Të rinj—Çfarë jeni duke ndjekur?
«Largohu nga dëshirat e rastit të rinisë, por ndiq drejtësinë, besimin, dashurinë, paqen, bashkë me ata që thërrasin Zotërinë me zemër të pastër.»—2. TIMOTEUT 2:22, NW.
1. Cila është shpresa jonë për të rinjtë që gjenden mes nesh?
«DËSHMITARËT E JEHOVAIT,—deklaron gazeta pentekostale suedeze Dagen (Dita),—janë grupi me numrin më të madh të pjesëtarëve të rinj çdo vit dhe kanë numrin më të madh të të rinjve.» Ndoshta ti je pjesë e këtij numri të rinjsh të ndershëm dhe që i frikësohen Perëndisë. Ndoshta je rritur në rrugën e krishterë qysh prej vogëlisë, ose mund ta kesh dëgjuar dhe pranuar lajmin e Mbretërisë vetëm. Sido që të jetë, ne jemi të gëzuar që të kemi mes nesh. Dhe shpresojmë që të ndjekësh rrugën e drejtësisë, siç bënë të krishterët e rinj besnikë në shekullin e parë. Ndoshta mund të të përshtaten fjalët e apostullit Gjon: «Ju jeni të fortë dhe fjala e Perëndisë mbetet në ju dhe e keni mundur të ligun.»—1. Gjonit 2:14, NW.
2. Cilët faktorë mund të vështirësojnë ndjekjen e një rruge të drejtë gjatë «lules së rinisë»?
2 Shumë—po, shumica—e të rinjve të krishterë sot, po i reziston presioneve të botës. Por, mund të kesh parë se nuk është e lehtë që t’i mbahesh kësaj sjelljeje. Kur jemi në «lulen e rinisë», mund të ndihemi të pushtuar nga emocione të reja dhe të shumta. (1. Korintasve 7:36) Në të njëjtën kohë, ka mundësi që na duhet të mbajmë një peshë më të madhe përgjegjësie në shkollë, në shtëpi dhe në kongregacion. Kemi, gjithashtu, edhe presionet e vetë Satana Djallit. I vendosur për të mashtruar sa më shumë që të jetë e mundur, ai sulmon ata që duken më të dobët, pikërisht ashtu siç bëri në kopshtin e Edenit. Në atë kohë, ai e përqëndroi dinakërinë e vet bindëse jo mbi Adamin, që ishte më i madh dhe me më shumë njohuri, por mbi Evën, më e re dhe me pak përvojë. (Zanafilla 3:1-5) Shekuj më vonë, Satanai përdori një taktikë të ngjashme në kongregacionin e sapokrijuar në Korint. Apostulli Pavël tha: «Porse, po kam frikë se—sikur gjarpëri me dinakërinë e vet e gënjeu Evën—mendimet tuaja të mos gabohen e të mos largohen prej thjeshtësisë (dhe pastrisë) ndaj Krishtit.»—2. Korintasve 11:3.
3, 4. Cilat janë disa nga armët që përdor Satana Djalli për të mashtruar të rinjtë dhe me çfarë rezultati të mundshëm?
3 Në të njëjtën mënyrë edhe sot, prindërit e tu të krishterë mund të kenë frikë për ty. Jo ngaqë mendojnë se ti ke prirje për keq, por ata e dinë nga përvoja se të rinjtë janë veçanërisht të ekspozuar ndaj «veprimeve dinake» të Satanait. (Efesianëve 6:11, shënimi) Në vend se të ngjajnë të dëmshme, kurthet e Satanait janë mjaft tërheqëse dhe të dëshirueshme. Në mënyrë të hapur, televizioni ofron materializmin, skenat e hapura seksuale, dhunën dhe spiritizmin si zbavitje. Mendjet e reja mund të mbushen me gjëra që mund të jenë gjithçka tjetër, por jo «të vërteta, të denja për shqyrtim, të drejta, të pastra dhe të dashura». (Filipianëve 4:8, NW) Presionet e bashkëmoshatarëve janë një tjetër armë e fuqishme e Satanait. Ata mund të ushtrojnë presion të madh, që t’i përshtatesh mënyrës së tyre të jetesës, veshjes dhe krehjes. (1. Pjetrit 4:3, 4) Gazetari William Brown vërejti: «Nëse ekziston një Perëndi e veçantë, laike për adoleshentët, kjo është përshtatja. . . . Të jesh i ndryshëm për adoleshentët është një fakt më i keq se vdekja.» Një vajzë Dëshmitare në Itali pranoi: «Më vinte turp që shokët e mi të shkollës të mësonin që unë isha një Dëshmitare. Dhe ngaqë e dija se Jehovai nuk ishte i gëzuar me mua, isha e trishtuar dhe zemërthyer.»
4 Mos u mashtro: Satanai dëshiron që të të shkatërrojë. Shumë të rinj në botë do të humbin jetën gjatë mjerimit të madh, pasi kanë lejuar të mashtrohen. (Ezekieli 9:6) Mënyra e vetme për të mbijetuar është që të ndjekim atë që është e drejtë.
Ruhu nga shoqëritë e këqija
5, 6. (a) Me çfarë sfidash u ballafaqua Timoteu i ri kur jetonte në Efes? (b) Çfarë këshille i dha Pavli Timoteut?
5 Ky është kuptimi i këshillës që apostulli Pavël i dha Timoteut të ri. Për më se dhjetë vjet, Timoteu e kishte shoqëruar apostullin Pavël në udhëtimet e tij misionare. Një herë, ndërsa Timoteu po shërbente në qytetin pagan të Efesit, Pavli gjendej në burg, në Romë, në pritje të ekzekutimit. Pasi koha e vdekjes po afrohej, Pavli sigurisht që pyeste veten se ç’do të bëhej me Timoteun. Efesi ishte i njohur për bollëkun e tij, imoralitetin dhe për zbavitjet e degjeneruara dhe Timoteu nuk do të kishte më mundësi që të mbështetej tek këshilltari i tij i dashur.
6 Prandaj, Pavli i shkroi «djalit [të tij] të dashur»: «Tani në një shtëpi të madhe nuk ka vetëm vazo prej ari dhe argjendi, por edhe prej druri dhe qeramike dhe disa për një qëllim të nderuar, por të tjerat për një qëllim pa nder. Prandaj, nëse dikush qëndron i pastër nga këto të fundit, ai do të jetë një vazo për një qëllim të nderuar, të shenjtëruar, e dobishme për pronarin e vet, e përgatitur për çdo vepër të mirë. Prandaj, largohu nga dëshirat e rastit të rinisë, por ndiq drejtësinë, besimin, dashurinë, paqen, bashkë me ata që thërrasin Zotërinë me zemër të pastër.»—2. Timoteut 1:2; 2:20-22, NW.
7. (a) Cilat ishin «vazot pa nder», mbi të cilat paralajmëroi Pavli? (b) Si mund t’i zbatojnë të rinjtë e sotëm fjalët e Pavlit?
7 Kështu, Pavli e paralajmëroi Timoteun se edhe në mes të të krishterëve mund të kishte «vazo pa nder», individë që nuk silleshin mirë. Tani, nëse shoqëria me disa të krishterë të mirosur mund të ishte e dëmshme për Timoteun, sa më tepër duhet të jetë për një të krishter të ri sot shoqëria me njerëz nga bota! (1. Korintasve 15:33) Kjo nuk do të thotë që të rrimë të veçuar prej shokëve të shkollës. Por duhet të jemi të kujdesshëm që të mos kemi me ta një shoqëri tepër intime, edhe pse ndonjëherë mund të lihet përshtypja se jemi tipa të vetmuar. Kjo mund të jetë shumë e vështirë. Një vajzë braziliane tha: «Është e vështirë. Shokët e shkollës më ftojnë shpesh për të shkuar në festa dhe vende të papërshtatshme për të rinj të krishterë. Më thonë: ‘Si? Nuk do të vish? Qenke e çmendur!’»
8, 9. (a) Përse shoqëria me individë nga bota, qofshin këta edhe të mirë në dukje, është e rrezikshme për një të krishterë?
8 Disa të rinj nga bota mund të duken të mirë vetëm sepse nuk pinë duhan, nuk përdorin fjalë të ndyra dhe nuk janë imoralë. Megjithatë, nëse nuk ndjekin drejtësinë, mënyra e tyre trupore e të menduarit dhe vepruarit mund të na ndikojë me lehtësi. Për më tepër, sa gjëra mund të kemi të përbashkëta me jobesimtarët? (2. Korintasve 6:14-16) Po ato vlera frymore që për ty janë të shtrenjta, për ta janë vetëm «çmenduri»! (1. Korintasve 2:14) A mund të ruash miqësinë me ta, pa vënë në rrezik parimet e tua?
9 Prandaj, shmangi shoqëritë e këqija. Mjaftohu me shoqërinë e të krishterëve me mendje frymore, që e duan me të vërtetë Jehovain. Ki kujdes, madje, edhe nga ata të rinj në kongregacion që kanë një frymë negative ose kritike. Dora-dorës që rritesh, shijet e tua në zgjedhjen e miqve mund të ndryshojnë. Një Dëshmitare adoleshente tha: «Kam zënë miq të rinj në kongregacione të ndryshme. Kjo më ka ndihmuar të kuptoj se sa të panevojshëm janë miqtë nga bota.»
Të largohemi nga dëshirat e gabuara
10, 11. (a) Çfarë do të thotë «të largohesh prej dëshirave të rastit të rinisë»? (b) Si mund «të iket nga kurvëria»?
10 Pavli e nxiti, gjithashtu, Timoteun që «të largohej nga dëshirat e rastit të rinisë». Kur je i ri, dëshira për të qenë i njohur, për t’u zbavitur apo për të plotësuar dëshirat seksuale, mund të jetë shumë e fortë. Këto dëshira të zjarrta, nëse nuk frenohen mund të çojnë në mëkat. Prandaj, Pavli tha t’u largohemi dëshirave të dëmshme—të ikim, pra, me të shpejtë, si të bëhej fjalë për jetën.a
11 Dëshirat seksuale, për shembull, i kanë çuar shumë të rinj të krishterë në shkatërrimin frymor. Me të drejtë, pra, Bibla na thotë që të «largohemi nga kurvëria». (1. Korintasve 6:18) Nëse një çift është i fejuar apo shoqërohet për t’u njohur, mund ta zbatojnë këtë parim duke shmangur situata të rrezikshme, si qenia vetëm në një apartament apo në një makinë të parkuar. Shoqërimi nga një person i tretë mund të duket si jashtë mode, por mund të jetë një mbrojtje e vërtetë. Edhe pse disa shprehje dashurie mund të jenë të përshtatshme, duhen vënë kufij të arsyeshëm për të shmangur veprime jo të pastra. (1. Selanikasve 4:7) Largimi nga kurvëria duhet të përfshijë, gjithashtu, edhe shmangien e filmave dhe shfaqjeve televizive që mund të ngjallin dëshira të gabuara. (Jakovit 1:14, 15) Nëse në mënyrë të pavullnetshme në mendje të vijnë mendime imorale, mendo për diçka tjetër. Dil për një shëtitje; lexo diçka; kryej ndonjë punë shtëpie. Lutja është në mënyrë të veçantë një ndihmë e madhe në këtë rast.—Psalmi 62:8.b
12. Si mësojmë ta urrejmë të keqen? Ilustroje.
12 Mbi të gjitha, duhet të mësosh të urresh, të ndjesh neveri dhe të përbuzësh atë që është e keqe. (Psalmi 97:10) Si mund ta urrejmë atë që fillimisht mund të jetë zbavitëse apo e pëlqyeshme? Duke menduar mbi pasojat! «Mos u gënjeni: Perëndia nuk është për t’u tallur. Sepse çdo gjë që njeriu do të mbjellë, atë edhe do të korrë; kush mbjell me pamjen nga trupi i tij, nga trupi do të korrë prishjen.» (Galatasve 6:7, 8, NW) Kur je i tunduar për t’i hapur rrugë pasioneve, mendo mbi pasojën më të madhe: pakënaqësinë që do t’i jepte kjo Perëndisë Jehova. (Krahaso Psalmi 78:41) Mendo, gjithashtu, edhe mbi mundësinë e një shtatzanie të padëshirueshme ose për hasjen e ndonjë sëmundjeje, si SIDA. Shqyrto edhe efektin shkatërrues që do të pësoje nga ana mendore dhe humbjen e respektit për vetveten. Mund të kesh edhe pasoja me afat të gjatë. Një grua e krishterë pranoi: «Përpara se të njiheshim, im shoq dhe unë kemi pasur marrëdhënie seksuale me të tjerë. Edhe pse sot jemi të dy të krishterë, jeta jonë e kaluar seksuale është burim grindjesh dhe zhelozie në martesën tonë.» Nuk duhet nënvlerësuar, veç kësaj, edhe humbja e privilegjeve teokratike dhe mundësia e përjashtimit nga kongregacioni i krishterë! (1. Korintasve 5:9-13) A ia vlen të paguajmë një çmim të tillë të lartë, për çfarëdolloj kënaqësie të përkohshme?
Mbaj një lidhje të ngushtë me Jehovain
13, 14. (a) Përse nuk mjafton që vetëm të largohesh nga e keqja? (b) Si mund «të vazhdojmë ta njohim Jehovain»?
13 Megjithatë, nuk mjafton vetëm të largohemi prej së keqes. Timoteu u nxit që «të ndiqte drejtësinë, besimin, dashurinë, paqen». Kjo të sjell ndër mend një veprim energjik. Profeti Hozea iu lut në mënyrë të ngjashme kombit izraelit: «Ejani, o njerëz, e le të kthehemi tek Jehovai . . . Do të vazhdojmë ta njohim Jehovain.» (Hozea 6:1-3) A po e ndjek ti këtë njohje? Kjo përfshin më tepër se frekuentimin e mbledhjeve dhe shoqërimin e prindërve në shërbim. Një grua e krishterë pohoi: «Prindërit më kanë rritur me të vërtetën dhe u pagëzova në një moshë të re. . . . Shumë rrallë mungoja në ndonjë mbledhje dhe kurrë nuk kam kapërcyer ndonjë muaj në shërbim, por kurrë nuk kam zhvilluar një lidhje personale me Jehovain.»
14 Po kështu, një vajzë tjetër pranon se nuk është mësuar ta njohë Jehovain si një Mik apo Atë, duke e parë atë më tepër si një Frymë abstrakte. Ajo shkau në imoralitet dhe u bë nënë e pamartuar në moshën 18-vjeçare. Mos bëj të njëjtin gabim! «Vazhdo të njohësh Jehovain»,—nxiti Hozea. Duke u lutur dhe duke ecur çdo ditë me Jehovain, mund ta bësh atë një mik të ngushtë. (Krahaso Mikea 6:8; Jeremia 3:4.) «Ai nuk është larg asnjërit prej nesh», nëse e kërkojmë. (Veprat 17:27) Prandaj, është i domosdoshëm një program i rregullt personal për studimin e Biblës. Nuk duhet të jetë diçka e përpunuar dhe e ngatërruar. «Çdo ditë lexoj Biblën për gati 15 minuta»,—tha një vajzë e vogël e quajtur Melody. Kurse kohë për të lexuar çdo numër të Kullës së Rojës dhe Zgjohuni! (angl.) Përgatitu për mbledhjet e kongregacionit, që të mund të «nxitësh [të tjerët] në dashuri dhe vepra të shkëlqyera.»—Hebrenjve 10:24, 25, NW.
Hapua zemrën prindërve
15. Përse disa herë është e vështirë t’u bindesh prindërve? (b) Përse bindja zakonisht është në interes të të rinjve?
15 Prindërit që i frikësohen Perëndisë, mund të jenë një burim i vërtetë ndihme dhe mbështetjeje. Por shiko se ç’rol duhet të luash ti: «Fëmijë, bindjuni prindërve tuaj në bashkësi me Zotërinë, sepse kjo është e drejtë: ‘Nderoje atin dhe nënën tënde’; që është urdhri i parë me premtimin: ‘Që të të shkojë mirë e të qëndrosh gjatë mbi tokë.’ » (Efesianëve 6:1-3, NW) Është e vërtetë se po rritesh dhe kërkon të kesh më shumë liri. Ndoshta, gjithnjë e më shumë po kupton edhe kufizimet e prindërve të tu. «Etërit tanë njerëzorë,—pranoi apostulli Pavël,—mundën të bënin vetëm atë që ata mendonin si më mirë.» (Hebrenjve 12:10, The Jerusalem Bible) Megjithatë, duke e parë punën më gjatë, është në të mirën tënde që t’u bindesh atyre. Prindërit të duan dhe të njohin më mirë se kushdo tjetër. Edhe pse nuk mund të jesh gjithmonë dakord me ta, zakonisht ata i kanë për zemër interesat e tua më të mira. Përse t’u rezistosh përpjekjeve të tyre për të të rritur «në disiplinën dhe rregullin mendor të Jehovait»? (Efesianëve 6:4, NW) Në të vërtetë, vetëm një i çmendur «nuk e respekton disiplinën e të atit». (Proverbat 15:5) Një i ri me mend do ta pranojë autoritetin e prindërve dhe do të tregojë respektin e duhur.—Proverbat 1:8.
16. (a) Përse nuk është e mençur që të rinjtë t’ua fshehin prindërve problemet e tyre? (b) Çfarë mund të bëjnë të rinjtë për të përmirësuar komunikimin me prindërit e tyre?
16 Kjo do të thotë që t’u thuash të vërtetën prindërve, duke i informuar nëse ke probleme, si për shembull, dyshime që të shqetësojnë mbi të vërtetën apo nëse ke rrëshqitur në një sjellje të dyshimtë. (Efesianëve 4:25) Duke ua fshehur prindërve këto situata shqetësuese, krijohen edhe më shumë probleme. (Psalmi 26:4) Duhet pranuar se disa prindër nuk përpiqen shumë për të mbajtur gjallë komunikimin. «Mamaja ime nuk ulet kurrë për të biseduar me mua,—u ankua një vajzë e vogël.—Nuk e marr kurrë guximin për të thënë çfarë mendoj, sepse kam frikë se do të më kritikojë.» Nëse gjendesh në një situatë të tillë, gjej një kohë të përshtatshme për t’u thënë prindërve se çfarë ndjen. «Biri im, jepma me të vërtetë zemrën tënde»,—nxit Proverbat 23:26. Përpiqu të flasësh rregullisht me ta për gjërat që të shqetësojnë, përpara se të zhvillohen probleme serioze.
Vazhdo të ndjekësh drejtësinë!
17, 18. Çfarë do ta ndihmojë një të ri që të vazhdojë të ndjekë drejtësinë?
17 Aty nga fundi i letrës së tij, Pavli i dha këtë nxitje Timoteut: «Qëndro në gjërat që ke mësuar dhe që je bindur për t’i besuar.» (2. Timoteut 3:14, NW) Edhe ti duhet të bësh po kështu. Mos lejo asgjë dhe askënd të të largojë nga ndjekja e drejtësisë. Bota e Satanait, me të gjitha joshjet e saj, vlon nga ligësia. Së shpejti, ajo dhe të gjithë ata që janë pjesë e saj do të asgjësohen. (Psalmi 92:7) Ji i vendosur për të mos rënë bashkë me turmën e Satanait.
18 Për këtë qëllim, duhet të shqyrtosh vazhdimisht synimet e tua, dëshirat dhe interesat. Pyet veten: «A ruaj rregulla të larta në të folur dhe sjellje kur prindërit dhe pjesëtarët e kongregacionit nuk më shohin? Çfarë shokësh zgjedh? A e diktojnë shokët e mi nga bota mënyrën time të veshjes dhe të të rregulluarit? Çfarë synimesh i kam vënë vetes? Zemra ime priret drejt shërbimit të plotë kohor apo drejt ndonjë karriere në sistemin e gjërave të Satanait që po vdes?»
19, 20. (a) Përse të rinjtë nuk duhet të thyhen nga kërkesat e Jehovait? (b) Prej cilave masa mund të përfitojnë të rinjtë?
19 Ndoshta e sheh se duhet të bësh disa ndryshime në mënyrën e të menduarit. (2. Korintasve 13:11) Mos u thyej! Mos harro: Jehovai nuk pret prej teje më shumë sesa është e arsyeshme. Profeti Mikea pyeti: «Çfarë kërkon prej teje Jehovai, përveç se të ushtrosh të drejtën e të duash mirësinë e të jesh i thjeshtë në ecjen me Perëndinë tënd?» (Mikea 6:8) Kjo nuk do të jetë shumë e vështirë nëse përfiton prej masave që Jehovai merr për të të ndihmuar. Veçanërisht, përpiqu të njohësh pleqtë e kongregacionit. E kanë për zemër mirëqenien tënde dhe mund të jenë një burim mbështetjeje dhe ngushëllimi. (Isaia 32:2) Mbi të gjitha, kultivo një lidhje të ngushtë dhe të ngrohtë me Perëndinë Jehova. Ai do të të japë forcën dhe dëshirën për të ndjekur atë që është e drejtë!
20 Disa të rinj, ama, i minojnë përpjekjet e veta për t’u rritur frymësisht, duke dëgjuar muzikë të dëmshme. Artikulli vijues do t’i kushtojë vëmendje të veçantë këtij aspekti.
[Shënimet]
a Fjala greke e përkthyer «largohem», është përdorur, gjithashtu, në Mateun 2:13, ku Marijes dhe Jozefit iu tha që «të largoheshin nga Egjipti», për të shpëtuar nga komploti vrasës i Herodit.—Krahaso Mateun 10:23.
b Një sërë sugjerimesh se si mund të kontrollosh dëshirat seksuale, mund të gjesh në kapitullin 26 të librit Të rinjtë pyesin—Përgjigje praktike (angl.), botuar prej Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.
Pyetjet për përsëritje
◻ Përse të rinjtë janë veçanërisht të ekspozuar ndaj «veprimeve dinake» të Satanait?
◻ Përse shoqëria e ngushtë me shokë nga bota është e rrezikshme?
◻ Si mund të largohesh prej imoralitetit seksual?
◻ Si mund të mbahet një lidhje e ngushtë me Jehovain?
◻ Përse është e rëndësishme të komunikosh me prindërit?
[Figura në faqen 21]
Kur një çift shoqërohet për t’u njohur, do të ishte e mençur që këtë gjë ta bënte në vende jo të vetmuara, për shembull në një pistë patinazhi mbi akull