Vështro përtej gjërave që sheh!
SHIKIMI i mirë është një bekim. Në fakt, pjesa më e madhe e njerëzve do të thoshin se pak nga gjërat që disponojnë janë më të çmuara se shikimi. Por për të krishterët ka një lloj shikimi, për të cilin foli apostulli Pavël, që ka një vlerë shumë më të madhe madje edhe se shikimi i mirë fizik. «Ne nuk i drejtojmë sytë ndaj gjërave që duken, por ndaj gjërave që nuk shihen»,—shkroi Pavli. (2. Korintasve 4:18) Vërtet, duhet të jetë një lloj shumë i veçantë shikimi, i cili i jep mundësi një personi të shikojë gjërat që nuk shihen! Mund ta quajmë një shikim i shkëlqyer frymor.
Përse nevojitet?
Të krishterët e shekullit të parë e kishin me të vërtetë të nevojshme ta kishin këtë lloj shikimi frymor. Ata e kryenin me shumë vështirësi shërbimin e tyre të krishterë, për të cilin Pavli u shpreh kështu: «Ne jemi të shtrënguar në çdo mënyrë, por nuk jemi të ngushtuar deri ne fund; jemi ndërdyshas por jo të dëshpëruar; jemi të përndjekur por jo të braktisur; të rrëzuar, por jo të shkatërruar.»—2. Korintasve 4:8, 9.
Pavarësisht nga këto rrethana, dishepujt besnikë qëndruan të paepur. Me besim të fortë në Perëndinë, ata mund të shpreheshin si Pavli: «Nuk na lëshon zemra; por edhe pse njeriu ynë i jashtëm shkon në shkatërrim, ai i brendshëm përtërihet nga dita në ditë.» Megjithatë, ç’gjë çonte në këtë përtëritje ditë pas dite? Pavli vazhdoi të thoshte: «Trishtimi ynë i lehtë që është vetëm për një moment, prodhon për ne, një peshë të pamasë e të pashoqe të amshueshme lavdie; ndërsa ne nuk i drejtojmë sytë ndaj gjërave që nuk shihen, sepse gjërat që duken janë për një kohë, kurse ato që nuk shihen janë të përjetshme.»—2. Korintasve 4:16-18.
Pavli po i inkurajonte vëllezërit e tij frymorë që të mos i lejonin problemet, vështirësitë, persekutimet, hallet e çdo natyre, të mjegullonin shikimin e shpërblimit të lavdishëm, që ishte vënë para tyre. Ata duhej të shihnin përtej rrethanave të tyre të çastit, duke e mbajtur shikimin në përfundimin e lumtur të rrugës së krishterë. Kjo gjë i ndihmoi ata të përtërinin nga dita në ditë vendosmërinë e tyre për të vazhduar në betejë. Të krishterët sot e kanë po njëlloj të nevojshme të kenë një shikim po kaq të mirë frymor.
Shikoji mjerimet e tanishme si të përkohshme!
Në mënyrë të pashmangshme shohim ditë për ditë gjëra që do të donim më mirë të mos i kishim parë. Një vështrim në pasqyrë dhe s’bëjmë dot gjë veçse vërejmë të metat dhe cenet e padëshirueshme të trupit, të cilat janë tregues të papërsosmërisë fizike. Kur shihemi në pasqyrën e Fjalës së Perëndisë, shohim të metat frymore të vetes dhe të të tjerëve. (Jakovit 1:22-25) Gjithashtu, kur shohim gazetën e përditshme apo ekranin e televizorit, shfaqja e padrejtësisë, mizorisë dhe tragjedisë tërheq menjëherë vëmendjen tonë dhe na shkakton hidhërim.
Satanait do t’i pëlqente të na dëshpëronte me gjërat që shohim ose të na devijonte e të fillonim të lëkundeshin në besim. Si mund ta parandalojmë që të mos na ndodhë? Duhet të ndjekim shembullin e lënë nga Jezu Krishti, siç këshilloi apostulli Pjetër, kur tha: «Për këtë ju u thirrët, sepse edhe Krishti e vuajti për ne, duke ju lënë një shembull, që të ecni pas gjurmës së tij.» (1. Pjetrit 2:21) Jezui ishte një shembull i përsosur në çdo aspekt të jetës së krishterë.
Duke treguar Jezuin si model për ne, Pjetri përmendi në mënyrë të veçantë se Jezui vuajti. Vërtet, Jezui vuajti një provë të madhe kur ishte në tokë. Si «kryemjeshtër» i pranishëm në krijimin e njerëzimit, ai e dinte saktësisht se si kishte për qëllim Perëndia që të ishin njerëzit. (Proverbat 8:30:31, BR) Por tani, ai pa drejtpërsëdrejti se si i kishte bërë ata mëkati dhe papërsosmëria. Ditë për ditë, ai shihte dhe duhej të ndeshej me papërsosmërinë dhe dobësitë e njerëzve. Kjo duhet të ketë qenë një provë për të.—Mateu 9:36; Marku 6:34.
Përveç mjerimeve të të tjerëve, Jezui përjetoi, gjithashtu, edhe të vetin. (Hebrenjve 5:7, 8) Por, me shikimin e tij të përsosur frymor, ai vështronte përtej tyre për të parë shpërblimin si i ngritur në jetën e pavdekshme për integritetin e tij. Më pas, si Mbret Mesianik, ai do të kishte privilegjin të ngrinte njerëzimin e brengosur nga gjendja e tij e poshtëruar në përsosmërinë që Jehovai kishte për qëllim në fillim. Përqendrimi i syve në këto perspektiva të padukshme që i takonin të ardhmes, e ndihmoi atë të mbante gëzimin në shërbimin e shenjtë, pavarësisht nga mjerimet që shihte vazhdimisht. Më vonë, Pavli shkroi: «Nga gëzimi që iu vu përpara, ai duroi shtyllën e mundimeve, duke përbuzur turpin dhe është ulur në të djathtë të fronit të Perëndisë.»—Hebrenjve 12:2, BR.
Jezui nuk lejoi kurrë që vështirësitë dhe rrethanat e rënda t’i shkaktonin dëshpërim, ta kthenin nga qëllimi që kishte apo t’i lëkundnin besimin. Si dishepuj të tij, ne duhet të ndjekim nga afër shembullin e tij të pastër.—Mateu 16:24.
Përqendrohu në gjërat e përhershme që nuk duken!
Duke folur mbi ato gjëra që i dhanë mundësi Jezuit të duronte, Pavli vuri në dukje, gjithashtu, edhe drejtimin që duhet të ndjekim ne, kur shkroi: «Le të vrapojmë me qëndrueshmëri në garën që na është vënë përpara, ndërsa shikojmë me kujdes Kryepërfaqësuesin dhe Përsosësin e besimit tonë, Jezuin.» (Hebrenjve 12:1, 2, BR) Po, që të vrapojmë me sukses dhe me gëzim në drejtimin e krishterë, duhet të vështrojmë përtej gjërave që shfaqen menjëherë para nesh. Por, si të «shikojmë me kujdes» Jezuin dhe ç’dobi do të na sjellë?
Për të bërë një shembull, në 1914-ën, Jezui u vendos Mbret i Mbretërisë së Perëndisë dhe sundon nga qielli. E gjithë kjo, pa dyshim, është e padukshme për sytë tanë. Megjithatë, nëse «shikojmë me kujdes» Jezuin, shikimi ynë frymor do të na ndihmojë për të parë se tani ai po merr masat që të veprojë për t’i dhënë fund sistemit të tanishëm të lig të gjërave dhe për të syrgjynosur Satanain dhe hordhitë e tij demonike në vargonjtë e pasivitetit. Duke vështruar edhe më tej, shikimi ynë frymor do të zbulojë botën e re të mrekullueshme, në të cilën «vdekja nuk do të jetë më; as brengë, as klithma, as mundim, sepse gjërat e mëparshme shkuan».—Zbulesa 19:11-16; 20:1-3; 21:4.
Prandaj, në vend që të rëndohemi nga mjerimet e përkohshme që ndoshta na duhet të përballojmë çdo ditë, përse të mos e përqendrojmë vështrimin mbi gjërat që janë të përhershme? Përse të mos vështrojmë me sytë e besimit përtej sëmundjes dhe lakmisë në këtë tokë të ndotur, për të parë një parajsë plot me njerëz të shëndetshëm, të lumtur dhe të dashur? Përse të mos vështrojmë përtej të metave tona fizike dhe frymore, për ta parë veten të lirë nga ato përgjithmonë falë sakrificës shpërblerëse të Jezuit? Përse të mos vështrojmë përtej masakrave të lëna nga lufta, krimet dhe dhuna për të parë të ringjallurit e rinj të mësuar në paqen dhe drejtësinë e Jehovait?
Për më tepër, të ‘shikosh me kujdes’ Jezuin, përfshin edhe përqendrimin e shikimit tonë frymor në atë që Mbretëria, megjithëse e padukshme, ka realizuar tashmë mes popullit të Perëndisë në tokë: unitet, paqe, dashuri, dashuri të përzemërt vëllazërore dhe lulëzim frymor. Një grua e krishterë nga Gjermania, pasi pa videon Të bashkuar nga mësimi hyjnor (United by Divine Teaching), shkroi: «Videoja do të më ndihmojë të mbaj gjithnjë e më shumë në mendje se ka kaq shumë vëllezër e motra në të gjithë botën që në këtë moment i shërbejnë Jehovait me besnikëri, pavarësisht nga kundërshtimi publik. Sa i çmuar është uniteti ynë vëllazëror në një botë dhune dhe urrejtjeje!»
A i «shikon» edhe ti Jehovain, Jezuin, engjëjt besnikë dhe miliona bashkëtëkrishterë, duke qëndruar përkrah teje? Nëse po, nuk do të jesh tepër i përqendruar në «ankthet e këtij sistemi gjërash», gjë që mund të të fundosë në shkurajim dhe të të bëjë «të pafrytshëm» në shërbimin e krishterë. (Mateu 13:22, BR) Prandaj, ‘shiko me kujdes’ Jezuin, duke i përqendruar sytë e tu frymorë në Mbretërinë e vendosur të Perëndisë dhe në bekimet e saj, si në të tashmen ashtu edhe në të ardhmen.
Përpiqu të fitosh jetën për të parë atë që është e padukshme!
Duke parë ndryshimin e dukshëm ndërmjet botës së re të përhershme të Perëndisë dhe botës së vjetër sot që do të thërrmohet, duhet të ndihemi të nxitur për ta drejtuar veten në atë mënyrë që të mund të jemi të denjë për të jetuar e për të parë me sytë tanë gjërat që sot mund t’i shohim vetëm përmes syve të besimit. Një mizëri të ringjallurish vështirë se do t’u besojnë syve, kur të zgjohen për të parë një tokë të re parajsore kaq të ndryshme nga bota që panë para se të vdisnin. Përfytyro gëzimin tonë për faktin që jemi gjallë e mund t’i përshëndesim e t’u shpjegojmë atë që ka bërë Perëndia!—Krahaso Joelin 2:21-27.
Po, sa i çmuar është shikimi i mirë frymor dhe sa jetësor është që ta mbajmë atë të mprehtë! Këtë mund ta bëjmë duke bërë një studim të rregullt personal të Biblës, duke marrë pjesë në mbledhjet e krishtere, duke folur me të tjerët për shpresën tonë të bazuar në Bibël dhe para së gjithash, duke u lutur për drejtim hyjnor. Kjo do ta mbajë të mprehtë dhe të qartë shikimin tonë frymor, duke na dhënë mundësi të vështrojmë përtej gjërave që shohim.