-
Ç’lloj dashurie sjell lumturi të vërtetë?Kulla e Rojës (Për studim)—2018 | Janar
-
-
2. Ç’lloj dashurie e gabuar i karakterizon njerëzit e ndarë nga Perëndia? (Shih figurën hapëse.)
2 Mirëpo, Shkrimet e frymëzuara parathoshin edhe se në ditët tona njerëzit e ndarë nga Perëndia do të shfaqnin një lloj dashurie të gabuar, të karakterizuar nga egoizmi. Apostulli Pavël shkroi: «Në ditët e fundit . . . njerëzit do të jenë të dashuruar me veten, të dashuruar pas parave, . . . kënaqësidashës në vend se perëndidashës.» (2 Tim. 3:1-4) Kjo lloj dashurie e përqendruar te vetja bie ndesh me dashurinë e krishterë; është e kundërta e saj. Rendja pas synimeve egoiste nuk u sjell njerëzve atë lumturi që presin. Në fakt, kjo dashuri krijon një botë egoiste ‘të vështirë për t’u përballuar’.
-
-
Ç’lloj dashurie sjell lumturi të vërtetë?Kulla e Rojës (Për studim)—2018 | Janar
-
-
DASHURI PËR PERËNDINË APO DASHURI PËR VETEN?
4. Pse nuk është e gabuar të kemi dashuri të ekuilibruar për veten?
4 «Njerëzit do të jenë të dashuruar me veten»,—shkroi nën frymëzim apostulli. A është e gabuar të duam veten? Jo, është normale, e madje e nevojshme, të kemi dashuri të ekuilibruar për veten. Kështu na ka krijuar Jehovai. Jezui tha: «Duaje të afërmin tënd si veten.» (Mar. 12:31) Nëse nuk e duam veten, s’mund të duam as të tjerët. Gjithashtu, në Shkrime lexojmë: «Burrat duhet t’i duan gratë e tyre, si vetë trupat e tyre. Ai që do gruan e tij, do veten, sepse, asnjeri nuk e urren kurrë trupin e vet, por e ushqen dhe përkujdeset për të.» (Efes. 5:28, 29) Pra, dashuria e përshtatshme për veten është e dobishme.
5. Si do t’i përshkruaje ata që kanë dashuri të tepruar për veten?
5 Dashuria që përmendet te 2 Timoteut 3:2 nuk është një dashuri normale dhe dobiprurëse. Është një dashuri e shtrembëruar, egoiste. Njerëzit që kanë dashuri të tepruar për veten, mendojnë për veten më shumë nga sa duhet. (Lexo Romakëve 12:3.) Gjëja që u intereson më tepër në jetë është vetja e tyre. Ata s’duan t’ia dinë për të tjerët. Kur gjërat nuk shkojnë mirë, kanë prirjen të mos mbajnë përgjegjësi, por t’ua hedhin fajin të tjerëve. Një botim shpjegues për Biblën i krahason ata që janë të dashuruar me veten me ‘iriqin që mblidhet kruspull si top, duke e mbajtur gëzofin e butë dhe të ngrohtë për vete, kurse të tjerëve u nxjerr gjembat e mprehtë’. Njerëz të tillë, të përqendruar te vetja, nuk janë vërtet të lumtur.
6. Çfarë rezultatesh sjell dashuria për Perëndinë?
6 Disa studiues të Biblës mendojnë se arsyeja pse dashuria për veten gjendet në krye të listës së apostullit Pavël për cilësitë negative që do të mbizotëronin në ditët e fundit, është se cilësitë e tjera vijnë prej saj. Në kontrast me këtë, njerëzit që e duan Perëndinë shfaqin një fryt, ose cilësi krejt të ndryshme. Bibla e lidh dashurinë që i pëlqen Perëndisë me gëzimin, paqen, durimin, mirëdashjen, mirësinë, besimin, butësinë dhe vetëkontrollin. (Gal. 5:22, 23) Psalmisti shkroi: «Lum ai popull që ka për Perëndi Jehovain!» (Psal. 144:15) Jehovai është Perëndi i lumtur, dhe populli i tij pasqyron këtë cilësi. Veç kësaj, ndryshe nga ata që janë të dashuruar me veten dhe që u intereson veç të marrin, shërbëtorët e Jehovait kënaqen kur japin nga vetja për të mirën e të tjerëve.—Vep. 20:35.
7. Cilat pyetje do të na ndihmojnë të analizojmë dashurinë tonë për Perëndinë?
7 Si ta kuptojmë nëse dashuria për veten po eklipson dashurinë për Perëndinë? Të shqyrtojmë nxitjen që gjejmë te Filipianëve 2:3, 4: ‘Mos bëni asgjë nga fryma e grindjes ose nga uni, por me përulësi mendjeje, shihini të tjerët si më të lartë se veten, duke parë me interes jo vetëm çështjet tuaja, por edhe ato të të tjerëve.’ Mund të pyesim veten: «A e zbatoj këtë këshillë në jetën time? A përpiqem me gjithë zemër të bëj vullnetin e Perëndisë? A kam si synim të ndihmoj të tjerët, si në kongregacion edhe në shërbim?» Nuk është gjithnjë e lehtë të japim nga vetja. Duhen përpjekje dhe vetëmohim. Por, çfarë mund të na sjellë më shumë lumturi sesa siguria që kemi miratimin e Sovranit të universit?!
8. Çfarë kanë bërë disa të motivuar nga dashuria për Perëndinë?
8 Dashuria për Perëndinë i ka motivuar disa të heqin dorë nga një karrierë fitimprurëse për t’i shërbyer Jehovait më plotësisht. Erika, që jeton në Shtetet e Bashkuara, është mjeke. Por në vend që të rendte pas një pozite prestigjoze në mjekësi, ajo u bë pioniere e rregullt dhe ka shërbyer në vende të ndryshme bashkë me të shoqin. Duke kujtuar të kaluarën, ajo thotë: «Përvojat e shumta që kemi pasur teksa ndihmonim në një fushë të gjuhës së huaj, bashkë me miqësitë që kemi krijuar, na e kanë pasuruar vërtet jetën. Ende punoj në mjekësi, por tani shumicën e kohës dhe të energjive i përdor që t’i ndihmoj njerëzit të kenë një besim të shëndoshë dhe që të kujdesem për nevojat e motrave e të vëllezërve. Kjo më mbush me gëzim e kënaqësi.»
PASURI NË QIELL APO PASURI NË TOKË?
9. Pse dashuria për para nuk sjell lumturi?
9 Pavli shkroi se njerëzit do të ishin «të dashuruar pas parave». Disa vite më parë, një pionier në Irlandë po fliste për Perëndinë me një burrë. Burri nxori portofolin, mori disa kartëmonedha, i ngriti lart dhe tha tërë krenari: «Ky është zoti im!» Edhe pse shumë veta nuk shprehen kaq troç, bota është plot me njerëz që i duan paratë dhe gjërat që blihen me to. Mirëpo, Bibla jep këtë paralajmërim: «Ai që do argjendin, nuk do të ngopet me argjend, as ai që do pasurinë, me të ardhura.» (Ekl. 5:10) Këta njerëz do të duan gjithnjë e më shumë para dhe, teksa përpiqen të pasurohen, do t’i shkaktojnë vetes «shumë dhembje».—1 Tim. 6:9, 10.
10. Çfarë thotë Bibla për pasurinë dhe varfërinë?
10 Sigurisht, të gjithë kemi nevojë për para. Ato na sigurojnë njëfarë mbrojtjeje. (Ekl. 7:12) Por a mund të jetë vërtet i lumtur dikush nëse ka vetëm sa për të plotësuar nevojat bazë? Patjetër që po! (Lexo Eklisiastiun 5:12.) Aguri, biri i Jakehut, shkroi: «Mos më jep as varfëri, as pasuri. Më lër të ha aq sa më nevojitet.» S’do shumë mend për të kuptuar pse nuk donte të zhytej në varfëri. Siç e shpjegoi më tej, ai nuk donte të tundohej që të vidhte, sepse kjo do të çnderonte Perëndinë. Por, pse u lut që të mos kishte pasuri? Ai shkroi: «Që të mos ngopem e pastaj të të mohoj dhe të them: ‘Kush është Jehovai?’» (Prov. 30:8, 9) Ka shumë mundësi që të vijnë në mendje njerëz që kanë besim te pasuria e tyre dhe jo te Perëndia.
11. Çfarë këshille dha Jezui për paratë?
11 Ata që duan paratë s’mund t’i pëlqejnë Perëndisë. Jezui tha: «Askush s’mund të jetë skllav i dy zotërinjve: ose do të urrejë njërin e do të dojë tjetrin, ose do të ngjitet pas njërit e do të përbuzë tjetrin. Ju s’mund të jeni skllevër edhe të Perëndisë, edhe të Pasurisë.» Ai u parapriu këtyre fjalëve me udhëzimin: «Mos grumbulloni më thesare në tokë, ku brejnë mola dhe ndryshku, dhe ku hajdutët thyejnë e vjedhin. Më mirë, grumbulloni thesare në qiell, ku nuk bren as mola, as ndryshku, dhe ku hajdutët nuk thyejnë e nuk vjedhin.»—Mat. 6:19, 20, 24.
12. Pse një jetë e thjeshtë na e bën më të lehtë t’i shërbejmë Perëndisë? Jepni një shembull.
12 Shumë veta e kanë provuar se një jetë e thjeshtë jo vetëm që i bën më të lumtur, por edhe u jep më tepër kohë për t’i shërbyer Jehovait. Xheku, që jeton në Shtetet e Bashkuara, shiti biznesin dhe shtëpinë e tij të madhe, ngaqë e dinte se kjo do t’i jepte mundësi të shërbente si pionier bashkë me gruan. Ai shprehet: «Ishte e vështirë të hiqnim dorë nga shtëpia jonë e bukur dhe nga prona në fshat. Mirëpo para kësaj, për vite të tëra kthehesha në shtëpi i acaruar nga problemet në punë. Ndërsa ime shoqe, që ishte pioniere e rregullt, ndihej përherë e lumtur. Gjithmonë thoshte: ‘Kam pronarin më fantastik në botë!’ Tani që shërbej edhe vetë si pionier, po punojmë të dy për të njëjtin Person, Jehovain.»
13. Si ta analizojmë pikëpamjen që kemi për paratë?
13 Për të analizuar pikëpamjen tonë për paratë, të shqyrtojmë me ndershmëri si do t’u përgjigjeshim këtyre pyetjeve: «A e besoj vërtet atë që thotë Bibla për paratë dhe a jetoj në përputhje me këtë? A është gjëja më e rëndësishme për mua të bëj para? A i vlerësoj gjërat materiale më shumë se marrëdhënien me Jehovain e me të tjerët? A kam vërtet besim se Jehovai do të kujdeset për nevojat e mia?» Mund të jemi të sigurt se Jehovai nuk do t’i zhgënjejë kurrë ata që shpresojnë tek ai.—Mat. 6:33.
-