Mund të kishte Jezui besim në Perëndinë?
Një dilemë për trinitarët
«SI KA mundësi që Jezui të ketë pasur besim? Duke qenë se është Perëndi, që di gjithçka dhe sheh gjithçka vetë, pa iu drejtuar askujt përveç vetes së tij. Tani, besimi qëndron pikërisht në mbështetjen tek dikush tjetër dhe në pranimin e asaj që nuk shihet; përjashtohet, pra, që Jezu-Perëndia të ketë pasur besim.»
Sipas teologut francez Jacques Guillet, ky është opinioni mbizotërues në katolicizëm. A të habit ky shpjegim? Ndoshta mund të kesh mësuar që, pasi Jezui është shembull për të krishterët në çdo gjë, ai duhet të jetë gjithashtu model edhe në besim. Nëse mendon kështu, atëherë nuk i ke bërë hesapet me dogmën e Trinitetit të të ashtuquajturit krishterim.
Çështja e besimit të Jezuit është në të vërtetë një enigmë për teologët katolikë, protestantë dhe ortodoksë, të cilët besojnë në Trinitetin si «misteri kryesor i besimit dhe i jetës së krishterë».a Megjithatë, besimin e Jezuit nuk e mohojnë të gjithë. Jacques Guillet pohon se «është e pamundur të mos pranosh besimin në Jezuin», edhe pse pranon se, në dritën e doktrinës së Trinitetit, kjo përbën një «paradoks».
Jezuiti francez Jean Galot, e ngjashëm tij edhe shumica e teologëve, është i hapur kur thotë se duke qenë «Perëndi i vërtetë dhe njeri i vërtetë, . . . Krishti nuk mund të besojë në veten e tij». «Besimi qëndron në besimin tek një tjetër, jo në besimin tek vetja»,—vëren gazeta La Civiltà Cattolica. Pengesë, pra, për të pranuar besimin e Jezuit është dogma e Trinitetit, pasi të dyja konceptet kundërshtojnë qartë njëra-tjetrën.
«Ungjijtë nuk flasin kurrë për besimin e Jezuit»,—thonë teologët. Në fakt, termat e përdorur në Shkrimet e Krishtere Greke, pi·steu΄o (besoj, kam besim) dhe pi΄stis (besim), në përgjithësi i referohen besimit të dishepujve në Perëndinë dhe në Krishtin, në vend të besimit të Jezuit në Atin e tij qiellor. A duhet, pra, të nxjerrim përfundimin se Biri i Perëndisë nuk kishte besim? Çfarë mund të kuptojmë nga ajo që ai bëri e tha? Çfarë thonë Shkrimet?
Lutje pa besim?
Jezui ishte njeri i lutjeve. Ai u lut në çdo rast: kur u pagëzua (Luka 3:21); gjithë natën para se të zgjidhte 12 apostujt (Luka 6:12, 13); edhe përpara shpërfytyrimit të tij të mrekullueshëm mbi mal, kur ishte bashkë me apostujt Pjetër, Gjon dhe Jakov. (Luka 9:28, 29) Ai po lutej, kur njëri nga dishepujt i kërkoi: «Na mëso të lutemi» dhe ai u mësoi Lutjen e Zotërisë («Ati Ynë»). (Luka 11:1-4; Mateu 6:9-13) Ai u lut vetëm dhe gjatë, deri herët në mëngjes (Marku 1:35-39); në mbrëmje, mbi një mal pasi kishte shpërndarë dishepujt e tij (Marku 6:45, 46); bashkë me dishepujt dhe për dishepujt e tij. (Luka 22:32; Gjoni 17:1-26) Po, lutja ishte një pjesë e rëndësishme e jetës së Jezuit.
Ai u lut përpara se të kryente mrekulli, për shembull, para se të ringjallte mikun e tij, Lazrin: «O Atë, të falënderoj që më ke dëgjuar. Unë e dija mirë se ti gjithnjë më dëgjon, por i kam thënë këto për turmën që është përreth, që të besojnë se ti më ke dërguar.» (Gjoni 11:41, 42) Siguria se Ati i tij do t’i përgjigjej lutjes tregon forcën e besimit të tij. Kjo lidhje midis lutjes ndaj Perëndisë dhe besimit në Të është e dukshme nga ajo që Krishti u tha dishepujve: «Të gjitha ato që ju kërkoni duke lutur, besoni se do t’i merrni dhe ju do t’i merrni.»—Marku 11:24.
Nëse Jezui nuk kishte besim, përse iu lut Perëndisë? Mësimi jobiblik i të ashtuquajturit krishterim mbi Trinitetin, sipas së cilit Jezui ishte në të njëjtën kohë njeri dhe Perëndi, e errëson mesazhin e Biblës. Ai i pengon njerëzit për të kuptuar thjeshtësinë dhe fuqinë e Biblës. Kujt i lutej njeriu Jezu? Vetes? A nuk e dinte vallë se ishte Perëndi? Dhe po të ishte Perëndi e ta dinte këtë, përse u lut?
Lutjet e Jezuit në ditën e fundit të jetës së tij mbi tokë, na japin një pamje akoma më të thellë të besimit të tij të vendosur në Atin e vet qiellor. Duke shfaqur shpresë dhe një pritje me besim, ai kërkoi: «Tani, pra, më përlëvdo, o Atë, pranë tej, me lavdinë që unë e kisha pranë teje para se të bëhej bota.»—Gjoni 17:5.
Duke ditur se vuajtjet më të vështira dhe vdekja e tij ishin të pashmangshme, natën në të cilën ishte në kopshtin e Getsemanit, mbi Malin e Ullinjve, «filloi të ndiejë trishtim dhe ankth të madh» dhe tha: «Shpirti im është thellësisht i trishtuar, deri në vdekje.» (Mateu 26:36-38) Më pas, u gjunjëzua dhe u lut: «Ati im, në qoftë se është e mundur, largoje prej meje këtë kupë; megjithatë, jo si dua unë, por si do ti.» Atëherë, «iu shfaq një engjëll nga qielli për t’i dhënë forcë». Perëndia e dëgjoi lutjen e tij. Për shkak të intensitetit të emocioneve të tij dhe të ashpërsisë së provës, «djersa e tij po bëhej si gjak i mpiksur që bie për tokë».—Luka 22:42-44.
Çfarë tregojnë vuajtjet e Jezuit, nevoja e tij për t’u forcuar dhe lutjet e tij? «Një fakt është i sigurt,—shkruan Jacques Guillet,—Jezui është lutur dhe lutja është një e dhënë thelbësore e qenies dhe e veprimit të tij. Është lutur si njerëzit dhe për njerëzit. Tani, lutja e njerëzve është e pamendueshme pa besimin. Po lutja e Jezuit, a do të mendohej pa besimin?»
I varur mbi shtyllën e mundimit, pak para se të vdiste, Jezui bërtiti me zë të lartë, duke cituar një psalm të Davidit. Pastaj, me besim, me zë të lartë ai bëri edhe një lutje të fundit: «O Atë, në duart e tua po e dorëzoj frymën time.» (Luka 23:46; Mateu 27:46) Një përkthim italian ndërfetar, Parola del Signore, thotë se Jezui ‘i besoi jetën’ Atit të tij.
Jacques Guillet komenton: «Duke na treguar Krishtin të kryqëzuar që i bërtet të Atit nëpërmjet psalmit të Izraelit, evangjelistët na bindin se ajo britmë, britma e Birit të vetëmlindur, britmë e ankthit absolut, britmë e besimit të plotë, është një britmë e lëshuar me besim, britma e një vdekjeje në besim.»
Përballë kësaj dëshmie të qartë dhe dramatike të besimit, disa teologë përpiqen të bëjnë një dallim midis besimit dhe «mirëbesimit». Megjithatë, një dallim i tillë nuk është i bazuar mbi Shkrimet.
Por saktësisht, çfarë zbulojnë mbi besimin e Jezuit provat e ashpra që ai duroi?
‘Përsosësi i besimit tonë’ u përsos
Në kreun e 11-të të letrës së tij drejtuar Hebrenjve, apostulli Pavël përmendi renë e madhe të burrave dhe të grave besnike të kohëve para krishterimit. Ai përfundoi, duke treguar shembullin më të madh e të përsosur të besimit: «Shikojmë me kujdes Kryepërfaqësuesin dhe Përsosësin e besimit tonë, Jezuin. Nga gëzimi që iu vu përpara, ai duroi shtyllën e mundimeve, duke përbuzur turpin . . . Shqyrtoni me kujdes atë që duroi një të folur të tillë të kundërt nga mëkatarët, në dëm të vetë interesave të tyre, me qëllim që të mos lodheni dhe të mos ju lëshojë zemra.»—Hebrenjve 12:1-3, BR.
Shumica e teologëve thonë se këto vargje nuk flasin për «besimin personal të Jezuit», por, përkundrazi, për rolin e tij si «iniciator dhe themelues i besimit». Termi grek te·lei·o·teś, që gjendet në këtë frazë, i referohet dikujt që përsos, që realizon apo plotëson diçka. Si «Përsosës», Jezui e plotësoi besimin, në atë kuptim që ardhja e tij në tokë përmbushi profecitë biblike dhe më tej vendosi një themel edhe më të fortë për besimin. Por, a do të thotë kjo se ai nuk kishte besim?
Pjesët nga letra e Hebrenjve, që mund t’i shohësh në kutinë në faqen 15, nuk lënë dyshime. Jezui u përsos nga vuajtjet dhe nga bindja e tij. Edhe pse tashmë ishte njeri i përsosur, përvojat e bënë atë të përsosur dhe të plotë në çdo gjë, edhe në besim, në mënyrë që ai të bëhej plotësisht i kualifikuar si Kryeprift për shpëtimin e të krishterëve të vërtetë. Ai iu lut të Atit «me klithma të larta dhe me lot», ai ishte «besnik» ndaj Perëndisë dhe kishte «frikë nga Perëndia». (Hebrenjve 3:1, 2; 5:7-9) Ai «u tundua në të gjitha», pikërisht «ashtu si ne», thotë Hebrenjve 4:15, d.m.th., si çdo i krishterë besnik, besimi i të cilit u nënshtrohet ‘sprovave nga më të ndryshmet’. (Jakovit 1:2, 3) Është e arsyeshme të besojmë se Jezui mund të vihej në provë «si» ithtarët e tij, pa u provuar në besimin e tij, ashtu si edhe ata?
Lutjet, bindja, vuajtjet, provat, besnikëria dhe frika nga Perëndia dëshmojnë për besimin e plotë të Jezuit. Ato tregojnë se ai u bë «Përsosësi i besimit tonë» vetëm pasi u përsos në vetë besimin e tij. Është e qartë se ai nuk ishte Perëndia Biri, siç pohon doktrina e Trinitetit.—1. Gjonit 5:5.
Nuk e besonte Fjalën e Perëndisë?
Doktrina e Trinitetit e kushtëzon aq shumë mendimin e teologëve, sa ata arrijnë deri në pikëpamje të tilla ekstreme, si ajo që thotë se Jezui «nuk besonte në Fjalën e Perëndisë dhe në mesazhin e saj», sepse «duke qenë vetë Fjala e Perëndisë, ai vetëm mund ta shpallte atë fjalë».—Angelo Amato, Gesù il Signore, libër që ka edhe lejen zyrtare të kishës.
Megjithatë, çfarë tregojnë në të vërtetë referimet e vazhdueshme të Jezuit mbi Shkrimet? Kur u tundua, ai citoi nga Shkrimet tri herë. Në replikën e tij të tretë me Satanain, Jezui tha se adhuronte vetëm Perëndinë. (Mateu 4:4, 7, 10) Në raste të ndryshme, Jezui përmendi profecitë që zbatoheshin mbi të, duke treguar besim në përmbushjen e tyre. (Marku 14:21, 27; Luka 18:31-33; 22:37; krahaso Luka 9:22; 24:44-46.) Nga ky shqyrtim, duhet të nxjerrim përfundimin se Jezui i njihte Shkrimet e frymëzuara nga Ati i tij, i zbatoi ato me besim dhe pati besim të plotë në përmbushjen e profecive që parashikonin provat e tij, vuajtjen, vdekjen dhe ringjalljen.
Jezui, modeli i besimit që duhet imituar
Jezuit iu desh të luftonte luftën e besimit deri në fund, në mënyrë që të mbante besnikërinë ndaj Atit të tij dhe për të ‘mundur botën’. (Gjoni 16:33) Pa besim, është e pamundur të arrihet një fitore e tillë. (Hebrenjve 11:6; 1. Gjonit 5:4) Për shkak të këtij besimi fitimtar, ai ishte një shembull për ithtarët e tij besnikë. Ai me siguri që kishte besim në Perëndinë e vërtetë.
[Shënimi]
a Një trajtim më të gjerë të pathemelësisë së mësimit të Trinitetit, mund ta gjesh në Kulla Rojës, 15/2/1994, artikulli «Triniteti—A është një mësim nga Bibla?», fq. 27-30.
[Kutia në faqen 15]
Jezui, «Përsosësi», u përsos
Hebrenjve 2:10: «Sepse i duhej atij, për të cilin dhe nëpërmjet të cilit janë të gjitha, duke çuar shumë bij në lavdi, ta bënte të përsosur me anë të vuajtjeve realizuesin e shpëtimit të tyre.»
Hebrenjve 2:17, 18: «Prandaj ai duhej t’u ngjante në çdo gjë vëllezërve, që të mund të ishte i mëshirshëm e kryeprift besnik në ato që i përkasin Perëndisë, për t’u bërë pajtim për mëkatet e popullit, sepse, duke qenë se ai vetë hoqi kur u tundua, mund t’u vijë në ndihmë atyre që tundohen.»
Hebrenjve 3:2: «I cili është besnik ndaj atij që e bëri, ashtu si qe edhe Moisiu në tërë shtëpinë e tij.»
Hebrenjve 4:15: «Sepse ne nuk kemi kryeprift që nuk mund t’i vijë keq për dobësitë tona, po një që u tundua në të gjitha ashtu si ne, por pa mëkatuar.»
Hebrenjve 5:7-9: «I cili, në ditët e mishit të tij, me klithma të larta dhe me lot, i ofroi lutje dhe urata atij që mund ta shpëtonte nga vdekja, dhe u dëgjua për shkak të frikës së tij nga Perëndia. Edhe pse ishte Bir, mësoi të jetë i bindur nga ato që pësoi, dhe, si u bë i përkryer, u bë vepronjësi i shpëtimit të amshuar për të gjithë ata që i binden.»