Ndihmojini fëmijët tuaj që të ecin mbarë
KUR vjen fjala për edukimin e fëmijëve, shumë prindër i kërkojnë përgjigjet për pyetjet e tyre lart e poshtë, kur ato mund të gjenden fare lehtë në shtëpinë e tyre. Familje të panumërta kanë një Bibël, por ajo zë pluhur në ndonjë raft librash në vend se të përdoret për edukimin e fëmijëve.
Vërtet, shumë sot janë skeptikë për sa i përket përdorimit të Biblës si udhëheqje në jetën familjare. Ata e mënjanojnë atë si jo të kohës, të kaluar mode apo tepër të ashpër. Por një shqyrtim i ndershëm do të zbulojë se Bibla është një libër praktik për familjet. Le të shohim se si.
Ambienti i duhur
Bibla i thotë babait t’i konsiderojë fëmijët e tij si «filiza drurësh ulliri rreth tryezës [së tij]». (Psalmi 128:3, 4, BR) Filizat e njomë nuk do të rriten për t’u bërë drurë frytdhënës pa një kultivim të kujdesshëm, po të mos u jepet ushqimi, dheu dhe lagështira e duhur. Në mënyrë të ngjashme, edukimi i suksesshëm i fëmijës kërkon punë dhe kujdes. Fëmijët kanë nevojë për një ambient të shëndetshëm, që të mund të rriten drejt pjekurisë.
Përbërësi i parë për një ambient të tillë është dashuria: midis bashkëshortëve dhe midis prindërve e fëmijëve. (Efesianëve 5:33; Titit 2:4) Shumë pjesëtarë të familjeve e duan njëri-tjetrin, por nuk shohin nevojën për ta shprehur këtë dashuri. Shqyrto, pra: A mund të thuash me të drejtë se ke komunikuar me një shok nëse i ke shkruar letra që asnjëherë nuk u ke vendosur adresën, pullën apo nuk i ke dërguar? Ngjashëm, Bibla tregon se dashuria e vërtetë ka të bëjë më shumë se me një ndjenjë që të ngroh zemrën; ajo e shpreh veten përmes fjalëve dhe veprimeve. (Krahaso Gjonin 14:15 dhe 1. Gjonit 5:3.) Perëndia la shembullin, duke e vënë dashurinë për Birin e tij në fjalët: «Ky është Biri im i dashur, në të cilin jam kënaqur.»—Mateu 3:17.
Lavdërimet
Si mund t’ua tregojnë prindërit këtë dashuri fëmijëve të tyre? Si fillim, kërkoni për gjërat e mira. Është e lehtë të gjesh kleçka tek fëmijët. Papjekuria, përvoja e pakët dhe egoizmi i tyre do të duket në mënyra të panumërta, ditë për ditë. (Fjalët e urta 22:15) Por, ata do të bëjnë shumë gjëra të mira çdo ditë. Cilat prej tyre do të fokusoni? Perëndia nuk përqendrohet mbi të metat tona, por kujton të mirën që bëjmë. (Psalmi 130:3; Hebrenjve 6:10) Ne duhet t’i trajtojmë fëmijët tanë në të njëjtën mënyrë.
Një i ri vëren: «Gjatë gjithë jetës sime në shtëpi, nuk më vjen ndër mend që të më kenë bërë asnjë lavdërim për arritjet në shkollë apo në shtëpi.» Prindër, mos e shpërfillni këtë nevojë jetësore të fëmijëve tuaj! Të gjithë fëmijët duhet të lavdërohen rregullisht për gjërat e mira që bëjnë. Kjo do ta zvogëlojë rrezikun e rritjes së tyre ‘me zemër të lëshuar’, të bindur se asnjë nga gjërat që bëjnë nuk do të jetë ndonjëherë aq e mirë sa duhet.—Kolosianëve 3:21.
Komunikimi
Një tjetër mënyrë e mirë për t’u shprehur dashurinë fëmijëve tuaj është duke ndjekur këshillën e Jakovit 1:19: «Çdo njëri të jetë i shpejtë në të dëgjuar, i ngadalshëm në të folur dhe i ngadalshëm në zemërim.» A i inkurajoni fëmijët tuaj të shprehen dhe a e dëgjoni në të vërtetë atë që kanë për të thënë? Në qoftë se fëmijët tuaj e dinë se ju do t’i bëni moral, madje para se të kenë mbaruar të flasin, apo do të zemëroheni kur të mësoni se si ndihen në të vërtetë, ndoshta do t’i mbajnë ndjenjat e tyre përbrenda. Por nëse ata e dinë se ju do t’i dëgjoni me të vërtetë, do të ketë më shumë të ngjarë që t’ju hapen.—Krahaso Fjalët e urta 20:5.
Por, ç’mund të themi nëse fëmijët zbulojnë ndjenja që ju e dini se janë të gabuara? A është momenti për një përgjigje të zemëruar, për t’i bërë moral apo për t’i disiplinuar? Vërtet, disa shpërthime fëminore mund ta bëjnë të vështirë qenien «të ngadalshëm në të folur dhe të ngadalshëm në zemërim». Por shqyrtoni edhe një herë shembullin e Perëndisë me fëmijët e tij. A ka krijuar ai një atmosferë tmerri, në mënyrë që fëmijët e tij të kenë frikë t’i thonë se si ndihen në të vërtetë? Jo! Psalmi 62:8 thotë: «Ki besim tek ai vazhdimisht, o popull, hape zemrën tënde para tij; Perëndia është streha jonë.»
Në këtë mënyrë, kur Abrahami ishte i shqetësuar mbi vendimin e Perëndisë për të shkatërruar qytetet e Sodomës dhe Gomorrës, ai nuk ngurroi t’i thoshte Atit të tij qiellor: «Është e pamendueshme për ty që të veprosh në këtë mënyrë . . . A nuk do të bëjë Gjykatësi i gjithë tokës atë që është e drejtë?» Jehovai nuk e qortoi Abrahamin; Ai e dëgjoi atë dhe qetësoi frikën e tij. (Zanafilla 18:20-33, BR) Perëndia është jashtëzakonisht i durueshëm dhe i butë, madje edhe kur fëmijët e tij shprehin ndjenja që janë plotësisht të pajustifikuara dhe të paarsyeshme.—Jona 3:10-4:11.
Në të njëjtën mënyrë, prindërit duhet të krijojnë një ambient, në të cilin fëmijët të ndihen të sigurt për të shprehur ndjenjat e tyre më intime, pavarësisht se sa shqetësuese mund të jenë këto. Kështu, nëse fëmija juaj ka një shpërthim ndjenjash, dëgjojeni. Në vend që ta ndëshkoni, kuptoni ndjenjat e fëmijës dhe nxirrni arsyet. Për shembull, ju mund t’i thoni: «Dukesh i zemëruar me filanin. Dëshiron të më thuash çfarë ka ndodhur?»
Përmbani zemërimin
Qartë, asnjë prind nuk është aq i durueshëm sa ç’është Jehovai. Dhe fëmijët mund ta vënë vërtet në provë durimin e prindërve deri në maksimum. Nëse ndiheni të zemëruar ndonjëherë me fëmijën tuaj, mos u shqetësoni duke menduar se kjo ju bën një prind të keq. Disa herë, do të ndiheni me të drejtë të zemëruar. Edhe vetë Perëndia zemërohet me të drejtë me fëmijët e tij, madje edhe me disa që janë shumë të dashur për të. (Eksodi 4:14; Ligji i përtërirë 34:10) Megjithatë, Fjala e tij na mëson që ta kontrollojmë zemërimin tonë.—Efesianëve 4:26.
Si? Disa herë, të ndaleni për pak momente, mund të ndihmojë duke krijuar mundësi për të ulur zemërimin tuaj. (Fjalët e urta 17:14) Dhe mbani në mend: Është vetëm një fëmijë! Mos prisni nga fëmija juaj që të sillet si i rritur apo të ketë mendime të pjekura. (1. Korintasve 13:11) Zemërimi juaj mund të zbutet nëse përpiqeni të kuptoni përse fëmija juaj ka vepruar në një mënyrë të veçantë. (Fjalët e urta 19:11) Mos harroni asnjëherë dallimin shumë të madh midis bërjes së diçkaje të keqe dhe të qenët i keq. Po t’i bërtisni një fëmije se është i keq, ai mund të pyesë veten: «E përse duhet edhe të përpiqem të jem i mirë?» Por, korrigjimi me dashuri mund ta ndihmojë një fëmijë që të përmirësojë herën tjetër.
Mbani rregullin dhe respektin
Një nga sfidat më të mëdha që duhet të përballojnë prindërit është t’u mësojnë fëmijëve një ndjenjë rregulli dhe respekti. Në këtë botë të sotme toleruese, shumë pyesin veten nëse është madje e drejtë t’i kufizojnë fëmijët e tyre. Bibla përgjigjet: «Shufra dhe qortimi japin dituri; por fëmija, për të cilin nuk kujdeset kurrkush turpëron nënën e vet.» (Fjalët e urta 29:15) Disa zmbrapsen kur dëgjojnë fjalën «shufër», duke menduar që ajo përfshin një formë abuzimi me fëmijët. Por nuk është ashtu. Fjala hebraike për «shufër» i referohet një shkopi, si ai që përdor një bari, për të udhëhequr e jo për të sulmuar delet e tij.a Kështu, shufra përfaqëson disiplinën.
Në Bibël, të disiplinosh do të thotë në mënyrë parësore të mësosh. Ja përse libri i Fjalëve të urta e përmend gati katër herë «dëgjojeni disiplinën». (Fjalët e urta 1:8; 4:1; 8:33; 19:27, BR) Fëmijët kanë nevojë të mësojnë se bërja e asaj që është e drejtë sjell shpërblime dhe se bërja e asaj që është e gabuar sjell pasoja të këqija. Ndëshkimi mund të ndihmojë për të ngulitur mësimet negative: ashtu si shpërblimet, siç është lavdërimi, mund të përforcojnë mësimet pozitive. (Krahaso Ligjin e përtërirë 11:26-28.) Prindërit bëjnë mirë të imitojnë shembullin e Perëndisë kur vjen fjala për ndëshkimin, sepse ai i tha popullit të tij se do t’i ndëshkonte «në masën e duhur». (Jeremia 46:28, BR) Disa fëmijë kanë nevojë vetëm për disa fjalë të rrepta për t’i sjellë në vijë. Të tjerë kanë nevojë për masa më të forta. Por ndëshkimi «në masën e duhur» nuk do të përfshijë asnjëherë ndonjë gjë që mund t’a dëmtonte vërtetë një fëmijë emocionalisht apo fizikisht.
Disiplina e ekuilibruar duhet të përfshijë mësimin e fëmijëve mbi kufijtë dhe kufizimet. Shumë prej këtyre janë përcaktuar qartë në Fjalën e Perëndisë. Bibla mëson respektimin e kufijve rreth pronave private. (Ligji i përtërirë 19:14) Ajo vendos kufij fizikë, duke quajtur të gabuar të duash dhunën apo të dëmtosh me qëllim një person tjetër. (Psalmi 11:5; Mateu 7:12) Ajo vendos kufij për sa i përket seksit, duke dënuar incestin. (Levitiku 18:6-18) Ajo pranon madje edhe kufijtë emocionalë dhe personalë, duke na ndaluar që të thërrasim ndonjë me emra poshtërues apo të përdorim forma të tjera të abuzimit gojor. (Mateu 5:22) T’i mësojmë fëmijët rreth këtyre kufijve dhe kufizimeve, si me anë të fjalëve ashtu edhe me anë të shembullit, është thelbësore për të krijuar një ambient familjar të shëndetshëm.
Një çelës tjetër për të mbajtur rregullin dhe respektin në familje ka të bëjë me kuptimin e rolit të secilit në familje. Në shumë familje të sotme, këto role janë të vagëta ose të ngatërruara. Në disa familje, prindi i hapet fëmijës së tij, duke i treguar disa probleme të rënda, probleme që fëmija nuk është në gjendje për t’i trajtuar. Në disa të tjera, fëmijët lejohen të jenë diktatorë të vegjël, duke marrë vendime për gjithë familjen. Kjo gjë është e gabuar dhe e dëmshme. Prindërit janë të detyruar të sigurojnë nevojat e fëmijëve të tyre, si ato fizike, emocionale apo frymore dhe jo e kundërta. (2. Korintasve 12:14; 1. Timoteut 5:8) Shqyrtoni shembullin e Jakobit, i cili përshtati hapin e gjithë familjes së tij dhe të atyre që e shoqëronin, në mënyrë që të mos i rëndonte shumë të vegjlit. Ai i kuptoi kufizimet e tyre dhe veproi në përputhje me to.—Zanafilla 33:13, 14.
Kujdesuni për nevojat frymore
Për një ambient familjar të shëndetshëm nuk ka gjë më jetësore sesa gjendja frymore. (Mateu 5:3) Fëmijët kanë një kapacitet të madh për sa i përket gjendjes frymore. Ata janë plot me pyetje: Përse ekzistojmë? Kush e bëri tokën dhe kafshët, pemët, oqeanet që janë në të? Përse vdesin njerëzit? Çfarë ndodh pas vdekjes? Përse gjërat e këqija u ndodhin njerëzve të mirë? Lista duket pa fund. Shpesh, janë prindërit ata që preferojnë të mos mendojnë për gjëra të tilla.b
Bibla i nxit prindërit që të kalojnë kohë duke u dhënë stërvitje frymore fëmijëve të tyre. Ajo flet për një stërvitje të tillë në terma të ngrohta, si një dialog i vazhdueshëm midis prindërve dhe fëmijëve. Prindërit mund t’i mësojnë fëmijët e tyre rreth Perëndisë dhe Fjalës së tij ndërsa janë duke ecur bashkë, apo të ulur në shtëpi së bashku, kur shtrihen për të fjetur: çdo herë që është e mundur.—Ligji i përtërirë 6:6, 7; Efesianëve 6:4.
Bibla bën më shumë sesa vetëm rekomandimin e këtij programi frymor. Ajo siguron, gjithashtu, materialin që do t’ju nevojitet për këtë gjë. Në fund të fundit, si do t’i përgjigjeshit ju pyetjeve të fëmijëve, të përmendura më sipër? Bibla përmban përgjigjet. Ato janë të qarta, magjepsëse dhe japin shumë shpresa në këtë botë të pashpresë. Akoma më mirë, fitimi i mençurisë së Biblës mund t’u japë fëmijëve tuaj spirancën më të qëndrueshme, udhëheqjen më të sigurt në kohët tona të turbullta. Jepuni atyre këtë gjë dhe ata me të vërtetë do të ecin mbarë: tani dhe në të ardhmen.
[Shënimet]
a Shikoni Zgjohuni! të 8 shtatorit 1992, faqet 26-27, anglisht.
b Libri Sekreti i lumturisë familjare është projektuar për studim familjar dhe përmban shumë udhëheqje praktike nga Bibla mbi martesën dhe mbi edukimin e fëmijëve. Ai është botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.
[Diçitura në faqen 11]
Kërkoni mënyra për t’i dhënë fëmijës suaj lavdërime specifike rregullisht
[Kutia në faqen 9]
Si të ndihmojmë fëmijët që të ecin mbarë
• Sigurojuni një ambient të sigurt, në të cilin të ndihen të dashur dhe të dëshiruar
• Lavdërojini ata rregullisht. Jini specifikë.
• Jini dëgjues të mirë
• Ndaluni pak momente kur ju hipën zemërimi
• Vendosni kufij dhe kufizime të qarta, të qëndrueshme
• Përshtateni disiplinën sipas nevojave të fëmijës
• Mos prisni prej fëmijës suaj më shumë nga sa është e arsyeshme
• Kujdesuni për nevojat frymore përmes studimit të rregullt të Fjalës së Perëndisë
[Kutia në faqen 10]
Epërsia në kohë
PARIMET biblike e ndihmuan popullin e Izraelit të lashtë për të gëzuar një standard të jetës familjare që ishte shumë më i lartë se ai i kombeve përreth. Historiani Alfred Edërshim komenton: «Jashtë kufijve të Izraelit do të ishte gati e pamundur të flisnim në mënyrën e duhur për jetën familjare apo edhe për familjen, në termat që i kuptojmë ne sot.» Për shembull, midis romakëve të lashtë ligji i jepte babait fuqinë absolute në familje. Ai mund t’i shiste në skllavëri fëmijët e tij, t’i detyronte të bënin punë të rëndomta, apo edhe t’i vriste, pa u ndëshkuar nga ligji.
Disa romakë mendonin se izraelitët ishin të çuditshëm, sepse i trajtonin fëmijët e tyre me butësi. Në fakt, historiani romak i shekullit të parë, Taciti shkroi një fragment plot urrejtje kundër hebrenjve, duke thënë se zakonet e tyre ishin «në të njëjtën kohë të çoroditura dhe të neveritshme». Megjithatë, ai pranoi: «Mes tyre është një krim të vrasësh një foshnjë të sapolindur.»
Bibla siguronte një standard të lartë. Ajo i mësonte hebrenjtë se fëmijët ishin të çmuar, faktikisht duheshin parë si një trashëgimi nga vetë Perëndia dhe duheshin trajtuar në pajtim me këtë. (Psalmi 127:3) Me sa duket, shumë hebrenj jetonin sipas kësaj këshille. Edhe vetë gjuha e tyre ishte domethënëse në lidhje me këtë. Edërshim vëren se, përveç fjalëve për bir dhe bijë, hebrenjtë e lashtë kishin nëntë fjalë për fëmijët, ku secila prej tyre i aplikohej një periudhe të ndryshme të jetës. Për shembull, kishte një fjalë për një fëmijë, i cili ushqehej akoma me qumështin e nënës dhe një tjetër që sapo ishte zvjerdhur. Për fëmijët pak më të rritur kishte një fjalë që nënkuptonte se këta po bëheshin të fortë e të shëndetshëm. Dhe për të rinjtë më të rritur kishte një fjalë që drejtpërdrejt kishte kuptimin «të çlirosh vetveten». Edërshim komenton: «Sigurisht, ata që e vëzhgonin me kaq mprehtësi jetën e fëmijës sa të mund të jepnin një përcaktim si në pikturë për çdo periudhë të njëpasnjëshme të ekzistencës së tij, duhet të kenë qenë të lidhur jashtë mase me fëmijët e tyre.»