Të ruajmë qëndrimin tonë si «banorë të përkohshëm»
«Ju nxit si të ardhur e banorë të përkohshëm, të vazhdoni të rrini larg nga dëshirat e mishit.»—1 PJET. 2:11.
1, 2. Cilëve iu referua Pjetri me fjalën «të zgjedhurve»? Pse i quajti ata «banorë të përkohshëm»?
RRETH 30 vjet pasi Jezui shkoi në qiell, apostulli Pjetër u shkroi një letër «banorëve të përkohshëm të shpërndarë nëpër Pont, Galati, Kapadoki, Azi dhe Bitini, të zgjedhurve». (1 Pjet. 1:1) Është e qartë se me fjalën «të zgjedhurve» Pjetri iu referua atyre që, ashtu si ai, ishin mirosur nga fryma e shenjtë dhe u ishte dhënë ‘një lindje e re për një shpresë të gjallë’ që të sundonin me Krishtin në qiej. (Lexo 1 Pjetrit 1:3, 4.) Por, pse më pas i quajti këta të zgjedhur «të ardhur e banorë të përkohshëm»? (1 Pjet. 2:11) Ç’kuptim ka kjo për ne sot kur vetëm rreth 1 në 650 Dëshmitarë aktivë në mbarë botën pohon se është ndër të zgjedhurit?
2 Në shekullin e parë, ishte me vend të përdorej shprehja «banorë të përkohshëm» për të mirosurit. Ekzistenca e tyre në tokë nuk ishte e përhershme, siç është e vërtetë edhe për ata që kanë mbetur gjallë nga ky grup. Apostulli Pavël, i cili ishte vetë pjesëtar i mirosur i ‘kopesë së vogël’, shpjegoi: «Qytetaria jonë gjendet në qiej, nga ku presim me dëshirë të zjarrtë një shpëtimtar, Zotërinë Jezu Krisht.» (Luka 12:32; Filip. 3:20) Meqë ‘qytetaria e tyre gjendet në qiej’, kur vdesin, të mirosurit lënë tokën për diçka ku e ku më të mirë, jetën e pavdekshme në qiej. (Lexo Filipianëve 1:21-23.) Kështu, në kuptim të mirëfilltë, ata mund të quhen thjesht «banorë të përkohshëm» të tokës, e cila gjendet nën kontrollin e Satanait.
3. Cila pyetje lind për ‘delet e tjera’ tani?
3 Por, ç’të themi për ‘delet e tjera’? (Gjoni 10:16) A nuk kanë një shpresë të bazuar fortësisht në Shkrime që të bëhen banorë të përhershëm të tokës? Në fakt, toka do të jetë përgjithmonë shtëpia e tyre. Megjithatë, në njëfarë kuptimi, edhe ata mund të konsiderohen tani banorë të përkohshëm. Në ç’kuptim?
‘E GJITHË KRIJESA VAZHDON TË RËNKOJË SË BASHKU’
4. Çfarë nuk mund të ndalin udhëheqësit e kësaj bote?
4 Për sa kohë të lejohet të ekzistojë sistemi i lig i Satanait, të gjithë, përfshirë të krishterët, do të vazhdojnë të vuajnë pasojat e rebelimit të Satanait kundër Jehovait. Te Romakëve 8:22 lexojmë: «Ne e dimë që deri tani e gjithë krijesa—vazhdon të rënkojë së bashku dhe të përjetojë dhembje së bashku.» Udhëheqësit, shkencëtarët dhe filantropët e kësaj bote, sado të sinqertë të jenë, nuk kanë fuqi ta ndalin këtë.
5. Cilin hap kanë ndërmarrë miliona veta që nga viti 1914 dhe pse?
5 Prandaj, që nga viti 1914, miliona kanë vendosur të bëhen nënshtetas të Mbretërisë së Mbretit të kurorëzuar, Krishtit Jezu. Ata nuk dëshirojnë të jenë pjesë e sistemit botëror të Satanait. Nuk pranojnë të mbështetin botën e Satanait. Përkundrazi, e përdorin jetën dhe pasurinë për të mbështetur Mbretërinë e Perëndisë, duke u shërbyer interesave të saj.—Rom. 14:7, 8.
6. Në ç’kuptim Dëshmitarët e Jehovait mund të quhen të ardhur?
6 Po, në më tepër se 200 vende, Dëshmitarët e Jehovait janë qytetarë që u binden ligjeve, e megjithatë, pavarësisht se ku jetojnë, janë si të ardhur. Ata qëndrojnë plotësisht asnjanës për sa u përket çështjeve politike dhe sociale. Tashmë e konsiderojnë veten qytetarë të një bote të re, të botës që do të krijojë Perëndia. Gëzojnë teksa shohin se ditët e tyre si banorë të përkohshëm në një sistem botëror të papërsosur, po i afrohen fundit me shpejtësi.
7. Si do të bëhen banorë të përhershëm shërbëtorët e Perëndisë? Ku do të jetojnë si banorë të përhershëm?
7 Së shpejti, Krishti do ta ushtrojë autoritetin e tij që të shkatërrojë sistemin e lig të Satanait. Qeveria e përsosur e Krishtit do ta çlirojë tokën nga mëkati dhe brengat. Ajo do të zhdukë çdo gjurmë rebelimi kundër sovranitetit të drejtë të Jehovait, të dukshme e të padukshme. Shërbëtorët besnikë të Perëndisë do të mund të bëhen banorë të përhershëm të Parajsës tokësore. (Lexo Zbulesën 21:1-5.) Në kuptimin e plotë të fjalës, atëherë krijimi ‘do të jetë liruar nga skllavëria e prishjes dhe do të ketë lirinë e lavdishme të fëmijëve të Perëndisë’.—Rom. 8:21.
ÇFARË PRITET NGA TË KRISHTERËT E VËRTETË?
8, 9. Shpjegoni se çfarë donte të thoshte Pjetri me shprehjen «rrini larg nga dëshirat e mishit».
8 Pjetri shpjegon se çfarë pritet nga të krishterët kur vazhdon të thotë: «Të dashur, ju nxit si të ardhur e banorë të përkohshëm, të vazhdoni të rrini larg nga dëshirat e mishit, të cilat janë po ato që zhvillojnë një konflikt kundër shpirtit.» (1 Pjet. 2:11) Kjo këshillë iu drejtua së pari të krishterëve të mirosur, por vlen po njësoj edhe për delet e tjera të Jezuit.
9 Disa dëshira nuk janë të gabuara në vetvete kur plotësohen në mënyrën e vendosur nga Krijuesi. Në të vërtetë, ato ia shtojnë kënaqësinë jetës. Për shembull, disa dëshira normale janë: të hash e të pish gjëra të mira, të marrësh pjesë në aktivitete përtëritëse dhe të gjesh kënaqësi me shoqëri të shëndetshme. Edhe dëshira për kënaqësi seksuale me bashkëshortin është e përshtatshme dhe ka vendin e vet. (1 Kor. 7:3-5) Sidoqoftë, kur po fliste për «dëshirat e mishit», me të drejtë Pjetri po u referohej atyre që «zhvillojnë një konflikt kundër shpirtit». Disa versione biblike e bëjnë të qartë kuptimin e kësaj shprehjeje duke e përkthyer «epshet e mishit» (King James Version) ose «dëshirat mëkatare» (New International Version). Është e qartë se çdo dëshirë njerëzore që bie në kundërshtim me qëllimin e shprehur të Jehovait dhe që mund të ndikojë keq në marrëdhënien tonë të mirë me Perëndinë, duhet mbajtur nën kontroll. Përndryshe, mund të rrezikohej seriozisht shpresa e një të krishteri për ta mbajtur gjallë shpirtin.
10. Cilat janë disa metoda që përdor Satanai që t’i nxitë të krishterët të bëhen pjesë e botës së tij?
10 Satanai nuk dëshiron që të krishterët e vërtetë të vazhdojnë ta shohin veten si «banorë të përkohshëm» në këtë sistem. Shkëlqimi i materializmit, joshja e imoralitetit, magjepsja e famës, grishja e qëndrimit «të jem i pari në çdo gjë» dhe fuqia magnetike e nacionalizmit janë të gjitha gracka të Satanait dhe duhen pranuar si të tilla. Duke qenë të vendosur të përmbahemi nga këto dëshira të gabuara të mishit, tregojmë qartë se nuk duam të jemi pjesë e botës së ligë të Satanait. Kështu tregojmë se jetojmë në të vetëm përkohësisht. Ajo që duam vërtet e që po përpiqemi fort të arrijmë është të banojmë përherë në botën e re e të drejtë të Perëndisë.
SJELLJE E SHKËLQYER
11, 12. Si shihen ndonjëherë të huajt? Ç’mund të thuhet për Dëshmitarët e Jehovait?
11 Pjetri vazhdon të shpjegojë në vargun 12 se çfarë pritet nga ‘banorët e përkohshëm’ të krishterë: «Mbajeni të shkëlqyer sjelljen tuaj mes njerëzve nga bota, me qëllim që për gjërat që thonë kundër jush, si të ishit keqbërës, t’i japin lavdi Perëndisë ditën e hetimit prej tij, si rrjedhim i veprave tuaja të shkëlqyera, për të cilat janë dëshmitarë okularë.» Të huajt, banorët e përkohshëm në një vend jo të vetin, ndonjëherë kritikohen. Vetëm ngaqë janë të ndryshëm nga fqinjët, mund të shihen madje si keqbërës. Të folurit, veprimet, veshja e ndoshta edhe pamja e tyre mund të jenë disi ndryshe. Por, kur bëjnë vepra të mira, pra, si të thuash, kur sjellja e tyre është e shkëlqyer, komentet negative për ta dalin të pabaza.
12 Po kështu, të krishterët e vërtetë ndryshojnë nga shumica e fqinjëve në disa aspekte, si për shembull bisedat ose zgjedhja e zbavitjes. Veshja dhe krehja i identifikon shpesh si të ndryshëm nga pjesa më e madhe e njerëzve në komunitet. Për shkak të këtyre ndryshimeve, disa individë të keqinformuar i kanë akuzuar si keqbërës. Megjithatë, të tjerë i lavdërojnë për mënyrën e jetesës.
13, 14. Si del mençuria «e drejtë me anë të veprave të veta»? Ilustrojeni.
13 Po, sjellja e shkëlqyer mund të ndihmojë për të shuar kritikat e pajustifikuara. Edhe Jezuin, të vetmin njeri që tregoi besnikëri të përsosur ndaj Perëndisë, e akuzuan padrejtësisht. Disa e quajtën ‘grykës dhe të dhënë pas verës, mik të taksambledhësve dhe të mëkatarëve’. Por, faktikisht falë udhës së mençur që ndoqi duke i shërbyer Perëndisë, i hodhi poshtë akuzat si keqbërës. «Mençuria del e drejtë me anë të veprave të veta»,—tha Jezui. (Mat. 11:19) Po kështu është edhe sot. Për shembull, disa fqinjë i konsiderojnë të çuditshëm vëllezërit e motrat që shërbejnë në kompleksin e Bethelit në Zeltërs të Gjermanisë. Por kryetari i bashkisë së asaj zone foli në mbrojtje të tyre duke arsyetuar: «Dëshmitarët që shërbejnë atje kanë mënyrën e tyre të jetesës, por kjo nuk e shqetëson aspak jetën e të tjerëve në zonë.»
14 Një përfundim i ngjashëm u arrit kohët e fundit për Dëshmitarët e Jehovait në Moskë, Rusi. Ata i kishin akuzuar padrejtësisht për disa veprime të gabuara. Por, në qershor 2010, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg të Francës nxori këtë vendim: «Gjykata vëren se ndërhyrja [e Moskës] në të drejtat e paditësve për lirinë e fesë e të mbledhjes nuk ishte e justifikuar. Gjykatat vendëse nuk gjetën arsye ‘të rëndësishme dhe të mjaftueshme’ për të treguar se komuniteti paditës» ishte fajtor, për shembull, për prishjen e familjeve, nxitjen e vetëvrasjeve ose refuzimin e kujdesit mjekësor. Prandaj, «vendimi i shpallur nga gjykatat vendëse ishte tejet i ashpër, duke pasur parasysh mungesën e elasticitetit në ligjin vendës, dhe jashtëzakonisht i ekzagjeruar në krahasim me çfarëdo synimi të ligjshëm».
NËNSHTRIM I DUHUR
15. Cilin parim biblik ndjekin të krishterët e vërtetë në mbarë botën?
15 Dëshmitarët e Jehovait në Moskë, e faktikisht në mbarë botën, përmbushin një kërkesë tjetër për të krishterët, siç e theksoi Pjetri. Ai shkroi: «Për hir të Zotërisë, nënshtrojuni çdo krijese njerëzore: qoftë mbretit si më i lartë, qoftë guvernatorëve.» (1 Pjet. 2:13, 14) Ndonëse nuk janë pjesë e botës së ligë, të krishterët e vërtetë u nënshtrohen me gatishmëri autoriteteve qeveritare «në pozitat e tyre relative», pikërisht siç udhëzoi Pavli.—Lexo Romakëve 13:1, 5-7.
16, 17. (a) Ç’gjë tregon se ne nuk jemi kundër qeverive? (b) Si janë shprehur disa udhëheqës politikë?
16 Dëshmitarët e Jehovait nuk sillen si «banorë të përkohshëm» në sistemin e sotëm që t’i kundërvihen qeverisë. Gjithashtu, nuk u kundërvihen të tjerëve dhe as ndërhyjnë në pikëpamjet e tyre politike ose sociale. Ndryshe nga disa grupe fetare, Dëshmitarët e Jehovait nuk përzihen në politikë. Ata nuk përpiqen kurrë t’i nxitin udhëheqësit politikë të ndryshojnë mënyrën si qeverisin. Ideja se do të orvateshin të prishnin rendin publik ose të nxitnin rebelim kundër qeverisë është tërësisht e pabazë.
17 Duke iu bindur zyrtarëve publikë në përputhje me këshillën e Pjetrit që ‘të kenë nderim për mbretin’, të krishterët tregojnë respektin dhe nderimin që u takon sipas pozitës. (1 Pjet. 2:17) Disa herë qeveritarët janë shprehur se nuk kanë asnjë arsye të vlefshme për t’u shqetësuar nga Dëshmitarët e Jehovait. Për shembull, politikani gjerman Shtefen Rajhe, ish-ministër kabineti në shtetin e Brandenburgut dhe më vonë anëtar i parlamentit gjerman, tha: «Sjellja e Dëshmitarëve të Jehovait në kampe e burgje mishëron virtyte të cilat sot, ashtu si në të kaluarën, janë të domosdoshme për ekzistencën e një shteti kushtetues dhe demokratik, pra palëkundshmëri kundër SS-ve dhe humanizëm ndaj të burgosurve të tjerë. Duke pasur parasysh rritjen e brutalitetit ndaj të huajve, si edhe ndaj disidentëve politikë ose ideologjikë, këto virtyte janë një domosdoshmëri për çdo qytetar të vendit tonë.»
TË SHFAQIN DASHURI
18. (a) Pse për ne është e natyrshme të duam gjithë vëllazërinë? (b) Çfarë kanë vërejtur disa që nuk janë Dëshmitarë?
18 Apostulli Pjetër shkroi: «Kini dashuri për gjithë vëllazërinë, kini frikë Perëndinë.» (1 Pjet. 2:17) Dëshmitarët e Jehovait e kanë frikë Perëndinë, domethënë kanë frikë se mos i shkaktojnë pakënaqësi, dhe kjo i motivon më shumë për të bërë vullnetin e tij. Janë të lumtur t’i shërbejnë Jehovait si pjesë e një vëllazërie ndërkombëtare që ka të njëjtën dëshirë. Prandaj, për ta është thjesht e natyrshme ‘të kenë dashuri për gjithë vëllazërinë’. Një dashuri e tillë vëllazërore, e cila është kaq e rrallë në shoqërinë e sotme egoiste, i befason ata që s’janë Dëshmitarë. Për shembull, një cicerone që punonte në një agjenci udhëtimesh amerikane, u mahnit nga përzemërsia dhe mbështetja që treguan Dëshmitarët për delegatët e huaj në një kongres ndërkombëtar në Gjermani, në 2009-n. Ajo tha se në tërë vitet që kishte punuar me turistët, kurrë s’kishte parë diçka të tillë. Më vonë, një nga Dëshmitarët tregoi: «Gjithçka që tha për ne, e shprehu me një ton habie dhe entuziazmi.» A keni dëgjuar fjalë të tilla nga njerëzit pasi kanë parë Dëshmitarët gjatë një kongresi?
19. Për çfarë duhet të jemi të vendosur dhe pse?
19 Me gjithë mënyrat e mësipërme, si edhe në mënyra të tjera, Dëshmitarët e Jehovait tregojnë se jetojnë vërtet si «banorë të përkohshëm» në sistemin e tanishëm të Satanait. E bëjnë këtë me gëzim dhe janë të vendosur të qëndrojnë si të tillë. Kanë shpresën e fortë dhe të bazuar mirë se së shpejti do të bëhen banorë të përhershëm të botës së re e të drejtë të Perëndisë. A nuk po e pritni me padurim këtë?