ONESIMI
[fitimprurës].
Një skllav i arratisur të cilin Pavli e ndihmoi të bëhej i krishterë. Onesimi kishte qenë shërbëtor i Filemonit, një të krishteri nga Kolosea, por ishte arratisur e kishte ikur në Romë. Madje, para se të arratisej, ai mund të ketë vjedhur zotërinë që të paguante udhëtimin. (Kl 4:9; Fl 18) Ka shumë mundësi që ai ta ketë takuar Pavlin ose të paktën të ketë dëgjuar për të nga Filemoni. Në fakt, edhe pse nuk thuhet specifikisht se Pavli e vizitoi Kolosenë gjatë udhëtimeve misionare, ai e kishte shkelur këtë zonë dhe njihej me Filemonin. (Ve 18:22, 23; Fl 5, 19, 22) Sidoqoftë, nuk dihet si, por në Romë Onesimi u lidh me Pavlin dhe shpejt u bë i krishterë. (Fl 10) Ndryshe nga më parë, kur kishte qenë një skllav i padobishëm për Filemonin, tani ishte mjaft i dobishëm për t’i shërbyer Pavlit, ishte një ‘vëlla i besueshëm e i dashur’ që apostulli e quan «përzemërsia ime e butë».—Kl 4:9; Fl 11, 12.
Gjithsesi, Onesimi ishte ende skllav i arratisur dhe, në rendin shoqëror të asaj kohe, Pavli ishte i detyruar t’ia kthente të zotit, ndonëse ngurronte sepse ishte bërë një shok kaq i mirë për të. Megjithatë, apostulli s’mund ta detyronte Onesimin të kthehej. Gjithçka varej nga vetë Onesimi, dhe ai u kthye. Pavli e nisi Onesimin bashkë me Tikikun dhe nëpërmjet tyre u çoi vëllezërve në Kolose një letër e lajme për veten. (Kl 4:7-9) Veç kësaj, Pavli i dha Onesimit një letër për Filemonin, megjithëse shpresonte ta lironin e të kishte kënaqësinë të takohej me të personalisht, pasi koha e burgimit po mbaronte. (Fl 22) Kjo e fundit mund të quhet një letër shoqëruese dhe rekomandimi për Onesimin, ku Pavli e siguronte Filemonin se Onesimi ishte bërë një shërbëtor i krishterë i mirë dhe kishte veshur personalitetin e ri. Gjithashtu, me anë të saj, Pavli i lutej që bashkimi i tyre të ishte si i dy të krishterëve, dhe jo si i skllavit me të zotin. Pavli i kërkoi Filemonit që të vinte në llogari të tij çdo borxh që Onesimi mund t’i kishte. (Fl 12-22) Ndër të tjera, në Letrën drejtuar Kolosianëve, që po çonin Onesimi dhe Tikiku, Pavli trajtoi parimet e krishtere që rregullonin marrëdhënien skllav-pronar.—Kl 3:22–4:1.