Të mbajmë virtytin në një botë të mbushur me vese
«Vazhdoni të bëni çdo gjë pa murmuritje dhe pa debate, që të mund të jeni të paqortueshëm e të pafajshëm, fëmijë të Perëndisë pa asnjë njollë mes një brezi dredharak e të shtrembër.»—FILIPIANËVE 2:14, 15, BR.
1, 2. Përse kërkoi Perëndia shfarosjen e kananitëve?
URDHRAT e Jehovait nuk lënë vend për kompromise. Izraelitët ishin gati për të hyrë në Tokën e Premtuar, kur profeti Moisi u tha atyre: «Ju duhet patjetër t’ia kushtoni ata shkatërrimit, hititët dhe amorenjtë, kananitët dhe perezenjtë, hivitët dhe jebusenjtë, ashtu siç ju ka urdhëruar Jehovai, Perëndia juaj.»—Ligji i përtërirë 7:2; 20:17, BR.
2 Përderisa Jehovai është Perëndi i mëshirshëm, përse kërkoi shfarosjen e banorëve të Kanaanit? (Dalja [Eksodi] 34:6) Një arsye ishte ‘që kananitët të mos i mësonin Izraelit të bënte sipas të gjitha gjërave të neveritshme, të cilat ua bënë perëndive të tyre dhe kështu të mëkatonte kundër Perëndisë Jehova’. (Ligji i përtërirë 20:18, BR) Veç kësaj, Moisiu tha: «Është për ligësinë e këtyre kombeve që Jehovai po i përzë përpara jush.» (Ligji i përtërirë 9:4, BR) Kananitët ishin vetë personifikimi i vesit. Zvetënimi seksual dhe idhujtaria ishin damka e adhurimit të tyre. (Dalja 23:24; 34:12, 13; Numrat 33:52; Ligji i përtërirë 7:5) Incesti, sodomia dhe marrëdhëniet seksuale me kafshë ishin ‘zakon për vendin e Kanaanit’. (Levitiku 18:3-25, BR) Fëmijë të pafajshëm u sakrifikoheshin mizorisht perëndive të rreme. (Ligji i përtërirë 18:9-12) S’është çudi që thjesht ekzistencën e këtyre kombeve, Jehovai e gjykonte si një kërcënim për mirëqenien fizike, morale dhe frymore të popullit të tij!—Dalja 34:14-16.
3. Çfarë rezultoi nga moskryerja e plotë e urdhrave të Perëndisë nga ana e izraelitëve lidhur me banorët e Kanaanit?
3 Meqenëse urdhrat e Perëndisë nuk ishin çuar plotësisht në vend, shumë banorë të Kanaanit i mbijetuan pushtimit që i bëri Izraeli Tokës së Premtuar. (Gjykatësit 1:19-21) Me kalimin e kohës, u ndie ndikimi djallëzor i kananitëve dhe mund të thuhej: «Ata [izraelitët] vazhdonin të hidhnin poshtë rregullimet [e Jehovait] dhe besëlidhjen e tij që ai kishte përfunduar me etërit e tyre, kujtesat e tij, me të cilat ai i kishte paralajmëruar dhe ata vazhduan të ndiqnin idhuj të kotë e u bënë të kotë edhe vetë, deri në imitim të kombeve që ishin përreth tyre, lidhur me të cilat Jehovai i kishte urdhëruar të mos bënin si ata.» (2. Mbretërve 17:15, BR) Po, përgjatë viteve shumë izraelitë praktikuan vetë veset, që e kishin bërë Perëndinë të urdhëronte zhdukjen e kananitëve: idhujtarinë, teprimet seksuale dhe madje sakrifikimin e fëmijëve!—Gjykatësit 10:6; 2. Mbretërve 17:17; Jeremia 13:27.
4, 5. (a) Çfarë ndodhi me Izraelin dhe Judën e pabesë? (b) Çfarë thirrjeje është bërë në Filipianëve 2:14, 15 dhe cilat pyetje ngrihen?
4 Për këtë arsye, profeti Hozea deklaroi: «Dëgjoni fjalën e Jehovait, o bij të Izraelit, sepse Jehovai ka një çështje ligjore me banorët e vendit, pasi nuk ka të vërtetë, as dashamirësi të dashur, as njohuri të Perëndisë në vend. Ekziston shpallja e mallkimit dhe praktikimi i mashtrimit, vrasja, vjedhja e kryerja e tradhtisë bashkëshortore kanë marrë dhenë dhe veprat e gjakderdhjes kanë prekur vepra të tjera gjakderdhjeje. Prandaj, vendi do të mbajë zi dhe çdo banor në të duhet të zhduket me bishën e egër të fushës dhe me krijesën fluturake të qiejve, e madje vetë peshqit e detit do të mblidhen në vdekje.» (Hozea 4:1-3, BR) Në vitin 740 p.e.s., mbretëria e korruptuar veriore e Izraelit u mposht nga Asiria. Thuajse mbi një shekull më vonë, mbretëria e pabesë jugore e Judës u pushtua nga Babilonia.
5 Këto ngjarje ilustrojnë se sa e rrezikshme mund të jetë nëse lejojmë që të na pushtojë vesi. Perëndia e përbuz padrejtësinë dhe nuk do ta tolerojë atë mes popullit të tij. (1. Pjetrit 1:14-16) Është e vërtetë se jetojmë në «sistemin e tanishëm të lig të gjërave», në një botë që po bëhet gjithnjë e më e korruptuar. (Galatasve 1:4; 2. Timoteut 3:13) Edhe në këto rrethana, Fjala e Perëndisë u bën thirrje të gjithë të krishterëve që të vazhdojnë të veprojnë në një mënyrë të tillë, që të jenë «të paqortueshëm e të pafajshëm, fëmijë të Perëndisë pa asnjë njollë mes një brezi dredharak e të shtrembër, mes të cilëve [ata] janë duke ndriçuar si ndriçues në botë». (Filipianëve 2:14, 15) Por, si mund të mbajmë virtytin në një botë të mbushur me vese? A është vërtet e mundur për ta bërë?
Bota romake e mbushur me vese
6. Përse të krishterët e shekullit të parë përballuan një sfidë në mbajtjen e virtytit?
6 Të krishterët e shekullit të parë u ndeshën me sfidën e mbajtjes së virtytshmërisë, pasi vesi përshkonte çdo aspekt të shoqërisë romake. Filozofi romak Seneka u shpreh kështu për bashkëkohësit e tij: «Njerëzit luftojnë me një rivalitet të madh ligësie. Dëshira për keqbërje është çdo ditë e më e madhe, tmerri i saj pakësohet.» Ai e krahasoi shoqërinë romake me «një komunitet bishash të egra». S’është çudi, pra, që për t’u zbavitur romakët kërkonin ndeshje sadiste me gladiatorë dhe shfaqje teatrale moralisht të fëlliqura.
7. Si i përshkroi Pavli veset që ishin të zakonshme mes shumë njerëzve të shekullit të parë të e.s.?
7 Veç kësaj, apostulli Pavël mund të ketë pasur në mendje sjelljen dekadente të njerëzve në shekullin e parë, kur shkroi: «Perëndia i ka braktisur në uri të turpshme seksuale, sepse femrat e tyre e kanë ndërruar përdorimin natyror të vetes në një të kundranatyrshëm; ngjashëm edhe meshkujt e kanë lënë përdorimin e natyrshëm të femrave dhe në epshin e tyre janë ndezur dhunshëm kundër njëri-tjetrit, meshkuj me meshkuj, duke bërë çka është e turpshme dhe duke marrë mbi vete shpërblimin e plotë, sipas gabimit të tyre.» (Romakëve 1:26, 27, BR) Duke qenë e vendosur për të ndjekur dëshirat e papastra mishore, shoqëria romake u përmbyt nga vesi.
8. Si shfrytëzoheshin shpesh fëmijët në shoqërinë greke dhe në atë romake?
8 Historia nuk e bën të qartë se sa i përhapur ishte homoseksualizmi ndër romakët. Por, pa dyshim ata ishin ndikuar nga pararendësit e tyre grekë, mes të cilëve ai ishte gjerësisht i praktikuar. Ishte zakon që të rriturit të korruptonin djemtë e rinj, duke i marrë në krahët e tyre si mësuesi nxënësin, gjë që shpesh i çonte djelmoshët në sjellje të devijuar seksuale. Pa dyshim që pas një vesi të tillë dhe pas keqtrajtimit të fëmijëve, qëndronin Satanai dhe demonët e tij.—Joeli 3:3; Judës 6, 7.
9, 10. (a) Në ç’mënyrë e dënon 1. Korintasve 6:9, 10 vesin e llojeve të ndryshme? (b) Cila ishte e kaluara e disave në kongregacionin e Korintit dhe çfarë ndryshimi ndodhi në rastin e tyre?
9 Duke shkruar nën frymëzimin hyjnor, Pavli u tha të krishterëve në Korint: «Çfarë! Nuk e dini që të padrejtët nuk do ta trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë? Mos u mashtroni. As kurvarë, as idhujtarë, as tradhtarë bashkëshortorë, as burra të mbajtur për qëllime jo të natyrshme, as burra që shtrihen me burra, as vjedhës, as lakmitarë, as pijanecë, as përqeshës, as rrëmbyes nuk do ta trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë. E megjithatë, të tillë ishin disa prej jush. Por jeni larë, jeni shenjtëruar, jeni shpallur të drejtë në emër të Zotërisë sonë Jezu Krisht dhe me frymën e Perëndisë sonë.»—1. Korintasve 6:9-11, BR.
10 Kështu, pra, letra e frymëzuar e Pavlit dënonte imoralitetin seksual, duke thënë se «kurvarët» nuk do të «trashëgonin mbretërinë e Perëndisë». Megjithatë, pasi radhiti një sërë vesesh, Pavli tha: «Të tillë ishin disa prej jush. Por jeni larë.» Me ndihmën e Perëndisë ishte e mundur që keqbërësit të bëheshin të pastër në sytë e tij.
11. Si ia dolën mbanë të krishterët e shekullit të parë në mjedisin e lig të ditëve të tyre?
11 Po, virtyti i krishterë lulëzoi edhe në botën e mbushur me vese në shekullin e parë. Besimtarët ishin ‘transformuar duke ripërtërirë mendjen e tyre’. (Romakëve 12:2, BR) Ata braktisën «drejtimin e mëparshëm të sjelljes» dhe ‘u rinuan në forcën që vinte në veprim mendjet e tyre’. Kështu, ata i lanë veset e botës dhe «veshën personalitetin e ri, i cili ishte krijuar sipas vullnetit të Perëndisë në drejtësi dhe besnikëri të vërtetë».—Efesianëve 4:22-24, BR.
Bota e ditëve tona e mbushur me vese
12. Çfarë ndryshimi ka ndodhur mbi botën që nga 1914-a?
12 Po në ditët tona? Bota në të cilën jetojmë, është e mbushur me vese më shumë se kurrë më parë. Veçanërisht që nga 1914-a ka pasur një rënie të moralit në shkallë globale. (2. Timoteut 3:1-5) Duke hedhur poshtë idetë tradicionale mbi virtytin, moralin, nderin dhe etikën, shumë njerëz janë bërë egocentrikë në mënyrën e tyre të të menduarit dhe kanë «kaluar çdo kuptim moral». (Efesianëve 4:19, BR) Një revistë e mirënjohur shprehej se «jetojmë në epokën e relativitetit moral», duke shtuar se atmosfera mbizotëruese morale «ka rrëgjuar të gjitha idetë e gjërave të drejta apo të gabuara në shijet personale, preferencat emocionale apo zgjedhjen kulturore».—Newsweek.
13. (a) Si e mbështesin vesin shumë nga zbavitjet e sotme? (b) Çfarë ndikimi të keq mund të ketë mbi individët zbavitja e papërshtatshme?
13 Ashtu si në shekullin e parë, sot është e zakonshme zbavitja dekadente. Televizori, radioja, filmat dhe videot sigurojnë një furnizim të vazhdueshëm me material që të orienton drejt seksit. Vesi ka depërtuar edhe në rrjetin e kompjuterëve. Sipas një studimi universitar, pornografia me kompjuter është tani «një nga aplikimet argëtuese më të mëdha (në mos më i madhi) për përdoruesit e rrjeteve të kompjuterit». Cilat janë ndikimet e gjithë kësaj? Një reporter gazete thotë: «Kur gjakderdhja, dhuna e dëmi i kotë dhe seksi i shpifur tejmbushin kulturën e popullit tonë, ne mësohemi me gjakderdhjen, dhunën e dëmin e kotë dhe seksin e shpifur. Topitemi nga veleritja. Zvetënimi bëhet gjithnjë e më i tolerueshëm, sepse na skandalizon gjithnjë e më pak.»—Krahaso 1. Timoteut 4:1, 2.
14, 15. Çfarë prove ekziston se morali seksual ka rënë anekënd botës?
14 Le të konsiderojmë këtë raport të bërë në The New York Times: «Ajo që 25 vjet më parë do të konsiderohej skandaloze, tani është bërë një bashkëjetesë e pranueshme. Numri i çifteve që zgjedhin të bashkëjetojnë në vend se të martohen u rrit në 80 përqind [në Shtetet e Bashkuara] nga viti 1980 deri në vitin 1991.» Ky nuk është thjesht një fenomen amerikano-verior. Një revistë raportonte: «Një debat kulturor po bën kërdinë në vendet kudo nëpër [Azi]. Çështja është liria seksuale përkundër vlerave tradicionale dhe presionet për të ndryshuar, po bëhen më të mëdha.» (Asiaweek) Statistikat në shumë vende tregojnë një pranim gjithnjë e në rritje të tradhtisë bashkëshortore dhe të marrëdhënieve seksuale paramartesore.
15 Bibla e ka parathënë se në ditët tona aktiviteti satanik do të ishte i dendur. (Zbulesa 12:12) Prandaj, s’duhet të habitemi që vesi po merr dhenë me një shpejtësi alarmante. Për shembull, shfrytëzimi seksual i fëmijëve ka arritur përpjesëtime epidemike.a Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët raporton se «shfrytëzimi tregtar seksual po dëmton fëmijët pothuaj në çdo vend të botës». Çdo vit, «raportohet që më shumë se 1 milion fëmijë anekënd botës, detyrohen për të marrë pjesë në prostitucionin me fëmijë, tregtohen e shiten për qëllime seksuale dhe përdoren në prodhimin e pornografisë fëminore». Homoseksualizmi është, gjithashtu, i zakonshëm edhe tek disa politikanë dhe krerë fetarë që marrin drejtimin në përkrahjen e një «mënyre alternative jetese».
Të hedhim poshtë veset e botës
16. Çfarë qëndrimi mbajnë Dëshmitarët e Jehovait, për sa i përket moralit seksual?
16 Dëshmitarët e Jehovait nuk bashkohen me korin e atyre që mbështesin norma toleruese mbi moralin seksual. Titit 2:11, 12 thotë: «Dashamirësia e pamerituar e Perëndisë që i sjell shpëtim çdo lloj njeriu, është bërë e dukshme, duke na mësuar që të mos pranojmë paperëndishmërinë dhe dëshirat e botës dhe që të jetojmë me mendje të shëndoshë, drejtësi dhe devotshmëri të shenjtë mes këtij sistemi të tanishëm gjërash.» (BR) Po, ne kultivojmë një urrejtje të vërtetë, një neveri për vese të tilla si marrëdhëniet seksuale paramartesore, tradhtia bashkëshortore dhe aktet homoseksuale.b (Romakëve 12:9; Efesianëve 5:3-5) Pavli bëri këtë thirrje: «Kushdo që përmend emrin e Jehovait të heqë dorë nga padrejtësia.»—2. Timoteut 2:19, BR.
17. Si e konsiderojnë të krishterët e vërtetë përdorimin e pijeve alkoolike?
17 Të krishterët e vërtetë hedhin poshtë pikëpamjen e botës mbi vese në dukje të vogla. Për shembull, shumë njerëz sot e shikojnë abuzimin e alkoolit si diçka qesharake. Por populli i Jehovait ndjek këshillën e Efesianëve 5:18: «Mos u dehni me verë, në të cilën ka plangprishje, por vazhdoni të mbusheni me frymë.» (BR) Nëse një i krishterë zgjedh të pijë, ai e bën këtë me përkore.—Proverbat 23:29-32.
18. Si i drejtojnë parimet biblike shërbëtorët e Jehovait në trajtimin që u bëjnë anëtarëve të familjes?
18 Si shërbëtorë të Jehovait, ne hedhim poshtë, gjithashtu, pikëpamjen e disave në botë, për të cilët bërtitjet dhe ulëritjet me bashkëshortin dhe fëmijët apo fyerja e tyre me fjalë lënduese është një sjellje e pranueshme. Duke qenë të vendosur për të ndjekur një rrugë të virtytshme, burrat dhe gratë e krishtere punojnë së bashku për të zbatuar këshillën e Pavlit: «Çdo hidhërim shpirtlig, inat, zemërim, e bërtitur dhe e folur sharëse, le të hiqet prej jush, bashkë me çdo ligësi. Por bëhuni të sjellshëm me njëri-tjetrin, me dhembshuri të butë, duke falur lirisht njëri-tjetrin, ashtu si edhe Perëndia me anë të Krishtit ju fal lirisht.»—Efesianëve 4:31, 32, BR.
19. Sa i përhapur është vesi në botën tregtare?
19 Gjithashtu, të zakonshme janë sot edhe pandershmëria, mashtrimi, gënjeshtra, taktikat e pamëshirshme të biznesit dhe vjedhja. Një artikull i revistës tregtare CFO raporton: «Një anketë e 4.000 punëtorëve . . . nxori në pah se 31 përqind e atyre që u anketuan kishin qenë dëshmitarë të ndonjë ‘sjelljeje të keqe serioze’ gjatë vitit të mëparshëm.» Kjo sjellje e keqe përfshinte gënjeshtrën, regjistrime të falsifikuara, ngacmime seksuale dhe vjedhje. Nëse duam të qëndrojmë moralisht të pastër në sy të Jehovait, duhet të largohemi nga një sjellje e tillë dhe të jemi të ndershëm në çështjet tona financiare.—Mikea 6:10, 11.
20. Përse të krishterët duhet të lirohen nga «dashuria për para»?
20 Le të shohim se çfarë i ndodhi një burri, i cili mendonte se do të kishte më shumë kohë për t’ia kushtuar shërbimit të Perëndisë, po të nxirrte një përfitim të madh e të menjëhershëm nga një aventurë financiare. Ai i tërhoqi të tjerët në një skemë investuese, duke ekzagjeruar së tepërmi përfitimet e tyre të ardhshme. Kur këto përfitime nuk u realizuan, ai u përpoq me aq dëshpërim për të mbuluar humbjet e mëdha, saqë vodhi paratë që i ishin besuar. Për shkak të veprimeve dhe qëndrimit të tij të papenduar, ai u përjashtua nga kongregacioni i krishterë. Në fakt, është i vërtetë paralajmërimi i Biblës: «Ata që janë të vendosur për të qenë të pasur, bien në tundim, në grackë dhe në shumë dëshira të paarsyeshme dhe të dëmshme, të cilat i plandosin njerëzit në shkatërrim dhe në rrënim. Sepse dashuria për para është rrënja e çdo lloj gjëje të dëmshme dhe duke rendur pas kësaj dashurie, disa kanë devijuar nga besimi dhe e kanë plagosur veten e tyre me shumë dhimbje.»—1. Timoteut 6:9, 10, BR.
21. Cila sjellje është e zakonshme mes burrave me pushtet në botë, por si sillen ata që janë në pozita përgjegjësie në kongregacionin e krishterë?
21 Njerëzve me fuqi dhe ndikim në botë shpesh u mungon virtyti dhe shfaqin vërtetësinë e aforizmit ‘pushteti korrupton’. (Eklisiastiu [Predikuesi] 8:9) Në disa vende, rryshfetet dhe forma të tjera të korrupsionit janë një mënyrë jetese ndër gjykatësit, policët dhe politikanët. Kurse ata që marrin drejtimin në kongregacionin e krishterë duhet të jenë të virtytshëm dhe nuk duhet të zotërojnë mbi të tjerët. (Luka 22:25, 26) Pleqtë, si edhe shërbëtorët ndihmës nuk shërbejnë «për dashuri për përfitim të pandershëm». Ata duhet të jenë të imunizuar ndaj çdo përpjekjeje për të shtrembëruar apo për të ndikuar mbi gjykimin e tyre me perspektivën e pasurimit personal.—1. Pjetrit 5:2; Dalja 23:8; Proverbat [Fjalët e urta] 17:23; 1. Timoteut 5:21.
22. Çfarë do të trajtojë artikulli vijues?
22 Në përgjithësi, të krishterët po e përballojnë me sukses sfidën e ditëve në të cilat jetojmë, për të mbajtur virtytin në këtë botë të mbushur me vese. Sidoqoftë, virtyti përfshin më shumë sesa thjesht shmangien e ligësisë. Artikulli vijues do të trajtojë se çfarë kërkon në të vërtetë kultivimi i virtytit.
[Shënimet]
a Shiko seritë «Mbroni fëmijët tuaj!», në Zgjohuni! 8 tetor 1993, botuar në anglisht.
b Ata që në të kaluarën janë angazhuar në akte homoseksuale, mund të bëjnë ndryshime në sjelljen e tyre, ashtu siç bënë disa në shekullin e parë. (1. Korintasve 6:11) Informacion i dobishëm është prezantuar në revistën Zgjohuni! 22 mars 1995, faqet 21-23, botuar në anglisht.
Pika për rishikim
◻ Përse Jehovai urdhëroi shfarosjen e kananitëve?
◻ Cilat vese ishin të zakonshme në shekullin e parë dhe si ia dolën mbanë të krishterët në një mjedis të tillë?
◻ Çfarë dëshmie ekziston se bota ka qenë dëshmitare e një rënieje globale të moralit që nga 1914-a?
◻ Cilat vese të zakonshme duhet të hedhë poshtë populli i Jehovait?
[Figura në faqen 9]
Të krishterët e shekullit të parë ishin të virtytshëm, edhe pse jetuan në një botë të mbushur me vese
[Figura në faqen 10]
Vesi ka depërtuar edhe në rrjetet e kompjuterit, duke u dhënë shumë të rinjve dhe të tjerëve hyrje-daljen e materialit pornografik
[Figura në faqen 12]
Të krishterët duhet të mbajnë virtytin, duke mos imituar taktikat e pandershme të të tjerëve