Lavdëroni gjithmonë Jehovain
1 Ekzistojnë pak veprimtari që janë aq të rëndësishme sa të meritojnë gjithmonë vëmendjen tonë. Midis tyre ne përfshijmë ngrënien, frymëmarrjen dhe gjumin. Nëse duam të mbajmë veten fizikisht, këto janë thelbësore. Apostulli Pavël e vuri predikimin e lajmit të mirë në një kategori të njëjtë kur nxiti: «Le t’i ofrojmë vazhdimisht [gjithmonë, BR] Perëndisë një flijim lavdie.» (Hebr. 13:15) Kështu, edhe lavdërimi i Jehovait meriton vëmendjen tonë të vazhdueshme. Është diçka që ne duhet të përpiqemi ta bëjmë çdo ditë, duke lavdëruar gjithmonë Atin tonë qiellor.
2 Kur të tjerë u përpoqën t’ia përqendronin vëmendjen Jezuit në një vend tjetër, ai u përgjigj: «Më duhet të shpall lajmin e mirë të mbretërisë së Perëndisë.» (Luka 4:43) Gjatë shërbimit të tij prej tre vjet e gjysmë, gjithçka që ai bëri çdo ditë ishte në ndonjë mënyrë e lidhur drejtpërdrejtë me lavdërimin e Perëndisë. Ne e dimë se Pavli ndihej kështu, duke parë mendimin që shprehu në 1. Korintasve 9:16: «Mjerë unë, po nuk predikova ungjillin!» Të krishterë të tjerë besnikë ishin të inkurajuar për të qenë gjithmonë gati për të mbrojtur shpresën e tyre ndër të tjerët. (1. Pjetr. 3:15) Sot qindra mijëra pionierë të zellshëm dhe miliona lajmëtarë kongregacioni përpiqen të imitojnë shembuj të tillë të shkëlqyer.
3 Kur meditojmë mbi zellin e sinqertë të treguar nga Jezu Krishti, Shembulli ynë, jemi të nxitur të ndjekim nga afër hapat e tij. (1. Pjetr. 2:21) Disa herë mund të shkurajohemi kur ballafaqohemi me problemet e përditshme. Si mund të shfrytëzojmë çdo ditë raste për të lavdëruar Jehovain kur kemi një punë të plotë kohore? Ne nuk mund të braktisim detyrimet familjare që kërkojnë shumë nga koha jonë. Shumë të rinj janë të zënë çdo ditë me shkollimin e nevojshëm. Disa mendojnë se nuk është e mundur të lavdërojnë Jehovain publikisht çdo ditë. Herë pas here disa mund të lënë që të kalojë një muaj i tërë pa përhapur në ndonjë mënyrë lajmin e mirë.
4 Jeremia ishte një i cili nuk mund të mos fliste mbi lajmin e mirë. Kur ai për pak kohë nuk foli në emër të Jehovait, ndjeu një zjarr të padurueshëm ta digjte nga brenda. (Jer. 20:9) Përballë asaj që dukej se ishte një vështirësi tepër e madhe, Jeremia gjeti gjithmonë ndonjë mënyrë për t’ia dhënë mesazhin e Jehovait të tjerëve. A mund ta imitojmë ne shembullin e tij të guximit dhe të vazhdojmë në kërkim të rasteve për të lavdëruar Jehovain çdo ditë?
5 Të folurit tonë mbi Jehovain nuk duhet të jetë i kufizuar vetëm në dëshminë formale, në kohën e paracaktuar për të dëshmuar me të tjerët në territorin e kongregacionit. Gjithçka që na nevojitet është që dikush të na dëgjojë. Ne takojmë njerëz çdo ditë—ata vijnë në shtëpinë tonë, punojmë me ta në punë, qëndrojmë në radhë në dyqan ose udhëtojmë me autobus me ta. E gjithë kjo përfshin një përshëndetje miqësore dhe një pyetje që të nxit për të menduar apo një shprehje për të filluar bisedën. Shumë kanë vërejtur se kjo është forma më produktive e dëshmisë. Kur kemi shumë raste për t’u folur të tjerëve mbi lajmin e mirë, do të jetë e papërfytyrueshme për ne të kalojmë një muaj të tërë pa dhënë një dëshmi mbi Mbretërinë.
6 Privilegji për të lavdëruar Jehovain nuk do të përfundojë kurrë. Siç tregoi psalmisti, çdo gjë e gjallë duhet të lavdërojë Jehovain dhe sigurisht ne duam të jemi të përfshirë në të. (Psal. 150:6) Nëse zemra jonë na nxit për të bërë gjithmonë kështu, do të shfrytëzojmë raste çdo ditë për të folur mbi Jehovain dhe Fjalën e tij.