Sakrifica lëvdimi që i pëlqejnë Jehovait
«T’i paraqitni trupat tuaj si një flijim të gjallë, të shenjtë e të pranueshëm për Perëndinë.»—ROMAKËVE 12:1.
1. Çfarë thotë Bibla për vlerën relative të flijimeve nën Ligjin e Moisiut?
«MEQË Ligji ka një hije të gjërave të mira që do të vijnë, por jo vetë thelbin e gjërave, njerëzit nuk munden kurrë që me të njëjtat flijime që ofrojnë vazhdimisht vit për vit, t’i bëjnë të përsosur ata që afrohen.» (Hebrenjve 10:1) Këtu, në një deklaratë të fuqishme, apostulli Pavël pohon se të gjitha flijimet e ofruara nën Ligjin e Moisiut nuk kishin vlerë të përhershme për shpëtimin e njerëzve.—Kolosianëve 2:16, 17.
2. Përse nuk është gjë e kotë të përpiqemi të kuptojmë informacionet e hollësishme të Biblës për blatimet dhe flijimet e Ligjit?
2 A do të thotë kjo se informacioni i Pentateukut që flet për blatimet dhe flijimet nuk ka vlerë për të krishterët sot? Në fakt, brenda pak më shumë se një viti, ata që janë regjistruar në Shkollën e Shërbimit Teokratik në kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait anembanë botës, kohët e fundit kanë lexuar pesë librat e parë të Biblës. Disa janë përpjekur shumë që t’i lexojnë dhe t’i kuptojnë të gjitha hollësitë. A kanë qenë të kota përpjekjet e tyre? Patjetër që jo, sepse «gjithçka që u shkrua kohë më parë, u shkrua për mësimin tonë, që me anë të qëndrueshmërisë sonë dhe me anë të ngushëllimit nga Shkrimet të kemi shpresë». (Romakëve 15:4) Atëherë, pyetja është: Çfarë ‘mësimi’ dhe ‘ngushëllimi’ mund të nxjerrim nga ato informacione të Ligjit që kishin të bënin me blatimet dhe flijimet?
Për mësimin dhe për ngushëllimin tonë
3. Çfarë nevoje themelore kemi?
3 Ndonëse nuk na kërkohet të ofrojmë flijime të mirëfillta në mënyrën e caktuar në Ligj, ne kemi ende shumë nevojë për atë që flijimet bënë në një farë mase për izraelitët, domethënë, që të na falen mëkatet dhe të gëzojmë miratimin e Perëndisë. Meqë nuk ofrojmë më flijime të mirëfillta, si mund t’i marrim këto dobi? Pasi thekson kufizimet e flijimeve me kafshë, Pavli deklaron: «Kur [Jezui] hyn në botë, ai thotë: ‘Flijim dhe blatim nuk deshe, por bëre gati për mua një trup. Ti nuk miratove blatime të plota të djegura dhe as blatim për mëkat. Atëherë unë thashë: “Ja, unë kam ardhur (në rrotullën e librit është shkruar për mua) të bëj vullnetin tënd, o Perëndi.” ’»—Hebrenjve 10:5-7.
4. Si ia aplikon Pavli shkrimin e Psalmit 40:6-8 Jezu Krishtit?
4 Duke cituar nga Psalmi 40:6-8, Pavli thekson se Jezui nuk erdhi për të përjetësuar ‘flijimin e blatimin’, ‘blatimet e plota të djegura dhe blatimin për mëkatin’, pasi që të gjitha këto, në kohën kur shkroi Pavli, nuk kishin më miratimin e Perëndisë. Përkundrazi, Jezui erdhi me një trup që ia kishte përgatitur Ati i tij qiellor, trup që i përkonte në çdo aspekt atij që Perëndia përgatiti kur krijoi Adamin. (Zanafilla 2:7; Luka 1:35; 1 Korintasve 15:22, 45) Si Biri i përsosur i Perëndisë, Jezui kishte rolin e «farës» së gruas, siç ishte parathënë te Zanafilla 3:15. Ai do të ndërmerrte hapa për të ‘shtypur kokën e Satanait’, ndonëse vetë Jezui do të ‘plagosej në thembër’. Në këtë mënyrë, Jezui u bë mjeti që Jehovai siguroi për shpëtimin e njerëzimit, të cilin e kishin pritur njerëzit me besim që nga ditët e Abelit.
5, 6. Cilën mënyrë më të lartë për t’iu afruar Perëndisë kanë në dispozicion të krishterët?
5 Duke folur për këtë rol të veçantë që pati Jezui, Pavli thotë: «Atë që nuk njohu mëkat, ai [Perëndia] e bëri të ishte mëkat për ne, që me anë të tij të bëheshim drejtësi e Perëndisë.» (2 Korintasve 5:21) Shprehja «e bëri të ishte mëkat» mund të përkthehet edhe ‘bërë si një blatim për mëkat’. Apostulli Gjon thotë: «Ai është një flijim pajtues për mëkatet tona, madje jo vetëm për tonat, por edhe për ato të të gjithë botës.» (1 Gjonit 2:2) Kështu, ndërkohë që izraelitët kishin një mënyrë të përkohshme për t’iu afruar Perëndisë me anë të flijimeve, të krishterët kanë një bazë më të lartë për të ardhur te Perëndia: flijimin e Jezu Krishtit. (Gjoni 14:6; 1 Pjetrit 3:18) Nëse ushtrojmë besim në flijimin shpërblyes që siguroi Perëndia dhe nëse i bindemi Atij, edhe neve mund të na falen mëkatet e të gëzojmë miratimin dhe bekimin e Perëndisë. (Gjoni 3:17, 18) A nuk është ky një burim ngushëllimi? Por, si mund ta tregojmë se kemi besim në flijimin shpërblyes?
6 Pasi shpjegon se të krishterët kanë një bazë më të lartë për t’iu afruar Perëndisë, apostulli Pavël thekson, siç e lexojmë te Hebrenjve 10:22-25, tri mënyra në të cilat mund ta shfaqim besimin dhe çmueshmërinë tonë për masën e dashur të Perëndisë. Edhe pse këshilla e Pavlit u drejtohej kryesisht atyre që kanë «udhën e hyrjes në vendin e shenjtë»—domethënë, të krishterëve të mirosur me thirrje qiellore—patjetër, i gjithë njerëzimi duhet t’u kushtojë vëmendje fjalëve të frymëzuara të Pavlit, nëse dëshiron të nxjerrë dobi nga flijimi pajtues i Jezuit.—Hebrenjve 10:9.
Të ofrojmë sakrifica të pastra e të pandotura
7. (a) Si e pasqyron Hebrenjve 10:22 atë që bëhej me një flijim? (b) Çfarë duhej bërë për t’u siguruar se një flijim ishte i pranueshëm për Perëndinë?
7 Së pari, Pavli i nxit të krishterët: «Le t’i afrohemi me zemër të sinqertë në sigurinë e plotë të besimit, duke pasur zemra që me anë të spërkatjes janë pastruar nga një ndërgjegje e keqe dhe trupa që janë larë me ujë të pastër.» (Hebrenjve 10:22) Gjuha e përdorur këtu pasqyron në mënyrë të pagabueshme atë që bëhej në një flijim tipik nën Ligj. Kjo është e përshtatshme sepse, që një flijim të ishte i pranueshëm, duhej të ofrohej me motivin e duhur dhe të ishte diçka e pastër dhe e pandotur. Kafsha që do të flijohej ishte nga kopeja e bagëtisë së trashë ose të imët, domethënë, nga kafshët e pastra, dhe ishte «pa të meta», pa defekte. Nëse flijimi do të përbëhej nga shpezë, këta duhej të ishin turtuj ose pëllumba të rinj. Nëse plotësoheshin këto kushte, flijimi «do të [pranohej] në vend të tij, për të shlyer dënimin në vend të tij». (Levitiku 1:2-4, 10, 14; 22:19-25) Blatimi në drithë nuk përmbante maja, e cila është simbol i prishjes; as nuk do të përmbante mjaltë, që ndoshta nënkuptonte shurup frutash, i cili ka prirjen të shkaktojë fermentimin. Kur flijimet, kafshë ose drithë, ofroheshin në altar, u shtohej kripë, e cila ka veti ruajtëse.—Levitiku 2:11-13.
8. (a) Çfarë kërkohej nga personi që bënte një blatim? (b) Si mund të sigurohemi që adhurimi ynë është i pranueshëm nga Jehovai?
8 Ç’të themi për personin që ofronte blatimin? Ligji thoshte se kushdo që vinte para Jehovait duhej të ishte i pastër e i pandotur. Dikush që ishte ndotur për ndonjë arsye, fillimisht duhej të ofronte një blatim për mëkatin ose për fajin, që të rikthente qëndrimin e pastër para Jehovait, me qëllim që Ai të pranonte blatimin e djegur ose flijimin e përbashkët. (Levitiku 5:1-6, 15, 17) Prandaj, a e kuptojmë rëndësinë që të mbajmë gjithnjë një qëndrim të pastër para Jehovait? Nëse dëshirojmë që adhurimi ynë të jetë i pranueshëm nga Perëndia, duhet të jemi të shpejtë për të korrigjuar ndonjë shkelje të ligjeve të Perëndisë. Duhet të jemi të shpejtë për të përdorur mjetet që na ka dhënë Perëndia për ndihmë: «pleqtë e kongregacionit» dhe ‘flijimin pajtues për mëkatet tona’, Jezu Krishtin.—Jakovit 5:14; 1 Gjonit 2:1, 2.
9. Cili është një dallim kryesor midis flijimeve që i bëheshin Jehovait dhe atyre që u ofroheshin perëndive të rremë?
9 Theksi që i vihej pastërtisë nga ndotja e çdo lloji ishte, në fakt, dallimi kryesor midis flijimeve që i ofroheshin Jehovait dhe atyre që u ofroheshin perëndive të rremë nga njerëzit në kombet përreth Izraelit. Duke komentuar këtë aspekt dallues të flijimeve në Ligjin e Moisiut, një vepër referimi vëren: «Mund të vërejmë se nuk ka asnjë lidhje me fallin ose me studimin e ogureve; asnjë marrëzi fetare, gjymtime të vetes ose prostitucion të shenjtë; ritet sensuale e të shfrenuara të pjellorisë ishin prerazi të ndaluara; asnjë flijim njerëzor, asnjë flijim për të vdekurit.» E gjithë kjo e tërheq vëmendjen te një fakt: Jehovai është i shenjtë dhe nuk lejon ose nuk miraton asnjë lloj mëkati a korruptimi. (Habakuku 1:13) Adhurimi dhe sakrificat që i bëhen atij duhet të jenë të pastra dhe të pandotura fizikisht, moralisht dhe frymësisht.—Levitiku 19:2; 1 Pjetrit 1:14-16.
10. Në harmoni me këshillën e Pavlit, të dokumentuar te Romakëve 12:1, 2, cilin shqyrtim duhet t’i bëjmë vetes?
10 Duke pasur parasysh këtë, ne duhet të shqyrtojmë veten në çdo aspekt të jetës, për të qenë të sigurt se Jehovai e pranon shërbimin që i bëjmë. Nuk duhet të mendojmë kurrë se, për sa kohë që kemi njëfarë pjesëmarrjeje në mbledhjet e krishtere dhe në shërbim, nuk ka rëndësi çfarë bëjmë në jetën tonë private. Gjithashtu, nuk duhet të mendojmë se pjesëmarrja në aktivitetet e krishtere na shfajëson njëfarësoj nga nevoja për t’iu përmbajtur ligjeve të Perëndisë në aspekte të tjera të jetës sonë. (Romakëve 2:21, 22) Nuk mund të presim të kemi bekimin dhe miratimin e Perëndisë, nëse lejojmë që ndonjë gjë e papastër ose e ndotur në sytë e tij të ndotë mendimet a veprimet tona. Mbani në mend fjalët e Pavlit: «Vëllezër, ju përgjërohem nëpërmjet dhembshurisë së Perëndisë, t’i paraqitni trupat tuaja si një flijim të gjallë, të shenjtë e të pranueshëm për Perëndinë, një shërbim të shenjtë me fuqinë tuaj për të arsyetuar. Dhe mjaft u formuat sipas këtij sistemi, por transformohuni duke përtërirë mendjen tuaj, që të provoni për veten tuaj vullnetin e mirë, të pranueshëm e të përsosur të Perëndisë.»—Romakëve 12:1, 2.
Ofroni me gjithë zemër sakrifica lëvdimi
11. Çfarë përfshin termi ‘deklaratë publike’, i përmendur te Hebrenjve 10:23?
11 Duke u shkruar hebrenjve, Pavli e tërheq më tej vëmendjen te një aspekt jetësor i adhurimit të vërtetë: «Le ta mbajmë fort deklaratën publike të shpresës sonë, pa u lëkundur, sepse i besueshëm është ai që premtoi.» (Hebrenjve 10:23) Shprehja ‘deklaratë publike’ fjalë për fjalë do të thotë ‘rrëfim’ dhe Pavli flet, gjithashtu, për një «sakrificë lëvdimi». (Hebrenjve 13:15) Kjo na kujton llojin e flijimit që ofruan burra, si Abeli, Noeja dhe Abrahami.
12, 13. Çfarë pranonte një izraelit kur ofronte një flijim të djegur dhe çfarë mund të bëjmë ne, për të pasqyruar të njëjtën frymë?
12 Kur një izraelit ofronte një flijim të djegur, kjo bëhej «me vullnetin e tij përpara Zotit». (Levitiku 1:3) Me një flijim të tillë, ai bënte vullnetarisht një deklaratë publike ose një pranim për bekimet e bollshme dhe për dashamirësinë e Jehovait ndaj popullit të tij. Sillni ndër mend se një aspekt dallues i flijimit të djegur ishte se i gjithë blatimi konsumohej në altar: një simbol i përshtatshëm i përkushtimit dhe i dedikimit të plotë. Në mënyrë të njëjtë, e tregojmë besimin në flijimin shpërblyes dhe mirënjohjen për atë masë, kur me gatishmëri e me gjithë zemër i ofrojmë Jehovait ‘sakrificën tonë të lëvdimit, domethënë, frytin e buzëve’.
13 Ndonëse të krishterët nuk ofrojnë flijime të mirëfillta, kafshë a bimë, ata kanë përgjegjësinë që të japin dëshmi për lajmin e mirë të Mbretërisë dhe të bëjnë dishepuj të Jezu Krishtit. (Mateu 24:14; 28:19, 20) A përfitoni nga mundësitë për të marrë pjesë në deklarimin publik të lajmit të mirë të Mbretërisë së Perëndisë, kështu që shumë më tepër njerëz të arrijnë të njohin gjërat e mrekullueshme që ka rezervuar Perëndia për njerëzimin e bindur? A e përdorni me gatishmëri kohën dhe energjitë tuaja për të mësuar të interesuarit dhe për t’i ndihmuar që të bëhen dishepuj të Jezu Krishtit? Pjesëmarrja jonë e zellshme në shërbim, ashtu si aroma erëkëndshme e një blatimi të djegur, i pëlqen shumë Perëndisë.—1 Korintasve 15:58.
Të gëzojmë shoqërinë me Perëndinë dhe me njerëzit
14. Si janë paralele fjalët e Pavlit te Hebrenjve 10:24, 25 me idenë e flijimit të përbashkët?
14 Në fund, Pavli e tërheq vëmendjen te marrëdhënia jonë me të bashkëkrishterët, ndërsa adhurojmë Perëndinë. «Le të interesohemi për njëri-tjetrin, që të nxitemi për dashuri dhe vepra të shkëlqyera, pa braktisur mbledhjen tonë së bashku, siç e kanë zakon disa, por duke inkurajuar njëri-tjetrin e aq më tepër tani, ndërsa e shikoni që dita po afrohet.» (Hebrenjve 10:24, 25) Shprehjet «të nxitemi për dashuri dhe vepra të mira», «mbledhjen tonë së bashku» dhe «duke inkurajuar njëri-tjetrin», na kujtojnë që të gjitha atë që përmbushte blatimi i përbashkët në Izrael për popullin e Perëndisë.
15. Çfarë paralelizmi shohim mes flijimit të përbashkët dhe mbledhjeve të krishtere?
15 Termi «blatime të përbashkëta» disa herë përkthehet «blatime paqeje». Fjala hebraike për «paqe» këtu është në shumës, ndoshta duke nënkuptuar se pjesëmarrja në flijime të tilla sjell si rezultat paqen me Perëndinë dhe paqen me bashkadhuruesit. Për sa i përket flijimit të përbashkët, një dijetar vëren: «Kjo ishte, në fakt, një periudhë për të qenë të lumtur në shoqërinë e Perëndisë së Besëlidhjes, në të cilën Ai pranonte të bëhej Mysafiri i Izraelit në kohën kur hahej flijimi, ndonëse për ta ishte gjithnjë i Zoti i shtëpisë.» Kjo na kujton premtimin e Jezuit: «Aty ku janë dy ose tre të mbledhur së bashku në emrin tim, unë jam aty mes tyre.» (Mateu 18:20) Sa herë që ndjekim një mbledhje të krishterë, nxjerrim dobi nga shoqëria ndërtuese, nga udhëzimet inkurajuese dhe nga mendimi se Zotëria Jezu Krisht është i pranishëm me ne. Kjo i bën mbledhjet e krishtere raste vërtet të gëzueshme dhe besimforcuese.
16. Duke pasur në mendje flijimin e përbashkët, çfarë i bën mbledhjet e krishtere veçanërisht të gëzueshme?
16 Në flijimin e përbashkët, i gjithë dhjami: përreth zorrëve, veshkave, riza mbi mëlçinë, dhjami përreth ijeve, si edhe bishti me dhjamë i deleve, i ofrohej Jehovait duke u djegur, duke e bërë të tymosej mbi altar. (Levitiku 3:3-16) Dhjami konsiderohej pjesa më ushqyese dhe më e mirë e një kafshe. Ofrimi i asaj në altar simbolizonte se njerëzit i jepnin më të mirën Jehovait. Ajo që i bën mbledhjet e krishtere veçanërisht të gëzueshme është se jo vetëm që marrim udhëzime, por edhe i ofrojmë lavdi Jehovait. Këtë e bëjmë duke marrë pjesë, me përpjekjet tona modeste, por më të mira, duke kënduar nga zemra, duke dëgjuar me vëmendje dhe duke komentuar kur është e mundur. «Lavdëroni Jah, ju njerëz!—thirri psalmisti.—Këndojini Jehovait një këngë të re, lavdinë e tij në kongregacionin e besnikëve.»—Psalmi 149:1, BR.
Na presin bekime të shumta nga Jehovai
17, 18. (a) Çfarë flijimi madhështor bëri Solomoni në përurimin e tempullit në Jerusalem? (b) Çfarë bekimesh mori populli nga ceremonia për përurimin e tempullit?
17 Në përurimin e tempullit në Jerusalem, muajin e shtatë të vitit 1026 p.e.s., mbreti Solomon ofroi «një flijim madhështor para Jehovait», që përbëhej nga «flijimi i djegur, blatimi në drithë dhe pjesët me dhjam të flijimeve të përbashkëta». Përveç asaj që u ofrua në blatimet me drithë, në atë rast u flijuan gjithsej 22 000 lopë dhe 120 000 dele.—1 Mbretërve 8:62-65, BR.
18 A mund t’i imagjinoni shpenzimet dhe sasinë e punës së përfshirë në këtë ceremoni masive? Gjithsesi, bekimet që mori Izraeli patjetër që ia kalonin shumë kostos. Në fund të festimeve, Solomoni «e shpërndau popullin dhe ata që ishin mbledhur e bekuan mbretin dhe u kthyen në çadrat e tyre të gëzuar dhe me zemër të kënaqur për të mirat që Zoti u kishte bërë shërbëtorit të tij David dhe Izraelit, popullit të tij». (1 Mbretërve 8:66) Vërtet, siç tha Solomoni, «bekimi i Jehovait, ky është që të bën të pasur, dhe ai nuk shton me të asnjë dhembje».—Proverbat [Fjalët e urta] 10:22, BR.
19. Çfarë mund të bëjmë për të marrë bekime të mëdha nga Jehovai tani e përgjithmonë?
19 Ne po jetojmë në kohën kur ‘hija e gjërave të mira që do të vijnë’ është zëvendësuar me «vetë thelbin e gjërave». (Hebrenjve 10:1) Jezu Krishti, në rolin e Kryepriftit të madh antitipik, tashmë ka hyrë në vetë qiellin dhe e ka paraqitur vlerën e gjakut të tij, për të bërë shlyerjen për të gjithë ata që ushtrojnë besim në flijimin e tij. (Hebrenjve 9:10, 11, 24-26) Në bazë të atij flijimi të madh dhe duke i ofruar me gjithë zemër Perëndisë sakrificat tona të lëvdimit, që janë të pastra e të pandotura, edhe ne mund të shkojmë përpara «të gëzuar dhe me zemër të kënaqur», duke pritur bekime të shumta nga Jehovai.—Malakia 3:10.
Si do të përgjigjeshit?
• Çfarë mësimi dhe ngushëllimi mund të nxjerrim nga informacioni në Ligj për flijimet dhe blatimet?
• Cila është kërkesa e parë që një sakrificë të jetë e pranueshme dhe çfarë domethënieje ka për ne?
• Çfarë mund të ofrojmë ne, që është e krahasueshme me blatimin e djegur që bëhej vullnetarisht?
• Në cilat mënyra mbledhjet e krishtere mund të krahasohen me një blatim të përbashkët?
[Figura në faqen 18]
Jehovai e siguroi flijimin shpërblyes të Jezuit për të shpëtuar njerëzimin
[Figura në faqen 20]
Që shërbimi ynë të jetë i pranueshëm nga Jehovai, duhet të jemi pa ndotje të asnjë lloji
[Figura në faqen 21]
E pranojmë publikisht mirësinë e Jehovait, kur angazhohemi në shërbim