«Bërës të fjalës» me gëzim
«Pranoni me butësi fjalën e mbjellë në ju, e cila mund të shpëtojë shpirtrat tuaj. Dhe bëhuni bërës të fjalës dhe jo vetëm dëgjues.»—JAKOVIT 1:21, 22.
1. Si duhet konsideruar teksti ynë vjetor për 1996-ën?
«BËHUNI BËRËS TË FJALËS.» Ky pohim i thjeshtë mban një mesazh të fuqishëm. Ai është marrë nga «Letra e Jakovit» në Bibël dhe do të shfaqet nëpër Sallat e Mbretërisë si tekst i vitit për Dëshmitarët e Jehovait gjatë gjithë vitit 1996.
2, 3. Përse ishte e përshtatshme që Jakovi duhej të shkruante letrën që mban emrin e tij?
2 Jakovi, një gjysmëvëlla i Zotërisë Jezu, ishte me pozitë në kongregacionin e hershëm të krishterë. Në një rast pas ringjalljes së Jezuit, Zotëria ynë iu shfaq personalisht Jakovit e pastaj gjithë apostujve. (1. Korintasve 15:7) Më vonë, kur apostulli Pjetër u lirua nga burgu, i tha një grupi të krishterësh: «Ua tregoni këto Jakobit dhe vëllezërve!» (Veprat 12:17) Duket se Jakovi, edhe pse nuk ishte një apostull, kryesonte mbledhjen e trupit udhëheqës në Jeruzalem, kur apostujt dhe pleqtë vendosën se paganët e kthyer s’kishin nevojë të rrethpriteshin. Jakovi paraqiti çështjen dhe vendimi i konfirmuar nga fryma e shenjtë iu dërgua të gjitha kongregacioneve.—Veprat 15:1-29.
3 Natyrisht, arsyetimi i pjekur i Jakovit luajti një rol të madh. Megjithatë, ai me përulësi pranoi se ishte thjesht «shërbëtor i Perëndisë dhe i Zotit Jezu Krisht». (Jakovit 1:1) Letra e tij e frymëzuar përmban një thesar me këshilla të shëndetshme dhe inkurajim për të krishterët e sotëm. Ajo u përfundua rreth katër vjet përpara sulmit të parë romak mbi Jeruzalemin, nga ana e gjeneralit Cest Galit, pasi lajmi i mirë ishte ‘predikuar për çdo krijesë që është nën qiell’. (Kolosianëve 1:23) Ato ishin kohë kritike dhe shërbëtorët e Jehovait ishin plotësisht të vetëdijshëm se gjykimi i Tij do të ekzekutohej së shpejti mbi kombin hebre.
4. Nga duket se të krishterët e hershëm kishin besim të madh në Fjalën e Perëndisë?
4 Ata të krishterë kishin tashmë të gjitha Shkrimet Hebreje dhe shumë nga Shkrimet Greke. Siç tregojnë referimet e shumta që u bëjnë shkrimeve më të hershme, shkrimtarët e krishterë të Biblës dukej se kishin besim të madh në Fjalën e Perëndisë. Në mënyrë të ngjashme, ne sot duhet të studiojmë Fjalën e Perëndisë me seriozitet dhe ta zbatojmë atë në jetën tonë. Për të qëndruar, kemi nevojë për forcën frymore dhe guximin që sigurojnë Shkrimet e Shenjta.—Psalmi 119:97; 1. Timoteut 4:13.
5. Përse sot kemi nevojë për drejtim të veçantë dhe ku do ta gjejmë atë?
5 Sot, njerëzimi është në prag të një mjerimi «aq të madh, sa nuk ka ndodhur kurrë që nga krijimi i botës e deri më sot dhe as nuk do të ketë më kurrë». (Mateu 24:21) Mbijetesa jonë varet nëse kemi drejtimin hyjnor. Si mund ta gjejmë atë? Duke i hapur zemrat për mësimet e Fjalës së frymëzuar nga fryma e Perëndisë. Kjo do të na drejtojë ‘të bëhemi bërës të fjalës’, si edhe shërbëtorët besnikë të Jehovait në kohët e mëparshme. Duhet ta lexojmë e ta studiojmë me zell Fjalën e Perëndisë dhe ta përdorim në lavdi të Jehovait.—2. Timoteut 2:15; 3:16, 17.
Qëndrueshmëri me gëzim
6. Përse duhet të gjejmë gëzim kur hasim vështirësi?
6 Në hapje të letrës së tij, Jakovi përmend gëzimin, frytin e dytë të frymës së Perëndisë. Ai shkruan: «Ta konsideroni një gëzim të madh, o vëllezër të mi, kur ndodheni përballë sprovash nga më të ndryshmet, duke e ditur se sprova e besimit tua sjell qëndrueshmëri. Dhe qëndrueshmëria të kryejë në ju një vepër të përsosur, që ju të jeni të përsosur dhe të plotë, pa asnjë të metë.» (Jakovit 1:2-4; Galatasve 5:22, 23) Si mund të themi që ka «gëzim të madh» kur hasim shumë sprova? E pra, vetë Jezui tha në Predikimin e tij në Mal: «Lum ju kur do t’ju shajnë dhe do t’ju përndjekin dhe duke gënjyer, do të thonë të gjitha të zezat kundër jush, për shkakun tim. Gëzohuni dhe ngazëllohuni, sepse shpërblimi juaj është i madh në qiej.» (Mateu 5:11, 12) Ç’kënaqësi të madhe provojmë, duke parë bekimin e Jehovait mbi përpjekjet tona, ndërsa nxitojmë drejt synimit të jetës së përhershme.—Gjoni 17:3; 2. Timoteut 4:7, 8; Hebrenjve 11:8-10, 26, 35.
7. (a) Si mund të ndihmohemi për të duruar? (b) Si mund të shpërblehemi, si edhe Jobi?
7 Vetë Jezui duroi «për gëzimin që ishte përpara tij». (Hebrenjve 12:1, 2) Duke parë me kujdes shembullin e guximshëm të Jezuit, edhe ne mund të qëndrojmë! Siç përmend edhe Jakovi aty nga fundi i letrës së tij, Jehovai i shpërblen me bollëk ata që mbajnë integritetin. «Ja, ne shpallim të lum ata që duruan,—thotë Jakovi.—Ju keni dëgjuar për durimin e Jobit dhe e keni parë fatin përfundimtar që Zoti i rezervoi, sepse Zoti është plot mëshirë e dhembshuri.» (Jakovit 5:11) Kujto se si u shpërblye integriteti i Jobit, kur iu kthye shëndeti i mirë dhe një jetë plot gëzim e lumturi me të dashurit e tij. Qëndrueshmëria në integritet mund të të sjellë edhe ty gëzim të ngjashëm në Parajsën e premtuar të botës së re të Perëndisë, i cili do të jetë kulmi i gëzimit që i shërben Jehovait qysh tani.
Të kërkojmë mençuri
8. Si mund të gjejmë mençuri të vërtetë praktike dhe ç’rol luan lutja në këtë mes?
8 Studimi ynë i zellshëm i Fjalës së Perëndisë, bashkë me zbatimin e saj praktik, do të sjellë si rezultat mençuri hyjnore, e cila do të na bëjë të mundur të durojmë sprovat në sistemin e korruptuar të Satanait që po vdes. Si mund të sigurohemi në gjetjen e kësaj mençurie? Jakovi na thotë: «Në qoftë se ndonjërit nga ju i mungon urtia, le të kërkojë nga Perëndia, që u jep të gjithëve pa kursim, pa qortuar dhe atij do t’i jepet. Por le ta kërkojë me besim, pa dyshuar, sepse ai që dyshon i ngjan valës së detit, të cilën e ngre dhe e përplas era.» (Jakovit 1:5, 6) Duhet të lutemi seriozisht, me besim të patundur se Jehovai do t’i dëgjojë kërkesat tona e do t’u përgjigjet atyre, në kohën dhe mënyrën e caktuar prej tij.
9. Si e përshkruan Jakovi mençurinë hyjnore dhe zbatimin e saj?
9 Mençuria hyjnore është një dhuratë nga Jehovai. Duke përshkruar dhurata të tilla, Jakovi thotë: «Çdo gjë e mirë që na jepet dhe çdo dhuratë e përsosur vjen prej së larti dhe zbret nga Ati i dritave, pranë të cilit nuk ka ndërrim dhe as hije ndryshimi.» Më vonë në letrën e tij, Jakovi shpjegon rezultatin e marrjes së mençurisë së vërtetë, kur thotë: «Kush është ndër ju i urtë dhe i ditur? Le të tregojë me sjellje të bukur veprat e tij me zemërbutësi të urtësisë. . . . Dituria që vjen nga lart, më së pari është e pastër, pastaj pajtuese, e butë, e bindur, plot mëshirë dhe fryte të mira, e paanshme dhe jo hipokrite.»—Jakovit 1:17; 3:13-17.
10. Si ndryshojnë fetë e rreme nga ajo e vërtetë?
10 Në perandorinë botërore të fesë së rreme, qoftë në të ashtuquajturin krishterim apo edhe në vende të tjera, shpesh është zakon që adhuruesit të këndojnë disa himne, të dëgjojnë lutje të përsëritura e ndoshta edhe ndonjë fjalim. Nuk jepet asnjë inkurajim për shpalljen e ndonjë mesazhi shprese, pasi shumica e feve nuk sheh asnjë perspektivë të ndritur për të ardhmen. Shpresa e lavdishme e Mbretërisë Mesianike të Perëndisë ose nuk përmendet kurrë, ose keqkuptohet plotësisht. Në mënyrë profetike, Jehovai thotë për anëtarët e të ashtuquajturit krishterim: «Sepse populli im ka kryer dy të këqija: më ka braktisur mua, burimin e ujit që rrjedh, për të hapur sterna, sterna të prishura, që nuk e mbajnë ujin.» (Jeremia 2:13) Ata nuk kanë ujin e së vërtetës. U mungon mençuria qiellore.
11, 12. (a) Si duhet të na nxitë mençuria hyjnore? (b) Në lidhje me çfarë na paralajmëron mençuria hyjnore?
11 Sa ndryshe është midis Dëshmitarëve të Jehovait sot! Me energjinë dinamike që u jep Perëndia, ata po e mbushin tokën me lajmin e mirë të Mbretërisë së Tij që po vjen. Mençuria me të cilën flasin ata bazohet fortësisht mbi Fjalën e Perëndisë. (Krahaso Proverbat 1:20; Isaia 40:29-31.) Në fakt, ata bëjnë një përdorim praktik të njohurisë dhe të kuptueshmërisë së vërtetë në shpalljen e qëllimeve të mëdha të Perëndisë dhe Krijuesit tonë. Dëshira jonë duhet të jetë që të gjithë në kongregacion ‘të mbushen me njohjen e vullnetit të tij [Perëndisë], me çdo urtësi dhe mençuri frymore’. (Kolosianëve 1:9) Duke pasur një bazë të tillë, të rinj e të vjetër do të jenë gjithmonë të nxitur që ‘të bëhen bërës të fjalës’.
12 ‘Mençuria nga lart’ na paralajmëron mbi mëkatet që mund të sjellin mosmiratimin hyjnor. «Prandaj, vëllezërit e mi shumë të dashur,—thotë Jakovi,—çdo njeri të jetë i shpejtë në të dëgjuar, i ngadalshëm në të folur dhe i ngadalshëm në zemërim, sepse zemërimi i njeriut nuk kryen drejtësinë e Perëndisë.» Po, duhet të jemi të shpejtë, të etur për të dëgjuar këshillën hyjnore dhe për ta zbatuar atë. Megjithatë, duhet të bëjmë kujdes që të mos keqpërdorim atë ‘gjymtyrë të vogël’, gjuhën. Me anë të mburrjeve, thashethemeve jo të mençura apo fjalimeve që nxjerrin në pah veten, në mënyrë figurative gjuha mund t’i vërë flakën një ‘pylli të madh’. Prandaj, kemi nevojë të kultivojmë pëlqyeshmëri dhe vetëkontroll në gjithë shoqërinë tonë.—Jakovit 1:19, 20; 3:5.
13. Përse është e rëndësishme të pranojmë «mbjelljen e fjalës»?
13 «Prandaj,—shkruan Jakovi,—hiqni çdo ndyrësi dhe mbeturinë ligësie, pranoni me butësi fjalën e mbjellë në ju, e cila mund të shpëtojë shpirtrat tuaj.» (Jakovit 1:21) Kjo botë lakmitare e materialiste, me stilin e jetesës ku bie në sy mentaliteti «unë i pari» dhe me moralin e saj të degjeneruar, është gati për të kaluar. «Por ai që bën vullnetin e Perëndisë mbetet përjetë.» (1. Gjonit 2:15-17) Sa e rëndësishme është, pra, të pranojmë ‘mbjelljen e fjalës’! Mençuria që siguron Fjala e Perëndisë është në kontrast të hapur me ligësinë e kësaj bote që po jep shpirt. Ne s’duam asgjë nga kjo ligësi. (1. Pjetrit 2:1, 2) Duhet të kemi dashuri për të vërtetën dhe besim të fortë të mbjellë në zemrat tona, në mënyrë që të jemi të vendosur që asnjëherë të mos shmangemi nga rrugët e drejta të Jehovait. Por, a mjafton të dëgjojmë Fjalën e Perëndisë?
Të bëhemi «bërës të fjalës»
14. Si mund të bëhemi «dëgjues» dhe «bërës» të Fjalës?
14 Në Jakovin 1:22 lexojmë: «Dhe bëhuni bërës të fjalës dhe jo vetëm dëgjues, që gënjejnë vetveten.» «Bëhuni bërës të fjalës!» Sigurisht që kjo është tema që nënvizon letra e Jakovit. Duhet të dëgjojmë e pastaj të bëjmë «pikërisht ashtu»! (Zanafilla 6:22) Shumë njerëz sot pohojnë se mjafton të dëgjojmë ndonjë predikim apo të marrim pjesë me raste në ndonjë adhurim formal, por asgjë më shumë. Ata mund të mendojnë se për sa kohë që bëjnë një ‘jetë të mirë’ sipas normave të tyre, kjo do të mjaftojë. Por Jezu Krishti pohoi: «Nëse dikush dëshiron të vijë pas meje, le të mohojë vetveten, të marrë shtyllën e tij të mundimeve dhe të më ndjekë vazhdimisht.» (Mateu 16:24, BR) Veprat vetëflijuese dhe qëndrueshmëria në ndjekjen e shembullit të Jezuit në kryerjen e vullnetit të Perëndisë, janë natyrisht kërkesa për të krishterët e vërtetë. Për ta, vullneti i Perëndisë sot është po ai që ishte në shekullin e parë, kur Jezui i ringjallur urdhëroi: «Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt.» (Mateu 28:19) Çfarë je duke bërë ti në këtë drejtim?
15. (a) Çfarë ilustrimi jep Jakovi, duke treguar se si mund të bëhemi të lumtur si «bërës të fjalës»? (b) Përse adhurimi i thjeshtë formal nuk mjafton?
15 Nëse vazhdojmë të shihemi në Fjalën e Perëndisë, ajo mund të bëhet si një pasqyrë që do të na tregojë tamam atë lloj njeriu që ne jemi. Jakovi thotë: «Ai që do të shikojë me vëmendje ligjin e përsosur, i cili është ligji i lirisë dhe ngulmon në të, duke mos qenë një dëgjues harraq, por një bërës i veprës, ai do të jetë i lumtur në veprimtarinë e vet.» (Jakovit 1:23-25) Po, ai do të jetë një ‘bërës i fjalës’ i lumtur. Për më tepër, është e rëndësishme të jesh një «bërës» në çdo hollësi të jetës sonë të krishterë. Kurrë nuk duhet të mashtrojmë veten, duke menduar se mjafton vetëm adhurimi i thjeshtë formal. Jakovi na këshillon të vërejmë disa aspekte të adhurimit të vërtetë që edhe të krishterë të zellshëm mund t’i kenë lënë pas dore. Ai shkruan: «Feja e pastër dhe pa njollë përpara Perëndisë dhe Atit është kjo: të vizitosh jetimët dhe të vejat në pikëllimet e tyre, ta ruash veten të pastër nga bota.»—Jakovit 1:27.
16. Në ç’mënyrë Abrahami u bë «miku i Jehovait» dhe si mund ta fitojmë ne miqësinë e Tij?
16 Nuk mjafton vetëm të thuash besoj në Perëndinë e ta lësh me aq. Siç vëren Jakovit 2:19: «Ti beson se ka vetëm një Perëndi. Mirë bën; edhe demonët besojnë dhe dridhen.» Jakovi thekson se «besimi, në qoftë se s’ka vepra, është i vdekur në vetvete». Pastaj i referohet Abrahamit, duke thënë: «Besimi vepronte bashkë me veprat e tij dhe se nëpërmjet veprave, besimi u përsos.» (Jakovit 2:17, 20-22) Veprat e Abrahamit përfshinin sigurimin e ndihmës për të afërmit e tij, shfaqjen e mikpritjes, përgatitjen për flijimin e Isakut dhe ‘shpalljen publike’ të besimit të patundur në premtimin e Perëndisë për «qytetin me themele të vërteta», Mbretërinë e ardhshme mesianike. (Zanafilla 14:16; 18:1-5; 22:1-18; Hebrenjve 11:8-10, 13, 14; 13:2) Me të drejtë, Abrahami «u quajt miku i Perëndisë». (Jakovit 2:23) Edhe ne mund të llogaritemi si ‘miq të Jehovait’, ndërsa shpallim aktivisht besimin dhe shpresën tonë në Mbretërinë e tij të drejtësisë që po vjen.
17. (a) Përse Rahaba «u deklarua e drejtë» dhe si u shpërblye? (b) Cilën listë të gjatë na jep Bibla me ata që ‘u bënë bërës të fjalës’? (c) Si u shpërblye Jobi dhe pse?
17 Ata që ‘bëhen bërës të fjalës’, në fakt janë «shpallur të drejtë nga veprat dhe jo vetëm nga besimi». (Jakovit 2:24, BR) Rahaba ishte një nga ata që i shtoi veprat besimit të saj në «fjalën» që kishte dëgjuar në lidhje me veprat e fuqishme të Jehovait. Ajo i fshehu spiunët izraelitë dhe i ndihmoi të iknin e pastaj mblodhi shtëpinë e atit të saj për t’i ruajtur. Sa do të gëzojë ajo në ringjallje, kur të mësojë se besimi i saj, i mbështetur nga veprat, bëri që ajo të jetë një paraardhëse e Mesisë! (Josiu 2:11; 6:25; Mateu 1:5) Kreu 11 i Hebrenjve jep një listë të gjatë me persona të tjerë që ‘u bënë bërës’ në shfaqjen e besimit të tyre dhe do të shpërblehen me bollëk. Nuk duhet të harrojmë as Jobin, i cili tha nën sprova të rënda: «Le të vazhdojë të jetë i bekuar emri i Jehovait.» Siç kemi vërejtur, besimi dhe veprat e tij sollën si rezultat një shpërblim të madh. (Jobi 1:21, BR; 31:6; 42:10; Jakovit 5:11) Në mënyrë të ngjashme, qëndrueshmëria jonë sot si «bërës të fjalës» do të sjellë një buzëqeshje miratimi nga ana e Jehovait.
18, 19. Në ç’mënyrë vëllezërit e shumëvuajtur u bënë «bërës të fjalës» dhe ç’bekime ka sjellë aktiviteti i tyre?
18 Mes atyre që kanë duruar shumë gjatë viteve, janë vëllezërit tanë në Evropën Lindore. Tani që shumë kufizime janë hequr, ata janë bërë vërtet «bërës të fjalës» në rrethanat e tyre të reja. Misionarë dhe pionierë nga vende të afërta kanë shkuar për të ndihmuar në mësim dhe në organizim. Dega e Finlandës dhe degë të tjera të afërta të Shoqatës Watch Tower kanë dërguar ndërtues me përvojë dhe vëllazëria ndërkombëtare me bujari ka financuar ndërtimin e zyrave të reja të degëve dhe të Sallave të Mbretërisë.—Krahaso 2. Korintasve 8:14, 15.
19 Me sa zell janë përgjigjur në shërbimin në fushë këta vëllezër të shumëvuajtur! Ata ‘po mundohen’ për të kompensuar, si të themi, mundësitë e pafavorshme që kishin gjatë «periudhave të vështira». (1. Timoteut 4:10; 2. Timoteut 4:2, BR) Për shembull, prillin që shkoi në Shqipëri, ku shtypja ka qenë shumë e egër, e gjithë sasia e fletushkave Lajmërimi i Mbretërisë me titull «Përse jeta është plot me probleme?», u shpërnda në vetëm tri ditë. Kjo gjë e mrekullueshme erdhi menjëherë pas Përkujtimit të vdekjes së Jezuit, ku morën pjesë 3.491 veta, shumë më tepër se 538 lajmëtarët e tyre aktivë.
20. Ç’tregon pjesëmarrja e këtij viti në Përkujtim dhe si mund të gjejnë ndihmë shumë veta?
20 Edhe vende të tjera kanë bërë një kontribut domethënës në pjesëmarrjen e këtij viti në Përkujtim, që vitet e findit është rritur në më se 10.000.000. Në shumë vende, me besimin të forcuar nga pjesëmarrja dhe ndjekja e Përkujtimit, të rinjtë ‘po bëhen bërës të fjalës’. A mund të inkurajojmë edhe më shumë nga këta të rinj që të kualifikohen për atë privilegj?
21. Në harmoni me tekstin tonë vjetor, ç’rrugë duhet të ndjekim dhe me ç’synim?
21 Si ata të krishterë të zellshëm në shekullin e parë dhe shumë të tjerë që nga ajo kohë, le të jemi të vendosur për t’u ushtruar në ‘rendjen drejt synimit’ të jetës së përhershme, qoftë në Mbretërinë qiellore apo në zotërimet e saj tokësore. (Filipianëve 3:12-14) Arritja e atij synimi meriton të gjitha përpjekjet tona. Kjo nuk është koha për të rënë përsëri në gjendjen e dëgjuesve të thjeshtë, por është koha e të gjitha kohëve, për ‘të qenë të fortë e për t’i hyrë punës’. (Hageu 2:4; Hebrenjve 6:11, 12) Pasi ‘kemi pritur mbjelljen e fjalës’, le ‘të bëhemi bërës të gëzuar të fjalës’ tani dhe në përjetësinë që po vjen.
Si do të përgjigjeshe?
◻ Si mund të qëndrojmë me gëzim?
◻ Çfarë është «mençuria nga lart» dhe si mund ta ndjekim atë?
◻ Përse duhet «të bëhemi bërës të fjalës dhe jo vetëm dëgjues»?
◻ Cilat raporte duhet të na nxisin që të bëhemi «bërës të fjalës»?
[Figura në faqen 17]
Le t’ia hapim edhe ne zemrat mësimit hyjnor
[Figura në faqen 18]
Integriteti i Jobit u shpërblye me një jetë të plotë e të lumtur me të dashurit e tij