MASAHU
[vënie në provë; sprovë].
Një nga emrat e vendit pranë Refidimit ku izraelitëve iu sigurua ujë me anë të një mrekullie. Sipas udhëzimit të Jehovait, Moisiu e disa pleq të Izraelit shkuan te shkëmbi në Horeb. Moisiu goditi shkëmbin dhe uji filloi të rridhte si lumë në shkretëtirë. Atëherë Moisiu e quajti atë vend Masah (që do të thotë «vënie në provë; sprovë») sepse izraelitët e kishin vënë në provë Jehovain me ankimet e tyre që tregonin se nuk kishin besim; e quajti edhe Meriba (që do të thotë «grindje») meqë ata u grindën atje.—Da 17:1-7; Ps 105:41.
Pak para se të vdiste, Moisiu e paralajmëroi Izraelin të mos e vinte në provë Jehovain siç kishte bërë në Masah. (Lp 6:16; shih edhe Lp 9:22.) Pastaj, kur po bekonte Izraelin, e përmendi përsëri këtë ngjarje, duke treguar se kishte qenë një provë për Levin. (Lp 33:8) Në këtë rast Levi mund të nënkuptojë krerët e fisit, domethënë Moisiun dhe Aaronin.
Më vonë, psalmisti i këshilloi izraelitët të mos i ngurtësonin zemrat si brezi që u end në shkretëtirë. Kur përmend Meribën dhe Masahun, duhet ta ketë fjalën për murmuritjet e Izraelit për ujë në Refidim, një incident që ishte shembull tipik i mungesës së besimit që treguan gjatë gjithë periudhës 40-vjeçare. (Ps 95:8-11) Siç duket, kjo është ideja që përcillet në kapitullin 3 të Hebrenjve, kur citohen fjalët e psalmistit (nga Septuaginta greke): «Mos i ngurtësoni zemrat. Mos veproni si në rastin kur paraardhësit tuaj provokuan zemërimin tim të hidhur [Meribë], si ditën e vënies në provë në shkretëtirë, kur ata më vunë në provë [Masah], edhe pse i kishin parë veprat e mia për dyzet vjet [fjalë për fjalë, «dhe i panë veprat e mia për dyzet vjet»].» (He 3:8, 9) Psalmi 95:8 dhe Hebrenjve 3:8 mund të përfshijnë edhe murmuritjet e mëvonshme të Izraelit për ujë në Meribë, në zonën e Kadeshit.—Nu 20:1-13.