Dëgjoni atë që fryma ka për të thënë
«Vetë veshët e tu do të dëgjojnë prapa teje një fjalë që thotë: ‘Kjo është udha. Ecni në të ju njerëz’, në rast se do të shkoni djathtas ose në rast se do të shkoni majtas.»—ISAIA 30:21, BR.
1, 2. Si ka komunikuar Jehovai me njerëzit, gjatë historisë?
NË ISHULLIN e Porto-Rikos gjendet një radioteleskop me një parabolë, më i madhi e më i ndjeshmi në botë. Për dekada, shkencëtarët kanë shpresuar të marrin mesazhe nga jeta jashtëtokësore, duke përdorur këtë mjet gjigant. Por nuk kanë marrë asnjëherë mesazhe të tilla. Gjithsesi, në mënyrë paradoksale, jashtë sferës njerëzore ka mesazhe të qarta, që secili prej nesh mund t’i marrë në çdo kohë, pa përdorur pajisje të sofistikuara. Këto mesazhe vijnë nga një Burim shumë më i lartë se ndonjë jashtëtokësor imagjinar. Kush është Burimi i komunikimeve të tilla dhe kush i merr ato? Çfarë thonë mesazhet?
2 Dokumentimi biblik përmban disa tregime për raste kur mesazhet me origjinë hyjnore u bënë të dëgjueshme për veshët njerëzorë. Disa herë, këto mesazhe i përcollën krijesat frymore që shërbejnë si lajmëtarë të Perëndisë. (Zanafilla 22:11, 15; Zakaria 4:4, 5; Luka 1:26-28) Në tri raste, u dëgjua vetë zëri i Jehovait. (Mateu 3:17; 17:5; Gjoni 12:28, 29) Gjithashtu, Perëndia foli nëpërmjet profetëve njerëzorë, shumë prej të cilëve e hodhën me shkrim atë që u frymëzoi të thoshin. Sot kemi Biblën, e cila përmban dokumentimin me shkrim të shumë prej këtyre komunikimeve, si edhe mësimet e Jezuit e të dishepujve të tij. (Hebrenjve 1:1, 2) Pra, faktikisht Jehovai u ka përcjellë informacione krijesave të tij njerëzore.
3. Cili është qëllimi i mesazheve të Perëndisë dhe çfarë pritet nga ne?
3 Tërë këto mesazhe të frymëzuara nga Perëndia nuk na zbulojnë shumë gjëra për universin fizik. Ato përqendrohen në çështje më të rëndësishme, të cilat ndikojnë në jetën tonë tani dhe në të ardhmen. (Psalmi 19:7-11; 1. Timoteut 4:8) Jehovai i përdor këto mesazhe për të komunikuar vullnetin e tij dhe për të na ofruar udhëheqjen e tij. Ato përbëjnë një mënyrë se si po përmbushen fjalët e profetit Isaia: «Vetë veshët e tu do të dëgjojnë prapa teje një fjalë që thotë: ‘Kjo është udha. Ecni në të ju njerëz’, në rast se do të shkoni djathtas ose në rast se do të shkoni majtas.» (Isaia 30:21, BR) Jehovai nuk na detyron ta dëgjojmë ‘fjalën’ e tij. Na përket neve të ndjekim drejtimin e Perëndisë dhe të ecim në rrugën e tij. Për këtë arsye, Shkrimet na këshillojnë t’i dëgjojmë komunikimet që vijnë nga Jehovai. Në librin e Zbulesës, inkurajimi për të ‘dëgjuar atë që thotë fryma’ shfaqet shtatë herë.—Zbulesa 2:7, 11, 17, 29; 3:6, 13, 22.
4. A është e arsyeshme në ditët tona të presim që Perëndia të komunikojë drejtpërdrejt nga qielli?
4 Sot, Jehovai nuk na flet drejtpërdrejt nga sfera qiellore. Edhe në kohët biblike, këto komunikime të mbinatyrshme ishin ngjarje të rralla dhe disa herë i ndanin shekuj nga njëri-tjetri. Gjatë gjithë historisë, Jehovai shpeshherë ka komunikuar me popullin e tij në mënyra më të tërthorta. Kështu ndodh edhe në ditët tona. Le të shqyrtojmë tri mënyra në të cilat komunikon Jehovai me ne sot.
«I gjithë Shkrimi është i frymëzuar»
5. Cili është sot mjeti kryesor i komunikimit të Jehovait dhe si mund të nxjerrim dobi prej tij?
5 Mjeti kryesor i komunikimit midis Perëndisë dhe njerëzve është Bibla. Ajo është e frymëzuar nga Perëndia dhe çdo gjë që gjendet në të mund të jetë dobiprurëse për ne. (2. Timoteut 3:16) Bibla është plot me shembuj njerëzish realë që përdorën vullnetin e tyre të lirë për të vendosur nëse do ta dëgjonin apo jo zërin e Jehovait. Shembuj të tillë na kujtojnë përse është jetësore të dëgjojmë atë që thotë fryma e Perëndisë. (1. Korintasve 10:11) Gjithashtu, Bibla përmban mençuri praktike, duke na dhënë këshilla që na vlejnë kur ballafaqohemi me vendime në jetë. Është sikur Perëndia të ishte prapa nesh, duke na thënë në vesh fjalët: «Kjo është udha. Ecni në të.»
6. Përse Bibla është shumë më e lartë se tërë gjërat e tjera të shkruara?
6 Për të dëgjuar atë që thotë fryma nëpërmjet faqeve të Biblës, duhet ta lexojmë atë rregullisht. Bibla nuk është thjesht një libër i shkruar mirë dhe shumë i përhapur, thjesht një ndër librat e shumtë që janë në dispozicion sot. Ajo është e frymëzuar me anë të frymës dhe përmban mendimet e Perëndisë. Te Hebrenjve 4:12 thuhet: «Fjala e Perëndisë është e gjallë dhe vepruese, më e mprehtë se çdo shpatë me dy tehe dhe depërton deri në ndarjen e shpirtit dhe të frymës, të nyjeve dhe të palcave, dhe është në gjendje të gjykojë mendimet dhe dëshirat e zemrës.» Ndërsa lexojmë Biblën, përmbajtja e saj depërton si një shpatë në mendimet dhe motivimet tona të brendshme, duke zbuluar sa është në harmoni jeta jonë me vullnetin e Perëndisë.
7. Përse është jetësore ta lexojmë Biblën dhe sa shpesh inkurajohemi ta bëjmë këtë lexim?
7 «Mendimet dhe dëshirat e zemrës» mund të ndryshojnë me kalimin e kohës dhe ndërsa ndikohemi nga përvojat tona në jetë, qofshin këto të këndshme apo të vështira. Nëse nuk e studiojmë vazhdimisht Fjalën e Perëndisë, mendimet, qëndrimet dhe ndjenjat tona nuk do të jenë më në harmoni me parimet hyjnore. Prandaj, Bibla na këshillon: «Vazhdoni të vini në provë nëse jeni apo jo në besim, vazhdoni të provoni se çfarë jeni ju vetë.» (2. Korintasve 13:5, BR) Nëse duam të vazhdojmë të dëgjojmë atë që thotë fryma, duhet t’i vëmë veshin këshillës për ta lexuar përditë Fjalën e Perëndisë.—Psalmi 1:2.
8. Cilat fjalë të apostullit Pavël na ndihmojnë të shqyrtojmë veten lidhur me leximin e Biblës?
8 Një përkujtues i rëndësishëm për lexuesit e Biblës është ky: lini kohë të mjaftueshme për të asimiluar atë që lexoni! Ndërkohë që përpiqemi të zbatojmë këshillën për ta lexuar përditë Biblën, nuk do të dëshironim të zbulonim që po kalojmë nxitimthi disa kapituj, pa kapur kuptimin e asaj që lexojmë. Ndonëse është jetësore ta lexojmë Biblën rregullisht, motivimi ynë nuk duhet të jetë vetëm e vetëm që t’i përmbahemi një programi, por duhet të kemi një dëshirë të sinqertë për të mësuar rreth Jehovait dhe rreth qëllimeve të tij. Lidhur me këtë, mund të përdorim fare mirë fjalët që tha apostulli Pavël, për t’i bërë një shqyrtim vetes. Duke u shkruar të bashkëkrishterëve, ai tha: «Po i ul gjunjët e mi përpara Atit të Zotit tonë Jezu Krisht, që t’ju japë . . . që Krishti të banojë në zemrat tuaja me anë të besimit, që, të rrënjosur dhe të themeluar në dashuri, të mund të kuptoni me të gjithë shenjtorët cila është gjerësia, gjatësia, thellësia dhe lartësia, dhe ta njihni dashurinë e Krishtit që tejkalon çdo njohuri, që të mbusheni me tërë plotësinë e Perëndisë.»—Efesianëve 3:14, 16-19.
9. Si mund ta zhvillojmë dhe ta thellojmë dëshirën për të mësuar nga Jehovai?
9 Kuptohet, nga natyra, disave prej nesh nuk u pëlqen shumë të lexojnë, kurse të tjerë janë lexues të etur. Gjithsesi, pavarësisht nga prirja që kemi si individë, ne mund ta zhvillojmë dhe mund ta thellojmë dëshirën për të mësuar nga Jehovai. Apostulli Pjetër shpjegoi se duhet të kemi dëshirë të zjarrtë për njohurinë biblike dhe e pranoi se mund të na duhet ta zhvillojmë një cilësi të tillë. Ai shkroi: «Si foshnja të sapolindura, ushqeni një dëshirë të zjarrtë për qumështin e papërzier që i përket fjalës, që me anë të tij të rriteni drejt shpëtimit.» (1. Pjetrit 2:2, BR) Disiplinimi i vetvetes është jetësor nëse duam të ‘ushqejmë një dëshirë të zjarrtë’ për studimin e Biblës. Ndoshta një ushqim që e provojmë për herë të parë mund të arrijmë ta pëlqejmë pasi ta kemi ngrënë disa herë. Po kështu, qëndrimi ynë ndaj leximit dhe ndaj studimit mund të ndryshojë për më mirë, nëse e disiplinojmë veten për të ndjekur një rutinë të rregullt.
«Ushqim në kohën e duhur»
10. Cilët e përbëjnë ‘skllavin e besueshëm e të matur’ dhe si po i përdor Jehovai ata sot?
10 Te Mateu 24:45-47, BR, Jezui identifikoi një mënyrë tjetër që po përdor sot Jehovai për të na folur. Aty, ai foli për kongregacionin e krishterë të mirosur me frymë, pra, për ‘skllavin e besueshëm dhe të matur’ që është emëruar për të siguruar «ushqim në kohën e duhur», ushqimin frymor. Si individë, anëtarët e kësaj klase janë ‘shërbëtorët e shtëpisë’ të Jezuit. Këta, së bashku me «një shumicë të madhe» nga «delet e tjera», marrin inkurajim dhe udhëheqje. (Zbulesa 7:9, BR; Gjoni 10:16) Një pjesë e mirë e këtij ushqimi në kohën e duhur vjen në formën e botimeve të shtypura, siç janë Kulla e Rojës, Zgjohuni! dhe botime të tjera. Ushqim i mëtejshëm frymor shpërndahet në formën e fjalimeve dhe të demonstrimeve nëpër kongrese, asamble dhe në mbledhje të kongregacionit.
11. Si e tregojmë se jemi të ndjeshëm ndaj asaj që ka për të thënë fryma nëpërmjet ‘skllavit të besueshëm dhe të matur’?
11 Informacioni që siguron «skllavi i besueshëm dhe i matur» është bërë me qëllimin që të na forcojë besimin dhe të na stërvitë aftësitë perceptuese. (Hebrenjve 5:14) Këshilla të tilla mund të jenë me natyrë të përgjithshme, për ta lejuar gjithsecilin të bëjë një zbatim personal. Kohë pas kohe, marrim edhe këshilla që trajtojnë aspekte specifike të sjelljes sonë. Çfarë qëndrimi duhet të kemi, nëse po e dëgjojmë vërtet atë që thotë fryma nëpërmjet klasës së skllavit? Apostulli Pavël përgjigjet: «Jini të bindur ndaj atyre që marrin drejtimin mes jush dhe jini të nënshtruar.» (Hebrenjve 13:17, BR) Është e vërtetë se të gjithë ata që përfshihen në këtë rregullim janë njerëz të papërsosur. Megjithatë, Jehovai gjen kënaqësi duke përdorur shërbëtorët e tij njerëzorë, edhe pse të papërsosur, për të na udhëhequr në këtë kohë të fundit.
Udhëheqje nga ndërgjegjja jonë
12, 13. (a) Cilin burim tjetër për udhëheqje na ka dhënë Jehovai? (b) Çfarë ndikimi pozitiv mund të ketë ndërgjegjja edhe te njerëzit që nuk kanë njohurinë e saktë të Fjalës së Perëndisë?
12 Jehovai na ka dhënë një burim tjetër udhëheqjeje: ndërgjegjen tonë. Ai e krijoi njeriun me një ndjenjë të brendshme për të drejtën dhe të gabuarën. Kjo është pjesë e natyrës sonë. Në letrën që u drejtoi romakëve, apostulli Pavël shpjegoi: «Kur johebrenjtë, që s’kanë ligjin, nga natyra bëjnë punët e ligjit, ata, megjithëse s’kanë ligjin, janë ligj për vetveten; këta tregojnë veprën e ligjit të shkruar në zemrat e tyre për dëshminë që jep ndërgjegjja e tyre, dhe sepse mendimet e tyre shfajësojnë ose edhe akuzojnë njëri-tjetrin.»—Romakëve 2:14, 15.
13 Shumë veta që nuk e njohin Jehovain mund t’i vënë, në njëfarë mase, mendimet dhe veprimet e tyre në harmoni me parimet hyjnore të së drejtës dhe të së gabuarës. Është sikur ata të dëgjonin një zë të brendshëm që i udhëheq në drejtimin e duhur. Nëse kjo mund të ndodhë me ata që nuk e kanë njohurinë e saktë të Fjalës së Perëndisë, sa më tepër duhet të flasë ky zë i brendshëm në rastin e të krishterëve të vërtetë! Sigurisht, një ndërgjegje e krishterë, e rafinuar nga njohuria e saktë e Fjalës së Perëndisë e që vepron në harmoni me frymën e shenjtë të Jehovait, mund të sigurojë udhëheqje të besueshme.—Romakëve 9:1.
14. Si mund të na ndihmojë ndërgjegjja e stërvitur sipas Biblës për të ndjekur udhëheqjen e frymës së Jehovait?
14 Ndërgjegjja e mirë, e stërvitur sipas Biblës, mund të na kujtojë udhën nëpër të cilën fryma dëshiron që të ecim. Mund të ketë ndonjë rast kur as Shkrimet, as botimet tona të bazuara në Bibël, nuk komentojnë në mënyrë specifike për një situatë të veçantë ku mund të gjendemi. Megjithatë, ndërgjegjja mund të na japë një paralajmërim, duke na thënë të bëjmë kujdes për një drejtim që mund të jetë i dëmshëm. Në raste të tilla, të shpërfillim atë që na dikton ndërgjegjja mund të nënkuptojë, në fakt, të shpërfillim atë që thotë fryma e Jehovait. Nga ana tjetër, duke mësuar të mbështetemi në ndërgjegjen tonë të stërvitur të krishterë, mund të bëjmë zgjedhje të mira edhe atëherë kur nuk ka ndonjë drejtim specifik të shkruar. Gjithsesi, është jetësore të mbajmë në mend që, në rast se nuk ka asnjë parim, rregull ose ligj të siguruar në mënyrë hyjnore, nuk do të ishte e përshtatshme t’u impononim të bashkëkrishterëve atë që na thotë ndërgjegjja jonë, për çështje që janë thjesht personale.—Romakëve 14:1-4; Galatasve 6:5.
15, 16. Çfarë mund ta bëjë ndërgjegjen tonë të mos punojë mirë dhe si mund ta parandalojmë këtë gjë?
15 Ndërgjegjja e pastër, e stërvitur sipas Biblës, është një dhuratë e mirë nga Perëndia. (Jakobit 1:17) Por duhet ta mbrojmë këtë dhuratë nga ndikimet korruptuese, nëse duam që ajo të punojë siç duhet, si një mjet sigurie morale. Nëse ndjekim zakonet, traditat dhe shprehitë vendëse që bien në kundërshtim me normat e Perëndisë, ato mund të bëjnë që ndërgjegjja jonë të mos punojë siç duhet dhe të mos na shtyjë në drejtimin e duhur. Mund të mos jemi në gjendje t’i gjykojmë drejt çështjet e, madje, mund të mashtrojmë veten duke besuar se një veprim i gabuar është faktikisht i mirë.—Krahaso Gjonin 16:2.
16 Nëse vazhdojmë të shpërfillim paralajmërimet e ndërgjegjes, zëri i saj do të bëhet gjithnjë e më i dobët, derisa të bëhemi të pandjeshëm ose të ngurtësuar nga ana morale. Psalmisti foli për njerëz të tillë, kur tha: «Zemra e tyre është e pandjeshme si dhjami.» (Psalmi 119:70) Disa që i shpërfillin nxitjet e ndërgjegjes e humbin aftësinë për të menduar siç duhet. Ata nuk udhëhiqen më nga parimet hyjnore dhe nuk janë në gjendje të marrin vendime të duhura. Për të shmangur një situatë të tillë, duhet të jemi të ndjeshëm ndaj drejtimeve të ndërgjegjes sonë të krishterë, edhe atëherë kur çështjet në fjalë duken të parëndësishme.—Luka 16:10.
Të lumtur janë ata që dëgjojnë e që binden
17. Ndërsa dëgjojmë ‘fjalën prapa nesh’ dhe ndërsa i vëmë veshin ndërgjegjes së stërvitur nga Bibla, si do të bekohemi?
17 Gradualisht që vendosim një model për të dëgjuar ‘fjalën prapa nesh’, e cila sigurohet nëpërmjet Shkrimeve dhe skllavit të besueshëm e të matur, dhe gradualisht që u vëmë veshin përkujtuesve të ndërgjegjes sonë të stërvitur sipas Biblës, Jehovai do të na bekojë me frymën e tij. Nga ana e vet, fryma e shenjtë do të na e shtojë aftësinë për të marrë dhe për të kuptuar atë që na thotë Jehovai.
18, 19. Si mund të nxjerrim dobi nga udhëheqja e Jehovait në shërbimin dhe në jetën tonë personale?
18 Gjithashtu, fryma e Jehovait do të na japë guxim për t’i përballuar situatat e vështira me mençuri e me kurajë. Siç ndodhi në rastin e apostujve, fryma e Perëndisë mund të nxitë aftësitë tona mendore dhe të na ndihmojë që të veprojmë e të flasim gjithnjë në harmoni me parimet e Biblës. (Mateu 10:18-20; Gjoni 14:26; Veprat 4:5-8, 13, 31; 15:28) Kombinimi i frymës së Jehovait me përpjekjet tona personale do të na sjellë sukses, ndërsa marrim vendime të rëndësishme në jetë, duke na dhënë guximin për t’i zbatuar ato vendime. Për shembull, ndoshta po mendoni të rregulloni mënyrën tuaj të jetesës që të lini më shumë kohë për gjërat frymore. Ose mund të ballafaqoheni me zgjedhje të rëndësishme që do t’ju ndryshojnë jetën, si për shembull, në rastin kur duhet të zgjidhni një bashkëshort, të peshoni një ofertë pune ose të blini një shtëpi. Në vend që t’i lejojmë ndjenjat njerëzore të jenë faktori i vetëm për të marrë vendimet, duhet të dëgjojmë atë që ka për të thënë fryma e Perëndisë dhe të veprojmë në harmoni me udhëheqjen e saj.
19 I vlerësojmë vërtet përkujtuesit dashamirës dhe këshillat që marrim nga të bashkëkrishterët, duke përfshirë edhe pleqtë. Megjithatë, nuk duhet të presim gjithnjë që të tjerët të na e tërheqin vëmendjen për gjërat e ndryshme. Nëse e dimë rrugën më të mençur për të ndjekur dhe çfarë rregullimesh duhet të bëjmë në qëndrimin dhe në sjelljen tonë për t’i pëlqyer Perëndisë, le të veprojmë. Jezui tha: «Po t’i dini këto gjëra, të lumtur jeni ju nëse do t’i bëni.»—Gjoni 13:17.
20. Çfarë bekimi u vjen atyre që dëgjojnë ‘fjalën prapa tyre’?
20 Qartë, për të ditur se si t’i pëlqejnë Perëndisë, të krishterët nuk kanë nevojë të dëgjojnë një zë të mirëfilltë nga qielli, as nuk kanë nevojë që engjëjt t’u bëjnë një vizitë. Ata janë bekuar duke pasur Fjalën e shkruar të Perëndisë dhe udhëheqjen e dashur nëpërmjet klasës së tij të mirosur në tokë. Nëse me kujdes ia vënë veshin kësaj ‘fjale prapa tyre’ dhe ndjekin udhëheqjen e ndërgjegjes së stërvitur sipas Biblës, do t’ia dalin mbanë me sukses të bëjnë vullnetin e Perëndisë. Atëherë, do të shohin, me siguri, përmbushjen e premtimit të apostullit Gjon: «Ai që bën vullnetin e Perëndisë mbetet përjetë.»—1. Gjonit 2:17.
Rishikim i shkurtër
• Përse Jehovai komunikon me krijesat e tij njerëzore?
• Si mund të nxjerrim dobi nga programi për ta lexuar Biblën rregullisht?
• Si duhet të reagojmë ndaj drejtimit të klasës së skllavit?
• Përse nuk duhet ta shpërfillim atë që na dikton ndërgjegjja e stërvitur sipas Biblës?
[Figura në faqen 13]
Njeriu nuk ka nevojë për pajisje të sofistikuara që të marrë mesazhe nga Perëndia
[Burimi]
Me mirësjellje nga Observatori Arecibo/David Parker/Biblioteka e Fotografive Shkencore
[Figura në faqen 15]
Jehovai na flet nëpërmjet Biblës dhe me anë të ‘skllavit të besueshëm e të matur’