A ke vërtet besim në lajmin e mirë?
«Mbretëria e Perëndisë është afruar. Pendohuni dhe kini besim në lajmin e mirë.»—MARKU 1:15.
1, 2. Si do ta shpjegoje Markun 1:14, 15?
ISHTE viti 30 i e.s. Jezu Krishti kishte nisur shërbimin e tij të jashtëzakonshëm në Galile. Ai po predikonte «lajmin e mirë të Perëndisë» dhe shumë galileas u nxitën nga fjalët e tij: «Koha e caktuar është përmbushur dhe mbretëria e Perëndisë është afruar. Pendohuni dhe kini besim në lajmin e mirë.»—Marku 1:14, 15.
2 Kishte ardhur «koha e caktuar» që Jezui të fillonte shërbimin dhe që njerëzit të merrnin një vendim që do të sillte miratimin e Perëndisë. (Luka 12:54-56) ‘Mbretëria e Perëndisë ishte afruar’, sepse Jezui ishte i pranishëm si Mbret i emëruar. Vepra e tij e predikimit i nxiti njerëzit me zemër të drejtë që të pendoheshin. Por, në ç’mënyrë treguan ata, dhe në ç’mënyrë tregojmë ne «besim në lajmin e mirë»?
3. Çfarë kanë bërë shumë njerëz për të treguar se kanë besim në lajmin e mirë?
3 Ashtu si Jezui, edhe apostulli Pjetër i nxiti njerëzit të pendoheshin. Duke iu drejtuar judenjve në Jerusalem në festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., Pjetri tha: «Pendohuni e secili nga ju le të pagëzohet në emrin e Jezu Krishtit për faljen e mëkateve tuaja dhe do të merrni dhuratën falas të frymës së shenjtë.» Mijëra të penduar u pagëzuan dhe u bënë ithtarë të Jezuit. (Veprat 2:38, 41; 4:4) Në vitin 36 të e.s., johebrenjtë e penduar vepruan në të njëjtën mënyrë. (Veprat 10:1-48) Në ditët tona, besimi në lajmin e mirë po nxit mijëra njerëz që të pendohen për mëkatet e tyre, t’i kushtohen Perëndisë dhe të pagëzohen. Ata kanë pranuar lajmin e mirë të shpëtimit dhe po ushtrojnë besim në flijimin shpërblerës të Jezuit. Për më tepër, po praktikojnë drejtësinë dhe kanë marrë qëndrim në anën e Mbretërisë së Perëndisë.
4. Çfarë është besimi?
4 Por, çfarë është besimi? Apostulli Pavël shkroi: «Besimi është pritja e sigurt e gjërave të shpresuara, dëshmia e dukshme e realiteteve, edhe pse nuk shihen.» (Hebrenjve 11:1) Besimi na bën të sigurt se gjithçka që Perëndia premton në Fjalën e tij është sikur të jetë kryer. Është si një dokument që provon se zotërojmë një pronë të caktuar. Gjithashtu, besimi është «dëshmia e dukshme» ose dëshmia bindëse për gjërat e papara. Perceptimi mendor dhe çmueshmëria nga zemra na bindin se këto gjëra janë reale, edhe pse nuk i kemi parë.—2 Korintasve 5:7; Efesianëve 1:18.
Kemi nevojë për besim
5. Pse është kaq i rëndësishëm besimi?
5 Ne kemi lindur me një nevojë frymore, por nuk kemi lindur me besim. Në fakt, «besimi nuk zotërohet nga të gjithë». (2 Selanikasve 3:2) Megjithatë, të krishterët duhet të kenë besim me qëllim që të trashëgojnë premtimet e Perëndisë. (Hebrenjve 6:12) Pasi përmendi shumë shembuj besimi, Pavli shkroi: «Meqenëse kemi një re kaq të madhe dëshmitarësh që na rrethon, le të flakim edhe ne çdo peshë dhe mëkatin në të cilin ngecim lehtësisht dhe le të vrapojmë me qëndrueshmëri në garën që na është vënë përpara, ndërsa e mbajmë shikimin të ngulur te Kryepërfaqësuesi dhe Përsosësi i besimit tonë, Jezui.» (Hebrenjve 12:1, 2) Cili është ‘mëkati në të cilin ngecim lehtësisht’? Ky mëkat është të mos kemi fare besim, madje edhe të kemi më pak besim, sesa kishim më parë. Që ta mbajmë besimin të fortë, duhet ‘ta mbajmë shikimin të ngulur te Jezui’ dhe të ndjekim shembullin e tij. Duhet të flakim edhe imoralitetin, të luftojmë veprat e mishit dhe të shmangim materializmin, filozofitë botërore e traditat jobiblike. (Galatasve 5:19-21; Kolosianëve 2:8; 1 Timoteut 6:9, 10; Judës 3, 4) Për më tepër, duhet të besojmë se Perëndia është me ne dhe se këshillat në Fjalën e tij janë vërtet të efektshme.
6, 7. Pse duhet të lutemi për besim?
6 Nuk mund ta krijojmë besimin brenda vetvetes me anë të forcës së vullnetit. Besimi është pjesë e fryteve të frymës së shenjtë ose të forcës aktive të Perëndisë. (Galatasve 5:22, 23) Atëherë, çfarë të bëjmë nëse besimi ynë duhet forcuar? Jezui tha: «Nëse ju . . . dini t’u jepni dhurata të mira fëmijëve tuaj, sa më shumë akoma Ati në qiell do t’u japë frymë të shenjtë atyre që ia kërkojnë!» (Luka 11:13) Po, le të lutemi për frymën e shenjtë, sepse ajo mund të krijojë te ne besimin që nevojitet për të bërë vullnetin e Perëndisë edhe nën rrethanat më sprovuese.—Efesianëve 3:20.
7 Duhet të lutemi për të pasur më shumë besim. Kur Jezui po bëhej gati të dëbonte një demon nga trupi i një djaloshi, babai i tij iu përgjërua: «Kam besim! Më ndihmo ku kam nevojë për besim!» (Marku 9:24) «Na jep më shumë besim»,—thanë dishepujt e Jezuit. (Luka 17:5) Prandaj, le të lutemi për besim, të sigurt se Perëndia u përgjigjet lutjeve të tilla.—1 Gjonit 5:14.
Besimi në Fjalën e Perëndisë është jetësor
8. Si mund të na ndihmojë besimi te Fjala e Perëndisë?
8 Pak para vdekjes së tij flijuese, Jezui u tha ithtarëve: «Mos e lini zemrën tuaj të trazohet. Ushtroni besim te Perëndia, ushtroni besim edhe tek unë.» (Gjoni 14:1) Si të krishterë, kemi besim te Perëndia dhe te Biri i tij. Por, a kemi edhe në Fjalën e Perëndisë? Ajo mund të ushtrojë një forcë të fuqishme në dobi të jetës sonë nëse e studiojmë dhe e zbatojmë me besim të plotë se ajo siguron këshillat dhe drejtimin më të mirë që mund të kemi.—Hebrenjve 4:12.
9, 10. Si do ta shpjegonit atë që thuhet për besimin te Jakovit 1:5-8?
9 Jeta jonë si njerëz të papërsosur është e mbushur me probleme. Gjithsesi, besimi te Fjala e Perëndisë mund të na ndihmojë vërtet. (Jobi 14:1) Për shembull, ta zëmë sikur nuk dimë si t’ia bëjmë me një sprovë të caktuar. Fjala e Perëndisë na jep këtë këshillë: «Nëse ndonjërit nga ju i mungon mençuria, le të vazhdojë t’ia kërkojë Perëndisë, sepse ai u jep të gjithëve bujarisht dhe pa i poshtëruar; e do t’i jepet. Por le të vazhdojë t’ia kërkojë me besim, pa dyshuar aspak, sepse ai që dyshon është si një dallgë deti e shtyrë nga era dhe e hedhur andej-këtej. Në fakt, ai njeri të mos pandehë se do të marrë ndonjë gjë nga Jehovai; ai është një njeri i pavendosur, i paqëndrueshëm në të gjitha udhët e tij.»—Jakovit 1:5-8.
10 Perëndia Jehova nuk do të na poshtërojë ngaqë na mungon mençuria dhe ngaqë po lutemi për të. Përkundrazi, ai do të na ndihmojë që ta shohim sprovën siç duhet. Mund të na vijnë në mendje shkrime të dobishme, kur flasim me bashkëbesimtarët ose kur jemi duke studiuar Biblën. Ose mund të udhëhiqemi nga fryma e shenjtë e Jehovait në ndonjë mënyrë tjetër. Ati ynë qiellor do të na japë mençuri për të përballuar sprovat, në qoftë se ‘vazhdojmë t’ia kërkojmë me besim, pa dyshuar aspak’. Nëse do të ishim si një dallgë deti e shtyrë nga era, nuk mund të pritnim të merrnim ndonjë gjë nga Perëndia. Përse? Sepse kjo do të thoshte se jemi të pavendosur dhe të paqëndrueshëm në lutje ose në çdo gjë tjetër, po, madje edhe në besim. Prandaj duhet të kemi besim të patundur te Fjala e Perëndisë dhe tek udhëheqja që na siguron ajo. Le të shqyrtojmë disa shembuj se në ç’mënyrë na ndihmon dhe na drejton ajo.
Besimi dhe mjetet e jetesës
11. Çfarë sigurie lidhur me nevojat e përditshme na jep besimi te Fjala e Perëndisë?
11 Ç’të bëjmë në rast se na mungojnë mjetet e domosdoshme të jetesës ose po vuajmë nga varfëria? Besimi te Fjala e Perëndisë na bën të presim me siguri se Jehovai do të kujdeset për nevojat tona të përditshme dhe në botën e re do t’u japë me bollëk gjërat e nevojshme të gjithëve atyre që e duan. (Psalmi 72:16; Luka 11:2, 3) Mund të jetë inkurajuese të meditojmë se si Jehovai siguroi ushqim për profetin Elija gjatë një zie buke. Më vonë, në mënyrë të mrekullueshme Perëndia siguroi miell dhe vaj që mbajtën gjallë një grua, djalin e saj dhe Elijan. (1 Mbretërve 17:2-16) Ngjashëm Jehovai u kujdes për nevojat e profetit Jeremia gjatë rrethimit të Jerusalemit nga babilonasit. (Jeremia 37:21) Ndonëse Jeremia dhe Elija kishin pak për të ngrënë, Jehovai u kujdes për ta. Po kështu vepron ai sot me ata që ushtrojnë besim tek ai.—Mateu 6:11, 25-34.
12. Si do të na ndihmojë besimi që të kemi për të ngrënë?
12 Besimi i shoqëruar edhe me zbatimin e parimeve biblike nuk do të na bëjë të pasur nga ana materiale, por do të na ndihmojë të kemi për të ngrënë. Le të bëjmë një shembull: Bibla na këshillon të jemi individë të ndershëm, të aftë e të palodhur. (Fjalët e urta [Proverbat] 22:29; Predikuesi [Eklisiastiu] 5:18, 19; 2 Korintasve 8:21) Kurrë nuk duhet ta nënvlerësojmë se sa e vlefshme është të kemi një emër të mirë si njerëz punëtorë. Edhe në vendet ku punët me rrogë të mirë janë të rralla, njerëzit punëtorë, të ndershëm, të zotë e të palodhur, ia kalojnë më mirë se të tjerët. Megjithëse këta njerëz punëtorë mund të kenë pak nga ana materiale, zakonisht ata kanë mjetet bazë të jetesës, si dhe kënaqësinë që të hanë bukën që fitojnë vetë.—2 Selanikasve 3:11, 12.
Besimi na ndihmon të qëndrojmë në hidhërime
13, 14. Si na ndihmon besimi të qëndrojmë në hidhërime?
13 Fjala e Perëndisë në mënyrë realiste tregon se është e natyrshme të provojmë hidhërim kur vdes një njeri i dashur. Patriarku besnik Abrahami vajtoi për vdekjen e gruas së tij të dashur, Sarës. (Zanafilla 23:2) Davidin e pushtoi hidhërimi kur dëgjoi se biri i tij Absalomi kishte vdekur. (2 Samuelit 18:33) Madje njeriu i përsosur Jezui qau për vdekjen e mikut të tij, Lazarit. (Gjoni 11:35, 36) Kur na vdes një njeri i dashur, mund të provojmë brengë pothuajse mbytëse, por besimi te premtimet e Fjalës së Perëndisë mund të na ndihmojë të qëndrojmë në këto hidhërime.
14 Pavli tha: ‘Kam shpresë te Perëndia se do të ketë një ringjallje të të drejtëve dhe të të padrejtëve.’ (Veprat 24:15) Duhet të kemi besim te masa e Perëndisë për të ringjallur një numër të madh njerëzish. (Gjoni 5:28, 29) Midis tyre do të jenë Abrahami dhe Sara, Isaku dhe Rebeka, Jakobi dhe Lea, të cilët tani që të gjithë flenë në gjumin e vdekjes dhe presin ringjalljen në botën e re të Perëndisë. (Zanafilla 49:29-32) Ç’gëzim do të jetë kur të dashurit tanë do të zgjohen nga gjumi i vdekjes dhe do të jetojnë këtu në tokë! (Zbulesa 20:11-15) Ndërkohë, besimi nuk do të na heqë të gjithë brengën, por ai do të na mbajë pranë Perëndisë, i cili na ndihmon të qëndrojmë në kohë zie.—Psalmi 121:1-3; 2 Korintasve 1:3.
Besimi forcon të dëshpëruarit
15, 16. (a) Pse mund të themi se dëshpërimi nuk është i pazakontë ndër ata që ushtrojnë besim? (b) Çfarë mund të bëhet për të përballuar dëshpërimin?
15 Gjithashtu, Fjala e Perëndisë tregon se edhe ata që ushtrojnë besim mund të bëhen viktima të dëshpërimit. Gjatë sprovës më të ashpër, Jobi mendonte se Perëndia e kishte braktisur. (Jobi 29:2-5) Gjendja e shkretuar e Jerusalemit dhe e mureve të tij e trishtoi Neheminë. (Nehemia 2:1-3) Pjetri ishte kaq i dërrmuar pasi kishte mohuar Jezuin, sa «qau me hidhërim». (Luka 22:62) Pavli i nxiti bashkëbesimtarët në kongregacionin e Selanikut ‘t’u flitnin në mënyrë ngushëlluese shpirtrave të ligështuar’. (1 Selanikasve 5:14) Si rrjedhim, ata që ushtrojnë besim sot mund të jenë të dëshpëruar, dhe kjo nuk është diçka e pazakontë. Çfarë mund të bëjmë atëherë për të përballuar dëshpërimin?
16 Mund të jemi të dëshpëruar ngaqë po hasim disa probleme serioze. Në vend që t’i shohim ato si një problem të vetëm shumë të madh, mund t’i zgjidhim një nga një duke zbatuar parimet biblike. Kjo mund të na ndihmojë të pakësojmë dëshpërimin. Edhe aktivitetet e ekuilibruara dhe pushimi i mjaftueshëm mund të jenë të dobishëm. Një gjë është e sigurt: besimi te Perëndia dhe te Fjala e tij nxit mirëqenien frymore, sepse na forcon bindjen që ai interesohet vërtet për ne.
17. Si e dimë që Jehovai interesohet për ne?
17 Pjetri na jep këtë siguri ngushëlluese: «Përuluni . . . nën dorën e fuqishme të Perëndisë, që ai t’ju lartësojë në kohën e duhur; ndërsa hidhni gjithë ankthin tuaj mbi të, sepse ai interesohet për ju.» (1 Pjetrit 5:6, 7) Psalmisti këndoi: «Zoti përkrah tërë ata që rrëzohen dhe ngre përsëri në këmbë tërë ata që janë rrëzuar.» (Psalmi 145:14) Duhet të besojmë në këtë siguri që na jepet, sepse gjendet në Fjalën e Perëndisë. Ndërkohë që dëshpërimi mund të vazhdojë, sa besimforcuese është të dimë se mund të hedhim gjithë ankthin mbi Atin tonë të dashur qiellor!
Besimi dhe sprovat e tjera
18, 19. Si na ndihmon besimi për të përballuar sëmundjet dhe për të ngushëlluar bashkëbesimtarët e sëmurë?
18 Mund të hasim një sprovë të madhe besimi kur ne ose njerëzit tanë të dashur vuajnë nga një sëmundje e rëndë. Megjithëse Bibla nuk flet për ndonjë shërim me anë të një mrekullie të të krishterëve, si Epafroditi, Timoteu dhe Trofimi, pa dyshim, Jehovai i ndihmoi ata të qëndronin. (Filipianëve 2:25-30; 1 Timoteut 5:23; 2 Timoteut 4:20) Për më tepër, përsa i përket ‘atij që kujdeset për të varfrin’ [të përvuajturin, BR]’, psalmisti këndoi: «Zoti do ta ndihmojë në shtratin e sëmundjes; gjatë sëmundjes së tij, o Zot, ti do ta transformosh plotësisht shtratin e tij.» (Psalmi 41:1-3) Si mund të na ndihmojnë fjalët e psalmistit që të ngushëllojmë bashkëbesimtarët e sëmurë?
19 Një mënyrë për t’u dhënë ndihmë frymore është duke u lutur me ta dhe për ata që janë të sëmurë. Ndërkohë që sot nuk i kërkojmë Perëndisë shërime të mrekullueshme, mund t’i kërkojmë atij t’u japë atyre forcë mendore për të duruar sëmundjen dhe forcën e nevojshme frymore për të qëndruar në këto periudha ku ndihen të dobët. Jehovai do t’i mbështetë ata dhe besimi i tyre do të përforcohet duke parë përpara drejt kohës kur «asnjë banor i qytetit nuk do të thotë: ‘Unë jam i sëmurë.’» (Isaia 33:24) Sa ngushëlluese është të dimë se nëpërmjet Jezu Krishtit të ringjallur dhe me anë të Mbretërisë së Perëndisë, njerëzit e bindur do të çlirohen përgjithmonë nga mëkati, sëmundjet dhe vdekja! Për këto perspektiva madhështore falënderojmë Jehovain, i cili ‘do t’i shërojë të gjitha sëmundjet tona’.—Psalmi 103:1-3; Zbulesa 21:1-5.
20. Pse mund të thuhet se besimi mund të na mbajë gjatë ‘ditëve të këqija’ të moshës së thyer?
20 Besimi mund të na mbajë edhe gjatë ‘ditëve të këqija’ të moshës së thyer, kur shëndeti dhe fuqitë bien. (Predikuesi 12:1-7) Kështu, të moshuarit midis nesh mund të luten ashtu si psalmisti i moshuar, i cili këndoi: «Ti je shpresa ime, o Zot, o Zot . . . Mos më hidh poshtë në kohën e pleqërisë; mos më braktis kur forca ime po pakësohet.» (Psalmi 71:5, 9) Psalmisti e ndiente nevojën për mbështetjen e Jehovait, siç e ndiejnë shumë të bashkëkrishterë që i kanë shërbyer Jehovait për shumë vite dhe tani janë në moshë të thyer. Për shkak të besimit të tyre, ata mund të jenë të sigurt se kanë patjetër mbështetjen në krahët e përjetshëm të Jehovait.—Ligji i përtërirë 33:27.
Të ruajmë besimin te Fjala e Perëndisë
21, 22. Nëse kemi besim, si ndikon kjo në marrëdhënien tonë me Perëndinë?
21 Besimi në lajmin e mirë dhe në krejt Fjalën e Perëndisë na ndihmon t’i afrohemi më shumë Jehovait. (Jakovit 4:8) Vërtet që ai është Zotëria ynë Sovran, por është edhe Krijuesi dhe Ati ynë. (Isaia 64:8; Mateu 6:9; Veprat 4:24) Psalmisti këndoi: «Ti je Ati im, Perëndia im dhe Kështjella ime e shpëtimit.» (Psalmi 89:26) Nëse ushtrojmë besim te Jehovai dhe te Fjala e tij e frymëzuar, edhe ne mund ta shohim atë si ‘Kështjellën tonë të shpëtimit’. Çfarë privilegji që të ngroh zemrën!
22 Jehovai është Ati i të krishterëve të lindur nga fryma dhe i shokëve të tyre me shpresë tokësore. (Romakëve 8:15) Besimi tek Ati ynë qiellor kurrë nuk çon në zhgënjim. Davidi tha: «Edhe sikur babai im dhe nëna ime të më kishin braktisur, Zoti do të më pranonte.» (Psalmi 27:10) Për më tepër, kemi këtë siguri: «Jehovai nuk do ta braktisë popullin e vet për hir të emrit të tij të madh.»—1 Samuelit 12:22, BR.
23. Çfarë kërkohet që të gëzojmë një marrëdhënie të qëndrueshme me Jehovain?
23 Për të gëzuar një marrëdhënie të qëndrueshme me Jehovain, patjetër që duhet të kemi besim në lajmin e mirë dhe t’i pranojmë Shkrimet ashtu siç janë në të vërtetë, Fjala e Perëndisë. (1 Selanikasve 2:13) Duhet të kemi besim të plotë te Jehovai dhe të lejojmë që Fjala e tij të na ndriçojë udhën. (Psalmi 119:105; Fjalët e urta 3:5, 6) Besimi ynë do të rritet teksa i lutemi duke pasur siguri për dhembshurinë, mëshirën dhe përkrahjen e tij.
24. Çfarë mendimi ngushëllues paraqitet te Romakëve 14:8?
24 Besimi na nxit që t’i kushtohemi Perëndisë për gjithë përjetësinë. Me besim të fortë, edhe sikur të duhet të vdesim, ne jemi shërbëtorë të kushtuar që kanë shpresën e ringjalljes. Po, «edhe nëse jetojmë, edhe nëse vdesim, i përkasim Jehovait». (Romakëve 14:8) Le të mbajmë në zemër këtë mendim ngushëllues ndërsa vazhdojmë të kemi siguri në Fjalën e Perëndisë dhe besim në lajmin e mirë.
Si do të përgjigjeshit?
• Çfarë është besimi dhe pse kemi nevojë për këtë cilësi?
• Pse është jetësore të kemi besim në lajmin e mirë dhe në krejt Fjalën e Perëndisë?
• Në ç’mënyrë na ndihmon besimi t’u bëjmë ballë sprovave të ndryshme?
• Çfarë do të na ndihmojë që ta ruajmë besimin?
[Figurat në faqen 12]
Jehovai i mbështeti Jereminë dhe Elijan, sepse ata kishin besim
[Figurat në faqen 13]
Jobi, Pjetri dhe Nehemia kishin besim të fortë
[Figurat në faqen 15]
Për të gëzuar një marrëdhënie të qëndrueshme me Jehovain, duhet të kemi besim në lajmin e mirë