T’i shtojmë qëndrueshmërisë përkushtimin hyjnor
«Shtojini besimit tuaj . . . qëndrueshmërinë, qëndrueshmërisë devocionin [përkushtimin] hyjnor.»—2 PJETRIT 1:5, 6.
1, 2. (a) Ç’lloj rritjeje pritet në rastin e një fëmije? (b) Sa e rëndësishme është rritja frymore?
RRITJA është e rëndësishme për një fëmijë, por kjo nuk mjafton vetëm nga ana fizike. Pritet që ai të rritet edhe nga ana mendore dhe emocionale. Me kalimin e kohës, fëmija do t’i lërë mënjanë veprimet e tij të papjekura dhe do të bëhet një burrë ose një grua, tërësisht i rritur. Apostulli Pavël e kishte fjalën për këtë, kur shkroi: «Kur isha fëmijë, flisja si fëmijë, mendoja si fëmijë, arsyetoja si fëmijë; por tani që jam bërë burrë, i kam flakur tiparet e një fëmije.»—1 Korintasve 13:11.
2 Fjalët e Pavlit theksojnë një gjë të rëndësishme për rritjen frymore. Të krishterët duhet të përparojnë nga fëmijë frymorë në persona «tërësisht të rritur në aftësitë për të kuptuar». (1 Korintasve 14:20) Ata duhet të synojnë dhe të përpiqen të arrijnë «masën e shtatit sipas plotësisë së Krishtit». Atëherë nuk do të jenë «fëmijë, si të lëkundur nga dallgët e të çuar andej-këtej nga çdo erë mësimi».—Efesianëve 4:13, 14.
3, 4. (a) Çfarë duhet të bëjmë që të arrijmë të jemi tërësisht të rritur nga ana frymore? (b) Çfarë cilësish të perëndishme duhet të shfaqim dhe sa të rëndësishme janë?
3 Si mund të bëhemi tërësisht të rritur nga ana frymore? Në rrethana normale rritja fizike ndodh pothuajse vetvetiu, kurse rritja frymore kërkon përpjekje të qëllimshme. Kjo rritje fillon duke marrë njohuri të saktë nga Fjala e Perëndisë dhe duke vepruar në përputhje me atë që mësojmë. (Hebrenjve 5:14; 2 Pjetrit 1:3) Kjo, nga ana e vet, na jep mundësi të shfaqim cilësi të perëndishme. Ashtu siç ndodh me aspektet e ndryshme të rritjes fizike, rritja në cilësi të ndryshme të perëndishme, në përgjithësi, ndodh njëkohësisht. Apostulli Pjetër shkroi: «Ju, në përgjigje, duke kontribuar me çdo përpjekje të zellshme, shtojini besimit tuaj virtytin, virtytit njohurinë, njohurisë vetëkontrollin, vetëkontrollit qëndrueshmërinë, qëndrueshmërisë devocionin [përkushtimin] hyjnor, devocionit hyjnor përzemërsinë vëllazërore, përzemërsisë vëllazërore, dashurinë.»—2 Pjetrit 1:5-7.
4 Çdo cilësi që përmend Pjetri është jetësore dhe asnjëra nuk mund të hiqet. Ai shton: «Në qoftë se këto gjëra gjenden te ju dhe vërshojnë, do t’ju pengojnë të jeni joaktivë dhe të pafrytshëm në lidhje me njohurinë e saktë për Zotërinë tonë Jezu Krisht.» (2 Pjetrit 1:8) Le të përqendrohemi te nevoja për t’i shtuar qëndrueshmërisë përkushtimin hyjnor.
Nevoja për qëndrueshmëri
5. Përse kemi nevojë për qëndrueshmëri?
5 Si Pjetri, ashtu edhe Pavli e lidhin përkushtimin hyjnor me qëndrueshmërinë. (1 Timoteut 6:11) Të kemi qëndrueshmëri nënkupton më shumë sesa vetëm të durojmë kur jemi në vështirësi dhe të vazhdojmë të jemi të vendosur. Përfshin durimin, guximin dhe palëkundshmërinë, të mos i humbim shpresat kur hasim sprova, pengesa, tundime ose përndjekje. Meqë jetojmë me ‘përkushtim hyjnor në shoqëri me Krishtin Jezu’, ne presim përndjekje. (2 Timoteut 3:12) Duhet të tregojmë qëndrueshmëri nëse duam të japim prova të dashurisë sonë për Jehovain dhe të zhvillojmë cilësitë që nevojiten për shpëtim. (Romakëve 5:3-5; 2 Timoteut 4:7, 8; Jakovit 1:3, 4, 12) Pa qëndrueshmëri, nuk do ta fitojmë jetën e përhershme.—Romakëve 2:6, 7; Hebrenjve 10:36.
6. Çfarë do të thotë të qëndrojmë deri në fund?
6 Sado mirë të fillojmë, ajo që ka rëndësi në fund të fundit është që të kemi qëndrueshmëri. Jezui tha: «Ai që ka qëndruar deri në fund, është ai që do të shpëtojë.» (Mateu 24:13) Po, duhet të qëndrojmë deri në fund, qoftë ky fundi i jetës sonë të tanishme, qoftë fundi i këtij sistemi të lig. Në secilin rast, duhet të mbajmë besnikërinë tonë ndaj Perëndisë. Mirëpo, pa i shtuar qëndrueshmërisë përkushtimin hyjnor, nuk mund t’i pëlqejmë Jehovait dhe nuk do të fitojmë jetën e përhershme. Por, çfarë është përkushtimi hyjnor?
Çfarë nënkupton përkushtimi hyjnor?
7. Çfarë është përkushtimi hyjnor dhe çfarë na shtyn të bëjmë?
7 Përkushtimi hyjnor është përnderimi, adhurimi dhe shërbimi që çdo njeri i bën Perëndisë Jehova nga besnikëria ndaj sovranitetit të tij universal. Që të praktikojmë përkushtimin hyjnor ndaj Jehovait, duhet të marrim njohuri të saktë për të dhe për rrugët e tij. Duhet të kemi dëshirë që ta njohim Perëndinë personalisht, nga afër. Kjo do të na shtyjë që të zhvillojmë një lidhje të përzemërt me të, lidhje që e shfaqim me veprimet tona dhe me mënyrën se si jetojmë. Duhet të dëshirojmë që të jemi sa më shumë ngjashëm Jehovait, të imitojmë mënyrat se si vepron ai e të pasqyrojmë cilësitë dhe personalitetin e tij. (Efesianëve 5:1) Vërtet, përkushtimi hyjnor na motivon që të duam t’i pëlqejmë Perëndisë në çdo gjë që bëjmë.—1 Korintasve 10:31.
8. Si janë të lidhur ngushtë përkushtimi hyjnor dhe përkushtimi i veçantë ndaj Jehovait?
8 Për ta praktikuar përkushtimin e vërtetë hyjnor duhet të adhurojmë vetëm Jehovain, duke mos lejuar që asgjë tjetër të zërë vendin e tij në zemrën tonë. Si Krijuesi ynë, ai ka të drejtën që të kërkojë nga ne përkushtim të veçantë. (Ligji i përtërirë 4:24; Isaia 42:8) Megjithatë, Jehovai nuk na detyron që ta adhurojmë. Ai do që t’i përkushtohemi me dëshirë. Është dashuria jonë për Perëndinë, e bazuar në njohurinë e saktë për të, ajo që na shtyn ta pastrojmë jetën dhe t’i kushtohemi atij pa rezerva e pastaj të jetojmë në lartësinë e tij.
Të zhvillojmë një marrëdhënie me Perëndinë
9, 10. Si mund të zhvillojmë e të ruajmë një marrëdhënie të ngushtë me Perëndinë?
9 Edhe pasi e simbolizojmë kushtimin ndaj Perëndisë duke u pagëzuar, kemi ende nevojë që të zhvillojmë një marrëdhënie personale gjithnjë e më të ngushtë me të. Prandaj, dëshira për ta bërë këtë dhe për t’i shërbyer me besnikëri Jehovait na shtyn që të vazhdojmë ta studiojmë Fjalën e tij dhe të meditojmë rreth saj. Dashuria për Jehovain na thellohet kur e lejojmë frymën e tij që të veprojë në mendjen dhe në zemrën tonë. Marrëdhënia me të vazhdon të jetë gjëja më e rëndësishme për ne në jetë. E shohim Jehovain si Mikun tonë më të mirë dhe duam t’i pëlqejmë gjithnjë atij. (1 Gjonit 5:3) Na rritet kënaqësia në marrëdhënien e këndshme që kemi me Perëndinë dhe i jemi mirënjohës atij që me dashuri na mëson dhe na ndreq ku është e nevojshme.—Ligji i përtërirë 8:5.
10 Në qoftë se nuk bëjmë vazhdimisht hapa për ta forcuar marrëdhënien e çmuar që kemi me Jehovain, kjo marrëdhënie mund të ftohet. Po të ndodhte një gjë e tillë, faji nuk do të ishte i Perëndisë, sepse «ai nuk është larg nga secili prej nesh». (Veprat 17:27) Sa të lumtur jemi që Jehovai nuk na e bën të vështirë t’i afrohemi! (1 Gjonit 5:14, 15) Sigurisht që duhet të punojmë për të mbajtur një marrëdhënie të ngushtë e personale me Jehovain. Megjithatë, ai na ndihmon t’i afrohemi, duke dhënë gjithë ndihmën e nevojshme që të zhvillojmë e të vazhdojmë ta praktikojmë përkushtimin hyjnor. (Jakovit 4:8) Si mund ta përdorim në mënyrë të plotë gjithë këtë ndihmë të dashur?
Të qëndrojmë të fortë frymësisht
11. Cilat janë disa shfaqje të përkushtimit tonë hyjnor?
11 Dashuria jonë e thellë për Perëndinë do të na motivojë që ta shfaqim se sa shumë jemi të përkushtuar ndaj tij, në përputhje me këshillën e Pavlit: «Bëj çmos për t’u paraqitur para Perëndisë i miratuar, si një punëtor që s’ka pse t’i vijë turp për asgjë, që e përdor drejt fjalën e së vërtetës.» (2 Timoteut 2:15) Kjo kërkon që të kemi zakonin e mirë për ta studiuar rregullisht Biblën, për të qenë të pranishëm rregullisht në mbledhje dhe për të marrë pjesë rregullisht në shërbimin në fushë. Mund të qëndrojmë afër Jehovait edhe duke ‘u lutur pa pushim’. (1 Selanikasve 5:17) Këto janë shfaqje domethënëse të përkushtimit tonë hyjnor. Po të lëmë pas dore ndonjërën prej tyre, kjo mund të na sjellë sëmundje frymore dhe të na bëjë pre më të lehtë të dredhive të Satanait.—1 Pjetrit 5:8.
12. Si mund t’i përballojmë me sukses sprovat?
12 Të qëndrojmë të fortë e aktivë frymësisht na ndihmon edhe për të përballuar sprovat e shumta që hasim. Sprovat mund të vijnë nga drejtime që ndoshta na lëndojnë shumë. Mund ta kemi më të vështirë ta durojmë mospërfilljen, kundërshtimin dhe përndjekjen, kur këto vijnë nga familjarët, të afërmit ose nga fqinjët. Në shkollë ose në punë mund të lindin presione tinëzare për të bërë kompromis me parimet tona të krishtere. Shkurajimi, sëmundjet dhe depresioni mund të na dobësojnë fizikisht dhe të na e bëjnë më të vështirë përballimin e sprovave të besimit. Por mund t’i përballojmë me sukses të gjitha sprovat, po të ngulmojmë ‘në vepra të shenjta sjelljeje dhe në veprime të përkushtimit hyjnor, duke pritur dhe duke e mbajtur gjithnjë në mend praninë e ditës së Jehovait’. (2 Pjetrit 3:11, 12) E mund ta ruajmë gëzimin ndërsa bëjmë këtë, të bindur për bekimin e Perëndisë.—Fjalët e urta (Proverbat) 10:22.
13. Çfarë duhet të bëjmë që të vazhdojmë të praktikojmë përkushtimin hyjnor?
13 Ndonëse Satanai ka në shënjestër ata që praktikojnë përkushtimin hyjnor, nuk duhet të kemi frikë. Përse jo? Sepse ‘Jehovai di t’i çlirojë nga sprova njerëzit me përkushtim hyjnor’. (2 Pjetrit 2:9) Për të treguar qëndrueshmëri në sprova dhe për të pasur një çlirim të tillë, duhet ‘të hedhim poshtë paperëndishmërinë dhe dëshirat e botës e të jetojmë me mendje të shëndoshë, drejtësi dhe përkushtim hyjnor mes këtij brezi të tanishëm’. (Titit 2:12) Si të krishterë, duhet të jemi vigjilentë për të mos lejuar që ndonjë dobësi e lidhur me dëshirat dhe veprimtaritë mishore të na pengojë që ta praktikojmë përkushtimin hyjnor. Gjithashtu nuk duhet t’i lejojmë këto dobësi ta shkatërrojnë atë. Le të shqyrtojmë tani disa nga këto rreziqe.
Të ruhemi nga rreziqet që i kanosen përkushtimit hyjnor
14. Çfarë duhet të mbajmë mend nëse na josh kurthi i materializmit?
14 Materializmi është një kurth për shumë veta. Edhe ne vetë mund të mashtrojmë vetveten, ‘duke menduar se përkushtimi hyjnor është një mjet fitimi [material]’. Kjo mund të na japë guxim për të përfituar në mënyra të papërshtatshme nga besimi që na tregojnë bashkëbesimtarët. (1 Timoteut 6:5) Madje, mund të nxjerrim gabimisht përfundimin se s’ka asnjë të keqe nëse e nxitim një të krishterë të pasur që të na japë një hua, të cilën zor se e shlyejmë dot. (Psalmi 37:21) Por, është përkushtimi hyjnor, jo fitimi i gjërave materiale, ai që «mban premtimin e jetës së tashme dhe të asaj që do të vijë». (1 Timoteut 4:8) Meqë «asgjë nuk kemi sjellë në botë, e asgjë nuk mund të marrim prej saj», le të ndjekim më me vendosmëri ‘përkushtimin hyjnor bashkë me kënaqjen me atë që kemi’ dhe të mësojmë të jemi ‘të kënaqur duke pasur ç’të hamë, ç’të veshim e ku të futim kokën’.—1 Timoteut 6:6-11.
15. Çfarë mund të bëjmë nëse rendja pas kënaqësive po kërcënon t’i zërë vendin përkushtimit tonë hyjnor?
15 Rendja pas kënaqësive mund t’i zërë vendin përkushtimit hyjnor. A mund të kemi nevojë të bëjmë rregullime të menjëhershme në këtë drejtim? Është e qartë se stërvitja e trupit dhe zbavitja sjellin disa dobi. Megjithatë, dobi të tilla janë të vogla në krahasim me jetën e përhershme. (1 Gjonit 2:25) Sot, shumë veta janë ‘kënaqësidashës në vend se perëndidashës, që duket se kanë një formë të përkushtimit hyjnor, por që në jetën e tyre nuk ndikohen prej fuqisë së tij’ e ne duhet t’u rrimë larg individëve të tillë. (2 Timoteut 3:4, 5) Ata që e vënë theksin te përkushtimi hyjnor janë «duke mbledhur për vete si thesar të sigurt një themel të shkëlqyer për të ardhmen, që të rrokin jetën e vërtetë».—1 Timoteut 6:19.
16. Cilat dëshira mëkatare i pengojnë disa që të jetojnë në lartësinë e kërkesave të drejta të Perëndisë dhe si mund t’i mposhtim këto dëshira?
16 Abuzimi me alkoolin dhe me drogën, imoraliteti dhe dëshirat mëkatare mund të na e shkatërrojnë përkushtimin hyjnor. T’u dorëzohemi këtyre gjërave mund të na pengojë që të jetojmë në lartësinë e kërkesave të drejta të Perëndisë. (1 Korintasve 6:9, 10; 2 Korintasve 7:1) Edhe Pavlit i duhej të duronte një konflikt të vazhdueshëm me mishin mëkatar. (Romakëve 7:21-25) Duhet të marrim masa të forta për të hequr qafe dëshirat e gabuara. Së pari, duhet të jemi të vendosur që të mbetemi të pastër moralisht. Pavli na thotë: «Bëni . . . të vdesin gjymtyrët e trupit tuaj që janë mbi tokë në lidhje me kurvërinë, ndyrësinë, urinë seksuale, dëshirat e dëmshme dhe lakminë, që është idhujtari.» (Kolosianëve 3:5) T’i bëjmë të vdesin gjymtyrët e trupit lidhur me këto gjëra mëkatare kërkon vendosmëri për t’i zhdukur këto dëshira, për t’i hequr qafe. Lutjet e zjarrta që i drejtojmë Perëndisë për ndihmë do të na japin mundësi t’i hedhim poshtë dëshirat e gabuara e të ndjekim drejtësinë dhe përkushtimin hyjnor në mes të këtij sistemi të lig.
17. Si duhet ta shohim disiplinën?
17 Shkurajimi mund të na e dobësojë qëndrueshmërinë dhe të ketë pasoja negative në përkushtimin tonë hyjnor. Shumë shërbëtorë të Jehovait e kanë provuar shkurajimin. (Numrat 11:11-15; Ezdra 4:4; Jonai 4:3) Shkurajimi mund të lërë te ne pasoja shkatërrimtare, sidomos në qoftë se shoqërohet nga lëndimi kur ndihemi të fyer ose kur jemi qortuar a disiplinuar rëndë. Megjithatë, qortimi dhe disiplina janë provë e interesit dhe e kujdesit të dashur të Perëndisë. (Hebrenjve 12:5-7, 10, 11) Disiplina duhet parë jo vetëm si ndëshkim, por si një mjet për të na stërvitur në udhën e drejtësisë. Në qoftë se jemi të përulur, do ta vlerësojmë dhe do ta pranojmë këshillën, duke kuptuar se «qortimi disiplinor [është] udha e jetës». (Fjalët e urta 6:23, DSF) Kjo mund të na ndihmojë të bëjmë përparim të mirë frymor duke ndjekur përkushtimin hyjnor.
18. Cilën përgjegjësi kemi kur bëhet fjalë për fyerjet personale?
18 Keqkuptimet dhe fyerjet personale mund të përbëjnë një sfidë për përkushtimin hyjnor. Ato mund të shkaktojnë ankth ose mund t’i shtyjnë disa veta që të bëjnë një hap jo të mençur, pra, që të veçohen nga vëllezërit frymorë dhe motrat frymore. (Fjalët e urta 18:1) Por është mirë të kemi parasysh se po të vazhdojmë të mbajmë mëri ose të ushqejmë mospëlqim për të tjerët, kjo mund të ndikojë për keq në marrëdhënien tonë me Jehovain. (Levitiku 19:18) Në të vërtetë, «ai që nuk do vëllanë e tij, të cilin e ka parë, nuk mund të dojë Perëndinë, të cilin nuk e ka parë». (1 Gjonit 4:20) Në Predikimin e tij në Mal, Jezui theksoi nevojën që të bëhen hapa të menjëhershëm për të zgjidhur mospajtimet midis dy vetave. Ai u tha dëgjuesve të tij: «Nëse ti, pra, po sjell dhuratën tënde në altar dhe atje kujtohesh se vëllai yt ka diçka kundër teje, lëre dhuratën tënde atje, para altarit, dhe ik; bëj më parë paqe me vëllanë tënd dhe pastaj, kur të jesh kthyer, ofro dhuratën tënde.» (Mateu 5:23, 24) Të kërkojmë falje mund të ndihmojë për të mbyllur një plagë të shkaktuar nga fjalë ose veprime lënduese. Pra, nëse kërkojmë falje dhe pranojmë se s’kemi vepruar siç duhet, mund të mbyllim hendeqet dhe të vendosim përsëri marrëdhënie paqësore. Jezui dha edhe këshilla të tjera se si t’i zgjidhim problemet. (Mateu 18:15-17) Sa të lumtur jemi kur përpjekjet tona për të zgjidhur problemet dalin me sukses!—Romakëve 12:18; Efesianëve 4:26, 27.
Të ndjekim shembullin e Jezuit
19. Përse është shumë e rëndësishme që të imitojmë shembullin e Jezuit?
19 Është e sigurt se sprova do të kemi, por ato nuk kanë pse të na shpërqendrojnë në garën për jetën e përhershme. Mos harroni se Jehovai mund të na çlirojë nga sprova. Ndërsa ‘flakim çdo peshë’ dhe «vrapojmë me qëndrueshmëri në garën që na është vënë përpara», le ta «mbajmë shikimin të ngulur te Kryepërfaqësuesi dhe Përsosësi i besimit tonë, Jezui». (Hebrenjve 12:1-3) Nëse e shqyrtojmë nga afër shembullin e Jezuit dhe përpiqemi ta imitojmë në të folur e në veprime, do të ndihmohemi që të kultivojmë përkushtimin hyjnor dhe ta shfaqim atë në një masë më të madhe.
20. Çfarë shpërblimesh vijnë kur ndjekim qëndrueshmërinë dhe përkushtimin hyjnor?
20 Qëndrueshmëria dhe përkushtimi hyjnor bashkëveprojnë për ta bërë të sigurt shpëtimin tonë. Duke shfaqur këto cilësi të çmuara, mund ta vazhdojmë me besnikëri shërbimin e shenjtë ndaj Perëndisë. Edhe kur jemi në sprova, do të jemi të lumtur ngaqë provojmë përzemërsinë e butë të Jehovait dhe bekimin e tij, sepse po tregojmë qëndrueshmëri dhe po praktikojmë përkushtimin hyjnor. (Jakovit 5:11) Për më tepër, vetë Jezui na siguron: «Me qëndrueshmëri nga ana juaj do të fitoni shpirtrat tuaj.»—Luka 21:19.
Si do të përgjigjeshit?
• Përse është e rëndësishme qëndrueshmëria?
• Çfarë është përkushtimi hyjnor dhe si shfaqet?
• Si mund të zhvillojmë e të mbajmë një marrëdhënie të ngushtë me Perëndinë?
• Cilat janë disa rreziqe që i kanosen përkushtimit tonë hyjnor dhe si mund t’i shmangim ato?
[Figurat në faqet 12, 13]
Përkushtimi hyjnor shfaqet në shumë mënyra
[Figurat në faqen 14]
Ruhuni nga rreziqet që i kanosen përkushtimit hyjnor