Libri biblik numër 54—1 Timoteut
Shkrimtari: Pavli
Vendi ku u shkrua: Maqedoni
Shkrimi përfundoi: rr. 61 të e.s.–64 të e.s.
1, 2. (a) Ç’kontrast vihet re mes përshkrimit që i bëjnë burgosjes së Pavlit libri i Veprave dhe 2 Timoteut? (b) Kur duket se është shkruar 1 Timoteut, dhe pse themi kështu?
TREGIMI i jetës së Pavlit, shkruar nga Luka në librin e Veprave, përfundon duke thënë se Pavli ishte në Romë duke pritur vendimin e apelit të tij para Cezarit. Sipas tregimit, Pavli banonte në një shtëpi të marrë me qira dhe u predikonte Mbretërinë e Perëndisë të gjithë atyre që shkonin tek ai. Ai e bënte këtë «me shumë lirshmëri fjale, pa asnjë pengesë». (Vep. 28:30, 31) Mirëpo, në letrën e dytë drejtuar Timoteut, Pavli shkruan: «Po vuaj deri edhe në vargonj si keqbërës», dhe thotë se vdekja e tij është afër. (2 Tim. 2:9; 4:6-8) Ndryshim vërtet i madh! Në rastin e parë, ai trajtohej si i burgosur i nderuar, kurse në të dytin, si kriminel i regjur. Ç’kish ndodhur që nga koha kur Luka përshkroi situatën e Pavlit në vitin 61 të e.s., në fund të dy viteve të kaluara në Romë, deri në kohën kur Pavli i shkroi vetë Timoteut për situatën e tij, me sa duket pak para se të vdiste?
2 Vështirësia për ta përputhur shkrimin e letrave të Pavlit drejtuar Timoteut dhe Titit me periudhën së cilës i referohet libri i Veprave i ka shtyrë disa komentues biblikë të nxjerrin përfundimin se Pavli e fitoi apelin para Cezarit dhe u lirua rreth vitit 61 të e.s. Një fjalor biblik thotë: «Vargu i fundit i Veprave përputhet më mirë me këtë hipotezë [se Pavli u lirua pas dy vjetësh izolim], sesa me supozimin se ky burgim përfundoi me dënimin dhe vdekjen e apostullit. Luka thekson faktin se askush nuk e pengonte aktivitetin e tij, duke dhënë qartë përshtypjen se fundi i aktivitetit të tij ishte ende larg.»a (The New Westminster Dictionary of the Bible) Pra, hedhja në letër e 1 Timoteut i përket periudhës nga lirimi i Pavlit në Romë deri në burgosjen e tij për herë të fundit atje, ose rreth vitit 61-64 të e.s.
3, 4. (a) Çfarë bëri me sa duket Pavli pas lirimit nga burgu? (b) Ku ishte ai kur shkroi 1 Timoteut?
3 Pas lirimit nga burgu, Pavli me sa duket rifilloi aktivitetin e tij misionar bashkë me Timoteun dhe Titin. Nuk dihet me siguri nëse Pavli shkoi deri në Spanjë, siç mendojnë disa. Klementi i Romës shkroi (rr. 95 të e.s.) se Pavli vajti «deri në skajin më të fundit të perëndimit», ku mund të përfshihej edhe Spanja.b
4 Ku ishte Pavli kur shkroi letrën e parë drejtuar Timoteut? Te 1 Timoteut 1:3 kuptojmë se Pavli e kishte caktuar Timoteun të kujdesej për disa çështje kongregacioni në Efes, kurse ai vetë kishte shkuar në Maqedoni. Duket se nga atje, ai i shkroi Timoteut që ishte në Efes.
5. Ç’dëshmi ekzistojnë për autenticitetin e letrave drejtuar Timoteut?
5 Dy letrat drejtuar Timoteut janë pranuar që në fillim si të shkruara nga Pavli dhe si pjesë e Shkrimeve të frymëzuara. Shkrimtarët e hershëm të krishterë, ku përfshihen edhe Polikarpi, Injaci dhe Klementi i Romës, pajtohen të gjithë me këtë, dhe letrat janë përfshirë në katalogët e shekujve të parë fare si shkrime të Pavlit. Një autoritet shkruan: «Janë të pakta shkrimet e Besëlidhjes së Re për të cilat ekzistojnë dëshmi më të forta . . . Prandaj, kundërshtimet lidhur me autenticitetin e tyre duhen parë si risi moderne që janë në kundërshtim me dëshminë e fuqishme të kishës së hershme.»c
6. (a) Cilat qenë arsyet e ndryshme që e bënë Pavlin të shkruante 1 Timoteut? (b) Ç’formim kishte Timoteu dhe nga duket se ishte punëtor i pjekur?
6 Pavli e shkroi letrën drejtuar Timoteut për të qartësuar disa procedura organizative në kongregacion. Gjithashtu, ishte e nevojshme ta paralajmëronte Timoteun që të ruhej nga mësimet e rreme dhe t’u jepte forcë vëllezërve që t’i bënin ballë kësaj ‘njohurie të rreme’. (1 Tim. 6:20) Gjithashtu, qyteti tregtar i Efesit ofronte tundimin e materializmit dhe të ‘dashurisë për para’, ndaj ishte e udhës që Pavli të jepte disa këshilla edhe në këtë fushë. (6:10) Sigurisht Timoteu kishte një formim të shkëlqyer, të pasur me përvojë dhe stërvitje, që i jepte mundësi të përdorej në këtë vepër. I ati ishte grek, kurse e ëma një judeje me frikë Perëndie. Nuk dihet me saktësi se kur ra Timoteu për herë të parë në kontakt me krishterimin. Kur Pavli vizitoi Listrën gjatë vizitës së tij të dytë misionare, ka të ngjarë në fund të vitit 49 të e.s. ose në fillim të vitit 50 të e.s., tashmë «vëllezërit në Listër dhe Ikoni flitnin mirë» për Timoteun (që në atë kohë ndoshta ishte në vitet e fundit të adoleshencës ose në fillim të 20-ave). Kështu Pavli e rregulloi që Timoteu të shkonte nëpër udhëtime me të dhe me Silën. (Vep. 16:1-3) Timoteu përmendet me emër në 11 nga 14 letrat e Pavlit, si edhe në librin e Veprave. Pavli u interesua gjithnjë si baba për të dhe në disa raste e ngarkoi të vizitonte e t’u shërbente kongregacioneve të ndryshme, gjë që dëshmon se Timoteu kishte bërë një punë të mirë në fushën misionare dhe ishte i aftë të mbante mbi supe përgjegjësi edhe më të mëdha.—1 Tim. 1:2; 5:23; 1 Sel. 3:2; Filip. 2:19.
PËRMBAJTJA E 1 TIMOTEUT
7. Pse Pavli e inkurajon Timoteun të qëndrojë në Efes?
7 Nxitje për të pasur besim me një ndërgjegje të pastër (1:1-20). Pasi përshëndet Timoteun, «birin e vërtetë në besim», Pavli e inkurajon të qëndrojë në Efes. Ai duhet të ndreqë ata që mësojnë një «doktrinë të ndryshme», e cila ngre pyetje të kota në vend se të japë besim. Pavli thotë se qëllimi i këtij urdhri është «dashuria nga një zemër e pastër, nga një ndërgjegje e pastër dhe nga besimi pa hipokrizi». Më pas, ai shton: «Ngaqë u shmangën nga këto gjëra, disa iu kthyen llafeve të kota.»—1:2, 3, 5, 6.
8. Çfarë thekson mëshira që iu tregua Pavlit dhe për cilën luftë të shkëlqyer e inkurajon Timoteun?
8 Ndonëse më parë Pavli kishte qenë blasfemues dhe përndjekës, dashamirësia e pamerituar e Zotërisë «vërshoi me tepri, bashkë me besimin dhe dashurinë që është në lidhje me Krishtin Jezu», dhe atij iu tregua mëshirë. Ai kishte qenë mëkatari më i njohur dhe, nëpërmjet tij, Krishti Jezu, që «erdhi në botë për të shpëtuar mëkatarët», tregoi shpirtgjerësinë e vet. Mbreti i përjetësisë është plotësisht i denjë të marrë nderim dhe lavdi në jetë të jetëve! Pavli e urdhëron Timoteun të bëjë luftën e shkëlqyer, «duke mbajtur një besim dhe ndërgjegje të pastër». Ai nuk duhet të jetë si ata, të cilëve ‘u është rrënuar besimi si një anije që shkallmohet’, si për shembull, Himeneu dhe Aleksandri, të cilët Pavli i kishte disiplinuar ngaqë blasfemonin.—1:14, 15, 19.
9. (a) Ç’lutje duhen bërë dhe pse? (b) Çfarë thuhet për gratë në kongregacion?
9 Udhëzime për adhurimin dhe organizimin në kongregacion (2:1–6:2). Duhen bërë lutje për njerëz të çdo lloji, duke përfshirë edhe ata që kanë poste të larta, që të krishterët të mund të jetojnë me përkushtim hyjnor dhe në paqe. Vullneti i Perëndisë, Shpëtimtarit tonë, është që «njerëz të çdo lloji të shpëtojnë dhe të fitojnë njohurinë e saktë të së vërtetës. Sepse ka një Perëndi dhe një ndërmjetës mes Perëndisë dhe njerëzve, Krishti Jezu, një njeri, i cili dha veten si një shpërblesë përkatëse për të gjithë». (2:4-6) Pavli u emërua apostull dhe mësues i këtyre gjërave. Prandaj, ai u bën thirrje burrave që të luten me besnikëri dhe grave që të vishen me modesti dhe gjykim të shëndoshë, siç u ka hije atyre që nderojnë thellë Perëndinë. Gruaja të mësojë në heshtje e të mos ushtrojë autoritet mbi burrin, «sepse i pari u formua Adami, e më pas Eva».—2:13.
10. Cilat janë kërkesat që duhet të plotësojnë mbikëqyrësit dhe shërbëtorët ndihmës dhe pse i shkruan Pavli këto gjëra?
10 Burrat që synojnë të jenë mbikëqyrës, dëshirojnë një punë të shkëlqyer. Më pas, Pavli rendit kërkesat për mbikëqyrës dhe shërbëtorë ndihmës. Mbikëqyrësi duhet të jetë «i paqortueshëm, burrë i një gruaje të vetme, i përkorë në zakone, me mendje të shëndoshë, i rregullt, mikpritës, i kualifikuar për të mësuar, jo shamataxhi pijanec, jo njeri që godet, por i arsyeshëm, jo me qëndrim luftarak, jo i dashuruar pas parave, të jetë njeri që e drejton shkëlqyeshëm shtëpinë e vet, t’i ketë fëmijët të nënshtruar me plot seriozitet, . . . , jo i sapokthyer në besim. . . . Veç këtyre, ai duhet të ketë edhe një dëshmi të shkëlqyer nga njerëzit që janë jashtë». (3:2-7) Shërbëtorët ndihmës duhet të plotësojnë kërkesa të ngjashme dhe duhet të provohen më parë nëse janë të aftë. Pavli i shkruan këto gjëra, që Timoteu të dijë si duhet të sillet në kongregacionin e Perëndisë, që është «shtylla dhe mbështetja e së vërtetës».—3:15.
11. (a) Ç’probleme do të dalin më vonë? (b) Kujt duhet t’i kushtojë vëmendje Timoteu dhe përse?
11 Më vonë disa do të bien nga besimi për shkak të mësimeve të demonëve. Njerëz hipokritë që thonë gënjeshtra do të ndalojnë martesën dhe do t’i urdhërojnë njerëzit t’u rrinë larg ushqimeve që Perëndia i krijoi t’i hanë duke falënderuar. Si shërbëtor i shkëlqyer, Timoteu duhet të hedhë poshtë përrallat dhe ‘rrëfenjat e plakave’. Nga ana tjetër, ai duhet të stërvitet, duke pasur si synim përkushtimin hyjnor. «Për këtë po mundohemi e po përpiqemi,—thotë Pavli,—sepse e kemi varur shpresën tonë te një Perëndi i gjallë, që është Shpëtimtar i njerëzve të çdo lloji, sidomos i atyre që janë të besueshëm.» Prandaj, Timoteu duhet të vazhdojë të japë këto urdhra dhe t’ua mësojë të tjerëve. S’duhet të lejojë askënd të përçmojë rininë e tij, përkundrazi, të bëhet shembull në sjellje dhe në qëndrim të shenjtë. Ai duhet të zhytet në këto gjëra e t’i kushtojë vëmendje të vazhdueshme vetes dhe mësimdhënies së tij, sepse duke ngulmuar në to, ‘do të shpëtojë veten dhe ata që e dëgjojnë’.—4:7, 10, 16.
12. Ç’këshilla jepen për mënyrën si duhen trajtuar vejushat dhe të tjerët në kongregacion?
12 Pavli e këshillon Timoteun si t’i trajtojë të tjerët: të moshuarit si baballarë, më të rinjtë si vëllezër, më të moshuarat si nëna, më të rejat si motra. Duhet të merren masat që t’u sigurohen gjërat e nevojshme atyre që janë vërtet vejusha. Sidoqoftë, nëse është e mundur, për vejushën duhet të kujdeset familja. Nëse dikush nuk e bën, ai e ka mohuar besimin. Një vejushë mund të futet në listë, kur i ka kaluar të 60-at dhe kur për të «jepet dëshmi se bën vepra të shkëlqyera». (5:10) Kurse vejushat më të reja që e lënë veten t’i zotërojnë nxitjet seksuale, nuk duhen pranuar. Në vend se të bredhin lart e poshtë e të merren me thashetheme, le të martohen e të lindin fëmijë, që të mos i japin kundërshtarit asnjë shkas për të sharë.
13. Ç’konsideratë u duhet treguar pleqve, si duhen trajtuar ata që praktikojnë mëkatin dhe ç’përgjegjësi kanë skllevërit?
13 Pleqtë që drejtojnë në mënyrë të shkëlqyer, duhen çmuar të denjë për nderim të dyfishtë, «sidomos ata që punojnë pa u lodhur në fjalë dhe në mësimdhënie». (5:17) Nuk duhet pranuar asnjë akuzë kundër një plaku, përveçse me dëshminë e dy ose tre dëshmitarëve. Ata që praktikojnë mëkatin duhen qortuar para syve të të gjithëve, por s’duhet të ketë asnjë paragjykim ose anësi në këto gjëra. Skllevërit duhet t’i respektojnë pronarët, duke u shërbyer më së miri, sidomos nëse janë vëllezër «besimtarë dhe të dashur».—6:2.
14. Ç’thotë Pavli për krenarinë dhe dashurinë për para përkundër ‘përkushtimit hyjnor dhe kënaqjes me atë që kemi’?
14 Këshilla për ‘përkushtimin hyjnor dhe kënaqjen me atë që kemi’ (6:3-21). Kush nuk pajtohet me fjalët e shëndosha, është i krekosur dhe i sëmurë nga mendja në lidhje me diskutime që çojnë në grindje të ashpra për çikërrima. Kurse «përkushtimi hyjnor bashkë me kënaqjen me atë që kemi» është një mjet për fitim të madh. Duhet të kënaqemi që kemi ç’të hamë, ç’të veshim e ku të futim kokën. Vendosmëria për t’u pasuruar është një lak që çon në shkatërrim dhe dashuria për para «është rrënja e çdo lloj gjëje të dëmshme». Pavli e nxit Timoteun që, si njeri i Perëndisë, të ikë nga këto gjëra, të ndjekë virtytet e krishtere, të bëjë luftën e shkëlqyer të besimit dhe ‘të rrokë jetën e përhershme’. (6:6, 10, 12) Ai duhet ta zbatojë urdhërimin «në mënyrë të panjollë dhe të paqortueshme» deri në shfaqjen e Zotërisë Jezu Krisht. Ata që janë të pasur «të mos i varin shpresat te pasuria e pasigurt, por te Perëndia», që të rrokin jetën e vërtetë. Në fund, Pavli e inkurajon Timoteun ta ruajë doktrinën që i është lënë në dorëzim, të largohet nga fjalët që ndotin dhe nga «kontradiktat e asaj që në mënyrë të rreme quhet ‘njohuri’».—6:14, 17, 20.
PËRSE ËSHTË I DOBISHËM?
15. Cili paralajmërim na jepet që të ruhemi nga spekulimet dhe debatet?
15 Kjo letër siguron një paralajmërim të qartë kundër atyre që e kalojnë kohën me spekulime të kota dhe argumente filozofike. ‘Debatet për fjalët’ shkojnë krah për krah me krenarinë dhe duhen shmangur, sepse Pavli thotë se pengojnë rritjen tonë si të krishterë dhe vetëm ngrenë «pyetje që të harxhojnë kohë, në vend që të japin ndonjë gjë nga Perëndia në lidhje me besimin». (6:3-6; 1:4) Këto debate, bashkë me veprat e mishit, janë «në kundërshtim me mësimin e shëndoshë, i cili është sipas të lavdishmit lajm të mirë të Perëndisë së lumtur».—1:10, 11.
16. Ç’këshillë dha Pavli për materializmin?
16 Me sa duket të krishterët që jetonin në Efes, qytet i pangopur për para, kishin nevojë për këshilla që të luftonin materializmin dhe shpërqendrimet që vinin nga ai. Pavli ua dha këto këshilla. Bota u është referuar shpesh fjalëve të tij ‘dashuria për para është rrënja e gjithë të këqijave’, por të paktë janë ata që ua kanë vënë veshin këtyre fjalëve. Kurse të krishterët e vërtetë duhet t’i kushtojnë vëmendje kësaj këshille gjithë kohës, pasi ajo nënkupton jetë. Duhet të largohen nga laku i dëmshëm i materializmit e të mos i varin shpresat «te pasuria e pasigurt, por te Perëndia, që na i jep të gjitha me bollëk për kënaqësinë tonë».—6:6-12, 17-19.
17. Cila këshillë drejtuar Timoteut është me vend për të gjithë të rinjtë që shërbejnë me zell sot?
17 Letra e Pavlit dëshmon se Timoteu ishte shembull i shkëlqyer që tregon si duhet të jetë një i ri i krishterë. Megjithëse relativisht i ri, ai ishte i rritur e i pjekur frymësisht. Iu kushtua synimit për t’u kualifikuar si mbikëqyrës dhe pati shumë bekime në privilegjet që gëzoi. Por si të gjithë të rinjtë që shërbejnë me zell sot, ai duhej t’i bluante në mendje vazhdimisht këto gjëra dhe të zhytej në to që të vazhdonte të përparonte. Është me vend këshilla e Pavlit për të gjithë ata të krishterë që duan të ndiejnë gëzim ndërsa vazhdojnë të bëjnë përparim: «Kushtoji vëmendje të vazhdueshme vetes dhe mësimdhënies sate. Ngulmo në këto gjëra, sepse duke e bërë këtë, do të shpëtosh veten dhe ata që të dëgjojnë.»—4:15, 16.
18. Ç’rregulla në lidhje me kongregacionin përcaktohen qartë dhe si i përdor Pavli Shkrimet Hebraike si autoritet?
18 Kjo letër e frymëzuar ngulit tek ne çmueshmërinë për rregullat që ka vendosur Perëndia në kongregacion. Ajo tregon se si burra dhe gra mund të bëjnë secili pjesën e vet për të mbajtur harmoninë teokratike në kongregacion. (2:8-15) Më pas, radhit kërkesat që duhet të plotësojnë mbikëqyrësit dhe shërbëtorët ndihmës. Në këtë mënyrë, fryma e shenjtë tregon se cilat janë kërkesat që duhet të përmbushin ata që shërbejnë në caktime të veçanta. Por jo vetëm kaq. Letra i inkurajon të gjithë shërbëtorët e kushtuar t’i përmbushin këto norma, kur thotë: «Kush synon detyrën e mbikëqyrësit, dëshiron një punë të shkëlqyer.» (3:1-13) Merret në shqyrtim edhe qëndrimi që duhet të kenë mbikëqyrësit ndaj të gjitha grup-moshave dhe gjinive në kongregacion, si dhe mënyra si duhen trajtuar akuzat para dëshmitarëve. Për të theksuar se pleqtë që punojnë pa u lodhur në fjalë dhe në mësimdhënie janë të denjë për nderim të dyfishtë, Pavli citon dy herë Shkrimet Hebraike si autoritet: «Sepse shkrimi thotë: ‘Mos i vër gojëz demit kur shin grurin.’ Gjithashtu: ‘Punëtori e meriton pagën.’»—1 Tim. 5:1-3, 9, 10, 19-21, 17, 18; Ligj. 25:4; Lev. 19:13.
19. Si del në pah shpresa e Mbretërisë dhe ç’nxitje jepet mbi këtë bazë?
19 Pasi jep gjithë këto këshilla të shkëlqyera, Pavli shton se urdhërimi duhet zbatuar në mënyrë të panjollë e të paqortueshme ‘deri në shfaqjen e Zotërisë tonë Jezu Krisht si Mbreti i atyre që mbretërojnë dhe Zotëria i atyre që sundojnë si zotërinj’. Në bazë të kësaj shprese për Mbretërinë, letra përfundon duke i nxitur fuqishëm të krishterët «të punojnë për të mirën, të jenë të pasur në vepra të shkëlqyera, të jenë dorëgjerë, gati për të ndarë me të tjerët, që të vënë si thesar të sigurt një themel të shkëlqyer për të ardhmen, që të rrokin jetën e vërtetë». (1 Tim. 6:14, 15, 18, 19) Të gjitha këto këshilla të shkëlqyera që përmban 1 Timoteut janë vërtet të dobishme!
[Shënimet]
a 1970, botuar nga Henri Snaider Gehman, faqja 721.
b The Ante-Nicene Fathers, vëll. I, faqja 6, «Letra e parë e Klementit drejtuar Korintasve», kap. V.
c New Bible Dictionary, botimi i dytë, 1986, nën kujdesin e Xhejms Dikson Dagllasit, faqja 1203.