar, se si ju ndodhi diçka e jashtëzakonshme. Por gëzohuni, duke qenë pjesëtarë të mundimeve të Krishtit, që edhe në zbulesën e lavdisë së tij të mund të gëzoheni dhe të ngazëlloheni.» (1. Pjetrit 4:12, 13) Po ashtu, një anëtar i trupit udhëheqës të shekullit të parë shkroi: «Konsiderojeni të gjithin një gëzim, vëllezërit e mi, kur hasni sprova të ndryshme, duke e ditur se kjo cilësi e sprovuar e besimit tuaj prodhon qëndrueshmëri. Por qëndrueshmëria le ta plotësojë veprën e saj, që ju të jeni të plotë dhe të shëndetshëm në çdo aspekt, duke mos ju munguar asgjë.» (Jakovit 1:2-4, BR) Ashtu si erërat e stuhishme provojnë aftësinë lundruese të një anijeje, stuhitë e kundërshtimit do të zbulojnë çdo dobësi të anijes së besimit tonë.
Vuajtjet sjellin qëndrueshmëri
5. Si mund të jemi të sigurt se besimi ynë është i qëndrueshëm nën vuajtje?
5 Të krishterët mund të jenë të sigurt për qëndrueshmërinë dhe stabilitetin e besimit të tyre vetëm pasi t’u kenë bërë ballë stuhive të vuajtjeve. Qëndrueshmëria jonë do ta «plotësojë veprën e saj» në dete të stuhishme, vetëm nëse ne jemi ‘të plotë dhe të shëndetshëm në çdo aspekt, duke mos na munguar asgjë’, përfshirë këtu edhe besimin e fortë. Pavli shkroi: «Në çdo gjë e rekomandojmë veten si shërbëtorë të Perëndisë në shumë vuajtje, në shtrëngime, në nevoja, në ngushtica.»—2. Korintasve 6:4.
6. Pse duhet të «gëzohemi ndërsa jemi nën vuajtje» dhe si e forcon kjo shpresën tonë?
6 Erërat e stuhishme të vuajtjeve që mund të përjetojmë ndonjëherë, duhen konsideruar si mundësi për të provuar se anija jonë e besimit është e fortë dhe e qëndrueshme. Pavli u shkroi të krishterëve në Romë: «Le të gëzohemi ndërsa jemi nën vuajtje, pasi e dimë se vuajtjet sjellin qëndrueshmëri; qëndrueshmëria, nga ana e vet, një gjendje të miratuar; gjendja e miratuar, nga ana e vet, shpresën dhe shpresa nuk çon në zhgënjim.» (Romakëve 5:3-5, BR) Palëkundshmëria nën sprova na sjell miratimin e Jehovait. Kjo, nga ana e saj, na e forcon shpresën.
Pse disa pësojnë fundosje?
7. (a) Siç e tregojnë fjalët e Pavlit, në ç’mënyrë kishin pësuar fundosje frymore disa persona? (b) Si kanë devijuar disa, sot, nga e vërteta?
7 Kur paralajmëroi për «fundosjen», Pavli kishte ndër mend disa që e kishin «hedhur poshtë» ndërgjegjen e tyre të mirë dhe kishin humbur besimin. (1. Timoteut 1:19) Ndër ta ishin Imeneu dhe Aleksandri, të cilët ranë në apostazi, duke devijuar nga e vërteta dhe duke folur në mënyrë fyese. (1. Timoteut 1:20, shënimi, BR; 2. Timoteut 2:17, 18) Sot, apostatët, të cilët devijojnë nga e vërteta, e godasin me fjalë «skllavin e besueshëm dhe të matur», duke kafshuar kështu dorën që më parë i ushqente frymësisht. Disa i ngjajnë «skllavit të lig», duke thënë në mënyrë të tërthortë: «Zotëria im po vonon.» (Mateu 24:44-49; 2. Timoteut 4:14, 15) Ata e mohojnë që fundi i këtij sistemi të lig gjërash është afër dhe e kritikojnë klasën e skllavit që është frymësisht zgjuar, për faktin se ruan një ndjenjë urgjence mes popullit të Jehovait. (Isaia 1:3) Këta apostatë ia dalin mbanë të «përmbysin besimin e disave», duke shkaktuar fundosjen e tyre frymore.—2. Timoteut 2:18.
8. Çfarë i ka bërë disa që ta fundosin ose ta shkatërrojnë anijen e besimit të tyre?
8 Të krishterë të tjerë të dedikuar e kanë fundosur anijen e besimit të tyre, duke hedhur poshtë ndërgjegjen e duke u dhënë pas kërkimit të shfrenuar të kënaqësive dhe pas imoralitetit seksual të kësaj bote. (2. Pjetrit 2:20-22) Të tjerë e fundosin anijen e tyre të besimit, sepse për ta, limani i sistemit të ri të gjërave nuk duket ende në horizont. Duke mos qenë në gjendje të llogaritin kohën e përmbushjes së disa profecive dhe duke e hequr nga mendja «ditën e Jehovait», ata e braktisin adhurimin e vërtetë. (2. Pjetrit 3:10-13; 1. Pjetrit 1:9) Pas pak kohësh ata e gjejnë veten përsëri në ujërat e errëta dhe të turbullta të sistemit të tanishëm të gjërave. (Isaia 17:12, 13; 57:20) Disa që nuk shoqërohen më me kongregacionin e krishterë, besojnë akoma se ai praktikon fenë e vërtetë. Por, me sa duket, atyre u mungon durimi dhe qëndrueshmëria që kërkohen, për të pritur botën e re që ka premtuar Perëndia Jehova. Për ta, jeta në Parajsë nuk po vjen aq shpejt sa duhej.
9. Çfarë po bëjnë disa të krishterë të dedikuar dhe, këto fakte, çfarë duhet të na bëjnë të shqyrtojmë?
9 Disa të krishterë të dedikuar në disa pjesë të botës duket se i kanë ulur velat e anijes së tyre të besimit. Anija është ende në ujë, por në vend që të shkojë përpara me besim të plotë, ka marrë shpejtësinë e një anijeje që ecën qetë e qetë. Të tërhequr nga shpresa e «Parajsës së shpejti», disa veta ishin përgatitur që të mos kursenin asnjë përpjekje për ta arritur këtë parajsë, duke qenë të zellshëm në veprën e predikimit dhe të rregullt në pjesëmarrjen në të gjitha mbledhjet, asambletë dhe kongreset. Tani, duke menduar se përmbushja e shpresave të tyre është më larg sesa e kishin parashikuar, ata e kanë ulur çmimin që janë të gatshëm të paguajnë. Kjo duket nga ulja e aktivitetit të predikimit, nga parregullsia në mbledhje dhe nga gatishmëria për të humbur pjesë të programit të asambleve ose të kongreseve. Të tjerë po u kushtojnë më shumë kohë zbavitjeve dhe arritjes së rehatisë materiale. Këto fakte na bëjnë të shqyrtojmë se cila duhet të jetë forca kryesore lëvizëse në jetën tonë, në harmoni me dedikimin që i kemi bërë Jehovait. A duhet të varet zelli ynë në shërbim nga shpresa e «Parajsës së shpejti»?
Shpresa e krahasuar me një spirancë
10, 11. Me çfarë e krahasoi Pavli shpresën dhe pse ky krahasim është i përshtatshëm?
10 Pavli theksoi se Jehovai kishte bërë një premtim, duke thënë që bekimet do të vinin nëpërmjet Abrahamit. Më pas, apostulli shpjegoi: «Perëndia, . . . vuri ndërmjetës betimin, që me anë të dy gjërave të pandryshueshme [fjalës së tij dhe betimit të tij], në të cilat është e pamundur që Perëndia të gënjejë, të kemi trimërim të madh ne, që kemi kërkuar strehë duke u kapur nga shpresa që na u vu përpara. Kjo shpresë që ne kemi është si një spirancë [për shpirtin, BR] e sigurt dhe e patundur.» (Hebrenjve 6:17-19; Zanafilla 22:16-18) Shpresa që u është vënë përpara të krishterëve të mirosur është jeta e pavdekshme në qiell. Sot, pjesa më e madhe e shërbëtorëve të Jehovait ka shpresën e shkëlqyeshme të jetës së përhershme në një tokë parajsore. (Luka 23:43) Pa këtë shpresë, një person nuk mund të ketë besim.
11 Spiranca është një mjet i fortë sigurie, i domosdoshëm për ta mbajtur anijen në një vend dhe për të parandaluar devijimin e saj. Asnjë marinar nuk do të guxonte të dilte nga porti me një anije pa spirancë. Duke qenë se disa anije me të cilat kishte udhëtuar Pavli ishin fundosur, ai e dinte nga përvoja se jeta e detarëve shpesh varej nga spirancat e anijeve. (Veprat 27:29, 39, 40; 2. Korintasve 11:25) Në shekullin e parë, anijet nuk kishin motor, me anë të të cilit kapiteni mund ta manovronte si të donte anijen. Përveç anijeve të luftës të drejtuara me rrema, anijet e tjera vareshin kryesisht nga era, për të lëvizur. Nëse një anije gjendej në rrezikun e përplasjes me shkëmbinj, e vetmja zgjidhje për kapitenin e anijes ishte të hidhte spirancën dhe t’i shpëtonte stuhisë, duke besuar se spiranca do të qëndronte e ngulur fort në shtratin e detit. Prandaj, Pavli e krahasoi shpresën e të krishterëve me ‘një spirancë [për shpirtin] të sigurt dhe të patundur’. (Hebrenjve 6:19) Kur na sulmojnë stuhitë e kundërshtimit ose kur përjetojmë sprova të tjera, shpresa jonë e mrekullueshme është si një spirancë që na stabilizon si shpirtra të gjallë, me qëllim që anija jonë e besimit të mos devijojë në cekëtinat e rrezikshme të dyshimit ose në shkëmbinjtë shkatërrimtarë të apostazisë.—Hebrenjve 2:1; Judës 8-13.
12. Si mund ta shmangim largimin nga Jehovai?
12 Pavli i paralajmëroi të krishterët hebrenj: «Kini kujdes, vëllezër, se mos ndonjë nga ju ka [zhvillon një, BR] zemër të ligë, mosbesimi, që të largohet nga Perëndia i gjallë.» (Hebrenjve 3:12) Në tekstin grek, «largohet» fjalë për fjalë do të thotë «shkëputet», domethënë, bën apostazi. Por ne mund ta shmangim një fundosje të tillë të plotë. Besimi dhe shpresa do të na aftësojnë për të qëndruar të lidhur ngushtë me Jehovain, edhe gjatë stuhive më të këqija të sprovave. (Ligji i përtërirë 4:4; 30:19, 20) Besimi ynë nuk do të jetë si një anije e lëkundur sa andej-këtej prej erërave të mësimeve apostate. (Efesianëve 4:13, 14) Veç kësaj, duke pasur si spirancë shpresën, do të jemi në gjendje t’u bëjmë ballë stuhive të jetës si shërbëtorë të Jehovait.
Të shtyrë nga dashuria dhe nga fryma e shenjtë
13, 14. (a) Pse spiranca e shpresës nuk mjafton në vetvete? (b) Cila duhet të jetë forca motivuese në shërbimin e shenjtë që i bëjmë Jehovait dhe përse?
13 Një i krishterë nuk do të vazhdojë drejt sistemit të ri, nëse motivi i vetëm për të cilin i shërben Jehovait është shpresa e jetës përgjithmonë në një tokë parajsore. Ndërkohë që e mban spirancën e shpresës së tij si një faktor stabilizues në jetë, ai ka nevojë për t’i shtuar kësaj shprese, si edhe besimit, forcën nxitëse të dashurisë. Pavli e zbuloi këtë fakt kur shkroi: «Tani, pra, këto tri gjëra mbeten: besimi, shpresa dhe dashuria, por më e madhja nga këto është dashuria.»—1. Korintasve 13:13.
14 Forca që na motivon për të bërë shërbim të shenjtë duhet të jetë dashuria me gjithë zemër për Jehovain, në përgjigje të dashurisë së pallogaritshme që ka ai për ne. Apostulli Gjon shkroi: «Ai që nuk ka dashuri nuk e ka njohur Perëndinë, sepse Perëndia është dashuri. Në këtë është shfaqur dashuria e Perëndisë ndaj nesh, se Perëndia dërgoi Birin e tij të vetëmlindurin në botë që ne të rrojmë nëpërmjet tij. Ne e duam atë, sepse ai na deshi i pari.» (1. Gjonit 4:8, 9, 19) Duke pasur mirënjohje për Jehovain, interesimi ynë kryesor duhet të jetë, jo që të fitojmë shpëtimin personal, por të japim dëshmi për shenjtërimin e emrit të tij të shenjtë dhe shfajësimin e sovranitetit të tij të drejtë.
15. Si lidhet dashuria jonë për Jehovain me çështjen e sovranitetit të tij?
15 Jehovai dëshiron që t’i shërbejmë sepse duam atë, jo vetëm Parajsën. Enciklopedia biblike Mendjehollësi mbi Shkrimeta, thotë: «Jehovai gëzohet me faktin se sovraniteti i tij dhe mbështetja e këtij sovraniteti nga krijesat e tij bazohet kryesisht në dashurinë. Ai pëlqen vetëm ata që e duan sovranitetin e tij, për shkak të cilësive të tij të shkëlqyera dhe për shkak të drejtësisë së tij, ata që preferojnë sovranitetin e tij mbi çdo tjetër. (1Ko 2:9) Ata zgjedhin të shërbejnë nën sovranitetin e tij, në vend që të përpiqen të jenë të pavarur dhe këtë e bëjnë sepse njohin Perëndinë, njohin dashurinë, drejtësinë dhe mençurinë e tij, të cilat ata e kuptojnë se i tejkalojnë shumë të tyret. (Ps 84:10, 11)»—Vëllimi 2, faqe 275.
16. Në ç’mënyrë dashuria për Jezuin është një forcë shtytëse në jetën tonë?
16 Si të krishterë, ne tregojmë, gjithashtu, dashuri për Jezuin, në përgjigje të dashurisë që ka ai për ne. Pavli arsyetoi: «Sepse dashuria e Krishtit na shtrëngon [na shtyn fuqishëm, BR], sepse kemi arritur në konkluzionin se, në qoftë se një ka vdekur për të gjithë, të gjithë, pra, kanë vdekur; dhe se ai ka vdekur për të gjithë, me qëllim që ata të cilët jetojnë, të mos jetojnë që sot e tutje për veten e tyre, po për atë që vdiq dhe u ringjall për ta.» (2. Korintasve 5:14, 15) Krishti është vetë themeli mbi të cilin është ndërtuar jeta jonë frymore, besimi ynë dhe shpresa jonë. Dashuria për Krishtin Jezu na e përforcon shpresën dhe na e stabilizon besimin, veçanërisht në kohë sprovash të stuhishme.—1. Korintasve 3:11; Kolosianëve 1:23; 2:6, 7.
17. Çfarë force dinamike na siguron Jehovai dhe si tregohet rëndësia e saj në Veprat 1:8 dhe në Efesianëve 3:16?
17 Ndonëse dashuria për Perëndinë dhe për Birin e tij është forca kryesore nxitëse në jetën tonë si të krishterë, Jehovai siguron diçka tjetër që na shtyn, na jep energji dhe forcë për të vazhduar përpara në shërbimin e tij. Kjo është forca e tij aktive ose fryma e shenjtë. Fjalët hebraike dhe greke, që janë përkthyer «frymë», kryesisht i referohen lëvizjes dinamike të ajrit, siç është era. Anijet detare, si ato me të cilat udhëtoi Pavli, mbështeteshin në forcën e padukshme të erës për të shkuar në vendmbërritjen e tyre. Në mënyrë të ngjashme, ne na duhet dashuria dhe veprimi i forcës së padukshme aktive të Perëndisë, nëse duam që anija jonë e besimit të na shtyjë përpara në shërbimin e Jehovait.—Veprat 1:8; Efesianëve 3:16.
Përpara drejt vendmbërritjes sonë!
18. Çfarë do të na aftësojë të durojmë çdo sprovë të ardhshme të besimit tonë?
18 Besimi dhe dashuria jonë mund të sprovohen në një masë të madhe, para se të arrijmë në sistemin e ri të gjërave. Por Jehovai na ka siguruar një spirancë «të sigurt dhe të patundur», shpresën tonë të mrekullueshme. (Hebrenjve 6:19; Romakëve 15:4, 13) Kur goditemi nga kundërshtimi ose nga sprovat e tjera, ne mund të durojmë, nëse jemi ankoruar në mënyrë të sigurt me anë të shpresës sonë. Pasi është qetësuar një stuhi, por përpara se të shpërthejë një tjetër, le të jemi të vendosur ta fortifikojmë shpresën tonë dhe ta forcojmë besimin!
19. Si mund ta mbajmë në kursin e duhur anijen e besimit tonë dhe të arrijmë limanin e botës së re të Perëndisë?
19 Para se të përmendte «spirancën [për shpirtin]», Pavli tha: «Dëshirojmë që secili nga ju të tregojë deri në fund të njëjtin zell [të «rritë shpejtësinë», shënimi BR] për të arritur në sigurimin e plotë të shpresës, që të mos bëheni përtacë, por t’u përngjani atyre që nëpërmjet besimit dhe durimit trashëgojnë premtimet.» (Hebrenjve 6:11, 12) Të shtyrë nga dashuria për Jehovain dhe për Birin e tij, si edhe të fuqizuar nga fryma e shenjtë, le ta mbajmë në kursin e duhur anijen e besimit tonë derisa të arrijmë limanin e botës së re të premtuar nga Perëndia!
[Shënimi]
a Botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc, anglisht.
Pika për rishikim
◻ Çfarë paralajmërimi na dha Pavli në lidhje me besimin tonë?
◻ Si kanë pësuar fundosje frymore disa veta dhe si po e ngadalësojnë shpejtësinë të tjerët?
◻ Çfarë cilësish hyjnore duhen shoqëruar me besimin tonë?
◻ Çfarë do të na aftësojë për të arritur limanin e botës së re të premtuar nga Perëndia?
[Figura në faqen 16]
Anija e besimit tonë duhet të jetë e ndërtuar mirë për t’u bërë ballë stuhive të jetës
[Figura në faqen 17]
Besimi ynë mund të pësojë fundosje
[Figura në faqen 18]
Shpresa është një spirancë në jetën tonë si të krishterë