Besimi i krishterë do të sprovohet
«Besimi nuk është një zotërim i të gjithë njerëzve.»—2. SELANIKASVE 3:2, BR.
1. Si e ka treguar historia se jo të gjithë kanë besim të vërtetë?
PËRGJATË historisë, ka pasur burra, gra dhe fëmijë me besim të vërtetë. Cilësori «të vërtetë» është i përshtatshëm, sepse miliona të tjerë kanë shfaqur një lloj besimi që ka qenë i verbër, një gatishmëri për të besuar pa një bazë apo arsye të vlefshme. Një besim i tillë ka përfshirë shpesh perëndi të rreme ose forma adhurimi që nuk janë në harmoni me të Plotfuqishmin, Jehovain, dhe me Fjalën që ka zbuluar ai. Kështu, apostulli Pavël shkroi: «Besimi nuk është një zotërim i të gjithë njerëzve.»—2. Selanikasve (Thesalonikasve) 3:2, BR.
2. Pse është jetësore ta shqyrtojmë besimin tonë?
2 Por pohimi i Pavlit nënkupton se në atë kohë disa patën besim të vërtetë dhe nënkuptohet se edhe sot disa e kanë. Shumica e lexuesve të kësaj reviste dëshirojnë ta kenë dhe të rriten në një besim të tillë të vërtetë: besim në harmoni me njohurinë e saktë të së vërtetës hyjnore. (Gjoni 18:37; Hebrenjve 11:6) A është kështu për ty? Atëherë, është e domosdoshme ta pranosh dhe të përgatitesh për faktin që besimi yt do të sprovohet. Pse mund të thuhet kjo?
3, 4. Pse duhet të shohim nga Jezui në lidhje me sprovat e besimit?
3 Duhet ta pranojmë se Jezu Krishti është thelbësor për besimin tonë. Në të vërtetë, Bibla flet për të si për Përsosësin e besimit tonë. Kjo për shkak të asaj që tha dhe bëri Jezui, sidomos për mënyrën se si i përmbushi profecitë. Ai forcoi bazën mbi të cilën njerëzit mund të vendosin besimin e vërtetë. (Hebrenjve 12:2; Zbulesa 1:1, 2) Megjithatë, lexojmë se Jezui «u sprovua në të gjitha aspektet si ne, por pa mëkat». (Hebrenjve 4:15, BR) Po, besimi i Jezuit u sprovua. Në vend se të na shkurajojë apo të na shkaktojë ankth, kjo gjë duhet të na ngushëllojë.
4 Duke kaluar sprova të mëdha, madje deri në pikën e vdekjes në shtyllë, Jezui «mësoi bindjen». (Hebrenjve 5:8, BR) Ai provoi se njerëzit mund të jetojnë me anë të besimit të vërtetë, pavarësisht nga çfarëdo sprove që mund të bjerë mbi ta. Kjo merr domethënie të veçantë, kur mendojmë për atë që tha Jezui në lidhje me ithtarët e tij: «Mbani ndër mend fjalën që ju thashë: Një skllav nuk është më i madh se zotëria i tij.» (Gjoni 15:20, BR) Në fakt, në lidhje me ithtarët e tij në ditët tona, Jezui paratha: «Ju do të jeni objekte urrejtjeje nga të gjitha kombet, për shkak të emrit tim.»—Mateu 24:9, BR.
5. Si e tregojnë Shkrimet se do të hasim sprova?
5 Në fillimet e këtij shekulli, gjykimi filloi me shtëpinë e Perëndisë. Shkrimet parathanë: «Është koha e caktuar që gjykimi të fillojë me shtëpinë e Perëndisë. Tani, nëse nis në fillim me ne, cili do të jetë fundi i atyre që nuk janë të bindur ndaj lajmit të mirë të Perëndisë? ‘Dhe nëse njeriu i drejtë shpëtohet me vështirësi, ku do të duket njeriu i paperëndishëm dhe mëkatari?’»—1. Pjetrit 4:17, 18, BR.
Besimi sprovohet: Pse?
6. Pse besimi i sprovuar është i paçmueshëm?
6 Në njëfarë kuptimi, besimi që është i pasprovuar nuk ka një vlerë të verifikuar dhe cilësia e tij mbetet e panjohur. Atë mund ta përngjasosh me një çek që nuk është thyer akoma. Ti mund të kesh marrë një çek për punën që ke bërë, për të mirat që ke siguruar ose edhe si dhuratë. Çeku mund të duket i vlefshëm, por a është i tillë? A e ka vërtet vlerën e sasisë që paraqet? Ngjashëm, besimi ynë duhet të jetë më shumë sesa vetëm një dukje apo thjesht një deklarim. Nëse duam të provojmë që ka brumë dhe cilësi të vërtetë, ai duhet sprovuar. Kur besimi ynë sprovohet, mund të vërejmë se është i fortë dhe i vlefshëm. Një sprovë mund të zbulojë, gjithashtu, çdo fushë në të cilën besimi ynë ka nevojë për rafinim ose forcim.
7, 8. Prej cilit burim vijnë sprovat e besimit tonë?
7 Perëndia lejon që mbi ne të bien persekutime dhe sprova të tjera besimi. Lexojmë: «Kur ndodhet nën sprovë, le të mos thotë askush: ‘Po provohem nga Perëndia.’ Sepse me gjëra të liga Perëndia nuk mund të provohet dhe ai vetë nuk provon asnjeri.» (Jakovit 1:13, BR) Kush ose cili është përgjegjës për sprova të tilla? Është Satanai, bota dhe vetë mishi ynë i papërsosur.
8 Ne mund ta pranojmë se Satanai ushtron një ndikim të fuqishëm mbi botën, mbi mënyrën e saj të të menduarit dhe mbi rrugët e saj. (1. Gjonit 5:19) Ndoshta e dimë edhe se ai nxit persekutimin kundër të krishterëve. (Zbulesa 12:17) Por a jemi po kaq të bindur se Satanai përpiqet të na mashtrojë, duke i bërë thirrje mishit tonë të papërsosur, duke na i tundur para syve joshjet e botës, me shpresën se ne do ta kapim karremin, nuk do t’i bindemi Perëndisë dhe do të përfundojmë si të pamiratuar nga Jehovai? Sigurisht, metodat e Satanait nuk duhet të na habitin, sepse ai përdori të njëjtat taktika, kur u përpoq të tundonte Jezuin.—Mateu 4:1-11.
9. Si mund të nxjerrim dobi nga shembujt e besimit?
9 Nëpërmjet Fjalës së tij dhe kongregacionit të krishterë, Jehovai na vë përpara syve shembuj pozitivë besimi, të cilët mund t’i imitojmë. Pavli këshilloi: «Të bashkuar, bëhuni imituesit e mi, vëllezër, dhe mbajini sytë mbi ata që ecin në një mënyrë, e cila është në pajtim me shembullin që keni në ne.» (Filipianëve 3:17, BR) Si një prej shërbëtorëve të mirosur të Perëndisë në shekullin e parë, Pavli mori drejtimin në kryerjen e veprave të besimit, megjithë sprovat e mëdha që përjetoi. Tani, nga fundi i shekullit të 20-të, nuk na mungojnë shembujt e ngjashëm të besimit. Fjalët në Hebrenjtë 13:7 aplikohen tani me po aq forcë sa atëherë kur i shkroi Pavli: «Kujtoni ata që marrin drejtimin mes jush, që ju kanë thënë fjalën e Perëndisë dhe ndërsa meditoni se si rezultoi sjellja e tyre, imitoni besimin e tyre.»—BR.
10. Cilët shembuj të veçantë besimi kemi në kohët e fundit?
10 Kjo këshillë ka forcë të veçantë, kur shqyrtojmë se si rezultoi sjellja e mbetjes së mirosur. Ne mund të meditojmë mbi shembullin e tyre dhe të imitojmë besimin e tyre. Besimi i tyre është besim i vërtetë, që është rafinuar me anë sprovash. Me fillime të vogla në vitet 70 të shekullit të kaluar, u zhvillua një vëllazëri e krishterë mbarëbotërore. Si fryt i besimit dhe i qëndrueshmërisë së të mirosurve që në atë kohë e këtej, mbi pesë milionë e gjysmë Dëshmitarë të Jehovait po predikojnë dhe mësojnë tani të tjerët mbi Mbretërinë e Perëndisë. Kongregacioni i tanishëm global i adhuruesve të zellshëm të vërtetë është një provë konkrete e besimit të sprovuar.—Titit 2:14.
Sprovohet besimi në lidhje me 1914-n
11. Në ç’mënyrë viti 1914 qe domethënës për C. T. Russell dhe bashkëpunëtorët e tij?
11 Vite përpara shpërthimit të Luftës I Botërore, mbetja e mirosur kishte shpallur se viti 1914 do të ishte një datë domethënëse në profecitë biblike. Megjithatë, disa prej pritjeve të tyre ishin të parakohshme dhe pikëpamja e tyre mbi atë që do të ndodhte nuk ishte plotësisht e saktë. Për shembull, C. T. Russell, kryetari i parë i Shoqatës Watch Tower dhe bashkëpunëtorët e tij, mundën të kuptonin se ishte e domosdoshme një vepër e madhe predikimi. Ata lexonin: «Ungjilli i mbretërisë do të predikohet në të gjithë botën, si dëshmi për të gjitha kombet dhe atëherë do të vijë fundi.» (Mateu 24:14, King James Version) Por, si mund ta bënte këtë grupi i tyre relativisht i vogël?
12. Si iu përgjigj të vërtetës biblike një prej bashkëpunëtorëve të Russell-it?
12 Shiko se si ndikoi kjo tek A. H. Mekmillën, një bashkëpunëtor i Russell-it. I lindur në Kanada, Mekmillën nuk i kishte mbushur akoma të 20-at, kur mori librin e Russell-it, Plani i epokave (1886). (Ky libër, i quajtur edhe Plani hyjnor i epokave, u bë vëllimi 1 i serisë së shpërndarë gjerësisht, Studime mbi Shkrimet. Vëllimi 2, Koha është afër [1889], e tregonte qartë 1914-n si fundin e «kohëve të johebrenjve». [Luka 21:24, KJ]) Po atë mbrëmje që Mekmillën filloi ta lexonte, mendoi: «E pra, kjo duket si e vërteta!» Në verën e vitit 1900, ai e takoi Russell-in në një kongres të Studentëve të Biblës, siç quheshin atëherë Dëshmitarët e Jehovait. Pas pak kohësh Mekmillën u pagëzua dhe filloi të punonte bashkë me vëllain Russell në selinë e Shoqatës në Nju Jork.
13. Cilin problem shikonin Mekmillën dhe të tjerët, për sa i përket përmbushjes së Mateut 24:14?
13 Duke u bazuar në atë që kishin lexuar në Bibël, këta të krishterë të mirosur e treguan qartë 1914-n si një pikë kthese në qëllimin e Perëndisë. Por Mekmillën dhe të tjerët pyetnin veten se si do të kryhej brenda kohës së shkurtër që kishte mbetur predikimi nëpër kombe, i parathënë në Mateun 24:14. Më vonë, ai tha: «Më kujtohet që këtë e diskutoja shpesh me vëllain Russell dhe ai më thoshte: ‘Epo, vëlla, tamam në Nju Jork kemi më shumë hebrenj sesa ka në Jerusalem. Kemi më shumë irlandezë këtu, sesa ka në Dublin. Kemi më shumë italianë, sesa ka në Romë. Tani, nëse u predikojmë atyre këtu, kjo do të thotë ta predikosh mesazhin në botë.’ Por dukej se kjo s’na e mbushte mendjen. Kështu që menduam për prodhimin e ‘Fotodramës’.»
14. Cili projekt i veçantë ishte ndërmarrë përpara vitit 1914?
14 Ç’sipërmarrje novatore ishte «Fotodrama e Krijimit»! Ajo kombinonte filmin me diapozitivat e ngjyrosur me dorë, të sinkronizuar këto me fjalime biblike dhe muzikë në disqe gramafoni. Në vitin 1913, Kulla e Rojës tha për një kongres në Arkansas të SHBA-së: «U vendos njëzëri se ka ardhur koha që për t’u mësuar të tjerëve të vërtetën biblike, të përdoren filmat. . . . [Russell-i] shpjegoi se për këtë plan kishte punuar tre vjet dhe tani kishte pothuajse gati qindra pamje të bukura, të cilat do të tërheqin pa dyshim turma të mëdha dhe do të shpallin Ungjillin, si dhe do ta ndihmojnë publikun t’i rikthehet besimit te Perëndia.»
15. Çfarë lloj rezultatesh pati «Fotodrama»?
15 Pas premierës së saj në janar 1914, «Fotodrama» bëri pikërisht këtë. Më poshtë, jepen disa thënie të shkëputura nga Kulla e Rojës e vitit 1914:
1 prill: «Një shërbëtor i krishterë, pasi pa dy pjesë, tha: ‘Kam parë vetëm gjysmën e FOTODRAMËS SË KRIJIMIT, por tashmë prej saj kam mësuar për Biblën më shumë nga ç’kam mësuar në kursin trevjeçar të seminarit teologjik.’ Një hebre, pasi e pa, vërejti: ‘Po largohem si një hebre më i mirë nga ç’isha kur hyra.’ DRAMËN e panë disa priftërinj katolikë e murgesha katolike dhe ata shprehën një vlerësim të madh. . . . Në dispozicion janë ende vetëm dymbëdhjetë seri të plota të DRAMËS . . . Megjithatë, ne kemi shkuar tashmë dhe kemi shërbyer me të në tridhjetë e një qytete . . . Çdo ditë shikojnë, dëgjojnë, admirojnë, mendojnë dhe bekohen, më shumë se tridhjetë e pesë mijë persona.»
15 qershor: «Filmi më ka bërë më të zellshëm në përhapjen e së Vërtetës dhe ka rritur dashurinë time për Atin qiellor dhe për vëllain tonë të dashur më të madh, Jezuin. Çdo ditë lutem për bekimin më të pasur të Perëndisë mbi FOTODRAMËN E KRIJIMIT dhe mbi të gjithë ata që marrin pjesë në prezantimin e saj . . . Jam shërbëtori juaj në Të, F. W. NOK.—Ioua.»
15 korrik: «Jemi të kënaqur tek vërejmë se ç’mbresa të mrekullueshme për mirë ka lënë filmi në këtë qytet dhe ndihemi të sigurt se kjo dëshmi për botën, po përdoret edhe për të mbledhur shumë nga ata që japin dëshmi se janë xhevahire të zgjedhjes së vetë Zotërisë. Njohim një numër të madh studentësh të zellshëm të Biblës që tani po shoqërohen me Klasën këtu, si rezultat i punës së Fotodramës. . . . Motra juaj në Zotërinë, EMA L. BRIKER.»
15 nëntor: «Ndihemi të sigurt se do të gëzoheni kur të dëgjoni për dëshminë e shkëlqyer që po jepet me anë të FOTODRAMËS SË KRIJIMIT, në Shtëpinë e Operas në Londër, Kinsuej. Dora udhëheqëse e Zotërisë është dukur kaq mrekullueshëm në çdo hollësi të kësaj shfaqjeje, saqë vëllezërit po gëzojnë shumë . . . Auditoret tona përbëheshin nga njerëz të të gjitha shtresave dhe llojeve; kemi vënë re se të pranishëm ishin edhe shumë klerikë. Një famullitar . . . kërkoi bileta, që bashkë me gruan të vinin e ta shihnin përsëri. Një rektor i Kishës Anglikane ka ardhur disa herë për DRAMËN dhe . . . ka sjellë shumë miq të tij për ta parë. Të pranishëm kanë qenë edhe dy peshkopë, si dhe disa titullarë.»
1 dhjetor: «Unë dhe gruaja ime falënderojmë me të vërtetë Atin tonë Qiellor për bekimin e madh dhe të paçmueshëm, që ka ardhur te ne nëpërmjet jush. Ishte FOTODRAMA juaj e bukur shkaku që ne kuptuam dhe pranuam të vërtetën . . . Kemi gjashtë vëllimet tuaja të STUDIME MBI SHKRIMET. Ato janë një ndihmesë e madhe.»
Përgjigje ndaj sprovave të atëhershme
16. Pse 1914-a solli një sprovë besimi?
16 Por ç’ndodhi kur të krishterë të tillë të sinqertë dhe të devotshëm panë se pritja e tyre për t’u bashkuar me Zotërinë në vitin 1914, nuk u realizua? Ata të mirosur kaluan një periudhë jashtëzakonisht sprovuese. Kulla e Rojës e 1 nëntorit 1914, deklaronte: «Të mos harrojmë se jemi në një periudhë sprove.» Në lidhje me këtë, libri Dëshmitarët e Jehovait—Lajmëtarë të Mbretërisë së Perëndisë (1993) pohon: «Vitet nga 1914-a deri më 1918, dolën me të vërtetë ‘një periudhë sprove’ për Studentët e Biblës.» A do të lejonin që besimi i tyre të rafinohej dhe mënyra e tyre e të menduarit të ndreqej, që të mund të ndërmerrnin veprën e madhe që i priste?
17. Si reaguan të mirosurit besimplotë ndaj faktit që pas 1914-s mbetën në tokë?
17 Kulla e Rojës e 1 shtatorit 1916 thoshte: «Ne mendonim se vepra Korrëse e grumbullimit të Kishës [të mirosurve] do të kryhej përpara mbarimit të Kohëve të Johebrenjve, por asgjë në Bibël nuk e thotë një gjë të tillë. . . . A na vjen keq që vepra Korrëse vazhdon? . . . Qëndrimi ynë i tanishëm, vëllezër të dashur, duhet të jetë një qëndrim mirënjohjeje të madhe ndaj Perëndisë, çmueshmërie në rritje për të Vërtetën e bukur, të cilën ai na ka dhënë privilegjin ta kuptojmë dhe të identifikohemi me të, si dhe zelli në rritje, për të dhënë ndihmën tonë që kjo e Vërtetë të njihet edhe nga të tjerët.» Besimi i tyre u vu nën sprovë, por megjithatë ata u ballafaquan me këtë sprovë dhe e përballuan me sukses. Por ne të krishterët duhet të jemi të vetëdijshëm se sprovat e besimit mund të jenë të shumta dhe të ndryshme.
18, 19. Cilat sprova të tjera të besimit pasuan për popullin e Perëndisë pak pas vdekjes së vëllait Russell?
18 Për shembull, një lloj tjetër sprove ra mbi mbetjen pak pas vdekjes së vëllait Charles T. Russell. Kjo qe një sprovë e besnikërisë dhe e besimit të tyre. Kush ishte ‘skllavi i besueshëm’ në Mateun 24:45? Disa mendonin se ky ishte vetë vëllai Russell dhe refuzuan prerazi të bashkëpunonin me rregullimet e reja organizative. Nëse skllavi kishte qenë ai, çfarë do të bënin vëllezërit tani që ai kishte vdekur? A duhej të ndiqnin ndonjë individ të sapoemëruar apo tani ishte koha për të pranuar se Jehovai po përdorte jo thjesht një person, por një grup të tërë të krishterësh, si një instrument ose klasë skllavi?
19 Një sprovë tjetër ra mbi të krishterët e vërtetë në vitin 1918, kur autoritetet botërore, të shtyra nga kleri i të ashtuquajturit krishterim, ‘kurdisën poshtërsi me anë të ligjit’ kundër organizatës së Jehovait. (Psalmi 94:20, KJ) Një valë persekutimi të dhunshëm u lëshua kundër Studentëve të Biblës, si në Amerikën Veriore, ashtu dhe në Evropë. Kundërshtimi i nxitur nga kleri arriti kulmin më 7 maj 1918, kur nga policia federale e SHBA-së dolën urdhëresa për arrestimin e J. F. Rutherford dhe të disa prej bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë, përfshirë edhe A. H. Mekmillën. U bënë akuza të rreme për nxitje kryengritjesh dhe autoritetet shpërfillën kërkesat e tyre për pafajësi.
20, 21. Siç u paratha në Malakinë 3:1-3, cila vepër ishte kryer mes të mirosurve?
20 Megjithëse në atë kohë nuk njihej si e tillë, ishte duke u bërë një vepër pastrimi, siç përshkruhet në Malakinë 3:1-3: «Kush do ta durojë ditën e ardhjes së tij dhe kush do të jetë ai që do të qëndrojë në këmbë kur të shfaqet ai? Sepse [lajmëtari i besëlidhjes] do të jetë si zjarri i rafinuesit dhe si finja e rrobalarësit. Ai duhet të ulet si një rafinues dhe pastrues argjendi dhe duhet të pastrojë bijtë e Levit; duhet t’i kullojë si arin dhe argjendin dhe ata me siguri do të bëhen për Jehovain një popull, që paraqet një ofertë dhurate në drejtësi.»
21 Ndërsa afrohej Lufta I Botërore, disa Studentë të Biblës hasën një sprovë tjetër besimi: nëse do të mbanin apo jo asnjanësinë strikte në lidhje me çështjet ushtarake të botës. (Gjoni 17:16; 18:36) Disa nuk e mbajtën. Kështu që, në vitin 1918, Jehovai dërgoi «lajmëtarin e besëlidhjes», Krishtin Jezu, në rregullimin e tempullit të Tij frymor, për të pastruar nga njollat e botës grupin e vogël të adhuruesve të tij. Ata që morën përsipër të shfaqnin besim të vërtetë, mësuan nga ajo përvojë dhe ecën përpara, duke vazhduar me zell predikimin.
22. Në lidhje me sprovat e besimit, çfarë mbetet për t’u shqyrtuar?
22 Kjo që shqyrtuam nuk është thjesht diçka me interes historik kalimtar. Ajo lidhet drejtpërdrejt me gjendjen e tanishme frymore të kongregacionit mbarëbotëror të Dëshmitarëve të Jehovait. Por në artikullin vijues, le të shqyrtojmë disa prej sprovave të besimit që has sot populli i Perëndisë dhe të shohim se si mund t’i kapërcejmë me sukses ato.
A të kujtohet?
◻ Pse populli i Jehovait duhet të presë që besimi i tij të sprovohet?
◻ Cilat lloj përpjekjesh për të përhapur mesazhin e Perëndisë po bëheshin përpara vitit 1914?
◻ Çfarë ishte «Fotodrama» dhe çfarë rezultatesh pati ajo?
◻ Si shërbyen ngjarjet e periudhës 1914-1918 për të sprovuar të mirosurit?
[Figura në faqen 12]
Nga fundi i shekullit të 19-të dhe fillimi i shekullit të 20-të, në shumë vende njerëzit po studionin Biblën me ndihmën e serisë «Agimi i Mijëvjeçarit», që më vonë u quajt «Studime mbi Shkrimet»
[Figura në faqen 13]
Një letër nga C. T. Russell me disa fjalë hapëse për një disk, në të cilin ai thoshte: «‘Fotodrama e Krijimit’ prezantohet nga IBSA [Shoqata e Studentëve Ndërkombëtarë të Biblës]. Qëllimi i saj është mësimi publik nëpërmjet linjave fetare-shkencore dhe në mbrojtje të Biblës»
[Figura në faqen 15]
Demetrius Papageorge udhëtoi duke shfaqur «Fotodramën e Krijimit». Më vonë, ai u burgos për shkak të asnjanësisë së tij të krishterë