PIKËPAMJA E BIBLËS
Feja
Pse ka kaq shumë fe?
«Ju lini urdhërimin e Perëndisë, por mbani fort traditën e njerëzve.»—Marku 7:8.
ÇFARË THOTË BIBLA?
Njerëzit kanë lindur me nevojën për të adhuruar Perëndinë. (Mateu 5:3) Në përpjekje për ta plotësuar këtë nevojë, ata kanë krijuar shumë fe që bazohen te mendimet e njerëzve e jo të Perëndisë.
Për shembull, Bibla thotë për pjesëtarët e një grupi fetar në shekullin e parë: «Kanë zell për Perëndinë, por jo sipas njohurisë së saktë. Meqë nuk e njohin drejtësinë e Perëndisë, por kërkojnë të vendosin të vetën, ata nuk iu nënshtruan drejtësisë së Perëndisë.» (Romakëve 10:2, 3) Edhe sot ekziston një numër i madh fesh që ‘mësojnë thjesht urdhërime njerëzish’.—Marku 7:7.
A është e nevojshme t’i përkasësh një feje?
«Le të interesohemi për njëri-tjetrin, që të nxitemi për dashuri dhe vepra të shkëlqyera, pa braktisur mbledhjet tona.»—Hebrenjve 10:24, 25.
ÇFARË THOTË BIBLA?
Hebrenjve 10:25 përdor shprehjen «pa braktisur mbledhjet tona». Këto fjalë tregojnë se Perëndia do që njerëzit të mblidhen si një grup i organizuar për ta adhuruar. Por a duhet të ketë secili adhurues një ide të vetën se kush është Perëndia dhe çfarë kërkon ai? Jo. Bibla thotë se ata që e adhurojnë Perëndinë në një mënyrë që Ai e miraton, duhet ‘të flasin të gjithë në harmoni’ dhe ‘të jenë të bashkuar si duhet në të njëjtën mendje dhe në të njëjtën vijë mendimi’. (1 Korintasve 1:10) Duhet të organizohen në kongregacione dhe ‘të kenë dashuri për gjithë vëllazërinë’ mbarëbotërore. (1 Pjetrit 2:17; 1 Korintasve 11:16) Ky adhurim i bashkuar dhe i organizuar është i nevojshëm nëse duam t’i pëlqejmë Perëndisë.
A mund ta identifikojmë fenë e vërtetë?
«Nga kjo do ta dinë të gjithë se jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.»—Gjoni 13:35.
ÇFARË THOTË BIBLA?
Duke ilustruar si t’i identifikojmë ata që praktikojnë fenë e vërtetë, Bibla thotë: «Do t’i njihni nga frytet e tyre. A vilet vallë rrush nga ferrat ose fiq nga gjembaçët?» (Mateu 7:16) Nuk duhet të jesh botanist për të dalluar një pemë fiku nga një gjembaç; po kështu, nuk duhet të jesh ekspert në fushën e fesë për të dalluar të vërtetën nga e pavërteta. Cilat janë disa nga frytet ose veçoritë identifikuese të fesë së vërtetë?
Feja e vërtetë mëson të vërtetën nga Fjala e Perëndisë, Bibla. (Gjoni 4:24; 17:17) Ajo nuk bazohet në filozofi njerëzore.
Feja e vërtetë i ndihmon njerëzit të njohin Perëndinë, përfshirë emrin e tij, Jehova.—Gjoni 17:3, 6.
Feja e vërtetë e drejton vëmendjen te Mbretëria e Perëndisë si shpresa e vetme për njerëzimin, dhe jo te qeveritë njerëzore.—Mateu 10:7; 24:14.
Feja e vërtetë nxit dashurinë altruiste. (Gjoni 13:35) Ajo u mëson njerëzve t’i respektojnë të gjitha grupet etnike, të përdorin kohën e të ardhurat e tyre për të ndihmuar të tjerët dhe të mos marrin pjesë në luftërat mes kombeve.—Mikea 4:1-4.
Feja e vërtetë është mënyrë jetese, jo thjesht një rit apo formalitet. Pjesëtarët e saj e zbatojnë atë që predikojnë.—Romakëve 2:21; 1 Gjonit 3:18.
Dëshmitarët e Jehovait, botuesit e kësaj reviste, bëjnë çmos të nderojnë Perëndinë me fjalë dhe vepra. Pse të mos ndjekësh një mbledhje në një Sallë Mbretërie dhe ta shohësh me sytë e tu?