Martesa
Përkufizimi: Bashkimi i një burri dhe i një gruaje për të jetuar si bashkëshortë, sipas normave të Shkrimeve të Shenjta. Martesa është e themeluar nga Perëndia. Falë saj, burrë e grua kanë një marrëdhënie të ngushtë, gjithashtu ajo jep një ndjenjë sigurie, sepse krijon një vatër dashurie, dhe secili bashkëshort ka marrë një angazhim personal. Kur themeloi martesën, Jehovai nuk e bëri këtë vetëm për t’i siguruar burrit një shoqe të ngushtë, që do të ishte një plotësim për të, por edhe për të krijuar mundësinë që njerëzit të shtoheshin, duke e bërë këtë brenda bërthamës familjare. Kudo ku është e mundur, kërkohet që një martesë e pranueshme për kongregacionin e krishterë, të regjistrohet ligjërisht.
A është vërtet e rëndësishme që dy njerëz të martohen sipas kërkesave të ligjit?
Titit 3:1: «Vazhdo t’u kujtosh atyre që të jenë të nënshtruar e të bindur ndaj qeverive dhe autoriteteve si sundimtarë.» (Kur njerëzit ua vënë veshin këtyre udhëzimeve, emri i secilit bashkëshort nuk shahet dhe fëmijët e tyre nuk turpërohen, siç ndodh me ata fëmijë që nuk i kanë prindërit të martuar. Gjithashtu, kur martesa regjistrohet ligjërisht, kjo mbron të drejtat e pronësisë së pjesëtarëve të familjes, në rast se vdes njëri nga bashkëshortët.)
Hebr. 13:4: «Martesa të nderohet nga të gjithë dhe shtrati martesor të jetë pa ndyrësi, sepse Perëndia do të gjykojë kurvarët dhe kurorëshkelësit.» (Të martohesh ligjërisht, luan një rol të rëndësishëm për të pasur një martesë që «nderohet». Në përkufizimin e fjalëve «kurvëri» dhe «kurorëshkelje», të kemi parasysh atë që thuhet te Titit 3:1, të cituar më sipër.)
1 Pjet. 2:12-15: «Mbajeni të shkëlqyer sjelljen tuaj mes njerëzve nga bota, me qëllim që për gjërat që thonë kundër jush, si të ishit keqbërës, t’i japin lavdi Perëndisë ditën e hetimit prej tij, si rrjedhim i veprave tuaja të shkëlqyera, për të cilat janë dëshmitarë okularë. Për hir të Zotërisë, nënshtrojuni çdo krijese njerëzore: qoftë mbretit si më i lartë, qoftë guvernatorëve si të dërguar nga ai për t’u dhënë ndëshkimin keqbërësve dhe për të lëvduar ata që bëjnë të mirën. Sepse i tillë është vullneti i Perëndisë, që duke bërë të mirën, t’ia mbyllni gojën si me gojëz të folurit me injorancë të njerëzve të paarsyeshëm.»
A pati «formalitete ligjore» kur Adami dhe Eva filluan të jetonin bashkë?
Zan. 2:22-24: «Nga brinja që kishte marrë prej njeriut [Adamit], Perëndia Jehova bëri një grua dhe ia çoi njeriut. Pastaj njeriu tha: ‘Kjo është më në fund kockë e kockave të mia dhe mish i mishit tim. Kjo do të quhet Grua, sepse u mor nga burri.’ Ja përse burri do të lërë babanë dhe nënën e do të lidhet ngushtë me gruan e vet, dhe ata do të bëhen një mish i vetëm.» (Vër re se ishte vetë Perëndia Jehova, Sovrani i universit, që bashkoi Adamin dhe Evën. Ky nuk ishte një rast kur një burrë e një grua vendosin të bashkëjetojnë pa u shqetësuar shumë për autoritetet ligjore. Gjithashtu, vër re se Perëndia theksoi që ky bashkim do të ishte i përhershëm.)
Zan. 1:28: «Perëndia i bekoi [Adamin dhe Evën] dhe u tha: ‘Jini të frytshëm, shumohuni dhe mbusheni tokën e sundojeni, mbani të nënshtruar peshqit e detit, krijesat fluturuese të qiejve dhe çdo krijesë të gjallë që lëviz në tokë.’» (Ky bashkim u bekua nga Autoriteti ligjor më i lartë. Ata u autorizuan të kishin marrëdhënie seksuale dhe gjithashtu iu dha një detyrë që do t’i kishte dhënë kuptim të plotë jetës së tyre.)
A mund të praktikohet poligamia, po ta lejojë ligji i vendit?
1 Tim. 3:2, 12: «Prandaj, mbikëqyrësi duhet të jetë i paqortueshëm, burrë i një gruaje të vetme . . . Shërbëtorët ndihmës të jenë burra të një gruaje të vetme.» (Këtyre burrave jo vetëm që iu besuan përgjegjësi, por edhe ishin shembuj për t’u imituar nga të tjerët në kongregacionin e krishterë.)
1 Kor. 7:2: «Për shkak të përhapjes së kurvërisë, çdo burrë le të ketë gruan e vet dhe çdo grua të ketë burrin e vet.» (Këtu nuk tolerohet ideja për më shumë se një partner për secilin bashkëshort.)
Pse lejoi Perëndia që Abrahami, Jakobi dhe Solomoni të kishin disa gra?
Poligaminë nuk e themeloi Jehovai. Ai i dha Adamit vetëm një grua. Më vonë, Lameku, një pasardhës i Kainit, mori dy gra. (Zan. 4:19) Me kalimin e kohës, edhe të tjerë e imituan shembullin e tij duke marrë skllavet si konkubina. Perëndia e toleroi këtë zakon, dhe madje, nën Ligjin e Moisiut ai vuri disa rregulla për t’u siguruar se gratë që bënin pjesë në një martesë të tillë, të trajtoheshin siç duhej. Perëndia e toleroi këtë derisa u themelua kongregacioni i krishterë, por më pas kërkoi që shërbëtorët e tij të zbatonin përsëri normën që Ai vetë kishte vendosur në Eden.
Abrahami mori për grua Sarajën (Sarën). Kur ishte rreth 75 vjeç dhe mendonte se nuk do të lindte fëmijë, ajo i kërkoi të shoqit që të kishte marrëdhënie me shërbyesen, që Saraja të kishte nëpërmjet saj një fëmijë të ligjshëm. Abrahami veproi kështu, por kjo e çoi familjen e tij në fërkime serioze. (Zan. 16:1-4) Jehovai e përmbushi premtimin që i kishte bërë Abrahamit për «një farë», duke shkaktuar më vonë, me anë të një mrekullie, që Sara të mbetej shtatzënë. (Zan. 18:9-14) Vetëm pas vdekjes së Sarës, Abrahami mori një grua tjetër.—Zan. 23:2; 25:1.
Jakobi u bë poligam ngaqë e mashtroi vjehrri. Jakobi nuk e kishte ndër mend këtë gjë kur shkoi të kërkonte grua në Padan-Aram. Dokumentimi biblik tregon me mjaft hollësi për rivalitetin e trishtueshëm midis grave të tij.—Zan. 29:18–30:24.
Dihet mirë se Solomoni kishte shumë gra e konkubina. Por jo të gjithë e dinë se, duke vepruar kështu, ai shkeli urdhrin e qartë të Jehovait që thoshte se mbreti «nuk duhet të shtojë gratë e veta, që zemra e tij të mos shmanget nga udha». (Ligj. 17:17) Duhet theksuar gjithashtu se, për shkak të ndikimit të grave të huaja, Solomoni nisi të adhuronte perëndi të rreme dhe «filloi të bënte atë që ishte e keqe në sytë e Jehovait . . . Jehovait iu ndez zemërimi kundër Solomonit».—1 Mbret. 11:1-9.
A lejohet ndarja e bashkëshortëve nëse nuk jetojnë dot bashkë në paqe?
1 Kor. 7:10-16: «Të martuarit po i udhëzoj, megjithatë jo unë, por Zotëria, që gruaja të mos ndahet nga burri. Nëse ndahet, le të mbetet e pamartuar ose përndryshe të pajtohet sërish me burrin. Edhe burri nuk duhet ta lërë gruan. Por të tjerëve po u them, po, unë, jo Zotëria [por, siç tregon vargu 40, Pavli drejtohej nga fryma e shenjtë]: nëse ndonjë vëlla ka një grua jobesimtare, e cila megjithatë është dakord të jetojë me të, ai të mos e lërë. Edhe gruaja që e ka burrin jobesimtar, i cili megjithatë është dakord të jetojë me të, të mos e lërë burrin. Sepse burri jobesimtar është shenjtëruar në lidhje me gruan e tij dhe gruaja jobesimtare është shenjtëruar në lidhje me vëllanë. Përndryshe, fëmijët tuaj do të ishin vërtet të papastër, por tani ata janë të shenjtë. Mirëpo, nëse jobesimtari po largohet, le të largohet. Vëllai ose motra nuk janë të skllavëruar në këto rrethana, por Perëndia ju ka thirrur në paqe. Sepse ku e di ti, o grua, që s’do ta shpëtosh burrin? Apo ku e di ti, o burrë, që s’do ta shpëtosh gruan?» (Pse një besimtar duhet të durojë vështirësitë dhe të përpiqet ta ruajë martesën? Për hir të respektit për martesën, si të themeluar nga Perëndia, dhe nga shpresa se bashkëshortja jobesimtare me kalimin e kohës mund të ndihmohet të bëhet një shërbëtore e Perëndisë së vërtetë.)
Cila është pikëpamja e Biblës për dikë që divorcohet për t’u rimartuar?
Mal. 2:15, 16: «Tregoni kujdes për frymën tuaj dhe askush të mos veprojë pabesisht me gruan e rinisë së vet. Sepse ai e urren divorcin,—thotë Jehovai, Perëndia i Izraelit.»
Mat. 19:8, 9: «Ai [Jezui] u tha: ‘Moisiu ju bëri këtë lëshim që të divorconi gratë tuaja për shkak të zemërgurësisë suaj, por në fillim nuk ishte kështu. Unë po ju them se kushdo që divorcohet nga gruaja, përveç rastit kur ajo kryen kurvëri, [marrëdhënie jashtëmartesore] dhe martohet me një tjetër, kryen kurorëshkelje.’» (Pra, palës së pafajshme i lejohet, por nuk i kërkohet të divorcohet nga pala tjetër që ka kryer «kurorëshkelje».)
Rom. 7:2, 3: «Një grua e martuar është e lidhur me ligj me burrin derisa ai të jetë gjallë, por po t’i vdesë burri, ajo është e zgjidhur nga ligji i burrit. Kështu, ndërkohë që burri jeton, ajo do të quhej kurorëshkelëse po të bëhej e një burri tjetër. Por, në qoftë se burri i vdes, ajo është e lirë nga ligji i tij, prandaj nuk është kurorëshkelëse po të bëhet e një burri tjetër.»
1 Kor. 6:9-11: «Mos u mashtroni! As kurvarë, as idhujtarë, as kurorëshkelës, as burra që mbahen për qëllime të panatyrshme seksuale, as burra që shkojnë me burra . . . nuk do ta trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë. Megjithatë, të tillë ishit disa nga ju. Mirëpo jeni larë, jeni shenjtëruar, jeni shpallur të drejtë në emër të Zotërisë tonë Jezu Krisht dhe me frymën e Perëndisë tonë.» (Kjo thekson sa e rëndësishme është çështja në fjalë. Kurorëshkelësit e papenduar nuk do të bëjnë pjesë në Mbretërinë e Perëndisë. Por, edhe njerëzit që më parë kanë kryer kurorëshkelje, ndoshta duke u rimartuar në mënyrë të papërshtatshme, mund të fitojnë faljen e Perëndisë dhe një qëndrim të pastër para tij, nëse pendohen sinqerisht dhe tregojnë besim te vlera e flijimit të Jezuit, e cila i shlyen mëkatet.)
Pse në të kaluarën Perëndia i lejoi martesat midis vëllezërve dhe motrave?
Bibla tregon se Kaini u martua me një nga motrat ose ndoshta me një nga mbesat e tij, (Zan. 4:17; 5:4) kurse Abrahami u martua me të motrën nga ana e babait. (Zan. 20:12) Por më vonë, në Ligjin që u dha nëpërmjet Moisiut, këto lloj martesash u ndaluan me ligje specifike. (Lev. 18:9, 11) Ato nuk lejohen midis të krishterëve sot. Në një martesë mes njerëzve të afërm mundësitë që faktorët trashëgimorë dëmtues të kalojnë te fëmijët, janë më të larta se mesatarja.
Pse nuk ishte e papërshtatshme martesa mes vëllezërve e motrave në fillim të historisë njerëzore? Perëndia i krijoi Adamin dhe Evën të përsosur, e ai kishte si qëllim që i gjithë njerëzimi të rridhte prej tyre. (Zan. 1:28; 3:20) Sigurisht që, sidomos gjatë brezave të parë, do të bëheshin disa martesa mes të afërmve të ngushtë. Madje, edhe pasi u krye mëkati, gjatë brezave të parë, rreziku që fëmijët të lindnin me keqformime, ishte fare i vogël, sepse raca njerëzore ishte shumë më afër përsosmërisë që kishin pasur Adami dhe Eva. Këtë e dëshmon jeta e gjatë e njerëzve të asaj kohe. (Shih Zanafillën 5:3-8; 25:7.) Por rreth 2.500 vjet pasi Adami mëkatoi, Perëndia e ndaloi martesën mes të afërmve të ngushtë. Kjo shërbeu për të mbrojtur pasardhësit dhe bëri që morali i shërbëtorëve të Jehovait të ishte më i lartë se ai i popujve përreth tyre, që në atë kohë kryenin çdo lloj praktike të degjeneruar.—Shih Levitikun 18:2-18.
Ç’gjë mund të ndihmojë për të forcuar martesën?
(1) Bashkëshortët të studiojnë rregullisht së bashku Fjalën e Perëndisë dhe t’i luten Perëndisë që t’i ndihmojë të zgjidhin problemet.—2 Tim. 3:16, 17; Prov. 3:5, 6; Filip. 4:6, 7.
(2) Të pranojnë parimin e kryesisë. Kjo vë një përgjegjësi të madhe mbi burrin. (1 Kor. 11:3; Efes. 5:25-33; Kolos. 3:19) Po ashtu, kërkon përpjekje të sinqerta nga ana e gruas.—Efes. 5:22-24, 33; Kolos. 3:18; 1 Pjet. 3:1-6.
(3) Dëshirat seksuale të drejtohen vetëm ndaj bashkëshortes. (Prov. 5:15-21; Hebr. 13:4) Interesimi i dashur për nevojat e bashkëshortes mund ta mbrojë bashkëshortin nga tundimi për të kryer keqbërje.—1 Kor. 7:2-5.
(4) Të flasin me njëri-tjetrin me dashamirësi dhe mirëkuptim; të shmangin shpërthimet e zemërimit, ankesat e vazhdueshme dhe kritikat e ashpra.—Efes. 4:31, 32; Prov. 15:1; 20:3; 21:9; 31:26, 28.
(5) Të jenë të papërtueshëm dhe të besueshëm duke u kujdesur për shtëpinë dhe veshjen, si edhe në përgatitjen e ushqimeve të shëndetshme.—Titit 2:4, 5; Prov. 31:10-31.
(6) Të zbatojnë me përulësi këshillat biblike, edhe nëse njëri mendon se tjetri po bën ose jo gjithçka që i takon.—Rom. 14:12; 1 Pjet. 3:1, 2.
(7) T’u kushtojnë vëmendje zhvillimit të cilësive të tyre frymore.—1 Pjet. 3:3-6; Kolos. 3:12-14; Gal. 5:22, 23.
(8) Nëse kanë fëmijë, t’u japin atyre dashurinë, stërvitjen dhe disiplinën e nevojshme.—Titit 2:4; Efes. 6:4; Prov. 13:24; 29:15.