Ata bënë vullnetin e Jehovait
Njeriu më i madh kryen një shërbim të përulur
JEZUI e dinte se orët e fundit që do të kalonte me apostujt e tij do të ishin të çmuara. Së shpejti, ai do të arrestohej dhe besimi i tij do të sprovohej si kurrë më parë. Jezui ishte edhe i vetëdijshëm se përpara tij gjendeshin bekime të mëdha. Pas pak, ai do të lartësohej deri në anën e djathtë të Perëndisë dhe do t’i jepej ‘emri që është mbi çdo emër tjetër, me qëllim që në emër të Jezuit të përkulet çdo gju i atyre në qiell dhe i atyre mbi tokë dhe i atyre nën dhe’.—Filipianëve 2:9, 10, BR.
Megjithatë, as ankthi në lidhje me vdekjen që i kanosej, as dëshira e zjarrtë për shpërblimin e premtuar nuk e shpërqendruan Jezuin nga nevojat e apostujve të tij. Gjoni regjistroi më vonë në Ungjillin e tij se Jezui «i deshi ata deri në fund». (Gjoni 13:1, BR) Edhe në ato orë të fundit vendimtare të jetës së tij si një njeri i përsosur, Jezui u dha apostujve të tij një mësim jetësor.
Një mësim në përulësi
Apostujt ishin me Jezuin në një dhomë të sipërme në Jerusalem për të kremtuar Pashkën. Më parë, Jezui i kishte dëgjuar tek haheshin me fjalë se kush ishte më i madhi mes tyre. (Mateu 18:1; Marku 9:33, 34) Ai e kishte trajtuar këtë çështje me ta dhe ishte përpjekur ta korrigjonte pikëpamjen e tyre. (Luka 9:46) Por, tani Jezui i theksoi ato mësime, duke përdorur një taktikë tjetër. Ai zgjodhi që jo vetëm t’u fliste për përulësinë, por ta demonstronte atë.
Gjoni shkruan se Jezui «u ngrit nga darka dhe la mënjanë veshjet e tij të sipërme. Duke marrë një peshqir, ai e ngjeshi në mes. Pas kësaj, vuri ujë në një legen dhe filloi t’u lajë këmbët dishepujve dhe t’ua thajë me peshqirin, të cilin e kishte ngjeshur në mes.»—Gjoni 13:4, 5, BR.
Në klimën e nxehtë të Lindjes së Mesme në kohën e lashtë, zakonisht njerëzit mbanin sandale të hapura kur ecnin në rrugët gjithë pluhur. Kur hynin në shtëpinë e një personi normal, ata përshëndeteshin nga i zoti i shtëpisë, i cili u jepte enë dhe ujë që të lanin këmbët. Në shtëpitë më të pasura, punën e larjes së këmbëve e kryente një skllav.—Gjyqtarët 19:21; 1. Samuelit 25:40-42.
Në dhomën e sipërme, Jezui dhe apostujt e tij nuk ishin mysafirë te ndokush. Nuk kishte ndonjë zot shtëpie që t’u jepte enë dhe nuk kishte skllevër që t’u lanin këmbët. Kur Jezui filloi t’u lante këmbët, apostujt u gjendën në një situatë të sikletshme. Ai që ishte më i madhi mes tyre po kryente punën më të përulur!
Fillimisht, Pjetri refuzoi ta linte Jezuin t’i lante këmbët. Por Jezui i tha: «Nëse nuk të laj, ti nuk ke pjesë me mua.» Kur mbaroi së lari këmbët e apostujve, Jezui tha: «A e dini se çfarë ju kam bërë? Ju m’u drejtuat me fjalët ‘Mësues’ dhe ‘Zotëri’ dhe folët me të drejtë, sepse unë jam i tillë. Prandaj, nëse unë, edhe pse Zotëri e Mësues, ju lava këmbët, edhe ju duhet t’u lani këmbët njëri-tjetrit. Sepse, unë lë modelin për ju, që pikërisht siç bëra unë, të bëni edhe ju.»—Gjoni 13:6-15, BR.
Jezui nuk po themelonte ndonjë rit të larjes së këmbëve. Në vend të kësaj, ai po i ndihmonte apostujt e tij që të kishin një qëndrim të ri mendor, një qëndrim me përulësi dhe gatishmëri për të kryer edhe punën më të përulur në dobi të vëllezërve të tyre. Me sa duket, ata e kapën pikën. Shqyrto se çfarë ndodhi vite më vonë kur u ngrit çështja e rrethprerjes. Edhe pse pati «shumë diskutime», ata që ishin të pranishëm mbajtën rregullin dhe dëgjuan me respekt pikëpamjet e njëri-tjetrit. Për më tepër, duket se ai që drejtonte atë mbledhje ishte dishepulli Jakov, jo një nga apostujt, siç mund të prisnim ne, meqë ata ishin të pranishëm aty. Kjo hollësi në tregimin e Veprave lë të kuptohet se apostujt kishin bërë përparim të konsiderueshëm në shfaqjen e përulësisë.—Veprat 15:6-29.
Mësim për ne
Duke u larë këmbët apostujve, Jezui dha një mësim të fuqishëm për përulësinë. Në fakt, të krishterët nuk duhet të mendojnë se janë kaq të rëndësishëm, saqë të tjerët duhet t’u shërbejnë gjithnjë atyre dhe as nuk duhet të aspirojnë për pozita nderi e prestigji. Në vend të kësaj, ata duhet të ndjekin modelin e lënë nga Jezui, i cili «erdhi, jo për t’u shërbyer, por për të shërbyer dhe për të dhënë shpirtin e tij si një shpërblesë në shkëmbim për shumë». (Mateu 20:28, BR) Po, ithtarët e Jezuit duhet të jenë të gatshëm të kryejnë shërbimet më të përulura për njëri-tjetrin.
Duke pasur arsye të vlefshme, Pjetri shkroi: «Ngjeshuni me përulësi mendjeje kundrejt njëri-tjetrit, sepse Perëndia u kundërvihet fodullëve, por u jep dashamirësi të pamerituar të përulurve.» (1. Pjetrit 5:5, BR) Fjala greke e përkthyer «ngjesh» e ka prejardhjen nga një fjalë që do të thotë «përparësja e një skllavi», nën të cilën ngjeshej një veshje e lirshme. A mund të ishte duke iu referuar Pjetri veprimit që bëri Jezui, duke ngjeshur një peshqir në mes dhe duke u larë këmbët apostujve? Këtë nuk mund ta themi me siguri. Megjithatë, shërbimi i përulur i Jezuit la mbresa të pashlyeshme në zemrën e Pjetrit, ashtu siç duhet të lërë në zemrat e të gjithë atyre që duan të jenë ithtarë të Krishtit.—Kolosianëve 3:12-14.