Burrë dhe plak: Drejtpeshoni përgjegjësitë
«Mbikëqyrësi duhet të jetë burrë i një gruaje të vetme.»—1. TIMOTEUT 3:2, BR.
1, 2. Përse beqaria priftërore nuk është biblike?
NË SHEKULLIN e parë, të krishterët besimplotë ishin të interesuar në lidhje me drejtpeshimin e përgjegjësive të tyre të ndryshme. Kur apostulli Pavël tha se i krishteri që qëndron beqar «do të bëjë më mirë», a donte të thoshte se një burrë i tillë do të ishte më i përshtatshëm për të shërbyer si mbikëqyrës në kongregacionin e krishterë? A ishte ai, në fakt, duke e konsideruar beqarinë si një kërkesë për ata që duan të bëhen pleq? (1. Korintasve 7:38) Beqaria kërkohet nga kleri katolik. Por, a bazohet beqaria për priftërinj në Shkrimet? Kishat Ortodokse të Lindjes lejojnë që priftërinjtë të jenë burra të martuar, por jo peshkopët e tyre. A është kjo në përputhje me Biblën?
2 Shumë prej 12 apostujve të Krishtit, anëtarë themelues të kongregacionit të krishterë, ishin burra të martuar. (Mateu 8:14, 15; Efesianëve 2:20) Pavli shkroi: «A nuk kemi edhe ne të drejtë të marrim me vete një bashkëshorte, që të jetë motër në besim, sikurse edhe apostujt e tjerë, dhe vëllezërit e Zotit, edhe Kefa [Pjetri]?» (1. Korintasve 9:5) New Catholic Encyclopedia pranon se «ligji i beqarisë është me origjinë kishtare» dhe se «shërbëtorët e D[hjatës] së R[e] nuk ishin të detyruar të qëndronin beqarë». Dëshmitarët e Jehovait ndjekin më mirë modelin biblik se sa ligjin kishtar.—1. Timoteut 4:1-3.
Të qenët plak dhe martesa, janë të pajtueshme
3. Cilat fakte biblike tregojnë se mbikëqyrësit e krishterë mund të jenë burra të martuar?
3 Në vend se të kërkonte që burrat e caktuar si mbikëqyrës të ishin të pamartuar, Pavli i shkroi Titit: «Për këtë arsye të lashë në Kretë, që të korrigjosh gjërat që janë me defekt dhe që të caktosh pleq [greqisht pre·sbyʹte·ros] nga njëri qytet në tjetrin, siç të urdhërova; nëse ka ndonjë që s’është nën akuzë, burrë i një gruaje të vetme, që ka fëmijë besimtarë, që nuk akuzohen për jetë të shthurur, as të pabindur. Sepse një mbikëqyrës [greqisht e·piʹsko·pos, prej nga vjen fjala «peshkop»], duhet të mos jetë nën akuzë si kujdestar i Perëndisë.»—Titit 1:5-7, BR.
4. (a) Si e dimë se martesa nuk është një kërkesë për mbikëqyrësit e krishterë? (b) Çfarë epërsish ka një vëlla beqar, i cili është plak?
4 Nga ana tjetër, martesa nuk është një kërkesë biblike për pleqtë. Jezui qëndroi beqar. (Efesianëve 1:22) Pavli, një mbikëqyrës i shkëlqyer në kongregacionin e krishterë të shekullit të parë, në atë kohë ishte i pamartuar. (1. Korintasve 7:7-9) Sot, ka shumë të krishterë beqarë, që shërbejnë si pleq. Ka mundësi që beqaria u lejon atyre të kenë më shumë kohë për kryerjen e detyrave si mbikëqyrës.
‘Burri i martuar është i ndarë’
5. Çfarë fakti biblik duhet të pranojnë vëllezërit e martuar?
5 Kur një burrë i krishterë martohet, ai duhet të kuptojë se po merr mbi vete përgjegjësi që do t’i kërkojnë kohë dhe vëmendje. Bibla thotë: «I pamartuari kujdeset për punët e Zotit, si t’i pëlqejë Zotit. Përkundrazi, i martuari kujdeset për punët e shekullit [botës, BR], si t’i pëlqejë gruas dhe është i ndarë.» (1. Korintasve 7:32-34, DSF) Në ç’kuptim i ndarë?
6, 7. (a) Cila është një mënyrë, në të cilën një burrë i martuar është «i ndarë»? (b) Çfarë këshille u jep Pavli të krishterëve të martuar? (c) Si mund të ndikojë kjo në vendimin që merr një burrë për të pranuar një caktim pune?
6 Një gjë është që një burrë i martuar heq dorë nga autoriteti mbi trupin e tij. Pavli e bëri këtë shumë të qartë: «Gruaja nuk ka pushtet mbi trupin e vet, por burri; gjithashtu burri nuk ka pushtet mbi trupin e vet, por gruaja.» (1. Korintasve 7:4) Disa që kanë ndër mend të martohen, mund të mendojnë se kjo këshillë ka një rëndësi të vogël, pasi marrëdhëniet seksuale nuk do të jenë gjëja më e rëndësishme në martesën e tyre. Megjithatë, përderisa dëlirësia paramartesore është një kërkesë biblike, të krishterët nuk i njohin nevojat seksuale të bashkëshortit të tyre të ardhshëm.
7 Pavli tregoi se edhe nëse një çift ‘e çon mendjen në gjërat e frymës’, duhet të marrë në konsideratë nevojat seksuale të njëri-tjetrit. Ai u dha këtë këshillë të krishterëve të Korintit: «Burri le të kryejë detyrën martesore ndaj gruas, po ashtu edhe gruaja ndaj burrit. Mos ia privoni njëri-tjetrit, përveç në qoftë se jeni marrë vesh, për një farë kohe, që t’i kushtoheni agjërimit dhe lutjes, dhe përsëri ejani bashkë që të mos ju tundojë Satanai për shkak të mungesës së vetkontrollit tuaj.» (Romakëve 8:5; 1. Korintasve 7:3, 5) Mjerisht, ka pasur raste të tradhtisë bashkëshortore, kur nuk është ndjekur kjo këshillë. Duke qenë kështu, një i krishterë i martuar duhet t’i peshojë me kujdes gjërat përpara se të pranojë një caktim pune, i cili do ta ndajë nga gruaja e tij për një periudhë kohe. Ai nuk ka më atë liri veprimi që kishte kur ishte beqar.
8, 9. (a) Ç’donte të thoshte Pavli kur tha se të krishterët e martuar «shqetësohen për gjërat e botës»? (b) Për çfarë duhet të shqetësohen të krishterët e martuar?
8 Në ç’kuptim mund të thuhet se burrat e martuar të krishterë, ku përfshihen edhe pleqtë, «shqetësohen për gjërat e botës [koʹsmos]»? (1. Korintasve 7:33) Është e qartë që Pavli nuk po fliste për gjërat e këqija të kësaj bote, nga të cilat duhet të largohen të gjithë të krishterët. (2. Pjetrit 1:4; 2:18-20; 1. Gjonit 2:15-17) Fjala e Perëndisë na mëson «të heqim dorë nga paperëndishmëria dhe dëshirat e botës [ko·smi·kosʹ] dhe të jetojmë me mendje të shëndoshë, drejtësi dhe devotshmëri hyjnore në mes të këtij sistemi të tanishëm të gjërave».—Titit 2:12, BR.
9 Prandaj, një i krishterë i martuar «shqetësohet për gjërat e botës», në kuptimin që ai ose ajo shqetësohet në mënyrë të arsyeshme për gjëra të botës që janë pjesë e një jete martesore normale. Këtu përfshihen strehimi, ushqimi, veshja, çlodhja, për të mos folur për shqetësimet e panumërta kur kanë edhe fëmijë. Por edhe për një çift që s’ka fëmijë, që martesa të jetë e suksesshme, si burri, ashtu edhe gruaja, duhet të shqetësohen për të «fituar pëlqimin» e bashkëshortit apo bashkëshortes. Kjo është me interes të veçantë për pleqtë e krishterë, ndërsa drejtpeshojnë përgjegjësitë e tyre.
Burra të mirë si dhe pleq të mirë
10. Çfarë duhet t’u bëhet e mundur që të vërejnë vëllezërit e krishterë dhe personat e jashtëm tek një i krishterë, që ai të kualifikohet si plak?
10 Ndonëse martesa nuk është një kërkesë për pleqtë, nëse një burrë i krishterë është i martuar, përpara se të rekomandohet për t’u bërë plak, sigurisht që duhet të japë prova se ndërsa ushtron kryesinë e tij, përpiqet të jetë një burrë i mirë e i dashur. (Efesianëve 5:23-25, 28-31) Pavli shkroi: «Nëse ndonjë burrë synon të kryejë detyrën e mbikëqyrësit, ai dëshiron një vepër të shkëlqyer. Prandaj mbikëqyrësi duhet të jetë i paqortueshëm, burrë i një gruaje të vetme.» (1. Timoteut 3:1, 2) Duhet të bëhet e dukshme që një plak po bën të pamundurën për të qenë një burrë i mirë, pavarësisht nga fakti nëse gruaja e tij është një bashkëbesimtare e krishterë apo jo. Në fakt, edhe personat që nuk bëjnë pjesë në kongregacion, duhet të vënë re se ai kujdeset shumë për gruan e tij dhe për përgjegjësitë e tjera. Pavli shtoi: «Duhet që ai të ketë dëshmim të mirë edhe ndër të jashtmit, që të mos shahet dhe të bjerë në lakun e djallit.»—1. Timoteut 3:7.
11. Çfarë përfshin fraza «burrë i një gruaje të vetme», prandaj çfarë kujdesi duhet të tregojnë pleqtë?
11 Sigurisht që fraza «burrë i një gruaje të vetme» përjashton poligaminë, por, gjithashtu, përfshin besnikërinë martesore. (Hebrenjve 13:4) Sidomos pleqtë kanë nevojë të jenë veçanërisht të kujdesshëm kur ndihmojnë motrat në kongregacion. Ata duhet të shmangin të qenët vetëm kur shkojnë për të vizituar një motër, e cila ka nevojë për ndonjë këshillë a ngushëllim. Ata do të bëjnë mirë të jenë të shoqëruar nga një plak tjetër, një shërbëtor ndihmës apo edhe nga vetë gruaja e tyre, kur është fjala për të bërë thjesht një vizitë inkurajimi.—1. Timoteut 5:1, 2.
12. Cilit përshkrim duhet të përpiqen t’i përshtaten gratë e pleqve dhe të shërbëtorëve ndihmës?
12 Meqenëse ra fjala, ndërsa radhiste kërkesat për pleqtë dhe shërbëtorët ndihmës, apostulli Pavël pati një këshillë për gratë e atyre që janë marrë në shqyrtim për të pasur privilegje të tilla. Ai shkroi: «Edhe bashkëshortet e tyre të kenë dinjitet, jo shpifarake, por të përmbajtura dhe besnike në gjithçka.» (1. Timoteut 3:11) Një burrë i krishterë mund të bëjë shumë për ta ndihmuar gruan e tij që të jetë në përputhje me këtë përshkrim.
Detyrat biblike ngaj gruas
13, 14. Përse një plak duhet të qëndrojë me gruan e tij dhe të jetë një burrë i mirë edhe nëse ajo nuk është një Dëshmitare?
13 Sigurisht që kjo këshillë e dhënë për gratë e pleqve apo të shërbëtorëve ndihmës, nënkupton që gra të tilla të jenë të krishtere të dedikuara. Në përgjithësi, kjo është arsyeja se përse të krishterëve u kërkohet të martohen «vetëm në Zotërinë». (1. Korintasve 7:39, BR) Por ç’mund të thuhet për një vëlla që tashmë ishte i martuar me një jobesimtare kur i dedikoi jetën e tij Jehovait, ose kur gruaja e tij del nga e vërteta jo për faj të tij?
14 Kjo në vetvete nuk përbën një pengesë që ai të mos jetë plak. Por, as nuk justifikon ndarjen e tij prej gruas, thjesht sepse ajo nuk ka të njëjtin besim me të. Pavli këshilloi: «Je i lidhur me një grua? Mos kërko të zgjidhesh.» (1. Korintasve 7:27) Më pas, ai tha: «Në qoftë se një vëlla ka një grua jobesimtare dhe ajo pranon të jetojë bashkë me të, të mos e lërë atë. Nëse jobesimtari ndahet, le të ndahet; në këto raste vëllai ose motra nuk janë më të lidhur, por Perëndia na ka thirrur në paqe. Sepse çfarë di ti, o grua, nëse ke për ta shpëtuar burrin? Ose ç’di ti, o burrë, nëse ke për ta shpëtuar gruan?» (1. Korintasve 7:12, 15, 16) Edhe nëse gruaja e tij nuk është një Dëshmitare, një plak duhet të jetë burrë i mirë.
15. Çfarë këshille u jep apostulli Pjetër burrave të krishterë dhe çfarë pasojash mund të vijnë nëse një plak tregon se është një burrë që i lë gjërat pas dore?
15 Është apo nuk është bashkëbesimtare gruaja e tij, plaku i krishterë duhet të pranojë se ajo ka nevojë për kujdesin e tij të dashur. Apostulli Pjetër shkroi: «Ju burra, gjithashtu, jetoni me gratë tuaja me urtësi [sipas njohurisë, BR], duke e çmuar gruan si një enë më delikate dhe e nderoni sepse janë bashkëtrashëgimtare me ju të hirit të jetës, që të mos pengohen lutjet tuaja.» (1. Pjetrit 3:7) Një burrë që me vullnetin e tij nuk përkujdeset për gruan, vë në rrezik marrëdhënien me Jehovain; ai mund të bllokojë afrimin e tij ndaj Jehovait si «me një re, në mënyrë që asnjë lutje të mos kalojë dot». (Vajtimet 3:44) Një gjë e tillë mund të çojë në skualifikimin e tij për të shërbyer si një mbikëqyrës i krishterë.
16. Cila është pika kyçe që nxorri Pavli dhe si duhet të mendojnë pleqtë lidhur me të?
16 Siç vihet re, pika kyçe e argumentit të Pavlit është që kur një burrë martohet, heq dorë nga një pjesë e lirisë që kishte si beqar, e cila i lejonte të ishte «krejtësisht i përqendruar në veprën e Zotit». (1. Korintasve 7:35, DSF) Raportet tregojnë se disa pleq të martuar, jo gjithmonë kanë qenë të drejtpeshuar në arsyetimin që kanë bërë mbi fjalët e frymëzuara të Pavlit. Me dëshirën për të kryer atë që ata mendojnë se duhet të bëjë një plak i mirë, mund të kalojnë pa vënë re disa prej detyrave të tyre si burra. Për disa do të ishte e vështirë të refuzojnë një privilegj në kongregacion, edhe nëse pranimi i tij do të ishte qartësisht në dëm të gjendjes frymore të grave të tyre. Ata i gëzojnë privilegjet që sjell martesa, por a janë të gatshëm të përmbushin përgjegjësitë që vijnë bashkë me të?
17. Çfarë u ka ndodhur disa grave dhe si mund të ishte shmangur një gjë e tillë?
17 Sigurisht, zelli si plak është i rekomandueshëm. Por megjithatë, a është i ekuilibruar një i krishterë, nëse për kryerjen e detyrave të tij në kongregacion, nuk tregon kujdes për përgjegjësitë biblike ndaj gruas së tij? Ndërsa dëshiron të mbështesë anëtarët e kongregacionit, një plak i ekuilibruar do të shqetësohet, gjithashtu, për gjendjen frymore të gruas së tij. Disa gra pleqsh janë bërë të dobëta frymësisht dhe kanë përjetuar një «fundosje» frymore. (1. Timoteut 1:19, BR) Megjithëse një grua ka përgjegjësinë që të punojë vetë për shpëtimin e saj, në disa raste problemi frymor mund të ishte shmangur nëse plaku do të kishte ‘ushqyer dhe do të ishte kujdesur me butësi’ për gruan e tij, «sikurse edhe Krishti bën me kongregacionin». (Efesianëve 5:28, 29, BR) Sigurisht, pleqtë duhet të ‘tregojnë kujdes për vete dhe për gjithë tufën’. (Veprat 20:28) Nëse ata janë të martuar, këtu përfshihen edhe gratë e tyre.
‘Vuajtje në mish’
18. Cilat janë disa aspekte të «vuajtjes» që përjetojnë të krishterët e martuar dhe si mund të ndikojë kjo në aktivitetet e një plaku?
18 Apostulli shkroi, gjithashtu: «Nëse një person i virgjër martohet, ai nuk kryen mëkat. Megjithatë, ata që martohen do të kenë vuajtje në mish. Por unë po ju kursej juve.» (1. Korintasve 7:28, BR) Pavli dëshironte t’i kursente ata që mund të ndiqnin shembullin e tij të beqarisë, nga shqetësimet që sjell në mënyrë të pashmangshme martesa. Edhe për çiftet që s’kanë fëmijë, këto shqetësime mund të përfshijnë probleme shëndetësore apo vështirësi financiare, si dhe përgjegjësitë biblike ndaj prindërve të moshuar të bashkëshortit apo bashkëshortes. (1. Timoteut 5:4, 8) Një plak duhet t’i përballojë këto përgjegjësi dhe ndonjëherë, kjo mund të ndikojë në aktivitetet e tij si mbikëqyrës i krishterë. Lumturisht, pjesa më e madhe e pleqve po bëjnë një punë shumë të mirë, duke përballuar si përgjegjësitë në familje, ashtu edhe ato në kongregacion.
19. Çfarë donte të thoshte Pavli me fjalët: «Ata që kanë gra të jenë si ata që nuk kanë»?
19 Pavli shtoi: «Koha tanimë është shkurtuar; kështu tash e tutje edhe ata që kanë gra të jenë si ata që nuk kanë.» (1. Korintasve 7:29) Sigurisht, duke pasur parasysh atë që ai kishte shkruar tashmë në këtë kapitull, kuptohet që nuk donte të thoshte se të krishterët e martuar, në njëfarë mënyre, duhej t’i linin pas dore gratë e tyre. (1. Korintasve 7:2, 3, 33) Ai tregoi se çfarë donte të thoshte, kur shkroi: «Dhe ata që përdorin nga kjo botë, sikur të mos e përdornin [plotësisht, BR], sepse forma e kësaj bote po kalon.» (1. Korintasve 7:31) Aq më tepër tani, se sa në ditët e Pavlit apo të apostullit Gjon, «bota po kalon». (1. Gjonit 2:15-17) Prandaj, të krishterët e martuar, të cilët ndiejnë nevojën që të bëjnë disa sakrifica në ndjekjen e Krishtit, nuk mund të jenë krejtësisht të përpirë nga gëzimet dhe privilegjet e martesës.—1. Korintasve 7:5
Bashkëshorte vetësakrifikuese
20, 21. (a) Çfarë sakrificash janë të gatshme të bëjnë shumë gra të krishtere? (b) Çfarë mund të presë me të drejtë një grua nga burri i saj, edhe nëse ai është një plak?
20 Ashtu si pleqtë bëjnë sakrifica që të nxjerrin dobi të tjerët, shumë gra pleqsh janë përpjekur për të drejtpeshuar përgjegjësitë e tyre të martesës me interesat jetësore të Mbretërisë. Me mijëra gra të krishtere janë të lumtura që të bashkëpunojnë për t’u bërë të mundur burrave të tyre kryerjen e detyrave si mbikëqyrës. Për këtë, Jehovai i do dhe bekon frymën e shkëlqyer që ato tregojnë. (Filemonit 25) Megjithatë, këshilla e drejtpeshuar e Pavlit tregon se gratë e mbikëqyrësve, me të drejtë mund të presin nga burrat e tyre që t’u kushtojnë një sasi të arsyeshme kohe dhe kujdesi. Për pleqtë e martuar është një detyrë biblike që t’u kushtojnë kohë të mjaftueshme grave të tyre, që kështu të drejtpeshojnë përgjegjësitë si burra dhe mbikëqyrës.
21 Por, ç’mund të thuhet për një plak të krishterë, i cili përveçse është burrë, është edhe baba? Kjo shton përgjegjësitë dhe hap një tjetër fushë mbikëqyrjeje, siç do të shohim në artikullin vijues.
Pyetje për rishikim
◻ Cilat fakte biblike tregojnë se një mbikëqyrës i krishterë mund të jetë një burrë i martuar?
◻ Për çfarë duhet të jetë i vetëdijshëm një plak beqar që martohet?
◻ Në çfarë mënyrash një i krishterë i martuar «shqetësohet për gjërat e botës»?
◻ Si tregojnë një frymë të shkëlqyer vetësakrifikimi shumë gra mbikëqyrësish?
[Figura në faqen 17]
Edhe pse i zënë me aktivitetet teokratike, një plak duhet t’i kushtojë gruas së tij kujdes të dashur