Mësim i dobishëm për kohët tona kritike
«Dhe dije këtë: në ditët e fundit do të vijnë kohë të vështira, . . . njerëzit e këqij dhe mashtrues do të shkojnë keq e më keq, duke gënjyer dhe duke u gënjyer vetë.»—2. TIMOTEUT 3:1, 13.
1, 2. Përse duhet të jemi të interesuar se cilat mësime ndjekim?
JE NDIHMUAR apo je dëmtuar? Problemet e tua po zgjidhen apo po rëndohen? Prej çfarë gjëje? Nga ajo që mëson. Po, mësimet mund të ndikojnë dukshëm për mirë apo për keq në jetën tënde.
2 Kohët e fundit, tre profesorë kanë bashkëpunuar në studimin e këtij subjekti dhe i kanë paraqitur rezultatet e kërkimeve të tyre në një revistë shkencore e fetare. (Journal for the Scientific Study of Religion) Është e vërtetë se subjekti i studimit të tyre nuk ke qenë ti ose familja jote. Megjithatë, ajo që ata zbuluan hedh dritë mbi lidhjet ekzistuese ndërmjet mësimeve që merr një person dhe suksesit apo dështimit të tij, në përballimin e kohëve tona kritike. Në artikullin vijues, do të vërejmë se çfarë zbuluan.
3, 4. Cilat janë disa prova se jetojmë në kohë të vështira?
3 Por më parë le të bëjmë një pyetje: «A je dakord se jetojmë në kohë të vështira?» Nëse po, atëherë patjetër do të shohësh provat që tregojnë se këto janë «kohë të vështira». (2. Timoteut 3:1-5) Mënyra se si njerëzit janë ndikuar ndryshon. Për shembull, ndoshta e di se pikërisht tani disa vende po shqyhen nga luftërat midis fraksioneve të ndryshme për mbizotërim politik. Gjetkë, vrasjet rrjedhin nga dallimet fetare apo etnike. Dhe nuk janë ushtarët të vetmit që pësojnë dëme. Mendo për numrin e pallogaritshëm të grave dhe vajzave që merren nëpër këmbë apo për të moshuarit që u mungon ushqimi, ngrohja dhe strehimi. Njerëz të panumërt vuajnë rëndë, gjë që provokon vërshime të mëdha refugjatësh e shumë pikëllim.
4 Kohët tona shquhen edhe për problemet ekonomike, që çojnë në mbylljen e fabrikave, në papunësi, humbje kompensimesh e pensionesh, rënie të fuqisë blerëse të parasë dhe ushqim të paktë ose skarco. A mund t’i shtosh probleme të tjera kësaj liste? Ndoshta po. Miliona të tjerë rreth globit vuajnë nga zia e bukës dhe sëmundjet. Ndoshta ke parë foto të tmerrshme nga Afrika lindore që tregojnë figura burrash, grash dhe fëmijësh të tretur. Miliona njerëz në vendet aziatike vuajnë në të njëjtën mënyrë.
5, 6. Përse mund të themi se sëmundjet janë një aspekt i dukshëm i kohëve tona kritike?
5 Të gjithë kemi dëgjuar për sëmundjet e frikshme që po marrin përmasa të mëdha. Më 25 janar 1993 gazeta The New York Times deklaroi: «Duke përfituar nga përzierjet seksuale, nga hipokrizia dhe parandalimi i lënë rastësisë, epidemia e SIDA-s në Amerikën Latine po tejkalon atë të Shteteve të Bashkuara . . . Shtimi i regjistruar në pjesën më të madhe është prej faktit se infektimi përhapet gjithnjë e më shumë mes . . . grave.» Në tetor 1992 një gazetë tha: «Vetëm dy dekada më parë, autoriteti më i lartë amerikan në fushën e shëndetësisë, duke shpallur një nga sukseset më të mëdha në fushën e shëndetit publik, lajmëroi se kishte ardhur çasti që ‘të mbyllej kapitulli i sëmundjeve infektive’.» (U.S.News & World Report) Por, ç’mund të themi tani? «Spitalet janë përsëri plot me viktima të sëmundjeve të tmerrshme ngjitëse që mendohej se ishin mundur. . . . Mikrobet po zhvillojnë strategji gjenetike gjithnjë e më inteligjente për të luftuar në kohë zhvillimin e antibiotikëve të rinj. . . . ‘Po hyjmë në një epokë të re sëmundjesh infektive’.»
6 Për shembull, një revistë e përjavshme (Newsweek) e 11 janarit 1993 raporton: «Llogaritet se çdo vit infektohen nga paraziti i malarjes 270 milionë njerëz, nga të cilët vdesin deri në 2 milionë . . . dhe provokon rreth 100 milionë raste të rënda . . . Në të njëjtën kohë, sëmundja po bëhet gjithnjë e më shumë rezistente ndaj barnave që njëherë e një kohë ishin të efektshme. . . . Disa gjurmë shpejt mund të jenë të paluftueshme.» Të rrënqethet trupi.
7. Si reagojnë shumë njerëz sot ndaj kohëve të vështira?
7 Ndoshta ke vërejtur që në këto kohë të vështira shumë njerëz kërkojnë ndihmë për të zgjidhur problemet e tyre. Mendo për ata që u drejtohen librave që trajtojnë se si t’i bëhet ballë stresit ose ndonjë sëmundjeje të re. Të tjerë kanë një nevojë të dëshpëruar për këshilla në lidhje me një martesë që po prishet, me trajtimin e të vegjëlve, problemin e alkoolit apo të drogës, ose për këshilla se si të gjejnë një ekuilibër midis kërkesave në punën e tyre dhe presioneve që kanë në shtëpi. Po, vërtet kanë nevojë për ndihmë. A gjendesh përballë një problemi personal ose a po kalon çaste të vështira të shkaktuara nga lufta, zia e bukës ose katastrofat? Edhe nëse një problem torturues duket i pazgjidhshëm, ke arsye të pyesësh: «Përse kemi arritur në një pikë kaq kritike?»
8. Përse duhet të drejtohemi tek Bibla për kuptueshmëri dhe drejtim?
8 Para së gjithash, që të përballojmë problemet me sukses dhe të ndiejmë kënaqësi në jetë tani dhe në të ardhmen, duhet të dimë përse ndeshemi me kohë të tilla kaq të vështira. Për të qenë të sinqertë, kjo do të thotë që secili prej nesh duhet të mbajë parasysh se çfarë thotë Bibla. Por, përse përmendim Biblën? Sepse vetëm ajo përmban profeci të saktë, histori të shkruar që më parë, që na tregon arsyet e gjendjes sonë të trishtuar, ku jemi dhe ku po shkojmë.
Një mësim nga historia
9, 10. Si u plotësua në shekullin e parë profecia e Jezuit që gjendet tek Mateu kapitull 24?
9 Kulla e Rojës 15 maj 1994, shqyrtonte në mënyrë domethënëse profecinë e qartë të Jezuit të cituar tek Mateu kapitulli 24. Nëse e hap Biblën tënde në atë kapitull, në vargun 3 mund të vëresh se apostujt e Jezuit kërkuan një shenjë në lidhje me praninë e tij të ardhshme dhe përfundimin e sistemit të gjërave. Kështu, në vargjet 5 deri 14, Jezui paratha se do të kishte krishtër të rremë, luftëra, zi buke, persekutim ndaj të krishterëve, paligjshmëri dhe një predikim të gjerë të Mbretërisë së Perëndisë.
10 Historia konfirmon se gjatë përfundimit të sistemit judaik të gjërave ndodhën pikërisht këto ngjarje. Nëse do të kishe jetuar atëherë, a nuk do të ishin ato kohë të vështira? Pra, gjërat shkonin drejt kulmit—një mjerim pa precedent për Jeruzalemin dhe për sistemin judaik. Në vargun 15 fillojmë të lexojmë në lidhje me atë që ndodhi pasi romakët kishin sulmuar Jeruzalemin në vitin 66 të e.s. Kulmi i këtyre ngjarjeve arriti me mjerimin e përmendur nga Jezui në vargun 21—shkatërrimin e Jeruzalemit në vitin 70 të e.s., që rezultoi si mjerimi më i rëndë që kishte rënë mbi atë qytet. Megjithatë, ti e di se historia nuk u ndal atëherë, dhe as Jezui nuk tha se do të ndalej. Në vargjet 23 deri 28 ai tregoi se pas mjerimit të vitit 70 të e.s. do të ndodhnin gjëra të tjera.
11. Në ç’mënyrë plotësimi i kapitullit 24 të Mateut në shekullin e parë lidhet me kohët tona?
11 Sot, ndonjë priret t’i heqë nga mendja çështje të tilla të së kaluarës duke thënë: «E ç’rëndësi ka?» Por, do të ishte një gabim. Plotësimi i profecisë në atë kohë është tepër i rëndësishëm. Përse? E po mirë, luftërat, zia e bukës, tërmetet, murtajat dhe persekutimi gjatë përfundimit të sistemit judaik, duhej të manifestoheshin në një plotësim më të madh pas «kohërave të caktuara të kombeve», që përfunduan në 1914-ën. (Luka 21:24) Shumë nga ata që jetojnë sot ishin dëshmitarë okularë të Luftës I Botërore, kur filloi ky plotësim modern. Edhe nëse ke lindur pas 1914-ës, ke parë të plotësohet profecia e Jezuit. Ngjarjet e këtij shekulli të 20-të në pjesën më dërrmuese tregojnë se jetojmë në përfundimin e këtij sistemi të lig gjërash.
12. Sipas Jezuit, çfarë mund të presim të shohim?
12 Kjo do të thotë që «mjerimi» i Mateut 24:29 akoma duhet të vijë. Do të përfshijë fenomene qiellore ndoshta të papërfytyrueshme. Vargu 30 tregon se njerëzit atëherë do të shohin një shenjë të ndryshme—një shenjë që tregon se shkatërrimi është afër. Sipas tregimit paralel të Lukës 21:25-28, në atë kohë të ardhshme «njerëzit do të vdesin nga frika dhe nga pritja e gjërave që do të ndodhin mbi tokën». Tregimi i Lukës thotë gjithashtu se atëherë të krishterët do të ngrenë kryet lart, sepse liria e tyre do të jetë shumë afër.
13. Cilat dy pika kryesore meritojnë vëmendjen tonë?
13 «Deri tani çdo gjë shkon mirë e bukur,—mund të thuash,—por unë mendoja se bëhej fjalë se si mund t’i kuptoj dhe përballoj kohët tona të vështira.» Ke të drejtë. Pika jonë e parë është t’i identifikojmë problemet kryesore dhe të shohim se si mund t’i shmangim ato. Me këtë ka lidhje edhe pika e dytë: në ç’mënyrë mund të na ndihmojnë mësimet biblike për të gëzuar një jetë më të mirë qysh tani. Në lidhje me këtë, hape Biblën tënde në 2. Timoteut kapitulli 3 dhe shiko se si fjalët e apostullit Pavël mund të të ndihmojnë për t’u bërë ballë këtyre kohëve të vështira.
Një profeci për kohën tonë
14. Përse kemi arsye të besojmë se shqyrtimi i 2. Timoteut 3:1-5 mund të na sjellë dobi?
14 Perëndia frymëzoi Pavlin që t’i shkruante të krishterit besnik, Timoteut, shumë këshilla të vlefshme që e ndihmuan të bënte një jetë më të suksesshme dhe të lumtur. Pjesë prej asaj që Pavli shkroi, duhej të zbatoheshin kryesisht në ditët tona. Edhe nëse mendon se i njeh mirë, ndiqi me vëmendje fjalët profetike të 2. Timoteut 3:1-5. Pavli shkroi: «Por dije këtë që në ditët e fundit do të ketë kohë të vështira. Sepse njerëzit do të jenë të dashuruar pas vetvetes, të dashuruar pas parasë, mburracakë, mendjemëdhenj, blasfemues, të pabindur ndaj prindërve, mosmirënjohës, të pabesë, pa dashuri natyrore. Nuk do të jenë të gatshëm për asnjë marrëveshje. Do të jenë shpifës, pa vetëkontroll, mizorë, pa dashuri për të mirën, tradhtarë, kryeneçë, të fryrë nga krenaria, të dashuruar pas kënaqësive në vend se të duan Perëndinë, do të kenë një formë të devotshmërisë së shenjtë, por do të paraqiten të rremë ndaj fuqisë së saj.»—BR.
15. Përse duhet të jetë me interes të veçantë për ne 2. Timoteut 3:1?
15 Të lutemi vëre se janë radhitur 19 gjëra. Para se t’i shqyrtojmë dhe të jemi në gjendje të nxjerrim dobi prej tyre, le të ndalemi një çast për ta parë këtë profeci në tërësi. Vëre se në vargun 1, Pavli paratha: «Në ditët e fundit do të ketë kohë të vështira.» Cilat «ditë të fundit»? Ka pasur shumë ditë të fundit: ditët e fundit të Pompeit të lashtë, ditët e fundit të një mbreti apo të një familjeje mbretërore. Edhe Bibla përmend shumë ditë të fundit, si për shembull, ditët e fundit të sistemit judaik. (Veprat 2:16, 17) Megjithatë, Jezui vendosi bazën që të kuptonim se «ditët e fundit» që përmendi Pavli i referoheshin kohës sonë.
16. Cilën situatë paratha për kohët tona shëmbëlltyra e grurit dhe e egjrës?
16 Jezui e bëri këtë me anë të shëmbëlltyrës së grurit dhe të egjrës. Ato u mbollën në një fushë dhe u lanë të rriteshin. Ai tha se gruri dhe egjra paraqesin njerëz—të krishterë të vërtetë dhe të rremë. E kemi përmendur këtë shëmbëlltyrë, për arsye se ajo provon se do të kalonte një periudhë e gjatë kohe përpara përfundimit të mbarë sistemit të lig. Në çastin e arritjes së tij diçka do të vinte në zhvillim të plotë. Çfarë? Apostazia ose largimi nga krishterimi i vërtetë, që do të prodhonte ligësi të gjerë. Profeci të tjera biblike konfirmojnë se kjo do të ndodhte në ditët e fundit të sistemit të lig. Ja ku ndodhemi sot, në përfundim të sistemit të gjërave.—Mateu 13:24-30, 36-43.
17. Ç’informacione paralele na siguron 2. Timoteut 3:1-5 për përfundimin e sistemit të gjërave?
17 A e kupton rëndësinë e gjithë kësaj? Letra e dytë e Timoteut 3:1-5 na jep një tregues paralel, sipas së cilës gjatë përfundimit të sistemit, ose të ditëve të fundit, fryti përreth të krishterëve do të ishte i lig. Pavli nuk po thoshte se 19 gjërat e radhitura do të kishin qenë mënyra kryesore për të treguar se ditët e fundit kishin ardhur. Më tepër na paralajmëronte se me kë do të duhej të luftonim gjatë ditëve të fundit. Vargu 1 flet për «kohë të vështira». Kjo shprehje është përkthyer nga greqishtja dhe fjalë për fjalë do të thotë «kohët e caktuara të egra». (Kingdom Interlinear) A nuk je i bindur se fjala «të egra», e përshkruan mirë atë që po përballojmë sot? Kjo pjesë e frymëzuar vazhdon të na japë kuptueshmëri hyjnore lidhur me kohën tonë.
18. Ku duhet të përqendrohemi kur studiojmë fjalët profetike të Pavlit?
18 Duke u interesuar për këtë profeci duhet të individualizojmë shembuj tragjikë që tregojnë se sa kritike, apo e egër është koha jonë. Le të kujtojmë dy pikat tona kryesore: (1) të përcaktojmë problemet që e bëjnë të vështirë kohën tonë dhe të shohim se si mund t’i shmangim; (2) të ndjekim mësime që janë me të vërtetë praktike dhe që mund të na ndihmojnë të gëzojmë një jetë më të mirë. Prandaj, në vend se të nxjerrim në pah aspektet negative, le të përqendrohemi mbi disa mësime që mund të na ndihmojnë ne dhe familjet tona në këto kohë të vështira.
Korr bekime të dukshme
19. Ç’prova që vërtetojnë se njerëzit janë dashurues të vetvetes ke parë?
19 Pavli e filloi listën e tij, duke parathënë se në ditët e fundit «njerëzit do të jenë të dashuruar pas vetvetes». (2. Timoteut 3:2) Çfarë donte të thoshte? Do të ishe i gatshëm të thoshe se gjatë gjithë historisë ka pasur gra e burra mendjemëdhenj dhe të interesuar vetëm për vete. Por nuk ka dyshim, sot kjo mangësi është jashtëzakonisht e përgjithshme. Është ekstreme tek shumë njerëz. Në botën politike e tregtare pothuajse konsiderohet si një normë sjelljeje. Burra e gra e kërkojnë fuqinë dhe famën me çdo kusht. Zakonisht është me çdo kusht për të tjerët, sepse këta njerëz të dashuruar pas vetvetes nuk kujdesen nëse i bëjnë keq të afërmit. Janë gati të hedhin në gjyq ose të gënjejnë të tjerët. Mund ta kuptosh se përse shumë njerëz e kanë quajtur këtë brez «brezi i unit». Personat mendjemëdhenj dhe egocentrikë janë me bollëk.
20. Çfarë ndryshimi ka midis këshillave biblike dhe frymës mbizotëruese egocentrike?
20 Nuk është e nevojshme të kujtohen përvojat e hidhura që kemi pasur me persona «të dashuruar pas vetvetes». A nuk është e vërtetë vallë se duke e identifikuar me ndershmëri problemin, Bibla na ndihmon, pasi na mëson se si ta shmangim këtë grackë? Ja, çfarë thotë ajo: «Mos bëni asgjë për rivalitet as për mendjemadhësi, por me përulësi, secili ta çmojë tjetrin më shumë se vetveten. Mos mendojë secili për interesin e vet, por edhe atë të të tjerëve.» «Mos e mendoni veten më të lartë se sa jeni. Në vend të kësaj, jini modestë në mendimet tuaja.» Këto këshilla të shkëlqyera gjenden në Filipianëve 2:3, 4 dhe në Romakëve 12:3, sipas përkthimit Today’s English Version.
21, 22. (a) Cila provë e qartë ekziston se këshilla të tilla mund të jenë të dobishme sot? (b) Çfarë ndikimi kanë pasur këshillat e Perëndisë mbi individë të zakonshëm?
21 Dikush do të kundërshtojë: «Fjalë të bukura, por ç’e do, s’janë praktike.» Në të vërtetë janë. Ato mund të kenë sukses dhe kanë me njerëzit e sotëm normalë. Në vitin 1990 shtëpia botuese e Universitetit të Oksfordit shtypi një libër. (The Social Dimensions of Sectarianism) Kapitulli i tetë i tij titullohej «Dëshmitarët e Jehovait në një vend katolik» dhe përshkruante një studim të realizuar në Belgjikë. Në të lexojmë: «Duke folur për tërheqjen pozitive që të shtyn të bëhesh Dëshmitar, pa marrë parasysh tërheqjen nga vetë ‘e vërteta’, të intervistuarit kanë përmendur vazhdimisht më tepër se një karakteristikë. . . . Ngrohtësia, përzemërsia, dashuria dhe uniteti ishin ndër cilësitë e përmendura më shpesh, por edhe ndershmëria dhe sjellja personale në ‘vënien në praktikë të parimeve biblike’ ishin gjithashtu cilësi që Dëshmitarët i kishin për zemër.»
22 Mund ta krahasojmë këtë përshkrim të përgjithshëm me një fotografi të bërë me një objektiv këndgjerë. Nëse do të përdorje një teleobjektiv, do të shihje në plan të parë hollësitë, shumë përvoja nga jeta reale. Mund të bëhej fjalë për burra që kanë qenë arrogantë, prepotentë ose egoistë të pafytyrë, por që janë bërë burra e baballarë më të butë e të arsyeshëm, që tregojnë më shumë dashuri dhe dashamirësi ndaj bashkëshortes, fëmijëve dhe të tjerëve. Mund të bëhej fjalë edhe për gra sunduese ose të pandjeshme, por që tani ndihmojnë të tjerët për të njohur rrugën e krishterimit të vërtetë. Ekzistojnë qindra e mijëra shembuj si këta. Tani ji i sinqertë: A nuk do të ishte shumë më mirë të rrije me njerëz si këta në vend se të gjendeshe gjithnjë ballë për ballë me burra dhe gra që në radhë të parë ose mbi të gjitha duan vetveten? A nuk do të ishte më e lehtë t’u bëhej ballë kohërave tona kritike? A nuk do të të bënte më të lumtur ndjekja e këtyre mësimeve biblike?
23. Përse do të ishte e vlefshme t’i kushtonim vëmendje të mëtejshme 2. Timoteut 3:2-5?
23 Kemi konsideruar pra, vetëm aspektin e parë të listës së 2. Timoteut 3:2-5. Ç’mund të themi për të tjerët? A do t’i shqyrtosh me kujdes që të jesh edhe ti i ndihmuar për të identifikuar problemet kryesore të kohës sonë, për t’i shmangur ato dhe për t’u aftësuar të kuptosh se cili drejtim do të të sjellë ty dhe të dashurve të tu më shumë lumturi? Artikulli vijues do të të ndihmojë t’u japësh përgjigje këtyre pyetjeve dhe të kesh bekime të pasura.
Pika për të kujtuar
◻ Cilat janë disa prova se jetojmë në kohë kritike?
◻ Përse mund të jemi të sigurt se jetojmë në ditët e fundit?
◻ Cilat dy pika kryesore mund të nxjerrim nga studimi i 2. Timoteut 3:1-5?
◻ Gjatë kësaj kohe kur kaq shumë njerëz janë të dashuruar pas vetvetes, si e kanë ndihmuar popullin e Jehovait mësimet biblike?
[Burimet e figurave në faqen 8]
Foto lart nga e majta: Andi Hernandez/Sipa Press; foto poshtë nga e djathta: Jose Nicolas/Sipa Press