Jehovai stërvit barinj për kopenë e tij
«Jehovai jep mençuri dhe prej gojës së tij burojnë njohuria dhe aftësia dalluese.»—PROVERBAT 2:6.
1, 2. Përse burrat e pagëzuar synojnë për më shumë përgjegjësi në kongregacion?
«ISHA shumë i lumtur kur u emërova plak kongregacioni,—thotë Niku, i cili ka shtatë vjet që shërben si plak.—E konsideroja këtë privilegj si një mundësi për të zgjeruar shërbimin ndaj Jehovait. Ndihesha vërtet mirënjohës për gjithçka që ai kishte bërë për mua. Gjithashtu, doja t’i ndihmoja sa më shumë pjesëtarët e kongregacionit, ashtu si më ndihmuan mua pleqtë e tjerë.» Por, bashkë me gëzimin, ai ndiente edhe njëfarë shqetësimi. «Ende s’i kisha mbushur të 30-at kur u emërova,—vazhdon Niku,—prandaj kisha merak se mos nuk i kisha aftësitë e nevojshme, domethënë aftësinë dalluese dhe mençurinë për t’u kujdesur siç duhej për kongregacionin.»
2 Ata që Jehovai i emëron për t’u kujdesur për kopenë e tij, kanë shumë arsye për të qenë të lumtur. Apostulli Pavël u kujtoi pleqve të Efesit një nga këto arsye, kur citoi fjalët e Jezuit: «Ka më shumë lumturi të japësh, se të marrësh.» (Veprat 20:35) Duke shërbyer si shërbëtorë ndihmës ose pleq, burrat e pagëzuar kanë mundësi të mëtejshme për t’i dhënë Jehovait dhe kongregacionit. Për shembull, shërbëtorët ndihmës punojnë përkrah pleqve. Këta shërbëtorë kujdesen edhe për shumë e shumë caktime të tjera që të hanë kohë, por që janë të domosdoshme. Dashuria për Perëndinë dhe për të tjerët i nxit këta vëllezër që të bëjnë këtë shërbim të vlefshëm.—Marku 12:30, 31.
3. Pse disa mund të ngurrojnë të synojnë privilegje në kongregacion?
3 Po nëse një burrë i pagëzuar ngurron të synojë privilegjin për të qenë shërbëtor ndihmës e më vonë plak, ngaqë nuk ndihet i kualifikuar? Ashtu si Niku, ai mund të jetë në merak se mos nuk i ka aftësitë e nevojshme për të qenë një bari i efektshëm. Nëse je një vëlla i pagëzuar, mos ndoshta ndihesh edhe ti kështu? Një shqetësim i tillë nuk është pa baza. Jehovai u kërkon llogari barinjve për mënyrën se si e trajtojnë kopenë. Jezui tha: «Kujtdo që iu dha shumë, do t’i kërkohet shumë, dhe atij që iu la në ngarkim shumë, do t’i kërkohet më shumë se zakonisht.»—Luka 12:48.
4. Si i ndihmon Jehovai ata që i emëron për t’u kujdesur për delet e tij?
4 A pret Jehovai nga ata që i emëron si shërbëtorë e pleq ta mbajnë vetë këtë përgjegjësi shtesë? Jo, përkundrazi, ai u siguron ndihmë praktike që jo vetëm të arrijnë ta mbajnë këtë përgjegjësi, por të kenë sukses. Siç e trajtuam në artikullin e kaluar, Jehovai u jep frymën e tij të shenjtë, fryti i së cilës i ndihmon të kujdesen me butësi për delet. (Veprat 20:28; Galatasve 5:22, 23) Veç kësaj, Jehovai u jep mençuri, njohuri dhe aftësi dalluese. (Proverbat 2:6) Si e bën këtë? Le të shqyrtojmë tri mënyra se si i stërvit Jehovai individët që i emëron për t’u kujdesur për delet e tij.
Të stërvitur nga barinj me përvojë
5. Pse Pjetri dhe Gjoni ishin barinj të efektshëm?
5 Kur apostujt Pjetër dhe Gjon ishin para Sinedrit, anëtarët me përvojë të asaj gjykate thanë se ata burra ishin «të pashkolluar e të thjeshtë». Sigurisht, dinin të shkruanin e të lexonin, por nuk kishin marrë ndonjë arsimim rabinik në studimin e Shkrimeve. Gjithsesi, Pjetri, Gjoni dhe dishepujt e tjerë, kishin treguar se ishin mësues të efektshëm, sepse shumë veta që i kishin dëgjuar, ishin nxitur të bëheshin besimtarë. Si ka mundësi që këta njerëz të zakonshëm ishin bërë mësues të jashtëzakonshëm? Pasi i dëgjuan Pjetrin dhe Gjonin, anëtarët e gjykatës «filluan të kuptonin se ata kishin qenë me Jezuin». (Veprat 4:1-4, 13) Vërtet që ata dy burra kishin marrë frymën e shenjtë. (Veprat 1:8) Por, gjithashtu, ishte e qartë, madje edhe për ata gjykatës të verbër frymësisht, se Pjetrin dhe Gjonin i kishte stërvitur Jezui. Kur ishte me apostujt në tokë, Jezui u mësoi jo vetëm se si t’i mblidhnin njerëzit ngjashëm deleve, por edhe si të kujdeseshin për ta, kur të bëheshin pjesë e vathës.—Mateu 11:29; 20:24-28; 1 Pjetrit 5:4.
6. Cilin shembull lanë Jezui dhe Pavli lidhur me stërvitjen e të tjerëve?
6 Pasi u ringjall, Jezui vazhdoi t’i stërviste ata që kishte emëruar si barinj. (Zbulesa 1:1; 2:1–3:22) Për shembull, ai personalisht zgjodhi Pavlin dhe mbikëqyri stërvitjen e tij. (Veprat 22:6-10) Pavli e vlerësoi stërvitjen që mori dhe ua kaloi pleqve të tjerë atë që kishte mësuar. (Veprat 20:17-35) Për shembull, Pavli harxhoi shumë kohë dhe energji duke e stërvitur Timoteun që të ishte «një punëtor» në shërbim të Perëndisë, ‘pa pasur asgjë pse t’i vinte turp’. (2 Timoteut 2:15) Mes tyre u formua një miqësi e ngushtë. Më parë, Pavli kishte shkruar për Timoteun: «[Ai] u skllavërua bashkë me mua, si një fëmijë me të atin, për të çuar përpara lajmin e mirë.» (Filipianëve 2:22) Pavli nuk u përpoq ta bënte dishepullin e vet Timoteun ose dikë tjetër. Jo, përkundrazi, ai i nxiti bashkëbesimtarët që të bëheshin ‘imitues të tij, ashtu si ai ishte i Krishtit’.—1 Korintasve 11:1.
7, 8. (a) Cila përvojë tregon sa e dobishme është kur pleqtë imitojnë Jezuin dhe Pavlin? (b) Kur duhet të fillojnë pleqtë t’i stërvitin shërbëtorët ndihmës dhe pleqtë e mundshëm?
7 Duke imituar Jezuin dhe Pavlin, barinjtë me përvojë marrin iniciativën për t’i stërvitur vëllezërit e pagëzuar, dhe kanë të njëjtat rezultate të mira. Ja, për shembull, cila është përvoja e Çadit. Ai u rrit në një familje të ndarë nga ana fetare, por kohët e fundit u emërua plak kongregacioni. Çadi thotë: «Gjatë viteve, disa pleq me përvojë më ndihmuan të përparoja frymësisht. Ngaqë im atë ishte jobesimtar, ata pleq u interesuan veçanërisht për mua dhe m’u bënë si baballarë frymorë. Harxhuan kohë duke më stërvitur në shërbim dhe, më vonë, një plak në veçanti më stërviti që të kujdesesha për caktimet që merrja në kongregacion.»
8 Siç e tregon përvoja e Çadit, barinjtë me aftësi dalluese fillojnë t’i stërvitin shërbëtorët ndihmës e pleqtë e mundshëm shumë kohë më përpara se të kenë përparuar aq sa të kualifikohen për këto privilegje. Përse? Sepse Bibla urdhëron që shërbëtorët ndihmës dhe pleqtë të arrijnë një normë të lartë morale dhe frymore përpara se të jenë emëruar për të shërbyer si të tillë. Ata duhet «të provohen më parë nëse janë të aftë».—1 Timoteut 3:1-10.
9. Cilën përgjegjësi kanë barinjtë e pjekur dhe përse?
9 Nëse vëllezërit e pagëzuar duhet të provohen, është më se e drejtë që më përpara të stërviten. Le ta ilustrojmë: sikur një nxënësi në shkollë t’i kërkohet të bëjë një provim të vështirë, por mësuesi nuk i ka bërë më parë ushtrime specifike, a do ta kalonte ai provimin? Me siguri jo. Prandaj, është e nevojshme që nxënësi të aftësohet me anë të ushtrimeve. Por, mësuesit e mirë nuk i përgatitin nxënësit vetëm që të kalojnë një provim, por edhe ta përdorin njohurinë që marrin. Po kështu, pleqtë e zellshëm i ndihmojnë vëllezërit e pagëzuar të zhvillojnë cilësitë që kërkohen nga një burrë i emëruar, duke u dhënë stërvitje specifike. Nuk e bëjnë këtë vetëm që t’i ndihmojnë këta vëllezër të arrijnë të emërohen, por edhe që t’i ndihmojnë të jenë të aftë të kujdesen siç duhet për kopenë. (2 Timoteut 2:2) Natyrisht, vëllezërit e pagëzuar duhet të bëjnë pjesën e tyre dhe të punojnë fort për t’i plotësuar kërkesat për shërbëtorët ndihmës ose pleqtë. (Titit 1:5-9) Gjithsesi, duke i stërvitur vullnetarisht ata që synojnë përgjegjësi në kongregacion, barinjtë me përvojë mund t’i ndihmojnë që të përparojnë më shpejt.
10, 11. Si mund t’i stërvitin barinjtë të tjerët për privilegje të mëtejshme?
10 Në mënyrë konkrete, si mund t’i stërvitin barinjtë me përvojë vëllezërit e tjerë që të kujdesen për privilegjet në kongregacion? Si fillim, duhet të interesohen për vëllezërit e kongregacionit, duke dalë rregullisht me ta në shërbim dhe duke i ndihmuar të përmirësojnë aftësinë për ta përdorur «drejt fjalën e së vërtetës». (2 Timoteut 2:15) Barinjtë e pjekur bisedojnë me këta vëllezër për gëzimet që vijnë kur u shërben të tjerëve dhe për kënaqësinë që ndiejnë ata vetë kur vënë synime frymore dhe i arrijnë. Gjithashtu, me dashamirësi u japin sugjerime specifike, se si një vëlla mund të përmirësojë, që të bëhet ‘shembull për kopenë’.—1 Pjetrit 5:3, 5.
11 Kur një vëlla emërohet shërbëtor ndihmës, barinjtë e mençur vazhdojnë ta stërvitin. Brusi, që ka disa dhjetëvjeçarë si plak kongregacioni, thotë: «Më pëlqen të ulem bashkë me një shërbëtor ndihmës që sapo është emëruar dhe të rishikojmë bashkë udhëzimet e botuara nga skllavi i besueshëm dhe i matur. Lexojmë edhe udhëzimet lidhur me caktimin e tij specifik e pastaj më pëlqen të punoj me të derisa t’i njohë mirë detyrat që ka.» Ndërsa një shërbëtor fiton përvojë, mund të stërvitet edhe në veprën baritore. Brusi vazhdon: «Kur e marr me vete një shërbëtor ndihmës në një vizitë baritore, e ndihmoj të zgjedhë shkrime specifike që do ta inkurajojnë e do ta nxitin individin ose familjen që do të vizitojmë. Që një shërbëtor ndihmës të bëhet bari i efektshëm, është thelbësore të mësojë t’i përdorë Shkrimet në mënyrë të tillë që të prekin zemrën.»—Hebrenjve 4:12; 5:14.
12. Si mund t’i stërvitin barinjtë me përvojë ata që sapo janë emëruar pleq?
12 Edhe barinjtë e sapoemëruar nxjerrin shumë dobi nga stërvitja e mëtejshme. Niku, i përmendur më parë, thotë: «Më ndihmoi veçanërisht stërvitja që mora nga dy pleq më me përvojë. Këta vëllezër zakonisht e kuptonin se si duheshin trajtuar disa çështje. Gjithnjë më dëgjonin me durim dhe e shqyrtonin seriozisht pikëpamjen time, edhe sikur të mos ishin dakord. Mësova shumë duke parë se me sa përulësi dhe respekt i trajtonin vëllezërit e motrat në kongregacion. Këta pleq më ngulitën në mendje nevojën për ta përdorur me mjeshtëri Biblën, kur kisha të bëja me probleme ose kur duhej të inkurajoja.»
Të stërvitur nga Fjala e Perëndisë
13. (a) Për çfarë ka nevojë një vëlla, që të jetë bari i efektshëm? (b) Pse Jezui tha: «Ajo që mësoj, nuk është imja.»
13 Fjala e Perëndisë, Bibla, përmban ligjet, parimet dhe shembujt që i nevojiten një bariu, për t’u bërë «krejtësisht i zoti, plotësisht i pajisur për çdo vepër të mirë». (2 Timoteut 3:16, 17) Një vëlla mund të ketë arsim të mirë shkollor, por ajo që e bën të efektshëm si bari është njohuria nga Shkrimet dhe mënyra si e zbaton këtë njohuri. Shqyrtoni shembullin e Jezuit. Si bari frymor, ai kishte më tepër njohuri, aftësi dalluese dhe mençuri se kushdo tjetër në tokë, e megjithatë, nuk mbështetej në mençurinë e vet kur mësonte delet e Jehovait. Ai tha: «Ajo që mësoj, nuk është imja, por i përket atij që më dërgoi.» Pse Jezui ia dha meritën Atit të tij qiellor? Ai shpjegoi: «Ai që flet nga vetja, kërkon lavdinë e vet.»—Gjoni 7:16, 18.
14. Si veprojnë barinjtë në mënyrë që të mos kërkojnë lavdinë e tyre?
14 Barinjtë besnikë nuk duan të kërkojnë lavdinë e tyre. Këshillat dhe nxitjen që japin, nuk e bazojnë në mençurinë e tyre, por në Fjalën e Perëndisë. E kuptojnë se caktimi që kanë barinjtë është t’i ndihmojnë delet të kenë «mendjen e Krishtit», jo mendjen e pleqve. (1 Korintasve 2:14-16) Për shembull, ndërsa ndihmon një çift me probleme martesore, çfarë do të ndodhte sikur një plak t’i bazonte këshillat në përvojën e vet e jo në parimet biblike dhe në informacionin e botuar nga «skllavi i besueshëm dhe i matur»? (Mateu 24:45) Ka të ngjarë që këshillat e tij të jenë tepër të ndikuara nga zakonet e vendit dhe të kufizuara nga njohuria e tij jo e plotë. Qartë, disa zakone nuk janë të gabuara në vetvete dhe plaku mund të ketë përvojë në jetë. Por delet nxjerrin më shumë dobi kur barinjtë i nxitin të dëgjojnë zërin e Jezuit dhe thëniet e Jehovait, jo mendimet njerëzore ose atë që u diktojnë zakonet e vendit.—Psalmi 12:6; Proverbat 3:5, 6.
Të stërvitur nga «skllavi i besueshëm dhe i matur»
15. Cilën detyrë i dha Jezui ‘skllavit të besueshëm dhe të matur’ dhe cila është një arsye e suksesit të klasës së skllavit?
15 Barinjtë si apostulli Pjetër, Gjon dhe Pavël, ishin të gjithë anëtarë të grupit që Jezui e quajti «skllavi i besueshëm dhe i matur». Kjo klasë e skllavit përbëhet nga vëllezërit e Jezu Krishtit këtu në tokë, të mirosur me frymën e shenjtë, që kanë shpresën të sundojnë me të në qiell. (Zbulesa 5:9, 10) Në këto ditët të fundit të këtij sistemi, numri i vëllezërve të Krishtit që janë ende në tokë është pakësuar, siç mund të pritej. Kurse vepra që u caktoi Jezui, domethënë predikimi i lajmit të mirë të Mbretërisë para se të vijë fundi, tani është zgjeruar më tepër se kurrë. Po gjithsesi, klasa e skllavit ka pasur një sukses të jashtëzakonshëm. Përse? Pjesërisht sepse kanë stërvitur pjesëtarë të ‘deleve të tjera’ që t’i ndihmojnë në veprën e predikimit dhe të mësimdhënies. (Gjoni 10:16; Mateu 24:14; 25:40) Sot, pjesën më të madhe të veprës po e kryen ky grup besnik i deleve të tjera.
16. Si i stërvit klasa e skllavit burrat e emëruar?
16 Si e siguron klasa e skllavit këtë stërvitje? Në shekullin e parë, përfaqësuesit e klasës së skllavit ishin autorizuar të stërvitnin e të emëronin mbikëqyrës në kongregacion dhe këta, nga ana e tyre, stërvitnin delet. (1 Korintasve 4:17) E njëjta gjë ndodh edhe sot. Trupi Udhëheqës—një grup i vogël pleqsh të mirosur që përfaqësojnë klasën e skllavit—i autorizon përfaqësuesit e vet të stërvitin dhe të emërojnë shërbëtorë ndihmës e pleq në dhjetëra mijë kongregacionet që ndodhen anembanë botës. Veç kësaj, Trupi Udhëheqës organizon shkolla për të stërvitur anëtarët e Komiteteve të Degëve, mbikëqyrësit udhëtues, pleqtë dhe shërbëtorët ndihmës, se si të kujdesen sa më mirë për delet. Drejtim i mëtejshëm sigurohet me anë të letrave, të artikujve të botuar në Kullën e Rojës e me anë të botimeve të tjera, siç është libri Të organizuar për të bërë vullnetin e Jehovait.a
17. (a) Si e ka treguar Jezui besimin e tij te klasa e skllavit? (b) Si mund të tregojnë barinjtë frymorë se kanë besim te klasa e skllavit?
17 Jezui kishte aq shumë besim te klasa e skllavit, saqë e emëroi mbi «gjithë zotërimet e veta», domethënë mbi gjithë interesat e tij frymore në tokë. (Mateu 24:47) Edhe barinjtë e emëruar tregojnë se kanë besim te klasa e skllavit, duke zbatuar udhëzimet që marrin nga Trupi Udhëheqës që përfaqëson këtë klasë. Po, kur barinjtë stërvitin të tjerët, kur lejojnë që ata vetë të stërviten nga Fjala e Perëndisë dhe kur përdorin stërvitjen që siguron klasa e skllavit, nxitin unitetin e kopesë. Sa mirënjohës jemi që Jehovai ka stërvitur burra që kujdesen me gjithë zemër për çdo pjesëtar të kongregacionit të krishterë!
[Shënimi]
a Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
Si do të përgjigjeshit?
• Si i stërvitin të tjerët barinjtë frymorë me përvojë?
• Pse barinjtë nuk mësojnë duke u bazuar te mendimet e tyre?
• Si dhe pse barinjtë tregojnë besim te klasa e skllavit?
[Figurat në faqet 24, 25]
Pleqtë e krishterë stërvitin burrat e rinj në kongregacion
[Figurat në faqen 26]
«Skllavi i besueshëm dhe i matur» siguron me bollëk stërvitje për pleqtë