«Ruani plotësisht gjykimin»
«Kush është pa përvojë, i beson çdo fjale, por kush është mendjehollë, i shqyrton hapat e tij.»—PROVERBAT 14:15.
1, 2. (a) Çfarë na mëson përvoja e Lotit në Sodomë? (b) Çfarë kuptimi ka shprehja ‘ruani gjykimin’?
KUR Abrahami i tha të zgjidhte i pari vendin, menjëherë Lotit i shkuan sytë te një zonë e ujitur mirë që ishte «si kopshti i Jehovait». Me siguri do t’i jetë dukur vend i përsosur për t’u vendosur me familjen, sepse «Loti zgjodhi gjithë krahinën e Jordanit» dhe ngriti tendën pranë Sodomës. Por pamja e jashtme e gënjeu, sepse aty pranë jetonin «njerëzit e Sodomës [që] ishin të këqij dhe mëkatonin rëndë kundër Jehovait». (Zanafilla 13:7-13) Siç rrodhën ngjarjet, Loti dhe familja e tij patën pasoja shumë të rënda. Së fundi, ai bashkë me të bijat u detyruan të jetonin në një shpellë. (Zanafilla 19:17, 23-26, 30) Ajo që në fillim i ishte dukur kaq e mirë, doli krejt e kundërta.
2 Në tregimin për atë që i ndodhi Lotit, ka një mësim për shërbëtorët e Perëndisë sot. Kur duhet të marrim vendime, ne duhet të jemi syçelë ndaj rreziqeve të mundshme dhe të ruhemi që të mos mashtrohemi nga përshtypjet e para. Pra, është me vend që Fjala e Perëndisë na nxit: «Ruani plotësisht gjykimin.» (1 Pjetrit 1:13) Fjala greke që këtu është përkthyer ‘ruani gjykimin’, fjalë për fjalë do të thotë «jini esëll». Sipas studiuesit biblik Riçard C.H. Lenski, kjo shprehje nënkupton «një gjendje mendore të qetë e të qëndrueshme, që të lejon t’i peshosh e t’i vlerësosh gjërat drejt dhe të ndihmon të marrësh vendimin e duhur». Le të shqyrtojmë disa situata që na kërkojnë të ruajmë gjykimin.
Kur shqyrtojmë një mundësi biznesi
3. Pse duhet bërë kujdes, nëse na ofrohet një mundësi për biznes?
3 Ta zëmë se të ofrohet një mundësi për biznes, nga një njeri i respektuar që ndoshta është adhurues i Jehovait. Ai është shumë entuziast për suksesin e këtij biznesi dhe të nxit të veprosh shpejt, që të mos të ikë nga duart mundësia. Ti fillon të përfytyrosh një jetë më të mirë për veten dhe për familjen, e mbase arsyeton se kjo do të të japë mundësi t’u kushtosh më shumë kohë gjërave frymore. Mirëpo, Proverbat 14:15 paralajmëron: «Kush është pa përvojë, i beson çdo fjale, por kush është mendjehollë, i shqyrton hapat e tij.» Në euforinë që shoqëron shpesh një biznes të ri, mund të nënvlerësohen rreziqet, të mbyllet një sy ndaj tyre dhe të mos shqyrtohen plotësisht pasiguritë që vijnë kur përfshihesh në biznes. (Jakovi 4:13, 14) Sa e nevojshme do të ishte që të ruash plotësisht gjykimin në një situatë të tillë!
4. Si mund ‘t’i shqyrtojmë hapat’ kur peshojmë një propozim për biznes?
4 Një njeri i matur e peshon me kujdes një propozim për biznes, para se të marrë vendimin. (Proverbat 21:5) Shpesh, nga kjo dalin në shesh rreziqe që kishin qenë të fshehura. Përfytyro këtë situatë: një njeri kërkon të marrë hua, për planet e tij për biznes, dhe të propozon një përfitim të madh, po t’i japësh hua fondet. Propozimi mund të duket joshës, por, cilat janë rreziqet? A pranon huamarrësi të t’i kthejë paratë pavarësisht nga ecuria e biznesit apo kthimi i huas varet nga suksesi i këtij biznesi? Me fjalë të tjera, a mund të ndodhë që t’i humbasësh paratë, nëse biznesi falimenton? Një pyetje tjetër është: «Pse po u kërkon para njerëzve? Mos vallë bankat e konsiderojnë tepër të rrezikshme këtë sipërmarrje?» Kur lë pak kohë për të menduar për rreziqet, kjo të ndihmon t’i bësh një vlerësim realist propozimit.—Proverbat 13:16; 22:3.
5. (a) Cilin hap të matur bëri Jeremia kur bleu një arë? (b) Pse është e dobishme që të gjitha marrëveshjet tregtare të jenë me shkrim?
5 Kur profeti Jeremia bleu një arë nga kushëriri i tij, që ishte po ashtu adhurues i Jehovait, bëri një aktmarrëveshje me shkrim para dëshmitarëve. (Jeremia 32:9-12) Edhe sot, një njeri i mençur do të sigurohet që të gjitha marrëveshjet tregtare që bën, qoftë edhe ato me të afërmit ose bashkëbesimtarët, të jenë dokumentuar me një marrëveshje me shkrim.a Kur ka një marrëveshje të shkruar qartë e të përgatitur mirë, kjo ndihmon për të parandaluar keqkuptimet dhe për të ruajtur unitetin. Në anën tjetër, kur nuk ka një marrëveshje të shkruar, shpesh ky është një nga shkaqet pse lindin probleme biznesi mes shërbëtorëve të Jehovait. Mjerisht, këto probleme mund të sjellin hidhërim, zhgënjim e madje humbjen e gjendjes së mirë frymore.
6. Pse duhet të ruhemi nga lakmia?
6 Veç kësaj, duhet të ruhemi edhe nga lakmia. (Luka 12:15) Premtimi për të pasur përfitime kolosale mund ta verbojë një njeri, që pastaj nuk i sheh rreziqet e një sipërmarrjeje tregtare jo të mençur. Edhe disa që kanë pasur privilegje të mëdha në shërbim të Jehovait, kanë rënë në këtë kurth. Fjala e Perëndisë na nxit të bëjmë kujdes: «Mënyra juaj e të jetuarit le të jetë pa dashuri për para, ndërsa jeni të kënaqur me gjërat që keni.» (Hebrenjve 13:5) Kur shqyrton një mundësi biznesi, një i krishterë duhet të mendojë: ‘A është vërtet e nevojshme të përfshihem?’ Një jetë e thjeshtë, e përqendruar në adhurimin ndaj Jehovait, do të na mbrojë nga «çdo lloj gjëje [e] dëmshme».—1 Timoteut 6:6-10.
Sfidat që hasin të krishterët beqarë
7. (a) Çfarë sfidash hasin shumë të krishterë beqarë? (b) Si përfshihet besnikëria ndaj Perëndisë në zgjedhjen e bashkëshortit?
7 Shumë shërbëtorë të Jehovait dëshirojnë të martohen, por ende nuk kanë gjetur një bashkëshort të përshtatshëm. Në disa vende shoqëria u bën presion të madh të rinjve për t’u martuar. Por mundësitë për të takuar një bashkëshort të mundshëm, që të jetë një bashkëbesimtar, mund të jenë të pakta. (Proverbat 13:12) Gjithsesi, të krishterët e kuptojnë se zbatimi i urdhrit biblik për t’u martuar «vetëm në Zotërinë» është çështje besnikërie ndaj Jehovait. (1 Korintasve 7:39) Për të qëndruar të patundur ndaj presioneve dhe tundimeve që hasin, të krishterët beqarë duhet ta ruajnë plotësisht gjykimin.
8. Çfarë presioni hasi Shulamitja dhe si mund të hasin edhe sot gratë e krishtere një sfidë të ngjashme?
8 Në Këngën e Solomonit, një vajzë e thjeshtë fshati, që aty quhet Shulamite, tërheq vëmendjen e mbretit. Ai kërkon t’i bëjë përshtypje me pasurinë, prestigjin dhe madhështinë që ka, por ajo tashmë dashuron një djalë të ri. (Kënga e Solomonit 1:9-11; 3:7-10; 6:8-10, 13) Nëse je një grua e krishterë, edhe ti mund të tërheqësh vëmendjen e dikujt, ndonëse nuk e dëshiron këtë vëmendje. Ndonjëri në vendin e punës, ndoshta në një pozitë me përgjegjësi, mund të fillojë të të lavdërojë, të të bëjë ndonjë nder dhe të kërkojë mundësi për të ndenjur me ty. Ki kujdes nga kjo vëmendje lajkatare! Ndonëse jo gjithnjë synimet e një njeriu të tillë janë romantike ose imorale, shpeshherë janë të tilla. Ashtu si Shulamitja, ji edhe ti një «mur». (Kënga e Solomonit 8:4, 10) Refuzoji prerazi propozimet e padëshiruara. Bëjua të qartë që në fillim shokëve të punës se je Dëshmitare e Jehovait dhe përfito nga çdo mundësi për t’u dhënë dëshmi. Kjo do të të shërbejë si mbrojtje.
9. Cilat janë disa rreziqe kur hyn në një marrëdhënie me një të panjohur në Internet? (Shih edhe kutinë në faqen 25.)
9 Gjithnjë e më shumë po përhapen faqet e Internetit të krijuara për të ndihmuar beqarët që të gjejnë bashkëshort. Disa veta i shohin këto si një mënyrë për t’u njohur me njerëz që s’do t’i takonin dot përndryshe. Megjithatë, është shumë e rrezikshme të hysh verbërisht në një marrëdhënie me një të panjohur. Në Internet, mund të jetë e vështirë të dallosh të vërtetat nga trillimet. (Psalmi 26:4) Jo kushdo që të thotë se është shërbëtor i Jehovait, është në të vërtetë i tillë. Për më tepër, me takimet në Internet, mund të zhvillohet shumë shpejt një lidhje e fortë që ta shtrembëron gjykimin. (Proverbat 28:26) Me Internet apo në ndonjë mënyrë tjetër, nuk është e mençur të zhvillosh një marrëdhënie të ngushtë me dikë për të cilin di shumë pak.—1 Korintasve 15:33.
10. Si mund të marrin zemër të krishterët beqarë nga bashkëbesimtarët?
10 Jehovai «është shumë i butë në përzemërsi» ndaj shërbëtorëve të tij. (Jakovi 5:11) Ai e di se sfidat e të krishterëve që janë beqarë për shkak të rrethanave, nganjëherë janë shkurajuese dhe e vlerëson shumë besnikërinë e tyre. Si mund t’u japin zemër të tjerët këtyre të krishterëve? Duhet t’i lavdërojmë vazhdimisht për bindjen që tregojnë dhe për frymën vetësakrifikuese. (Gjykatësit 11:39, 40) Gjithashtu mund t’i përfshijmë kur organizojmë raste për të gëzuar shoqërinë ndërtuese. A e keni bërë këtë kohët e fundit? Për më tepër, mund të lutemi për ta, duke i kërkuar Jehovait që t’i ndihmojë të mbajnë ekuilibrin frymor dhe të gjejnë gëzim duke i shërbyer atij. Me interesimin tonë të sinqertë, tregojmë se i vlerësojmë këta të krishterë besnikë, ashtu si Jehovai.—Psalmi 37:28.
Problemet e shëndetit
11. Çfarë sfidash paraqitin problemet e rënda shëndetësore?
11 Sa shqetësohemi kur ne vetë ose një i afërmi ynë ka probleme të rënda shëndetësore! (Isaia 38:1-3) Ndërsa kërkojmë të gjejmë mjekimin më të mirë, është jetësore t’u përmbahemi parimeve biblike. Për shembull, të krishterët bëjnë kujdes që t’i binden urdhrit të Biblës për t’u përmbajtur nga gjaku dhe shmangin çdo procedurë diagnostikimi ose terapie që përfshin spiritizmin. (Veprat 15:28, 29; Galatasve 5:19-21) Mirëpo, për ata që s’dinë shumë nga mjekësia, shqyrtimi i mundësive të ndryshme të mjekimit mund të jetë i vështirë dhe frikësues. Çfarë do të na ndihmojë që ta ruajmë plotësisht gjykimin?
12. Si mund ta ruajë ekuilibrin një i krishterë kur mendon për mundësitë e ndryshme të mjekimit?
12 Njeriu «mendjehollë, i shqyrton hapat e tij» duke bërë kërkime në Bibël e në botimet e krishtere. (Proverbat 14:15) Në ato pjesë të botës ku nuk ka shumë mjekë e spitale, ndoshta e vetmja mundësi është mjekësia popullore, ku normalisht përdoren bimët si ilaçe. Nëse po mendojmë për një mjekim të tillë, mund të gjejmë informacione të dobishme në Kullën e Rojës, 15 prill 1987, faqet 26-29, anglisht. Aty na tregohen rreziqet e mundshme. Për shembull, mund të na duhet të zbulojmë disa gjëra: a njihet ky mjek popullor si një njeri që praktikon spiritizmin? A bazohet mjekimi në bindjen se sëmundjet dhe vdekja shkaktohen nga perënditë e zemëruara (a frymërat e të parëve) ose nga ndonjë që dëshiron të të bëjë keq duke përdorur magjinë? A përdoren flijime, yshtje ose rite të tjera spiritiste në përgatitjen a në përdorimin e ilaçit? (Ligji i përtërirë 18:10-12) Këto kërkime do të na ndihmojnë t’i vëmë veshin këshillës së frymëzuar: «Sigurohuni për të gjitha gjërat, mbani fort atë që është e shkëlqyer.»b (1 Selanikasve 5:21) Kjo do të na ndihmojë të ruajmë ekuilibrin.
13, 14. (a) Si mund të tregojmë arsyetueshmëri kur kujdesemi për shëndetin fizik? (b) Pse duhet arsyetueshmëri kur flasim me të tjerët për shëndetin e për çështjet mjekësore?
13 Arsyetueshmëria duhet në çdo fushë të jetës, edhe në kujdesin për shëndetin fizik. (Filipianëve 4:5) Kur jemi të ekuilibruar në kujdesin që i kushtojmë shëndetit, kjo tregon se e vlerësojmë dhuratën e çmuar të jetës. Nëse hasim probleme shëndetësore, këto me të drejtë kërkojnë t’u kushtojmë vëmendje. Gjithsesi, shëndet të përsosur do të arrijmë vetëm kur të vijë koha e Perëndisë për «shërimin e kombeve». (Zbulesa 22:1, 2) Duhet të kemi kujdes që të mos shqetësohemi për shëndetin fizik aq shumë, sa të lëmë mënjanë nevojat më të rëndësishme frymore.—Mateu 5:3; Filipianëve 1:10.
14 Duhet të tregojmë ekuilibër e arsyetueshmëri edhe kur diskutojmë me të tjerët për shëndetin e për çështjet mjekësore. Këto nuk duhet të jenë argumentet kryesore të bisedave tona, kur mblidhemi për shoqëri frymore në mbledhjet e krishtere dhe në asamble. Për më tepër, vendimet mjekësore shpesh përfshijnë parime biblike, ndërgjegjen e gjithësecilit dhe marrëdhënien e tij me Jehovain. Prandaj, nuk do të ishte e dashur ta detyrojmë një bashkëbesimtar të pranojë pikëpamjet tona ose t’i bëjmë presion që të shpërfillë çfarë i thotë ndërgjegjja. Edhe pse mund të këshillohet me njerëz të pjekur në kongregacion, çdo i krishterë duhet «të mbajë ngarkesën e vet» të përgjegjësisë për vendimet që merr dhe «secili nga ne do t’i japë llogari Perëndisë për veten».—Galatasve 6:5; Romakëve 14:12, 22, 23.
Kur jemi nën stres
15. Çfarë sfide mund të përbëjnë rrethanat stresuese?
15 Rrethanat stresuese mund t’i bëjnë edhe shërbëtorët besnikë të Jehovait të flasin ose të veprojnë pa mençuri. (Eklisiastiu 7:7) Jobi e humbi disi ekuilibrin kur ishte nën sprova të rënda, dhe u desh që t’i ndreqnin mënyrën e të menduarit. (Jobi 35:2, 3; 40:6-8) Moisiu, edhe pse «ishte më zemërbuti ndër të gjithë ata që rronin mbi faqen e dheut», në një rast u zemërua dhe foli pa menduar. (Numrat 12:3; 20:7-12; Psalmi 106:32, 33) Davidi kishte treguar vetëkontroll të shkëlqyer duke mos e vrarë mbretin Saul, por, kur Nabali e fyeu dhe shau njerëzit e tij, u zemërua shumë dhe e humbi gjykimin. Erdhi në vete vetëm kur ndërhyri Abigaila, dhe, për një fije, shmangu një gabim fatal.—1 Samuelit 24:2-7; 25:9-13, 32, 33.
16. Çfarë mund të na ndihmojë që të mos veprojmë pa menduar?
16 Edhe ne ndoshta do të hasim rrethana stresuese që mund të na bëjnë të humbim gjykimin. Shqyrtimi me kujdes i pikëpamjes së të tjerëve, siç bëri Davidi, do të na ndihmojë që të mos veprojmë pa menduar e të nxitohemi, duke mëkatuar. (Proverbat 19:2) Më tej, Fjala e Perëndisë na këshillon: «Kur të jeni të trazuar, mos mëkatoni. Flitini zemrës në shtratin tuaj dhe heshtni.» (Psalmi 4:4) Kur është e mundur, është e mençur të presim derisa të qetësohemi, para se të bëjmë ndonjë veprim ose të marrim një vendim. (Proverbat 14:17, 29) Mund t’i drejtohemi Jehovait në lutje të zjarrtë, dhe «paqja e Perëndisë, që kapërcen çdo mendim, do të ruajë zemrën dhe fuqitë [tona] mendore me anë të Krishtit Jezu». (Filipianëve 4:6, 7) Kjo paqe që vjen nga Perëndia, do të na bëjë të qëndrueshëm dhe do të na ndihmojë të ruajmë plotësisht gjykimin.
17. Pse duhet të mbështetemi te Jehovai për të ruajtur plotësisht gjykimin?
17 Me gjithë përpjekjet tona më të mira për të shmangur rreziqet e për të vepruar me mençuri, të gjithë bëjmë gabime. (Jakovi 3:2) Ndoshta po bëjmë një hap të gabuar që do të na rrënojë e të mos e kuptojmë fare. (Psalmi 19:12, 13) Për më tepër, si krijesa njerëzore, nuk kemi as aftësinë, as të drejtën për t’i drejtuar hapat pa ndihmën e Jehovait. (Jeremia 10:23) Sa mirënjohës jemi që ai na siguron: «Do të të jap gjykim të thellë dhe do të të mësoj udhën që duhet të ndjekësh. Do të të këshilloj duke i mbajtur sytë mbi ty.» (Psalmi 32:8) Po, me ndihmën e Jehovait, mund ta ruajmë plotësisht gjykimin!
[Shënimet]
a Për më shumë informacion rreth marrëveshjeve tregtare me shkrim, shih Kullën e Rojës, 1 gusht 1997, faqet 30, 31; 15 nëntor 1986, faqet 16, 17, anglisht, dhe Zgjohuni!, 8 shkurt 1983, faqet 13-15, anglisht, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
b Kjo metodë shqyrtimi do t’u sjellë dobi edhe atyre që po shqyrtojnë alternativa të diskutueshme për trajtimin e ndonjë sëmundjeje.
Si do të përgjigjeshit?
Si ta ruajmë gjykimin
• nëse na propozohet një mundësi për biznes?
• kur kërkojmë bashkëshort?
• kur hasim probleme shëndetësore?
• kur jemi nën stres?
[Kutia në faqen 25]
A janë për t’u besuar?
Në faqet e Internetit për beqarët, shfaqen këto deklarata shfajësimi:
«Edhe pse ne bëjmë më të mirën, nuk garantohet identiteti i vërtetë i individit.»
«Nuk garantojmë saktësinë, tërësinë ose dobinë e asnjë informacioni në këtë shërbim.»
«Opinionet, këshillat, thëniet, propozimet ose informacionet a përmbajtjet e tjera që vihen në dispozicion përmes [këtij] shërbimi, janë të autorëve përkatës . . . , dhe jo domosdoshmërisht për t’u besuar.»
[Figura në faqen 23]
«Kush është mendjehollë, i shqyrton hapat e tij»
[Figurat në faqet 24, 25]
Si mund ta imitojnë gratë e krishtere Shulamiten?
[Figura në faqen 26]
«Sigurohuni për të gjitha gjërat, mbani fort atë që është e shkëlqyer»