Gratë
Përkufizimi: Njerëz të rritur, femra. Fjala «grua» në hebraisht është ’ishsháh, dhe ka kuptimin literal «burrë (ose njeri) femër».
A i ul Bibla gratë ose a flet për to sikur të qëndrojnë më poshtë?
Zan. 2:18: «Perëndia Jehova tha: ‘Nuk është mirë që njeriu të rrijë vetëm. Do t’i bëj një ndihmës, si një plotësim për të.’» (Këtu Perëndia nuk e përshkruan burrin si më të mirë se gruaja. Përkundrazi, Perëndia tregoi se gruaja do të kishte cilësi që do të plotësonin cilësitë e burrit brenda martesës, të cilën e themeloi Perëndia. Një plotësim është njëra nga dy pjesë që plotësojnë njëra-tjetrën. Pra gratë, si grup, shquhen për disa cilësi e aftësi të veçanta, kurse burrat për disa të tjera. Krahaso 1 Korintasve 11:11, 12.)
Zan. 3:16: «Gruas [Perëndia] i tha: ‘ . . . Do të digjesh nga dëshira për tët shoq, dhe ai do të sundojë mbi ty.’» (Këto fjalë, që u thanë pasi Adami dhe Eva mëkatuan, nuk tregonin çfarë duhej të bënin burrat, por tregonin atë që Jehovai e dinte qysh më parë se do ta bënin, tani që egoizmi ishte pjesë e njeriut. Një sërë tregimesh biblike pas kësaj, rrëfejnë për situatat e vajtueshme që krijoi sundimi egoist i burrave. Por Bibla nuk thotë që Perëndia e miratoi këtë sjellje ose që ajo është një shembull për t’u ndjekur.)
A i poshtëron gratë fakti që autoriteti u është dhënë burrave?
Nuk është poshtëruese të jesh nën autoritetin e dikujt. Kjo ndihmon që gjërat të bëhen me rregull, dhe Jehovai «nuk është një Perëndi i çrregullimit, por i paqes». (1 Kor. 14:33) Jezu Krishti është nën autoritetin e Perëndisë Jehova, dhe kjo marrëdhënie i sjell kënaqësi të madhe.—Gjoni 5:19, 20; 8:29; 1 Kor. 15:27, 28.
Edhe burrit i është dhënë autoritet relativ, në veçanti në familje dhe në kongregacionin e krishterë. Perëndia nuk i ka dhënë burrit autoritet absolut mbi gruan; burri duhet t’i përgjigjet kreut të vet, Jezu Krishtit, si edhe Perëndisë, për mënyrën se si e ushtron autoritetin. (1 Kor. 11:3) Veç kësaj, burrat urdhërohen «t’i duan gratë e tyre, si vetë trupat e tyre» dhe ‘t’i nderojnë’. (Efes. 5:28; 1 Pjet. 3:7) Në martesë, nevojat seksuale të burrit nuk vijnë para nevojave të gruas së tij. (1 Kor. 7:3, 4) Roli i një gruaje të zonja, siç e tregon Bibla, vë në dukje vlerën e saj për familjen dhe për shoqërinë. Po ashtu, ky rol i lë goxha vend që t’i bëjë me iniciativën e vet disa gjëra, ndërkohë që tregon respekt për autoritetin e të shoqit. (Prov. 31:10-31) Bibla i urdhëron fëmijët të nderojnë jo vetëm babanë, por edhe nënën. (Efes. 6:1-3) Gjithashtu, i kushton vëmendje të veçantë kujdesit që duhet treguar për nevojat e vejushave. (Jak. 1:27) Pra, mes të krishterëve të vërtetë, gratë gjejnë shumë siguri, çmohen si individë dhe ndiejnë kënaqësi nga aktivitetet që bëjnë.
Dinjiteti i pozitës që ka gruaja brenda martesës, të cilën e themeloi Perëndia, tregohet edhe nga fakti që organizatën e tij, të përbërë nga krijesa frymore besnike, Jehovai e quan gruan e vet, nënën e bijve të tij. (Zbul. 12:1; Gal. 4:26) Gjithashtu, kongregacioni i Jezu Krishtit, me të mirosur nga fryma, quhet nusja e Krishtit. (Zbul. 19:7; 21:2, 9) Veç kësaj, mes atyre që janë thirrur të marrin pjesë me Krishtin në Mbretërinë qiellore, s’ka dallim mes meshkujve e femrave nga pikëpamja frymore.—Gal. 3:26-28.
A duhet të jenë shërbëtore të emëruara gratë?
Bibla tregon se ata që caktohen mbikëqyrës në kongregacione, janë meshkuj. Dymbëdhjetë apostujt e Jezu Krishtit ishin që të gjithë meshkuj, e po ashtu edhe ata që u emëruan më vonë mbikëqyrës dhe shërbëtorë ndihmës në kongregacionet e krishtere. (Mat. 10:1-4; 1 Tim. 3:2, 12) Gratë këshillohen ‘të mësojnë në heshtje me nënshtrim të plotë’ në mbledhjet e kongregacionit, në kuptimin që të mos bëjnë pyetje për të sfiduar burrat në kongregacion. Ato nuk duhet ‘të flasin’ në mbledhje, nëse ajo çka duan të thonë do të tregonte mungesë nënshtrimi. (1 Tim. 2:11, 12; 1 Kor. 14:33, 34) Pra, ndonëse japin një kontribut të çmuar në aktivitetet e kongregacionit, në Bibël nuk ka asnjë parim sipas të cilit gratë mund të marrin drejtimin për të mësuar të tjerët në kongregacion, nëse aty ka burra të kualifikuar.
Por, kur s’janë në mbledhjet e kongregacionit, a mund të jenë gratë predikuese, lajmëtarë, shërbëtore të lajmit të mirë? Në festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., fryma e shenjtë u derdh si mbi burrat, ashtu edhe mbi gratë. Duke shpjeguar këtë, apostulli Pjetër citoi Joelin 2:28, 29, dhe tha: «‘Në ditët e fundit,—thotë Perëndia,—do të derdh ca nga fryma ime mbi çdo lloj njeriu, dhe bijtë e bijat tuaja do të profetizojnë. Të rinjtë do të shohin vegime, dhe të moshuarit do të shohin ëndrra. Ato ditë, do të derdh ca nga fryma ime madje edhe mbi skllevërit e mi dhe skllavet e mia, dhe ata do të profetizojnë.’» (Vep. 2:17, 18) Ngjashëm kësaj, sot gratë, me të drejtë, marrin pjesë në shërbimin e krishterë, duke predikuar shtëpi më shtëpi e duke drejtuar studime biblike.—Shih edhe Psalmin 68:11; Filipianëve 4:2, 3.
Pse gratë e krishtere e mbulojnë kokën në disa raste?
1 Kor. 11:3-10: «Kreu i çdo burri është Krishti, kreu i gruas është burri, dhe kreu i Krishtit është Perëndia. . . . Çdo grua që lutet ose profetizon me kokë të pambuluar, turpëron kreun e saj. . . . Burri nuk duhet ta ketë kokën të mbuluar, meqë është shëmbëlltyra dhe lavdia e Perëndisë, kurse gruaja është lavdia e burrit. Sepse nuk është burri nga gruaja, por gruaja nga burri. Për më tepër, nuk u krijua burri për hir të gruas, por gruaja për hir të burrit. Ja përse gruaja duhet të mbajë një shenjë nënshtrimi mbi krye, për shkak të engjëjve.» (Kur një grua e krishtere e mbulon kokën në disa raste të përshtatshme, tregon se respekton rregullin që vendosi Perëndia lidhur me kryesinë. Krishti e respekton kryesinë teokratike; edhe burri e gruaja kanë detyrimin të bëjnë po njësoj. Njeriu i parë, Adami, nuk lindi nga një grua, por u krijua nga Perëndia. Kur krijoi Evën, Perëndia përdori si bazë një brinjë të Adamit, dhe tha se Eva do të ishte një ndihmëse për Adamin. Kështu burri, i cili u krijua i pari, u caktua si kreu. Burri nuk e mbulon kokën kur «lutet ose profetizon», sepse, përsa i përket kryesisë, burri është «shëmbëlltyra e Perëndisë», pasi askush tjetër në tokë nuk qëndron mbi të në ato çështje që kanë të bëjnë me familjen e tij. Mirëpo, nëse një grua «lutet ose profetizon» pa e mbuluar kokën, kjo do të tregonte mungesë respekti për pozitën që i ka caktuar Perëndia burrit dhe do ta turpëronte burrin. Edhe engjëjt—që janë pjesë e organizatës qiellore të Jehovait, e cila krahasohet me një grua—e vërejnë ‘shenjën e nënshtrimit’ që mbajnë gratë e krishtere besnike, e kjo u kujton engjëjve nënshtrimin e atyre vetë ndaj Jehovait.)
Kur duhet ta mbulojë kokën gruaja?
Kur «lutet ose profetizon», siç thuhet te 1 Korintasve 11:5. Kjo nuk do të thotë që duhet ta mbulojë kokën kur lutet privatisht ose kur flet me të tjerët për profecitë e Biblës. Megjithatë, kur kryen diçka që ka të bëjë me adhurimin, e që normalisht do të kryhej nga i shoqi a nga një burrë tjetër, duhet ta mbulojë kokën, në shenjë respekti për kryesinë e burrit. Nëse lutet me zë për veten e për të tjerët ose nëse drejton një studim biblik formal (pra mëson dikë tjetër) në prani të të shoqit, duhet ta mbulojë kokën, edhe sikur i shoqi të mos ketë besimin e saj. Por, kur i shoqi nuk është i pranishëm, dhe ajo lutet ose bën studim me fëmijët e vet të papagëzuar, s’ka pse ta mbulojë kokën, sepse është e autorizuar nga Perëndia që të mësojë fëmijët e vet. Nëse ndodh që, kur drejton një studim biblik, e shoqëron mbikëqyrësi udhëtues ose është i pranishëm një pjesëtar i kongregacionit, që është mashkull dhe i pagëzuar, ajo duhet ta mbulojë kokën; por lutjen duhet ta bëjë vëllai.
A është e përshtatshme që gratë të bëjnë makijazh ose të vënë bizhuteri?
1 Pjet. 3:3, 4: «Stolisja juaj të mos jetë e jashtme, domethënë gërshetimi i flokëve, vënia e stolive prej ari ose veshjet e sipërme, por le të jetë njeriu i fshehtë i zemrës me veshjen e paprishshme të frymës së qetë e të butë, e cila ka vlerë të madhe në sytë e Perëndisë.» (A do të thotë kjo që gratë s’duhet të vënë fare stoli? Patjetër që jo; ashtu siç nuk do të thotë që s’do të përdorin veshje të sipërme. Por këtu ato nxiten të jenë të ekuilibruara në pikëpamjen që kanë për rregullimin e për veshjen, duke i kushtuar rëndësi kryesore stolisjes frymore.)
1 Tim. 2:9, 10: «Dëshiroj që gratë të stolisen me veshje të rregullta, me modesti dhe mendje të shëndoshë, jo me modele të gërshetimit të flokëve me ar e me margaritarë ose me rroba shumë të shtrenjta, por si u ka hije grave që pohojnë se nderojnë thellë Perëndinë, domethënë me anë të veprave të mira.» (Çfarë ka vërtet rëndësi për Perëndinë: pamja e dikujt apo gjendja e zemrës? A do të ishte i kënaqur Perëndia sikur një grua të mos bënte makijazh e të mos vinte bizhuteri, por ama të bënte një jetë imorale? Përkundrazi, a nuk do të miratonte ato gra që i përdorin makijazhin dhe bizhuteritë me modesti e mendje të shëndoshë, e që kanë si stoli kryesore cilësitë hyjnore dhe sjelljen e krishtere? Jehovai thotë: «Perëndia nuk sheh si sheh njeriu, sepse njeriu sheh atë që sheh syri, kurse Jehovai sheh zemrën.»—1 Sam. 16:7.)
Prov. 31:30: «Nuri mund të jetë i rremë dhe bukuria e kotë, por gruaja që ka frikë nga Jehovai, do të marrë lëvdata.»