Do të bëheni «një mbretëri priftërinjsh»
«Ju do të bëheni për mua një mbretëri priftërinjsh dhe një komb i shenjtë.»—DAL. 19:6.
1, 2. Nga se duhej mbrojtur pasardhja e gruas, dhe pse?
PROFECIA e parë e dokumentuar në Bibël ka rëndësi të madhe në plotësimin e qëllimit të Jehovait. Kur bëri premtimin në Eden, Perëndia i vërtetë deklaroi: «Unë do të vë armiqësi mes teje [Satanait] dhe gruas, mes farës sate dhe farës së saj.» Sa e thellë do të ishte kjo armiqësi? «Ai [fara ose pasardhja e gruas] do të të shtypë kokën, dhe ti [Satana] do ta plagosësh në thembër»,—tha Jehovai. (Zan. 3:15) Armiqësia mes gjarprit dhe gruas do të ishte aq e egër, sa Satanai do të bënte çmos ta fshinte nga faqja e dheut pasardhjen e saj.
2 S’është çudi që psalmisti iu drejtua në lutje Perëndisë për popullin e Tij të zgjedhur: «Ja, armiqtë e tu bëjnë potere dhe ata që të urrejnë thellësisht, kanë ngritur krye. Kundër popullit tënd bisedojnë kokë më kokë me dinakëri dhe komplotojnë kundër atyre që ti i fsheh. Ata thonë: ‘Ejani t’i zhdukim, që të mos jenë më komb!’» (Psal. 83:2-4) Vija gjenealogjike e pasardhjes së gruas duhej mbrojtur që të mos zhdukej e të mos ndotej. Për këtë, Jehovai bëri marrëveshje të tjera ligjore të detyrueshme si garanci se qëllimi i tij do të plotësohej.
NJË BESËLIDHJE QË MBRON PASARDHJEN
3, 4. (a) Kur hyri në fuqi besëlidhja e Ligjit, dhe çfarë pranoi të bënte kombi i Izraelit? (b) Pse u hartua besëlidhja e Ligjit?
3 Pasardhësit e Abrahamit, të Isakut dhe të Jakobit arritën në miliona dhe Jehovai i bëri një komb—kombi i Izraelit të lashtë. Me anë të Moisiut, Jehovai lidhi me ta një besëlidhje kombëtare unike kur u dha Ligjin, dhe kombi i Izraelit i pranoi kushtet e asaj besëlidhjeje. Bibla tregon: «[Moisiu] mori librin e besëlidhjes dhe e lexoi para popullit. Pastaj, ata thanë: ‘Jemi gati të bëjmë gjithçka që ka thënë Jehovai dhe të jemi të bindur.’ Prandaj, Moisiu mori gjakun [e demave të flijuar], spërkati popullin dhe tha: ‘Ky është gjaku i besëlidhjes që Jehovai ka bërë me ju, sipas gjithë këtyre fjalëve.’»—Dal. 24:3-8.
4 Besëlidhja e Ligjit hyri në fuqi më 1513 p.e.s. në malin Sinai. Nëpërmjet saj kombi i lashtë i Izraelit u veçua si kombi i zgjedhur i Perëndisë. Në atë moment Jehovai u bë ‘Gjykatësi i tyre, Ligjdhënësi i tyre dhe Mbreti i tyre’. (Isa. 33:22) Historia e Izraelit dëshmon çfarë ndodh qoftë kur zbatohen normat e drejta të Perëndisë, qoftë kur shpërfillen. Ligji i ndalonte krushqitë me paganët dhe përfshirjen në adhurimin e rremë, sepse u hartua që të mbronte nga ndotja vijën gjenealogjike të Abrahamit.—Dal. 20:4-6; 34:12-16.
5. (a) Ç’mundësi unike i dha Izraelit besëlidhja e Ligjit? (b) Pse Perëndia e hodhi poshtë Izraelin?
5 Në besëlidhjen e Ligjit u morën masa edhe për një priftëri, e cila paraqiste një priftëri më të rëndësishme në të ardhmen. (Hebr. 7:11; 10:1) Nëpërmjet asaj besëlidhjeje, Izraeli pati privilegjin dhe mundësinë unike të bëhej «një mbretëri priftërinjsh», me kusht që t’u bindej ligjeve të Jehovait. (Lexo Daljen 19:5, 6.) Mirëpo, Izraeli nuk e plotësoi atë kërkesë. Kombi e hodhi poshtë Mesinë, pjesën kryesore të pasardhjes së Abrahamit, dhe nuk e mirëpriti ardhjen e tij. Si pasojë, Perëndia e hodhi poshtë atë komb.
6. Çfarë u arrit me anë të Ligjit?
6 Izraeli nuk i qëndroi besnik Jehovait, prandaj radhët e kësaj mbretërie priftërinjsh nuk u plotësuan vetëm nga izraelitët. Kjo s’do të thoshte se Ligji kishte dështuar. Synimi i tij ishte të mbronte pasardhjen dhe t’i drejtonte njerëzit te Mesia. Ligji e përmbushi rolin e tij pasi Krishti erdhi dhe u bë e qartë se ishte Mesia. Bibla thotë: «Krishti është fundi i Ligjit.» (Rom. 10:4) Mirëpo mbetet një pyetje: kush do ta kishte tani mundësinë të bëhej mbretëri priftërinjsh? Perëndia Jehova bëri një tjetër kontratë ligjore që të formonte një komb të ri.
VJEN NË JETË NJË KOMB I RI
7. Çfarë paratha Jehovai nëpërmjet Jeremisë për një besëlidhje të re?
7 Shumë kohë para se të shfuqizohej besëlidhja e Ligjit, Jehovai paratha nëpërmjet profetit Jeremia se do të bënte «një besëlidhje të re» me kombin e Izraelit. (Lexo Jereminë 31:31-33.) Ajo besëlidhje do të ishte ndryshe nga besëlidhja e Ligjit, pasi nëpërmjet saj mund të faleshin mëkatet pa qenë nevoja të flijoheshin kafshë. Si do të bëhej kjo?
8, 9. (a) Çfarë arrihet falë gjakut të derdhur të Jezuit? (b) Ç’mundësi kanë pjesëmarrësit e besëlidhjes së re? (Shih figurën hapëse.)
8 Shekuj më vonë, më 14 nisan të vitit 33 të e.s., Jezui themeloi Darkën e Zotërisë. Ai u tha 11 apostujve besnikë për kupën e verës: «Kjo kupë përfaqëson besëlidhjen e re në bazë të gjakut tim, që do të derdhet për ju.» (Luka 22:20) Tregimi i Mateut citon këto fjalë të Jezuit për verën: «Kjo përfaqëson ‘gjakun tim të besëlidhjes’, që do të derdhet në dobi të shumë vetave, për faljen e mëkateve.»—Mat. 26:27, 28.
9 Gjaku i derdhur i Jezuit e bën të vlefshme besëlidhjen e re. Gjithashtu, mëkatet mund të falen njëherë e mirë falë gjakut të tij. Jezui nuk është palë e besëlidhjes së re. Përderisa është pa mëkat, ai nuk ka nevojë për falje. Megjithatë, Perëndia mund ta përdorte vlerën e gjakut të derdhur të Jezuit për pasardhësit e Adamit. Veç kësaj, Ai mund ‘të birësonte’ disa njerëz të përkushtuar, duke i mirosur me frymë të shenjtë. (Lexo Romakëve 8:14-17.) Meqë Perëndia do t’i shihte si pa mëkat, në njëfarë kuptimi ata do të ishin si Jezui, Biri i tij pa mëkat. Këta të mirosur do të bëheshin «bashkëtrashëgimtarë me Krishtin» dhe do të kishin mundësinë të bëheshin «një mbretëri priftërinjsh». Këtë privilegj mund ta kishte pasur kombi i Izraelit nën Ligj. Apostulli Pjetër tha për ‘bashkëtrashëgimtarët me Krishtin’: «Ju jeni ‘racë e zgjedhur, priftëri mbretërore, komb i shenjtë, popull për zotërim të veçantë, që të shpallni kudo virtytet’ e atij që ju thirri nga errësira në dritën e tij të mrekullueshme.» (1 Pjet. 2:9) Sa jetësore që është besëlidhja e re! Ajo u çel rrugën dishepujve të Jezuit të bëhen pjesa dytësore e pasardhjes së Abrahamit.
BESËLIDHJA E RE HYN NË FUQI
10. Kur hyri në fuqi besëlidhja e re? Pse kjo nuk ndodhi më parë?
10 Kur hyri në fuqi besëlidhja e re? Jo kur e përmendi Jezui natën e fundit në tokë. Që besëlidhja të funksiononte, duhej derdhur gjaku i Jezuit dhe vlera e tij duhej të paraqitej para Jehovait në qiell. Po ashtu, duhej derdhur fryma e shenjtë mbi ata që do të ishin «bashkëtrashëgimtarë me Krishtin». Kështu, besëlidhja e re hyri në fuqi në festën e Ditës së Pesëdhjetë më 33 të e.s. kur dishepujt besnikë të Jezuit u mirosën me frymë të shenjtë.
11. Si u çeli rrugën besëlidhja e re edhe judenjve, edhe jojudenjve që të ishin pjesë e Izraelit frymor? Sa veta do të bënin pjesë në besëlidhjen e re?
11 Besëlidhja e mëparshme e Ligjit në njëfarë kuptimi ‘u vjetrua’ kur Jehovai shpalli me anë të Jeremisë se do të bënte një besëlidhje të re me Izraelin. Por, realisht u shfuqizua vetëm kur hyri në fuqi besëlidhja e re. (Hebr. 8:13) Atëherë, për Perëndinë s’kishte dallim mes besimtarëve judenj dhe jojudenj të parrethprerë, ngaqë ‘rrethprerja e tyre është ajo e zemrës, nëpërmjet frymës e jo nëpërmjet një kodi të shkruar’. (Rom. 2:29) Duke bërë me ta besëlidhjen e re, Perëndia ‘do t’i vinte ligjet e tij në mendjet e tyre dhe do t’ua shkruante në zemër’. (Hebr. 8:10) Pjesëtarët e besëlidhjes së re do të ishin gjithsej 144.000, e do të formonin një komb të ri—«Izraelin e Perëndisë»—Izraelin frymor.—Gal. 6:16; Zbul. 14:1, 4.
12. Ku ndryshon besëlidhja e Ligjit nga besëlidhja e re?
12 Ku ndryshon besëlidhja e Ligjit nga besëlidhja e re? Besëlidhja e Ligjit u bë mes Jehovait dhe Izraelit natyror; besëlidhja e re është mes Jehovait dhe Izraelit frymor. Ndërmjetësi i besëlidhjes së mëparshme ishte Moisiu; Ndërmjetësi i besëlidhjes së re është Jezui. Besëlidhja e Ligjit u bë e vlefshme nëpërmjet gjakut të kafshëve; besëlidhja e re u bë e vlefshme falë gjakut të derdhur të Jezuit. Me anë të besëlidhjes së Ligjit, kombi i Izraelit ishte i organizuar nën udhëheqjen e Moisiut; pjesëmarrësit e besëlidhjes së re janë të organizuar nën udhëheqjen e Jezuit, Kreut të kongregacionit.—Efes. 1:22.
13, 14. (a) Si lidhet me Mbretërinë besëlidhja e re? (b) Çfarë nevojitet që Izraeli frymor të qeverisë me Krishtin në qiell?
13 Si lidhet me Mbretërinë besëlidhja e re? Kjo besëlidhje formon një komb të shenjtë, pjesëtarët e të cilit kanë privilegjin të bëhen mbretër e priftërinj në Mbretërinë qiellore. Ky komb përbën pjesën dytësore të pasardhjes së Abrahamit. (Gal. 3:29) Pra, besëlidhja e re përforcon besëlidhjen abrahamike.
14 Mbetet për t’u sqaruar edhe një aspekt i Mbretërisë. Besëlidhja e re formon Izraelin frymor dhe siguron bazën që pjesëtarët e tij të bëhen «bashkëtrashëgimtarë me Krishtin». Megjithatë, duhet një marrëveshje tjetër ligjore e vlefshme që ata të bashkohen me Jezuin në Mbretërinë e tij si mbretër e priftërinj në qiell.
BESËLIDHJE QË EDHE TË TJERË TË QEVERISIN ME KRISHTIN
15. Cilën besëlidhje personale bëri Jezui me apostujt besnikë?
15 Pasi themeloi Darkën e Zotërisë, Jezui bëri një besëlidhje me apostujt besnikë, që shpesh quhet besëlidhja për Mbretërinë. (Lexo Lukën 22:28-30.) Ndryshe nga besëlidhjet e tjera, ku një nga palët është Jehovai, kjo është një besëlidhje personale mes Jezuit dhe dishepujve të tij të mirosur. Kur tha «ashtu si Ati im ka bërë një besëlidhje me mua», me sa duket Jezui e kishte fjalën për besëlidhjen që kishte bërë Jehovai me të për të qenë «prift përgjithmonë sipas mënyrës së Melkisedekut».—Hebr. 5:5, 6.
16. Ç’mundësi u jep të krishterëve të mirosur besëlidhja për Mbretërinë?
16 Të 11-të apostujt besnikë ‘kishin qëndruar bashkë me Jezuin në sprovat e tij’. Besëlidhja për Mbretërinë i siguroi se do të ishin me të në qiell dhe se do të uleshin në frone që të qeverisnin si mbretër e të shërbenin si priftërinj. Megjithatë, këtë privilegj nuk do ta kishin vetëm ata të 11-të. I lartësuar në qiell, Jezui iu shfaq në vegim apostullit Gjon dhe tha: «Atij që do të dalë fitimtar, do t’i lejoj të ulet me mua në fronin tim, sikurse unë dola fitimtar dhe u ula me Atin tim në fronin e tij.» (Zbul. 3:21) Pra, besëlidhja për Mbretërinë është bërë me 144.000 të krishterët e mirosur. (Zbul. 5:9, 10; 7:4) Pikërisht kjo besëlidhje siguron një bazë ligjore që ata të qeverisin në qiell me Jezuin. Është sikur një nuse nga derë fisnike të martohet me një mbret dhe kështu ka mundësi të ulet në fron bashkë me të. Në fakt, Shkrimet i quajnë të krishterët e mirosur «nusja» e Krishtit, ‘një virgjëreshë e dëlirë’ e fejuar me Krishtin.—Zbul. 19:7, 8; 21:9; 2 Kor. 11:2.
TË KEMI BESIM TË PATUNDUR TE MBRETËRIA E PERËNDISË
17, 18. (a) Shpjegoni shkurtimisht gjashtë besëlidhjet e shqyrtuara, që lidhen me Mbretërinë. (b) Pse mund të kemi besim të patundur te Mbretëria?
17 Të gjitha besëlidhjet që shqyrtuam në këta dy artikuj lidhen me një a më shumë aspekte thelbësore të Mbretërisë. (Shih tabelën «Si do ta përmbushë Perëndia qëllimin e tij».) Kjo thekson se Mbretëria bazohet patundshmërisht në kontrata ligjore. Pra kemi arsye të forta që të mos dyshojmë aspak se Mbretëria mesianike është mjeti që po përdor Perëndia për ta realizuar qëllimin për tokën dhe njerëzimin.—Zbul. 11:15.
18 A mund të kemi ndonjë fije dyshimi se arritjet e Mbretërisë do t’i sjellin njerëzimit bekime të përhershme?! Me siguri absolute, mund të shpallim me plot gojën se Mbretëria e Perëndisë është zgjidhja e vetme e përhershme për gjithë problemet tona. Le t’ua tregojmë plot zell edhe të tjerëve këtë të vërtetë!—Mat. 24:14.