Libri biblik numër 56—Titit
Shkrimtari: Pavli
Vendi ku u shkrua: Maqedoni (?)
Shkrimi përfundoi: rr. 61 të e.s.–64 të e.s.
1. (a) Ç’detyrë i ishte besuar Titit? (b) Në ç’mjedis kishin lindur kongregacionet e Kretës dhe çfarë duhej të bënin të krishterët në Kretë?
«PAVLI, skllav i Perëndisë dhe apostull i Jezu Krishtit . . . Titit, birit të vërtetë sipas besimit që e kemi të përbashkët.» (Titit 1:1, 4) Kështu fillon letra e Pavlit drejtuar Titit, bashkëpunëtorit dhe shokut të tij prej shumë kohësh, të cilin e kishte lënë në ishullin e Kretës për të organizuar më mirë kongregacionet. Titi kishte mbi shpatulla një detyrë të vështirë. Nga ky ishull, që thuhej se kishte qenë çerdhja e lashtë e «atit të perëndive dhe të njerëzve», kishte dalë shprehja «me kretasin sillu si kretas», me kuptimin që «t’ia hedhësh një hileqari».a Pandershmëria e njerëzve atje ishte aq e përfolur, sa Pavli citoi fjalët e një profeti të tyre: «Kretasit janë gjithmonë gënjeshtarë, bisha të liga, grykës qylaxhinj.» (Titit 1:12) Kretasit e kohës së Pavlit janë përshkruar edhe me këto fjalë: «Njerëzit ishin me karakter të paqëndrueshëm, jo të sinqertë dhe grindavecë; ishin zhytur deri në fyt në lakmi, shfrenim moral, gënjeshtra e dehje, dhe duket se, judenjtë që ishin vendosur me banim atje, me imoralitetin e tyre ua kishin kaluar vendësve.»b Pikërisht në një mjedis të tillë kishin lindur kongregacionet e Kretës, ndaj ishte veçanërisht e nevojshme që besimtarët ‘të hidhnin poshtë paperëndishmërinë dhe dëshirat e botës e të jetonin me mendje të shëndoshë, drejtësi dhe përkushtim hyjnor’, siç këshilloi Pavli.—2:12.
2, 3. (a) Ç’raporte kishte Titi me Pavlin? (b) Ku mund të ketë qenë Pavli kur i shkroi Titit dhe për ç’qëllim i shkroi?
2 Vetë libri i Titit jep shumë pak të dhëna për shoqërinë e Pavlit me Titin. Megjithatë, mund të mblidhet mjaft informacion nga ato që janë thënë për Titin në letrat e tjera të Pavlit. Titi, që ishte grek, e shoqëroi shpesh Pavlin dhe, të paktën një herë, u ngjit në Jerusalem bashkë me të. (Gal. 2:1-5) Pavli e quajti Titin «shok vepre dhe bashkëpunëtor». Pavli e dërgoi Titin në Korint pasi shkroi letrën e tij të parë drejtuar Korintasve kur ishte në Efes. Gjatë kohës që qëndroi në Korint, Titi u mor me mbledhjen e kontributeve për vëllezërit në Jerusalem. Më vonë, sipas udhëzimeve të Pavlit, u kthye përsëri atje për ta përfunduar mbledhjen. Gjatë kthimit për në Korint, pasi kishte takuar Pavlin në Maqedoni, Titi u përdor për t’u çuar korintasve letrën e dytë të Pavlit.—2 Kor. 8:16-24; 2:13; 7:5-7.
3 Pas lirimit nga burgimi i parë në Romë, gjatë viteve të fundit të shërbimit të tij, Pavli ishte përsëri i shoqëruar me Timoteun dhe Titin. Me sa duket, këtu duhet të jetë përfshirë shërbimi në Kretë, Greqi dhe Maqedoni. Në fund thuhet se Pavli shkoi në Nikapoli, në veriperëndim të Greqisë, ku me sa duket u arrestua dhe u çua në Romë për burgosjen e tij të fundit dhe për ekzekutimin. Si përfundoi vizitën në Kretë, Pavli la atje Titin që ‘të ndreqte gjërat me të meta dhe të emëronte pleq qytet më qytet’, siç e kishte udhëzuar ai. Siç duket, Pavli e shkroi letrën pak pasi kishte lënë Titin në Kretë, ka shumë të ngjarë kur ishte në Maqedoni. (Titit 1:5; 3:12; 1 Tim. 1:3; 2 Tim. 4:13, 20) Duket se kjo letër shërbeu për një qëllim të ngjashëm me atë të 1 Timoteut, domethënë, për t’i dhënë zemër bashkëpunëtorit të Pavlit dhe për t’i siguruar mbështetjen e një autoriteti në detyrat që i ishin ngarkuar.
4. Kur duhet të jetë shkruar letra drejtuar Titit dhe ç’prova ekzistojnë për autenticitetin e saj?
4 Pavli duhet ta ketë shkruar letrën diku aty mes burgosjes së tij të parë dhe të dytë në Romë, ose rreth vitit 61 deri në 64 të e.s. Provat që mbështetin autenticitetin e letrës drejtuar Titit janë po ato që mbështetin letrat drejtuar Timoteut, të shkruara në të njëjtën kohë. Këta tre libra biblikë shpesh quhen «letrat baritore» të Pavlit. Stili në të cilin janë shkruar, është i ngjashëm. Ireneu dhe Origjeni citojnë që të dy nga letra drejtuar Titit dhe shumë autoritete të tjera të hershme vërtetojnë se ky libër ishte pjesë e kanunit të Biblës. Ai gjendet në dorëshkrimin Sinaitik dhe atë Aleksandrin. Në Bibliotekën Xhon Rajlënds ruhet një fragment papirusi, P32, që është një fletë kodiku i shekullit të tretë të e.s., ku gjendet Titit 1:11-15 dhe; 2:3-8.c Nuk ka asnjë dyshim se libri është pjesë autentike e Shkrimeve të frymëzuara.
PËRMBAJTJA E TITIT
5. (a) Cilat kërkesa për mbikëqyrësit nënvizon Pavli dhe pse është e nevojshme kjo? (b) Pse Titi duhet të qortojë me rreptësi dhe çfarë thuhet për ata që janë të ndotur?
5 Mbikëqyrësit të këshillojnë me anë të mësimit të shëndoshë (1:1-16). Pas një përshëndetjeje të përzemërt, Pavli paraqit kërkesat që duhet të plotësojnë mbikëqyrësit. Ai nënvizon se mbikëqyrësi duhet të jetë «i lirë nga akuza», ta dojë mirësinë, të jetë i drejtë, besnik, t’i «përmbahet fort fjalës së besueshme në artin e tij të mësimdhënies, të jetë në gjendje të nxisë me anë të mësimit të shëndoshë dhe të qortojë ata që i kundërvihen këtij mësimi». Kjo është e nevojshme për shkak të ‘mashtruesve të mendjes së të tjerëve’, të cilët kanë arritur deri aty sa kanë minuar shtëpi të tëra për fitim të pandershëm. Prandaj, Titi duhet ‘të vazhdojë t’i qortojë me rreptësi, që të jenë të shëndoshë në besim e të mos u kushtojnë fare vëmendje përrallave judaike’. Ata që janë të ndotur, mund të shpallin publikisht se e njohin Perëndinë, por e mohojnë atë me veprat e tyre që tregojnë mosbindje.—1:6-10, 13, 14.
6. Ç’këshilla jepen për sjelljen e krishterë?
6 Të jetojnë me mendje të shëndoshë, drejtësi dhe përkushtim hyjnor (2:1–3:15). Burrat e moshuar dhe gratë e moshuara duhet të jenë seriozë dhe plot nderim për Perëndinë. Të rejat duhet t’i duan burrat dhe fëmijët, e t’u nënshtrohen burrave «që të mos shahet fjala e Perëndisë». Të rinjtë duhet të jenë shembull në vepra të shkëlqyera dhe në të folur të shëndoshë. Skllevërit duhet të jenë të nënshtruar e të tregojnë «plotësisht besnikëri të vërtetë». Dashamirësia e pamerituar e Perëndisë që sjell shpëtim, është shfaqur, duke i nxitur ata që Perëndia i ka pastruar nëpërmjet Krishtit Jezu, të shfaqin mendje të shëndoshë, drejtësi dhe përkushtim hyjnor, që të jenë ‘një popull posaçërisht i veti, i zellshëm për vepra të shkëlqyera’.—2:5, 10, 14.
7. Çfarë thekson Pavli në lidhje me nënshtrimin, shpëtimin dhe veprat e shkëlqyera?
7 Pavli thekson nevojën për nënshtrim dhe bindje ndaj qeverive dhe që «të tregojnë tërë butësinë me të gjithë njerëzit». Dikur Pavli dhe shokët e tij të krishterë kishin qenë të këqij si të tjerët. Megjithatë, falë mirëdashjes, dashurisë dhe mëshirës së Perëndisë, dhe jo falë veprave të tyre, ata kanë shpëtuar nëpërmjet frymës së shenjtë dhe janë bërë trashëgimtarë sipas një shprese për jetë të përhershme. Ndaj, ata që besojnë te Perëndia «ta mbajnë mendjen te kryerja e veprave të shkëlqyera». Duhet t’u rrinë larg diskutimeve të marra dhe zënieve rreth Ligjit, kurse atë që nxit një sekt, pasi ta kenë këshilluar një herë a dy herë, duhet ta flakin. Pavli i kërkon Titit të shkojë tek ai në Nikapoli dhe, pasi jep disa udhëzime me karakter misionar, thekson përsëri nevojën për të kryer vepra të shkëlqyera që të mos jenë të pafrytshëm.—3:2, 7, 8.
PËRSE ËSHTË I DOBISHËM?
8. Cilat këshilla të Pavlit në letrën drejtuar Titit janë «të shkëlqyera e të dobishme» për ne sot dhe pse?
8 Të krishterët në Kretë jetonin në një mjedis plot gënjeshtra, korrupsion dhe lakmi. Mos duhej të shkonin edhe ata pas turmës? Apo duhej të bënin me vendosmëri hapa për t’u ndarë plotësisht prej tyre e për t’i shërbyer Perëndisë Jehova si një popull i shenjtëruar? Duke u thënë të krishterëve në Kretë nëpërmjet Titit se duhej ‘ta mbanin mendjen te kryerja e veprave të shkëlqyera’, Pavli vazhdoi: «Këto gjëra janë të shkëlqyera e të dobishme për njerëzit.» Edhe sot, në këtë botë që është zhytur në batakun e praktikave të pandershme e mashtruese, është ‘e shkëlqyer dhe e dobishme’ që të krishterët e vërtetë «të mësojnë të kryejnë vepra të shkëlqyera» e të jenë të frytshëm në shërbimin që i bëjnë Perëndisë. (3:8, 14) Gjithçka që tha Pavli për të dënuar imoralitetin dhe ligësinë që kërcënonte kongregacionet në Kretë, është si paralajmërim për ne që ‘dashamirësia e pamerituar e Perëndisë na mëson të hedhim poshtë paperëndishmërinë dhe dëshirat e botës e të jetojmë me mendje të shëndoshë, drejtësi dhe përkushtim hyjnor mes kësaj bote’. Gjithashtu, të krishterët duhet të jenë «gati për çdo vepër të mirë» duke qenë të bindur ndaj qeverive e duke pasur një ndërgjegje të pastër.—2:11, 12; 3:1.
9. Si theksohet rëndësia për të mësuar siç duhet, sidomos kur është përgjegjësi e një mbikëqyrësi?
9 Titit 1:5-9 plotëson 1 Timoteut 3:2-7, duke treguar se ç’kërkon fryma e shenjtë nga mbikëqyrësit. Këto vargje theksojnë faktin që mbikëqyrësi duhet t’i «përmbahet fort fjalës së besueshme» dhe të jetë mësues në kongregacion. Sa e nevojshme është kjo për t’i ndihmuar të gjithë të arrijnë pjekurinë! Në fakt, në letrën drejtuar Titit theksohet disa herë nevoja për të mësuar siç duhet. Pavli e këshillon Titin ‘të vazhdojë të thotë ato gjëra që i kanë hije mësimit të shëndoshë’. Gratë e mira duhet të jenë «mësuese të së mirës» dhe skllevërit duhet që ‘në çdo gjë të stolisin mësimin e Shpëtimtarit të tyre, Perëndisë’. (Titit 1:9; 2:1, 3, 10) Duke e vënë theksin te nevoja që Titi si mbikëqyrës të jetë i vendosur dhe sypatrembur kur mëson, Pavli thotë: «Vazhdo të thuash këto gjëra, të nxitësh dhe të qortosh me autoritet të plotë.» Për ata që nuk binden, ai thotë: «Vazhdo t’i qortosh me rreptësi, që të jenë të shëndoshë në besim.» Kështu, letra e Pavlit drejtuar Titit është veçanërisht ‘e dobishme për të mësuar, për të qortuar, për të ndrequr dhe për të disiplinuar në drejtësi’.—Titit 2:15; 1:13; 2 Tim. 3:16.
10. Ç’na inkurajon të bëjmë letra drejtuar Titit dhe ç’shpresë të lumtur na ushqen?
10 Letra drejtuar Titit na nxit të tregojmë çmueshmëri për dashamirësinë e pamerituar të Perëndisë dhe na inkurajon të lëmë pas paperëndishmërinë e botës «ndërsa presim shpresën e lumtur dhe shfaqjen e lavdishme të Perëndisë madhështor e të Shpëtimtarit tonë, Krishtit Jezu». Duke vepruar kështu, ata që janë shpallur të drejtë nëpërmjet Krishtit Jezu mund të bëhen «trashëgimtarë sipas një shprese për jetë të përhershme» në Mbretërinë e Perëndisë.—Titit 2:13; 3:7.
[Shënimet]
a Cyclopedia, nga autorët Meklintok dhe Strong, ribotim i vitit 1981, vëll. II, faqja 564; The New Schaff-Herzog Encyclopedia of Religious Knowledge, 1958, vëll. III, faqja 306.
b Cyclopedia, nga autorët Meklintok dhe Strong, ribotim i vitit 1981, vëll. X, faqja 442.
c The Text of the New Testament, nga Kërt dhe Barbara Alandi, përkthyer nga E. F. Rodsi, 1987, faqja 98.