A na i shkakton Djalli sëmundjet?
SËMUNDJET AS QË DUHEJ TË KISHIN EKZISTUAR. Perëndia na krijoi që të jetonim përgjithmonë me shëndet të përsosur. Qe një krijesë frymore, Satanai, ai që shkaktoi të binin mbi familjen njerëzore sëmundjet, dhimbjet dhe vdekja, kur i çoi në mëkat prindërit tanë të parë, Adamin dhe Evën.—ZANAFILLA 3:1-5, 17-19; ROMAKËVE 5:12.
A DO TË THOTË kjo se të gjitha sëmundjet janë pasojë e drejtpërdrejtë e ndërhyrjes nga bota frymore? Siç u vërejt në artikullin pararendës, shumë njerëz sot mendojnë se po. Edhe gjyshja e Omazhit të vogël mendonte po ashtu. Por, a u shkaktua vërtet nga frymërat e padukshme diarreja e Omazhit, një sëmundje që disa herë është vdekjeprurëse për fëmijët e vegjël në tropik?
Roli i Satanait
Bibla i përgjigjet shumë qartë kësaj pyetjeje. Së pari, ajo tregon se frymërat e të parëve tanë nuk mund të ndikojnë mbi të gjallët. Kur vdesin, njerëzit «nuk janë të vetëdijshëm për asgjë». Ata nuk kanë frymëra që mbijetojnë pas vdekjes. Janë në gjumë, në varr, ku «nuk ka punë, as plane, as njohuri, as mençuri». (Predikuesi 9:5, 10, BR) Të vdekurit nuk mund t’u shkaktojnë në asnjë mënyrë sëmundje të gjallëve.
Megjithatë, Bibla zbulon se frymërat e liga ekzistojnë. Rebeli i parë në të gjithë universin ishte krijesa frymore që tani njihet me emrin Satana. Të tjerë u bashkuan me të dhe u quajtën demonë. A mund të shkaktojnë sëmundje Satanai dhe demonët? Disa herë ka ndodhur. Disa nga mrekullitë e shërimit që kreu Jezui kishin të bënin me dëbimin e demonëve. (Luka 9:37-43; 13:10-16) Gjithsesi, shumica e shërimeve që bëri Jezui ishin për sëmundje që nuk shkaktoheshin drejtpërdrejt nga demonët. (Mateu 12:15; 14:14; 19:2) Në mënyrë të ngjashme, sot, sëmundjet zakonisht vijnë nga shkaqe natyrore e jo të mbinatyrshme.
Ç’të themi për magjinë? Fjalët e urta 18:10 na siguron: «Emri i Jehovait është një kullë e fortë. Në të vrapon i drejti dhe i jepet mbrojtje.» (BR) Jakovit 4:7 thotë: «Kundërshtoni Djallin dhe ai do të largohet nga ju!» Tamam, Perëndia mund t’i mbrojë besnikët e tij nga magjia dhe nga çdo fuqi tjetër e mbinatyrshme. Kjo është një nga gjërat që përfshijnë fjalët e Jezuit: «E vërteta do t’ju bëjë të lirë.»—Gjoni 8:32.
‘Po ajo që i ndodhi Jobit?—mund të pyesin disa.—A nuk ishte një frymë e ligë që i shkaktoi atij sëmundje?’ Po, Bibla thotë se sëmundja e Jobit u shkaktua nga Satanai. Por rasti i Jobit ishte një përjashtim. Prej kohësh ai kishte pasur mbrojtjen hyjnore prej sulmeve të drejtpërdrejta demonike. Pastaj, Satanai e sfidoi Jehovain, duke kërkuar që ta godiste Jobin me sëmundje dhe meqenëse në këtë rast përfshiheshin çështje të mëdha, Jehovai, në këtë rast të vetëm, e tërhoqi pjesërisht mbrojtjen e tij nga adhuruesi i vet.
Megjithatë, Perëndia vendosi kufij. Kur e lejoi Satanain që të mundonte Jobin, Satanai mund ta sëmurte për njëfarë kohe, por nuk mund ta vriste. (Jobi 2:5, 6) Më në fund, vuajtjet e Jobit mbaruan dhe Jehovai e shpërbleu shumë për besnikërinë e tij. (Jobi 42:10-17) Parimet që u provuan nga besnikëria e Jobit kanë kohë që janë dokumentuar në Bibël dhe janë të qarta për të gjithë. Nuk ka më nevojë të bëhet një tjetër sprovë e tillë.
Si vepron Satanai?
Pothuajse në çdo rast, e vetmja lidhje mes Satanait dhe sëmundjeve njerëzore është fakti që Satanai tundoi çiftin e parë dhe ata ranë në mëkat. Ai dhe demonët e tij nuk janë shkaku i drejtpërdrejtë i çdo sëmundjeje. Megjithatë, Satanai nuk heq dorë nga përpjekjet për të ndikuar mbi ne, që të marrim vendime jo të mençura dhe të kompromentojmë besimin tonë, gjë që mund të na sjellë si pasojë dëmtimin e shëndetit. Ai nuk u bëri magji, nuk i vrau ose nuk i goditi me sëmundje Adamin dhe Evën. Ai e bindi Evën për të shkelur ligjin e Perëndisë dhe Adami ndoqi rrugën e saj të mosbindjes. Sëmundjet dhe vdekja ishin pjesë e rezultatit të këtij veprimi.—Romakëve 5:19.
Një herë, mbreti i Moabit pagoi një profet jobesnik me emrin Balaam për të mallkuar kombin izraelit, i cili kishte fushuar në kufijtë e Moabit, gjë që përbënte një kërcënim. Balaami u përpoq ta mallkonte Izraelin, por dështoi, sepse kombi ishte nën mbrojtjen e Jehovait. Atëherë moabitët vendosën t’i joshnin izraelitët që të kryenin idhujtari dhe imoralitet seksual. Kjo taktikë pati sukses dhe ai komb e humbi mbrojtjen e Jehovait.—Numrat 22:5, 6, 12, 35; 24:10; 25:1-9; Zbulesa 2:14.
Nga kjo ngjarje e lashtë mund të nxjerrim një mësim të rëndësishëm. Ndihma hyjnore u jep adhuruesve besnikë të Perëndisë mbrojtje nga sulmet e drejtpërdrejta të frymërave të liga. Gjithsesi, Satanai mund të përpiqet t’i shtyjë individët që të kompromentojnë besimin e tyre. Ai mund të përpiqet t’i joshë ata drejt imoralitetit. Ose, si një luan vrumbullues, mund të përpiqet t’i trembë ata, që të veprojnë në një mënyrë e cila i privon nga mbrojtja e Perëndisë. (1. Pjetrit 5:8) Ja përse apostulli Pavël e quan Satanain si ai «që ka mjetet për të shkaktuar vdekje».—Hebrenjve 2:14, BR.
Gjyshja e Omazhit u përpoq ta bindte Havën që të përdorte hajmalitë dhe fetishet si mbrojtje kundër sëmundjes. Çfarë do të kishte ndodhur sikur Hava të ishte dorëzuar? Ajo do të kishte shfaqur mungesë besimi të plotë në Perëndinë Jehova dhe nuk do të kishte qenë më e sigurt për mbrojtjen e tij.—Eksodi 20:5; Mateu 4:10; 1. Korintasve 10:21.
Satanai provoi të bindte edhe Jobin. Atij nuk i mjaftoi t’i merrte Jobit familjen, pasurinë dhe shëndetin. Edhe gruaja e vet i dha Jobit një këshillë shumë të keqe, kur tha: «Mallko Perëndinë dhe vdis!» (Jobi 2:9) Më pas, i bënë vizitë tre «miq», të cilët bënë një përpjekje të përbashkët për ta bindur se e kishte vetë fajin për sëmundjen e tij. (Jobi 19:1-3) Në këtë mënyrë, Satanai përfitoi nga gjendja e dobësuar e Jobit, duke u përpjekur ta shkurajonte dhe të trondiste besimin e tij në drejtësinë e Jehovait. Megjithatë, Jobi vazhdoi të mbështetej te Jehovai si shpresa e tij e vetme.—Krahaso Psalmin 55:22.
Kur jemi sëmurë, edhe ne mund të dëshpërohemi. Në këtë situatë, Satanai me shpejtësi përpiqet që të na bëjë të veprojmë në ndonjë mënyrë që do të kompromentonte besimin tonë. Kështu, kur na bie ndonjë sëmundje, është e rëndësishme të mbajmë parasysh se shkaku kryesor i vuajtjeve tona është papërsosmëria e trashëguar në vend se ndonjë ndikim i mbinatyrshëm. Mos harro, Isaku besnik u verbua vitet e fundit të jetës së tij. (Zanafilla 27:1) Shkaku nuk ishin frymërat e liga, por mosha e shkuar. Rahila vdiq gjatë lindjes së foshnjës së saj, jo për shkak të Satanait, por për shkak të dobësisë njerëzore. (Zanafilla 35:17-19) Së fundi, të gjithë besnikët e lashtësisë vdiqën, jo për shkak të magjive ose të mallkimeve, por për shkak të papërsosmërisë së trashëguar.
Të mendosh se frymërat e padukshme kanë ndikim të drejtpërdrejtë mbi çdo sëmundje që na bie, është një kurth. Kjo mënyrë të menduari mund të nxitë një frikë të sëmurë nga frymërat. Më pas, kur sëmuremi, mund të tundohemi për t’u përpjekur që t’i qetësojmë demonët në vend që të qëndrojmë shumë larg tyre. Nëse Satanai arrin të na frikësojë që t’u drejtohemi për ndihmë praktikave spiritiste, kjo do të ishte tradhti ndaj Perëndisë së vërtetë, Jehovait. (2. Korintasve 6:15) Duhet të udhëhiqemi nga një druajtje plot respekt për Perëndinë, jo nga një frikë besëtytnore për Kundërshtarin e tij.—Zbulesa 14:7.
Omazhi e vogël tashmë ka mbrojtjen më të mirë të mundshme kundër frymërave të liga. Siç thotë apostulli Pavël, Perëndia e konsideron «të shenjtë» atë, pasi ka një nënë besimtare dhe nëna e saj mund të lutet që, nëpërmjet frymës së shenjtë, Perëndia të jetë me vajzën e saj. (1. Korintasve 7:14) Duke qenë e bekuar me këtë njohuri të saktë, Hava pati mundësi të kërkonte mjekim të efektshëm për Omazhin, në vend që të mbështetej te hajmalitë.
Shkaqe të ndryshme sëmundjesh
Shumica e njerëzve nuk besojnë në ekzistencën e frymërave. Kur sëmuren, ata shkojnë te mjeku, nëse mund ta përballojnë ekonomikisht. Sigurisht, mund të ndodhë që një person i sëmurë të shkojë te mjeku e megjithatë të mos shërohet. Mjekët nuk mund të kryejnë mrekulli. Por shumë njerëz besëtytë që mund të ishin shëruar, shkojnë te mjeku kur është tepër vonë. Ata provojnë fillimisht metodat spiritiste të shërimit dhe kur këto nuk sjellin gjë, shkojnë te mjeku si shpresa e fundit. Shumë veta vdesin kot.
Të tjerë vdesin para kohe për shkak të padijes. Ata nuk i kuptojnë simptomat dhe nuk e dinë se çfarë hapash praktikë të ndërmarrin për të parandaluar sëmundjet. Njohuria ndihmon për të parandaluar vuajtje të panevojshme. Vlen të përmendet se nënat që dinë shkrim e lexim humbasin më pak fëmijë nga sëmundjet, sesa nënat analfabete. Po, padija mund të jetë vdekjeprurëse.
Neglizhenca është një shkak tjetër i sëmundjeve. Për shembull, shumë njerëz sëmuren sepse lejojnë që insektet të ulen mbi ushqime para se këto të hahen ose sepse ata që përgatitin ushqimin nuk i lajnë më përpara duart. Po kështu, të flesh pa rrjetë mushkonjash në rajonet e infektuara nga malarja, është e rrezikshme.a Kur bëhet fjalë për shëndetin, shpesh është e vërtetë që «të parandalosh është më mirë se të kurosh».
Një stil jo i mençur jetese i ka bërë miliona njerëz të sëmuren dhe të vdesin para kohe. Dehja, imoraliteti seksual, keqpërdorimi i drogave dhe përdorimi i duhanit kanë shkatërruar shëndetin e shumë njerëzve. Nëse një person jepet pas këtyre veseve dhe sëmuret, a ka ndodhur kjo sepse dikush i bëri magji ose sepse një frymë e sulmoi? Jo. Fajin e ka vetë personi për sëmundjen. Fajësimi i frymërave do të ishte një refuzim për të pranuar përgjegjësinë e një stili jo të mençur jetese.
Sigurisht, ka disa gjëra që ne nuk mund t’i kontrollojmë. Për shembull, mund të jemi të ekspozuar ndaj mikrobeve patogjenë ose ndaj ndotjes. Kjo gjë i ndodhi Omazhit. Mamaja e saj nuk e dinte se çfarë po e shkaktonte diarrenë. Fëmijët e saj nuk sëmuren aq shpesh sa fëmijët e tjerë, sepse ajo e mban shtëpinë dhe oborrin të pastër dhe i lan gjithnjë duart para se të përgatitë ushqimin. Por të gjithë fëmijët sëmuren nganjëherë. Diarreja mund të shkaktohet nga rreth 25 infeksione të ndryshme organike. Ndoshta nuk do të merret vesh kurrë se cila nga këto infeksione shkaktoi problemin e Omazhit.
Zgjidhja e përhershme
Sëmundjet nuk vijnë për faj të Perëndisë. «Perëndia nuk mund të tundohet nga e keqja dhe ai vetë nuk tundon asnjeri.» (Jakobit 1:13) Nëse një nga adhuruesit e tij sëmuret, Jehovai e mbështet frymësisht. «Zoti do ta ndihmojë në shtratin e sëmundjes, gjatë sëmundjes së tij, o Zot, ti do ta transformosh plotësisht shtratin e tij.» (Psalmi 41:3) Po, Perëndia ka dhembshuri. Ai dëshiron të na ndihmojë, jo të na dëmtojë.
Në fakt, Jehovai ka një zgjidhje të përhershme për sëmundjet: vdekjen dhe ringjalljen e Jezuit. Me anë të flijimit shpërblyes të Jezuit, njerëzit me zemër të drejtë shpengohen nga gjendja e tyre mëkatare dhe më në fund do të kenë mundësi për të pasur shëndet të përsosur dhe jetë të përjetshme në një tokë parajsore. (Mateu 5:5; Gjoni 3:16) Mrekullitë e Jezuit ishin një tablo në miniaturë e shërimit të vërtetë që do të sjellë Mbretëria e Perëndisë. Perëndia do të eliminojë, gjithashtu, Satanain dhe demonët e tij. (Romakëve 16:20) Vërtet, Jehovai ka ruajtur gjëra të mrekullueshme për ata që ushtrojnë besim tek ai. Ne thjesht duhet të jemi të duruar dhe të qëndrojmë.
Ndërkohë, Perëndia jep mençuri praktike dhe drejtim frymor me anë të Biblës dhe vëllazërisë mbarëbotërore të adhuruesve besnikë. Ai na tregon se si të shmangim veset, të cilat shkaktojnë probleme shëndetësore. Gjithashtu, ai siguron miq të vërtetë që ndihmojnë kur dalin probleme.
Mendo përsëri për Jobin. Sikur ai të kishte shkuar te ndonjë magjistar, kjo do të kishte qenë gjëja më e keqe që do të kishte bërë! Kjo gjë do ta kishte privuar nga mbrojtja e Perëndisë dhe do të kishte humbur të gjitha bekimet që e prisnin pas kësaj sprove të rëndë. Perëndia nuk e harroi Jobin dhe nuk do të na harrojë as ne. «Ju keni dëgjuar për durimin e Jobit dhe e keni parë fatin përfundimtar [rezultatin, BR] që Zoti i rezervoi»,—thotë dishepulli Jakov. (Jakobit 5:11) Nëse nuk dorëzohemi asnjëherë, edhe ne do të marrim bekime të mrekullueshme në kohën e caktuar të Perëndisë.
Çfarë u bë me Omazhin e vogël? Nënës së saj iu kujtua një artikull në revistën shoqëruese të Kullës së Rojës, në Zgjohuni!, e cila fliste për terapinë e rifitimit të lëngjeve nga goja.b Ajo ndoqi udhëzimet që jepeshin aty dhe i përgatiti Omazhit solucionin për të pirë. Tani, vogëlushja është shëndoshë e mirë.
[Shënimet]
a Afro gjysmë miliardë persona janë të infektuar me malarje. Rreth dy milionë njerëz në vit vdesin nga kjo sëmundje, pjesa më e madhe e të cilëve në Afrikë.
b Shiko Zgjohuni!, 22 shtator 1985, faqet 24-25, anglisht, «Një pije e kripur që shpëton jetë!»
[Figurat në faqen 7]
Jehovai ka siguruar një zgjidhje të përhershme për problemin e sëmundjeve