Kapitulli njëmbëdhjetë
‘Vazhdoni të kërkoni më parë mbretërinë’
1. (a) Përse Jezui i nxiti dëgjuesit e tij që të kërkonin më parë Mbretërinë? (b) Cilën pyetje duhet t’i bëjmë vetes?
MË SHUMË se 1.900 vjet më parë, në një fjalim të mbajtur në Galile Jezui i nxiti dëgjuesit e tij: «Vazhdoni, pra, të kërkoni më parë mbretërinë dhe drejtësinë e [Perëndisë].» Por, përse kjo urgjencë? A nuk duhej të kalonin ende shumë shekuj para se të vinte koha kur Krishti të merrte pushtetin e Mbretërisë? Po, por Mbretëria mesianike do të ishte mjeti me të cilin Jehovai do të shfajësonte sovranitetin e tij dhe do të përmbushte qëllimin e tij madhështor për tokën. Kushdo që e kuptonte me të vërtetë rëndësinë e këtyre gjërave, do ta vinte Mbretërinë në vend të parë në jetën e tij. Nëse kjo ishte e vërtetë në shekullin e parë, është shumë më tepër e vërtetë sot, tani që Krishti ka hipur në fron si Mbret. Prandaj, pyetja që duhet t’i bëjmë vetes është: A e tregon mënyra ime e të jetuarit se po kërkoj më parë Mbretërinë e Perëndisë?—Mateu 6:33.
2. Pas cilave gjëra rendin me zjarr njerëzit në përgjithësi?
2 Sot, miliona njerëz në të gjithë botën po e kërkojnë vërtet më parë Mbretërinë. Po tregojnë se e mbështetin sundimin e Mbretërisë, duke e përqendruar jetën në bërjen e vullnetit të Jehovait, pasi i janë kushtuar atij. Nga ana tjetër, shumicës dërrmuese të njerëzimit i intereson vetëm që të kërkojë gjërat që janë në botë. Njerëzit rendin pas parasë dhe pas zotërimeve e kënaqësive që mund të blihen me para. Ose e harxhojnë pjesën më të madhe të energjive për të bërë karrierë. Mënyra e tyre e të jetuarit pasqyron interesimin vetëm për veten, për gjërat materiale dhe për kënaqësitë. Perëndinë e vënë në vend të dytë, po qe se besojnë tek ai.—Mateu 6:31, 32.
3. (a) Cilat lloj thesaresh i nxiti Jezui dishepujt e tij që të kërkonin dhe përse? (b) Përse nuk është e nevojshme të shqetësohemi së tepërmi për gjërat materiale?
3 Gjithsesi, Jezui u dha këtë këshillë dishepujve të tij: «Mos grumbulloni më për vete thesare mbi tokë», pasi asnjë prej këtyre zotërimeve nuk zgjat përgjithmonë. «Më mirë,—tha ai,—grumbulloni për vete thesare në qiell», duke i shërbyer Jehovait. Jezui i nxiti ithtarët e tij që ta mbanin syrin ‘të thjeshtë’, duke përqendruar vëmendjen dhe energjitë në kryerjen e vullnetit të Perëndisë. «Ju s’mund t’i shërbeni si skllevër Perëndisë edhe Pasurisë»,—u tha atyre. Por, ç’të themi për nevojat materiale, domethënë për ushqimin, veshjen dhe strehimin? «Mos jini më në ankth»,—këshilloi Jezui. Ai ua drejtoi vëmendjen nga zogjtë; Perëndia i ushqen ata. Jezui i nxiti ithtarët e tij që të nxirrnin mësim nga lulet; Perëndia i vesh ato. A nuk vlejnë shërbëtorët njerëzorë të Jehovait, të krijuar me aftësi për të arsyetuar, më shumë se secila nga këto? «Vazhdoni, pra, të kërkoni më parë mbretërinë dhe drejtësinë e tij,—tha Jezui,—dhe të gjitha këto gjëra të tjera [të nevojshme] do t’ju shtohen.» (Mateu 6:19-34) A e tregojnë veprimet e tua se e beson këtë?
Mos lejo që e vërteta e Mbretërisë të mbytet
4. Cili mund të jetë përfundimi nëse një njeri u jep tepër rëndësi gjërave materiale?
4 Është e përshtatshme të interesohemi që të kemi aq para sa të plotësojmë nevojat tona materiale dhe të familjes. Por, nëse një njeri shqetësohet tej mase për gjërat materiale, pasojat mund të jenë shkatërrimtare. Edhe pse ky njeri mund të pohojë se beson te Mbretëria, nëse në zemër vendos gjëra të tjera në vend të parë, e vërteta e Mbretërisë do të mbytet. (Mateu 13:18-22) Për shembull, në një rast, një sundimtar i ri i pasur e pyeti Jezuin: «Çfarë duhet të bëj për të trashëguar jetën e përhershme?» Ai bënte një jetë të moralshme dhe i trajtonte mirë të tjerët, por ishte tepër i lidhur me zotërimet e tij materiale. Nuk arrinte të ndahej prej tyre që të bëhej një ithtar i Krishtit. Kështu la t’i ikte mundësia për të qenë me Krishtin në Mbretërinë qiellore. Në atë rast Jezui tha: «Sa e vështirë do të jetë për ata që kanë para të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë!»—Marku 10:17-23.
5. (a) Me cilat gjëra e nxiti Pavli Timoteun që të kënaqej dhe përse? (b) Si e përdor Satanai ‘dashurinë për para’ si një lak shkatërrimtar?
5 Vite më vonë, apostulli Pavël i shkroi Timoteut që në atë kohë ndodhej në Efes, një qendër e begatë tregtare. Pavli i kujtoi atij: «Asgjë nuk kemi sjellë në botë, e asgjë nuk mund të marrim prej saj. Prandaj, nëse kemi ç’të hamë, ç’të veshim e ku të futim kokën, le të kënaqemi me kaq.» Është e përshtatshme të punojmë që të kemi «ç’të hamë, ç’të veshim e ku të futim kokën» për veten dhe për familjen. Por Pavli paralajmëroi: «Ata që janë të vendosur për të qenë të pasur bien në tundim, në lak dhe në shumë dëshira të pamenda e të dëmshme, të cilat i zhytin njerëzit në shkatërrim dhe në rrënim.» Satanai është tinëzar. Në fillim mund ta joshë dikë me gjëra të vogla. Kjo mund të pasohet nga presione më të mëdha. Këto mund të përfshijnë mundësinë për t’u ngritur në përgjegjësi ose për të pasur një punë më të mirë e me pagë më të lartë, por që kërkon kohë, e cila më parë ishte lënë për gjërat frymore. Nëse nuk jemi vigjilentë, «dashuria për para» mund t’i mbytë interesat e Mbretërisë, që janë shumë më të rëndësishme. Pavli u shpreh kështu: «Duke rendur pas kësaj dashurie, disa kanë dalë nga rruga e besimit dhe janë shpuar tejpërtej me shumë dhembje.»—1 Timoteut 6:7-10.
6. (a) Çfarë duhet të bëjmë për të mos rënë në grackën e materializmit? (b) Çfarë sigurie mund të kemi, pavarësisht nga gjendja e sotme ekonomike e botës?
6 Nga dashuria e vërtetë që kishte për Timoteun, vëllanë e tij të krishterë, Pavli e nxiti: «Ikju këtyre gjërave» dhe «Lufto luftën e shkëlqyer të besimit». (1 Timoteut 6:11, 12) Nëse nuk duam të na përpijë mënyra materialiste e të jetuarit të botës që na rrethon, na duhen përpjekje të zellshme. Por, nëse përpiqemi energjikisht në përputhje me besimin tonë, Jehovai nuk do të na braktisë kurrë. Ai do të sigurohet se i kemi gjërat që na nevojiten vërtet, pavarësisht nga çmimet e larta dhe nga papunësia e përhapur. Pavli shkroi: «Mënyra juaj e të jetuarit le të jetë pa dashuri për para, ndërsa jeni të kënaqur me gjërat e pranishme. Sepse [Perëndia] ka thënë: ‘Kurrsesi nuk do të të lë dhe kurrsesi nuk do të të braktis.’ Kështu që mund të jemi plot kurajë dhe të themi: ‘Jehovai është ai që më ndihmon; nuk do të kem frikë. Ç’mund të më bëjë njeriu?’» (Hebrenjve 13:5, 6) Gjithashtu, mbreti David shkroi: «Unë kam qenë fëmijë dhe tani jam plakur, por nuk e kam parë kurrë të drejtin të braktisur dhe pasardhësit e tij të lypin bukë.»—Psalmi 37:25.
Dishepujt e hershëm lënë një model
7. Çfarë udhëzimesh u dha Jezui dishepujve të tij për predikimin dhe përse këto ishin të përshtatshme?
7 Pasi u dha stërvitjen e duhur apostujve, Jezui i shpërndau në Izrael që të predikonin lajmin e mirë dhe të shpallnin: «Mbretëria e qiejve është afruar.» Çfarë mesazhi drithërues që ishte! Jezu Krishti, Mbreti mesianik, ishte mes tyre. Meqë apostujt po i përkushtoheshin shërbimit të Perëndisë, Jezui i nxiti që të kishin besim se Perëndia do të kujdesej për ta. Prandaj u tha: «Mos merrni asgjë për udhë, as shkop, as trastë buke, as bukë, as monedha argjendi; e as mos kini dy rroba të brendshme. Por kudo që të hyni në një shtëpi, rrini aty dhe ikni prej andej.» (Mateu 10:5-10; Luka 9:1-6) Jehovai do të merrte masa që për nevojat e tyre të kujdeseshin izraelitët e tjerë, të cilët e kishin zakon të mikpritnin të huajt.
8. (a) Përse Jezui dha udhëzime të reja për predikimin pak para se të vdiste? (b) Çfarë duhej të vazhdonte të ishte në vend të parë në jetën e ithtarëve të Jezuit?
8 Më vonë, pak para se të vdiste, Jezui i paralajmëroi apostujt se në të ardhmen do të punonin në rrethana të ndryshme nga ato të mëparshmet. Si pasojë e kundërshtimit zyrtar ndaj veprës së tyre, në Izrael nuk do t’u tregohej më mikpritje me kaq lehtësi. Veç kësaj, së shpejti do ta çonin mesazhin e Mbretërisë në vendet johebreje. Tani duhej të merrnin me vete «qese» dhe «trastë buke». Megjithatë, duhej të vazhdonin të kërkonin më parë Mbretërinë e Jehovait dhe drejtësinë e tij, të sigurt se Perëndia do t’i bekonte përpjekjet e tyre për të siguruar ushqimin dhe strehimin e nevojshëm.—Luka 22:35-37.
9. Si e vuri Pavli Mbretërinë në vend të parë në jetën e tij, ndërkohë që kujdesej për nevojat e veta fizike dhe cilën këshillë dha për këtë çështje?
9 Apostulli Pavël ishte një shembull i shkëlqyer për sa i përket zbatimit të këshillës së Jezuit. Pavli e ndërtoi jetën e tij rreth shërbimit. (Veprat 20:24, 25) Kur shkonte në një zonë për të predikuar, ai kujdesej vetë për nevojat e tij materiale, madje duke punuar për të bërë tenda. Nuk priste që të tjerët të kujdeseshin për të. (Veprat 18:1-4; 1 Selanikasve 2:9) Megjithatë, e pranonte me mirënjohje mikpritjen dhe dhuratat, kur të tjerët ia shprehnin dashurinë në këtë mënyrë. (Veprat 16:15, 34; Filipianëve 4:15-17) Pavli i nxiti të krishterët jo që të linin pas dore detyrimet familjare me qëllim që të predikonin, por që t’i drejtpeshonin përgjegjësitë e ndryshme që kishin. Ai i këshilloi që të punonin, t’i donin familjet dhe t’i ndanin gjërat me të tjerët. (Efesianëve 4:28; 2 Selanikasve 3:7-12) I nxiti që të kishin besim te Perëndia e jo te zotërimet materiale. I nxiti edhe ta përdornin jetën në mënyrë të tillë që të tregonin se e kuptonin me të vërtetë cilat janë gjërat më të rëndësishme. Në përputhje me mësimet e Jezuit, kjo nënkuptonte të kërkonin më parë Mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e tij.—Filipianëve 1:9-11.
Mbaje Mbretërinë në vendin e parë në jetë
10. Çfarë do të thotë të kërkosh më parë Mbretërinë?
10 Në ç’masë po merr pjesë secili nga ne në shpalljen e lajmit të mirë të Mbretërisë? Pjesërisht, kjo varet nga rrethanat që kemi dhe nga thellësia e çmueshmërisë sonë. Mbaj në mendje se Jezui nuk tha ‘kërkoje Mbretërinë kur të mos kesh asgjë tjetër për të bërë’. Duke e ditur rëndësinë e Mbretërisë, ai shprehu vullnetin e Atit të tij, duke thënë: «Kërkoni vazhdimisht mbretërinë e tij.» (Luka 12:31) Vërtet që shumë nga ne kanë nevojë të punojnë që të kujdesen për nevojat e veta fizike dhe ato të familjes. Por, nëse kemi besim, jeta jonë do të përqendrohet në veprën e Mbretërisë që Perëndia na ka dhënë për të bërë. Në të njëjtën kohë, do të kujdesemi për përgjegjësitë tona familjare.—1 Timoteut 5:8.
11. (a) Si e ilustroi Jezui se jo të gjithë do të ishin në gjendje të merrnin pjesë në të njëjtën masë në përhapjen e mesazhit të Mbretërisë? (b) Cilët faktorë ndikojnë në atë që mund të arrijmë të bëjmë?
11 Disa nga ne kanë mundësi të harxhojnë më shumë kohë se të tjerët në predikimin e lajmit të mirë të Mbretërisë. Por, në shëmbëlltyrën që bëri për llojet e ndryshme të tokës, Jezui tregoi se të gjithë ata, zemra e të cilëve ishte si toka e shkëlqyer, do të jepnin fryte. Deri në ç’masë? Rrethanat e individëve ndryshojnë. Mosha, shëndeti dhe përgjegjësitë familjare janë që të gjithë faktorë që ndikojnë. Por, nëse një njeri ka vërtet çmueshmëri, mund të bëjë shumë.—Mateu 13:23.
12. Cilin synim të vlefshëm frymor nxiten që të shqyrtojnë sidomos të rinjtë?
12 Është gjë e mirë të kemi synime që do të na ndihmojnë ta shtojmë pjesëmarrjen në shërbimin e Mbretërisë. Të rinjtë duhet të mendojnë seriozisht për shembullin e shkëlqyer të Timoteut, të riut të zellshëm të krishterë. (Filipianëve 2:19-22) A mund të ketë ndonjë gjë më të mirë për ta, sesa të fillojnë shërbimin e plotkohor kur të mbarojnë shkollën? Edhe të moshuarit do të nxjerrin dobi duke vënë synime të vlefshme frymore.
13. (a) Kush e vendos se çfarë mund të bëjë secili nga ne në shërbimin e Mbretërisë? (b) Për çfarë japim prova, nëse e kërkojmë vërtet së pari Mbretërinë?
13 Në vend që të kritikojmë ata që sipas nesh mund të bënin më tepër, besimi duhet të na shtyjë që të punojmë për t’u përmirësuar individualisht, në mënyrë që t’i shërbejmë Perëndisë në masë të plotë, aq sa na lejojnë rrethanat tona individuale. (Romakëve 14:10-12; Galatasve 6:4, 5) Siç u tregua në rastin e Jobit, Satanai akuzon se ne interesohemi kryesisht për zotërimet materiale, për rehatinë dhe mirëqenien tonë dhe se i shërbejmë Perëndisë me motive egoiste. Por, nëse po e kërkojmë me të vërtetë më parë Mbretërinë, po bëjmë pjesën tonë për të provuar se Djalli është gënjeshtari më i madh. Po japim dëshmi se në vend të parë në jetën tonë është shërbimi ndaj Perëndisë. Me fjalë e me vepra, në këtë mënyrë japim prova të dashurisë së thellë për Jehovain, të mbështetjes besnike që i japim sovranitetit të tij dhe të dashurisë për njerëzit e tjerë.—Jobi 1:9-11; 2:4, 5; Fjalët e urta (Proverbat) 27:11.
14. (a) Përse është dobiprurës një program për shërbimin në fushë? (b) Në ç’masë po marrin pjesë në shërbimin në fushë shumë Dëshmitarë?
14 Një program mund të na ndihmojë të bëjmë më shumë sesa mund të arrinim të bënim pa pasur një të tillë. Vetë Jehovai ka «një kohë të caktuar» për të përmbushur qëllimin e tij. (Dalja [Eksodi] 9:5, BR; Marku 1:15) Po të jetë e mundur, është mirë që çdo javë të marrim pjesë në shërbimin në fushë një a më shumë herë që i caktojmë vetë. Qindra mijë Dëshmitarë të Jehovait anembanë botës kanë ndërmarrë shërbimin si pionierë ndihmës, duke kaluar rreth dy orë në ditë në predikimin e lajmit të mirë. Qindra mijë të tjerë shërbejnë si pionierë të rregullt, duke kaluar mesatarisht dy orë e gjysmë në ditë për të shpallur mesazhin e Mbretërisë. Pionierët specialë dhe misionarët kalojnë edhe më shumë kohë në shërbim të Mbretërisë. Gjithashtu, edhe kur nuk jemi në shërbim mund të kërkojmë raste për t’ia shprehur shpresën e Mbretërisë atyre që do ta dëgjojnë. (Gjoni 4:7-15) Dëshira jonë duhet të jetë të marrim pjesë sa më plotësisht në këtë vepër, për aq sa na lejojnë rrethanat, sepse Jezui paratha: «Ky lajm i mirë i mbretërisë do të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet; dhe atëherë do të vijë fundi.»—Mateu 24:14; Efesianëve 5:15-17.
15. Përse mendon se këshilla te 1 Korintasve 15:58 është e kohës, për sa i përket shërbimit?
15 Dëshmitarët e Jehovait në çdo cep të tokës, pa marrë parasysh kombin në të cilin jetojnë, po marrin pjesë së bashku në këtë privilegj shërbimi. Ata zbatojnë për vete këshillën e frymëzuar biblike: «Bëhuni të palëkundur e të patundur, duke pasur gjithnjë shumë për të bërë në veprën e Zotërisë, duke e ditur se mundi juaj s’është i kotë në lidhje me Zotërinë.»—1 Korintasve 15:58.
Pyetje për rishikim
• Kur Jezui tha që të vazhdojmë ‘të kërkojmë më parë mbretërinë’, çfarë po theksonte se duhej vënë në vend të dytë?
• Cilën pikëpamje duhet të kemi lidhur me kujdesjen për nevojat tona fizike dhe të familjes sonë? Çfarë ndihme do të na japë Perëndia?
• Në cilat fusha të shërbimit të Mbretërisë mund të marrim pjesë?
[Figura në faqen 107]
Dëshmitarët e Jehovait sot po e predikojnë lajmin e mirë në çdo vend, para se të vijë fundi