Barinj që janë «shembuj për kopenë»
«Kulloteni kopenë e Perëndisë që është nën kujdesin tuaj . . . vullnetarisht . . . , me gatishmëri, . . . duke u bërë shembuj për kopenë.»—1 PJETRIT 5:2, 3.
1, 2. (a) Cilin privilegj i besoi Jezui apostullit Pjetër dhe pse ky besim i Jezuit nuk ishte i pathemeltë? (b) Çfarë ndjenjash ka Jehovai për barinjtë e emëruar?
PAK para festës së Ditës së Pesëdhjetë, në vitin 33 të e.s., Pjetri dhe gjashtë dishepuj të tjerë po hanin mëngjesin që u kishte përgatitur Jezui, në breg të detit të Galilesë. S’ishte hera e parë që Pjetri kishte parë Jezuin e ringjallur dhe, pa dyshim, ishte entuziast që Jezui ishte gjallë. Por ndoshta Pjetri ishte edhe në ankth. Kjo sepse, vetëm disa ditë më parë, në sy të të gjithëve kishte mohuar se e njihte Jezuin. (Luka 22:55-60; 24:34; Gjoni 18:25-27; 21:1-14) A e qortoi Jezui Pjetrin e penduar, për atë mungesë besimi? Jo. Përkundrazi, i besoi Pjetrit privilegjin që të ushqente e të kulloste ‘delet e tij të vogla’. (Gjoni 21:15-17) Siç tregon dokumentimi biblik i historisë së kongregacionit të krishterë në shekullin e parë, besimi i Jezuit te Pjetri nuk kishte qenë i pathemeltë. Pjetri bashkë me apostujt dhe pleqtë e tjerë në Jerusalem, u kujdesën vërtet për kongregacionin e krishterë, gjatë një periudhe sprovash të mëdha dhe zgjerimi të shpejtë.—Veprat 1:15-26; 2:14; 15:6-9.
2 Sot, nëpërmjet Jezu Krishtit, Jehovai ka emëruar burra të kualifikuar që të shërbejnë si barinj frymorë, për t’i udhëhequr delet e Tij në kohët më kritike të historisë njerëzore. (Efesianëve 4:11, 12; 2 Timoteut 3:1) A ka qenë i pathemeltë ky besim që ka treguar Jehovai? Vëllazëria e krishterë paqësore që ekziston në mbarë botën, tregon se jo. Është e vërtetë që këta barinj nuk janë të pagabueshëm, siç nuk ishte as Pjetri. (Galatasve 2:11-14; Jakovi 3:2) Gjithsesi, Jehovai ka besim se ata do të kujdesen për delet që ai i «bleu me gjakun e Birit të vet». (Veprat 20:28) Jehovai ka shumë përzemërsi për këta burra, dhe i quan «të denjë për nderim të dyfishtë».—1 Timoteut 5:17.
3. Çfarë i ndihmon barinjtë frymorë të shfaqin vazhdimisht një frymë të gatshme vullnetare?
3 Si vazhdojnë të shfaqin barinjtë frymorë një frymë të gatshme e vullnetare, duke u bërë kështu shembuj për kopenë? Ashtu si Pjetri dhe barinjtë e tjerë në shekullin e parë, edhe ata mbështeten te fryma e shenjtë e Perëndisë, që u jep forcën e nevojshme për të mbajtur mbi supe përgjegjësinë e tyre. (2 Korintasve 4:7) Gjithashtu, fryma e shenjtë prodhon tek ata frytin e frymës: dashurinë, gëzimin, paqen, shpirtgjerësinë, mirëdashjen, mirësinë, besimin, butësinë dhe vetëkontrollin. (Galatasve 5:22, 23) Le të shqyrtojmë disa mënyra specifike se si mund të japin shembullin barinjtë, duke shfaqur këtë fryt të frymës ndërsa kullotin kopenë e Perëndisë që u është lënë nën kujdes.
Kanë dashuri për kopenë, si dhe për çdo dele
4, 5. (a) Si tregojnë dashuri për kopenë Jehovai dhe Jezui? (b) Cilat janë disa mënyra se si tregojnë dashuri për kopenë barinjtë frymorë?
4 Cilësia kryesore që prodhon fryma e Perëndisë është dashuria. Jehovai e shfaq dashurinë e tij për kopenë në tërësi, kur i siguron ushqim frymor me bollëk. (Isaia 65:13, 14; Mateu 24:45-47) Megjithatë, nuk mjaftohet vetëm duke ushqyer kopenë. Ai interesohet me dashuri për çdo dele. (1 Pjetrit 5:6, 7) Edhe Jezui e do kopenë. Ai dorëzoi shpirtin e tij për ta, dhe e njeh çdo dele «me emër».—Gjoni 10:3, 14-16.
5 Barinjtë frymorë imitojnë Jehovain dhe Jezuin. Shfaqin dashuri për kopenë e Perëndisë në tërësi, ‘duke iu kushtuar mësimdhënies’ në kongregacion. Fjalimet e tyre të bazuara në Bibël ushqejnë dhe mbrojnë kopenë, dhe mundi i tyre në këtë aspekt është i dukshëm për të gjithë. (1 Timoteut 4:13, 16) Jo aq e dukshme është koha që kalojnë për të mbajtur regjistrimet e kongregacionit, për korrespondencën, për të bërë programet dhe për shumë e shumë hollësi të tjera, me qëllim që mbledhjet e kongregacionit dhe veprimtaritë e tjera të kryhen «si ka hije dhe me rregull». (1 Korintasve 14:40) Një pjesë të mirë të kësaj pune të tjerët nuk e shohin, dhe prandaj mund të mos u japin ndonjë meritë. Pra, mundi i tyre motivohet vërtet nga dashuria.—Galatasve 5:13.
6, 7. (a) Cila është një mënyrë se si barinjtë mund t’i njohin më mirë delet? (b) Pse disa herë është e dobishme t’i tregojmë për ndjenjat tona një plaku?
6 Barinjtë e dashur të krishterë mundohen të tregojnë interes për çdo dele në kongregacion. (Filipianëve 2:4) Një mënyrë se si barinjtë e njohin më mirë çdo dele është duke punuar së bashku në veprën e predikimit. Shpesh Jezui ishte bashkë me ithtarët e tij në veprën e predikimit dhe i përdorte ato raste për t’u dhënë inkurajim. (Luka 8:1) Një bari i krishterë me përvojë thotë: «Kam parë se një nga mënyrat më të mira për të njohur e për të inkurajuar një vëlla ose një motër është të dal me të në shërbim.» Nëse kohët e fundit nuk ke pasur mundësi të dalësh në shërbim me një nga pleqtë, përse të mos lësh takim që të dalësh së shpejti?
7 Dashuria e nxiste Jezuin të merrte pjesë në gëzimet dhe hidhërimet e ithtarëve të tij. Për shembull, kur 70 dishepuj të tij u kthyen të gëzuar nga predikimi, Jezui «u mbush me gëzim». (Luka 10:17-21) Kurse, kur pa se sa shumë e kishte hidhëruar vdekja e Lazarit Marinë dhe familjarët e miqtë e saj, «Jezui nuk i mbajti dot lotët». (Gjoni 11:33-35) Po kështu edhe sot, pleqtë e dashur nuk janë indiferentë ndaj ndjenjave të deleve. Dashuria i nxit këta pleq ‘të gëzojnë me ata që gëzojnë dhe të qajnë me ata që qajnë’. (Romakëve 12:15) Në qoftë se ke një gëzim ose hidhërim në jetë, mos ngurro t’u tregosh për këto ndjenja barinjve të krishterë. Ata do të inkurajohen shumë kur të dëgjojnë për gëzimin tënd. (Romakëve 1:11, 12) Ndërsa, kur të marrin vesh për sprovat e tua, do të kenë mundësi të të japin forcë e të të ngushëllojnë.—1 Selanikasve 1:6; 3:1-3.
8, 9. (a) Si tregonte dashuri për gruan e tij një plak kongregacioni? (b) Sa rëndësi ka për një bari të tregojë dashuri për familjen e tij?
8 Dashuria që ka bariu për kopenë bëhet e dukshme sidomos në mënyrën se si trajton familjen e vet. (1 Timoteut 3:1, 4) Nëse është i martuar, me dashurinë dhe nderimin që tregon për të shoqen, do të lërë një shembull që ta imitojnë burrat e tjerë. (Efesianëve 5:25; 1 Pjetrit 3:7) Dëgjoni se si është shprehur një e krishterë me emrin Linda. I shoqi, para se të vdiste, kishte shërbyer si mbikëqyrës për më shumë se 20 vjet. Ajo thotë: «Im shoq ishte gjithnjë shumë i zënë me çështjet e kongregacionit. Megjithatë, më bënte të ndihesha se ishim të dy një skuadër. Shpesh më shprehte çmueshmërinë për mbështetjen që i jepja, dhe kohën e lirë e kalonte me mua. Rrjedhimisht, e ndieja se më donte dhe nuk isha xheloze për kohën që kalonte duke i shërbyer kongregacionit.»
9 Nëse një bari i krishterë ka fëmijë, mënyra si i disiplinon me dashuri dhe i lavdëron rregullisht shërben si model për t’u ndjekur nga prindërit e tjerë. (Efesianëve 6:4) Pikërisht dashuria që ai tregon për familjen është dëshmi e vazhdueshme se e meriton besimin që i është treguar kur është emëruar nga fryma e shenjtë si bari.—1 Timoteut 3:4, 5.
Nxitin gëzimin dhe paqen, duke komunikuar
10. (a) Çfarë mund të ndikojë negativisht në gëzimin dhe paqen e kongregacionit? (b) Cila çështje rrezikonte të prishte paqen e kongregacionit në shekullin e parë, dhe si u zgjidh ajo?
10 Fryma e shenjtë mund të prodhojë gëzim e paqe në zemrën e një të krishteri, mes një grupi pleqsh dhe në kongregacion në tërësi. Por, mungesa e komunikimit të hapur mund të ndikojë negativisht në këtë gëzim e këtë paqe. Mbreti Solomon komentoi: «Planet prishen aty ku nuk flitet në mirëbesim.» (Proverbat 15:22) Nga ana tjetër, komunikimi i çiltër e me respekt nxit gëzimin dhe paqen. Për shembull, kur çështja e rrethprerjes rrezikoi të prishte paqen e kongregacionit të shekullit të parë, trupi udhëheqës në Jerusalem kërkoi drejtimin e frymës së shenjtë. Gjithashtu ata shprehën pikëpamjet e ndryshme që kishin për atë çështje. Pas një diskutimi të gjallë, morën një vendim. Kur ua komunikuan kongregacioneve vendimin që kishin marrë njëzëri, vëllezërit «gëzuan për inkurajimin». (Veprat 15:6-23, 25, 31; 16:4, 5) Kështu u nxit gëzimi dhe paqja.
11. Si mund të nxitin gëzimin dhe paqen pleqtë e kongregacionit?
11 Kështu edhe sot, barinjtë nxitin gëzimin dhe paqen në kongregacion, sepse dinë të komunikojnë mirë. Kur dalin probleme që rrezikojnë të prishin paqen e kongregacionit, ata mblidhen dhe shprehin hapur ndjenjat e tyre. Pastaj dëgjojnë me respekt komentet e barinjve të tjerë. (Proverbat 13:10; 18:13) Pasi luten për ndihmën e frymës së shenjtë, i bazojnë vendimet në parimet biblike dhe në udhëzimet e botuara nga «skllavi i besueshëm dhe i matur». (Mateu 24:45-47; 1 Korintasve 4:6) Kur trupi i pleqve merr një vendim të bazuar në Shkrime, çdo plak i nënshtrohet drejtimit të frymës së shenjtë duke e mbështetur vendimin, edhe sikur shumica të mos ketë mbështetur pikëpamjen e tij. Kjo modesti nxit gëzimin e paqen dhe u siguron një shembull të mirë deleve se si të ecin me Perëndinë. (Mikea 6:8) A po vepron me modesti sipas vendimeve të bazuara në Bibël që kanë marrë barinjtë në kongregacion?
Janë shpirtgjerë dhe mirëdashës
12. Pse Jezuit i duhej të ishte shpirtgjerë dhe mirëdashës me apostujt?
12 Jezui tregohej shpirtgjerë dhe mirëdashës me apostujt, pavarësisht nga mangësitë e tyre të përsëritura. Për shembull, herë pas here Jezui u përpoq t’u nguliste në mendje nevojën për të qenë të përulur. (Mateu 18:1-4; 20:25-27) Megjithatë, natën e fundit të jetës së Jezuit në tokë, kur sapo u kishte dhënë një mësim për përulësinë, duke u larë këmbët, «mes tyre u hap edhe një debat i zjarrtë, se kush nga ata dukej se ishte më i madhi». (Luka 22:24; Gjoni 13:1-5) A i kritikoi Jezui apostujt? Jo. Me mirëdashje, arsyetoi me ta, duke u thënë: «Kush është më i madh: ai që shtrohet në tryezë apo ai që i shërben? A nuk është ai që shtrohet në tryezë? Por unë jam mes jush si ai që shërben.» (Luka 22:27) Shpirtgjerësia dhe mirëdashja e Jezuit, bashkë me shembullin e tij të mirë, së fundi u preku zemrën apostujve.
13, 14. Veçanërisht në cilat raste duhet të jenë mirëdashës barinjtë?
13 Po kështu, një bariu frymor mund t’i duhet ta këshillojë herë pas here dikë për një mangësi që ka. Ndoshta bariu mund ta humbte durimin me atë individ. Por, duke mbajtur në mend mangësitë e veta kur ‘këshillon të çrregulltit’, ai arrin të tregojë shpirtgjerësi dhe mirëdashje ndaj vëllait. Kështu imiton Jezuin dhe Jehovain, të cilët i shfaqin këto cilësi me të gjithë të krishterët, duke përfshirë këtu edhe barinjtë.—1 Selanikasve 5:14; Jakovi 2:13.
14 Nganjëherë, barinjve mund t’u duhet t’i japin këshilla të forta dikujt që ka kryer një mëkat të rëndë. Nëse individi nuk pendohet, barinjtë duhet ta heqin nga kongregacioni. (1 Korintasve 5:11-13) Gjithsesi, mënyra se si e trajtojnë atë individ, tregon se urrejnë mëkatin, jo mëkatarin. (Juda 23) Kjo sjellje mirëdashëse nga ana e barinjve mund t’ia bëjë më të lehtë një deleje që ka humbur rrugën, të kthehet në vathë, me kalimin e kohës.—Luka 15:11-24.
Veprat e mira nxiten nga besimi
15. Në ç’mënyrë e imitojnë barinjtë mirësinë e Jehovait, dhe çfarë i nxit që të veprojnë kështu?
15 «Jehovai është i mirë ndaj të gjithëve», edhe ndaj atyre që nuk e çmojnë çfarë bën ai për ta. (Psalmi 145:9; Mateu 5:45) Mirësia e Jehovait duket sidomos ngaqë dërgon popullin e tij për të predikuar ‘lajmin e mirë për mbretërinë’. (Mateu 24:14) Barinjtë pasqyrojnë mirësinë e Perëndisë duke marrë drejtimin në këtë vepër predikimi. Çfarë i nxit që të bëjnë këto përpjekje të palodhura? Besimi i fortë te Jehovai dhe te premtimet e tij.—Romakëve 10:10, 13, 14.
16. Si mund ‘të bëjnë atë që është e mirë’ barinjtë për delet?
16 Përveçse bëjnë «atë që është e mirë ndaj të gjithëve» duke predikuar, barinjtë kanë përgjegjësinë për të bërë atë që është e mirë «sidomos ndaj atyre që janë të lidhur me [ta] në besim». (Galatasve 6:10) Vizitat baritore inkurajuese janë një ndër mënyrat se si e përmbushin këtë përgjegjësi. Një plak kongregacioni thotë: «Më pëlqen të bëj vizita baritore. Kështu kam rast t’i lavdëroj vëllezërit dhe motrat për përpjekjet e tyre dhe t’i ndihmoj të kuptojnë se mundi i tyre çmohet shumë nga të tjerët.» Nganjëherë, barinjtë mund t’i japin dikujt sugjerime si të përmirësojë shërbimin e tij ndaj Jehovait. Kur bëjnë këtë, barinjtë e mençur imitojnë apostullin Pavël. Shikoni se si u bëri thirrje ai vëllezërve në Selanik: «Si dishepuj të Zotërisë kemi besim se po i bëni dhe do të vazhdoni t’i bëni gjërat që ju urdhërojmë.» (2 Selanikasve 3:4) Shprehje të tilla besimi zgjojnë prirjet e mira te delet dhe ua bëjnë më të lehtë që ‘të jenë të bindur ndaj atyre që marrin drejtimin’. (Hebrenjve 13:17) Kur pleqtë të bëjnë një vizitë baritore inkurajuese, përse të mos u shprehësh çmueshmërinë për të?
Butësia kërkon vetëkontroll
17. Çfarë mësoi Pjetri nga Jezui?
17 Jezui ishte me natyrë të butë, edhe kur e provokonin. (Mateu 11:29) Kur e tradhtuan dhe e arrestuan, Jezui tregoi butësi dhe shumë vetëkontroll. Në kohën që Pjetri, i rrëmbyer, nxori shpatën dhe sulmoi, Jezui i tha: «Mendon se nuk i lutem dot Atit tim, që të më dërgojë në çast më shumë se dymbëdhjetë legjione engjëjsh?» (Mateu 26:51-53; Gjoni 18:10) Pjetri nxori vërtet mësim nga kjo, dhe më vonë u kujtoi të krishterëve: «Krishti vuajti për ju, duke ju lënë një model, që të ndiqni me kujdes gjurmët e tij. . . . Kur e shanin, ai nuk e kthente sharjen. Kur vuante, nuk kërcënonte.»—1 Pjetrit 2:21-23.
18, 19. (a) Sidomos në cilat rrethana barinjtë duhet të shfaqin butësi e vetëkontroll? (b) Cilat pyetje do të shqyrtojmë në artikullin tjetër?
18 Po kështu, barinjtë e efektshëm janë me natyrë të butë, edhe kur të tjerët i trajtojnë padrejtësisht. Për shembull, ata përpiqen të ndihmojnë disa në kongregacion, por këta mund të mos reagojnë mirë. Nëse individi që ka nevojë për ndihmë është i dobët ose i sëmurë frymësisht, ai mund të reagojë ndaj këshillës duke ‘folur pa u menduar si me goditje shpate’. (Proverbat 12:18) Megjithatë, ashtu si Jezui, barinjtë nuk ia kthejnë me fjalë të ashpra ose me veprime hakmarrëse. Jo, ata shfaqin vetëpërmbajtje dhe vazhdojnë të tregojnë ndjenja të përbashkëta, që mund të jenë një bekim për atë që ka nevojë për ndihmë. (1 Pjetrit 3:8, 9) A nxjerr ti mësim nga shembulli i pleqve dhe a shfaq butësi e vetëkontroll kur të japin këshilla?
19 Pa dyshim, Jehovai dhe Jezui e vlerësojnë punën e palodhur të mijëra barinjve, që vullnetarisht kujdesen për kopenë mbarëbotërore. Jehovai dhe Biri i tij kanë shumë përzemërsi edhe për mijëra shërbëtorët ndihmës që mbështetin barinjtë duke ‘u shërbyer të shenjtëve’. (Hebrenjve 6:10) Po atëherë, përse disa vëllezër të pagëzuar ngurrojnë të synojnë këtë «punë të shkëlqyer»? (1 Timoteut 3:1) Dhe si i stërvit Jehovai ata që emëron si barinj? Këto pyetje do t’i marrim në shqyrtim në artikullin vijues.
A ju kujtohet?
• Cilat janë disa mënyra se si barinjtë tregojnë dashuri për kopenë?
• Si mund të nxitin gëzimin dhe paqen të gjithë pjesëtarët e kongregacionit?
• Pse barinjtë janë shpirtgjerë dhe mirëdashës kur japin këshilla?
• Si shfaqin mirësi e besim pleqtë e kongregacionit?
[Figura në faqen 18]
Dashuria i nxit pleqtë t’i shërbejnë kongregacionit
[Figurat në faqen 18]
Ata kalojnë kohë edhe me familjen, në zbavitje . . .
. . . e në shërbim
[Figura në faqen 20]
Komunikimi i mirë mes pleqve, nxit gëzimin dhe paqen në kongregacion