‘Ke nevojë për qëndrueshmëri’
NE KEMI «nevojë për qëndrueshmëri», nëse duam të marrim «plotësimin e premtimit». (Hebrenjve 10:36, BR) Një studiues i Biblës shpjegon se fjala greke që përdori apostulli Pavël në këtë varg për «qëndrueshmëri», nganjëherë shërbente për të përshkruar «aftësinë e një bime për të jetuar në kushte të vështira e të pafavorshme».
Një bimë e tillë rritet në malet e Evropës. Është interesante se ajo është quajtur «të jetosh përgjithmonë». Sigurisht që kjo bimë alpine nuk jeton përgjithmonë, por ajo qëndron vit pas viti, duke çelur çdo verë lule të përkryera. Një enciklopedi shpjegon se emri «të jetosh përgjithmonë» iu dha kësaj bime, për shkak të «qëndrueshmërisë dhe zgjatjes në kohë» të saj. (Emri shkencor i kësaj bime të gjinisë Sempervivum do të thotë, gjithashtu, «të jetosh përgjithmonë».)—The New Encyclopædia Britannica.
Ajo që e bën të shquar këtë bimë të çuditshme është se rritet në vendet më jomikpritëse. Mund të gjendet në lartësi të mëdha të pjerrësive të maleve që i fshin era, ku temperatura mund të bjerë 35°C brenda vetëm 24 orëve. Ajo mund të lëshojë rrënjë në një të çarë shkëmbore me një shtresë të hollë dheu. Cilat janë disa nga sekretet e qëndrueshmërisë së saj në kushte të tilla të vështira?
Bima «të jetosh përgjithmonë» ka gjethe të lëngshme, të cilat e grumbullojnë me kujdes ujin. Kjo gjë i jep asaj mundësi të përfitojë plotësisht nga e gjithë lagështira që vjen prej shiut apo prej borës së shkrirë. Për më tepër, ajo rritet në tufa, të cilat e bashkojnë forcën e tyre për t’u mbajtur të kapura fort në mbështetjen e tyre shkëmbore. Duke zënë rrënjë në të çara, ajo ka mbrojtje kundër elementëve, edhe pse mund të ketë pak dhè. Me fjalë të tjera, ajo lulëzon duke i përdorur kushtet e vështira në dobi të vetvetes.
Në kuptim frymor, mund të na duket vetja në rrethana që vënë në provë qëndrueshmërinë tonë. Ç’gjë do të na ndihmojë të qëndrojmë në sprova? Ashtu si bima «të jetosh përgjithmonë», ne mund të grumbullojmë ujin jetëdhënës të Fjalës së Perëndisë dhe të shoqërohemi nga afër me të krishterët e vërtetë për të gjetur mbështetje dhe mbrojtje. Para së gjithash, ashtu si lulja alpine, ne duhet të çajmë rrugën me vendosmëri drejt «shkëmbit» tonë, Jehovait, si dhe drejt Fjalës dhe organizatës së tij.—2. Samuelit 22:3.
Vërtet, bima «të jetosh përgjithmonë» na kujton në mënyrë interesante se edhe në një ambient të ashpër, mund të qëndrojmë nëse përfitojmë prej sigurimeve që kemi në dispozicion. Jehovai na siguron se një qëndrueshmëri e tillë do të na çojë në ‘trashëgimin e premtimeve’, gjë e cila në të vërtetë do të thotë të jetojmë përgjithmonë.—Hebrenjve 6:12; Mateu 25:46.